Roli i Gjermanisë së ribashkuar

- Bashkimi i Gjermanisë - fundi i konfrontimeve Lindje-Perëndim -
Pas përmbysjes së Gjermanisë naziste dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania për një periudhë u bë komb pa shtet. Administrimi i Gjermanisë nga katër fuqitë pushtuese- Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik- zgjati diçka më shumë se një vjet. Më 1949, në zonat perëndimore u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Më vonë në skenën ndërkombëtare u njohën dy shtete të ndryshme gjermane dhe një komb gjerman.
Aspirata e ligjshme për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë. Hartuesit e kësaj kushtetute në preambulë bashkëngjitën edhe detyrimin për ribashkimin e popullit gjerman.
Kundërthëniet midis aleatëve të Luftës së Dytë Botërore, para së gjithash, hendeku midis amerikanëve dhe sovjetikëve në Konferencën e Potsdamit (korrik-gusht 1945) kontribuuan në lindjen e Luftës së Ftohtë, e cila pesë dekada më vonë do të përfundonte krejt papritur ose thënë ndryshe, kur Perëndimi po përgatitej për t´i bërë ballë një periudhe të re konflikti të zgjatur.
Kahe të pakthyeshme
Gjermanët nga të dy anët e kufirit nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për ribashkim në një shtet, edhe pse kjo dukej thjesht një ëndërr në kohën e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila kulmoi me ngritjen e Murit të Berlinit në vitin 1961, që për tridhjetë vjet u bë sinonim i ndarjes së kombit gjerman, por njëkohësisht u bë edhe simbol i dështimit të politikës sovjetike për Berlinin dhe sovjetizimin e Gjermanisë Lindore. Megjithatë Henry Kissinger me të drejtë thotë se kriza e Berlinit shënoi një kthesë në Luftën e Ftohtë, ndonëse ajo nuk u perceptua si e tillë në atë kohë. Nuk pati sfida më për Berlinin, derisa Muri i Berlinit u rrëzua më 1989, duke shpënë në bashkimin e Gjermanisë.
Ndryshimi në Gjermaninë Lindore erdhi më i papritur sesa në vendet tjera të Evropës Lindore; vendimi u mor në rrugë e jo në shtabet e partisë apo në sallat e konferencave. Gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 1989, me mijëra gjermanolindorë vërshruanë në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në Budapest, Pragë dhe Varshavë duke kërkuan strehim politik. Pas një ngurrimi fillestar, në shtator hungarezët dhe më pas çekët dhe polakët ranë dakord t´i lejonin ata të shkonin në Perëndim. Gjatë muajve të fundvitit 1989 dhe fillimvitit 1990 vala e gjermanolindorëve që largoheshin për në Perëndim vazhdoi me ritme edhe më të mëdha edhe pse diktatori stalinist Erich Honeker kishte dhënë dorëheqje. Qyteti i Lajpcigut u kthye në skenën kryesore të demonstrimit të protestës kundër regjimit komunist. Pika e kthesës arriti më 6 dhe 7 tetor, kur në mbarë RDGJ ishin planifikuar të bëheshin festime të mëdha me rastin e dyzetvjetorit të themelimit të regjimit komunist. Festimet filluan me parada të zakonshme, por në mbrëmje u njoftua se në mbarë Gjermaninë Lindore kishin filluar demonstratat antiqeveritare, në të cilat kërkohej reformimi i sistemit politik, zgjedhjet e lira, liria e fjalës, liria e lëvizjes dhe kërkesa të tjera politike.
Katër javë më pas, Muri i Berlinit ra, sepse gjermano-lindorët dëshironin të braktisnin RDGJ. Që nga mbrëmja e 9 nëntorit dhe në vazhdim, me miliona gjermano-lindorë vërshuan në Berlinin Perëndimor dhe Gjermaninë Perëndimore.
Ndodhi ajo që pak kush e kishte pritur dhe planifikuar: rënia e Murit të Berlinit, i cili për afro 30 vjet me radhë kishte ndarë më dysh qytetin e Berlinit dhe kombin gjerman, përkatësisht Gjermaninë Perëndimore(kapitaliste) dhe Gjermaninë Lindore (komuniste ). Më 9 nëntor 1989, Gynter Schabovski, udhëheqës i lartë i Byrosë Politike të FDGJ-së, njoftoi zyrtarisht (në një konferencë shtypi) se tani është i mundshëm udhëtimi i qytetarëve të Gjermanisë Lindore në Perëndim dhe, natyrisht, në Gjermaninë Federale. Televizioni bënte transmetim direkt nga konferenca e shtypit dhe njerëzit para ekraneve nuk u besonin në fillim syve dhe veshëve të tyre.

Mirëpo, tani ngjarjet kishin marrë kahe të pakthyeshme: njerëzit ishin ngjitur mbi platon e betonit të Murit të Berlinit dhe thërrisnin "Ne jemi një popull ! ", " Hiqeni murin !", ndërkaq rojat kufitare, ushtarët dhe pjesëtarët e shërbimit informativ vështronin si në ankth, pa ditur se si të veprohej. Shteti I Gjermanisë Lindore po i numëronte orët e tija të fundit.
Slogan i ri u bë “unitet gjerman”. Kërkesat për bashkim gjerman gëzonte më pak popullaritet mes fqinjëve të Gjermanisë, veçanërisht të atyre lindorë. Aleatët perëndimorë të Gjermanisë, pas disa ngurrimesh fillestare, e pranuan këtë si një gjë të pashmangshme.
Bashkimi i Gjermanisë-fundi i Luftës së Ftohtë
Këto zhvillime të shpejta dhe dramatike duken si një ëndërr, por që në realitet ato ndryshuan zhvillimet e ardhshme në arenën ndërkombëtare dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe konfrontimit Lindje- Perëndim. Rënia e murit të Berlinit hapi perspektiva për një kalim në një etapë paqësore të historisë botërore. Për këtë arsye, 9 nëntorin e vitit 1989 nuk e festojnë vetëm gjermanët, por të gjithë evropianët dhe njerëzit në botë. Me nënshkrimin në Moskë të Marrëveshjes “Dy-plus-katër” nga gjashtë ministra të jashtëm (dy ministrat e jashtëm të shteteve gjermane dhe ministrat e jashtëm të katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore) dhanë pëlqimin për bashkimin e Gjermanisë, që më pas u fuqizua edhe përmes ratifikimit të marrëveshjes për bashkim me 3 tetor nga ana e Bundestagu-t (Bon) dhe Kuvendit popullor (Berlini Lindor), kjo e fundi u shpërbë me 2 tetor, ndërsa me 3 tetor RDGJ iu bashkua edhe formalisht Republikës Federale të Gjermanisë. Kështu, Gjermanët në Lindje dhe në Perëndimit festuan bashkërisht 3 tetorin si Ditë të Bashkimin të Gjermanisë. Bashkimi i Gjermanisë u bë realitet përmes vendimeve demokratike dhe marrëveshjeve paqësore ndërkombëtare. Në ditët e bashkimit të Gjermanisë kancelari i atëhershëm gjerman Helmut Kohl, në një mesazh drejtuar të gjitha qeverive të botës, thoshte: “Vendi ynë me rifitimin e bashkimit do t´i shërbej paqes botërore dhe do të shpie përpara Bashkimin Evropian”.
Padyshim, rënia e Murit të Berlinit ishte një triumf i lirisë jo vetëm për gjermanët, por dhe për popujt tjerë të kontinentit, sepse nga ky moment filloi desovjetizimi i Evropës Lindore dhe triumfi i demokracisë, respektivisht ndërtimi i një rendi të ri demokratik në Evropën Lindore dhe Juglindore.
Me bashkimin e Gjermanisë u tejkalua edhe kjo ndarje e Evropës. Procesi i ribashkimit të dy shteteve gjermane, pas dy luftërave botërore, paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme të shekullit XX. Kjo ngjarje historike preku jo vetëm rrafshin nacional gjerman, por ajo influencoi në mënyrë vendimtare edhe në integrimet evropiane.
Veç kësaj, rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë përshpejtoi përmbysjen e komunizmit në bllokun e shteteve të Lindjes si dhe në Shqipëri. Po ashtu, në mesin e shqiptarëve të Kosovës rriti shpresat për liri dhe demokraci, por zhvillimet e mëvonshme në Kosovë dhe në vise të tjera të ish-Jugosllavisë, federatës artificiale dhe të dominuar nga serbët – ndodhën luftërat më të përgjakshme që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por ndryshimet në rendin botëror pamundësuan jetësimin e ëndrrës së Milosheviqit krijimin e Serbisë së Madhe. Në këtë plan, një kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe Gjermania e bashkuar, që krahas shpërbërjes së perandorisë sovjetike, ndikoi në ndryshimin e politikës evropiane. Tashmë Lufta e Ftohtë kishte mbaruar, ndërsa demokracitë kishin fituar.
Bashkimi krejt i papritur i dy shteteve gjermane më 1990, e rriti peshën dhe përgjegjësinë e Gjermanisë në Evropë dhe në botë. Në të njëjtën kohë, edhe një herë shpërthyen kontradiktat e vjetra në Evropën Lindore dhe Juglindore, të cilat ishin mbuluar nga Lufta e Ftohtë.
Sylë Ukshini