
Imzot Gasper Thaçi asht Argjipeshkvi i fundit Metropolitan i Shkodres, mbasi në rregjimin komunist pat vetem Ipeshkvij, të cilët mbas Tij ishin Imzot Bernardin Shllaku, që ishte Ipeshkëv i Pultit dhe erdhi në Shkoder dhe, ma vonë në vitin 1952 u shugurue Imzot Ernesto Çoba, i fundit Ipeshkev i Shkodres. Imzot Thaçi vjen nga një familje e njohtun e qytetit të Shkodres për intelektual të shquem. Ka le në Shkoder me 23 Janar 1889 dhe ka vazhdue studimet në vendlindje. Asht i brezit klerikal të prëgatitun në Austri, n’Insbruck dhe mbasi përfundoi studimet e larta teologjike atje, u shugurue meshtar në Shkoder, me 21 Shtator 1911, emnohet si famullitar në Dioçezin e Sapës. Deri në vitin 1929 asht ndër disa katunde të Zadrimës, Nënshat, Dajç dhe Qelëz të Pukës.
Në vitin 1930 asht famullitar i Shkodres. Nga Delegati Apostolik Imzot Giovani Della Pietra me datën 19 Mars 1936 shugurohet Argjipeshkëv i Metropolit të Shkodres, kohë në të cilën vdes Imzot Lazër Mjedja. Sekretar kancelar i Tij asht Dr. Don Tomë Lacaj, një nga klerikët ma me vlerë në fushën e kulturës dhe të drejtave kanunore të Kishës.
Imzot Thaçi ka shërbye plot 10 vjet në detyrën e Argjipeshkvit, por duhet cilësue se koha e shërbimit në rregjimin komunist edhe pse kje vetëm dy vjeçare, la një histori që u quejt me të drejtë “e pafundâ€, mbasi të gjitha dallgët e Kishës dhe të Klerit Katolik janë kenë shkapetë për Fëtyren e Imzot Thaçit. Imzot Gasper Thaçi jo vetëm dijti me drejtue aso kohe të vështirë Kishën, por edhe organizoi në mënyrë të saktë dhe të përpiktë edhe ate që ma vonë i rezistoi me nderë dhe pa u turpnue fortunës shkatrrimtare të komunizmit. E nuk duhet harrue se përballë Tij ishin fanatikët ma përbindsh anadollak që drejtonin partinë dhe shtetin komunist shqiptar Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të njohtun nga Imzot Thaçi dhe Don Tomë Lacaj që me datën 24 Mars 1945, kur mbas Vorrezave të Rëmajt pushkatuen me grupin e Prenkë Calit edhe poetin e latrarin e madh Don Ndre Zadeja. Fëtyrat e tyne në të vërtetë ishin zbulue një muej ma përpara me 5 Mars 1945, kur në Tiranë, pushkatuen të cunguem kambësh me sharrë druevari publicistin e opozitarin e madh Don Lazër Shantoja me atdhetarin Sulçe Beg Bushati. Vrasja në pabesi e At Lekë Lulit që ishte angazhue me forcat e Legalitetit, siç tregonte At Konrrad Gjolaj, i kishte krijue njëfarë pesimizmi në ndërgjegje Imzot Thaçit, mbasi At Lekë Luli para se me u angazhue me Luftën Nacional Çlirimtare, ishte konsultue me Imz. Thaçin ashtu si edhe Don Luigj Pici që pësoi të njajtin fat në Reç në vitin 1946, nga komunistët. Nga ajo pabesi Imzot Thaçi nxori si përfundim se Kleri nuk duhet me u përzi ma në politikë, gja që u reflektue tek Provinçiali i Françeskanve të Shqipnisë At Mati Prennushi, në letrën që i drejtoi të gjithë klerikve françeskan të gjithë Shqipnisë në vitin 1944, “që asnjë klerik nuk lejohet me u marrë dhe me u angazhue me politikëâ€. Këtu fillon paknaqësia e komunistave që merr formën e preme dhe pa asnjë lëshim nga ana e Imzot Thaçit, në fillim të vitit 1945, kur sherbëtori besnik i Enver Hoxhës Sejfullah Maleshova, kërkon nga Imz.Thaçi që, At Gjon Shllaku me formue një Parti me parime Demokristjane për zgjedhjet e 2 Dhetorit 1945, gja e cila u refuzue pa u diskutue fare përveç se me Provinçialin At Mati Prennushi. Largimi i Delegatit Apostolik Leone G. Nigris nga Shqipnia me 5 Maji 1945, zbulon zyrtarisht edhe politiken e qeverisë së re të Tiranës komuniste ndaj Vatikanit dhe Papës. Para largimit përfundimtar të tij nga Shqipnia Ai u takue me Sekretarin e Argjipeshkvit Don Tomë Lacën dhe ndihmës Sekretarin e Tij, Don Mark Hasin, të cilët asnjeni nuk pranuen me u largue nga Atdheu. Jo larg por mbas një viti të dy do të arrestohen dhe do të vuejnë dënime të randa, mbas pretencave të prokurorve të dënuem me vdekje, me pushkatim. Don Mark Hasi e mbylli edhe jetën në vitin 1981 në kampin e shfarosjes komuniste në Ballsh, i dënuem me 25 vjet burg.
Imzot Thaçi, kur u shugurue Argjipeshkëv, më ka pas tregue Don Mark Hasi aty nga viti 1962, asht sëmurë randë në ceremoninë e zgjatun prej disa orësh dhe prej asaj ditë nuk asht sherue kurrma nga sëmundja e zorrës së trashë, që ma vonë asht kombinue me një diabet të randë e, që të dyja bashkë ma vonë u bane shkaku i vdekjes së Tij. Këto smundje Ai i përballoi me shumë trazime nga Sigurimi i shtetit, i cili kontrollonte çdo lëvizje të Tij, aqsa shumë vetë e kanë quejtë até kohë “arrest shtëpijeâ€, sëpse Ai evitoi çdo takim me të gjithë autoritetët shtetnore, tue u “justifikue si i sëmurë†që nga Mehmet Shehu e deri tek Tuk Jakova etj. Asht takue vetëm me Enver Hoxhën kur i ka thirrë të dy bashkë me Imzot Vinçenc Prennushin, Argjipeshkëv i Durrësit dhe i ka kerkue shkëputjen e Kishës Katolike Shqiptare nga Vatikani, gja të cilën nuk ia kanë miratue asnjeni aty në atë takim.
Ngjarjet e ndodhuna në Shkoder në mesin e vitit 1945, në lidhje me refuzimin e Imz. Thaçit ndaj kërkesës së Sejfullah Maleshovës, dhe organizimi e formimi i Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar†nga seminaristi Mark Çuni në Seminarin e Jezuitve, trathtia e dy antarve të organizatës me zbulimin dhe denoncimin e saj nga Zef Kuçi, nga fundi i vitit 1945, arrestimet e bame në masë nga Sigurimi i shtetit në prag dhe mbas votimeve, akuzat e rreme ndaj At Giovani Faustit SJ., At Danjel Dajanit SJ. dhe At Gjon Shllakut OFM., veshja e Tyne me ata akuza false për me realizue pushkatimin e Tyne me 4 Mars 1946 janë kenë shtysat kryesore ma të forta për shkatrrimin shëndetsor të Imz. Thaçit, i cili me datën 26 Maji 1946, mbyllë sytë tue “ndigjue me veshë†deri në çastin e vorrimit të gjitha vëprimet e spijunve komunista, të cilët edhe në momentët e fundit organizojnë të gjitha forcat me pengue funeralin, pjesmarrjen e qytetarve e të rinisë shkodrane në vorrim të Argjipeshkvit të paharrueshëm për të gjithë qytetin. Studentët katolik të gjimnazit të Shtetit kërcejnë nga dritaret për me shkue në Kishën Kathedrale, ku do të thohej Mesha solemne me korin e drejtuem nga Prenkë Jakova dhe muzikanti At Filip Mazrreku. Vetë Zv. Delegati Apostolik Imzot Frano Gjini, drejtonte ceremoninë. Predikatari i njohtun në oratori Imzot Gjergj Volaj, do të bante me fjalën e Tij prekse një popull me kja...Pjesmarrja e të gjithë klerikve të Shqipnisë, murgeshave të të gjitha urdhnave, bashkimi i xhakojve të dy seminareve të jezuitve dhe fretenve ndonse të shpërndamë dhe të mbyllun nga shteti, ka tronditë aq shumë pushtetin komunist, sa me të drejtë At Konrrad Gjolaj do të shkruejnë se:
“Punën e bame deri at’ditë me rininë, ia prishi një arkivol..
Rinia shkodrane i dha me kuptue komunizmit se, na nuk mposhtemi, se na do të vazhdojmë rrugën e ndritun ndër shekuj nga Kleri, se na jemi filizat e kombit që ju nuk mundeni me na shue, se na asnjëherë nuk trathtojmë Idealet e të Parve tonë dhe, se na nuk e duem kurrë komunizmin!†(Libri “Çinarët†fq. 92).
Një kamjon i vëndosun tërthuer në Serreq për me blokue rrugën ku do të kalonte kortezhi mortor, ndonse u shty nga forca e të rinjve asht kenë simbol i asaj tragjedije që do ti vinte Klerit, intelektualve, rinisë dhe qytetarve shkodranë në kohën që do të vinte mbas. Edhe gjyqet e zhvillueme me klerikë në vitët e “Revolucionit Kultural†të 1967 e deri në dënimet e fundit të diktaturës komuniste, në përmbajtjen e tyne kanë ato akuza që kishin “armiqtë e Popullit†të dënuem për funeralin e Imzot Thaçit, i cili gjithmonë ka zanë vend në faqet e para të proceseve të hetuesisë si “Thëmelues†i Partisë Demokristjane Shqiptare, Parti e cila as nuk asht thëmelue, as nuk asht mendue me u formue kurrë, as nuk ka pasë asnjëherë Kryetar as edhe një anëtarë dhe, as nuk asht ba kurrë një mbledhje për me pasë një Parti Demokristjane të organizueme nga Kleri Katolik Shqiptar, mbasi do të sillte ato pasoja që sjellë edhe sot mbas 65 vjetësh, vetëm “përçamjeâ€, sëpse formimi i Saj do të kishte si qellim kryesor afrimin me shtetet e Evropës, gja e cila ishte krejt në kundërshtim me politikën komuniste sllave e orientale që ndiqte atëherë e sot pjesa e angazhueme me politikë në qeveritë shqiptare. Kjo ide do të përfaqësonte vetëm një pakicë të popullit tonë që mund të mbështetej vetëm nga pak musliman që kishin studjue në Evropë Përendimore, ose në gjimnazet e fretënve apo të jezuitve si Myfit Q. Bushati, Xhevat Xhyrezi apo Qemal Draçini e Muzafer Pipa që i mbytën në tortura pa kenë kurr anëtar të kësaj Partije...
Po sikur të ishte kenë formue ajo Parti? – Përgjigjën e ka dhanë At Gegë Lumaj në gjyqin e zhvilluem në Kishën e Murgeshave, me datën 25 Prill 1968 :
“Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin pa kenë kurrkund Partia, po, ba me pas kenë, çka paskeni dashtë me ba ndër né, ju, kështu edhe po na qitni fare!â€
(Dosja nr. 2291, Arkivi i min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
Veprat makabre të komunistëve shqiptar janë të paimagjinueshme jo vetëm nga ata që nuk ishin mbrenda kufinjve shtetnor të Republikës Socialiste të Shqipnisë, por edhe nga ata që po rritën në kohën mbaskomuniste të sotme. Asnjëherë nuk ka ndodhë ajo që u ba në vitin 1967 në Shqipni, tue rrafshue veprat e artit, të kultit dhe të fesë e tue marrë Eshtnat e të vdeknve që ishin të varrosun ndër Kisha me i tretë ndër lumejt pranë qytetit...
Edhe Neroni që ka djegë Romën ka një vorr në Itali...
Ndërsa, tek na në Shqipni, hapën vorret e Atyne që kanë vue thëmelet e qytetnimit Evropjan dhe pushtetarët fudull komunist, provojnë ndër gishtat e duerve të tyne unazat e Ipeshkvijve të vdekun për me i vjedhë dhe me ia çue “shoqeve†të tyne komuniste...Kjo ka ndodhë pikërisht me unazen e gjetun në vorrin e Imzot Thaçit...në Kathedralën e Shkodres, kur u këthye në pallat sporti...E këto vepra plaçkitje të turpëshme u vazhduen edhe në të gjitha Kishat e Xhamijat e Shqipnisë nga “komisjonet†e hajdutve të krijuem nga shteti, të cilët vodhën shalldana, kupa, lampadarë, rroba kishe, mbulesa Elterësh, korniza, e deri tek saxhadet e qylymat e Xhamijave, të cilat janë endè sot në shtëpijat e tyne...
Kush asht ai që i falë këta shkatrrues të Atdheut, Fesë, Shtetit, artit dhe kulturës sonë qindra vjeçare, të trashigueme me aq shumë sakrifica dhe mundime?
Shteti Shqiptar forcohet dhe përparon vetem atëherë kur të vehet në vend drejtësia!
Pa drejtësi nuk ka ecje përpara!
Pa drejtësi nuk ka Shtet!
Pa drejtësi nuk ka Pajtim Kombëtar!
Pa Pajtim Kombëtar nuk as Paqë, as Drejtësi!
Imzot Gasper Thaçi asht Ai Argjipeshkëv i Shkodres, që edhe i vdekun “organizoi†Demostratën e Parë antikomuniste në Shqipni me datën 26 Maji 1946.
Melbuorne, Prill 2009.