Muzika ushqimi i shpirtit dhe i mendjes. Te shkembejme shijet muzikore dhe te rejat e fundit nga muzika. Te pershendesim njeri tjetrin me muzike apo linke videosh muzikore youtube,google
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Prenk Jakova, kur e burgosën se vuri në skenë Fishtën
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
GJOVALIN LAZRI:Prenk Jakova, kur e burgosën se vuri në skenë Fishtën
Imazh

Prenk Jakova, i lindur në Shkodër në vitin 1917, arsimin profesional fillestar e kreu në kolegjin françeskan "Ylliricum", drejtor i së cilës në atë kohë ishte At Gjergj Fishta. Mësuesi që i dha edukatën e parë artistike, mësimet fillestare të muzikës së bashku dhe me disa njohuri të instrumenteve muzikorë si klarinetë, violinë, fizarmonikë dhe dirigjim, ishte Padër Martin Gjoka. Është detyrim moral e qytetar të evidentojmë vlerat e vërteta të krijimtarisë sonë kombëtare, pikënisjen dhe arritjet cilësore të kësaj krijimtarie, në taban të së cilës do të kemi mjeshtrit tanë të merituar, kompozitorët dhe artistët e ardhshëm: Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Kristo Kono, Simon Gjoni, Luk Kacaj, Tonin Harapi etj. Emri i kompozitorit Prenk Jakova tek ne është i lidhur ngushtë me një histori të caktuar, me atë të zhvillimit artistik mbarëkombëtar, kompozitori që ne sot i atribuojmë zanafillën e muzikës sonë të kultivuar në kuptimin më të gjerë të fjalës, në krijimtari e në ekzekutim. Ai duke u nisur nga kënga e thjeshtë burimore shkodrane, shumë shpejt do të shpërthejë në gjinitë e mëdha muzikore, duke marrë kështu vlerat e merituara në rang kombëtar si kompozitori i parë i vendit në zhanrin më të madh të krijimtarisë sonë muzikore - operas. Që në periudhën e fëmijërisë tek Prenka spikat talenti muzikor, dalin në pah ato aftësi muzikore që premtojnë për një të ardhme të sigurt, që në një periudhë kohe jo të largët ky talent i rrallë do të quhet krenaria e kombit tonë.
Kolegji françeskan "Ylliricum"
Nga dokumentacionet që kemi, na rezulton që kjo shkollë në strukturën e vet të ketë pasur programe shumë të avancuara në të dy kulturat. Në themel të kësaj shkolle si mësimdhënës do të kemi figurat dhe personalitetet më të larta të dijës dhe të kulturës sonë kombëtare. Që të gjithë të shkolluar në institucionet arsimore më të mira të Europës, duke filluar me më të madhin e tyre At Gjergj Fishtën, Pader Martin Gjokën, Donat Kurti, Vinçenc Prendushi, Mikel Koliqi, Bernardin Palaj, Nikoll Gazuli, Lazer Shantoja, Anton Harapi, Pjeter Meshkalla, Justin Rrota, e shumë tjerë, të cilët si nga përgatitja profesionale ashtu dhe nga përkushtimi shpirtëror, do të mbeten për gjithë jetën figurat më të shquara të kombit tonë. Shkodra në periudhën e viteve '30-'35 ishte bërë një vatër e ngrohtë për artdashësit, me një aktivitet të ngjeshur në veprimtaritë artistike. Në mes tyre duhen përmendur koncertet e para të artistëve të sapokthyer nga shkollat e Perëndimit, si pianistët Tonin Guraziu, Lola Gjoka, këngëtarët Tefta Tashko Koço, Marije Kraja, Gjyzepina Kosturi, Jorgjia Truja, Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, të cilët me aftësitë e tyre profesionale krijuan një atmosferë shumë të ngrohtë me koncerte recitale cilësore, duke i dhënë këtij qyteti vlerat e tij të merituara. Janë të njohura përpunimet e disa këngëve të thjeshta popullore si dhe disa krijime fillestare të kësaj periudhe nga ky kompozitor, të cilat luhen dhe ekzekutohen bashkërisht me këta artistë të ftuar. Pas evidentimit të talentit të tij, ai do të shkojë për studime në Itali. Jemi në vitet '42 kur Prenk Jakova së bashku me shokët e tij Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj, do të fillojë studimet në Konservatorin "Santa Çiçilja" të Romës, studime të cilat për fatin e tij jo të mirë, për arsye të përmasave që mori Lufta e Dytë Botërore, do të detyrohet që t'i ndërpresë shumë herët. Megjithatë dhe me ato njohuri të marra në aq pak kohë të qëndrimit të tij në atë Konservator, do të arrijë një përgatitje profesionale mjaft të mirë, përfitim ky që shpejt do të ndjehet në krijimtarinë e tij muzikore. Me shumë vullnet do t'i dedikohet kryesisht studimeve teorike të muzikës, lëndëve të solfezhit dhe të harmonisë, orkestracionit dhe dirigjimit koral. Me një pasion të veçantë do t'i kushtohet plotësisht dhe përvetësimit të instrumentit të klarinetës, instrumentit më të dashur të tij, i cili shumë shpejt do t'i shërbejë si një mbështetje e fuqishme për njohjen e të gjitha instrumenteve të tjera të frymës.
Shfaqjet
Me kthimin e tij në vendlindje, kompozitori Prenk Jakova do të krijojë në një kohë të afërt madhështinë e figurës së tij. Duhet thënë që te kompozitori Prenkë Jakova shkolla vërtet ka ndikuar fillimisht në formimin e tij, por akoma më fuqishëm ka qenë prania e talentit të tij që e ka ndihmuar në jetë dhe që i ka dhënë kaq dorë në vazhdimësinë e krijimtarisë muzikore. Do të jenë vitet 1944-'45. kur Jakova do të thellojë krijimtarinë e tij muzikore, ndonëse në rrethana jetësore të vështira. Është koha kur Prenka mbahej familjarisht i izoluar në një shtëpi-burg për arsye tashmë të njohura. (Ndoc Jakova, vëllai i tij, një nga patriotët e njohur të kësaj periudhe, në këto momente ndodhej i arratisur, e mbas disa muajsh do të mbetet i vrarë nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të shtetit.) Megjithatë lirohet nga ky izolim i shëmtuar për të punuar në realizimin e premierës së melodramës kaq të njohur, "Juda Makabej", vepër kjo me të njëjtën titull e At Gjergj Fishtës, ku me një punë intensive e përfundon dhe arrin që ta shfaqë më 28 Nëntor 1945, në kuadrin e njëvjetorit të Çlirimit. Vepra pati një sukses të jashtëzakonshëm, u shfaq për disa net në Teatrin e Jezuitëve të Shkodrës, deri sa iu fut në vesh e në tru qeveritarëve të rinj komunistë, ku iu bë menjëherë censurimi i saj si një vepër dekadente. Vepra u pezullua për të mos u shfaqur kurrë më, ndërsa autori u burgos. U burgos vetëm për frymëzimin e fuqishëm fishtjan që autori dha në këtë vepër, si dhe për ndjeshmërinë e madhe që ky krijim muzikor ngjalli në popull. Do të jetë viti 1947 koha kur Prenk Jakovës do t'i jepet përsëri dora e krijimtarisë. Këtë radhë do të jetë drejtues artistik i Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Shkodrës, përgjegjësi artistike kjo që do ta mbajë deri në ditët e fundit të jetës. Në vitin 1951, angazhimi i dendur artistik i kompozitorit Prenk Jakova do të na çojë në krijimin e Orkestrës Simfonike të qytetit të Shkodrës. Është koha që tani Prenka fillon të kompozojë për këtë orkestër, si tablo muzikore për kor, solistë e orkestër, suita vokale e orkestrale, pjesë për orkestër simfonike, për banda muzikore, vepra madhore të kompozitorëve tanë e të huaj si nga: Çesk Zadeja, Kristo Kono, Tish Daija, Simon Gjoni, Tonin Harapi, vepra nga Bethoven, Mozart, Brahms e Shubert. Kësaj periudhe i takon edhe vepra skenike, tabloja muzikore "Dritë mbi Shqipëri", e shfaqur në nëntor të vitit 1952. E vlerësuar me çmimin e parë në Tiranë në takimin e grupeve artistike kombëtare. Është tashmë i njohur suksesi i kësaj operete, si dhe efekti i madh kompozicional që kjo vepër pati në krijimtarinë tonë të atyre viteve. Aktivitete të tjera cilësore që do të rrisin ndjeshëm nivelin kulturor të këtij qyteti, paralelisht dhe personalitetin e Prenk Jakovës si kompozitor, dirigjent dhe organizator i shquar janë: Kënga e bariut, Merdhin trumcaku, Hymni i kolegjit françeskan, Ave Maria, Litianit e Zojës, Marshi i fiskulturistëve, Elegji për Luigj Gurakuqin, Margjelo, mjaft krijime vokale të fuqishme të kohës. Të kësaj periudhe janë dhe opereta për fëmijë: "Xhuxhimaxhuxhat"; "Dasma shkodrane"; Melodrama "Juda Makabe"; veprimin muzikor "Dritë mbi Shqipëri", romancat vokale dhe tabloja muzikore "Guri i Zi"; kompozime për piano, violinë, violonçel, klarinetë etj.
Kompozitori
Prenk Jakova nëpërmjet krijimtarisë së tij muzikore duke filluar nga kënga e thjeshtë te oratori, apo nga suita te kantata, do të japë sinjalin e parë dhe më të bukur të festave, të gëzimeve, të datave historike e përkujtimore. Më tej nëpërmjet zhanreve më të arritura, me guxim do të ecë nga melodrama e opereta deri në faqet më të ndritura të krijimtarisë sonë kombëtare duke na dhuruar operat "Mrika" e "Skënderbeu", vepra këto që kanë hyrë në fondin e muzikës sonë si faqe të rëndësishme të krijimtarisë muzikore, me vlera sa profesionale, aq dhe historike për kombin tonë. Shpirti i tij i trazuar edhe në këtë periudhë mbas këtij triumfi artistik s'do të gjejë akoma pushim dhe qetësi. Në pikën më kulmore të shpërthimit të talentit të tij, në rrethana sa misterioze, aq dhe akoma të panjohura, mbas triumfit të operas së dytë "Skënderbeu", në një gjendje depresive, në qershorin e vitit 1969 do t'u lërë lamtumirën e fundit të afërmve, miqve, shokëve e kolegëve, duke i shkaktuar mbarë opinionit shoqëror një dhimbje aq të madhe shpirtërore që nuk do të harrohet kurrë. Kam në mendje disa episode e kujtime të paharrueshme që kam pasur fatin t'i kaloj si orkestrante me këtë kompozitor, kujtime këto që i përkasin periudhës së përgatitjes së operas së parë shqiptare "Mrika" në Teatrin "Migjeni" të Shkodrës, që nga fillimi i shtatorit deri më 1 dhjetor të vitit 1958. Kompozitorin Prenk Jakova do ta cilësoja si një talent të rrallë, krijues i përmasave të gjera muzikore, dirigjent i aftë, klarinetist i shkëlqyer, njohës i të gjitha instrumenteve të orkestrës, i përgatitur mirë teorikisht, me një nivel të lartë profesional, por mbi të gjitha një njeri të mrekullueshëm. Pra kushdo nga ne që e ka njohur Prenkën, por edhe më shumë për ata që kanë pasur fatin të punojnë me të, figura e tij do të mbetet kurdoherë shembulli më i mirë në fushën e jetës artistike si dhe asaj shoqërore. Jam një ndër ata orkestrantë që kam pasur fatin të punoj me këtë kompozitor të shquar që në vitin 1952, kur opera "Mrika" ishte ende në fillimet e saj, e njohur fillimisht si vepër në vete, "Dritë mbi Shqipëri" e më pas në vitin 1958 në rrugën e plotë të kurorëzimit të saj: Opera e parë shqiptare "Mrika", premiera e së cilës u dha më 1 dhjetor 1958 në Shkodër. Mbi të gjitha duhet thënë që suksesi i gjithçkaje për këtë opera fillimisht ishte puna e kualifikuar e me cilësi të lartë profesionale që bënte me individë e me grupe të caktuara në mënyrë të pandërprerë dirigjenti e kompozitori i kësaj opere, Prenk Jakova. Në punë e sipër Prenka ishte shumë i organizuar, kërkonte përpikmëri e disiplinë gjatë provave. Falë përgatitjes profesionale që kishte, shumë probleme i zgjidhte dhe vetë. Jepte këshilla nga më të vlefshmet për shumë probleme teknike, sidomos në veglat e frymës; demonstronte vetë në çdo instrument, kujdesi i tij shkonte deri në ato raste të veçanta kur ndërhynte edhe në riparimin e tyre. Kishte vesh muzikor absolut. Dallonte dhe ndalej edhe në momentet më të vogla të intonacionit. E thënë më saktë, ishte vërtet një talent i lindur. Shumë rrallë mund të sjellin kohërat njerëz të aftë si Prenk Jakova. Mund të them që quhemi vërtet njerëz me fat dhe të privilegjuar që kemi të regjistruar në jetën tonë një periudhë kohe që të kemi jetuar dhe punuar me një mjeshtër kaq të madh e të aftë, por mbi të gjitha me një njeri të mirë e të respektueshëm si Prenk Jakova.

Marre prej Ballkanweb.com
5 prill 2010
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PRENK JAKOVA - BIOGRAFIA
Imazh

Prenk Jakova lindi më 27 qershor të vitit 1917 dhe vdiq tragjikisht më 9 shtator të vitit 1969 ishte një Kompozitor shqiptar.
Kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operas kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" dhe "Mrika" . Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës. Opera e dytë e Prenk Jakovës "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" u prit shumë mire nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokrre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithësesi vepra "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" ishte shumë me solide se "Mrika" e cila vuante fatkeqësinë subjektit e tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.
Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij "Syrin tek qershia" dhe "Margjelo" janë shumë të njohura dhe për shkak të pupullaritetit që gëzojnë shumë kush i indentifikon si këngë popullore shkodrane.
Prenk Jakova është lindur në vitin 1917 në familien e patriotit të njohur shkodran Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufinjve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit.
Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirëditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.
Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte ne moshë të re, gjatë luftës së dytë botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie vec detyrës së tij si mësues lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.
Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar rregjimit monist me forcën e gjenisë së tij.
Megjithë karrierën e tij të suksesëshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugen e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.
Prenk Jakova kishte dhe një vëlla tjetër Dedën, i cili ishte forograf i respektuar në qytetin e Shkodrës.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenk Jakova.

Vdekja tragjike e Jakovës
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare "Mrika", gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: "Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë". Pas përgjigjies së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t'i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën "Skënderbeu", kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjezi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas "Skënderbeu" dhe për disa muaj me rradhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorrën shumë pengesa dhe ata që ishin nhgarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.
Ndonëse opera "Skënderbeu" u shaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjëndjen shpirtrore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjëndjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 9 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës.. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtarinë muzikore që la Prenk Jakova, është shumë e pasur e konsiston në dhjetra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzkë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga viuortiziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kollosët më të mëdhej të muzikës shqiptare për të gjitha kohrat.


PRENKË JAKOVA VIKTIMË E “REVOLUCIONIT KULTURAL” Në 45 vjetorin e Operes “Skenderbeu”...
Imazh
PRENKE JAKOVA
(1917 – 1969)

Nga Fritz RADOVANI:

Kam lexue disa artikuj gjysmakë të shkruem nga muzikantë bashkohës të ma të madhit kompozitor të gjysës së dytë të shek. XX në Shqipni, të viktimës së “Revolucionit Kultural” të vitit 1967, Prenkë Jakova, mbas një viti që Ai vuni në skenë Operen “Skenderbeu” me tekst nga Llazar Siliqi, në Teatrin Operas në Tiranë, në vitin 1968.
Populli i Shkodres dhe mbarë Shqipnia krenohej me Prenkë Jakoven, por kur Ai në 500 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i pat dhurue Shqiptarëve një veper aq dinjitoze sa Opera per Até Hero, Ai u ba një mit i vertetë dhe i pakrahasueshem qyshë se ishte i gjallë e vazhdonte me ecë me çanten e vet të punës të mbushun me dru në kohë dimni per me shkue në dhomen e ftohët të Tijen, në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, ku drita e asaj dhomë fikej e fundit... Një Burrë modest, trim dhe besimtarë katolik i vertetë, që porsa hapte sytë në mengjez mendonte kujt me i ba sot një të mirë...që per fat të keq, asnjeni nga “ata” që ka zbritë nga makinat e rekrutimit kur do të niseshin me shkue me krye sherbimin ushtarak nuk e shkruejnë një rresht per Té! Nuk janë kenë aq pak sa mos me u perfillë fare një “nder” kaq i madh që u ka ba Prenka “atyne” kur, dihen mirë edhe rrethanat se çka mund të sillnin ata vite! E pra, perveç vetë Prenkës, asnjeni nuk ishte i “pazevendsueshëm” në orkestren e atij institucioni...
Shkova në Tiranë me e pa Operen e “Skenderbeut” me daten 21 Janar 1968, ora 18.00, takova Prenkën para se me hy, i shterngova doren dhe i mora edhe autografin!
***
Ishte ditë e hane kur porsa bleva gazeten “Drita” në librari të Shkodres dhe lexova pak rreshta rrugës të një artikulli që shkruente kompozitori Çesk Zadeja per Operen “Skenderbeu”, pak i “habitun” kishe mërrijtë tek hymja para Kafes Madhe, ku një dorë Burri më kapi përkrahu...dhe gati si me më marrë zharg...më tha: “Lenè, se tash e lexon në shtëpi por eja të pijmë një kafe!” Ishte dora e Prenkë Jakovës...që më duket se më shterngon edhe sot! Hymë mbrendë, më prini nga krahu i djathtë tek tavolina e fundit. Ai u ulë me shpinë nga dera ndersa unë perballë Tij. Unë fillova me i tregue knaqësinë e madhe që kishe perjetue në Opera...Ai më nderpreu dhe më tregoi se “disa” kompozitorë kishin kerkue para shfaqjes shkurtimin e saj, mbasi tri orë e 15 minuta asht e gjatë...dhe do të “merziten” shikuesit ...Ky u ishte pergjegjë: “Çudi si mund të merziten Shqiptarët tue ndigjue tri orë e 15 minuta muzikë për Heroin tonë Kombtar, kur spanjolët rrinë mbi 8 orë tue ndigjue muzikë per një kurvë Karmen!...”
Kujtoj si tash lotët që më shkonin nga të qeshunit...
Por Prenka, vazhdoi...“Ke ç’ndienë në ketë botë, dje nade u nisa nga Tirana me ardhë me tren për Shkoder kur tek Pallati i Kulturës, ndigjova një za – Prenkë, Prenkë, kur ktheva kokën ishte Çesk Zadeja, i tregova se po shkoj për Shkoder, por mu vue me ndejë për drekë tek ai, pa i vue rendësi çka po hamë, por ma shumë për qejfë, mandej kah mbasdrekja nisu për Shkoder, më tha dhe unë, u ktheva me ia plotsue dëshirën...
Shkueme tek shtëpia e tij, vuni pak djathë e salam në tavolinë, mbushëm nga një gotë raki dhe fillueme bisedën sigurisht rreth Operës “Skenderbeu”, e cila i kishte pelqye fort...më tregoi disa momente dhe arie që i kishin lanë mbresa, sigurisht tue më përgzue për të ardhmen... Vuni në zjarr një tenxhere dhe ziu makarona, bani një pastashutë dhe hangra edhe drekën me te. Mbasdreke më çoi deri tek treni e u nisa per Shkoder.
Sa mërrijta tek dera dhe trokita më doli para Deda i topitun dhe më pyeti: Prenkë a e ke pa sot gazetën Drita, as unë si ti nuk e kishe pa. Ma solli dhe më tha: Shife çka ka shkrue Çesk Zadeja për ty!...Besoje, mbasi kam lexue pak rreshta e kam ndërpre se mu përzine shkronjat e nuk mujshe me lexue ma, i thashë Dedës, me vazhdue dhe e ka lexue ai deri në fund... Shife si e mbyllë artikullin nga fundi, se me e lexue krejtë don kohë se janë dy faqe gazete që ka shkrue keq e ma keq ku nuk shkon ma, aqsa më këshillon që autori i muzikës asht mirë me e marrë edhe njëherë në dorë operën dhe me e riparue. ...Beso, nuk kam fjetë asnjë minut tue pi cigare e kafe gjithë natën pa mbyllë sy një minut... Jo, nga teksti i gazetës sa nga “dreka” dhe tradhëtia e tij...” .
Asht me të vërtetë një tragjedi me mendue sesi Çesk Zadeja, asht kenë edhe student në shkollën Françeskane të Shkodres, dhe bashkohës i të gjithë kompozitorve që kanë dalë nga bankat e At Martin Gjokës e mbas Tij At Filip Mazrrekut... Artikulli i Tij asht kenë një nga “zanët e mëshefta” të suflerit të Komitetit Qendror të PPSH...që nxjerrë në pah karakterin e tij tinzar, amoral, të pabesë dhe vrasës, pikërisht, si miku i tij shegert i të cilit ka vdekë tue i shërbye deri në ditën e fundit organit kriminal të Sigurimit të Shtetit dhe Ramiz Alisë, “hijes së zezë” të Enver Hoxhës, vetëm pse i Madhi Prenkë Jakova nuk kompozoi një opera për Enver Hoxhën, por, sakrifikoi edhe jetën e vet për të Madhin Gjergj Kastrioti Skenderbé! Data e shfaqjes së parë të Operes “Skenderbeu” asht data ma e keqe për fatin që e priste ma vonë kompozitorin e Madh Prenkë Jakova.
Me datën 16 Shtator 1969, shkova me pa tek dhoma e tij tue punue një shabllon Çesk Jakovën. Aty nga ora 10.30 p.dr. dola nga dhoma e tij dhe u ula poshtë tek zyrja e Pergjegjësës fabrikës së mëndafshit Sebiha Halili, ku lejohej me pi cigare. Porsa ndeza cigarën ra telefoni. Çova receptorin dhe mora vesht se kërkonte Spitali Civil vllaun e Prenkës, Çeskun, i thashë se po ta thrras. – Jo, më tha, thuej të vijnë në Spital se Prenka asht shumë randë. – Kush? – I thashë unë, Prenka? – Po, më tha, po kur mori vesht se kush jam unë, më tha: “Mos i thuej gja Çeskut, por Prenka ka vdekë!”... U shtanga në vend!....Shkova dhe njoftova Çeskun se të kërkon Spitali Civil, se paska shkue Prenka aty se nuk e ka ndie veten mirë. Çesku iku me vrap në Spital... Mbas pak minutash u hap lajmi i vdekjes së Prenkës, se një puntor kishte ardhë nga Spitali dhe kishte tregue se “Prenka ka ra nga dritaria në Shtëpinë e Kulturës!...”.
Të nesërmen mbas dreke ishte funerali. Ishte gjetë nga shteti motivi i “vetvrasjës” me të cilin shteti justifikonte “mos pjesmarrjen e tij”. Çdo gja ishte private familjare! Por, edhe pse Prenka po “ridënohej” arkivoli doli nga shtëpia i mbajtun në dorë nga populli i pafarë. Në dritarën e shtëpisë Jak Benit karrshi rrugës Prenkës, dha gjamën e përcjelljes një za i dalun me forcë i Klotilde Shantojës, që shoqnohej nga motrat Gjonej, kushrina të sajat, vajzat e Ndrekë Gjonej. Na u drejtueme nga Serreqi dhe morëm këthesën nga rruga Ballabane tue kalue para Katedralës së mbyllun që nga viti 1967. Ishte moment shumë prekës për né që njihnim Prenkën tue kalue para Asaj Kishë për të cilën, Prenka refuzoi edhe privilegjet e qeverisë së Tiranës, për mos me u largue nga tingujt e kumbonve të saj që i ushtonin mbi kokë të Tij përditë nga Ai kompanjel qind e sa vjeçar... Ashtu n’atë heshtje vazhdoi rrugën korteu me arkivol prap në dorë...
Kur kemi mërrijtë tek rruga e “Tre Herojve” kemi pasë drejtimin e arkivolit unë dhe ingj. Mark Shkreli. Aty na ka ndalue Angjelin Kumrija dhe na ka urdhnue me e kalue arkivolin në makinën e të vdekunve. Na kundërshtuem per një çast, por ai me ton na tha: “Kalonje këtu, se kështu asht urdhni!” edhe, na zbatuem “urdhnin”, tue e kalue arkivolin në makinë ...(Ky moment asht fiksue nga fotografi Angjelin Nenshati në foto). Mërritëm në Rrëmaj. Aty kam “besue” se Prenka me të vërtetë kishte “vdekë”...ndoshta, “përgjithmonë”, se ashtu, ishte “urdhni”!..Prenkë Jakova po varrosej pa tingujt e bandës muzikore të qytetit të cilën e ka drejtue Ai vetë per sa e sa vite.
Mbas funeralit jemi këthye rrugës me ZKE, të cilin e njihshe prej kohësh në Shtëpi të Kulturës. Kemi ecë nga Serreqi dhe jemi këthye nga Gjuhadoli e tek Dugajt’e Reja, në drejtim të Pjacës së Fushës së Çelës, dhe tek Biblioteka (Bashkia sot) jemi nda mbas një bisede shumë interesante, shumë sekrete dhe në besim të madh. Ai Burrë më tregoi si ka ndodhë njëditë ma përpara vdekja tragjike e Prenkë Jakovës, për të cilin ruente mbrenda zemrës së vet respektin, dashninë dhe dhimbjën ma të madhe.
Në ora 08.00 ky dhe
drejtori Angjelin Kumrija
kanë hapë Shtëpinë e Kuturës.
Aty nga ora 08.30’ kanë mërrijtë Prenkë Jakova dhe Ndoc Shllaku, dhe kanë hy në dhomën e Prenkës, nalt tek dera e parë djathtas posa ngjite nga shkalla. Ndoci asht ulë tek poltroni ngjitë me derën, ndërsa Prenka asht ulë tek pjanoforta. Ka shkue tek ata edhe drejtori Angjelini, e biseda asht ba me derë të hapun, ku tema ishte “martesa që ka ndër mend Prenka, por që nga këta dy konsiderohej e papërshtatëshme për një njeri si Prenka”.
Prenka ka tregue vendimin e Tij dhe vëndosmeninë për me e krye martesën... Ndoci gjoja i zemruem asht çue dhe ka ikë nga Shtëpia e Kulturës, tue e lanë Prenkën vetëm me Angjelinin. Angjelini ka dalë nga dhoma e Prenkës dhe ka shkue në drejtori, ka marrë “dikend”... në telefon, të cilit, i ka thanë: “Po,... Prenkën e kam këtu, mos u vononi!...” Angjelini asht zbritë deri në gjysmën e shkallës vertikale me një llampë elektrike në dorë dhe, ka thirrë me emën ZKE, që ishte nën zyrën e tij poshtë, pikërisht, aty ku ndigjohej çdo bisedë që bahej në drejtori, aq ma shumë bisedat telefonike me za të naltë prej Angjelinit. ZKE ka dalë në korridor poshtë tue pritë çka urdhnon drejtori, i cili, i ka thanë: “Mbylle derën e Shtëpisë së Kulturës dhe mos e hap pa të urdhnue vetë!” Asht ngjitë naltë dhe ka shkue drejtë e nga dhoma e Prenkës, gja të cilën ZKE e ka dallue nga kambët në drrasat e korridorit...ZKE ka mbyllë derën dhe ka hy në zyrën e vet. Shumë shpejtë Angjelini ka dalë nga dhoma dhe ka thirrë ZKE: “Eja shpejtë se Prenka ra nga dritaria!”...Asht ngjitë dhe ka shikue nga dritaria prej ku shihëj Prenka poshtë i mbuluem me gjak...Kanë zbritë shpejtë, por gjithshka kishte mbarue...Ai kishte ra me kokë në çimento dhe pa ndjenja...Angjelini, ka dalë tek rruga me pa mos kalon ndonjë makinë, ndersa ZKE, mbante në duert e Tija kokën e përgjakun të Prenkës. Mbas 5’ ka kalue një makinë zis, kamjon i vogël dhe bashkë me shoferin kanë bajtë Prenkën, dhe janë nisë nga spitali civil. Rrugës në gjithë atë shpejtësi kanë mujtë me kuptue se “Prenka dha Shpirtë mbas pak minutash, pa mërrijtë në spital”...
Në darkë nga ora 5 (17) mbasdreke ka ardhë nga Tirana Mantho Bala, zv ministër për kulturën. Porsa ka hy tek dera e Shtëpisë së Kulturës i ka thanë të pranishëmve:
“Ai me të vërtetë ra dhe vdiq por mos harroni se Prenka ka ra mbi kokat tona!”.
***
Mbyllja: Kush e njoftoi Ndoc Shllakun që shkoi në mëngjez tek Prenka?
Kush ishte Ndoc Shllaku, përveç se djali i dajës së Prenkës?
Cili asht kenë qendrimi që ka mbajtë Ndoci ndaj Prof. Mark Demës në Durrës?
- Prof. Mark Dema asht dënue 18 vjet burg dhe ka vuejt dënimin në Spaç nga letra e shkrueme vetëm me shpifje prej dorës së Ndoc Shllakut.
Dosja e “mbyllun” e Ndocit tregon se ai ishte spijun i regjun i sigurimit të shtetit.
Pse Ndoci iku dhe e la Prenkën vetëm me Angjelinin, një spijunit tjetër si veten?
Pse Ndoci mbas vdekjës së Prenkës nuk ka shkue kurrma në shtëpi të Jakovëjve?
Ke lajmëroi Angjelini në telefon se “Prenkën e kam këtu, mos u vononi!”?
Ke priste Angjelini me ardhë aty me shpejtësi?
A thue e ndigjoi Prenka bisedën telefonike të Angjelinit ashtu si ZKE?
Pse u nevojit llampa elektrike pikërisht me u “ndrrue” atë ditë paradreke?
Kush duhet ta ndrronte llampën e djegun tek dritaria, Angjelini apo Prenka?
Cili ishte ma i ri me hypë tek dritaria...?
Pse Angjelini urdhnoi ZKE me mbyllë derën e madhe të Shtëpisë së Kulturës?
Iu morën mendët Prenkës apo e shtyni Angjelini?...!?
Kush ishte për Sigurimin Angjelin Kumrija në “Revolucionin Kultural” të 1967?
Cila asht sot përgjegja e këtyne pyetjeve nga “Dosja” e Angjelin Kumrisë?
Unë që njoh Angjelinin që në vitin 1955, nuk kam nëvojë për asnjë përgjegje!
Prenkë Jakova asht viktimë e terrorit komunist të “Revolucionit Kultural”!..
Sivjet jemi në 545 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombtar Gjergj Kastrioti...
Jemi edhe në 45 vjetorin e shfaqjes Operes “Skenderbeu”...

Melbourne, 26.VI.2013.




''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10

Kolë Gurashi i dtl. 1880, kangtar dhe kompozitor i Kangës qytetare shkodrane e hershme
Komunizmi dhe nji pjesë që morën pushtetin shkodranë nga Podgorica e soji racave antishqiptare e fikën, e shuen deri e ngrinën Zanin e Kangës Vjetër Shkodrane se faji i tyne e vetmja se ishin Katolikë - Absurdi


Kolë Gurashi - Babai i Muzikës Qytetare të Shkodrës

Familja Gurashi (Nika) i ka rranjët gjeneaologjike të ngulitura thellë në bazametin e një truelli të vjeter legjendash arbënore, i pagëzuem Guri i Lekës në Shosh. Pinjolli aë i shquem i familjes Gurashi ashtë Kola, i cili ka le në Shkodër me 14.01.1880.Në në vitet 1904-1907 ka qenë Komisar i policisë në Shkodër. Kolë Gurashi ishte njohës maksimal i kangës shkodrane, veprimtaria e të cilit përfshiu një gamë të gjanë si instrumentist, kangëtar, kompozitor, krijues e perpunues tekstesh,studiues i korpusit të veprës, që përmban punimet në dorëshkrim dhe të publikueme, “329 këngë të ahengut shkodran”. Ashtë shque e ka lanë gjurmë të pa shlyeshme edhe si letrar, etnograf dhe pikto. Vdiq në vitin 1971

Autori Prelë Milani

Shenim;
Nëse dishroni me shijue kangët e Kolë Gurashit mund të përdorni ket link;
http://www.youtube.com/results?search_q ... 4i5M-HKVlE

Ndoc Gurashi - Arti qe nuk rron pa traditen

| E Hene, 02.10.2006, 09:12 PM |

Kush eshte artisti Ndoc Gurashi, prejardhja e tij familjare dhe pasionet. Vleresimet per piktorin 80-vjecar dhe forca e tij per ta trasheguar penelin dhe telajon tek brezat e rinje.
Mes rrugicave te vjetra dhe shtepive me grila karakteristike shkodrane ndodhet edhe familja Gurashi, e cila eshte percjellese e traditave me te njohura te kesaj treve.

Shtepia e artistit Ndoc Gurashi ndodhet ne lagjen e vjeter muze. Mjafton te hysh ne shtepine e tij dhe e kupton se tradita duket kudo. Brez pas brezi familja ka ruajtur vlerat e saj. Shtepia e mbushur anekend me piktura qe per mungese te nje studioje kane mbuluar te gjitha hapesira e mureve ne shtepine e tij. E si per te treguar traditen e hershme te familjes se Gurashve, ne dhomen e ndenjes te bie ne sy nje oxhak i derdhur ne allci me format e prodhuara nga vete dora e Ndocit. Po keshtu ne linjen e tradites se familjeve te vjetra, ne ane te oxhakut ndodhet kendi i armeve te vjetra, ku bien ne sy oburta dhe shpatat, nje tradite, kjo e ruajtur me fanatizem qe nga kohet e hershme deri ne ditet e sotme. E nderkohe edhe bashkeshortja e Ndoci, Jolanda apo "Halla Landi" sic i pelqen asaj ta therrasin te gjithe, edhe pse vete nuk ka patur pasion per te pikturuar, ajo vjen nga nje tjeter familje me tradita ne fushen e piktures. Jolanda Gurashi eshte e motra e te ndjerit, piktorit Ferdinand Pacit, si dhe halla e Adrian Paci dhe e te njohurve Zef Paci e Franc Paci.

Lidhjet e artit dhe familjare


C'fare mban mend nga e kaluara e te pareve te tu ?

"Historia e njohjes se familjes sime fillon me sa mbaj mend une qe me katragjyshin. Kam degjuar nga gjyshi dhe baba per Nik Melin, katragjyshin tim, i cili qe ka qene korrieri diplomatik i Vatikanit per Shkodren. Nga kjo kohe kemi ruajtur vulen qe mbyllte posten. Behet fjale per vitet 1800. Per fat te keq jane thyer germat. Nga frika e sistemit te atehershem, jane hequr shenimet. Po keshtu edhe gjyshi Ndoc Gurashi ka qene rrobaqepes kostumesh kombetare, i njohur ne mbare qytetin.

Kolë Gurashi - Baba i Ndoc Gurashi i Shkodrës
Me pas tradita ka kaluar tek babai, Kol Gurashi. Kane te gjithe babe te mire, por une e vleresoj shume pasi me te vertete ka qene nje njeri, te cilin shkodranet e vjeter e kane nderuar dhe respektuar shume. Ishte nje person diplomat, kristian i mire, dashamires i dy feve. Kemi pasur shume miq nga ana myslimane. Ka zoteruar 6 gjuhe te huaja. Ka sherbyer si komisar policie qe ne kohen e Turqise, detyre te cilen e vazhdoi edhe ne kohen e Zogut, por qe me patriotizem dhe me krenari kometare nuk e ka pranuar kete detyre ne kohen e pushtimit te Italise.

Por, krahas kesaj detyre, kenga popullore ka qene nje pasion i babait te Ndocit, Kole Gurashit, qe e beri te njohur edhe ne brezat e mevonshem. Ka lene nje doreshkrim ku ishin te shkruara te gjitha kenget popullore qytetare shkodrane me tekste dhe me muzike origjinale. Krahas punes per te mbledhur tekstet dhe muziken, Kola mbahet edhe si reformator i kenges popullore. Por, pa lene pas dore edhe pasionin per te realizuar dhe pikturen

Po ju vete kur filluat te merreni me pikture dhe si jeni ndier mes saj?

Kam nisur te merrem me pikturen qe femije, kur shikoja motren time te pikturonte pasi ajo ishte nxenese e te madhit Kole Idromeno. "Shikoja motren duke punuar. Merrja edhe une letren dhe vizatoja. Profesori i madh Idromeno me thoshte: Edhe ti do te behesh piktor ". “Nuk ka gja ma te bukur se me ken i rrethuar me pikturen. Kam rreth 100 piktura te ekspozuara ne shtepi. Nuk me pelqen ti shes. Jam pak egoist. Por ata jane femijet e mi ndaj dhe une jam ne nje pozite te tille, si nje baba para femijve te vet. Eshte zor me shit femijet tuaj"

Me se merret Ndoci aktualisht?

Edhe pse i kam kaluar te 80-tat, perseri kur kam kohe te lire hedh nga ndonje penel ne telajo si dhe u jap mesim femijeve te miqve dhe dashamiresve te mije per pikturen. Kjo me ben qe une ta kem te veshtire ta konceptoj veten te shkeputur nga piktura.Vitin e kaluar me ndihmen e disa dashamiresve, arrita qe te prezantoj nje Cd me rreth 100 punimet e mia nder vite qe u prezantuan ne hollin e Teatrit Migjeni me rastin e 80 vjetorit tim qe njekohesisht koincidoi me dhenien e titullit "Mirenjohja e Qytetit " nga keshilli i Bashkise se Shkodres. Kjo ka qene enderrra me e madhe e viteve te fundit per mua, pasi secili e di se per te prezantuar nje ekspozite dhe per te prodhuar nje Cd nuk eshte e lehte aq me shume per moshen time.
Personazh Ndoc Gurashi
Pasaporta; Ndoc Kole Gurashi.
Datelindja Prill 1925
Prejardhja: Nga nje familje me tradita ne art
Kryen gjimnazin franceskan "Illiricum"

Ne vitin 1957 merr pjese ne ekspoziten e pare lokale te piktures
Ne vitin 1964 diplomohet per pikture ne Tirane.
Ne vitin 1973 eshte anetar i Lidhjes se Shkrimatreve dhe Artisteve te Shqiperise`´
Ne vitin 1993 hap ekspozite vetjake ne Bari , Itali
Ka nje koleksion me mbi 150 punime

Vleresimet

Ne vitin 1962 dhe 1970 dekorohet me "Medalja e Punes" nga Presidiumi i Kuvendit Popullor
Ne vitin 1976 Kuvendi Popullor i jep titullin "Mjeshter i shquar ne profesion”
Ne vitin 1978 merr cmimin e dyte ne ne nje ekspozite kombetare me punimin "Nje marshim i veshtire"
Ne vitin 1983 Kuvendi Popullor e dekoron me urdherin “Naim Frasheri” i klasit te dyte"
Ne vitin 1985 Presidiumi i Kuvendit Popullot i akordon medaljen "Per sherbime te shquara shoqerore dhe shteterore"
Ne 2005 Keshilli Bashkiak i Shkodres i jep titullin "Mirenjohja e Qytetit".

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_6 ... Print.html
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 28 Shkurt 2021, 00:01
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari