Avni Mula: Na plakën para kohe
"Del në skenë Avni Mula"... Këto janë fjalët e Prenk Jakovës. Ai i mësoi hapat e para dhe Avniu nuk i harron kurrë emocionet e mëdha të asaj dite. Dridhet akoma edhe sot... "Por, ama, këndova mjaft mirë"... I ka kaluar të 80-at. Avni Mula, me flokët e bardhë, flet ngadalë... Ka shumë për të kujtuar... Ka mjaft për të thënë... Ai është Avni artisti, që kurrë nuk e ka harruar Avni çiklistin... Të gjithë në Shkodrën e bukur e njihnin atëherë, të gjithë në Shqipërinë e dashur e njohin sot.
Ndonjëherë me biçikletën kaluar edhe këndonte..., por nuk i kishte shkuar ndërmend se ajo do të ishte vetë jeta për të.
Prenk Jakova e ngjiti për herë të parë në skenë. Ai dinte të këndonte... por asnjëherë nuk i ishte dhënë rasti. Ishte 19 vjeç. Në një koncert që mbahej në Shkodër, në atë kohë, Pjetër Gjergji mungonte... nuk kishte kohë për një zëvendësues. "Një miku im foli duke bërtitur që Prenku ta dëgjonte: ‘Avniu mund të këndojë‘. ‘Mund të këndosh?‘, më pyeti Prenku. ‘Po‘ i thashë", kujton tenori.
Doli në skenë. Shtangu publiku. Ata njihnin Avniun si çiklist, por që të këndonte, këtë asnjë nuk e dinte. "Filluan të qeshnin e unë bashkë me ta. Pas pak e mblodha veten e vazhdova të këndoj. Që nga ajo ditë, pasi këndova nuk u quajta më Avni çiklisti. Që nga ajo ditë, filloi jeta ime", thotë Avni Mula.
Dhe jeta e tij, vazhdoi kështu pranë muzikës ngado. Edhe kur shkoi në ushtri, kur u bë pjesë e korit të saj. Kur për herë të parë doli nëpër turne jashtë Shqipërisë, derisa dekada më vonë, pas përfundimit të studimeve në Rusi, Avni Mula, në vitin 1957, bëhet pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit. Institucioni kishte pak vite që kishte marrë jetë. Në vitin 1953, shumë pak kishin kënduar në skenë. "Kur filloi në Opera, ky Avni artisti në të njëjtën kohë nisi edhe të shkruajë, pasi repertori ishte shumë varfër. Shkrova romanca, por kam shkruar edhe opera", thotë ai. E pas thuajse 55 vitesh, Opera, Avni Mula një nga protagonistët kryesorë të skenës së institucionit të kulturës elitare, është i lumtur për gjithë sa është arritur. Për të, opera është një shtëpi e madhe. Në të ndërtohet, provon gëzime, po aq sa edhe hidhërime. "Për mua, repertori i tërë operës u takon artistëve që ekzekutuan në skenë. Opera është një tempull i vërtetë. Puna që bëhet në opera është diçka e jashtëzakonshme. Artistët interpretojnë veprat e kompozitorëve të mëdhenj. Në këtë skenë, ata njihen me një repertor të madh, njihem me muzikën në fjalë dhe një pjesë e të autorëve, të cilët nuk jetojnë më. Në këtë tempull të madh, që ka përvjetorin, ne kemi kënduar dhe kemi shkruar muzikë dhe jemi jashtëzakonisht mirënjohës kësaj skene. Kemi përfituar atë që nuk vdes kurrë, ashtu si teatri", thotë ai.
E në të vërtetë, artisti nuk vdes kurrë, edhe pse Avni Mula, ka dalë jashtë kësaj skene kur ishte 55 vjeç. Do të donte që kjo eksperiencë të kishte zgjatur pak më shumë... "sepse artisti ka fuqi të madhe. Ai mund të këndojë edhe një jetë të tërë. Por, ne na plakën para kohe. Kjo dalje nga skena në moshën që ne ishim, ndodhi në kulmin e karrierës sonë. Shumë ndalën së ushtruari zërin, e ai plaket nëse nuk merresh më me të", thotë qejfprishur ai.
Por, ka arsye për t‘u ndier i lumtur. Pjesëmarrjen e tij në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit, e ka bërë edhe më të bukur bashkëshortja e tij, Nina Mula. Ajo erdhi këtu nga Rusia. "Kishte dashuri jo vetëm për mua e muzikën time, por edhe për vendin tim. Nina e vlerësoi vendin tim. Ajo flet gjuhën time njësoj si unë, me dialekt e unë i jam borxhli asaj", thotë Avni Mula, ai që i pari i këndoi "Agimeve shqiptare", që repertorit të muzikës sonë, aq shumë i fali. Ai që akoma edhe sot e do aq shumë Teatrin e Operës, faltoren në të cilën këndoi për kaq vite. "Është një vend i veçantë teatri. Si falen njerëzit në kisha e xhamia ashtu edhe ne artistët i falemi atij". E në këtë "festë të madhe" kushtuar teatrit, i vetmi urim i Avni Mulës është që prej kësaj skene të dalin sa më shumë vajza e djem të rinj të talentuar. Të ketë muzikë, shumë muzikë, sepse ajo është vetë jeta. Ai që e do aq shumë muzikën, ai, Avni Mula, që i ka kaluar të 80-at, ndodhet ende para partiturave, vazhdon ende t‘i kushtojë mendimet dhe ndjenjat, dashurinë gjithashtu një vepre operistike....
SHQIP