Vdekja e studentit, paditet burgu 313


Vetëvarja në qeli e studentit të Stomatologjisë Mihallaq Karaj, do i kushtojë 25 mijë USD dëmshpërblim burgut 313. Ky është objekti dhe vlera e padisë, që ka depozituar në gjykatë i ati i studentit Petro Karaj nga Përmeti, i përfaqësuar në gjykim nga avokati Genci Terpo, i Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. Padia është depozituar pak kohë më parë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa pas hedhjes së shortit elektronik pritet të nisë shqyrtimi i saj. Familja Karaj nga Përmeti kërkon dëmshpërblimin nga burgu, pasi sipas tyre faji për humbjen e jetës në qeli të djalit të tyre është pikërisht institucioni i burgut, që nuk i garantoi jetën të paraburgosurit.
Studenti i Stomatologjisë vrau veten rreth orës 02:00 të mesnatës pas 3 marsit 2006 në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet. Karaj ishte dërguar në këtë paraburgim vetëm pak orë më parë dhe sipas drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkak për kryerjen e aktit ekstrem ndaj vetvetes ishte mospërshtatja e tij me jetën e re pas hekurave të qelisë dhe ngarkesa e rëndë psikologjike. Ai akuzohej për vjedhjen në bashkëpunim të një kompjuteri në një lokal në Qytetin Studenti. Pas kësaj, gjykata, me kërkesë të prokurorisë, vendosi masën e sigurisë burg pa afat, ndërsa menjëherë pas masës ai u dërgua në paraburgim. Avokati në kërkesëpadi pohon, se me këtë proces ndodhemi përpara një çështjeje të një natyre krejt të veçantë ku paditësi, Petro Karaj, ka pësuar një dëm të pallogaritshëm si rezultat i humbjes së jetës së të birit, Mihallaq Karaj.
Avokati pohon se studenti nuk kishte probleme ekonomike, familja e tij ia kishte siguruar të gjitha të ardhurat e nevojshme për të vazhduar shkollën dhe për të jetuar në standarde tejet të pranueshme. Viktima u vendos në një qeli së bashku me një person tjetër, ndërsa karakterizohej nga një situatë tejet e rënduar, pasi nuk kishte qenë asnjëherë në burg. "Aty ai u përball me një ambient të papranueshëm dhe në kushte jonormale, çka ndikoi negativisht në gjendjen e tij. Gjatë natës katër punonjësit e burgut 313 nuk i kanë kushtuar rëndësi gjendjes së Karajt dhe nuk kanë ushtruar kontrollin dhe mbikëqyrjen e duhur mbi të. Viktima ndodhej i traumatizuar dhe nuk iu ofrua asnjë analizë psikologjike për të përcaktuar gjendjen e tij. Ndërkohë ishte detyrim i personelit të burgut që ta kontrollonte atë për sende të ndaluara, gjë që nuk është bërë", argumenton avokati fajësinë e institucionit.
Studenti u mbyt me lidhësen e tutave
TIRANE - Studenti i Stomatologjisë Mihallaq Karaj, u arrestua më 30 mars 2006 nga efektivët e komisariatit nr. 1, të kryeqytetit. Sipas policisë, 24-vjeçari lindur e banues në Këlcyrë të Përmetit dyshohej se ishte bashkautor me shokun e vet Ardit Çala, për vjedhjen e një lokali në Qytetin Studenti më 11 nëntor 2005, si dhe të një vjedhjeje tjetër në këtë zonë 10 ditë para arrestimit.
Me kërkesë të prokurorit të çështjes, Karaj u la në qeli nga gjykata deri në përfundim të hetimeve, ndërsa u dërgua në qelitë e paraburgimit 313 pak orë më vonë. Por natën e parë, që ndodhej në qeli, studenti 24-vjeçar, i cili kishte pësuar ngarkesë të rëndë psikologjike ka përfituar nga gjumi i shokut të qelisë dhe me lidhësen e tutave të fiksuar në hekurin e krevatit ka shtrënguar fytin, duke mbetur i vdekur në vend. Ekspertët pohuan atëherë, që studentit i kishin ardhur në ndihmë njohuritë mjekësore që kishte marrë në shkollë për të përcaktuar pikat e dobëta të organizmit, pasi hekuri ku ai kishte fiksuar fillin nuk ndodhej më shumë se 120 cm nga dyshemeja.
Fatos Mahmutaj
Panorama