Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 504 postime · Faqe 4 prej 51 · 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 ... 51
120 VJETORI I LINDJES SË IMZOT GASPËR THACIT
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 25 Gusht 2009, 18:50
Fritz RADOVANI:
PËRKUFIZIMI FILOZOFIK I SISTEMIT KOMUNIST
Imazh

“Only the fools don’t become crazy in the communist system” Joseph Shantoja.
Tue fillue nga historia e kohës ma të lashtë e deri në ditët tona, jeta e shoqnisë njerzore asht përshkue ndër etapa të ndryshme tue u cilësue si sisteme të asaj kohë. Popujt e ndryshem kanë kalue dashje ose padashje ndër këto etapa, tue lanë secili në truellin e vet një epitaf ose monument për atë kohë të shkueme ndoshta edhe me disa shekuj! Mbas secilit sistem ka ardhë një tjetër që me zhvillimet e veta ka ba shpesh me u harrue ai sistem që ka kalue ose, në shumë raste me u kujtue për keq koha e shkueme.
Në Shqipni pothuej gjithmonë ka ndodhë krejt ndryshej nga vendët tjera. Kjo ka ardhë si pasojë e zhvillimeve tona nën thundrat e zaptuesit, i cili ka kenë edhe shekullor.
Kalimi nga një sistem në tjetrin asht kenë si thotë populli: “Nga shiu në breshën!..” por, për çudi në asnjë epokë Populli Shqiptarë nuk shkoi drejt zhdukjes nga harta gjeografike dhe politike edhe pse ishte ndër vendët ma të vogla në kontinentin e Evropës. Madje, duhet thanë edhe kjo, se Shqiptarët kanë lanë edhe mbresa historike, si bie fjala, koha e artë e Luftave Heroike të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, që asht ma e lavdishmja e jona.
Popujt e vogjel presin e përcjellin pushtues tue shpresue se “njëditë” një “forcë e madhe” do të mendojnë edhe për ta. Pikërisht këta momente historike janë pasue edhe me përkufizime filozofike të popujve që kanë andrrue tue pritë “Lirinë”... Faktorët kryesor të mendimit janë përcaktue nga rrethanat ekonomike të popullit në përgjithsi, mbasi niveli i zhvillimit kulturor asht kenë në stadin ma të ultë, për mos me thanë shumë ma keq se zhvillimi ekonomik. Si shembull mund të kujtohet “koha e bollucës” pra, koha e “bollekut” të cilën, e kujtojmë edhe na si thanje popullore që pëdorej nga pleqtë tonë. Unë cilsova një rasë ku një sistem përcaktohej nga bolleku ekonomik, ndërsa për zhvillimin kulturor të asaj kohë as nuk bahet fjalë. Për me dashtë me shkrue saktësisht për mendimin filozofik të një populli ase një krahine asht e domosdoshme me studjue thanjet popullore të asaj treve apo atij populli që njeriu do me ba studimin. Ky mendim përputhet me studimet e bame shumë vite ma përpara nga At Shtjefen Gjeçovi, Imzot Frano Illija, At Donat Kurti, At Bernardin Pali, Don Aleksander Sirdani etj. kolos të mbledhjes dhe të studimit të mendimit të Popullit Shqiptar. Një thesar i madh për këte temë asht dorëshkrimi i At Donat Kurtit, “Fjalori Frazeologjik i Gjuhës Shqipe”, i grumbulluem për 20 vjet në Burgun e Burrelit, prej 45.000 frazash nga të gjitha trevat e Shqipnisë. Ky dorëshkrim i asht mbajtë autorit nga komanda e burgut ditën e lirimit nga ai burg famkeq. Vepra asht me shumë vlerë se asht grumbullue nga shtresa të ndryshme të shoqnisë shqiptare që kanë pasë fatin e keq me ra në atë burg të mnershëm, ku vuente dënimin edhe dijetari At Kurti.
Shkenctari i madh At Shtjefen Gjeçovi OFM, na la thesarin e çmueshem të studimit të përmbledhun prej Tij në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, vepër e cila asht baza e vërtetë mbi të cilen kushdo që mendon me njohtë shoqninë shqiptare, duhet ti referohet asaj. Aty asht mendimi filozofik, juridik dhe njerzor i një epoke që ka vue thëmelet e Shtetit tonë Shqiptar. Aty njeriu arrinë me kuptue gjenialitetin e një kombi që ka mbijetue tue u luftue në mënyrat ma shnjerzore e barbare me shekuj të tanë nga shtetet fqinjë, madje, tue ruejtë edhe identitetin e vet me kryenaltësi dhe dinjitet të pakrahasueshëm kundrejt tyne.
Pa hy ndër detaje do të sjelli disa fraza të mendimit filozofik në këte vepër:
“Familjen e përbajnë gjindja e shpisë; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznia në gjini, gjinia në fise, fiset në flamur e të gjithë së bashku përmblidhen në një Familje ma të haptë, e cila quhet Komb, e kanë një Atme, një gjak, një gjuhë, dhe doke” (zakone F.R.).
“Burri e blenë mundin e të jetuemit e grues, por jo jetën e saj.” (fq. 37).
“Shka asht shpi qi qet tym, do të ketë pronët e veta” (fq. 69).
“Kufini i ngulun një herë, nuk luhet ma” (fq. 73).“Kufini nuk ban lak” (fq. 75).
“Beja (betimi F.R.) lanë gjaqe” (fq. 119).
“Shpija e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut” (fq. 131).
“Vargu i brezavet të gjakut e të gjinisë, shkon në të pasosun (pafund F.R.) për Shqiptarin e malëvet” (fq. 141).
“Çmimi i jetës së nierit asht një, si për të mirin si edhe për të keqin” (fq. 169).
“Gjaku shkon për gisht” “Shpija e të vramit nuk mujte me ndjekë as me vra tjetër kend prej vllazënsh, nipash a kushrijsh të gjaksorit, posë gishtit – dorasit – “ (fq. 171).
“Goja s’qet kend në gjak por gishti” (fq. 229). “Gjaku thithë gjakun” (fq. 243). Etj.
..........
Jo ma pak vlerë ka edhe vepra e madhe e kohës moderne e Imzot Frano Illisë, “Kanuni i Skenderbeut” (1993), e cila përjetson me fakte organizimin e Shtetit Shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, tue vue në thëmel të Tij gurtë e palëkundun të Drejtësisë, element i domosdoshëm për ekzistencën e një shteti në rruzullin toksor.
Ja disa fraza tjera filozofike të këtij Kanuni:
“Kau lidhet për laku, burri për fjale” (fq.105).
“Hangre fjalën çove faqen e zezë ke shtëpia” (fq. 105).
“Lumi ecë, toka s’luen”. “Toka asht e shitun kur të pihet kafja” (fq.110).
“Gjyq e pleqni në gojë të Kanunit janë një” (fq. 121).
“Burrat në kuvend kanë të gjithë njësoj të drejtë fjale” (fq.134).
“Mullisi të fjetmën e ka në një brryl” (fq. 141).
“Nuk ka bé(betim F.R.) mbi bé”. “Çka dau gjyqi, preu tagani” (fq. 157).
“Hjeksi asht fika e katundit” “Shoku asht buk’e krypë” “Shoku nuk shitet” (fq.200)
“Vdekja me nderë asht kapak florini” (fq. 209). Etj...
Sikur studjuesit tonë të pregatitun të marrin në dorë këta thesare dokumentash dhe ti tregojnë botës dhe brezave të ardhshëm se, cili asht mendimi i vërtetë filozofik e juridik i Popullit tonë, kishe me thanë se, edhe shtetet ma të zhvillueme të Botës do të tkurreshin para një mendimi që mund të kenë thanë për ne të pamenduem mirë ose dashakeqës...
Nuk do të hyj me përsëritë mënyren shkencore që studjuesi i njohtun Z. Mergim Korça, ka ba për kapitullin e shumëpërfolun të “Vrasës”, mbasi lexuesi nga ai punim duhet të nxjerrin konkluzionet që koha sot na i kërkon me kambngulje, nëse duam “mos me u skuqë” kur i tregojmë një të huejt se jemi Shqiptarë!
Ata ligjë të shkrueme të atyne 500 e sa vjetve ma përpara në fund të fundit, duhet ti thomi pa ndrojtje para kujtdo, mbasi sot në “Kushtetuta e Kode Penale” të shumë shtetëve të Evropës gjejmë kapitullin “Vrasa” me shumë stërhollime tjera “moderne”, që janë shumë herë ma të turpëshme se ajo “Vrasë”, me të cilën ne na kanë quejt “barbar”!
Askush nuk mund të mohojnë faktin e Burrneshës sonë Shqiptare Nanë Tereza, kur iu dha Çmimi Nobel me 10 Dhetor 1974 dhe, Ju drejtue mbretit Olaf i V, tue i thanë:
“Po e përsëris madhni, aborti asht një vrasje...Ju, jeni një vrasës!...”.
Në vitin 1956 kam pasë rasë edhe fat me njohtë afër Prof. Kolë Alimhillin, profesor i filozofisë që kishte përfundue studimet në Austri. Nga Ai kujtoj një thanje: “Në sistemin komunist profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë ndërsa, hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” Pra, në pak fjalë përmblidhej një epokë e tanë historike. Mendimi i Tij konçiz gjithmonë ishte një përkufizim i saktë filozofik...
Në vitin 1962...njohta At Pjetër Meshkallën S.J. Më dha me lexue punime letrare të vetat. Edhe kemi diskutue shumë nga artikujt dhe poezitë e Tija. E tham këte se, mendimet filozofike të çdo fjale që ka shkrue janë volume librash që do të vlenin për edukimin e sotëm të rinisë dhe do të na ndihmonin me u çveshë nga ideologjia e hipokrizisë komuniste.
Në sistemin komunist njeriu mendon tjetër gja, flet prap një gja tjetër dhe vëpron krejt ndryshej nga ajo që ka mendue dhe ka folë.
Frika mbytë të gjitha qelizat e Lirisë së mendimit.
Njerzit i sheh tue u përtypë por asnjëni nuk di çka asht tue hangër, edhe pse asht me tjerë njerëz në sofër, sëpse asht tue mendue se çka kemi me hangër në darkë?...
Më pat pyet një komunist: “A të shkon mendja pse nuk furnizohen dyqanet një natë përpara me të gjithë artikujt që ka nëvojë populli, por lehën për mëngjez e rradhat bahën të pafund?”... Unë ju përgjigja: - Me siguri mungojnë artikujt edhe ndër magazina!... Ai qeshi, dhe, më tha: “Jo, se magazinat nuk furnizohën për dy orë në mengjez, por sikur të ishin në mëngjez dyqanet e mbushuna me të gjitha produktet e nëvojshme, njerzit do të shkonin dhe do të blenin gjithshka i nëvojitet mbrenda dy orësh, mandej, mbas orës 9 të mëngjezit do të uleshin me pi kafe dhe deri në drekë do të shanin e shilonin pushtetin e partinë... kështu, ti je i detyruem me shkue nga një rradhë në tjetrën ku të kalon gjithë dita dhe, njëkohësisht, je nën kontrollin e atyne “shokve” që ju në Shkoder ndër rradha i queni “kasketat”!...
– Edhe kjo asht një “filozofi” në vetvete!
Sikur të shkruheshin libra me thanjet dhe anekdotat e popullit për 45 vjetët e asaj përiudhe të “lavdishme” historike të socializmit në Shqipni, mendimi filozofik i Popullit Shqiptar do të ishte i pakrahasueshëm me vëndet tjera komuniste, sëpse edhe vetë sistemi komunist në Shqipni asht kenë i veçantë nga ata vende.
Edhe pse frika dhe terrori ishin të tejskajshëm, prapseprap, herë në një qoshe e herë në një tjetër shpërthente mendimi i “ndrymë” në trunin e kyçun...
Më tregonte i Madhi Pjetër Gjini: “Mbas disa muejsh që ishte në burgun e Burrelit, kishte mërrijtë edhe i burgosuni Zef Mala, kryetar i grupit komunist të Shkodres. Njëditë e kishte pyet Pjetrin: - mos je kenë ti Pjetër në hetuesi pranë birucës ku ishe unë? – Pjetri i asht përgjigjë se jo, mbasi me të vërtetë nuk kishte kenë kurr pranë tij.
Prap e ka pyet njëherë tjetër dhe Pjetri i ka thanë: - Jo, Zef, më ke pyet edhe njëherë tjetër e po t’ishe kenë nuk ta mohoj...Nuk kam asnjë arësye mos me të diftue!
- Pjetër, kanë kalue gjashtë muej e nuk më hiqet mendsh ai kodosh shkodranit që kam pasë pranë në birucë, - i ka thanë Zefi. – Më pyeti një natë se kush je ti? Unë i thashë se jam Zef Mala. Ai më pyeti prap – Ai Zef Mala i grupit të Shkodres? Unë i përgjigja, po ai jam. Ai prap kërkoi me u sigurue – Bash kryetari i grupit Zefi je ti? – Po, i thashë...
Ai mbasi heshti pak, më tha: “I ké ba hysmetin e tashti ndija lezetin!”...
Zefi ka kërkue me vazhdue bisedën për me e njohtë, po ai nuk i asht përgjigjë ma!...
Jeta ka dhanë prova se njerzit kur janë të ndrydhun, në vuejtje, skam, fukarallek, të survejuem dhe ndoshta edhe të dishpruem, atëherë, shpërthen shpirti në humor... elementi sarkazëm asht i pranishëm kudo...Por, ma e çuditshmja gja asht se në këta momente që unë përmenda ma sipër, nga njerzë fare të thjeshtë shpërthen vullkani i mendimit filozofik i një epoke, i një sistemi, i një periudhe të tanë vuejtjesh, aq fuqishëm sa, dashje ose padashje, ata njerzë bahën të pavdekshëm. Ma sipër tregova raste të thanjeve të disa profesorve, dijetarve apo klerikve dhe të ndonjë përsonaliteti. Sigurisht që vargu i tyne asht shumë i gjatë për aq shumë vjet që Shqipnia ka kalue epokat e saja të mjerueshme, por të arrijsh me dhanë një përkufizim të saktë në kohë torture, kjo asht e jashtzakonshme e ndoshta e pabesueshme por kjo që do të tregoj asht fakt, asht një e vërtetë historike që duhët shkrue.
Nga familja e njohtun shkodrane Shantoja kanë lanë mbresa në politikë, kulturë, art dhe në aktivitetet atdhetare për pavarësi kombëtare që në fillimet e Shek. XX, nga Zefi i madh i tyne, Don Lazri, etj. e deri tek Zefi i ri, që mori emnin e babës së vet, mbasi lindi atëherë kur vdiq i ati, në vitin 1922. Pa dashtë me folë për kolosin Don Lazër Shantoja në fushat e Atdhetarizmit, të publiçistikës apo të emigracionit tij antizogist, do të shenoj se Ai ishte edhe një muzikant i mirfilltë dhe luente në pjano pjesë të muzikës klasike me saktësi dhe kompetencë. Klotilde Shantoja, soprano e njohtun e skenës së operës së parë shqiptare “Mrika” të Prenkë Jakovës, që me plot gojë mund të quhej një “Maria Kalas” e Shkodres. Edhe kësaj shpejt iu ndalue dalja në skenë... Po, i asaj përiudhe asht edhe Zef (ose i thirruni Bep) Shantoja i ri, i fikun në vitët e para të ardhjes së komunizmit në Shqipni. Zefi mbasi përfundoi gjimnazin e jezuitve iu kushtue muzikës dhe u ba njohës i mirë i vjolinës, fizarmonikës dhe mandolinës. Merrte pjesë në orkestrat e shtëpisë së kulturës së qytetit dhe të radios. Në vitin 1949 e marrin ushtar dhe e caktojnë në dhomën e kulturës së repartit ushtarak. Një natë dhoma e kulturës “merr” flakë...Një “sabotim” që Sigurimi e kurdisë po ashtu sikur pat sajue asokohe ngjarjen e paharrueshme të viktimave të Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Shkodranët me banim në kryeqytet ishin pika e referimit të masakrave.
Këtu mbyllet jeta normale e Zefit, dhe fillon ajo e njohtuna prej nesh “anormale”... me një përfundim të pasherueshëm, të pafund, rrugë mundimesh e njohtun në atë kohë ndër disa jetë njerzish të mbylluna në çmendina nga përndjekja e Sigurimit të shtetit, gja të cilën mundet dhe duhet ta shpjegonte me saktësi vetëm hetuesi i tij ushtarak Sabri Godo.
Zefi vjen dhe vazhdon të sillet rrugve të Shkodres, tue vazhdue edhe përndjekja dhe survejimi ndaj tij, edhe pse konsiderohej i smurë nga njerzit, tue fillue nga vetë familja, ndonse, Zonja e Tij e nderueme i qendroi besnike pranë derisa ai vdiq...me 6 Shkurt 1979.
Aty nga viti 1970 më tregonte Prof. Gaspër Ugashi, sësi njëditë sheh nga dritaria e tij nalt tek shtëpia ku banonte tek Dugajt’e Reja, poshtë tek dyqanet një rresht të pafund njerzish që prisnin ardhjen e furnizimit me salam. Një grup djelmësh të rinj po qeshnin me të madhe dhe në mes të tyne ishte Zefi. Profesori e njihte Zefin, dinte se smundja psiqike ishte pasojë e torturave të Sigurimit shtetit, sëpse, Zefi, nuk i vuni gishtin asnjë shokut të tij në ushtri kur ai thirrej nga hetuesia... I vjen keq për té dhe zbret nga shkallat, del tek dera me mujtë me e shkëputë nga turma e të rinjve...I flet Zefit dhe e fton për një kafe në shtëpinë e vet derisa të vinë furnizimi i dyqanit. Zefi e pranon ftesën me knaqësi dhe bashkë me Profesor Gasprin i ngjitët shkallave, hyjnë mbrendë dhe drejtohën nga dhoma e zjarrit. Aty ishte një divan ku rrihej rahat dhe aty ulën...Posa, Profesori merr mjetët me pregatitë kafet, Zefi i drejtohet tue i thanë: “Profesor, mue më pelqen me ndejë me këta djelmët e rinjë se qeshëm, kaloj kohën, këta kojtojnë se unë jam i marrë, unë nuk jam i marrë, mbasi ti më njeh me kohë dhe ti e di se unë kam luejt mendësh, për mue janë të marrë ata që nuk lozin mendësh në këte kohë...
Vetëm të marrët nuk çmendën nga ky sistem!”...
Ky Burrë, viktimë e sistemit makabër komunist, ka 30 vjet që nuk jeton ma...
Ky Burrë, na la përkufizimin ma filozofik të atij sistemi ma të urryem të botës:
“Vetëm të marrët nuk çmendën nga sistemi komunist!”...
Imazh
Melbourne, 6 Janar 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 25 Gusht 2009, 18:52
Fritz RADOVANI:
HISTORIANËT” E HAXHI QAMILIT...

Më falni! Gabova!..Haxhi Lleshit e Bilbil Klosit, që ju kanë dhanë titujt...Enver Hoxhës që ju ka dhanë edhe dekoratat...Mehmet Shehut, që ju ka pague shpërblimet...dhe, Ramiz Alis, që ju ka futë në enciklopedinë e Akademisë e falsifikatorëve të historisë!...Gati harrova... Kadri Hazbiun, që ju ka sigurue t’ardhmën tuej të turpëshme si spijun dhe informator të Sigurimit komunist, titull me të cilin po mbyllni jetën tuej të flliqtë, tue i shërbye “gjithkujt” përveç: Atdheut!
Fjalori Enciklopedik Shqiptar: Akademia e Shkencave e RPSSH. Kryeredaktori prof. Aleks Buda. Shtypur: Kombinati Poligrafik Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1985.
Redaksia e Historisë së Mesjetës, të Kohës së Re dhe të Sotme: Stefanaq Pollo, Aleks Buda, Selami Pulaha, Muin Çami, Kristaq Prifti, Arben Puto, Koço Bozhori, Stavri Naçi, Kristo Frashëri, Ligor Mile, Zija Shkodra, Hysni Myzyri, Viron Koka, Mentar Belegu, Iljaz Fishta, Lefter Nasi, Zamir Shtylla, Marenglen Verli,...të gjithë prof. e dr. shk.
(VI, VII) dhe, vazhdon lista e tyne nga Shkodra: Gazmend Shpuza, Xhevat Repishti, Kahreman Ulqini, Mahir Hoti, Jup Kastrati, Shefik Osmani, Vehbi Bala, Mikel Prennushi, Mumtaz Shehu, Sami Kraja, Gjovalin Gruda. (fq.1217).
Ne faqe 886, shkruhet: “Qamili Haxhi (1876 – 1915) Udhëheqësi kryesor i Kryengritjes Fshatare të Shqipërisë së mesme të viteve 1914 - 1915. Fjala e parë rrenë apo gënjeshtër. Një kriminel, vagabond, plaçkitës, hajdut, terrorist dhe asgja ma pak se lavdruesi i tij E.Hoxha, i cili thotë për te: Fshatarët zgjodhën...“njeriun më të besuar, më trimin, më të vendosurin, më të thjeshtin...” (E.H. Vep. 23, fq. 141).
Sigurisht, kështu do të shprehej ai dhe gjithë spijunët e tij të shitun, mbasi pikërisht ky asht ai dallkauk i turqve që shkoi tek çela e Don Nikoll Kaçorrit dhe në mungesë të Tij, i dogji çelën bashkë me sherbyesin mbrenda saj, tue kthye në pluhun e hi një nga bibliotekat ma të pasuna në Shqipni, ku ruheshin shumë dokumenta të Qeverisë së Vlonës së 1912.
Për këte kriminel historianët kanë shkrue plot 56 rreshta, ndërsa për Dedë Gjo’Lulin kanë shkrue 46 rreshta, ndër të cilat ka edhe shpifje, si: “Me 24 Shtator 1915..në bashpunim me reaksionin bajraktaro qifligar e klerikal vendas, e shtinë në dorë pabesisht dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit” (fq. 649, theksimi F.R.)
Për Kishën e Shën Mërisë së Vaut të Dejës, (fq. 477) shkruhët: “...në dokumentin historik përmendet së pari me 1400, por nga ndertimi kuptohet që i takon fundit të shek. XIII...Eshtë e ndërtuar me gurë të skuadruar dhe të gdhendur...” – Ku asht? Ku gjindet kjo?
Prap rrenë tjetër dhe, nuk shënohët se: “Me kenë se në këte Kishë mendohet se asht kunorzue Heroi i ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në vitin 1967 kjo u holl në erë me dinamit nga Fadil Ymeri, Kandidat i Komitetit Qendror të PPSH, i urdhnuem nga Ramiz Alia, i cili, si antikatolik i njohtun, ishte i ngarkuem nga Byroja Politike për zhvillimin me “sukses” të “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” në Shkoder...
Pra, lufta e pasardhësve të Haxhi Qamilit, kundër Heroit tonë Kombëtar, të Madhit Gjergj Kastrioti Skenderbe dhe Flamurit të Tij, të ngritun nga Ai vetë në vitin 1443, dhe po Atij Flamuri të Shqipnisë me Shqipën Dykrenare mbi shtrojën e kuqe, të ngritun në Vlonën Heroike nga Plaku Ismail Qemali, në vitin 1912, Flamur i cili, gjithmonë ka përfaqsue të gjithë Shqiptarët e Trojeve tona dhe Shtetin Shqiptar, nuk asht se ka fillue me sulmet e ditve tona, por asht vazhdë e luftës së trathtarve të Kombit, ç’prej ditës së lindjes së Tij.
Nëse do të shfletojmë dokumentat e pushtimit Shqipnisë nga Turqia, nga Relacionët e shekujve të kaluem, vllimi i I dhe II, të botueme nga Universiteti Shtetnor i Tiranës, në vitin 1965, do të gjejmë “për çudi” të shkrueme se:
•“...misionet e thanuna t’etënve të reformuem qenë pengue dhe, disa sish flijuen edhe jetën e vet mbi hunjt të turpshëm.”
(Relacione, Vll.II, Dok.79, Letër e Françesk Bolicës nga Kotorri me 1 Dhetor 1649, fq.373)
•“...Shumë prej këtyne që ranë në dorën e forcës (turke) vdiqën tmerrësisht mbi hu.”
(dok. 99, Leter e F. Bolicës, nga kotorri, me 25 Korrik 1650, fq. 419, po aty)
•“Këto përpjekje kanë qenë për dam të krishtenve të shkretë, qoftë shpirtnisht qoftë korpnisht, sëpse shumë sish kanë qenë vumë në hu, u ka qenë shkurtue koka, kanë mbarue nën gurë dhe kanë qenë vra etj. si ndodhi në Tivar me 74 vetë në fillim e pastaj. Dhe, ajo që asht ma keq, të gjithë të krishtenët e qytetit e të varosheve, për të mos humbë jetën dhe plaçkat, kanë mohue besimin.”
(dok.103, Leter e fra Donatit Jeliq nga Raguza me 4 Nandor 1650. fq.427)
•“Të tërbuem djallëzisht, e nxorën jashtë prej asaj gjykatorje dhe e ngrehën rrëshqanë tue iu kërcnue, me shpatë në dorë se do ta vrisnin në se nuk i binte mboh Fesë menjëherë ...(omissis).
Ai u qëndroi kërcnimëve, anmiqtë e therën për vdekje dhe e çuan në breg të Bunës me e qitë në ujë, por disa të krishtenë e blenë me pare dhe e varrosën në Kishën e Shën’Mërisë Madalenë.”
Lezhë, vjeti 1624 Ipeshkvi Benedikt Orsini
(Relacione Vol. I-re, fq. 349. Ark. Prop. Fide, SRCG, v, 262, fl. 177.)

•“Një kalvar vuajtjesh dhe përsekutimesh pësoi Imzot Pjetër Bogdani, i cili u burgos tri herë, i dogjën rezidencën, u rrah, u kërcënua se do ta varin në derën e kishës, e shëtitën nëpër qytet të zhveshur lakuriq dhe pas vdekjës u zhvarros dhe kufoma e tij iu hodh qenve”
Petrika Thëngjilli “Krishtërimi ndër Shqiptarë”, fq.230. Shkodër, 2000.

•“Don Andre Kalamashi, prift i Gjakovës kishte kundërshtuar fenë islame. Osmanët, më 1687, e torturuan, të lidhur duar dhe këmbë. Duke menduar se kish vdekur, ia zgjidhën duart dhe e varën në sheshin e qytetit. Pas njëfarë kohe prifti u çua në këmbë, largoi litarin nga fyti dhe bërtiti: “Qëndresë, qëndresë të krishterë, Jezu Krishti është më i fuqishmi!”.
Posa tha këto fjalë, ra i vdekur përpara turmës së tmerruar. Xhelati ia preu kokën dhe ia dërgoi bashkë me lëkurën e kokës Vezirit të Madh”. Petrika Thengjilli ( po aty ).
•Ja dhe mbas 322 vjetësh çfarë kanë ba “vëllezërit e gjakut të tyre”, pasues të denjë dhe trashigimtarët e tyne të vërtetë, drejtuesit e Shtetit shqiptar komunist:
•“Don Mark Xhanin, në vitin 1946, mbasi e torturuan në qelitë e Sigurimit të Mirditës, e varën për shpatulla ndër trena, ma vonë, mbasi vdiq, ia hodhën me e ngranë qenve të fshatit Shpal, mbeturinat e tretuna i mori prroni ...”
•At Serafin Kodës, hetuesit i nxjerrin gabzherrin me thonjë...
•Papa Josif Papamihalin e mbysin tue e zhytë përsëgjalli në baltat e Maliqit.
•Dijetarin Dr. Imz. Jul Bonattin e çojnë në një çmendi, ku e shkyjnë të çmendunit!..
•Papa Pandi gjindet pranë një cungu në pyll, me kokë të këputun me spatë...
•At Frano Kiri lidhet tri ditë e netë fëtyrë në fëtyrë me një të vdekun...
•Don Lazër Shantojës i sharrojnë dy kambët me sharrë druevari...
•Në vitin 1974, Don Mikel Beltojen e shkyen për kambësh katili Shyqyri Çoku, kur shkon me e marrë për me e pushkatue...
E terrori e krimet vazhdojnë me 66 Klerikë Katolik, 31 Bektashinjë, 7 Klerikë Orthodoks dhe 7 Klerikë Musliman Sunit...të gjithë të vramë e të masakruem, vetëm se kanë punue dhe luftue për Shqipninë e Skenderbeut, Shqipninë Evropjane.
Po intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë që u shfarosën për këte Ideal? – Lista emnore asht një liber në vedi, pa hy me shkrue për Kosoven, Hotin, Gruden, Maqedoninë, Çamrinë e Vorio-epirin shqiptar, ku masakrat e dëbimet masive vazhdojnë përditë...E pse?
Se kerkojnë në Trojet e Tyne Flamurin e Skenderbeut!
I beson Evropa këto masakra dhe as nuk i ndihet zani!...Atëherë, mos të zemrohet nga vargjet e Fishtës:
“Uh Europë, ti kurva e motit,
Qi rae mohit besës Zotit,
Po a ky a sheji i qytetnisë:
Me da tokën e Shqypnis
Për me mbajt klysht’e Rusis?”
Po ajo histori vazhdon!
Pse Malazezët dënojnë At Mati Prennushin me varje në litar, se i çoi Flamurin në Deçiq Dedë Gjo Lulit në 1911, dhe po në 1926 i rrezikohet koka nga Mbreti Ahmet Zogu I, që erdhi në pushtet nga Serbia dhe, me 11 Mars 1948 po, Ai At Mati, pushkatohet nga klika komuniste e Serbisë në Shqipni, e kryesueme nga E.Hoxha, i ardhun në Pushtet nga serbët Dushan Mugosha e Miladin Popoviq?
Kur At Gjergj Fishta, në 1913 vuni Flamurin e Shqipnisë në kompanjelin e Kishës së Fretenve në Gjuhadol dhe e lidhi me kandila dritash me minarën e Xhamisë së Fushës së Çelës, në shenjë vllaznimi me Myslimanët shkodranë, pse u kërcnue me u gjuejt me top nëse nuk do të hiqej Flamuri nga konsulli de Philipps dhe për qejfin e kujt u kërkue zbritja?
At Gjergj Fishta, i tha: “Jo, gjueni me top, se Flamuri ynë e ka për nderë me u gjuejt me top ”....se nuk kishte pak muej që Serbia e Mali i Zi kishin gjuejtë edhe Kathedralen...
Por ka edhe ma keq! Me 29 Nandor 1944, “çlirimtarë” po n’atë kompanjel vendosën Flamurin me “yllin e kuq të komunistëve serb”...dhe, po atë ditë “cunguen” edhe strofat e Hymnit të Tij. Më dukët se çdo veprim i sherbëtorve të Serbisë flet vetë. Mos reagimi në kohë lejon edhe shpërdorimin që E.Hoxha i ka ba gjithnjë Popullit dhe Atdheut.
Në vitin 1944, pse At Fishta u dënue për së vdekuni nga E.Hoxha dhe sherbëtor i kujt kje ky terrorist, që në 1967 “gjuejti me top” pikërisht Atë Kishë, që ishte simbol i vllaznimit mes besimtarve Mysliman e Katolik të Shkodres, tue kthye në kinema?
Fotografisë Kel Marubit ku paraqitej Komisioni i Alfabetit Shqyp prej 11 vetash, komunistat ia hoqne ftyrat e Kryetarit Komisionit, At Gjergjit, si edhe Mit’hat Frashërit. Kështu u botojshin tekstet e hartueme edhe t’aprovueme prej historianve qi edhe sot duen me dhânë mendimin e fundit rreth historisë : Kristo Frashëri, Arben Puto, Kristaq Prifti e Marenglen Verli me shokë ! A ka vênd sesi me u pranue ky realitet i sodit ? Marenglen Verli a zen vênd me kênë sot Drejtor i Institutit të Historisë ? - Po aq sa ka vênd edhe Genc Pollo, i biri i Stefanaqit, (ish drejtorit të djeshëm të po atij institutit),
Pse në asnjë faxmile të Dokumentit Historik të Pavarësisë së Shqipnisë, në Vlonë me 1912, mbas vitit 1944 nuk janë firmat e nënshkruesve dhe si u quejtën nga komunistët shumë nga Ata Atdhetar, që punuen deri në vdekje për bashkimin e trojeve tona, tue fillue nga Mustafa Kruja, J.Karbunara, Qazim Kokoshi, Lef Nosi, Mid-hat Frashëri etj.?
– Nuk kishte sesi të botohej se shumica e Tyne u shpallën “trathtarë”...
Pse nuk u vue në Monumentin e Vlonës i Madhi Luigj Gurakuqi, pse kur Ismail Qemali ngurroi, Luigji futi dorën në xhep dhe, u tha: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!...” (Shihni me kujdes foton në balkon ku, Luigji, vazhdon me kenë me dorë në xhep...). Guximi i Gurakuqit lidhet edhe me besnikrinë e Trimit Kosovës Isa Boletini, i cili me 300 Burra të armatosun kishte rrethue Sheshin ku u ngrit Flamuri. Ishte bash Ai Atdhetar, Ky Isa Boletin, që në vitin 1919 kur ruente në Paris Imzot Luigj Bumçin, që drejtonte Delegacionin Shqiptar në Lidhje të Kombëve, njëditë në mengjez, Ju drejtue me këto fjalë: “Pashë të Madhin Zot Imzot, ma shbërthe atë mallotë kur të hijsh në Pallat e ma nxirrë atë Kryq që ke të varun në fyt, që ta kuptojnë ata çka janë aty mbrendë, se nuk jemi të gjithë Musliman, se më duket se këta kujtojnë se Shqiptarët duen me i ndejë besnikë prap Turqisë!...”. E si u sollën komunistët me trashigimtarët e Isa Boletinit?
Ashtu si me familjen e Dedë Gjo’Lulit dhe të Bajram Currit, sëpse edhe Ky i fundit tue kenë edhe “Musliman”, kur erdhi në Shkoder në vitin 1923 – 24, fjet e u çue ndër fretën të Gjuhadolit...e në shtëpinë e Kel Marubit u takue edhe me Luigj Gurakuqin e Atdhetarët tjerë shkodranë të Opozitës...dhe për këte u vra ashtu si Avni Rustemi, Hasan Prishtina, etj.
Në vitin 1925, në korespondencën (e botueme në revistën “Hylli i Dritës”, nr. Special i vitit 1943), mes Nolit e Gurakuqit, Ky, i thotë Nolit: “....të gjitha po i durojmë, por, po na quejnë edhe komunistë. Kjo nuk durohet!”. Pra, këte e dinte Ramiz Alia, se kur shkoi në studjo tek skulptori Kristaq Rama, dhe i tha si në vesh: “Luigj Gurakuqi nuk duhet me qenë në këte Monument, se është qenë njeriu më besnik i klerit katolik dhe...” kështu, të nesërmen “spatolat” kryene porosinë e bilbilit të serbëve komunistë të Tiranës...
Asnjë “historian” nuk boton të vërtetën e rrezikut grek në lidhje me Gjinokastrën dhe Korçën...Askush nuk e xen në gojë Imz. Luigj Bumçin dhe vepren e tij të madhe.
Imzot Bumçi u takue shumë shpejt me Presidentin Uillson dhe i vuni në dukje krimet e Serbisë kundrejt shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Gjakovës, Pejës dhe i dorzoi listen e viktimave të Rugovës.
Me datën 29 Dhetor 1919, Imzot Luigj Bumçi u pat takue në Romë me Papën Benedikti XV, tue i kerkue me lutje n’emën të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje “me na shpetue dy provincat shqiptare, Korçen e Gjinokastrën” si, dhe ruajtjen e Shtetit Shqiptar pa u coptue. Papa u takue urgjentisht me ambasadorët e Amerikës dhe t’Anglisë në Vatikan dhe, si pasojë dy krahinat e sipërme mbetën shqiptare. (F.R. dorëshkrim “Kurrma si Ju!”).

Në vitin 1944, At Mati Prennushi ka thanë: “Çdo ateist asht trathtar, çdo trathtar i shokut asht edhe trathtar i Atdheut. Për me kenë komunist, duhet të jeshë edhe ateist edhe trathtarë.” (At K.Gjolaj, në librin “Çinarët” fq. 74.)
E, për me kenë “historian”, duhej me kenë edhe antikatolik!
Pse u pushkatuen të parët klerikë katolik në muejn Mars të vitit 1945, dy kolosët e kulturës shqiptare: Don Lazër Shantoja dhe Don Ndre Zadeja?
Pse i pari, Don Lazri, deklaroi: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë se, komunistët janë veç trathtarë!”(me 26 Janar 1945, në Sheldi, kur u arrestue...)
Ndërsa Don Ndreu, në të gjitha melodramet e tij përjetsoi historinë tonë kombëtare, tue i këndue Ilirve, Rozafës e “Rubës së kuqe” të Skenderbeut!
Po Atdhetari Ndue Mirash Pali çka tha para togës së pushkatimit me 15 gusht 1945:
“Nuk më vjen keq që unë po pushkatohëm prej vllazënve të mij. Jam i lumtum që Unë po vdes në Tokën teme Shqiptare, pas pesë vjet vuejtjesh që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin! Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste:
Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne e demokratike. Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarve. Të fala familjes!” (Dosja 1108, Arkivi i M.P. Mbrendshme Tiranë.) – Besoj e mban mend mirë këte thirrje prokurori që e ka shkrue me dorën e tij të zhytun në gjakun e pastër të Këtij Atdhetari, kur i ra edhe goditjen e fundit mbas kokës, krimineli handikap Aranit Çela, në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit, në Shkoder!
Pikërisht këtij Araniti prokuror ia përplasi në sy gjatë gjyqit Ndue Pali faktin edhe akuzën
që Araniti përshëndeste alafashistçe në Ventotene kurse, Ndoja jo, kurrë nuk pranonte me përshëndetë ashtu! Ja pra, me fakte trathtarët tue pushkatue Atdhetarët!
Atë kohë, Shkodra e dokumenton me 26 burgjet e ndodhuna në atë “Qytet Martirë”, ku, hetuesit komunistë serb ndihmoheshin nga sherbëtorët e tyne podgoriçan dhe vlleh... tue torturue e vra si e si me zhdukë vatren e qytetnimit evropjan. Pikërisht, për këte qellim ka funksionue në Degën e Mbrendshme të Shkodres, që në 1945 e deri në vitin 1991, i vetmi “Seksion Katolik”, ku kanë drejtue: Zoji Themeli, Kasem Troshani, Ali Xhunga, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Hilmi Seiti, Shyqyri Çoku, e sa e sa oficera fanatikë, sektarë e katila imoral të mbledhun nga gjithë Shqipnia, një pjesë e të cilve janë këta :
1.Aranit Çela, Angji Lubonja, Agron Tafa, Asllan Lici, Anastas Koroveshi, Bexhet Mema, Bedri Spahiu, Bilo Bregu, Delo Balili, Dilaver Bregasi, Dulaq Lekiqi, Dul Rrjolli, Dhosi Mborja, Dhimiter Shahini, Dhimiter Shkodrani, Dhimiter Berati, Edmond Vodica, Elham Xhika, Faik Minarolli, Nesti Kopali, Ali beg Bushati, Fadil Kapisyzi, Frederik Nosi, Feçor Shehu, Gjon Banushi, Hilmi Telegrafi, Hasan Ulqinaku, Haxhi Pela, Haxhi Gora, Hodo Habibi (toger Baba), Hazbi Lamçe, Hysni Ndoja, Irakli Kocani, Irakli Bozo, Ilo Pano, Isamedin Resmja, Isa Halili, Idris Çoba, Koçi Xoxe, Kadri Hasbiu, Kadri Ismailati, Ksenofon Nushi, Koço Josifi, Lefter Goga, Lefter Lakrori, Lilo Zeneli, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, Myftar Tare, Mustafa Iljazi, Muharrem Shehu, Mynyr Tirana, Mark Dodani, Mustafa Qilimi, Nevzat Hazdenari, Nesti Kerenxhi, Niko Çeta, Nexhat Hyseni, Ndreçi Plasari, Namik Qemali, Petrit Hakani, Qamil Mane, Qamil Gavoçi, Qamil Lamaj, Rexhep Kolli, Rasim Dedja, Rrapi Mino, Sabri Hoti, Siri Çarçani, Skënder Myftari, Shefqet Peçi, Shemsi Totozani, Shuap Panariti, Shkëlzen Bajraktari, Shkëlqim Zaloshnja, Tamaz Beqari, Thoma Karamelo, Vaske Koleci, Xhule Çiraku, Xhevdet Gavoci, Xhemal Selimi, Zoi Themeli, Hys Zaja, Zoi Shkurti, etj. që, secili prej tyne ka marrë jetën e një njeriu të pafajshëm e, për të cilët At Konrrad Gjolaj, shkruen: “Ky Seksion Katolik shyqyr që asht kenë formue, mbasi nuk len kurrkend me kundërshtue se Enver Hoxha me Sigurimin e Shtetit, ka krye GENOCID MBI POPULLSINE KATOLIKE SHQIPTARE, sëpse, edhe ai vetë ka kenë KRIMINEL ANADOLLAK.” “Çinarët”, fq. 93.
Meqë këtij Seksioni i ka shërbye edhe “historiani” Sabri Godo, mos ndoshta ai sot asht kujtue se vepra për “Skënderbeun” nuk asht e tija, por asht përvehtësim nga kontrollet e shtëpijave të Shkodres, apo vjedhje nga bibliotekat e Klerit Katolik Françeskan e Jezuit, në vitët 1946, kur ky me shokë të Sigurimit të Shtetit sekuestroi nga këto biblioteka mbi njëmijë dorëshkrime dhe punime shkencore, që sot endè i disponon padrejtësisht Biblioteka Kombëtare në Tiranë. Janë ato materiale me të cilat shumë vetë që kanë emnat në listen e perpiluesve të Fjalorit Enciklopedik, kanë marrë “titujt e gradat shkencore”, tue vjedhë mundin e djersën e të tjerve, pra, të gjitha të pameritueme.
Zhdukja e gjurmve të trashigimisë evropjane asht kenë një detyrë e vazhdueshme për komunistët, punë të cilën e vazhdojnë edhe sot pasardhësit e E.Hoxhës e R.Alisë.
Kur do të ndërtohej hidrocentrali i Komanit, si u mahnit ingj. Besnik Bekteshi tue ndigjue nga “mendja e ndritun” e E.Hoxhës, se “me këte hidrocentral do të fundosën në liqenin artificial të tij, më shumë se 35 thëmele të Kishave që kanë qenë në atë zonë, kështu me këte rast do të zhdukim edhe gjurmët shekullore që kanë mbetur endè aty...”. Kjo besoj ju kujtohët kur Besniku i tregoi R. Alisë habinë e tij, se u pat dhanë edhe nga TV Shqiptar...
Kujt i përkisnin Ato vepra monumentale dhe, kujt i interesonte zhdukja e Tyne?
Vetëm fanatikve anadollakë të kryesuem nga E.Hoxha me trashigimtarët e fronit të tij, të mëshefun nën petkun e internacionalizmit proletar e marksist-leninist por, gjithmonë në sherbim të Serbisë shoveniste e Rusisë stalinjane.

Këto ditë kur pashë fushatën e haptë dhe të turpëshme kundër Skenderbeut dhe të Flamurit të Tij, mu kujtue At Mati Prennushi... që tue ndigjue radion kur po jepej vendimi me vdekje për dijetarin At Gjon Shllaku, tha: “Ah... të lumtë o Serb, se ia dole me i diftue sot botës se na Shqiptarët, me bisht e pa bisht, jemi me të vërtetë egërsina!”...
Dhe, me të vërtetë, Sabri Godoviq, Ardian Klosiq e njëfarë doktori Oliver Jens Schmitt, e sa të tjerë të “heshtun”, po donë me na mbushë menden se “Shtetin Shqiptar e ka formue gjakmarrja!...” pra, vritnju Burra sa të mundeni, se kështu, “forcohet” Shqipnia! Kështu, “shkoni” në Evropë, mbasi edhe Kaukazi kufi i Evropës asht,...ndonse, na “nuk jemi as Lindje as Përendim!”, ka thanë presidenti komunist serb i Shqipnisë, “shoku i juej” Ramiz Alia! Ja pra, heshtja... ja heshtja për Festën e Flamurit...
Ja heshtja... “Për Eshtnat e At Fishtës...”!
Mos ndoshta keni pritë që me ju shkrue emnin e Atdhetarit Gjon Gjergji, në gjuhën e të parve tuej: “Ivan Xhorxheviq”!?..Heshtëni e mos veproni pa urdhën të serbit!
Heshtëni, të gjithë papërjashtim! Heshtëni si për Festën e Madhe të Flamurit!
Mos ndoshta edhe Presidenti Topi, shkoi në Turqi me 28 Nandor për me i tregue:
“Mos kujtoni o vëllezër gjaku, se ne nuk jem pasues të Plakut të Vlorës!...”
E përnjëherë mendja më fluturoi në kuvendin Françeskan të kthyem në burg...
E nuk shkoi shumë kohë e në dhomën e At Matisë, kur u arrestue Dul Rrjolli i tha:
- Hajt Padër Mati, nxirri armët e mos na vono!
- At Matia, iu përgjigj: “More qen, serbët të kanë çue me kërkue armë te na?”
Unë si sternip i tij po ju pyes: Sa miljon euro e dinar ju ka pague Serbi, me reaalizue andrrën e vjetër të tij, me këte shpikje në arkivat e Serbisë,... më falni, t’Austrisë?
Bani mirë me shkue në Kremlin, në qendren tuej... dhe me kërkue tek muri i tij, vorrin e babës suej “Stalinit”, se aty keni edhe Ivanin...e tmershëm,... babën e Stalinit, at gjyshin tuej, që ju e keni ngatrrue me babën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut!
Ikni, ikni o pjellë e keqe! O pjellë haremesh! Ikni e konvertonju në “bizantin”, se nga koka deri në bel ju ka konvertue serbi e greku...o t’pa Atdhé!
E mos harroni, se edhe mbas vdekjes ka me ju ndjekë mallkimi i Imz. Pal Engjullit, Frangut të Bardhë e Marin Barlecit, Lekë Dukagjinit e Derës Gjomarkajve, Kristoforidhit e Naimit, Konicës e Shantojës, Gjeçovit e Imz. Frano Illisë, Namik Resulit e Koliqit, Paulin Palit e Muzafer Pipës, Kol Prelës e Qemal Draçinit, Arshi Pipës e Martin Camajt, Ymer Berishës e Ibrahim Rrugovës dhe brez mbas brezi, deri sa të shuheni me fise e soje kanë për ti ndjekë pasardhësit tuej, rubat e futat e zeza të Norës Kelmendit, Tring Smajlës e Shote Galicës, Katrinë Tomës e nuseve të veja dhe, të Atyne mijra e mijra Nanave mbetë shkret nga dora e juej e harbueme, o katilë trathtarë e vëllavrasës. Lumenj gjaku e lotësh do të mbulojnë vorret tueja, e do t’ju ndjekin me mote virrmat e jetimve të mbetun rrugash në Tepelenë, Lushnje, Vloçisht, Kuç të Kurveleshit e anë e kand ku ishin kampët e shfarosjes. Si vullkan do të shpërthejnë djersa e derdhun në Maliq e Beden, Levan Fier e Ballsh, e deri në Sarandë dhe, si lavë përvluese do të derdhet mbi kokat tueja. I madh e i vogel do t’ju gjuejnë me gurë në Hot, Grudë e deri në rrënojat e Kosovës së Adem Jasharit, ku britmat e mnershme nuk kanë pushue endè sot...O t’pa Tenzonë!...
Edhe, kërkoni ndër kabaret e Evropës “arkivat”?
Arkivat i keni në Truellin e Skenderbeut e Nanë Terezëz...
I keni në të gjitha Kështjellat e qendresës heroike të Popullit Shqiptar!
I keni në Krujë e Mat, i keni në Lezhë, në Voskopojë e Butrint, i keni në Vlonën e Ismail beut, i keni në Himarë e Janinë, në Delvinë e Sarandë, në Korçë e Gjinokaster, në Manastir e Prishtinë, në Ohër e Gjakovë, në Diber e Prizren, në Mirditë e Dukagjin, në Hotin e Dedë Gjo’Lulit e Grudë, në Ulqin e Tivar...e, po ditët me lexue i keni të gjitha të arkivueme... në Zallin e Kirit...pranë Rrëmajit:
Në Shkoder!...

Vëllazën Shqiptar!
Kurrë ma aktuale se sot për fatet e Atdheut tonë nuk tingllon thirrja e Gjon Palit II, me 25 Maji 1993, në Sheshin “Skenderbej”:
“Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!”.
Imazh
Melbourne, Dhetor 2008.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 25 Gusht 2009, 21:01
Nga Fritz RADOVANI:
LAZËR KUKA, BURRË ME GJAK E ZEMER SHQIPTARIT...

Askush ma shtrejtë dhe ma me pasoja të pariparueshme, nuk e ka pague gjakun e damin që i ka ba dhe vazhdon edhe sot me i ba Shtetit Shqiptar, Lufta e Dytë Botnore. Edhe në kjoftë se numri i viktimave të asaj Luftë për Popullin Shqiptar, kje jo aq i madh, shpartallimi i kufijve toksor dhe ai ma kryesori, shkapërndamja e njerëzve të Shqipnisë së vogël evropjane, ishte aq barbare dhe aq e pamëshirëshme sa, kanë kalue 65 vjet nga përfundimi i traktatëve të hapta e të mëshefta, dhe endè sot pasojat e tyne janë të humbuna në katër anët e globit. Ata që u munduen për bashkimin e Trojeve dhe Lirinë e Atdheut në Shqipni, jo, vetëm, që u kalbën nga plumbi ndër zallishtat brinjë lumejve apo burgjet e kampet komuniste të pafarë, por, edhe ata, që mujtën mos me u rrethue me telat me ferra të istikamit të Shqipnisë “socialiste” vuejtën mergimin e egër, prej kah ishte e pamujtun për 45 vjet me pa sytë e përlotun të Nanës, Babën tue shkrepë llullën për prakun e votres së mbetun shkret, vëllaznit e motrat tue u dergjë ndër burgje e interrnime dhe, far’e fisin tue braktisë njeni tjetrin, nga rreziku që sillte e mnershmja “lufta e kllasave”.
Një nga Ata mijra Shqiptar, që mujti mos me u përfshi në okupacionin sllavo-rus komunist të vitit 1944, ishte edhe Atdhetari Lazër Kuka, i cili, që në vitin 1951, mbas 10 vjetësh që kishte dalë nga Shqipnia, me ndihmën e At Bertolazzit SJ. në Itali, emigroi në Australi. As Lazri nuk ka lanë asnjë rresht nga kujtimet e kohës së luftës, që do t’ishin me shumë vlerë për ne, me ditë sot pasardhësit qendrimin antiatdhetar të të gjithë komunistave rreth e rrotull nesh, tue fillue nga ata të Shqipnisë, Jugosllavisë, Italisë, Greqisë dhe Rusisë, Maqedonisë e Bullgarisë ndaj Atdheut tonë dhe Popullit Heroik Shqiptar. Lazri dëshmonte me fakte trathtinë që kanë ba komunistët tonë, tue i sherbye atyne italianë deri para një viti me ruejtjen e armës së vrasjes Musolinit dhe, të sa e sa arkivave sekrete të kominternit.
E njohta para pak vitësh, kur, shëndeti si, thonë Shqiptarët, e kishte rrëzue po, dëshira, me ndrrue dy fjalë në gjuhën e Nanës... nuk i ishte shue. Tek Ai, që, në momentët e para të njohjes, gjeta një bashatdhetar të vyer, të dashtun, të gatshëm me ndihmue shokun, të ambël dhe korrekt në biseda aqsa, të hapun në zemër, e, me plot gojë Besnik, Bujar e Burrë, në kuvend, familje dhe në shoqni...
Sigurisht, jo, i vetëm në këte Tokë të largët por, me shokë shumë të mirë si vehtën, tue mos u përkulë në vështirsi, po, kryenaltë, Lazri prezentonte Burrin Shqiptar, kudo dhe para kujtdo aty, ku, e lypte nëvoja. Lazri i ri krijoi familjen e Tij, me zonjën e Nderueme Roza Çunin, dhe, kaloi një jetë të mirë, pleqni të kandëshme, gjithmonë i rrethuem nga nipat e mbesat e veta, të cilët e deshtën dhe e nderuen pamasë gjithë jetën e Tij.
Sot, Lazrit të dashtun, jemi mbledhë me i thanë Lamtumirën e fundit!
Malli i Lazrit për Shqipninë e Skenderbeut, nuk asht shue as sot! Kënaqësia e Tij, që shpesh i gufonte nga zemra, ishte Lutja e Nanë Terezës së Kalkutës, që vitët e fundit i solli Atdheut tonë shumë të vuejtun, Lirinë dhe Demokracinë, aq shumë të dishrueme...
Vizitat e Saja në Australi dhe Shqipni, ishin të pashlyeshme në bisedat Tueja!
Lazër Kuka i Shkodres, me jetën Tande, bujarinë dhe dashtninë e pakufi për Atdhé, Fé, Familje e Vëllazën Shqiptar, je një ndër Ata Burra, që emni i Yt, brez mbas brezi do të kujtohet ndër kuvendet tona, me ato fjalë t’ambla të nguluna qyshë fëmijë në zemrën dhe në mendjen e mprehtë të Tandën, nga vjershat e të pavdekshmit At Gjergj Fishta:
“Kurr Shqipni s’kam me t’harrue, Edhe n’vorr me t’përmendë kam!”
Imazh
Melbourne, 19 Gusht 2009. Ju falemnderës...
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 15 Shtator 2009, 22:42
BINOMI “FE ATDHE” MBAS VITIT 1944

Imazh
Deri në vitin 1944, kultura e shkolla shqiptare në pak vite mërrijti me marrë të gjitha tiparet e cilësitë e kulturës përparimtare evropjane Përëndimore. Programet dhe vetitë e tyne flasin ma kjartë se çdo leksion që mund të pregatitët për këte qellim. Studimet e larta dhe ata mbasuniversitare plotsojnë përkufizimin e pakundërshtueshëm se: Shqipnia kishte ba hapat e para të sigurta drejtë kulturës evropjane Përëndimore. Të gjithë çka ishin kuadro të larta shtetnore dhe private pothuej kishin perfundue shkollat në Përëndim.
Një studim i plotë i shkollave të mesme në Shqipni, pra i atyne pregatitore për të lartat, tue fillue nga ata të Shkodres, me gjimnazet e jezuitve dhe të françeskanve e ma vonë me gjimnazet shtetnore në Korçë, Tiranë, Shkoder etj. do të plotësonte kuadrin e plotë të lexuesit dhe të historisë së kulturës sonë në prirjen e sajë drejtë Evropës.
Shqipnia mbas vitit 1912 asht nder shtetet ma të vendosuna në rrugën e saj me këto prirje përparimtare ndër shtetet tjera ballkanike për vetë cilësitë e saja kombëtare.
Në vitin 1944, me pushtimin komunist sllavo-aziatik ndryshoi kahu i drejtimit i të gjitha përpjekjeve të bame nga të gjithë Atdhetarët Shqiptarë që nga Lidhja e Prizrenit, në vitet 1887, si dhe në Shkoder ma përpara prej shkollave të para shqiptare.
Shqipnia evropjane pësoi frakturën gangrenizuese tue iu aneksue shteteve sllave e aziatike për njëgjysem shekulli në drejtimin shtetnor, ekonomik, politik, kulturor etj.
Shteti shqiptar komunist u drejtonte dhe u kontrollonte nga Jugosllavia titiste, vasale e Rusisë stalinjane dhe ma vonë nga vetë Rusia e Kina komuniste e Azisë së Largët.
Kushtetuta dhe e ashtuquejtuna “Republikë Popullore” e Shqipnisë ishte pjesë e pandame në blokun politik, ekonomik e ushtarak të vendeve komuniste Lindore.
Për pasojë edhe shkolla, kultura dhe jeta shoqnore mori kahun e drejtimit politik. Hapja e shkollave mbas vitit 1945 me programet e reja, ku shihet kjartë ndryshimi i shkrimit në skript, heqja e krejtë letersisë përparimtare me karakter Atdhetar, ndryshimi i historisë së lashtë dhe i asaj të kohës së re, zëvendsimi i tyne me programët komuniste të “shkollës së re” të vendëve zaptuese me ideologji socialiste dhe internacionaliste, sollen si pasojë shkatrrimin e plotë të bazave të kulturës e shkollës evropjano Përendimore me një ndryshim rranjsor të dhunshem drejtë Lindjes komuniste të drejtueme nga Rusia stalinjane.
Ky ndryshim ishte me të gjitha tiparet komuniste të dhunës sëpse, intelektualët dhe kuadrot e pregatituna në Evropë, që drejtonin shtetin, ekonominë dhe kulturën e vendit u pushkatuan, u burgosën, u internuan dhe u zhduken me dhunën ma mizore ndër kampët e punës dhe të shfarosjes komuniste. Vendin e tyne e zunë trathtarët dhe shitësit e Atdheut tek sllavët, pseudointelektualët dhe vasalët e pakulturë dhe të pa edukatë qytetare, fshatarët rob të padijes dhe të armës së brigadave të Ndjekjes dhe të Sigurimit komunist, vëllavrasësit e luftës civile të Jugut, që siguronin të gjitha privilegjet e tyne me mjetet ma të ndyta e të dobta me “yllin partizan” në ballë, tue i sherbye diktatorit E.Hoxha.
Në të gjitha institucionet shtetnore e kulturore u hoq portreti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i cili u zëvendsue me Stalinin, Titon dhe Enverin dhe, për pasojë Flamuri Kombëtar i vitit 1912, u zhigat me “yllin partizan”.
Lufta kunder Fesë filloi njëherësh me luftën e “armikut të klasës”. Pra, lufta kundër Fesë, si tipar themelor i materializmit dialektik, në Shqipni merr me vete edhe fanatizmin e mësheftë anadollak dhe tue u mbulue nën pelerinën komuniste të ortodoksisë shoveniste sllave, gjithmonë antishqiptare, të dy sëbashku tek “njeriu ynë i ri” me frymën proletare dhe të “demokracisë socialiste”, i sherbyen fanatizmit dhe përçarjes fetare kombëtare, mjet okupacioni i njohtun nga të gjitha regjimet diktatoriale e totalitare botnore. Shqiptarët sunit luftojnë bektashinjtë gjatë gjithë Luftës N.Çl. dhe bashkohen me ortodoksët që para 1944 për të luftue kundër katolikve të Shkodres, gjoja si antikomunist dhe antisllav, tue eleminue edhe vetë themeluesin e grupit të parë komunist Zef Malen.
Mbas vitit 1944, kjo luftë shpallet e haptë tue shfarosë Klerin Katolik dhe inteligjencën e mirfilltë Atdhetare Shqiptare në krejtë Veriun e Shqipnisë.
Ky ishte sherbimi ma i madh antikombëtar që asht ba në Shqipni nga komunistët e të gjitha ngjyrave dhe besimeve.
Rruga tradicionale e Shqiptarve “Fè e Atdhé” me të cilën për shekuj me radhë ata ruajtën ashtu si ditën dhe mujtën gjuhën shqipe, zakonët, traditat e mira dhe veçuese nga të gjitha vendët tjera ballkanike, tokat, shpellat, strofullen dhe çerdhën e Shqipes Dykrenare, ishte rruga e zgjedhun ndër shekuj dhe e trashigueme brez mbas brezi në gjakun e Shqiptarit, që e bante “vdekjen si me lé për Fé e Atdhé”.
“Njeriu ynë i ri”, një përbindsh i vërtetë, i formuem nga edukata marksiste leniniste pa asnjë tipar atdhetar, fetar e njerëzor ishte “portreti” i t’ashtuquejtunit “njeriu modern”.
Kjo frymë vdekjepruese e cilësive njerëzore e Atdhetare mbisundoi për 50 vjetë në Shqipninë “Socialiste”. Pasojat Shqipnia i pësoi edhe ma keq se vendet tjera komuniste për vetë faktin gjeografik të siperfaqes së saj të vogel, por edhe të mbetjes jashtë kufinjve shtetnor të pjesës ma të madhe të Tokave të saja, ndër të cilat, për 50 vjetë asht punue në mënyrë sistematike, politike dhe diplomatike me i çkombëtarizue, tue i mbyllë shkollat kombëtare, tue i çpronsue gjoja me “lirinë e të drejtën” me jetue kudo në botë: “Veç jo në Atdhé”, tue zhgulë nga zemra çdo ndjenjë Atdhédashnije dhe tue i shpartallue doket dhe zakonet e vjetra me të cilat jetonte e vdiste Shqiptari! Edhe ndonjë shkollë e lanun e “lirë” në ndonjë skutë serbe apo arbreshe në Itali, punonte e punon edhe sot me programet e shkollave marksiste leniniste të Shqipnisë së re komuniste.
Lufta shpartalluese kundër Veriut, shkatrrimi i qendrave kulturore, zhdukja e 70% e letersisë shkrimtarve verior, genocidi ndaj Gegnishtes dhe ndalimi zyrtar i përdorimit të saj, mosnjohja e figurave të shqueme Atdhetare veriore dhe shlymja e Tyne nga faqet e historisë së lavdishme të Popullit Shqiptar, sollën me vete Atë Shqipni të gjymtueme nga ana kulturore që, ndoshta, ndoshta, për shumë dekada nuk do të mundet me u sherue!
E pse, mund të pyesin ndokush?
Pse janë disa brezni ata që lindën dhe u formuan me këte edukatë në këta 50 vjetë.
Janë të gjithë intelektualët shqiptarë që nuk kanë pasë ku me mësue Historinë e Vertetë e të Lavdishme të Popullit tonë të Martirizuem.
Janë të gjithë ata që na mësojnë me shkrue dhe me këndue, që nuk njohin fare asnjë kolos të Letersisë dhe të Kulturës sonë Kombëtare.
Janë të gjitha institucionet kulturore e mësimore (perfshi edhe ata fetare) që vazhdojnë me punue me ata programe e metoda të mendsive komuniste, që u sollen në shkollat Shqiptare nga shovenistët sllav e veglat e tyne anti Evropjane Përendimore dhe, që, vazhdojnë me shumë djallëzi edukimin e rinisë me ndjenja të thella fanatizmi dhe perçarje.
Janë të gjithë ata që predikojnë për një Shqipni, paditë ku janë kufinjtë e Saj!
Janë të gjithë qeveritarët e institucionet shtetnore që punojnë kundër SHQIPNISË.
E kush do ta bajnë Shqipninë?
Antishqiptarët e ateistët me mashtruesit dhe falsifikatorët trafikantë?
Jo e jo!
Thirrni gjakut zemrës o Burra, e shihni ku ka vojtë Atdheu!
Thirrni me sa fuqi që keni Trojeve tona, lanë shkret nga Rinia Shqiptare dhe, u siguroni jetën, shkollen e punën e mos zaptoni fronet shtetnore o të pa Atdhé!
Atdheu e gjithë Shqipnia i perket Rinisë e vetëm Asaj Rini, që do ta çojë ....Përpara
në shtëpinë e vet...Në Evropë!
Në Evropë e vetëm n’Evropë, o vëllazën SHQIPTARË !

Fritz RADOVANI.
Melbourne, 30 Maji 2008
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 02 Nëntor 2009, 20:55
Nga Fritz RADOVANI:
KOMUNIZMI ASHT SI NJË GOMEN QË TË THITHË...
Imazh
DON NDOC NDOJA(Mazi)
1914-1996

Gjyshi i em Tukja i Kol Dedë Prennushit(nga nana) banonte me né në rrugën e vjetër Badra, rrugë e cila përmendet edhe në rromanin e Don Ndoc Nikaj “Shkodra e rrethueme” (fq 98).
Posa kalon rrugicën e Marvukejve pak meter, para një shtëpisë dy katshe ishte një dyqan i vogël, ku shumë vite ma përpara aty qendronte në një karrigë i zoti i shtëpisë dhe i dyqanit, një plak shumë i pashëm që thirrej Frano Lleshi, mik i gjyshit tem. Frano ishte edhe gjyshi i një fëmijës moshatar me mue që kishte emnin Titi...djali i një kushrinës sonë, Terezës së Gjon Cin Radovanit, e cila pat mbetë e vejë
Don Nd. NDOJA shumë e re nga komunistët, të cilët i patën vra pa gjyq burrin Gjon Lleshi, andej nga Kuçova. Ai ishte djali i madh i Franos. Edhe shoku i em Titi vdiq 6 vjeç dhe kishte një vorr mermeri në Rëmaji me një engjull të vogël si ishte Ai vetë! Çdo nandor me Nanen teme i çonim një tubë lule edhe Titit... Nana e tij Terezja jetoi mjaft në Tiranë dhe gjithmonë më përqafonte sikur t’ishe djali i saj Titi.
Dyqani nuk u hap kurrma nga askush...Dukej si një skutë e mbetun shkret...
Një ditë pashë tue hy aty në atë dyqan një burrë të shkurtë që nuk e njihshe. Ato ditë u hoqën edhe dy tarabat e dritarëve që kishin ma shumë se 30 vjet që nuk ishin hapë ato dy dritare. Një grue po pastronte dhe lyente muret me gelqere. Nana kishte marrë vesh se aty do të banonte një prift që posa kishte dalë nga burgu, Don Ndoc Ndoja...
Në vitin 1967, më kujtohet se kur asht thirrë në një mbledhje të lagjes dhe asht pyet se çka ke me thanë ti Don Ndoc, mbasi na të njohim edhe si vëlla dëshmori, ky, ju asht përgjigjë: “Po, vëllau ka vdekë për një ideal, për Lirinë e Shqipnisë, edhe unë po kje nëvoja do të vdes për Idealin tem që i kam kushtue gjithë jetën, për Fé dhe Atdhé!”...
Ishte moshatar me dajen tem Mikel Pjetër Prennushin, i vitit 1914. Studimet për prift i kishte krye në Itali. Deri ka viti 1950 kishte sherbye në Dioçezin e Durrësit, kah Juba dhe Selita e së fundi nga Fushë – Kruja. Mbas vitit 1967 jetonte me nanën e vet Nine Mazi, e cila nuk arrijti me nderhy tek Enver Hoxha si “nanë e dëshmorit” Ndoc Mazi...kështu, në vitin 1973 Don Ndoci u arrestue dhe u dënue 7 vjet, tue u akuzue si të gjithë klerikët tjerë për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”...Doli nga burgu në vitin 1980, tue u detyrue me ardhë e me jetue në rrënojen e Frano Lleshit, kohë në të cilën u njohta me Té. Nana i kishte vdekë por, sa kje gjallë e ndjeku ndër burgje, ndërsa, kur u lirue kujdesej shumë për Té kushrina e Tij, Zonja e Kolec Mashnes, e cila, ma vonë e mori në shtëpinë e saj, ku edhe ka vdekë dhe asht përcjellë me nderime nga populli i Shkodres, në vitin 1996.
Ruej shumë kujtime për këte Meshtar!
Një ditë tue shkue në shtëpi, Ai po qendronte tek dera dhe më përshëndeti “Hé djali i Kolës, si po je?”... U ndalova dhe bisedova me Té...vërejta se Ju ba qejfi dhe më tregoi se kishte njohtë Babën tem prej shoqnisë me dajën Mikel dhe, se, me 14 Tetor 1943 Don Ndoci kishte marrë pjesë në funeralin e Babës në Rëmaj. Kujtonte hollësi nga ajo ditë... Ma vonë shihej se u ba shumë i dashtun për banorët e lagjes. Komunikonte me kujdes e me masë me të gjithë tue kërkue ma shumë me ruejtë të tjerët sesa vedin. Në raste vdekjesh Ai nuk hynte ndër shtëpija por merrte pjesë në çdo funeral, gja që të jepte me kuptue se vinte me krye detyrën e përcjelljes ndër vorre. At Pjetër Mëshkalla i ka thanë Nanës seme, se “Don Ndoci asht si me kenë unë...” e, kjo, u vërtetue kur At Mëshkalla kje i sëmurë randë në muejt e fundit të jetës në vitin 1988, atëherë, kur Don Ndoci, u ndodh shumë afër Tij.
Një natë nga e vona e takova Don Ndocin tek dera e shtëpisë seme. Më tregoi se po shkonte me pa një ndeshje sporti futboll. Ishte kampjonati botnor i vitit 1982...Unë e ftova me ardhë me e pa tek unë, mbasi pak ma përpara kishe ble televizorin. Ai më tha: “Jo, unë shkoj vetëm tek kushrina eme, mbasi me shumë dëshirë kishe ardhë tek ti, se të kam edhe afër shtëpisë, por spijunët që ke rreth e rrotull shtëpisë, tue fillue nga Lec Jubani, mund të denoncojnë dhe sajojnë gjana të pakenuna dhe mund të sjelli pasoja, mbasi ju edhe jeni djegë mjaft randë prej burgjeve...nuk due me të ardhë ndonjë e keqe prej meje!”. Prej asaj natë unë mujta me kuptue dashninë, burrninë dhe besnikinë e Don Ndoc Ndojës.
Gjithnjë shihej ndër rradha të dyqaneve të lagjes. Një ditë më pat tregue shitsja e lagjës Luli (Luljeta) Darragjati, sesi e kishin thirrë dhe e kishin paralajmërue për pushim nga puna, “sëpse i ke nda dy shishe qumësht çdo ditë Don Ndocit, jashta rradhe...”. Luli nuk e kishte mohue, por i ka pohue se nga e drejta me marrë ajo për vedi dy shishe qumësht si shitse, ato dy shishe ia ka dhanë Don Ndocit. Spijuni që e kishte denoncue kishte tregue se Don Ndoci, mbasi merr qumështin njenën shishe e çon tek At Mëshkalla. Edhe Luli ia kishte aprovue se Don Ndoci gjithmonë ka ble dy shishe, një për At Mëshkallën... i cili, pak kohë ma përpara kishte vdekë. Unë pyeta Lulin, po, nuk kishe frikë se po të pushojnë nga puna, që ke ndihmue klerikët...ti tue kenë edhe nga Berati? – Ajo mu përgjigjë: “Hiç fare, do të shpëtoja se lutej për mua At Mëshkalla, Ai është Shenjtë!”, po përgjigja ishte aq me siguri nga Luli, sa me të vërtetë më ka lanë mbresa të pashlyeshme. Për fat, ajo nuk pat pasoja të randa, gja që edhe pritej aso kohe!
Ma vonë, aty nga viti 1994, e kam bisedue këte fakt me Don Ndocin, tue shtjellue të gjithë bisedën rreth ndihmës që i dha një “shitse” nuse e re nga Berati...dhe, Don Ndoci tha:
“Fritz, komunizmi asht si një gomën që të thithë...kur nuk e njeh edhe të merr me vedi, ashtu si ka marrë vëllaznit e mij,.. mjer ata që i zhytë mbrendë në llomin e vet se asht zor me shpëtue ma prej rrjedhës së tij...e, fatkeqësia ma e madhe asht atëherë kur edhe fëmijët e tyne përpihën nga kjo ideologji e mnershme e njerzimit, gja e cila shihët prap sot tek na, se nuk po mund të dalin nga kjo gomë e rrezikshme as edhe këta ma të rijtë!”....
Ishte Burrë me humor...Qeshej...”erdhi koha e demokracisë”...Më thonte një ditë: “Kam ra në pikën e hallit me disa vetë, si puna e Pjetër Hasit...u janë rritë fëmija e kërkojnë me ndërhy na priftnit për bursa studimi...Po, kur kam kenë në burg e që nuk i shkonte mendja kujt se po dal shndosh prej aty, të gjithë nuk deshtën me ditë se a jam gjallë ndopak...tashti, vijnë...madje, edhe shumë prej tyne më kujtojnë edhe fjalët e Ungjillit... “se, na duhet me falë...se jemi të Krishtenë....se Krishti ka falë edhe ata që e kanë gozhdue! por një ditë nuk ishte durue dhe, i kishte thanë njenit prej tyne. Po bahen katër vjet që janë rihapë Kishat...Në cilën prej tyne shkon ti me pa Meshë, se nuk po të pyes a je rrëfye për çka ke ba tash 40 vjet, qyshë se je përzi me komunista?...Po nuk shkove me tregue botnisht se je pendue asht vështirë me ju falë Zoti, ashtu si keni shkue botnisht me marrë çilsat e Kishës së Zojës tek Kalaja, prej Don Mark Hasit...e me e shkatrrue deri në thëmel...As nuk ju bie ndër mend me i kërkue të falun Zotit për shka keni ba, që as nuk ka ndodhë kund në Botë!..E, mos harroni se asht ma gjynah me ia lanë fajet tueja me i pague trashigimtarët!..”
Me 11 Nandor 1990, ora 11.00 Don Ndoci ishte në Rëmaj dhe nën pallto kishte një këmishë të bardhë...I dhashë dorën dhe, i thashë “Urime!”... Tue buzqeshë Ai mu përgjigjë: “Ja mërritëm ma në fund asaj ditë për të cilën dhane jetën Martirët e Fesë. Kjo ka me kenë dita ma e paharrueshme e gjithë Popullit Shqiptar...Zoti e bani mbrekullinë e Tij!”...
Në këte 95 vjetor të lindjes së Don Ndoc Ndojës jam i sigurt se shumë Shqiptarë ruejnë në zemër si unë edhe Ata, kujtimet ma të mira për Priftin e përvujtë dhe shumë të dashtun që, me aq modesti e guxim punoi pa u lodhë deri në fundin e jetës së Tij, si Ushtar Besnik i Krishtit!

Melbourne, 2.XI.2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 07 Nëntor 2009, 16:37
Nga Fritz RADOVANI:
BERLIN, 9 Nandor 1989...!

ImazhImazh

Si zakonisht, vitët ecnin tue shtye njenitjetrin për me zanë vendin në kalendar...
Jeta monotone vazhdonte me rradhët e pafund të bukës, djathit, kiles së qumështit e të mishit, fruta e zarzavadëve që, vetëm, ata shiheshin në tabelat e dyqaneve, por mbrenda tyne vazhdonte “qetësia” ma absolute që s’ishte kenë ndonjëherë. Në të gjitha ndërmarrjet vazhdonte me u realizue plani e, kryesisht eksporti i prodhimeve vazhdonte pandërpremje. Durrësi, Rinasi, Vlona e Shëngjini vazhdonin me ngarkue vaporra e kundrabanda sa zente deti...Radio e tv vazhdonin punën e tyne propagandistike edhe pse gjithkund kishte plasë hajnija tue fillue nga drejtuesit e deri ndër rojet e dyerve të ndërmarrjeve shtetnore e kooperativiste. Edhe organizatat e “masave” poashtu nuk ndalonin fare vrullin revolucionar të tyne...Në Tiranë, mu në qender Stalini pat ba rrokatën me Skenderbeun, por edhe pse doli pak në cep, kalonte kohen tue u “konsultue” për fatët e socializmit me mikun e vjetër të armëve Leninin, e shpesh edhe pinin nga një kafe në hotel Dajti. Enveri sa i qen vazhdonte me udhëheqë popullin dhe me shkrue pa pushim “vepra”, madje, edhe në gjuhët e hueja që ka pasë mësue në kabaret e Francës...Vejusha e tij, edhe ajo si gjithënjë, vazhdonte me shikue vetën në pasqyrë, për me ruejtë “linjat” e porosive të shokut të luftës. Edhe shoku Ramiz, edhe pse i vejë edhe ky, vazhdonte porositë e “xhaxhit”, që kush ti afrohet kufinit: “Plumbin ballit..!”...Duhet ta kuptonin të gjithë se, “ne nuk jemi as Lindje as Përëndim...”, sigurisht, edhe “socializmin nuk e sakrifikojmë...”. As na, nuk mendonim me ia shkelë vizën për asnjë çast. Kush ishte ai budalla që tue pa djelmët e rinjë të çveshun, të shpartalluem në gjoks e në fëtyrë nga plumbat e automatikve ndër piramida kufini, të lidhun me tela me ferra ndër hunjë dhe tue u shetitë bulevardeve të qyteteve të Shqipnisë, mund të mendonte ndryshej... se, për të veprue as, nuk i shkonte nëpër mend kujt!
Aty nga shtatori i 1989, bajti dreqi edhe një delegacion nga Gjermania Demokratike që solli “haberin” e Onekerit, se: “Gjermania Demokratike do të na ndihmonte me fonde të hollash, për me vazhdue rrugën e socializmit...tue u shkëputë nga marrveshjet me Shtrausin e Gjermanisë Përëndimore përfundimisht...”. Si shenjë mirënjohje dhe falnderimi delegacionit na i dhurueme një sasi të madhe bizhuteri argjendi dhe, pa mërrijtë mirë ata në atdhe, shkoi në Gjermani grupi i ynë i “profesorve” Foto Çami dhe Dhimiter Dhora dhe realizuen planin socialist...tue u këthye edhe njëherë në vathën e fukarallekut e të skamit.
Mbas vrasjeve të Rinisë Shqiptare ndër kufinjë, shkëputja nga marrëveshjet dhe ofertat e Shtrausit, asht trathtia ma e madhe që Ramiz Alia i ka ba të ardhmes dhe begatisë Popullit dhe Shtetit Shqiptar, mbas Luftës së Dytë Botnore. Mos harroni se Gjermania ishte ende e ndame!
Të gjitha këta fakte janë të dokumentueme në gazetën “Zëri i Popullit” edhe pse askush nuk i besonte thanjet e saja, tue përfshi edhe vetë komunistët që mbushnin katër faqet e saj.
Për një drejtues shteti që në mes të dy rrugëve, asaj të lumnisë dhe asaj të mjerimit të së ardhmes së Popullit të vet, zgjedhë vorfnimin dhe shpartallimin e Popullit dhe të Atdheut, asht krimi ma i shemtuem që nuk mund të shlyhet për shekuj të shekujve...
Duhet pranue pa turp se “çdo Shqiptar e ndiente vetëm të ndryem përjetësisht në kafaz..!”
– Jo, kurrë, nuk mund ti shkonte mendja kujt se komunizmi ka ditët e numrueme!
Presidenti Regan posa erdhi në drejtimin e ShBA, ringjalli një shkëndi shprese, mbasi në vitin 1954, në Hollivud, Ai kishte formue një shoqatë për shkatrrimin e komunizmit. Sigurisht, nuk mund të dyshohej se në vitët 1980, Ky Burrë, do të devijonte nga ideali i Tij..!
Në Bashkimin Sovjetik, ardhja e Gorbaçovit, u shoqnue me vizita dhe veprime aktive që flisnin për ndryshime të domosdoshme, kjofshin këto edhe të imponueme nga koha...
Prof. Arshi Pipa në Institutin Pedagogjik të Shkodres, në vitin 1992, ka thanë: “Ramiz Alia desht me imitue Gorbaçovin, por Ramizi nuk kishte as trunin as bo... e Gorbaçovit..!”
Vizitat në rrangun e lartë të zhvillueme nga Regan, Gorbaçov dhe Gjon Pali II, erdhën tue krijue një shkarkim të papritun si rrufeja në një ditë me diell po, por, edhe pa asnjë re në qiell...
Me datën 12 Qershor 1987, Presidenti Regan ka thanë tek Muri i Berlinit këto fjalë: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov! Në kjoftë se kërkon paqën, në kjoftë se kërkon prosperitetin për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, në kjoftë se kërkon liberalizmin,...Hajde, këtu, tek kjo derë... zoti Gorbaçov! Hape këte derë!...Zoti Gorbaçov! SHEMBE KËTE MUR..!”
9 Nandor 1989...Ishte mbrame dhe, si zakonisht, po shihnim një program në televizor...
Doli një kuader sa i papritun aq i pabesueshëm...
Qindra e mijra të rinjë, të moshuem, pleq e plaka...nuk merrej vesht se çka po bahej...jo, se ishte kaus në atë mori njerëzish por, nuk i besonim as synit as ekranit, ku, me siguri si tek na, do t’ishin miljona e miljona të tjerë të shtangun që edhe ata, me siguri, nuk besonin në kenjen e vet normale, para një ngjarjes aq të madhe e të pabesueshme për mbarë njerzimin...
Ra pllaka e parë e Murit të Berlinit..!
Bota u hap...
Ra “perdja e hekurt” e komunizmit..!
Njerzimi brohoriste për Fitorën...
Erdhi Liria...!
I besonim këto që po ngjanin? – Jo, asnjë, asnjë, nuk besonte, se çka po ngjet...!
Pllakat e Murit binin njenambastjetrës...veç, kujtoj, se kam vrritë me të madhe:
“Për Zotin.. Ra..!” e, përqafoheshim si budallajtë në çmendi kur kujtojnë se janë sherue... Na përqafoheshim në podrumet tona e gjermanët në ekranin e tv...vazhdonin me rrenue e me rrëzue papushim “shemtimin e shekullit”, mu në zemrën e kontinentit plak të qytetnimit...!
Hypnin me kambë mbi ata pllaka betoni për mos me i lanë me u ngritë kurrma..!
Berlini...i Lirë..!
Evropa pa “Murë..!”...
Gjermanët nuk do të vritën ma, tue dashtë me kalue Murin... Ata janë të Lirë!...
Ja, Vullneti i Popullit, ja Forca e Vitaliteti i një Kombi që punon për Demokraci...
Ja, mendimi Përparimtar i drejtuesve të Shteteve kur punojnë për Lumninë e Popujve të vet, ja, realizimi i veprave të pavdekshme kur, Ata, meritohen nga Vullneti i Zotit..!
Kurrma “Mure”...Kurrma luftë...Kurrma diktatura...!
Kurrma Rini të vrame... Kurrma krizma automatiku... kurrma... kurrma... kurrma plumba mbi Njeriun... Kurrma...O Popuj, mos pranoni, kurrma prangat e robnisë komuniste...!
Punoni dhe jetoni të Lirë!...
Punoni dhe jetoni me Drejtësi..!
Puna, Liria dhe Drejtësia sjellin Paqën...e Paqa sjellë Demokracinë...
Demokracia sjellë Përparimin e...
Përparimi asht Jeta e Lumtun...
O Zot, dhuroja këta virtyte Popullit Shqiptar !

Melbourne, Nandor 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 17 Nëntor 2009, 20:40
Nga Fritz RADOVANI:
SI FILLOI GENOCIDI KOMUNIST KUNDËR POPULLIT KATOLIK SHQIPTAR..?
(29 Nandor 1944)

Imazh
At Gegë Lumaj OFM
15.X.1904 - 1980

Historia e Popullit Shqiptar asht kenë gjithmonë e lidhun ngusht me të gjitha ngjarjet e mëdha dhe ma të rendësishmet të sajat me Popullin Katolik Shqiptar, për vetë faktin se Kleri Katolik në asnjë moment nuk asht kenë i shkëputun nga Populli ynë, madje, Ai kurr nuk asht tregue as pasiv në ngjarjet kyçe kur, fati i Popullit ishte në rrezik apo në buzën e humnerës për zhdukje. Dëshmi e këtyne veprave të mëdha janë të gjitha faktet historike që dokumentohën në të gjitha arkivat e botës, tue fillue nga dokumenti i parë i shkruem në gjuhën shqipe në vitin 1462, nga Imzot Pal Engjulli. Pa hy në rreshtimin e ngjarjeve historike, vetëm, tue kalue në ata episode kur Shqipnia diskutohej për me kenë apo jo, asnjë ditë e ekzistencës së saj nuk asht e pranishme në fletët e historisë së vjetër apo e asaj të kohës së re, pa veprat, mundin, djersën, sakrificat dhe gjakun e Klerit Katolik. Vetëm tue u ndalue në shtjellimin dhe arritjen e fitores së asaj ngjarje që ishte vendimtare për fatet e kombit tonë në Majën e Deçiqit në Marsin e 1911, që u pasue me ngritjen e Flamurit të Skenderbeut në Vlonën Heroike, me 28 Nandor 1912, asnjena nga këto Ditë të Pashlyeshme të përpjekjeve për Liri dhe Pavarësi, nuk janë arritë pa praninë e Klerikve tonë Atdhetarë. Të gjitha përpjekjet dhe aktet e shovenistëve sllav apo zaptues të trojeve tona, në të gjitha kohët tue fillue nga ma të lashtat, përplasjen e tyne të parë e kanë pasë me Klerin dhe Popullin e edukuem prej tyne me tiparet Atdhetare. Për çdo pëllambë tokë që shtetët fqinjë kanë grabitë rreth kufinit shqiptar, zani dhe protesta e Klerit Katolik ka trandë të gjitha zyret e podet e konferencave diplomatike e deri edhe selitë ma të fuqishme të shtetëve të mëdha, tue i ba me ditë se, vepra e tyne asht një padrejtësi dhe antiligjore me të gjitha normat e nënshkrueme prej vetë atyne shteteve që, predikonin e premtonin dhe për interesa të dobta kanë shkelë edhe vendimet e veta të nënshkruem prej tyne, si çeshtja e Shen Naumit.
Ky qendrim i vendosun i Klerit Katolik Shqiptar asht kenë shkaku që, tue fillue nga të gjitha vendimet dhe traktatët e hapta dhe të mëshefta prej Kongresit Berlinit e, deri tek ma të ndytat e të sofistikuemet e Jaltës, në fundin e Luftës së Dytë Botnore, Shqipninë Evropjane e kanë lanë si t’ishte plaçkë lufte nën dhunën, mëshirën e zaptimin e Trojeve tona, nga vendet fqinjë, tue i lanë në dorën e tyne edhe të drejtën e çkombëtarizimit, dëbimit dhe shfarosjes në masë, deri tek dhunimi i të drejtave ma themelore të njeriut: “E drejta me jetue në tokën e vet”..!
Akti ma barbar i Fuqive të Mëdha, në fundin e katastrofës historike të vitit 1944, asht pranimi nga ana e tyne që me 29 Nandor 1944 Shqipnia Evropjane, me u pushtue nga terroristët komunistë të drejtuem nga katili anadollak Enver Hoxha, sherbëtor besnik dhe vasal i paskrupull i shovenistëve serb të Jugosllavisë së J.B.Titos, aleat dhe bashpunëtor i diktatorit J.V. Stalin.
Pikërisht këtu, zenë fillë lufta e pamëshirshme ndaj të gjithë Atdhetarëve Shqiptar dhe, kjo, asht tragjedia ma e madhe që ka pësue Shqipnia nga trathtarët e Atdheut, që për interesat e shtetëve sllavo-komuniste, zbatuen GENOCIDIN KOMUNIST kundër Popullit të Malësive dhe fushave të Veriut dhe, kryesisht kundër Klerit Katolik Shqiptar.
Me marrjen e mandatit të sundimit të vendit, komunistët në Jug spastruen elementin e njohtun Atdhetar tue kalue në shfarosje të aplikueme me luftën vëllavrasëse civile partizane. E, posa, vendi mbet në “mëshirën” e tyne, shpallën luftën antikombëtare kundër Parisë së Maleve të Veriut, tue vra trathtisht Prenkë Calin, dhe tue pushkatue 118 Burra të Malësisë së Madhe, tue tretë trupat e tyne ndër prroje, tue i djegë kullat dhe tue i plaçkitë gjanë e gjallë...
Vazhdimi i terrorit në Malësitë e Dukagjinit, Pukës, Mirditës dhe shfarosjet në masë ndër ata Malësi, janë një kapitull tjetër i shemtuem i robnisë komuniste në Veri.
Ky terror ishte kryesisht kundrejt Atyne Maleve, ku Kleri Katolik kishte mbrujtë përsa Shekuj atë Formulë të njohtun “Fe e Atdhe”, me të cilën Malësori bante vdekjen si me le..!
Terrori filloi pra në Veri me 13 e 14 Janar 1945, ndërsa, po me 16 Janar 1945, me urdhën nga “shoku” komandant fillojnë arrestimet e klerikut të parë, françeskanit Atdhetar At Gegë Lumaj OFM e me 17 Janar të At Dioniz Makës OFM. Me 26 Janar 1945 arrestohet demokrati i madh i grupit “Ora e Maleve”, publiçisti Don Lazër Shantoja, dhe me 2 e 3 Shkurt 1945, fillon arrestimi në masë i Klerit Katolik me Famullitarin e Shkodres Don Mikel Koliqi, Don Ndre Zadeja, At Gjakomo Gardin SJ dhe xhakonin Gjergj Vata, tue vazhdue pa ndërpremje me hetuesi e burgime, pushkatime, procese false, trillime e shpifje, internime, dëbime, plaçkitje të veprave letrare e fetare, vlerave muzeale e artistike e shka i vinte përdore vegles besnike të PKSH, të famëshmit Sigurim i Shtetit komunist, që për 45 vjet pandërpremje ka zhvillue këte GENOCID.
Pse, ky terror fillon me arrestimin e At Gegës? Se, At Gega asht lindë me 15 Tetor 1904 në maje të atyne maleve të larta të Dukagjinit, në gurt e shkambijve të Planit, prej të cilve trashigonte, gjuhën, mendjën dhe fortësinë e karakterit të Shqiptarit të pastër Ilir. Famullitari i atij vendi tue pa squtësinë e Tij e solli në Shkoder, në kolegjin Françeskan, me vazhdue shkollën. Spikati si student dhe mbas mësimeve të mesme vazhdoi të lartat në Itali. Në vitin 1931 shugurohet Meshtar i Urdhnit të Shën Françeskut t’ Asizit, Urdhni i Fretënve të Vogjel (OFM). Njëkohësisht përfundon edhe Akademinë e Arteve të Bukra, për pikturë në Siena t’Italisë. Fillon sherbimin në Shosh, Merturë, Iballe Pukë, Shkoder etj. Ishte në Berishë kur arrestohet me akuzën e agjentit nazist të Gestapos...Akuza e drejtonte drejt Zallit të Kirit pranë Vorreve të Rrëmajit. Bashvuejtësi i Tij, At Dioniz Maka, më ka shpjegue në vitin 1994 se, At Gega, nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dionizin dhe At Giakomo Gardin S.J. jezuit italian edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë si, dhe At Gjergj Vatën. Gjyqi po zhvillohej i rrebtë, mbasi mendohej nga Sigurimi me hjedhë thëmelët e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të Tij. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë me politikë. Njëfarë Nuri Llazanit spijun i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se, ky i kishte ndjekë me kalë, kur Nuriu ishte kenë me një grup partizanësh... At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me te, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gegën me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, ti epet dënimi ma i randë. At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë: “Po, më vjen marre mue, sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”. Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjigje si Nuriu, prej At Dionizit. Kjo thanje e At Gegës, tregonte se, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun. Kjo thanje lidhej edhe me trupin gjykues që ishin të gjithë Musliman si dhe prokurorin fudull e amoral Aranit Çela.
Kur arrëstohet prap At Gega, në vitin 1967 me “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Aq shumë asht torturue sa në gjyq tregoi se tre muej ishte ndërpre hetimi se ishte kenë shtrue në spitalin e Tiranës prej keqtrajtimit me tortura. Ndër tjera, Ai deklaron në hetuesi: “U kam thanë edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po, ba me pas kenë, çka paskeni dashtë me ba ndër né, ju, kështu edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë, 1998) Këte herë partia u tregue e kujdesëshme sepse, At Gega, nuk kishte ma mundësi ti akuzonte hetuesit si Nuriun mbasi si njeni El-ham Xhika dhe tjetri Ali Xhunga... të dy ishin nga Jugu, bashkë me trupin gjykues dhe prokurorin...
Arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars 1962. Arrëstohet prap në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977. Gjithsejt ka krye 27 vjet burg në Burrel dhe kampe shfarosje.
Ka vdekë në vitin 1980, i rrëthuem nga dashnija e pakufi e kushrijve të tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve prej të cilave trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të Tij.
Bana një shpjegim ma të hollsishëm për me tregue sesi, që nga kleriku i parë e deri tek i fundit, terrori fillon mbi të njajtat akuza false dhe vazhdon deri tek Don Pjetër Gruda, i cili ka vdekë me 13 Janar 1989, në kampin e shfarosjes...pak ditë para se të plotësonte dënimin.
Një ndër arësyet e arrestimit të parë të dy Françeskanve Shqiptar asht se Ky Urdhën, ka zanë rranjë në Shqipni që në Shek. XIII-të, dhe prej ditës së parë të thëmelimit këtu, gjatë të gjitha okupacioneve dhe trazimeve historike që ka kalue Shqipnia, asnjëherë nuk i asht shmangë detyrës së Shenjtë, të përparimit t’Atdheut, hapjes së shkollave dhe edukimit të Atdhetarizmit me formulën e njohtun të vetën “Fe e Atdhe”, tue brumosë në ndërgjegjën e brezit të rinj dashunin për Liri dhe parime Demokratike, gjithmonë në fokusin e edukatës Evropjane Përendimore.
Mund të pajtoheshin këto vepra me qellimet e shovenistëve sllavo aziatikë jugosllav dhe rus si, dhe, të veglave të tyne të kuadruem në radhët e partisë komuniste shqiptare, sigurimit të shtetit, frontit demokratik haptas antikatolik, etj. nën drejtimin e trathtarit të Popullit, E.Hoxha?
Përgjigja asht vetëm një nga vetë E. Hoxha: “Meqenëse, katoliçizmi shqiptar dhe në veçansi kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.” (E.Hoxha, Vol. I, fq. 438, 1974.)
Për këte qellim në degën e mbrendshme të Shkodres, gjithmonë ka funksionue Seksioni Katolik, i drejtuem nga kasapët e Pazarit të vjetër: Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Kasem Troshani, Fadil Paçrami, Hamdi Ulqinaku, Fadil Kapisyzi, Dul Rrjolli, Ali (Qorri) Bushati, Shyqyri Qoku, etj. vagabonda që drejtoheshin nga teneqexhinjtë Zoji Themeli, Zoji Shkurti, Hilmi Seiti, Feqorr Shehu, Nevzat Haznedari, Dhimiter Shkodrani, Llambi Jegeni, Skender Myftaraj, etj. ku, ishin imoralët kriminelë ma të zgjedhunit e Ministrisë së Mbrendshme, për me torturue e masakrue në mënyrën ma shnjerzore Klerin Katolik Shqiptar dhe inteligjencën përparimtare shkodrane, tue mos përjashtue çdo Shqiptar Katolik që mendohej armik i komunizmit.
Po, a vetem, kundër Katolikve punonte ky seksion terrorist? – Jo, Terrori komunist në Shkoder ka përfshi edhe çdo Musliman apo Ortodoks që konsiderohej mik apo bashpuntor i elementit Katolik. I pari ndër studenta të Shkodres, nga Gjimnazi i Jezuitve që rreshtohet në bankën e të akuzuemve me Organizatën Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” asht Myfit Q. Bushati, dhe ka vuejtë gjithë jetën si i “deklasuem”, sepse ishte student dhe mik i nxanësve të asaj shkollë...dhe po, kështu, u masakrue Martiri i Pavdekshëm Osman Kazazi, Muzafer Pipa, Sulçe Beg Bushati, Qemal Draçini, Xhevat Gjyrezi, Bardhosh Dani, Fahri Rusi, Abdyl Rusi, Arshi Pipa, Rasim Gjyrezi, Sami Repishti, Dan Hasani, Elez Troshani, Ibrahim Sokoli, Agime Pipa, Drita Kosturi, etj. tue mos përjashtue qendrimin e patundun dhe burrnor të Klerikve të torturuem për vdekje Hafiz Derguti, Hafiz Ali Tari, Hafiz Myftia, Hoxhë Najpi, etj. të cilët u treguen në hetuesi dhe kampe shfarosje e burgje Vllazën të vërtetë Shqiptarë!
A mund të mohohet fakti i vitit 1968 në gjyqin që zhvillohej në Klubin e Rinisë (Kisha e Motrave Stigmatine), në fundin e muejt Prill, kur prokurori pyet një të pandehur, Katolik nga Shkodra...: “Ti a beson në Zotin?” dhe, mbasi i pandehuni pohon se “PO”, i epët vendimi tue e dënue me 10 vjet burg... të cilat, i vuen ditë në ditë në kampet e shfarosjes...
Cili shqiptar mund të mohojë se Don Shtjefën Kurti nuk asht pushkatue se ka Pagëzue një fëmijë, me 20 Shtator 1971..? Ka ndonjë evropjan që mund të tregojë një shembull të tillë në një nga vendet komuniste të Lindjes...?
Arkitekti dhe ideatori i Muzeut Ateist Ramiz Alia, dylme e përjetëshme e Enver Hoxhës, kur ka ngordhë mësuesi i tij (e, ndoshta, dishka ma shumë ...) E. Hoxha, Ramiz Alia ka ardhë në Shkodër mbas 10-12 ditësh dhe ka ba një mbledhje me “novatorët” në klubin “Punëtori”, (tek Kisha e Fretënve në Gjuhadol). Në darkë, në një mbledhje “sekrete” në Komitetin e Partisë së Rrethit me 7 sekretarë Partie të ndërmarrjëve, ka porositë: “… Shoku Enver na la... duhet të jemi më vigjilentë se kurrë mbasi armiqtë e Partisë do të punojnë me prishë unitetin tonë. Ata në këtë kohe, si gjithënjë, do kërkojnë për të gjetë mundësinë për të realizuar qëllimet e tyre të këqija ndaj Partisë... Prandaj, të jemi shumë vigjilentë sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të Partisë sonë... por, kudo..., që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni, por sinjalizoni Partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit!... ” (Prill 1985).
As, kjo porosi, nuk asht GENOCID, o vëllazën Shqiptarë..?!

Jo, heshtje! Jo, heshtje...!
Po, plaset Toka tue kërkue Drejtësi..!

Nuk ka për të pasë kurr Paqë e Demokraci pa Drejtësi!
Vetëm mbi këto tri godina mund të arrihet Pajtimi Kombëtar!
Pa Pajtim Kombëtar nuk Përparon Shqipnia!...
Imazh
Melbourne, 17 Nandor 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 29 Nëntor 2009, 01:11
Nga Fritz RADOVANI:
NJERIU KA FËTYRË… POR, KA EDHE…!
Imazh
DOKTORI ME DUART TE ARTA - FEDERIK SHIROKA


Njeriu ka Fëtyrë... thomi ne, andej kah Shkodra... por, ka edhe...
Cipë...,
Lëkurë...,
Ka edhe surrat, thonë nga Toskënia...
Ka edhe me shollë...
Dhe, kur, i shkyhet sholli, ven gjysma...ose shoje të reja...
Kur, i shkyhen edhe ata...
Dikush, i tretë...
...Por, ka edhe nga “ata”, që nuk i tresin... por, dalin me shkarpa!
Sikur, të kërkohej me vue një tikëtë (√), se cila, nga këto terma mendoni se ju, përket ju?
– Jam i sigurtë, se, secili, do të tikonte rreshtin e parë, “√ Unë, kam Fëtyrë!”, madje, edhe toskët që Fëtyrës i thonë “surrat”, do të tikonin rreshtin e parë, për mos me ra në “keqkuptimin” e termit nga ndonjë shkodranë, i cili, kujton ende thanjen e të Ndjerit avokat Risto Siliqi, i cili, mbasi u pat zemrue me një përson nga Toskënia, i tha: “Nuk ke faj, jo, se ju, nuk dini çka do me thanë me pasë Fëtyrë...se, ju, asaj që paraqet njeriun ju, i thoni “surrat”...!”.
Kam njohtë një Burrë të moshuem në Shkoder, në vitin 1955 dhe, kujtoj mirë edhe datën: 16 Dhetor, pikërisht, atë ditë kur të gjithë maturantët e shkollës Pedagogjike u bashkuem me një turmë të pa pame ndonjëherë të popullit të Shkodres, në ndonjë funeral privat si ai i asaj dite të paharrueshme jo, vetëm, për jazin që i kishte ra Qytetit shkretnuem nga vdekja e parakohëshme e Mjekut me duertë e arta, Dr. Federk Shirokës, por, edhe nga vajtimi i Qiellit të Asaj dite që, pat mbulue të gjitha rrugat e skutat në katër anët e Qytetit plak, me lot e vaj të banorve të vet, të cilët e dinin dhe e kuptonin mirë se ke kanë humbë...I pari në rresht mbas arkivolit, ngjitë me zonjën e Tij, ishte vëllai i Mjekut, Dr. Zef Shiroka, por, Ky ishte ndër tre “mjekët” tjerë, nga Ata të cilët, mendonin me sherue ekonominë shqiptare bashkë me Dr. Rrok Gerën dhe Dr. Niko Gurashin, tre ekonomistët ma të mëdhaj që njohti Shteti Shqiptar, posa u pat thëmelue...Dr. Gurashi, pat rrezik dhe u aksidentue nga një motorçikletë, dhe jetoi me pasoja të randa psiqike. Ndërsa, Dr. Rroku dhe Dr. Zefi, kaluen shumë vite mbas 1944 në burgje dhe interrnime, madje, Zefi, deri ditën që i ka vdekë vëllai Dr. Federiku, ishte i interrnuem, por nga turpi sesi do të diskutohej mungesa e Tij, në funeralin e vëllaut, në orën 23.00 të natës së datës 15, kur njerëzit e pafarë vazhdonin me ruejtë të vdekunin në shtëpinë e Shirokejve në Shkoder, një xhips i sigurimit ndalon tek dera dhe, nga xhipsi del “i liruemi” nga interrnimi, vëllai i Mjekut të porsavdekun, edhe Ky, pak orë ma parë i sjellun nga Tirana, mbasi dëshira e Tij ishte me u vorrue në vorrezat e Rrëmajit, të Qytetit të vendlindjes së vet...mu, në vorrin e daltuem në gurë, nën çinar, ku, besoj, se asht edhe sot!
Më tregonte një jevk në Shkoder, të cilit, Doktori i kishte shpëtue djalin nga vdekja, me një operacion që i kishte ba në shtëpinë e vet në Tiranë, posa, jevku, kishte mërrijtë aty me djalin e tij gjysëm gjallë...E kishte mbajtë edhe dy ditë mbas operacionit në shtëpi dhe mbasi djali i vogël ishte përmirësue, i ati bashkë me te, ishin nisë për Shkoder...Jevku, në xhep kishte vetëm 150 lekë (të vjetra), pra, vetëm të hollat e biletës së udhtimit dhe, asnjë lekë tjetër, sasi e cila as nuk mund të jepëj për falnderim...për operacionin. Nisët për Shkoder me mendim me shkue ma vonë dhe me e falnderue Doktorin, tek i cili, veç djalit, edhe ky vetë qendroi aty, si një njeri i shtëpisë, me ushqim e fjetje tek koka e të birit të operuem. Dhe, ashtu bani. Mbasi mori rrogën e atij 15 ditëshi, gjeti edhe një krap të mirë dhe u nis në Tiranë. Shkoi dhe priti Doktorin tek dera...
Sigurisht, dinte orën e këthimit Doktorit nga puna. E pau nga larg në biçikletën e Tij, të vjetër dhe i doli para që ti kujtonte Doktorit se kush ishte. Ai posa u afrue ndaloi, zbriti nga ajo biçikletë rrangalle dhe u përshëndet, tue e pyet fjalën e parë për djalin...Ky, i përgjigjet shkurt dhe mbasi i tregon se i ka sjellë edhe një krap si dhurat, don me futë dorën në xhep me nxjerrë edhe 1500 lekë (të vjetra)... por, Doktori, i shtërngon dorën dhe nuk e lejon me e nxjerrë nga xhepi... tue i thanë: “Mos kalo në marri, krapi mjafton boll, madje, asht shumë edhe ky, por, këte po vjen edhe ti me mue dhe mbasi të pimë nga një gotë raki bashkë, besoj, se piqet në furrë dhe po e hamë bashkë sëpse, ato ditë kur ishe me djalë, nuk mujtëm me u kënaqë me muhabet...”. E kishte marrë në shtëpi dhe janë ulë së bashku...Jevku i kishte pastrue krapin por, kur, ka ardhë koha me e hapë për me i hjekë parën që e idhnon tek koka, atëherë, i kishte tregue së shoqes Doktorit sësi me vëprue tue mos dashtë me ia prekë peshkun mbrendë me duert e tija...
Posa asht ulë në tavolinë, Doktori i ka hjekë vërejtje: “Po, si, e ke mendue atë marri me futë dorën në xhep tue kenë edhe prej Shkodret, po, a ke harrue se unë jam shkodranë..?”
Ky, ishte mundue me u justifikue, se, kur, ishe me djalë ishe ngusht me të holla...
Doktori, i ka pre fjalën... “po, ku, punon ti...ti, je hamall...aq sa merr ti në muej...me mi prue mue, me çka do me u ushqye ti për me ba fëmijë të tjerë...se, ju, përveç hamallekut, nuk dini gja tjeter veç me ba fëmijë...apo, ke dashtë me më qitë faqen e zezë në Shkoder, se, nuk jam tue pasë fëmijë tjerë se më asht dashtë me “pague” operacionin..e nuk kam se çka me hanger...!”
– U qeshëm me lot kur mi tha Doktori këto fjalë...thonte jevku, por, nuk më shkonte kurr në mend se, mbas një viti, do të qajshe si fëmija kur, mora vesht vdekjen e Tij...
Anekdotat për Dr. Shirokën janë një liber me shumë fletë...
Në vitin 1965, në 10 vjetorin e vdekjes së Tij, pata punue një portret të Doktorit, në telajo pelhure me lapsë, por nuk u ekspozue në ekpozitën vjetore të Shtëpisë së Kulturës, gjoja për një difekt vizatimi të dorës së djathtë...E vërteta, qendronte tek fortuna që po afrohej në 1966, ku, përfundimisht, mu desht me u shkëputë nga ekspozitat, të cilat, nuk pranonin emnin tem... për arësye të “luftës së kllasave”. Ajo vepër përfundoi në Spitalin Civil të Tiranës, ma vonë aty nga 1974, si “dhuratë”, mbasi nuk mund të “paguhej” nga Spitali fatura me emnin tem, pa kalue në komisionin artistik që kryesohej nga “shoku” Foto Stamo, i cili, ka thanë: “Asnjë vizatim i Fritzit të mos ekpozohet ma... dhe, nëse, ai, ju sjellë grafika për ekspozim, veni “etiketën revizioniste me prioritet të artit modern polak” dhe ia tregojmë edhe vendin që meriton, atje...tek i vëllai..!”.
Këta kujtime mi solli ndër mend fjala “Fëtyrë”...e përcaktueme nga Dr. Zef Shiroka, që, kur, e pyetën nëse, thirre “zotni”, pse ke kenë dikur Minister, apo, ke muejtë me ruejtë Fëtyrën..?
Ai tha: “Shikoni, asht aq e vështirë fjala “me ruejtë” Fëtyrën sa, as nuk ju shkon nëpër mend se çka kam vuejtë gjithë jetën me u thirrë zotni, mbasi nuk duhen ma shumë se 5 minuta me u quejtë gjithë jetën “horr”...prandej, me pasë Fëtyrë...asht e vështirë fort...!”
Një e vërtetë e madhe dhe e pakundërshtueshme.
Shkodra ka pasë dhe me siguri edhe ka prap Burra zotnijë dhe me Fëtyrë..!
Kam njohtë shumë e shumë prej Tyne që, fatkeqësisht, shumë nuk janë ma, po, Burrnia e Tyne asht e pranishme në jetën dhe në historinë e Shkodres...
Kam njohtë edhe mjaft nga ata që e kanë përlye përgjithmonë “surratin” me veprat e tyne të paturpëshme por edhe të vazhdueshme deri në motët e shtyme të pleqnisë...
Brezi i Ri ka shumë nëvojë me ditë për Ata që ishin Burra të vërtetë zotnijë...por, që nuk zehën as në gojë nga askush...ashtu, si ka nëvojë Malësia me njohtë “Lahutën” e At Fishtës, apo Kleri “Letren e hapun” të Don Ndre Zadejës, dergue Cordignanos. Ende sot, nuk di se asht ba një Liber me emnat e të pushkatuemve, të mbytunve në hetuesi, të vdekunve në kampe interrnimi e shfarosje...apo, me emnat e Nderuem të Atyne Shqiptarve që vuejtën nga 25, 30 apo 38 vjet burgje deri tek i Ndjeri Osman Kazazi, që ka mbijetue mbas 43 vjetësh burgje e interrnime...
Nuk kam ndër mend me vue këtu Emnat e Martirve të Pavdekshëm, mbasi nuk kam edhe arkivin e nëvojshëm për atë qellim por, Kujdes, Kujdes e shumë Kujdes, (e shkrova me shkronjë të madhe) vllazën bashatdhetarë, se, tue harrue fjalën Fëtyrë, harroni edhe se keni “cipë” dhe, tue ndrrue “lëkurën” e, tue dashtë me fshi “surratin”, ajo bahet për pak kohë “shollë” e, kur shkyhet edhe sholli: “Fëtyra bahet Shkarpë”... bash ashtu si i asht ba komunistëve e agjentave të sigurimit që, tue ditë mirë dhe tue pa përditë sesi ka vojtë Populli Shqiptar, zotohën me festue edhe atë që asht sot e ka me kenë gjithmonë në HISTORINE E SHQIPNISE:
DITA MA E ZEZË E POPULLIT MARTIR SHQIPTAR, DITA E 29 NANDORIT 1944.

Poulli Shqiptar ka vetëm një FESTË TË VËRTETË, Ate të Flamurit të Skenderbeut,
AJO ASHT FESTA E FLAMURIT, ASHT DITA E 28 NANDORIT 1912..!
Lavdi për jetë Martirve dhe Heronjve të Kombit Shqiptar, që vdiqen për Flamur, për Liri dhe Demokraci, tue fillue nga Trojet e Pathyeshme të Maleve të Dedë Gjo’Lulit, Vlona Heroike e Ismail Qemalit e deri tek Ata Burra, që dhanë jetën nën bajonetat e diktaturës komuniste!
Imazh
RRNOFTË SHQIPNIA DHE FLAMURI I SAJ..!

Imazh
Melbourne, Nandor 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 06 Dhjetor 2009, 15:10
Nga Fritz RADOVANI:
JA, PRESIDENTËT MA TË QELBUN TË EVROPËS,
SUNDUES TË FLLIQUN TË POPULLIT SHQIPTAR..!

Imazh

Kjoftë e fundit kjo fotografi për ju, o kriminelë..!

Vetëm mbulesa ngjyrë vjollcë tregon se Shqipnia ende nuk ka dalë nga “muej i nandorit” ose siç thirej dikur në Shkoder, “muej i të vdekunve”...me disa kufoma sipër...
Aty nga vitët 1950, në Shkoder, një dashunues i programit të muzikës së kerkueme në radio, kishte disa javë që përsëriste kërkesën e tij me të njajtën kangë “O, shumë durojmë e s’po pelsasim..!”, mbasi ashtu i dukej se kënaqej kur në të gjithë altoparlantët e rrugave prej Dugajve të Reja e deri në Parrucë, kjo muzikë e shoqnonte gjithë pjacën. Sigurimi mbas sinjalizimit të Kasem Troshanit, i cili, aso kohe kontrollonte radion, fillon me gjurmue kush mund të jenë ky përson që e kerkon vazhdimisht këte kangë. Qytetari i Shkodres, që “shumë duronte e s’po pelsiste” i kishte dalë punës sigurimit para, mbasi ai kërkesen e tij për radio nuk e postonte në një kuti të postës por, sot këtu e nesër atje pra, kishte mujtë me humbë gjurmët e veta e, kështu, mbet pa u zbulue nga sigurimi që e ndoqi me muej të tanë... deri sa, nuk ia plotësoi ma dëshirën e tij.
Kishe me thanë se Radio Shkodra do të bante mirë me hapë e me mbyllë programet e veta tashti me ate kangë, mbasi më duket se i ka ardhë prap koha e saj, gja e cila ndollë shpesh në historinë e muzikës së pavdekshme... edhe në botë.
Nuk ka mundësi me ndollë në asnjë vend të Evropës ajo që ngjet sot në Shqipni!
Katër presidentë komunistë, pasues të stafetës së Ramiz Alisë, “shokët” Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu e Bamir Topi, mbas 20 vjetësh të vuemjes së maskës “demokratike” në surratin e tyne të përgjakun me krime të shemtueme në sherbim të asaj diktature të mënershme komuniste në gjiun e sigurimit të shtetit, i cili me fakte njihët si ma i shemtuemi në krejt Lindjen komuniste evropjane, tue u cilësue si sistemi ma i qelbun që ka zbatue diktaturën e proletariatit dhe Luftën e “kllasave” deri në Genocid kundër Popullit Shqiptar, me paturpësi, me arrijtë me u mbledhë e me shitë edhe sherbesllëk tue u fotografue së bashku. Llomi mbet llom..! Ajo foto me të vertetë flliq Popullin Shqiptar, të gjithë parlamentarët e saj dhe qeveritarët që në zyrët e tyne, mbajnë mbi kokë surratin e qelbun të presidentit Topi, por ma shumë se të gjitha këta, ajo asht pasqyrë e saktë e “demokracisë” së rreme kriminale komuniste shqiptare përballë NATO-s dhe Evropës së Bashkueme!
Prandej, të gjithë deputetët që e konsiderojnë vetën Demokrat, duhet të dalin njëherë e përgjithnjë nga Parlamenti Shqiptar, deri sa të shkarkohet nga ai funksion dhe të zëvendsohet me një tjetër njeri presidenti B.Topi!
Ja, me cilët presidentë të qelbun të Evropës qeverisët Populli Shqiptar:
Cili nga këta terroristë nuk i ka shërbye sigurimit gjakatar të shtetit..?
Cili nga këta nuk asht trashigimtar i një komunisti apo trathtari vëllavrasës..?
Cili nga këta trathtarë nuk ka gisht në vrasjet, pushkatimet apo torturat e bame mbi çdo Shqiptar, që nga lufta vëllavrasëse në Jug, në Veri, në Kosovë e kudo në Trojet tona..?
Cili nga këta nuk i ka la duertë me gjakun e Rinisë Shqiptare në piramidat kufitare dhe nuk asht kënaqë tue i pa djelmët e rinjë të gjakosun, të lidhun me tela me ferra ndër hunjë dhe, tue u shetitë pjacave të qyteteve të mjerueme për me mjellë frikën e terrorin..?
Cili nga këta për hirë të një kolltuku nuk ka shitë Trojet tona, tue i shërbye bashkë me të gjithë pjellen e keqe të vetën KGB-së sovjetike, UDB-së jugosllave, sherbimeve sekrete greke e të hueja, ç’prej ditës që kanë marrë mend e deri sa të ngordhin, të rritun e të edukuem me “veprat” e “babës” së tyne të vërtetë në zemer, në gojë e në dorë..?
Cili nga këta nuk asht hajdut e amoral si ma plaku i asaj sofre të pistë..?
Cili nga këta nuk ka trashigue në trupin e tij gjakun e terbuem të diktatorit plak...atij mos ju përmendët ma emni në Sofrat Shqiptare..?
Cili nga këta nuk trashigon veset e rinisë së tij dhe hipokrizinë anadollake të pleqnisë kur, me karajfila që hillte nga tribunat shenonte viktimat e ditve të ardhëshme të Shqipnisë..?
Cili nga këta nuk mendonte e nuk mendon prap me u pasunue me punën e qindra mijra vetve të dënuem dhe të internuem në kampet e fermat e, galeritë e shfarosjes komuniste..?
Cili nga këta nuk do me e pa Popullin Shqiptar, ma zi se ishte për 45 vjet komunizëm..?
Cili nga këta nuk asht trafikant droge, armësh, njerëzish...e pronar vrasës gomonesh..?
Cili nga këta, tue kenë pjellë prostitutash nuk merret me prostitucion e poshtersi tjera..?
Cili nga këta nuk asht plaçkitës e hajdut i thesarit të shtetit shqiptar, apo rezervues i sa e sa kapitaleve ndër bankat e hueja, të vjeluna nga mundi dhe djersa e Popullit Shqiptar..?
Cili nga këta nuk asht djali i një turku apo i një shkjau të Malit Zi.., që nuk trashigoi nga gjaku dhe veprat e tyne barbarizmat e bame ndaj Popullit të Shkodres dhe mbarë Shqipnisë...atë amanet që lane ata katilë në 1912 e 1913...kur, gjuenin me top Rozafën..?
Cili nga këta ruen një shkëndi nderimi për Flamurin tonë Kombëtar..përderisa, Ditën e Festës së Pavarësisë Kombëtare, 28 Nandorin 2008 B. Topi e kalon tek gjyshat... në Stamboll..?
Ja, si shprehët për këte fudull, “Mustafa Pashën” e ri, i madhi Don
Ndre Mjedja:
“Del, mizuer, këndenaj, del; prej merzijet,
Zgaq i përbuzshem, Shqipnia t’volli:
Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,
T’pret Anadolli.”

Cili nga këta e do Shqipninë në Evropë..?
ASNJENI..!

Populli Shqiptar jam i sigurt se nuk do të vonojë ma me gjetë Rrugën e vet..!
Qeveritarët e sotëm, pasardhës të atyne të së kaluemes së tmershme 65 vjeçare nuk duhet të harrojnë se: “Kur një Popull humbë gjithshka, Ai çohet kundër qeverisë..”.
As, mos, t’ju shkojë ma ndër mend se Populli Shqiptar, do të rrijë tue pa të varun në qafën e Tij, prangat e robnisë tuej sëpse, Ai e di thanjen e një Filozofi, që:
“Një Popull që puthë prangat e veta, nuk meriton me kenë i lirë...”.

Jam i sigurt se Shqiptarët nuk i harrojnë asnjëherë vargjet e Mjedjes, drejtue
“Shqipes Arbnore”:

“Oh, zbrit nder ne, mbretnore
Shqipe, edhe ‘j herë, si zbrite
Kur përmbi ball, madhnore
Të Madhit Kastriot’ i shndrite,
Të binden barbart e ri
Per Djelm qi ke Shqipni.”

Përpara, Përpara Rini...Drejtë Evropës..!

Imazh
Melbourne, Dhetor 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI DHE PUBLIÇISTIKA, Posted 06 Dhjetor 2009, 15:26
Nga Fritz RADOVANI:
DY SHPELLA TE THELLA...
Imazh

Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e, ku, nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht, aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit Sh’Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zymb të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929....kur, serbët menduen me lanë të përjetshëm tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë, brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, tue i diftue botës mbarë se këtu, bijtë e Ilirve sot ngritën një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort! E, ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!...E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokve të vogjël nuk do ti mësojnë ma kush me shkrue emnin “Skenderbeg”...
Qyshë se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë”, tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943, në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm...por, kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë shqiptarët, një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymbit të Hasit në Kosovë, kur dora trathtare e shovenistve serb në vitin 1929, plandosi përdhe Mesuesin e tyne të gjuhës shqipe, fratin e përvujtë At Shtjefën Gjeçovi, pra, plot 80 vjet ma parë.
Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethët e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por, edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne, Ata i vune mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar!
Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij ju gjet si shkop për mburojë bash atëherë, kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh.
Ai nuk eci kurr mbi shilte e cerga...Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjillë në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij, Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Tij...
Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874 nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, por me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vërejtë cilësi të një squtësie të rrallë e, mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindve të Tij dhe të Argjipeshkvit Shkupit e merr Hilën e vogël, (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhillë ose Hilë) dhe e sjellë në Kolegjin e Françeskanve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pregatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenve të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII, mbas Krishtit. Zakonisht, aso kohe, studentët shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore u dergonin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohtun dhe njëkohësisht edhe parapregatiteshin për studimet e larta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e larta të filozofisë i bani në Banjaluke ndërsa, ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku, u njohtë me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Siduket, edhe Gjeçovi, ashtu si At Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohtun të asaj letersie e cila ma vonë ndikon direkt në krijimtarinë e tyne letrare por, duhet theksue të një niveli artistik shumë të lartë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosve që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Shqiptare.
Në vitin 1896, posa kishte krye studimet vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht, ndër ato zona shumë të vorfna por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqve e zanë në Gomsiqe dhe, asht ndër të parët që i zbulon karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës, ka një korespondencë të dendun me shumë shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky. Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht At Shtjefën Gjeçovi.
Mbas vitit 1912, kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu, pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje, në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarve të Lirisë, kundër zaptuesve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne, që përjetësisht ka mbetë Heroike.
Në fushën e letërsisë, krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohtun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihën, kryesisht të përfshime në Genocidin komunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut. Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë e realizmit socialist antiatdhetar. Mjaft dorëshkrime të Tijat, u plaçkitën nga komunistët, kur bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder, në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë përfunduene pjesërisht në Jugosllavi dhe një pjesë tjetër janë ende sot, në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
At Gjeçovi, në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si, bje fjala nga Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue A. Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.”
Ja, dhe një fragment i poezisë “E drejta!”:
“M'kam, se Atdheu don që t'vllaznohi
E njihni n't'bame t'keni e n'fjal
M'kam, se Atdheu don që t'bashkohi
Hovin hujliut, vllaznisht me j'a ndal
.....M'kam, shqyptart, m'kam, e n'zemrat trimnohi!
M'kam, flamurin e Shqypnis qit-e ndrit
Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
Gjuh’n tande, n't'cilën Mama t'ka rrit
N'drit me qitun, prej Zotit ke leje
.....Ngrehu prej gjumit, se mjeft t'ka topit!”

Si thëmelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohtë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët ilire, Zoja e zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj. Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres.
Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën Autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiq të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar.
Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit, ....etj. për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica, i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë shqiptar këto fjalë:
“At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë - si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane - At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb'udhë nga Shkodra n'Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, - se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej. Famullia - një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë - qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j' a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin…
Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur - dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”

Aty rreth vitit 1954, 55...
I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit...kishim përpara një portret të Tij...Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë:
“Profesor, po, edhe këta dy sy Shqiponjet, armët serbe i këthyen në dy shpella..?”

Imazh
Melbourne, Tetor 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
MëparshmePërpara
Posto një përgjigje 504 postime · Faqe 4 prej 51 · 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 ... 51
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 3 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 18 Prill 2021, 10:47
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari