Feja: Martesat Gay të papranueshme, kërcënohet familja


TIRANË- Martesat e homoseksualëve që ua serviri shqiptarëve Kryeministri i vendit, dënohen ashpër nga komuniteti fetar në vend. 24 orës pas deklaratës së Berishës, ka reaguar Kisha Katolike, Kisha Ortodoske dhe Xhamia.
Priftërinjtë dhe imamët argumetnojnë se martesat mes sekseve të njëjta kërcënojnë seriozisht martesën dhe nuk do të kenë kurrsesi bekimin e tyre madje iu bëjnë thirrje politikanëve që të mos bien në mëkat.
"Ne rast se sot lejohen martesat mes homoseksualeve, në të ardhmen do të kërkohet adoptimi i fëmijeve, gjë që do të çoje në shkaterrimin e familjeve. Sot duhet te luftojme kunder divorceve dhe jo te lejojme martesa te tilla", tha për median Monsinjor Gjergji Frendo.
Ndërsa imami i Xhamisë së Tabakëve, Elvic Naci, thotë se ky akt shihet si nje mekat i madh, ndaj parlamentaret nuk duhet te bëhen pjesë e kësaj nisme ligjore.
Për Kishën Ortodokse, veprimi dhe akti që kryhet mes dy njerëzve të së njëjtës gjini është i dënueshëm. "Për këtë arsye çdo lloj veprimi aq më tepër kur ato bëhen edhe ligjore nuk shikohet me sy të mirë dhe nuk mund të aprovohet nga ana jonë si besimtarë dhe si Kishë. Mendoj se është diçka e nxituar pas në Shqipëri ka probleme të mëdha sociale", u shpreh Peshkopi i Kishës Ortodokse Andon Merdani.
Me legjitimimin e martesave gay ne bëhemi vend i përparuar që nuk lejojmë diskriminim. Kjo sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha. Ndërsa sipas, Mon Sinjor Frendos, shteti duhet të mbrojë konceptimin e martesës dhe familjes. Ai argumeton se "sot martesa dhe familja janë në rrezik për arsye se janë në rritje numri i divorceve, ndaj të mos e shtojmë rrezikun duke transformuar konceptin e martesës".
Lajmin se është hartuar një projektligj për martesat e personave të së njejtës gjini u dha dje nga kryeministri Sali Berisha gjatë një mbledhje ndërministrore për integrimin e vendit ne BE.
Ky ligj duhet të marrë mbështetje maksimale në Parlament - tha Berisha - pasi, zhduk diskriminimin.
Hartuesja e ligjit, Ballauri: Ka edhe politikanë gay
dt. 29 korrik
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka njoftuar dje se shumë shpejt do ta kthejë Shqipërinë në një vend ku do të lejohen me ligj martesat e homoseksualëve.
Elsa Ballauri, (kryetarja e Grupit Shqiptar të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut), një ndër hartueset kryesore të këtij projektligji, shpjegon pse-të e këtij ligji dhe pranon se në politikën shqiptare ka homoseksualë, por më shumë homofobë.
Deklarata e Berishës është bërë gjatë mbledhjes së Këshillit Ndërministror të Integrimit dhe ka shkaktuar të qeshura të forta tek vetë vartësit e tij.
Për të justifikuar këtë vendim, Berisha ka thënë se është një standard evropian. Vitet e fundit disa shtete Europiane kanë ligjëruar martesat ndërmjet homoseksualëve por vetëm në Holandë, Belgjikë, Spanjë, Norvegji dhe Suedi çiftet homoseksuale kanë të drejta të njëjta me çiftet heteroseksuale.
Shtetet e tjera kanë preferuar që ti japin të drejta pothuajse të barabarta me heteroseksualët por duke e quajtur një lloj bashkëjetese ligjore por jo martesë. Në mentalitetin shqiptar, ku ende homoseksualët nuk kanë guximin që të dalin hapur dhe të pranojnë atë që janë, pritet të ketë reagime të forta.
Momentalisht, Shqipëria nuk e ka përcaktuar qartë në Kodin e Familjes çështjen e homoseksualëve. Neni gjashtë i Kodit thotë: "Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç".
Kjo fjali e ndërtuar me 15 fjalë, është i gjithë kuadri ligjor shqiptar për këtë çështje. Kjo do të thotë se homoseksualët nuk do të dënohen nga ligji për veprimet e tyre, por nga ana tjetër, nuk u lejohet që të ligjërojnë bashkimin në një familje të tipit grua-grua ose burrë-burrë.
"Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile",- tha dje Kryeministri Berisha. Ai shpjegoi se me anë të këtij ligji do të shihen qartësisht qëndrimet që do të mbahen kundrejt homoseksualëve, si dhe mënyrat se si ata mund të favorizohen.
"Unë mendoj se, pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre",- tha dje Kryeministri Berisha, duke iu referuar ligjit për të drejtat e homoseksualëve.
Por, menjëherë kjo thënie është shoqëruar me të qeshurat e ministrave, të cilët ishin krejt të papërgatitur për këtë gjë. Edhe vetë ata e kishin të vështirë të besonin këtë projektligj të ri të Kryeministrit.
Për të justifikuar projektligjin, Berisha tha: "Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane. Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi".
Ndërkohë, ai shpjegoi se në këtë ligj nuk ka asnjë qëndrim armiqësor ndaj këtyre pakicave. "Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë.
Ky është një standard, i cili ka të bëjë qartësisht me të drejtat e njeriut dhe që ka mbështetje në konventat, në të cilat aderon dhe është e detyruar t'i respektojë. Vërtet që ne nuk i ndalojmë këto martesa, por këto nuk ndodhin, sepse është opinioni.
Me mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin",- përfundoi Berisha.
Ndërkohë, burime nga Kuvendi dhe Kryeministria pohuan se ligji i ri për homoseksualët nuk është ende gati.
Ai është në fazën finale dhe më pas do të kalojë tek juristët, të cilët do i japin dorën e fundit. Kjo pritet që të ndodhë gjatë javës së ardhshme.
Nga ana tjetër, pritet që për këtë ligj të ketë reagime të forta nga tre komunitetet fetare në vend.
Të kontaktuar nga "Shekulli", përfaqësuesit e komuniteteve fetare pohuan se ende nuk kanë marrë kontakt me projektligjin, por në parim janë kundër tij. "Ne do të shohim ligjin që po përgatitet dhe më pas do paraqesim objeksionet tona",- thanë komunitetet fetare.
Zgjidhja franceze
Shumë vende europiane kanë pasur presione të forta në lidhje me homoseksualët, martesën e tyre, por edhe kërkesën për të adoptuar një fëmijë. Një zgjidhje racionale është dhënë nga Franca.
Në këtë shtet, dy homoseksualë paraqiten në njësinë e qeverisjes vendore, bashkia ose komuna, dhe kërkojnë që të regjistrohen si homoseksualë. Ata pajisen me një dokument "Pacte Civil de Solidarité", që do të thotë se shoqëria i pranon për atë që janë, i njeh për atë që janë dhe i lejon që të bashkëjetojnë lirisht.
Kjo zgjidhje ka lënë të kënaqur komunitetin gay dhe pjesën tjetër të personave që ishin kundër martesave të homoseksualëve. Për, në vitin 2004, çifte gay thyen rregullat dhe u martuan. Që nga ajo kohë ka nisur një debat i ashpër ligjor ku gjykatat anulojnë martesat gay.
Britania
Edhe britanikët kanë gjetur një zgjidhje interesante për martesat gay. Termi që përdoret për çiftet gay që bashkëjetojnë është "Partnership civil". Kjo i jep çifteve gay të gjitha të drejtat e martesës por jo një martesë legale. Partia Jeshile kërkoi legalizimin e martesave gay por kryeministri Gordon Braun e rrëzoi këtë kërkesë.
Kodi i Familjes
Sipas juristëve, ligji pritet që të ketë një rrugë të vështirë deri në miratim. Kjo për faktin se, një ligj që lejon martesat e homoseksualëve, bie ndesh me Kodin e Familjes. Pra, ndryshimet duhet të nisin që nga Kodi i Familjes, i cili është një ligj i rëndësishëm që kërkon 84 vota dhe kjo është e vështirë për t'u arritur.
MARTESA
KREU I
KUSHTET THELBËSORE PËR LIDHJEN E MARTESËS
Mosha e lidhjes së martesës
Neni 7
Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë
mbushur moshën 18 vjeç.
Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund
të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.
Parajsa rajonale
Miratimi i një ligji të tillë do të kthente Shqipërinë në "parajsën" e homoseksualëve të rajonit, por edhe më gjerë. Ne do të bëheshim vendi i shtatë në Europë, pas Holandës, Belgjikës, Spanjës, Norvegjisë dhe Suedisë që u jep çifteve gay të njëjtat të drejta me çiftet hetero. Por, për shkak të pozicionit gjeografik, ne do të tërhiqnim numrin më të madh të homoseksualëve që ndodhen në vendet e rajonit apo edhe më gjerë.
Në disa raste, edhe gay shqiptarë kanë zgjedhur që të martohen dhe këtë gjë e kanë kryer në Holandë. Legalizimi i martesave gay në Shqipëri do të sillte një rritje të numrit të homoseksualëve që do të aplikonin për martesë në vendin tonë.
Kisha dhe gay-t
Italia është një nga vendet që ka tentuar të legalizojë martesat mes të njëjtit seks, por ka dështuar pas ndërhyrjes së menjëhershme dhe të fortë të Vatikanit.
Kisha ka pranuar të bëjë lëshime në lidhje me abortin apo përdorimin e prezervativëve, por ka qenë totalisht kundra martesës gay. Në këtë pikë, Italia është detyruar që të tërhiqet.
Një situatë e ngjashme është edhe në vendet e tjera të Europës, ku pushteti i kishës ndihet ende.
Lidhja më internet
Edhe pse të fshehur e të frikësuar, grupe të ndryshme homoseksualësh shqiptarë kanë arritur të organizohen në forma të ndryshme, ku më kryesorja është interneti. Momentalisht ekziston një numër i madh faqesh, ku meshkujt homoseksualë shqiptarë mund të takohen, por pothuajse asnjë për femrat.
Në to shihet një trafik i lartë takimesh dhe shkëmbime idesh. Në shumë raste ka publikime për botën gay, ndërkohë që mbështetja është e vazhdueshme nga grupet e tjera gay. Risia me emrin "FaceBook" po i jep një tjetër dimension komunikimit mes anëtarëve të këtij komuniteti.
Hartuesja e projektligjit për të drejtat e homoseksualëve: "Nëse ligji implementohet, homofobia do humbasë forcën"
Ballauri:
"Në politikën shqiptare ka homoseksualë"
TIRANË - Ligji për të drejtat e homoseksualëve është hartuar nga shoqëria civile, e cila më pas ia ka prezantuar Kryeministrit Berisha. Një ndër hartueset kryesore të këtij projektligji është Elsa Ballauri, kryetarja e Grupit Shqiptar të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Zonja Ballauri ka shpjeguar në një intervistë për "Shekulli"-n të gjitha detajet e këtij ligji, por edhe arsyen përse duhet bërë.
"Homoseksualët janë një grup njerëzish që jetojnë një jetë të vështirë, të ndrydhur nga paragjykimet e familjarëve, të shoqërisë, të shtetit, madje shpesh edhe të vetes së tyre",- thotë ajo. Por, nga ana tjetër pranon edhe ekzistencën e homoseksualëve në jetën politike shqiptare, edhe pse deri më tani asnjë prej tyre nuk e ka pranuar këtë gjë.
Zonja Ballauri, ju keni punuar në hartimin e ligjit për homoseksualët. A mund të na shpjegoni në çfarë konsiston ky ligj?
Ne kemi punuar prej vitesh mbi përpilimin e ligjit Kundër Diskriminimit. Ky është një projekt i Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut që unë drejtoj, me një grup ekspertësh shqiptarë dhe të huaj dhe donator ka qenë Komiteti Suedez i Helsinkit.
Ligji Kundër Diskriminimit ekziston tashmë në shumë vende të botës, sidomos në vendet më të përparuara, ku diskriminimi është quajtur prej kohësh një problem i madh shoqëror që duhet zhdukur.
Ligji trajton kategoritë që mund të diskriminohen në Shqipëri si, p.sh., minoritetet etnike, grupet e margjinalizuara, ku mes tyre bëjnë pjesë edhe homoseksualët.
Pra, ky ligj i mbron këta njerëz nga dhuna e shtetit, e administratës së tij, apo nga veprimet jo ligjore të disa shtetasve ndaj shtetasve të tjerë. Ky ligj i mbron individët e këtyre grupimeve nga veprimet arbitrare. Mbrojtja behët duke paraqitur rastin në gjykatat e vendit.
Nëse një person largohet nga puna si homoseksual, ai mund të mbrohet nga ligji dhe të rikthehet në punë. Në fund të fundit, ligji krijon sjellje të reja shoqërore antidiskriminuese, vë në vend padrejtësitë dhe ndryshon psikologjinë diskriminuese të qytetarëve.
Përse është bërë ky ligj në këtë moment të caktuar? Kaq i madh është numri i homoseksualëve në Shqipëri, sa është i nevojshëm hartimi i një ligji?
Gjithmonë njerëzit i preokupon enigma. Realisht nuk ka një shifër, sepse shifra mund të ketë efekt në rastin e një studimi real dhe të çliruar nga paragjykimet.
Homoseksualët janë një grup njerëzish që jetojnë një jetë të vështirë, të ndrydhur nga paragjykimet e familjarëve, të shoqërisë, të shtetit, madje shpesh edhe të vetes së tyre. Si rrjedhim, ende nuk është koha e një shifre, po nuk është as koha e injorimit të tyre si një komunitet shumë i përhapur.
Ne, si mbrojtës të të drejtave të njeriut, nuk na bën përshtypje sasia, por ekzistenca. Për sa kohe ata ekzistojnë, atëherë duhen mbrojtur.
Sa për momentin, ai është gjithmonë oportun, natyrisht, tani më shumë se çdo herë tjetër, sepse ndodhemi në periudhën e dhënies së provimeve përpara Europës.
A nuk mendoni se është pak herët për një ligj të tillë, në një kohë kur shqiptarët njihen si një
popull homofob?
T'i vësh vetes emërtime të tilla, nuk më duket e drejtë. Shqiptarët janë aq homofobë sa ç'ka qenë dhe është çdo vend tjetër. Po të shohësh historinë e popujve të Europës, ata janë zhvilluar nëpërmjet një homofobie të egër. Shqiptarët kanë nevojë për një edukim ndryshe dhe ky ligj është një nga të parët mekanizma për t'i edukuar ata. Nëse ligji implementohet siç duhet, homofobia shqiptare do të humbasë forcën e saj.
Si arritët të bindni Kryeministrin Berisha për të pranuar një ligj të tillë?
Kur unë e kam takuar Berishën, ai ishte i bindur dhe plotësisht dakord me ligjin. Kjo më tregoi mua që kisha të bëja me një politikan të mençur dhe pragmatist.
Në momentin e tanishëm, me arritje të tilla dhe pikësynime të rëndësishme përpara, siç ka marrë përsipër Berisha të kryejë, miratimi nga ana e tij e një projektligji të tillë, është një sfidë interesante dhe e guximshme për realitetin kombëtar dhe një mbështetje e mirë atë ndërkombëtar.
A mendoni se ky ligj do të ketë mbështetjen e Parlamentit?
Besoj që po, ne kemi lobuar shumë për të, ndërsa Parlamenti i ri ka edhe shumë pjesëtarë mendjehapur që do të ndihmojnë aty brenda për miratimin e projekt ligjit.
A ka homoseksualë ose homofobë në politikën shqiptare?
Natyrisht që ka. Mendoj që ka shumë më tepër homofobë se sa homoseksualë.
Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar sot një "bombë" të vërteta në një takim ndërministror për integrimin, duke deklaruar se Shqipëria do jetë një nga vendet ku do lejohen martesat gay.
Berisha tha se projektligji i përgatitur nga një organizatë joqeveritare në Tiranë ka mbështetjen e tij dhe do dërgohet nga qeveria në parlament.
Shtetet në botë të cilat lejojnë martesat gay numërohen me gishtat e dorës. Priten hollësi rreth këtij deklarimi per te kuptuar nese eshte nje nga gafat e zakonshme te kryeministrit, apo nje projekt serioz qe do perfundoje vertet ne Parlament.
"Ky ligj është i sponsorizuar nga shoqëria civile. Pavarësisht nga debatet që mund të ngjallë , diskriminimi është i papranueshëm. Kjo synon vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese e një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet europiane" - tha Berisha.
Ne fakt vetem nga 27 europiane, vetem Holanda, Belgjika dhe Norvegjia e lanë të ligjëruar martesën homoseksuale. Italia tentoi por pati kundershtime te ashpra të Vatikanit. Bibla dhe Kurani kanë argumente të forta kundër martesave homoseksuale.
Shekulli