Muzika ushqimi i shpirtit dhe i mendjes. Te shkembejme shijet muzikore dhe te rejat e fundit nga muzika. Te pershendesim njeri tjetrin me muzike apo linke videosh muzikore youtube,google
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Gasper Çurçia një ditë para vdekjes-Si u pushkatua në 1985?
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Pak mbi jetën e Gaspër Çurçisë
Imazh
“Orkestra popullore shkodrane në Radio-Tirana, viti 1942”

Gaspër Çurçia.

Ai lindi në Shkodër në 1934 në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. E ëma, Vjera, ishte kroate dhe të dy u njohën gjatë studimeve në Zagreb.

Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi. Kjo pianiste e mbetur në hije, ka qenë mësuesja e parë e shumë artistëve të shquar nga Shkodra.

Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.

Për shkak të origjinës së pasur familjare nuk mundi të ndiqte shkollën artistike në Tiranë, por futet në lëvizjen amatore, duke ekzekutuar kryesisht në lokalet e qytetit.

Në moshën 20-vjeçare, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, vjen në Tiranë, me të jëmën dhe të motrën, sepse fejohet e më pas martohet me një vajzë tiranase.

Në Tiranë gjen fillimisht punë si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon.

Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte. Incizimet e tij në radio janë ende të paarritshme.

Aktiviteti i Gaspërit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte një trombë në një gjysmë vajtim – shprehen kolegët e tij.

Në vitin 1962, me fillimin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Gaspëri gjeti më në fund veten në fushën e muzikës. Për herë të parë ai u bë pjesëtar i orkestrës së radios për festivalet e këngës.

Edhe mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas 1961-shit, Radio-Tirana jepte muzikë xhaz nga vendet e Lindjes, xhaz hungarez, polak, çek dhe gjerman. Po atë vit tek ne filloi të ndiqet televizioni italian. Shtëpitë e rralla që atë kohë e kishin këtë mundësi, pra aparat televizori, u kthyen në kinema ku ndiqeshin festivalet dhe emisionet muzikore italiane. Pak a shumë kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1967, vitin e histerisë anti-kulturë, histeri që zgjati deri në 1972, për t’u përsëritur në 1973 edhe më ashpër.
Çfarë pjese kishte Gaspër Çurçia në këtë festival?

Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ka qenë arritja më e madhe e tij. Edhe me mjetet e sotme është vështirë të arrihen orkestrime të atij niveli. Mjafton të përmendim arranxhimin në xhaz të këngës “Natën Vonë” që tingëllon aq i kohës sot e kësaj dite. Jo më kot artistët e rinj e kanë si pikë referimi. Si të gjithë organizuesit dhe kontribuesit e këtij festivali, që mbeti në historinë e muzikës, jetës artistike dhe shoqërore-politike të Shqipërisë, edhe ai mori dënimin përkatës. Gaspëri u çua fillimisht punëtor në Ndërmarrjen “Migjeni”.

Pas disa vitesh edhe aty filloi pas orarit, punën e muzikantit në lëvizjen amatore, duke organizuar një grup xhazi vetëm me femra. Më 1978 punon në një ndërmarrje tjetër, i angazhuar me prodhimin e instrumenteve popullorë, që i projekton dhe ndërton me pajisje të ideuara nga ai vetë.

Mendja e tij nuk rresht së krijuari deri sa më 1984 akuzohet për një krijim të një lloji të veçantë, që kurrë nuk u provua, por që i kushtoi atij jetën.

Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht dhe u asgjësua. Më 11 Prill 1984 muzikanti Gaspër Çurçia ekzekutohet. Në të njëjtën ditë, një vit më vonë, “shpallet” vdekja e diktatorit shqiptar, që ideoi, frymëzoi dhe vuri në jetë jo vetëm ekzekutimet e kundërshtarëve të tij politikë realë apo imagjinarë, por edhe të të gjithë shqiptarëve që luftuan për sado pak liri.

Lajmi i pushkatimit të Gaspër Çurçisë, megjithëse i pashpallur, u përhap fshehurazi në botën artistike të Tiranës. Qe një zi në heshtje. Tani fillonte kalvari i familjes. Gruaja Vasilika dhe tre djemtë Marku, Eduardi dhe Fredi, internohen në fshatin Dardhë të Beratit, në një zonë të thellë malore. Marku kishte trashëguar duart e arta të të atit, Fredi pasionin për trombën, kurse Edi, mirësinë e tij.

E fejuara e Edit, Zana, pa marrë parasysh pasojat dhe vështirësitë e jetës në internim, i bashkohet familjes Çurçia në fshatin Dardhë. Gjatë viteve të hidhura të internimit familja pati edhe një gëzim të madh, lindjen e dy fëmijëve, Vjerës dhe Xhinos.

Në vitin 1991, familja Çurçia, si shumë familje të tjera të dënuara kthehet në Tiranë dhe vendoset në ish Shkollën e Partisë. Fillon për ta një fazë tjetër jete në mizerje:

regjimi i vjetër po lëshonte terren, sepse s’mund ta mbante më. Shkolla e Partisë si bastion ideologjik i rëndësishëm i sistemit komunist, ishte nga të parat objekte, që u ‘pushtuan’.

Të gjitha ambientet e kësaj shkolle u populluan me ish të dënuar politikë, por kryesisht me të dënuar ordinerë të liruar atë vit nga burgjet. Kush ka jetuar apo vizituar ato vite rrethimin e asaj shkolle, mund ta dijë se ajo u kthye në një farë getoje, mu afër qendrës së kryeqytetit shqiptar.

Familja Çurçia u sistemua në një hapësirë, që më parë kishte shërbyer si kafe e shkollës. Hapësira kishte një parket që u kalb në mënyrë të rrufeshme, por së paku kishte një çati, edhe pse pikonte. Në cepin tjetër të katit të parë u sistemua një familje e ardhur edhe ajo nga internimi dhe burgjet politike. Ambienti që ata zunë kishte shërbyer më parë si infermieri e më pas si depo. Ish-kafeneja dhe ish-depoja, u bënë për vite vendet ku dy familjet kalonin çaste të gëzuara në liri, edhe pse në mes varfërisë dhe mungesës së kushteve më elementare të higjienës. Në dhomën e vetme e të madhe të Çurçive një prej djemve të depos, festoi dasmën e tij. Tradita e vjetër e familjes u shfaq edhe në këto kushte banimi.

Me lejoni t’i përshkruaj paksa këto kushte banimi, megjithëse nuk do jetë aspak e këndshme për lexuesin:

Mijëra njerëz të kthyer nga burgjet dhe internimet, jetonin në katër apo pesë godinat e shkollës, çdo familje e ngucur në një apo dy dhoma konvikti. Për çdo kat kishte tre apo katër të ndara banjash alla turka dhe asnjë vend për të bërë dush. Nga banorët e shumtë banjat bllokoheshin çdo javë duke filtruar më pas në tavanet e kateve të mëposhtëm. Plehrat e hedhura nga penxheret krijonin pirgje që zinin dritën dhe ajrin e penxhereve të katit të parë dhe që i ngjitur me tokën, sulmohej pa nda edhe nga banorët e tjerë të kësaj shkolle:

Ata ishin më të shumtë se banorët e sapoardhur që ishin të të gjitha llojeve. Ishin minj gjirizesh të mëdhenj, minj banesash të veckël, krimba shumëkëmbësh të shumuar nga lagështia e madhe, krimba me bisht që s’njihnin pengesa, buburrecë, tartabiqe, akrepa dhe merimanga të madhësive të panjohura, mushkonja dhe miza që nuk njihnin stinë.

Në këtë mjedis u rritën Jera dhe Xhinua i vogël me prindër thuajse të papunë. Për më tepër Vasilika, gjyshja e tyre, një grua me një mirësi të jashtëzakonshme, një mësuese shumë e dashur për breza të tërë nxënësish, sëmuret rëndë dhe pas një vuajtje të madhe, ndahet nga jeta.

Vëllai i vogël, Fredi i ikur në Itali, nuk mund të vijë për të varrosur të jëmën, sepse humb të drejtën e kthimit. Dëshpërimi rikthehet përsëri në familje. Megjithatë, Edi dhe Zana, me shumë përpjekje gjejnë mënyra mbijetese duke realizuar shkollimin e Vjerës së talentuar dhe atë që nuk realizuan dot djemtë e Gaspërit, e realizoi mbesa e tij. Ajo ndoqi traditën artistike të familjes, studioi dhe u diplomua në shkollën e baletit dhe sot është soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.

Xhino ndodhet në Itali ku punon dhe ndihmon prindërit që janë pa punë fikse dhe që jetojnë edhe sot atje, ku për fat të keq kushtet e jetesës kanë ndryshuar shumë pak.

Ende është aktuale elegjia që i thurën kësaj shkolle nostalgjikët e komunizmit:

U morë nga artikulli " Shpirti dhe shteti totalitar" me autore
Vera Bekteshi
03/10/2011 07:13




Zyrtari i lartë: Si e pushkatuam Gasper Çurçinë një ditë para vdekjes së Enverit

E diel, 23 Gusht 2009
Ferdinand Dervishi

Në numrat e shkuar gazeta bëri një panoramë të plotë të ngjarjes së bujshme të viteve 1984-1985 të falsifikimit të biletave të trenit nga dy grupe të ndryshme. Sipas dokumenteve të hetimit dhe të gjykimit, biletat false që kishin një vit në treg ishin diktuar nga dy fatorino të linjës së Shkodrës. Më tej policia kishte arrestuar një shitëse të biletave të trenit në stacionin e Tiranës, të quajtur Bukurie Gjeçi. Menjëherë më pas hetimit të policisë i ishin konfiguruar dy grupet e falsifikatorëve. Njëri drejtohej nga ish-muzikanti i njohur Gasper Çurçia, tjetri nga inxhinieri i Drejtorisë së Përgjithshme të Postave, Shkëlzen Doçi. Të dy grupet ishin joshur dhe futur në këtë lojë me rrezik nga shitësja, e cila që nga viti 1973 kishte futur duart në xhiron e arkës, duke shkaktuar një deficit prej afër 2 milionë lekësh të vjetra të kohës. Sipas llogarive të ekspertëve të gjykatës, i lakuari i madh, Gasper Çurçia ishte i treti në listën e përfituesve nga shitja e biletave false me 40 mijë lekë të rinj, ndërkohë që shuma më e madhe, prej 215 mijë lekësh, ishte përvetësuar nga shitësja Bukurie Gjeçi, ndërsa i dyti në radhë ishte inxhinieri Shkëlzen Doçi, me 116 mijë lekë të përfituara.


Shumëkush prej nesh ka një ngjarje nga jeta që e veçon. Një ngjarje që mbetet thellë, rezistente ndaj çdo lloj lavazhi të trurit, e që të mundon për gjithë jetën. Që të fanepset edhe në gjumë, që të përsillet në ëndërr në versione nga më të pabesueshmet, që të bën ty protagonist, të bën të ndihesh fajtor pa qenë i tillë, që e detyron shpirtin të zvarritet, të jetë kundër dhe të protestojë deri në pështirosje, që të shton makthet dhe të bën të zgjohesh i terrorizuar...
Kjo përshtypje të mbetet në mendje pas takimit prej gati dy orësh me një ish-punonjës të sistemit të drejtësisë në kohën e komunizmit, që ka marrë pjesë në pushkatimin e dy protagonistëve të vjedhjes së famshme me anë të falsifikimit të biletave të trenit. Një ngjarje që tronditi jo pak Tiranën e vitit 1985, edhe pse përpikmërisht në të njëjtën kohë vdiq, duke shkaktuar një zhurmë edhe më të madhe, edhe më eklipsuese, Enver Hoxha, diktatori komunist i shqiptarëve.
Njeriu përballë sapo ka kaluar të gjashtëdhjetat, është pensionist, vuan nga shqetësimet në zemër dhe nis të rrëfejë se si dikur, gjatë kohës së diktaturës, paguhej për të vërtetuar paudhësitë e krimet e pjesës që quhej popull. Dhe është pikërisht një nga ata që kanë emrin e firmën përfund një procesverbali të datës 9 prill 1985, që vërteton pushkatimin e muzikantit Gasper Çurçia, inxhinierit të postës Shkëlzen Doçi, që të dy të dosjes së falsifikimit të biletave si dhe një tjetër të burgosuri, të dënuar për vrasje.
Gjashtëdhjetëvjeçari hoqi rrugën që të çon në një lokal të qetë diku pas “Hotel Tirana”, zgjedhja e të cilit duket se kishte lidhje me faktin se frekuentohej nga njerëz të së njëjtës moshë. Duket njeriu, që rezistoi deri në fund të mos ishte një protagonist me emër në këtë shkrim, ndihej më ngrohtë, më komod, mes të njohurve të vjetër. Në temë nis të futet vetëm pasi rrufit gllënjkën e parë të kafes së trazuar me një grimcë sheqer.
“Ishte prilli i vitit 1985. Bënte acar. Nuk mbahet mend të jetë përsëritur më një i ftohtë i tillë si atëherë. Mbase edhe për këtë shkak, një ditë më pas do të vdiste Enver Hoxha. Kohën nuk e gaboj sepse kjo është ngjarja më e rëndë, më e tmerrshme e gjithë jetës. Ishte një periudhë kur shqiptarët ishin katandisur për bukën e gojës dhe sistemi u bë shumë agresiv në dënime për çdo lloj vjedhjeje. Prandaj edhe i dënuan me vdekje këta të biletave të trenit. Mesa mbaj mend, vjedhjen e të hollave, nëse kapërcente një shumë të caktuar, në mos gaboj, 70 mijë lekë të vjetra, Kodi Penal i kohës e dënonte me burg që shkonte deri me vdekje. Kështu që këta të gjorët i shkuan në plumb. Nuk më harrohet fjala e fundit e Gasper Çurçisë, para pushkatimit, që tha se po e vrisnin për 20 mijë lekë, por më shumë përshtypje më ka bërë ai më i riu, Shkëlzen Doçi. Atë e vranë fare kot...”, nis të rrëfejë njeriu që duket ende ushqen veten dhe vendos këtë ngjarje jashtë apo përmbi ish-detyrën e tij të dikurshme në një hallkë jo pak të rëndësishme të shtetit komunist. Për më tepër gjithçka ka nisur e përfunduar natën, nën dritën e zbehtë të elektrikëve të dorës. Natën, për t’u mbështjellë edhe më shumë nga enigmat. Por edhe fatmirësisht natën, për t’i lënë udhë ndonjë vegimi nga ata që sjell ndonjëherë mendja e stërlodhur, që për të gjetur pak prehje e veçon, e vendos te raftet e sipërme të magazinës, aty ku stivohen të gjitha jo realet, të gjitha të pavërtetat, të gjitha ato që rëndom quhen pjella të imagjinatës.
“Të them të drejtën ato dy orë të kaluara natën diku në afërsi të Linzës, në rrëzë të malit Dajt, në ndërrimin e datave 9 e 10 prill 1985, përveçse më lanë nën shok psikologjik për 15 ditët në vazhdim, më kanë lodhur gjatë gjithë jetës së mëpastajme. Madje, jam i bindur se edhe kjo ngjarje duhet të ketë ndikuar në shëndetin e rrënuar...”
Një mision i kundërshtuar
Njeriu që rrëfehet duket se është nga ata që janë djegur keqas nga ndjekja pas, pa u menduar dy herë, e rutinës së diktuar. Ndodh kështu me qeniet njerëzore, kur ndihen komod në një detyrë ku e kuptojnë vonë se janë nxituar për të bërë protagonistët. Në një detyrë që ka të bëjë me ndërhyrjen në jetët e të tjerëve, apo me vetë ekzistencën e mëtejme të këtyre jetëve. Kur për shkak të statusit të tyre e vendosin veten larg shumicës, sipër saj, në rolin e barinjve, rojeve, kontrollorëve, gjykuesve, gjykatësve dhe në fund, kur nuk ka më kohë, kur nuk e kuptojnë menjëherë se çfarë janë duke ndërmarrë, kur nuk kanë as fuqi, sepse gjithçka diktohet nga shumë shkallë përmbi ta, pranojnë, qoftë me rritje agresive të frenimit, edhe rolin e ekzekutorëve. Kështu që vetëgjykimi për këtë situatë, kaptuar dekada, rëndohet.
“Çështja e falsifikimit të biletave të trenit nuk ishte imja. Atë e kishte hetuar duke e çuar në gjyq, kryetari, S. Baboçi. Ishte data 9 prill 1985 kur shefi na mblodhi dhe na komunikoi se një nga stafi duhet të ishte prezent në pushkatimin e dy të dënuarve për falsifikimin e biletave të trenit si dhe të një të treti. Sipas një rregulloreje, në të tilla raste duhet të ishte një përfaqësues i akuzës, një njeri që të përmbushte prezencën e shtetit. Kur shefi pa se asnjë nuk po dilte vullnetar, drejtoi gishtin nga unë. Fillimisht mu duk se po bënte shaka, sepse e kisha ose e konsideroja mik, sepse më dukej se kishim respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Menjëherë më pas u trazova dhe i kërkova me ngulm që të ndryshonte vendimin, duke u justifikuar se nuk kisha zemër për të parë skena të tilla. Por shefi, për të cilin gjithsesi kam ruajtur respekt, nuk lëvizi nga e tij. Të them të drejtën mu duk e rëndë ajo që më ngarkuan të bëja, por po ta dija se çfarë do të më shkaktonte në të vërtetë, mbase do kisha kundërshtuar deri në atë pikë sa të ndryshoja rrjedhën e ngjarjeve. Qoftë duke marrë pasoja mbi supe”.
Po atë ditë, sipas të njëjtit, në Prokurorinë e Tiranës kishte ardhur një vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, që mbante datën 8 prill 1985, dhe që thoshte se tre të dënuarve, një vrasësi ordiner, Gasper Çurçisë e Shkëlzen Doçit, nuk u ishte falur jeta. Kështu që ekzekutimet, sipas një rregulli tashmë të vjetër, duhet të bëheshin të nesërmen, më 9 prill 1985, në prezencë të një ekipi të përbërë prej përgjegjësit të forcave të policisë, një hetuesi, një prokurori, një mjeku dhe një sekretari që duhet të fiksonte gjithçka në një procesverbal, sidomos fjalën e fundit të së dënuarve para pushkatimit, një formalitet i detyrueshëm.
“Siç kishim rënë dakord më parë mua më morën me makinë diku të kryqëzimi i “Farmacisë nr. 10”. Kujtoj se ngriva nga të ftohtët duke pritur. Makinat ishin disa, ndërsa në njërën prej tyre, që më është fiksuar se ishte e blinduar, mbaheshin tre të dënuarit. Ishte ora rreth 23:00 e datës 9 prill 1985 dhe kur kalova pranë makinës që mu duk e blinduar dëgjova psherëtima të rënda, të njëjta me ato që ende më fanepsen në ëndrra. Nuk e dija më parë, sepse nuk kisha pasur rastin as të më rrëfenin për histori të ngjashme, se ato ishin psherëtimat e shpirtrave që ndienin se pak minuta më pas do të pushkatoheshin...”
Te varri i përbashkët
“Makinat nisën të ngjiteshin rrugës së Dajtit dhe unë vura re se të gjithë në kabinë nuk flisnin. Vetëm shoferi pinte cigare dhe shkundte hirin jashtë dritares gjysmë të hapur. Kujtoj se ato ditë kishte rënë edhe dëborë. Ose gabohem. Po kështu nuk jam i saktë, por më duket se dikush pëshpëriti se njëri nga të dënuarit kishte ditëlindjen. Pasi u ngjitën në Linzë, makinat u futën në oborrin e Batalionit të Sigurimit, e përshkuan atë në të gjithë gjatësinë dhe në fund ndaluan. Më tej, duhej bërë një copë udhë në këmbë. Kujtoj se terreni vinte me ngritje. Nisëm të ngjiteshim varg, njëri pas tjetrit me shpejtësi të ulur, pasi të dënuarit, që i kishin duart të lidhura, mezi i hidhnin hapat. Me siguri që kishte nisur t’u helmohej gjaku, të mpiheshin, prej mendimeve se pak minuta më pas do të qëlloheshin për vdekje. Dikur ndaluam rreth 100-150 metër më lart, pranë një grope të madhe të hapur. Duhet të ketë qenë mesi i natës kur nisëm nga procedurat. Kujtoj se në afërsi nuk pamë asnjë varrmihës, vetëm policë të armatosur. Varri i përbashkët ishte hapur gjatë ditës. Ata të togës së shoqërimit, që duket nuk e kishin për herë të parë, i ulën të dënuarit në tokë me këmbët varur poshtë në gropë. Syprina e sipërme e varrit ishte stoli, karrigia e fundit ku u ulën...”
Ish-nëpunësi i shtetit pushon për pak dhe sërish mbush gotën me ujë me dorën që i dridhet. Ndërsa kafes i ka nxjerr fundin me tre të kthyera.
“Në këtë kohë dëgjova për herë të parë zërin e Gasper Çurçisë. Iu drejtua atij të dënuarit për vrasje, që gjatë gjithë kohës qahej e na lutej për mëshirë. Ishte një djalë nga veriu që kishte vrarë një qytetar për t’i grabitur treqind lekë. Ngjarja kishte ndodhur në një hotel të vogël në qendër të Tiranës. “Vjosa”, mos gaboj. Gasperi i tha me pak fjalë se tashmë nuk kishte më kohë për lutje e mëshirë, sepse gjithçka kishte përfunduar, ishte vendosur. Kujtoj se përdori ca fraza si ‘hajt mor burrë, mjaft dërdëllite... kjo punë ka marrë fund...’ Dhe për çudi fjala i bëri vend, pasi tjetri nuk e hapi më gojën”.
Në këtë kohë procedura e kryer në errësirë, nën dritën e kufizuar të elektrikëve të dorës, parashikonte futjen në lojë të një përfaqësuesi të akuzës. Të njeriut që duhet të ndiqte dhe të garantonte atë që quhej vullnet i shtetit.
“Kishte ardhur radha ime. Para se të dënuarit të thoshin dëshirën e fjalët e fundit, unë duhet t’u komunikoja vendimin apo më saktë mosndryshimin e vendimit të dënimit me pushkatim nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në ato kohëra, pasi gjykatat vendosnin për ekzekutime, të dënuarit kishin një mundësi të fundit që t’i falte Presidiumi i Kuvendit. Por këta të zinjtë nuk i kishte falur. Me sa më kujtohet kishte falur vetëm atë gruan e përfshirë në rrjet, ajo që shiste biletat e falsifikuara...”, shpjegon njeriu përballë, duke porositur edhe një tjetër gotë ujë me copa akulli. Kamerieri, që duket e njihte, nuk vonon. Ndërkohë tjetri rinis ligjërimin: “Për të shënuar fjalën e fundit, por edhe për të hartuar gjithë procesverbalin, bashkë me ne ishte edhe një sekretar, D. Mata. Kujtoj se ai shkruante duke ndriçuar fletën me anë të një feneri. Kujtoj gjithashtu se ishte shumë i saktë. Një ditë më pas, kur më solli procesverbalin e daktilografuar për firmë, pashë se nuk kishte ndryshuar asnjë germë nga fjala e fundit e të dënuarve. Po le të kthehemi aty ku e lamë. Me ndihmën e një elektriku dore u lexova të dënuarve vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kujtoj se letra nisi të më dridhej në dorë, se u ndjeva keq dhe se i shtrëngova fort muskujt, por pa ndonjë ndryshim të dukshëm. Në vazhdim u kërkova që të thoshin dëshirën e fundit...”
(vijon nesër)
ferdinanddervishi@yahoo.comKy email po mbrohet prej spambots-ave, të duhet JavaScript me e pa


“Kur zhvarrosëm eshtrat e babait,pamë se e kishin lidhur me tel”

Ferdinand Dervishi

“Gropa ishte gërmuar në një vend me shtuf që kishte ruajtur mirë kufomat...”. Një nga familjarët e muzikantit Gasper Çurçia, të pushkatuar pas akuzave për falsifikimin e biletave të trenit, pohon se pas përmbysjes së diktaturës, për ta nuk kishte qenë e lehtë të shkonin deri tek varri i njeriut të dashur. Shtatë vjet më pas, më 1992, me mbështetjen e një oficeri të autorizuar të policisë, djemtë e Gasper Çurçisë nuk kishin lënë asnjë gur pa luajtur që të gjenin eshtrat e të atit. “Në atë kohë shumë njerëz kërkonin të afërmit e tyre të pushkatuar dhe ndodhte që pas zbulimit të varreve, në mungesë të ekspertëve, të merrnin me vete eshtrat e gabuara. Por ne na ndihmoi fati”, rrëfen njëri prej djemve të muzikantit të talentuar. Sipas tij, dikur dikush u kishte dhënë informata të sakta për vendvarrimin e të atit dhe ata ishin nisur bashkë me oficerin e policisë të ngarkuar me këtë detyrë. Kufomat ishin gjetur pikërisht atje ku thoshin informatat, rreth 150 metër sipër ish-repartit të Batalionit të Sigurimit, në afërsi të Linzës.
“Nisëm të gërmonim dhe kujtoj se dikush na tha se shtufi i ruan më mirë kufomat. Por unë nuk mund të gaboja eshtrat e babait edhe pse varri ishte i përbashkët. Kujtoj se sapo hasëm eshtrat, punuam me kujdes duke pastruar gjithë vendin, me qëllim që të mos ngatërronim qoftë një grimcë prej tyre. Ja kisha çuar vet në burg babait atë bluzën e leshtë me ngjyrë bezhë, me të cilën e keni paraqitur edhe ju në gazetë këto ditë të fundit, madje njihja mirë edhe pantallonat e tij prej stofi, këpucët që i bënte me porosi pasi anash gishtit të madh kishte një gungë, syzet... Prandaj nuk u gabuam”, rrëfen një nga djemtë e muzikantit Çurçia. Po sipas tij, eshtrat e të atit ishin të padëmtuara, madje të futura në brendësi të bluzës së leshtë dhe të pantallonave prej stofi, edhe këto pothuaj të padëmtuara. “Vetëm vendet ku ishin qepur pantallonat, duket me penj pambuku, ishin kalbur dhe shqepur, por pjesa tjetër e rrobave ishin të padëmtuara. Por edhe eshtrat e dy pushkatuarve të tjerë ishin kompakte. Kujtoj se morëm me vete edhe eshtrat e Shkëlzen Doçit dhe ua dhamë familjarëve”, rrëfen një nga djemtë e muzikantit Çurçia duke shtuar se ajo që i kishte mbetur më shumë në mendje ishte pikërisht fakti se në varr, pranë kufomave kishin gjetur copa teli. “Ishin copa teli jo më të gjata se 40-50 centimetra, që dukej qartë se kishin shërbyer për të lidhur të dënuarit para se t’i pushkatonin. Kuptohej se kishin shtrënguar mes tyre forma të rrumbullakëta që përftohen nga kyçet e duarve. Kjo lidhje me tel e të dënuarve është çnjerëzore, por të paktën pasi i kishin vrarë, ua kishin hequr”, përmbyll rrëfimin djali i Gasper Çurçisë.


Nesër do të lexoni


Përjetimet e ish-punonjësit të drejtësisë në momentet e pushkatimit të Gasper Çurçisë, Shkëlzen Doçit dhe një të dënuari të tretë.

Fjala e fundit e të dënuarve para pushkatimit. Pse muzikanti i njohur nuk lëshoi lavde për Partinë e Enverin.

Argumentimi i gjykatës dhe masa e dënimeve për të dhjetë të akuzuarit e dosjes së falsifikimit të biletave të trenit
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Gaspër Çurçia, dosja e muzikantit që u pushkatua për biletat false të trenit

20 Gusht 2010

Ferdinand Dervishi

Mëngjesin e acartë të 12 dhjetorit 1984, dy fatorino treni të linjës së Shkodrës, L. Dukeli dhe S. Çekerku, kishin rendur të takonin njëra-tjetrën si të marra. Fytyra u kishte ikur, ndërsa nëpër duar shtrëngonin ca bileta treni të cilat ua kishin marrë në mirëbesim pasagjerëve të nisur nga Tirana. Dyshimi i ditëve të shkuara ishte vërtetuar sërish. Pasi ishin marrë vesh, dy gratë, të cilat më pas do të dekoroheshin për këtë zbulim, që nga ana tjetër do të shkaktonte pushkatimin e dy qenieve njerëzore, një prej të cilëve muzikanti i njohur Gasper Çurçia, kishin nxituar të takonin dispeçerin, apo përgjegjësin e trenit, Xh. Beshnuni. Në kabinën e këtij, dy gratë këmbëngulnin se një pjesë e biletave që pasagjerët kishin në vagonët e tyre, ishin krejt ndryshe nga të zakonshmet. Ato nuk kishin as ngjyrë, as letër të njëjtë. Dispeçeri ishte bindur shpejt se diçka e madhe ishte duke ndodhur, se biletat sigurisht duhet të ishin false dhe se kjo histori duhet të përfundonte medoemos në polici. Duke i punuar mendja, ai i urdhëron dy gratë që në afërsi të stacionit të Shkodrës t’u grumbullonin udhëtarëve të gjitha biletat duke gjetur justifikime të ndryshme dhe të njëjtin urdhër ua komunikon edhe fatorinove të tjerë.
Pak kohë më vonë, teksa zbrisnin në stacionin e Shkodrës, udhëtarët vëzhguan forca të shumta të policisë, që bllokuan zbritjen e pasagjerëve nga dy prej vagonëve.

Në gjurmë të shitëses së biletave


Në stacionin e Shkodrës policia e kishte pasur fare të thjeshtë. Të gjithë pasagjerët që kishin në duar biletat e dyshimta, kishin dhënë të njëjtën adresë të blerjes së tyre. I kishin blerë atë mëngjes tek sporteli i dytë në radhë, në biletarinë e stacionit të trenit të Tiranës. Madje, dikush kishte përmendur edhe emrin e gruas që punonte aty. Quhej Bukurie.
Brenda të njëjtës ditë, 12 dhjetorit, pa përfunduar orarin zyrtar të punës, kolegët e policisë së Tiranës kishin vënën nën vëzhgim sportelin e dytë të biletarisë së stacionit të Tiranës. Gruaja quhej Bukurie Gjeçi, ishte rreth të dyzetave, e martuar, me dy fëmijë të mitur dhe pa ndonjë problem të reklamuar me mbarëvajtjen në punë. Urdhri kishte qenë i prerë. Ajo duhet të ndalohej dhe kontrollohej pa përfunduar orarin zyrtar. Policët që iu afruan sportelit të saj më pas do dëshmonin se tjetrës për pak i kishte rënë të fikët kur i kishin thënë se duhet të bënin një kontroll.
Sipas një hetuesi të çështjes, shuma e përfituar nga biletat false të shitura kryesisht gjatë vitit 1984 nga Bukurie Gjeçi, bashkë me shumën e atyre biletave false që ende nuk ishin shitur, shkonte diku te 4.7 milionë lekë të vjetra. Një shumë që në atë kohë mund të konvertohej me vlerën e përbashkët të disa shtëpive të banimit.
Pra, policia e gjeti çantën personale të Gjeçit tumllas me bileta të falsifikuara. Kishte qenë vetëm ajo shitësja e biletave false të trenit, të njëjtave bileta për të cilat kishin dyshuar ato ditë të ftohta të dhjetorit 1984 dy fatorinot e linjës Tiranë–Shkodër.
Pa shkuar te marrja në pyetje e shitëses, policët duke i hedhur një sy çantës së sekuestruar, kishin vëzhguar me sy të lirë dy lloj biletash false. Një pjesë ishin pothuaj bardhë e zi, ndryshe nga origjinalet që kishin një nuancë të ngjyrës jeshile. Ndërsa pjesa tjetër, apo gjysma e tyre, ishin krejt si origjinalet. Por gruaja e terrorizuar nuk i kishte lënë të mundoheshin gjatë. Ajo ishte treguar e gatshme të bashkëpunonte.

Arrestimi i muzikantit Gasper Çurçia

Atë natë do të kishte edhe një tjetër arrestim. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes një grup policësh do të zbrisnin nga makina pranë një pallati në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, ku banonte muzikanti Gasper Çurçia. Nuk dihet se si kishin rrjedhur ngjarjet me marrjen në pyetje të shitëses së biletave, por sigurisht që ajo makinë policie u gjend aty në bazë të së dhënave të saj. Policët kishin kërkuar fillimisht të bënin kontroll në dhomën personale të muzikantit duke e pyetur me kërcënime se ku i mbante lekët. Muzikanti u kishte treguar një sirtar, u kishte dhënë edhe çelësin madje, por policët kishin mbetur të pakënaqur nga sasia e të hollave të gjetura. Më tej ata e kishin mbyllur dhomën, për të shmangur prezencën e familjareve të tjerë dhe e kishin bindur Çurçinë se tashmë dinin aq shumë sa do ishte mirë, që ai të tregonte të hollat si dhe makinerinë stampuese të biletave të trenit.
Më pas në popull do të përhapej fjala, apo thashethemi i vërtetë, se Gasper Çurçia i kishte fshehur të hollat në brendësi të pianos dhe se këto të holla ishin në një sasi habitëse. Në të vërtetë policia në brendësi të pianos kishte gjetur vetëm stampën, ndërsa të hollat ishin në një sirtar të kyçur.
Rreth mesnatës policët ishin larguar “duarplot” duke e marrë me vete edhe të zotin e shtëpisë, Gasper Çurçia. Sipas një përllogaritjeje ata kishin gjetur në shtëpinë e tij një shumë prej rreth 15 mijë lekësh, pa llogaritur vleftën e biletave të fabrikuara që ishin ende të pa shitura.

Arrestimet e dy grupeve

Po atë ditë, pasi ishin ndërruar vetëm datat, por jo ngjyra e zezë e natës, Gasper Çurçinë e Bukurie Gjeçin do i ndiqnin nëpër hapat e të njëjtit fat edhe disa të prangosur të tjerë, që të gjithë të implikuar në falsifikimin e biletave të trenit. Shpejt hetuesit kuptuan se po konfiguroheshin dy grupe të ndryshme falsifikuesish që ia jepnin biletat të njëjtës shitëse, Bukurie Gjeçit. Po sipas hetimit, grupi i parë, që kishte bashkëpunuar me shitësen e sapoprangosur, kishte në përbërje, veç Çurçisë edhe një bashkëpunëtor të tretë, N. Hyskajn, një punonjës të NTUS (Ndërmarrja Tregtare e Ushqimit Social) të Tiranës. Edhe ky kishte ndihmuar në realizimin e falsifikimit të biletave të trenit dhe rrjedhimisht kishte marrë një pjesë të fitimit.
Nga ana tjetër, grupi i dytë i të arrestuarve, që duket kishte vepruar në konspiracion të plotë, nuk kishte asnjë lidhje me Gasper Çurçinë, madje asnjë prej tyre nuk e dinte se edhe Çurçia “furnizonte” me bileta të njëjtën shitëse.
Kreu i grupit të dytë ishte një djalosh i gjatë e i pashëm, me punë në postën e Tiranës, që quhej Shkëlzen Doçi. Ai duket kishte qenë gjahu i madh i radhës për policinë. Në shtëpinë e tij, saktësisht nën krevatin ku flinte i vëllai, ishte gjetur edhe një valixhe metalike me të holla, që të gjitha të përftuara nga shitja e biletave false të trenit. Duke qenë se para hetuesve të asaj kohe nuk mund të trimërohej askush, shpejt në pranga përfunduan edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë, të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër me Shkëlzen Doçin dhe falsifikimin e biletave të trenit. Përfundimisht, në mars të vitit 1985, shkojnë para gjykatës, kryesisht nën të njëjtën akuzë, dhjetë të arrestuar për falsifikimin e biletave të trenit.

Dy mënyrat e falsifikimit

Habia e hetuesve ishte bërë edhe më e madhe pasi kishin mësuar se dy grupet, që kishin si pikë të përbashkët shitësen e tyre Bukurie Gjeçi, kishin metoda të ndryshme të prodhimit të paligjshëm të biletave të trenit. Në dokumentet e dosjes gjyqësore nuk thuhet saktësisht se cili nga grupet ka nisur i pari falsifikimin. Vetëm shkruhet në një rast se Bukurie Gjeçi kishte komunikuar më parë me një të njohur të Shkëlzen Doçit. Kështu që për të dy palët përmendet e njëjta periudhë e bërjes lekë me anë të biletave false, që korrespondon me fillimin e mbarimin e vitit 1984. Nga ana tjetër dokumentet sqarojnë saktësisht dy mënyrat se

si realizoheshin falsifikimet?

Ish-muzikanti Gasper Çurçia kishte mundur të sajonte në ambientet e shtëpisë së vet një pajisje artizanale stampimi që punonte me filma dhe që realizonte bileta treni false të një cilësie të lartë. Saktësia e tyre dukej qartë te ngjyra e arrirë e biletës, që pothuaj nuk dallonte nga origjinalet, por çalonte në elementët e tjerë, sidomos në shkronjat e numrat.
Ndërsa grupi tjetër, që falsifikonte biletat me ndihmën e një makine fotokopjuese që gjendej në zyrën e inxhinierit të Postës Qendrore, Shkëlzen Doçi, ishte më pak i suksesshëm në cilësinë e ngjyrës së biletave, por tepër si saktë në projeksionin e germave e numrave. Madje, pohohet se biletat edhe pse fotokopjoheshin bardhë e zi, shiteshin me sukses duke mos shkaktuar dyshime te pasagjerët e trenave.

Në plumb për 5 milionë lekë


Në kohët e ardhura mund të duket e pabesueshme, por dikur, kur e ashtuquajtura “diktatura e proletariatit”, apo “lufta e klasave” mbanin gjallë ngrehinën e kalbur të Shqipërisë komuniste, mund të shkohej në plumb edhe për vjedhje ku nuk përdoreshin armë, ku nuk plagosej apo kërcënohej kush. Kështu vetëm për vjedhjen e vleftave të biletave të trenit me anë të falsifikimit në vitin 1984, me një shumë dëmi prej rreth 4.5 milionë lekësh të asaj kohe, gjykatat dërguan në plumb tre prej dhjetë të akuzuarve. Dhe kjo bëhej, jo sepse dëmi i shkaktuar mund të trondiste Bankën e Shtetit Shqiptar, por për t’u treguar gjithë banorëve të vendit të rrethuar me tela me gjemba se shteti komunist është shumë i fortë dhe se që të gjithë ata që do tentojnë të vënë dorë mbi “pasurinë e përbashkët” do të kenë fat të njëjtë. Pra, një politikë që më shumë se zbatimin e ligjeve, kishte për qëllim jetëzgjatjen e sistemit përmes frikës së krijuar nga bërja shembull e një pjese të qytetarëve të vet.
Gjithsesi, Presidiumi i Kuvendit Popullor, që kishte atributin e faljes së jetës, vë dorën në zemër vetëm për një të dënuar me vdekje të dosjes së biletave të trenit, ndërkohë që nuk ndryshon asgjë për fatin e Gasper Çurçisë dhe Shkëlzen Doçit. Të dy këta do të pushkatoheshin natën, 24 orë para se ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha të jepte shpirt zyrtarisht.
Edhe të arrestuarit e tjerë të së njëjtës dosje nuk u shpëtuan dënimeve të skajshme, që shkonin deri në 17 vjet heqje lirie. Si për të plotësuar gjithë kuadrin, nga ana tjetër, nga ana e atyre që ishin pajtuar me rregullat pavarësisht cilësisë së jetës që ato diktonin, për të njëjtën çështje, pati edhe të dekoruar. Ishin pikërisht dy fatorinot e linjës së Shkodrës dhe dispeçeri i trenit, që morën meritat e zbulimit të këtij grupi keqbërësish. Duke i bërë edhe këta, krejt padashur, protagonistë të një historie që dikur tronditi një popull të tërë.
Për këtë ngjarje të përmasave të pazakonta, që pati një impakt të madh në opinion në kohën kur ndodhi, gazeta "Panorama" ka përgatitur një cikël të plotë shkrimesh duke sjellë fakte dhe dokumente të papublikuara më parë. Janë siguruar gjithashtu edhe dëshmi të protagonistëve, të hetuesve të çështjes si dhe të njerëzve që morën pjesë drejtpërdrejt në pushkatimin e Gasper Çurçisë dhe Shkëlzen Doçit.
vijon nesër
ferdinanddervishi@yahoo.com

Të arrestuarit

1-Bukurie Gjeçi, e datëlindjes 20.11.1946, lindur në Shijak dhe banese në Tiranë, lagja Nr. 1, rruga “Dhimitër Kamarda”, Pallati Nr.7, hyrja 9, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë e gjendje shoqërore punëtore, me punë ish-shitëse biletash në Stacionin e Trenit në Tiranë, e martuar me dy fëmijë të mitur, e padekoruar, pa imunitet, me arsim të mesëm ekonomik, e padënuar, pa parti, e arrestuar më datën 12.12.1984.

2-Gasper Çurçia,
i datëlindjes 13.11.1934, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 3, rruga “Ferit Xhajko”, Pallati Nr.63/1, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore pensionist, ish-punonjës në ndërmarrjen e mjeteve mësimore në Tiranë, i martuar me tre fëmijë, me shërbim ushtarak të kryer, pa imunitet, i pa dekoruar, me arsim të mesëm, i padënuar, pa parti, i arrestuar më datën 12.12.1984.

3-N. Hyskaj, i datëlindjes 25.01.1942, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, Lagja Nr.4, rruga “H.Dalliu”, pallati 16/1, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore piktor në NTUS, Tiranë, i martuar me një fëmijë, me, i padënuar, pa imunitet, pa Parti, me arsim të mesëm të pambaruar, arrestuar më 15.12.1984.

4-Shkëlzen Doçi, i datëlindjes 30.11.1949, lindur dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 4, rruga “Kongresi i Përmetit”, Pallati 144, ap, 44, me origjinë shoqërore nëpunës i pushtetit popullor, me gjendje shoqërore nëpunës në Ndërmarrjen e Shërbimeve Transite, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, beqar, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të lartë, pa Parti, i pa dënuar, i arrestuar më 13.12.1984.

5-B. Erebara, i datëlindjes 25.06.1951, lindur dhe banues në Tiranë, lagja Nr. 9, rruga “Skënderbej”, pallati 33/2, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore piktor në Ndërmarrjen Elektroteknike Tiranë, i martuar me dy fëmijë, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të lartë, Instituti i Arteve, i padënuar, pa Parti, i arrestuar më 15.12.1984.

6-K. Shefqeti, i datëlindjes 21.10.1948, lindur dhe banues në Tiranë, Lagja Nr.7, rruga “Pandi Dardha”, pallati 44, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në Kombinatin e Autotraktorëve, beqar, me shërbim ushtarak të kryer, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të mesëm, i pa dënuar, pa Parti, i arrestuar më datën 15.12.1984.

7-S. Sadkaj, i datëlindjes 15.11.1950, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, Lagja 10, rruga “Aleksandër Moisiu”, Pallati 36/3, Apartamenti 39, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në Fabrikën e Këpucëve, i martuar, martesa e dytë më katër fëmijë, me arsim të mesëm dhe shkollën e Lartë Ushtarake, i pa dënuar, pa imunitet, pa Parti, i arrestuar në datën 13.12.1984.

8-D. Vasho, i datëlindjes 25.10.1948, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, lagja Nr.8, rruga “Myslym Shyri”, pallati 10/1, apartamenti 20, me shtetësi dhe kombësi shqiptare me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në sektorin e serave të ndërmarrjes së gjelbërimit, i martuar me dy fëmijë të mitur, me shërbim ushtarak të kryer, i pa dekoruar, pa imunitet, me arsim të mesëm, i pa dënuar, pa Parti, i arrestuar më datën 13.12.1984.

9-B. Koxhaxhiku, i datëlindjes 10.03.1949, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë. Lagja 9, rruga “Muhamet Gjollesha, pallati 39/1, Apartamenti 19, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë e gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier elektrik në fabrikën e këpucëve, i martuar me dy fëmijë, i dekoruar me Urdhrin e Punës të Klasit të Tretë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, pa imunitet, me arsim të lartë, i padënuar, pa Parti, i arrestuar në datën 13.12.1984.

10-R. Fejzo, i datëlindjes 15.06.1953, lindur në Allagjatë dhe banues në Tiranë, lagja 10, rruga “Niko Avrami”, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtor në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Urave, i martuar me dy fëmijë të mitur, me shërbim ushtarak të kryer, pa imunitet, i padekoruar, i dënuar për mashtrim me 6 muaj heqje lirie në vitin 1977, me arsim 8 klasë, pa parti, i arrestuar në datën 17.12.1984.


ne vijim do lexoni

Vendimi i gjykatës: Planet e Bukurie Gjeçit me Gasper Çurçinë e Shkëlzen Doçin dhe realizimi i vjedhjes me anë të falsifikimit

Si funksiononin dy grupet. Pse u tërhoqën nga “loja” edhe bashkëpunëtorët e Çurçisë edhe ata të Shkëlzen Doçit

Sa lekë u grumbulluan me anë të shitjes së biletave false dhe si u ndanë ato

Rrëfimi i ish-funksionarit të drejtësisë: Si pushkatuam Gasper Çurçinë një ditë para vdekjes së Enver Hoxhës

Dokumenti me fjalët e fundit para pushkatimit, Gasper Çurçia: Po më vrisni
për 20 mijë lekë

U morrë nga Infoarkiv; lajme.shqiperia.com/lajme/
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 5 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 28 Shkurt 2021, 00:15
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari