Gjithcka mbi naten e erret 45vjecare komuniste shqiptare
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 363 postime · Faqe 1 prej 37 · 1, 2, 3, 4, 5 ... 37
120 VJETORI I LINDJES SË IMZOT GASPËR THACIT
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
120 VJETORI I LINDJES SË IMZOT GASPËR THACIT, Posted 16 Prill 2009, 21:03
Nga Fritz RADOVANI:
Imazh
120 VJETORI I LINDJES SË IMZOT GASPËR THAÇIT
ARGJIPESHKËV METROPOLITAN I SHKODRES
Imazh


Imzot Gasper Thaçi asht Argjipeshkvi i fundit Metropolitan i Shkodres, mbasi në rregjimin komunist pat vetem Ipeshkvij, të cilët mbas Tij ishin Imzot Bernardin Shllaku, që ishte Ipeshkëv i Pultit dhe erdhi në Shkoder dhe, ma vonë në vitin 1952 u shugurue Imzot Ernesto Çoba, i fundit Ipeshkev i Shkodres. Imzot Thaçi vjen nga një familje e njohtun e qytetit të Shkodres për intelektual të shquem. Ka le në Shkoder me 23 Janar 1889 dhe ka vazhdue studimet në vendlindje. Asht i brezit klerikal të prëgatitun në Austri, n’Insbruck dhe mbasi përfundoi studimet e larta teologjike atje, u shugurue meshtar në Shkoder, me 21 Shtator 1911, emnohet si famullitar në Dioçezin e Sapës. Deri në vitin 1929 asht ndër disa katunde të Zadrimës, Nënshat, Dajç dhe Qelëz të Pukës.
Në vitin 1930 asht famullitar i Shkodres. Nga Delegati Apostolik Imzot Giovani Della Pietra me datën 19 Mars 1936 shugurohet Argjipeshkëv i Metropolit të Shkodres, kohë në të cilën vdes Imzot Lazër Mjedja. Sekretar kancelar i Tij asht Dr. Don Tomë Lacaj, një nga klerikët ma me vlerë në fushën e kulturës dhe të drejtave kanunore të Kishës.
Imzot Thaçi ka shërbye plot 10 vjet në detyrën e Argjipeshkvit, por duhet cilësue se koha e shërbimit në rregjimin komunist edhe pse kje vetëm dy vjeçare, la një histori që u quejt me të drejtë “e pafund”, mbasi të gjitha dallgët e Kishës dhe të Klerit Katolik janë kenë shkapetë për Fëtyren e Imzot Thaçit. Imzot Gasper Thaçi jo vetëm dijti me drejtue aso kohe të vështirë Kishën, por edhe organizoi në mënyrë të saktë dhe të përpiktë edhe ate që ma vonë i rezistoi me nderë dhe pa u turpnue fortunës shkatrrimtare të komunizmit. E nuk duhet harrue se përballë Tij ishin fanatikët ma përbindsh anadollak që drejtonin partinë dhe shtetin komunist shqiptar Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të njohtun nga Imzot Thaçi dhe Don Tomë Lacaj që me datën 24 Mars 1945, kur mbas Vorrezave të Rëmajt pushkatuen me grupin e Prenkë Calit edhe poetin e latrarin e madh Don Ndre Zadeja. Fëtyrat e tyne në të vërtetë ishin zbulue një muej ma përpara me 5 Mars 1945, kur në Tiranë, pushkatuen të cunguem kambësh me sharrë druevari publicistin e opozitarin e madh Don Lazër Shantoja me atdhetarin Sulçe Beg Bushati. Vrasja në pabesi e At Lekë Lulit që ishte angazhue me forcat e Legalitetit, siç tregonte At Konrrad Gjolaj, i kishte krijue njëfarë pesimizmi në ndërgjegje Imzot Thaçit, mbasi At Lekë Luli para se me u angazhue me Luftën Nacional Çlirimtare, ishte konsultue me Imz. Thaçin ashtu si edhe Don Luigj Pici që pësoi të njajtin fat në Reç në vitin 1946, nga komunistët. Nga ajo pabesi Imzot Thaçi nxori si përfundim se Kleri nuk duhet me u përzi ma në politikë, gja që u reflektue tek Provinçiali i Françeskanve të Shqipnisë At Mati Prennushi, në letrën që i drejtoi të gjithë klerikve françeskan të gjithë Shqipnisë në vitin 1944, “që asnjë klerik nuk lejohet me u marrë dhe me u angazhue me politikë”. Këtu fillon paknaqësia e komunistave që merr formën e preme dhe pa asnjë lëshim nga ana e Imzot Thaçit, në fillim të vitit 1945, kur sherbëtori besnik i Enver Hoxhës Sejfullah Maleshova, kërkon nga Imz.Thaçi që, At Gjon Shllaku me formue një Parti me parime Demokristjane për zgjedhjet e 2 Dhetorit 1945, gja e cila u refuzue pa u diskutue fare përveç se me Provinçialin At Mati Prennushi. Largimi i Delegatit Apostolik Leone G. Nigris nga Shqipnia me 5 Maji 1945, zbulon zyrtarisht edhe politiken e qeverisë së re të Tiranës komuniste ndaj Vatikanit dhe Papës. Para largimit përfundimtar të tij nga Shqipnia Ai u takue me Sekretarin e Argjipeshkvit Don Tomë Lacën dhe ndihmës Sekretarin e Tij, Don Mark Hasin, të cilët asnjeni nuk pranuen me u largue nga Atdheu. Jo larg por mbas një viti të dy do të arrestohen dhe do të vuejnë dënime të randa, mbas pretencave të prokurorve të dënuem me vdekje, me pushkatim. Don Mark Hasi e mbylli edhe jetën në vitin 1981 në kampin e shfarosjes komuniste në Ballsh, i dënuem me 25 vjet burg.
Imzot Thaçi, kur u shugurue Argjipeshkëv, më ka pas tregue Don Mark Hasi aty nga viti 1962, asht sëmurë randë në ceremoninë e zgjatun prej disa orësh dhe prej asaj ditë nuk asht sherue kurrma nga sëmundja e zorrës së trashë, që ma vonë asht kombinue me një diabet të randë e, që të dyja bashkë ma vonë u bane shkaku i vdekjes së Tij. Këto smundje Ai i përballoi me shumë trazime nga Sigurimi i shtetit, i cili kontrollonte çdo lëvizje të Tij, aqsa shumë vetë e kanë quejtë até kohë “arrest shtëpije”, sëpse Ai evitoi çdo takim me të gjithë autoritetët shtetnore, tue u “justifikue si i sëmurë” që nga Mehmet Shehu e deri tek Tuk Jakova etj. Asht takue vetëm me Enver Hoxhën kur i ka thirrë të dy bashkë me Imzot Vinçenc Prennushin, Argjipeshkëv i Durrësit dhe i ka kerkue shkëputjen e Kishës Katolike Shqiptare nga Vatikani, gja të cilën nuk ia kanë miratue asnjeni aty në atë takim.
Ngjarjet e ndodhuna në Shkoder në mesin e vitit 1945, në lidhje me refuzimin e Imz. Thaçit ndaj kërkesës së Sejfullah Maleshovës, dhe organizimi e formimi i Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga seminaristi Mark Çuni në Seminarin e Jezuitve, trathtia e dy antarve të organizatës me zbulimin dhe denoncimin e saj nga Zef Kuçi, nga fundi i vitit 1945, arrestimet e bame në masë nga Sigurimi i shtetit në prag dhe mbas votimeve, akuzat e rreme ndaj At Giovani Faustit SJ., At Danjel Dajanit SJ. dhe At Gjon Shllakut OFM., veshja e Tyne me ata akuza false për me realizue pushkatimin e Tyne me 4 Mars 1946 janë kenë shtysat kryesore ma të forta për shkatrrimin shëndetsor të Imz. Thaçit, i cili me datën 26 Maji 1946, mbyllë sytë tue “ndigjue me veshë” deri në çastin e vorrimit të gjitha vëprimet e spijunve komunista, të cilët edhe në momentët e fundit organizojnë të gjitha forcat me pengue funeralin, pjesmarrjen e qytetarve e të rinisë shkodrane në vorrim të Argjipeshkvit të paharrueshëm për të gjithë qytetin. Studentët katolik të gjimnazit të Shtetit kërcejnë nga dritaret për me shkue në Kishën Kathedrale, ku do të thohej Mesha solemne me korin e drejtuem nga Prenkë Jakova dhe muzikanti At Filip Mazrreku. Vetë Zv. Delegati Apostolik Imzot Frano Gjini, drejtonte ceremoninë. Predikatari i njohtun në oratori Imzot Gjergj Volaj, do të bante me fjalën e Tij prekse një popull me kja...Pjesmarrja e të gjithë klerikve të Shqipnisë, murgeshave të të gjitha urdhnave, bashkimi i xhakojve të dy seminareve të jezuitve dhe fretenve ndonse të shpërndamë dhe të mbyllun nga shteti, ka tronditë aq shumë pushtetin komunist, sa me të drejtë At Konrrad Gjolaj do të shkruejnë se:
“Punën e bame deri at’ditë me rininë, ia prishi një arkivol..
Rinia shkodrane i dha me kuptue komunizmit se, na nuk mposhtemi, se na do të vazhdojmë rrugën e ndritun ndër shekuj nga Kleri, se na jemi filizat e kombit që ju nuk mundeni me na shue, se na asnjëherë nuk trathtojmë Idealet e të Parve tonë dhe, se na nuk e duem kurrë komunizmin!” (Libri “Çinarët” fq. 92).
Një kamjon i vëndosun tërthuer në Serreq për me blokue rrugën ku do të kalonte kortezhi mortor, ndonse u shty nga forca e të rinjve asht kenë simbol i asaj tragjedije që do ti vinte Klerit, intelektualve, rinisë dhe qytetarve shkodranë në kohën që do të vinte mbas. Edhe gjyqet e zhvillueme me klerikë në vitët e “Revolucionit Kultural” të 1967 e deri në dënimet e fundit të diktaturës komuniste, në përmbajtjen e tyne kanë ato akuza që kishin “armiqtë e Popullit” të dënuem për funeralin e Imzot Thaçit, i cili gjithmonë ka zanë vend në faqet e para të proceseve të hetuesisë si “Thëmelues” i Partisë Demokristjane Shqiptare, Parti e cila as nuk asht thëmelue, as nuk asht mendue me u formue kurrë, as nuk ka pasë asnjëherë Kryetar as edhe një anëtarë dhe, as nuk asht ba kurrë një mbledhje për me pasë një Parti Demokristjane të organizueme nga Kleri Katolik Shqiptar, mbasi do të sillte ato pasoja që sjellë edhe sot mbas 65 vjetësh, vetëm “përçamje”, sëpse formimi i Saj do të kishte si qellim kryesor afrimin me shtetet e Evropës, gja e cila ishte krejt në kundërshtim me politikën komuniste sllave e orientale që ndiqte atëherë e sot pjesa e angazhueme me politikë në qeveritë shqiptare. Kjo ide do të përfaqësonte vetëm një pakicë të popullit tonë që mund të mbështetej vetëm nga pak musliman që kishin studjue në Evropë Përendimore, ose në gjimnazet e fretënve apo të jezuitve si Myfit Q. Bushati, Xhevat Xhyrezi apo Qemal Draçini e Muzafer Pipa që i mbytën në tortura pa kenë kurr anëtar të kësaj Partije...
Po sikur të ishte kenë formue ajo Parti? – Përgjigjën e ka dhanë At Gegë Lumaj në gjyqin e zhvilluem në Kishën e Murgeshave, me datën 25 Prill 1968 :
“Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin pa kenë kurrkund Partia, po, ba me pas kenë, çka paskeni dashtë me ba ndër né, ju, kështu edhe po na qitni fare!”
(Dosja nr. 2291, Arkivi i min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
Veprat makabre të komunistëve shqiptar janë të paimagjinueshme jo vetëm nga ata që nuk ishin mbrenda kufinjve shtetnor të Republikës Socialiste të Shqipnisë, por edhe nga ata që po rritën në kohën mbaskomuniste të sotme. Asnjëherë nuk ka ndodhë ajo që u ba në vitin 1967 në Shqipni, tue rrafshue veprat e artit, të kultit dhe të fesë e tue marrë Eshtnat e të vdeknve që ishin të varrosun ndër Kisha me i tretë ndër lumejt pranë qytetit...
Edhe Neroni që ka djegë Romën ka një vorr në Itali...
Ndërsa, tek na në Shqipni, hapën vorret e Atyne që kanë vue thëmelet e qytetnimit Evropjan dhe pushtetarët fudull komunist, provojnë ndër gishtat e duerve të tyne unazat e Ipeshkvijve të vdekun për me i vjedhë dhe me ia çue “shoqeve” të tyne komuniste...Kjo ka ndodhë pikërisht me unazen e gjetun në vorrin e Imzot Thaçit...në Kathedralën e Shkodres, kur u këthye në pallat sporti...E këto vepra plaçkitje të turpëshme u vazhduen edhe në të gjitha Kishat e Xhamijat e Shqipnisë nga “komisjonet” e hajdutve të krijuem nga shteti, të cilët vodhën shalldana, kupa, lampadarë, rroba kishe, mbulesa Elterësh, korniza, e deri tek saxhadet e qylymat e Xhamijave, të cilat janë endè sot në shtëpijat e tyne...
Kush asht ai që i falë këta shkatrrues të Atdheut, Fesë, Shtetit, artit dhe kulturës sonë qindra vjeçare, të trashigueme me aq shumë sakrifica dhe mundime?
Shteti Shqiptar forcohet dhe përparon vetem atëherë kur të vehet në vend drejtësia!
Pa drejtësi nuk ka ecje përpara!
Pa drejtësi nuk ka Shtet!
Pa drejtësi nuk ka Pajtim Kombëtar!
Pa Pajtim Kombëtar nuk as Paqë, as Drejtësi!
Imzot Gasper Thaçi asht Ai Argjipeshkëv i Shkodres, që edhe i vdekun “organizoi” Demostratën e Parë antikomuniste në Shqipni me datën 26 Maji 1946.

Melbuorne, Prill 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FRITZ RADOVANI ''MOS KENI FRIKË!'', Posted 18 Prill 2009, 00:39
Nga Fritz RADOVANI:
“MOS KENI FRIKË !” “NON ABBIATE PAURA !”
ImazhImazhImazh

Padër Anton Luli me Papa Gjon Pauli i Dytë 1993 në Vatikan

Imazh

Asnjëherë deri sot nuk kam pa një vlersim të drejtë dhe të saktë që i asht ba vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipni. Kanë me kalue vite e vite për me mërrijtë ma përpara me kuptue na kush ishte Ky Papë, mandej me dijtë rendësinë e vizitës së Tij në Shqipni apo, ma saktë, vlerën e asaj vizite historike në ekzistencën e Shqipnisë Demokratike...
Në zhvillimet e ngjarjeve të mëdha të Popullit dhe të Shtetit Shqiptar, roli që ka luejtë në gjithë historinë tonë, tue fillue që në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut e deri në ate moderne, ku çdo çast diskutohej kenja ose moskenja e tansisë sonë toksore si Shtet, roli i Vatikanit ka kenë gjithmonë vendimtar për fatin tonë. Unë nuk kam në mend me ba përsëritjen e atyne fakteve historike në lidhje me këte që thashë, as përsëritjen e atyne ngjarjeve ku diskutohej se kujt i përket Korça apo Gjinokastra, Kosova apo Çamëria, Hoti apo Gruda, Himara apo Vorio Epiri, por do të cilësoj se rishikimi dhe rivlersimi i të gjitha momenteve kyçe për fatin e Shqiptarve dhe i Tokës së Tyne që thirret Shqipni, asht i lidhun për Eshtnat e Klerit Katolik Shqiptar, i cili tek na asht kenë gjithmonë besnik ndaj Papës dhe Vatikanit që në ekzistencën e Katoliçizmit në Shekullin e Parë të Epokës së Re. Kjo besniki e Klerit dhe e ndjekësve të Besimit Katolik në Shqipni asht vlersue dhe vazhdon edhe sot me u vlersue nga të gjithë Papët e Kishës Katolike. Nëse ngjarjet historike në rrethana të veçanta dhe të vështira kur Shqipnia ishte e okupueme nga forca t’egra dhe shfarosëse të elementit katolik na duket sikur Papët kanë heshtë, jo, se, atëherë, kur duhej çue zani për rimëkamjen e Shteti Shqiptar, asht kenë i pari Vatikani që ka ngritë zanin dhe iu ka ndalue dorën atyne që me “shpatë” kërkonin coptimin e tokës sonë tue fillue nga shtetët fqinjë. Kjo nuk ka ndodhë për asnjë interes të Vatikanit në drejtim të shtrimjes së ndikimit të Tij, por vetëm e vetëm për hirë të sakrificave të mëdha të Popullit tonë, që tue kenë mjaft i vogël në numur ka lanë mbresa të mëdha për me e ruejt me dinjitet Fenë e Krishtit dhe identitetin e Tij në trojet e veta. Merita historike i përket Alpeve sëpse, Ata e kanë pague ma shtrenjtë se kushdo qendresën tue fjetë me armë në nënkrejsën shekullore të cungës apo të gurit palatuem, gja që e dëshmon gjaku i derdhun rrëkajë ndër ato vise.
Mbas ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipni, në muejn Maji 1945 u ba edhe shkëputja zyrtare e Shqipnisë nga Vatikani. Shqipnia hyni në rrjedhën e Evropës Lindore jo me dëshirën e saj, por e dhunueme nga vëndimet historike të shteteve të Mëdha. Fati i saj u vëndos në Jalta nga dy kokëkrisunit e shpartalluesit e Evropës Rusveltit dhe Stalinit, pasoja të cilat vazhdon me i pague edhe sot jo vetëm kontinenti plak por edhe vetë Amerika.
Një ndër shtetet që e ka pague shumë randë peshën e diktaturës komuniste dhe, që nuk e ka meritue për asnjë arësye atë dhunë e përsekucion asht kenë edhe Polonia. Për me u përjetsue okupacioni rus aty u pat vëndosë edhe qendra e forcave okupuese të “Traktatit të Varshavës” pikërisht, në Poloninë heroike të Luftës së Dytë Botnore kundër nazizmit.
Tokat e përmbytuna me gjakun e Martirve të Atdheut njëditë Ato do të shpërthejnë, do të plasin sikur t’ishin vullkane dhe, prej Tyne do të dalin frutet e sakrificës dhe të heroizmit që nuk humbin kurr, nuk tretën as nuk shuhën por, gurzohen dhe ngrihën lartë tue ngritë ndër Ata vende Monumentët e Përparimit të njerzimit. Edhe Shqipnia, ndonse shumë e vogël por edhe Ajo si kokrra e grunit që thotë Shën Gjoni Apostull, kjoftë edhe një kokërr e vetme, kur bie në tokë dhe kalbët ban aq shumë frute sa të shtuemit nuk ka fund...kështu, edhe Martirët e këtij Populli kaq të vogël ranë me heroizëm të pashoq nën diktaturat e njëmbasnjëshme, por së fundi bijtën...dhe frutët e Martirizimit do të jenë të pafund...
Ardhja e Kardinalit Vojtila me 16 Tetor 1978 si Papë në Vatikan, nuk asht vetëm një akt i posaçem historik, por asht një akt i ndryshimit të rrugës së historisë në kohën moderne, ku njerzimi dhe kryesisht Evropa, e cila ishte plotësisht e zhytun në moçalin e diktaturave të njëmbasnjishme të Shekullit XX, apo shekullit të fluturimeve kozmike... kur Bota ndahej në disa klasifikime, tue mos hy me përsëritë se në cilën “botë” ishte atëherë dhe vazhdon me kenë edhe sot Polonia apo Shqipnia...na duhet të ndalohemi vetëm në një fakt: Në Vatikan Kardinali Vojtila vjen Papë mbas 445 vjetësh të kenjes së Tyne italian. Ai vjen nga Polonia kur endè zgjedha komuniste asht mbi Popullin Polak dhe, që në vitin 1980 Ai di se, karrshi tokave të lame me gjak shqiptarësh në Jugun e Italisë n’Otranto, ku u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, asht prap sot një popull i vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër.. “.asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë...”
Ardhja Papë e Gjon Palit II ka dy shpjegime me shumë vlerë për me u kuptue sësa i Madh qendron Portreti i Tij në Historinë Botnore: Ai vjen nga një vend ku vazhdon me kenë komunizmi stalinjan në pushtet dhe, pikërisht, një Kardinal Vojtila që e ka provue até mbi shpatullat e Tija, por vjen pikërisht në Selinë Botnore të Katoliçizmit, në Vatikanin Dymijvjeçar, kur atij komunizmi totalitar “Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky asht misteri i Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue anën shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar dhe me e zhbërthye ate si Gjon Pali II.
Sistemi komunist që në lindje të tij asht sistem i mbërthyem ndër kriza ekonomike, sëpse lindë dhe zhvillohet në shtete të mbrapambetuna në ekonomi, por vazhdon me kenë “sundues” i pamëshirshëm për dekada të tana, sëpse klasa që pasunohet ushtron dhunën e diktaturës mbi masat e gjana të krejt një populli, tue e shfrytzue dhe vorfnue përditë dhe ma shumë dhe, njëkohësisht, tue e mbajtë nën frenin e terrorit. Frika, terrori dhe vorfnia vijnë e depersonalizojnë njeriun deri në shkallën ma të ultë të njohtun në rendin skllavopronar.
Pikërisht këtu, në këte moment historik të shoqnisë njerzore të Evropës Lindore, asht Kardinal Vojtila që zhbërthen prangat e tiranisë komuniste me tri fjalë të vetme:
“NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, njeh parimin filozofik të Historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin me Kristjanizëm... pra, pa gjakderdhje dhe me paqë, por jo me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov...
Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Regan dhe Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të ndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer...që posa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën: “nënshkruenin marrveshje paqe dhe dashnije të pakufi për mbarë Njerzimin!”, ja, pra, Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë!
Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin Shqiptar dhe për të Shqiptarët e të gjitha Besimeve...” Ky ishte Ai Burrë që do të thente akujt shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt gjysëm shekullore të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga krejt Bota Përparimtare!”.... Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet demokratike atje, deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue për Lirinë e Atdheut tem!” ...Ai dinte me çmue Lirinë dhe Pavarësinë e Popujve të të gjithë Botës dhe, jo, pa qellim tha në Kathedralën e Shkodres së dhunueme: “Historia endè nuk e ka njohtë atë që ka ngja në Shqipni. Pra, të dashtun Shqiptarë, drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit evropjan! Asht e domosdoshme që Evropa mos të harrojë!”...

Ky, pra, ishte Ai Burrë që i kujton Evropës se çka duhet me dijtë por, edhe çka nuk duhet me harrue! Asnjëherë këto fjalë të Vojtilës nuk do të mund të quhen kujtesë, as në historinë e Shqipnisë dhe as në ate të Evropës, por asht një vërejtje e randë që Papa i ban Evropës, dhe Historisë së saj: “Historia endè nuk e ka njohtë ate që ka ngja në Shqipni..” Por, nuk mjaftohet me kaq, mbasi Ai e di se Evropa kjoftë edhe pjesërisht nuk asht aq e paditun për çka asht ba tek na, prandej, fati i Shqipnisë nuk duhet të mbesin në dorën e “një pjesës” së Evropës, por “drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit evropjan!”,
pra “duhet”, asht detyrë, asht kusht dhe jo mundësi që mundet ose jo, por, madje, prap ma e theksueme “Asht domosdoshmeni që Evropa mos të harrojë!”...
E, çka mos të harrojë? Të mos harrojë të tashmen por, as të shkumen...sëpse, këtu, asht fjala pikërisht për vendin që mbrojti Ate Evropë nga invazioni turk, po, që Ajo, e “ka harrue” ose ma mirë me thanë se ban sikur e ka harrue...
Ja, pra, kjo asht “domosdoshmenia” e Shqipnisë së Lirë dhe Demokratike!
E në darkë asht po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:
“Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”...
Imazh
Melbourne, Prill 2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DY VLLAZNËT TË NJË OXHAKU PËR 35 VJET..., Posted 28 Prill 2009, 14:48
Nga Fritz RADOVANI:
DY VLLAZËN TË NJË OXHAKU PËR 35 VJET…
NUK FLASIN BASHKË...

Vllaznit - Don Lazer dhe Simon Jubani

Imazh

Shumë kujt mund ti duket çudi sësi dy vllazën pa pasë asnjë të keqe njëni me tjetrin për 35 vjet nuk kanë folë kurr bashkë, tue kenë të një oxhaku. Ndokush mendon menjëherë se shkatare mund të jenë...dikush tjetër fajson plakën, dikush kushrinjtë... por, askush nuk mund të kuptojnë se këta dy vllazën janë dy Klerikë Katolik të nderuem...dhe, nuk kanë aspak të bajnë me hipotezat e sipërmendueme të tonat. Sikur të lexonim një libër apo të kishim mundësi me pa një film me jetën e këtyne dy vllazënve, në fund do të thonim me vete: “Çfarë fantazije kanë artistat, apo çfarë ideje i ka lindë atij regjizori me sajue me këta dy vllazën, pavarësisht se kjo asht fantazi, se në jetë nuk mundet me ngja dishka kështu!...”
Shqipnia asht shumë e vogël. Shkodra edhe shumëherë ma e vogël! Shtëpija ku asht zhvillue ngjarja as nuk krahasohët me asnjenën, prandej edhe asht e vështirë me u besue se kjo asht ngjarje e vërtetë e ndodhun, madje, edhe në një Shqipni të izolueme nga Bota, ku njerzit me vështirsi qarkullonin nga një qytet në tjetrin...se për jashta Shqipnie nuk bahej fjalë fare e, sidomos, për Klerikët as nuk mund të mendohej aspak...përveç arratisjes.
Shkodra dhe historia e saj janë kenë subjekt i shumë ngjarjeve tronditëse në histori, prandej edhe populli i saj me të drejtë krenohet për të kaluemen e lavdishme. Komunizmi sadist enverian në Shkoder ka eksperimentue të gjitha thanjet e fantazitë e Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Pali Miskës, Hekuran Isajt, Lenka Çukos apo Ramiz Alisë me shokë...
Lenini në 1922, thonte: “...Të asgjësojmë qëndresën e priftënve dhe të murgeshave me një mizori të tillë që t’a mbajnë mend me dekada të tana!...”
Çdo gja që nevojitëj me zbatue këte thanje e ke gjetë në Degën e Mbrendshme të qytetit Martirë të Shkodres, madje, edhe pak ma zi se i ka shkue mendja këtyne “klasikve” të marksizëm – leninizmit apo pasuesve të tyne kriminel e gjakatarë të pashoq...sëpse, aty u grumbulluen sherbëtorët e shovenistëve sllav, fanatikët antikatolikë, të gjitha fundrritë e padijes së Toskënisë dhe rrënuesit fshataresk të antiqytetnimit Evropjan Përendimor, që mbartë mbrenda vetës doktrina regresive komuniste, përballë Përparimit t’Atdheut!
Ja dhe fakti që vërteton titullin e këtij shkrimi aqsa rrënqethës aq edhe makabër me u mendue se ka ndodhë në një qytet me ma pak se 28.000 banorë në vitin 1946, ku kishte 26 burgje të diktaturës komuniste dhe disa dhetra hetues terrorist e amoral analfabet.
Ngjarja zhvillohet në rrugën Ballabane të qytetit, në shtëpinë e Zef e Çile Jubanit. Nana Çile detyrohet me përballue jetesën tue rrah me dhetra orë tezgjahun, për me rritë tre djelmë jetima. Dy prej tyne zgjedhin rrugën e Meshtarisë, Lazri dhe Simoni. Lazri vazhdon Seminarin e Jezuitve dhe kur ishte endè aty, bie në sy pregatitja e Tij serioze si Meshtar dhe si studjues i mirë në lamën e historisë. Në vitin 1947, në moshen 22 vjeçare e marrin ushtar dhe, asht në pragun e zhdukjes, kur pushkatohet shoku i Tij Don Dedë Maçaj. Pra, Don Lazri atëherë fillon Kalvarin, tue u dënue me 15 vjet burg nga të cilat shumë vite i kalon në burgun famkeq të Burrelit. Mbas 10 vjetësh lirohet nga burgu dhe interrnohet në Gradishtë të Lushnjes, ku qendron edhe 5 vjet tjera aty, deri në vitin 1963...vit në të cilin lirohet dhe vjen në Shkoder. Në periudhën e “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” të 1967 detyrohet me hy në punë në fermën “Perlat Rexhepi” të Shkodres, ku çdo ditë me biçikletë shkon me fitue “kafshatën e gojës”...deri me datën 29 Korrik 1982, që vdes i helmatisun nga një shok i punës i quejtun Marleci, kur po hanin bashkë “bukë me djathë” atë mengjez, prej një domatës që i jep ai. Në spitalin civil të Shkodres, mjekët “nuk dinë me e mjekue”...kështu, në moshën 57 vjeçare Don Lazër Jubani mbyllë “dosjen” e hapun në vitin 1947...si shumë shokë të Tij.
Simoni ishte tri vjet ma i ri, le me 5 Mars 1928. Në vitin 1946 kur mbyllet shkolla e Jezuitve nga komunistët nuk mërrinë me e përfundue, kështu punësohet si infermjer pranë dispenserisë së qytetit. Aktivizohet me sportin dhe asht ndër futbollistët ma të mirë të klubit “Vllaznia” në Shkoder, por gjatë kësaj kohe ndryshon drejtimin e rrugës së jetës, edhe pse i vëllai asht i burgosun vetëm se ishte Meshtar, Simoni ndjekë mësheftas studimet e duhuna dhe me datën 4 Maji 1958, shugurohet Meshtar nga Imzot Errnesto Çoba. Shugurimi i Tij ishte një pranim me vetdije të plotë i një Martirizimi që do ta ndiqte gjithë jetën. Asnjë pikë mëshire nuk do të kishin terroristët komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar në asnjë periudhë të kenjes së tyne në pushtet, gja e cila ishte e kuptueshme për kedo që ia hynte asaj rrugë. Ndërsa, për Don Simon Jubanin ishte edhe e provueme me vëllain e Tij Don Lazrin, i cili asokohe kalbej burgjesh e kampesh të shfarosjes...Kur Don Simoni ka lanë Shkodren dhe asht Meshtar në Mirditë në vitin 1963, Don Simoni arrestohet, kur vëllai i Tij Don Lazri, u lirue nga interrnimi, kështu, Don Simoni i akuzuem, i hetuem, i dënuem, i masakruem dhe i ridënuem, i spijunuem, i dënuem herë dhetë e herë njëzet vjet, kalon jetën 26 vjet në një nga burgjet historike të komunizmit, në Burrel, ku, Ai aty tashti kishte edhe “birucën e Don Simonit” e njohtun nga të gjithë ata që kanë vuejtë në atë burg...Lirohet me amnesti të imponueme nga jashtë në vitin 1989. Kishte 7 vjet që Don Lazri kishte vdekë...
Ishin plot 35 vjet që dy vëllaznit Meshtar të një oxhaku nuk ishin takue kurr me njenitjetrin, nuk kishin ngranë një gostë apo darkë bashkë, nuk kishin asnjë mundësi komunikimi as konsultimi për hallet apo idhnimet e jetes së Tyne, që filluen në vitin 1947 dhe vazhduen deri në vitin 1989...
Por historia e Don Simon Jubanit nuk mbyllet këtu! Meshtari “i pabindun” siç, e kanë quejtë komunistët, vazhdon me ecë shpejtë si gjithmonë edhe mbas atij burgu të tej zgjatun...gja e cila, krijon dyshime tek Sigurimi, i cili me 13 janar 1990, në pragun e Asaj ngjarje të madhe që do të lëkundin thëmelët e komunizmit edhe në Shqipni, pikërisht, atë natë Don Simoni do të arrestohet me shumë shkodranë tjerë, që me datën 14 Janar kishin organizue një Demostratë të heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, ku mendohej se “edhe mund të rrëzohej monumenti i Stalinit”, për këte arësye xhelati Zylyftar Ramizi me urdhën të diktatorit gjakatar Ramiz Alia, bani ata arrestime që u pasuen me masakra dhe tortura nga të cilat, ata, që i provuen me ditë të tana nuk kanë muejtë me u çue në kambë. Por Don Simoni asht i pafaj. Lirohet, ndërsa, organizatorët e Asaj Demostrate dënohën.
Vrasja e Djaloshit Pëllumb Pllumbaj në tentativë arratisje ishte prap një trathti e re mbi ligjin e aprovuem “me gjobitje” për ata që kapën në kufi. Sigurimi shtetit dhe UDB-ja jugosllave vazhdojnë së bashku, lojën e vjetër të mashtrimit dhe të dorzimit të atyne që mund të mendonin me u arratisë. Askujt nuk i shkon mendja se funerali i Pëllumbit të Ri do të jetë një revoltë e Atyne Heronjve që banin mbi sypet e tyne arkivolin e Atij Djali. Posa korteu mërrinë tek komiteti i partisë së Shkodres, shpërthen dufi i një Populli që ka ndrye në zemër për 45 vjet urrejtjën për komunizmin, Ramiz Alinë dhe Nexhmije....Hoxhën dhe, vazhdon thirrja e Atyne Burrave gjatë gjithë Fushës së Çelës, nga Rusi e deri tek vorret e Stom Golemit, ku me arkivol në krah bahën thirrje për rrëzimin e komunizmit...
Mbas kësaj ngjarje në muejn korrik, duket sikur koha po ecën ma shpejtë. Afrohet muej i Purgatorve, Nandori i 1990. Zakonisht në Shkoder asht tregue shumë kujdes për rregullimin dhe zbukurimin e vorreve në këte muej. Siduket, kur i Ndjeri Gjon Kamsi pat mërrijtë me shpëtue nga shkatrrimi Vorrezat e Rëmajt, ka parandi dishka për Atë ngjarje aq të Madhe që do të ngjasin Aty me datën 4 dhe do të pasohet me datën 11 Nandor 1990, tue u ba Dita e Fitorës së Demokracisë në Shkoder, simbol i mbarë Shqipnisë. Nën një shi e fortunë vjeshte në mes Atyne selvijave të nalta Don Simon Jubani thotë Meshën e Parë, mbas 23 vjetësh të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, të cilin e pat drejtue atëherë në Shkoder, “bilbili” i PPSH, Ramiz Alia. Ndonse, në vitin 1985, pak ditë mbas datës 11 Prill kur pat ardhë në Shkoder, pat lanë porosi: “...shoku Enver na la...armiqtë e partisë kanë për të kërkuar për të prishë unitetin tonë...do të kërkojnë për të gjetur mundësinë e realizimit të qellimeve të tyre të këqija ndaj partisë,...prandaj, të jemi vigjilent, sidomos me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë partinë. Ata në këte situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të partisë sonë...por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit...”.
Dhe, me të vërtetë nga data 4 Nandor e deri me 10 në darkë, mund të thohet se disa apartamente karrshi Vorrezave të Rëmajit kishin aq arsenale armësh në katët e sipërme, sa ndoshta po të përdoreshin, njerzit që do të vriteshin do t’ishin ma shumë sesa të varrosunit aty në 100 vjet që janë hapë Ata Vorre. Vagona të tanë me sampista e ushtarë...gadishmeni nr.1 në të gjitha repartet ushtarake të Veriut. Telefoni i Ramiz Alisë për orë të tana të datës 10 të së shtunës, i jepte urdhna sekretarit të parë të PPSH Shkodres Xhemal Dymbyles, sesi me ba gjakderdhje e terror me datën 11 në Rëmaj, nëse Don Simon Jubani do të guxonte me thanë Meshën e paralajmërueme nga Ai vetë, që me datën 4 Nandor ora 12.00...
Aty nga ora 10.45’ jam nisë me shkue me të gjithë familjen ndër Vorre. Kur ishe tek dera e Vorreve, vërejta shumë Musliman jashta Vorreve të grumbulluem tek dera. Unë për një çast dyshova për ndonjë keqkuptim, përderisa ata ishin në rrugë jashta Vorreve. Njohta një ndër Ata dhe e pyeta se, pse keni ndejë përjashta? Ai më tha: “Ju hyni e shihni Meshë, nëse do të ndërhyjnë forcat speciale dhe ushtarët që janë ndër vagonat e trenit kundër jush, na do të futemi menjëherë mbas tyne dhe do të përdorim armët që kemi në trup dhe mbas këtyne apartamenteve ndër makina...Rrini të qetë se vëllau në ditë të ngushtë njihet, na nuk largohemi prej këtu pa përfundue Mesha...jemi ma shumë se 500 vetë!”...
Uniteti i Popullit të Shkodres në datën 11 Nandor 1990 dhe, tek Xhamija e Plumbit me datën 15 Nandor, asht Modeli i Vllaznimit të Muslimanve dhe Katolikve Shkodranë, që i bashkonte një Truell i Vetëm që quhët Shqipni, e lame me Gjakun e Martirve të Saj: Ndue Pali, Caf Meta, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Kolë Prela, Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e mijra, mijra të tjerë që lindën, luftuen dhe ranë Heroikisht të gjithë bashkë po, pranë Atyne Vorreve, ku ishin Betue mbi gurët e Tokës Nanë Shqipni.
Rinia e sotme Shkodrane, duhet të përulet me Nderim para gurve të Zallit të Kirit dhe, të mundohet “vetëm” me rikujtue: “Pse vdiqën së bashku Këta Vëllazën?!..”
Kurr mos harroni thanjën e një filozofi të madh Shqiptar, At Anton Harapit:
“Lumninë e jep deka, Kunorën e ven Vorri!..”
Me 11 Nandor edhe Don Simon Jubani mbi Ata Vorre vuni një Kunorë dafinash!
E,...unë e pashë me sytë e mijë Atë Burrë me dorë të drejtueme nga një gropë e hapun në Rëmaj, kur, i tha komunizmit:
“Hi ke kenë e, hi ke me u ba!...”
Po, po, Aty,... Aty, ku lindi përjetësisht: “Liria dhe Demokracia Shqiptare”....
Imazh
Melbourne, 2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Fritz RADOVANI:
PËRKUFIZIMI FILOZOFIK I SISTEMIT KOMUNIST
Imazh

Imazh
“Only the fools don’t become crazy in the communist system”
Joseph Shantoja.

Tue fillue nga historia e kohës ma të lashtë e deri në ditët tona, jeta e shoqnisë njerzore asht përshkue ndër etapa të ndryshme tue u cilësue si sisteme të asaj kohë. Popujt e ndryshem kanë kalue dashje ose padashje ndër këto etapa, tue lanë secili në truellin e vet një epitaf ose monument për atë kohë të shkueme ndoshta edhe me disa shekuj! Mbas secilit sistem ka ardhë një tjetër që me zhvillimet e veta ka ba shpesh me u harrue ai sistem që ka kalue ose, në shumë raste me u kujtue për keq koha e shkueme.
Në Shqipni pothuej gjithmonë ka ndodhë krejt ndryshej nga vendët tjera. Kjo ka ardhë si pasojë e zhvillimeve tona nën thundrat e zaptuesit, i cili ka kenë edhe shekullor.
Kalimi nga një sistem në tjetrin asht kenë si thotë populli: “Nga shiu në breshën!..” por, për çudi në asnjë epokë Populli Shqiptarë nuk shkoi drejt zhdukjes nga harta gjeografike dhe politike edhe pse ishte ndër vendët ma të vogla në kontinentin e Evropës. Madje, duhet thanë edhe kjo, se Shqiptarët kanë lanë edhe mbresa historike, si bie fjala, koha e artë e Luftave Heroike të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, që asht ma e lavdishmja e jona.
Popujt e vogjel presin e përcjellin pushtues tue shpresue se “njëditë” një “forcë e madhe” do të mendojnë edhe për ta. Pikërisht këta momente historike janë pasue edhe me përkufizime filozofike të popujve që kanë andrrue tue pritë “Lirinë”... Faktorët kryesor të mendimit janë përcaktue nga rrethanat ekonomike të popullit në përgjithsi, mbasi niveli i zhvillimit kulturor asht kenë në stadin ma të ultë, për mos me thanë shumë ma keq se zhvillimi ekonomik. Si shembull mund të kujtohet “koha e bollucës” pra, koha e “bollekut” të cilën, e kujtojmë edhe na si thanje popullore që pëdorej nga pleqtë tonë. Unë cilsova një rasë ku një sistem përcaktohej nga bolleku ekonomik, ndërsa për zhvillimin kulturor të asaj kohë as nuk bahet fjalë. Për me dashtë me shkrue saktësisht për mendimin filozofik të një populli ase një krahine asht e domosdoshme me studjue thanjet popullore të asaj treve apo atij populli që njeriu do me ba studimin. Ky mendim përputhet me studimet e bame shumë vite ma përpara nga At Shtjefen Gjeçovi, Imzot Frano Illija, At Donat Kurti, At Bernardin Pali, Don Aleksander Sirdani etj. kolos të mbledhjes dhe të studimit të mendimit të Popullit Shqiptar. Një thesar i madh për këte temë asht dorëshkrimi i At Donat Kurtit, “Fjalori Frazeologjik i Gjuhës Shqipe”, i grumbulluem për 20 vjet në Burgun e Burrelit, prej 45.000 frazash nga të gjitha trevat e Shqipnisë. Ky dorëshkrim i asht mbajtë autorit nga komanda e burgut ditën e lirimit nga ai burg famkeq. Vepra asht me shumë vlerë se asht grumbullue nga shtresa të ndryshme të shoqnisë shqiptare që kanë pasë fatin e keq me ra në atë burg të mnershëm, ku vuente dënimin edhe dijetari At Kurti.
Shkenctari i madh At Shtjefen Gjeçovi OFM, na la thesarin e çmueshem të studimit të përmbledhun prej Tij në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, vepër e cila asht baza e vërtetë mbi të cilen kushdo që mendon me njohtë shoqninë shqiptare, duhet ti referohet asaj. Aty asht mendimi filozofik, juridik dhe njerzor i një epoke që ka vue thëmelet e Shtetit tonë Shqiptar. Aty njeriu arrinë me kuptue gjenialitetin e një kombi që ka mbijetue tue u luftue në mënyrat ma shnjerzore e barbare me shekuj të tanë nga shtetet fqinjë, madje, tue ruejtë edhe identitetin e vet me kryenaltësi dhe dinjitet të pakrahasueshëm kundrejt tyne.
Pa hy ndër detaje do të sjelli disa fraza të mendimit filozofik në këte vepër:
“Familjen e përbajnë gjindja e shpisë; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznia në gjini, gjinia në fise, fiset në flamur e të gjithë së bashku përmblidhen në një Familje ma të haptë, e cila quhet Komb, e kanë një Atme, një gjak, një gjuhë, dhe doke” (zakone F.R.).
“Burri e blenë mundin e të jetuemit e grues, por jo jetën e saj.” (fq. 37).
“Shka asht shpi qi qet tym, do të ketë pronët e veta” (fq. 69).
“Kufini i ngulun një herë, nuk luhet ma” (fq. 73).“Kufini nuk ban lak” (fq. 75).
“Beja (betimi F.R.) lanë gjaqe” (fq. 119).
“Shpija e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut” (fq. 131).
“Vargu i brezavet të gjakut e të gjinisë, shkon në të pasosun (pafund F.R.) për Shqiptarin e malëvet” (fq. 141).
“Çmimi i jetës së nierit asht një, si për të mirin si edhe për të keqin” (fq. 169).
“Gjaku shkon për gisht” “Shpija e të vramit nuk mujte me ndjekë as me vra tjetër kend prej vllazënsh, nipash a kushrijsh të gjaksorit, posë gishtit – dorasit – “ (fq. 171).
“Goja s’qet kend në gjak por gishti” (fq. 229). “Gjaku thithë gjakun” (fq. 243). Etj.
..........
Jo ma pak vlerë ka edhe vepra e madhe e kohës moderne e Imzot Frano Illisë, “Kanuni i Skenderbeut” (1993), e cila përjetson me fakte organizimin e Shtetit Shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, tue vue në thëmel të Tij gurtë e palëkundun të Drejtësisë, element i domosdoshëm për ekzistencën e një shteti në rruzullin toksor.
Ja disa fraza tjera filozofike të këtij Kanuni:
“Kau lidhet për laku, burri për fjale” (fq.105).
“Hangre fjalën çove faqen e zezë ke shtëpia” (fq. 105).
“Lumi ecë, toka s’luen”. “Toka asht e shitun kur të pihet kafja” (fq.110).
“Gjyq e pleqni në gojë të Kanunit janë një” (fq. 121).
“Burrat në kuvend kanë të gjithë njësoj të drejtë fjale” (fq.134).
“Mullisi të fjetmën e ka në një brryl” (fq. 141).
“Nuk ka bé(betim F.R.) mbi bé”. “Çka dau gjyqi, preu tagani” (fq. 157).
“Hjeksi asht fika e katundit” “Shoku asht buk’e krypë” “Shoku nuk shitet” (fq.200)
“Vdekja me nderë asht kapak florini” (fq. 209). Etj...
Sikur studjuesit tonë të pregatitun të marrin në dorë këta thesare dokumentash dhe ti tregojnë botës dhe brezave të ardhshëm se, cili asht mendimi i vërtetë filozofik e juridik i Popullit tonë, kishe me thanë se, edhe shtetet ma të zhvillueme të Botës do të tkurreshin para një mendimi që mund të kenë thanë për ne të pamenduem mirë ose dashakeqës...
Nuk do të hyj me përsëritë mënyren shkencore që studjuesi i njohtun Z. Mergim Korça, ka ba për kapitullin e shumëpërfolun të “Vrasës”, mbasi lexuesi nga ai punim duhet të nxjerrin konkluzionet që koha sot na i kërkon me kambngulje, nëse duam “mos me u skuqë” kur i tregojmë një të huejt se jemi Shqiptarë!
Ata ligjë të shkrueme të atyne 500 e sa vjetve ma përpara në fund të fundit, duhet ti thomi pa ndrojtje para kujtdo, mbasi sot në “Kushtetuta e Kode Penale” të shumë shtetëve të Evropës gjejmë kapitullin “Vrasa” me shumë stërhollime tjera “moderne”, që janë shumë herë ma të turpëshme se ajo “Vrasë”, me të cilën ne na kanë quejt “barbar”!
Askush nuk mund të mohojnë faktin e Burrneshës sonë Shqiptare Nanë Tereza, kur iu dha Çmimi Nobel me 10 Dhetor 1974 dhe, Ju drejtue mbretit Olaf i V, tue i thanë:
“Po e përsëris madhni, aborti asht një vrasje...Ju, jeni një vrasës!...”.
Në vitin 1956 kam pasë rasë edhe fat me njohtë afër Prof. Kolë Alimhillin, profesor i filozofisë që kishte përfundue studimet në Austri. Nga Ai kujtoj një thanje: “Në sistemin komunist profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë ndërsa, hamajt e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” Pra, në pak fjalë përmblidhej një epokë e tanë historike. Mendimi i Tij konçiz gjithmonë ishte një përkufizim i saktë filozofik...
Në vitin 1962...njohta At Pjetër Meshkallën S.J. Më dha me lexue punime letrare të vetat. Edhe kemi diskutue shumë nga artikujt dhe poezitë e Tija. E tham këte se, mendimet filozofike të çdo fjale që ka shkrue janë volume librash që do të vlenin për edukimin e sotëm të rinisë dhe do të na ndihmonin me u çveshë nga ideologjia e hipokrizisë komuniste.
Në sistemin komunist njeriu mendon tjetër gja, flet prap një gja tjetër dhe vëpron krejt ndryshej nga ajo që ka mendue dhe ka folë.
Frika mbytë të gjitha qelizat e Lirisë së mendimit.
Njerzit i sheh tue u përtypë por asnjëni nuk di çka asht tue hangër, edhe pse asht me tjerë njerëz në sofër, sëpse asht tue mendue se çka kemi me hangër në darkë?...
Më pat pyet një komunist: “A të shkon mendja pse nuk furnizohen dyqanet një natë përpara me të gjithë artikujt që ka nëvojë populli, por lehën për mëngjez e rradhat bahën të pafund?”... Unë ju përgjigja: - Me siguri mungojnë artikujt edhe ndër magazina!... Ai qeshi, dhe, më tha: “Jo, se magazinat nuk furnizohën për dy orë në mengjez, por sikur të ishin në mëngjez dyqanet e mbushuna me të gjitha produktet e nëvojshme, njerzit do të shkonin dhe do të blenin gjithshka i nëvojitet mbrenda dy orësh, mandej, mbas orës 9 të mëngjezit do të uleshin me pi kafe dhe deri në drekë do të shanin e shilonin pushtetin e partinë... kështu, ti je i detyruem me shkue nga një rradhë në tjetrën ku të kalon gjithë dita dhe, njëkohësisht, je nën kontrollin e atyne “shokve” që ju në Shkoder ndër rradha i queni “kasketat”!...
– Edhe kjo asht një “filozofi” në vetvete!
Sikur të shkruheshin libra me thanjet dhe anekdotat e popullit për 45 vjetët e asaj përiudhe të “lavdishme” historike të socializmit në Shqipni, mendimi filozofik i Popullit Shqiptar do të ishte i pakrahasueshëm me vëndet tjera komuniste, sëpse edhe vetë sistemi komunist në Shqipni asht kenë i veçantë nga ata vende.
Edhe pse frika dhe terrori ishin të tejskajshëm, prapseprap, herë në një qoshe e herë në një tjetër shpërthente mendimi i “ndrymë” në trunin e kyçun...
Më tregonte i Madhi Pjetër Gjini: “Mbas disa muejsh që ishte në burgun e Burrelit, kishte mërrijtë edhe i burgosuni Zef Mala, kryetar i grupit komunist të Shkodres. Njëditë e kishte pyet Pjetrin: - mos je kenë ti Pjetër në hetuesi pranë birucës ku ishe unë? – Pjetri i asht përgjigjë se jo, mbasi me të vërtetë nuk kishte kenë kurr pranë tij.
Prap e ka pyet njëherë tjetër dhe Pjetri i ka thanë: - Jo, Zef, më ke pyet edhe njëherë tjetër e po t’ishe kenë nuk ta mohoj...Nuk kam asnjë arësye mos me të diftue!
- Pjetër, kanë kalue gjashtë muej e nuk më hiqet mendsh ai kodosh shkodranit që kam pasë pranë në birucë, - i ka thanë Zefi. – Më pyeti një natë se kush je ti? Unë i thashë se jam Zef Mala. Ai më pyeti prap – Ai Zef Mala i grupit të Shkodres? Unë i përgjigja, po ai jam. Ai prap kërkoi me u sigurue – Bash kryetari i grupit Zefi je ti? – Po, i thashë...
Ai mbasi heshti pak, më tha: “I ké ba hysmetin e tashti ndija lezetin!”...
Zefi ka kërkue me vazhdue bisedën për me e njohtë, po ai nuk i asht përgjigjë ma!...
Jeta ka dhanë prova se njerzit kur janë të ndrydhun, në vuejtje, skam, fukarallek, të survejuem dhe ndoshta edhe të dishpruem, atëherë, shpërthen shpirti në humor... elementi sarkazëm asht i pranishëm kudo...Por, ma e çuditshmja gja asht se në këta momente që unë përmenda ma sipër, nga njerzë fare të thjeshtë shpërthen vullkani i mendimit filozofik i një epoke, i një sistemi, i një periudhe të tanë vuejtjesh, aq fuqishëm sa, dashje ose padashje, ata njerzë bahën të pavdekshëm. Ma sipër tregova raste të thanjeve të disa profesorve, dijetarve apo klerikve dhe të ndonjë përsonaliteti. Sigurisht që vargu i tyne asht shumë i gjatë për aq shumë vjet që Shqipnia ka kalue epokat e saja të mjerueshme, por të arrijsh me dhanë një përkufizim të saktë në kohë torture, kjo asht e jashtzakonshme e ndoshta e pabesueshme por kjo që do të tregoj asht fakt, asht një e vërtetë historike që duhët shkrue.
Nga familja e njohtun shkodrane Shantoja kanë lanë mbresa në politikë, kulturë, art dhe në aktivitetet atdhetare për pavarësi kombëtare që në fillimet e Shek. XX, nga Zefi i madh i tyne, Don Lazri, etj. e deri tek Zefi i ri, që mori emnin e babës së vet, mbasi lindi atëherë kur vdiq i ati, në vitin 1922. Pa dashtë me folë për kolosin Don Lazër Shantoja në fushat e Atdhetarizmit, të publiçistikës apo të emigracionit tij antizogist, do të shenoj se Ai ishte edhe një muzikant i mirfilltë dhe luente në pjano pjesë të muzikës klasike me saktësi dhe kompetencë. Klotilde Shantoja, soprano e njohtun e skenës së operës së parë shqiptare “Mrika” të Prenkë Jakovës, që me plot gojë mund të quhej një “Maria Kalas” e Shkodres. Edhe kësaj shpejt iu ndalue dalja në skenë... Po, i asaj përiudhe asht edhe Zef (ose i thirruni Bep) Shantoja i ri, i fikun në vitët e para të ardhjes së komunizmit në Shqipni. Zefi mbasi përfundoi gjimnazin e jezuitve iu kushtue muzikës dhe u ba njohës i mirë i vjolinës, fizarmonikës dhe mandolinës. Merrte pjesë në orkestrat e shtëpisë së kulturës së qytetit dhe të radios. Në vitin 1949 e marrin ushtar dhe e caktojnë në dhomën e kulturës së repartit ushtarak. Një natë dhoma e kulturës “merr” flakë...Një “sabotim” që Sigurimi e kurdisë po ashtu sikur pat sajue asokohe ngjarjen e paharrueshme të viktimave të Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Shkodranët me banim në kryeqytet ishin pika e referimit të masakrave.
Këtu mbyllet jeta normale e Zefit, dhe fillon ajo e njohtuna prej nesh “anormale”... me një përfundim të pasherueshëm, të pafund, rrugë mundimesh e njohtun në atë kohë ndër disa jetë njerzish të mbylluna në çmendina nga përndjekja e Sigurimit të shtetit, gja të cilën mundet dhe duhet ta shpjegonte me saktësi vetëm hetuesi i tij ushtarak Sabri Godo.
Zefi vjen dhe vazhdon të sillet rrugve të Shkodres, tue vazhdue edhe përndjekja dhe survejimi ndaj tij, edhe pse konsiderohej i smurë nga njerzit, tue fillue nga vetë familja, ndonse, Zonja e Tij e nderueme i qendroi besnike pranë derisa ai vdiq...me 6 Shkurt 1979.
Aty nga viti 1970 më tregonte Prof. Gaspër Ugashi, sësi njëditë sheh nga dritaria e tij nalt tek shtëpia ku banonte tek Dugajt’e Reja, poshtë tek dyqanet një rresht të pafund njerzish që prisnin ardhjen e furnizimit me salam. Një grup djelmësh të rinj po qeshnin me të madhe dhe në mes të tyne ishte Zefi. Profesori e njihte Zefin, dinte se smundja psiqike ishte pasojë e torturave të Sigurimit shtetit, sëpse, Zefi, nuk i vuni gishtin asnjë shokut të tij në ushtri kur ai thirrej nga hetuesia... I vjen keq për té dhe zbret nga shkallat, del tek dera me mujtë me e shkëputë nga turma e të rinjve...I flet Zefit dhe e fton për një kafe në shtëpinë e vet derisa të vinë furnizimi i dyqanit. Zefi e pranon ftesën me knaqësi dhe bashkë me Profesor Gasprin i ngjitët shkallave, hyjnë mbrendë dhe drejtohën nga dhoma e zjarrit. Aty ishte një divan ku rrihej rahat dhe aty ulën...Posa, Profesori merr mjetët me pregatitë kafet, Zefi i drejtohet tue i thanë: “Profesor, mue më pelqen me ndejë me këta djelmët e rinjë se qeshëm, kaloj kohën, këta kojtojnë se unë jam i marrë, unë nuk jam i marrë, mbasi ti më njeh me kohë dhe ti e di se unë kam luejt mendësh, për mue janë të marrë ata që nuk lozin mendësh në këte kohë...
Vetëm të marrët nuk çmendën nga ky sistem!”...
Ky Burrë, viktimë e sistemit makabër komunist, ka 30 vjet që nuk jeton ma...
Ky Burrë, na la përkufizimin ma filozofik të atij sistemi ma të urryem të botës:
“Vetëm të marrët nuk çmendën nga sistemi komunist!”...

Melbourne, 6 Janar 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI
105 VJET PËRPARA EDHE NJË USHTAR MA SHUMË NË ELTERIN E FESË DHE T’ ATDHEUT!

Imazh
At Mati Prennushi OFM (4 Prill 1904–2009)

Imazh


“Jo!…Mos me e zgjedhë At Çiprianin, se komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né”. “Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi se, edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile, edhe deri tek stoli i konopit në Serbi…” Kështu shkruen At Konrrad Gjolaj OFM, në librin “Çinarët” faqe, 67.

Kush ishte Ky frat i Kuvendit Françeskan që u nis me kambët e veta para plutonit të ekzekutimit? A thue, nuk e dinte kush janë komunistat? A thue, nuk dinte se kujt i shërben Partia Komuniste Shqiptare? A thue, mendonte se ata janë me të vërtetë vllaznit tonë? A thue, nuk dinte për luftën vëllavrasëse nacional – çlirimtare në Jugun e Shqipnisë? Mos ishte mashtrue nga traktatet e marrveshjet e mëshefta gjatë luftës ndërmjet të “mëdhajve” që kishin në dorë fatin e popujve të vogjël? Çka e shtyni me u ba Provinçial?…

At Mati Prennushi OFM, asht lé me 2 Tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodres. Asht i familjes Prennushi, nipi i Don Matisë që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar i nipi At Matia. Mbas mësimeve të para në vendlindje, ndjeku të mësmet në Kolegjin e Troshanit, ku edhe ju kushtue urdhnit të Sh’Françeskut. Vazhdoi edhe dy vjet studime prëgatitore për të lartat në Bosje dhe, në vitin 1904 kryen studimet teologjike në Grac të Austrisë. Ishte njohës i mirë i gjermanishtës frengjishtës, serbo-kroatishtës dhe italishtës.

Me datën 4 Prill 1904, Shugurohet Meshtar. Në kartvizitën e Tij lart shënohet:

“Për gazmend t’Asaj ditës së Lume, kur Padër Mati Prennushi i Urdhnit të Sh’Françeskut, me të madhin gzim i rrethuem prej t’Vetve tha Meshën e Parë, në Kishën e Fretenve në Gjuhadol, Shkoder, 4 Prill 1904.”

Pak muej asht në Kuvendin e Françeskanve të Shkodres si mësues, mandej shkon Meshtar në Katund të Kastratit, ku përfshihej edhe Bajza. Aty gjenë të mbërthyeme për brez të Malësorit tonë armët e Lirisë, por të gatëshme me u shprazë mbi çdo armik me guxim, burrni e besë të pashoqe! Aty, gatuhet si buka e magjes së tyne dhe vjen tue ardhë si bukë kakinit deri sa bahet me të pasë lezet syni me e pa. Mes tyne merr zakonet e mira dhe lufton me shpirtë zakonin e gjakmarrjes…aq sa për shumë vite atje, më tregonte At Dioniz Maka, nuk asht ndi pushkë prej Baznjanve…se kudo ndër kuvendet e tyne ndodhej At Matia…Nga Katundi i Kastratit, shkon në Troboin, Gerçë Jugosllavi, në Shkoder profesor i gjimnazit fretënve, Laç të Kurbinit, Iballe të Pukës dhe në Gomsiqe në vitin 1928, në Tiranë në vitin 1941, në Shkoder në vitin 1943 dhe, në vitin 1944 asht Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë, me qender në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder.

“Pak kohë para se me ra Perandoria Turke…– dëshmonte At Dioniz Maka, me 14 Prill 1995, sësi – At Matia njëditë diele mbas Meshe, u çvesh dhe i hypi kalit me alltije në brez i ndjekun nga malësorët e vet besnikë të rreshtuem mbas Tij, u nisën me i ra Shkodres së zaptueme nga turqit, të cilët aty nga viti 1905 kishin mendue me e djegë… Erdhi lajmi në Shkoder…me të marrun vesh Valia, dergoi ndërmjetsit tek Kisha e Madhe e Shkodres, për me e ndalue këte veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqsues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqsuesi i Klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u këthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue për trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash, e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte Gloria!…”

Në vitin 1911, At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek Maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo’Lulit, me Flamurin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut të palosun në gjoksin e Tyne. Gjaku i Malësorve Trima i shkuem rrëkajë për shekuj me rradhë Fiton! Asht Dita ma e madhe e Popullit Shqiptar, dita e 24 Marsit 1911, gati pesë shekuj plot mbas vdekjes së të Madhit Skenderbe, kur edhe njëherë u ngrit Flamuri i Tij, me Shqipën Dykrenare.

“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij”, shkruen Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.

Por kjo fitore duhej shtri në gjithë Shqipninë! Asht Imzot Lazër Mjedja, që me petkun e Argjipeshkvit merr malët dhe me 10 Qershor 1911, i prinë ngjarjeve të Mëdha të Pavarësisë së Vlonës, tue shkue drejt e në çelën e At Mati Prennushit në Gerçë, ku u përpilue “Memorandumin e Gerçës” bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, etj… Ngjarje e cila endè sot asht shumë e errësueme për mos me thanë e futun në labirintet e harresës së “Historisë së Re”…

Në vitin 1926, malët ushtuen…Ata nuk u pajtuen me qeverisjen e Ahmet Zogut, i cili mbas vitit 1924 merr tipare tjera drejtuese, tue u pajtue me veprime diktature. Asht ai vit kur pothuej krejt Veriu kërkon largimin e tij nga froni…Kleri Katolik Shqiptar tue mos u pajtue me mënyren e qeverisjes së Zogut, i cili kishte ba marrveshje me Jugosllavinë kundër interesave kombëtare, doli në opozitë të haptë. Zogu dënoi me varje në litar Don Gjon Gazullin dhe, e ekzekutoi vëndimin në Rëmaj të Shkodres, ku Don Gjoni ka vorrin. Ndërsa, një pjesë tjetër e klerit u interrnuen, disa morën dënime të randa, At Matia ishte në listën e të parve që mund të pushkatohën. Asht At Pal Dodaj që ndërhynë tek Zogu dhe e shpëton At Matinë, me kusht që ky të mos shërbente ma në krahinat e malëve të Veriut. Për këte arësye dërgohet në Laç të Kurbinit, Iballe e Gomsiqe të Pukës.

Në vitin 1941, bashkë me Provinçialin e vet At Anton Harapin hapin famullinë në Tiranë, ku çilet edhe një kishë e vogël, në të cilën shërben At Matia deri në vitin 1943, vit në të cilin At Antoni shkon në Regjencë Shqiptare dhe, At Matia e zëvendson në Shkoder, por zyrtarisht asht Provinçial i Fretenve të Shqipnisë, në muejn Qershor të vitit 1944.

At Dioniz Maka thekson: “Në Kishën Françeskane në Tiranë, me 28 Nandor 1942 Ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipen e flamurit të Deçiqit (1911), pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetët shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme por, prej tyne konsiderohej“françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane.” (Dëshmi e A.D.Makës, viti 1995, në Shkoder).
Vrasja e kryeme trathtisht kundër At Lekë Lulit, i angazhuem në Luftën Nacional Çlirimtare me Organizatën e Legalitetit dhe veshja e figurës së Tij me motive të ndryshme nga e vërteta, e detyrojnë At Matinë me dërgue një letër në të gjitha famullitë, ku urdhnon në mënyrë të preme mosangazhimin e fretënve me poltikë. Kjo letër ruhet edhe sot nga Arkivi i Shtetit në Tiranë. E theksova këte fakt sëpse ajo letër tregon largpamësinë e Tij dhe aftësinë organizative të At Matisë, të cilin me të drejtë At Konrrad Gjolaj, bashkohës i atyne vitëve e quen: “Ardhjen e At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanve të gjithë Shqipnisë unë e kam konsiderue si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanve. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator…” (A.K. Gjolaj “Çinarët”, fq. 65. 1996.).

Kjo asht koha ma delikate dhe e turbullt e atyne vitëve. Në 1944 në Kuvend shkojnë nana shkodrane me kërkue shpëtimin e djelmëve të tyne nga kampet nazi – fashiste, mjaft të rinjë me survejue Klerin se çfarë qendrimit asht tue mbajtë në lidhje me Luftën, disa të tjerë si, Pjerin Kçira me shokë shkojnë me lypë ndihma për jetesë, ndërsa shumica, si mbas zakonit në ato situata kërkojnë me rrah në dy krahët e, këta të fundit pa kalue as një vit do të dëshmojnë “për veprimtarinë antikombëtare të françeskanve”, madje nuk do të kursejnë edhe “pështymjet” e tyne në Fëtyrat e klerikve ndër rrugët e Shkodres…

Posa komunistët marrin pushtetin, në muejn Janar të vitit 1945, asht Sheuqet Peçi i pari që i drejtohet kuvendit të Fretënve në Shkoder. Aty mori përgjigjen që i duhej për me i trensmetue udhëheqësit të vet E.Hoxhës, në lidhje me qendrimin e premë që do të mbante Kleri Katolik ndaj mardhanjeve me Vatikanin dhe qeverinë komuniste të Tiranës. Në mes të Janarit mbas reprazaljeve që bane forcat partizane në Veri kundër Kryengritësve të Parë antikomunistë me Prenkë Calin në krye, nga fundi i muejt asht krimineli i njohtun i luftës nacional – çlirimtare, komandanti i Brigadës I – S, Mehmet Shehu, që me hipokrizinë dhe servilizmin komunist viziton shkollën dhe kuvendin Françeskan, tue i kthye edhe disa armë të vjetra të zbulueme nga Gjeçovi, por që paraardhësi i tij Sheuqet Peçi, i mori para kohe… mbasi ato ma vonë do të plaçkitën bashkë me të gjitha vlerat muzeale të Kuvendit.

At Mati Prennushi asht përballë bishave komuniste, por trimnia dhe guximi i tij janë mbështetë mbi piedestalin historik të Françeskanve Shqiptar, të lamë me gjak ndër shekuj e që mbi Atë piedestal do të ndërtojnë Monumentin e Lavdishëm dhe të Përjetshëm, ku çdo Frat me litarin e Tij u lidh me binomin “Fé e Atdhé” për të cilin Ata dhanë jetën “si me lé”:

At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pal Dodaj, At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Lekë Luli, At Bernardin Llupi, At Zef Maksen, At Lorenc Mitroviq, At Leonard Tagaj, At Serafin Koda, At Karlo Serreqi, At Bernardin Palaj, At Klement Miraj, At Gaspër Suma, Fra Gjon Pantalia e Fra Ndue Vila…i cili u torturue në mënyren ma të mnershme se nuk i dorëzoi Sigurimit të Shtetit çilsat e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, me datën 16 Nandor 1946, në të dalun të dritës së datës 17, kur ata futne nën Elterët e Kishës “armët e municionët” për të cilat akuzuen dhe pushkatuen krejtësisht pa faj

Grupin e Prelatve të kryesuem nga Imzot Frano Gjini, me datën 11 Mars 1948.

Gjyqi u zhvillue në mensën e Kuvendit, por “me dyer të mbylluna”, mbasi asnjeni nuk iu përul torturës mizore të bame mbi trupat e Tyne… Armët dhe gjyqi u filmuen nga gjiruesit jugosllav, thëmeluesit dhe miqtë e “partisë komuniste shqiptare” dhe të Sigurimit.
Dosja “Imzot Frano Gjini me grupin e tij, Nr. 1302/2”, në Arkivin e Ministrisë së Punve të Mbrendshme në Tiranë, asht dokumenti ma i sakti që vërteton skenarin jugosllav të prëgatitun me komunistët shqiptar dhe Sigurimin famkeq komunist të Shqipnisë, që me fakte dhe prova të pakundërshtueshme dëshmon besnikrinë e trathtinë e spijunve tonë ndaj UDB – jugosllave e KGB – sovjetike, në gjithë ekzistencën e vet 66 vjeçare të turpëshme!
Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rëmajt, me dok. Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap.I Misto Bllaci, para ekzekutimit,
At Mati Kol Prennushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia!
U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”.
Ky ishte fundi i Kalvarit…që edhe mbas 50 vjetësh nuk mujt me u mëshef as nga partia komuniste jugosllave e ajo shqiptare, as nga spijunët e Sigurimit të shtetit…por as edhe nga qendra organizuese të këtij skenari në shumë prej “Demokracive Popullore”, nga Moska staliniste e Beogradi Titist i vitit 1946…
At Mati Prennushi punoi e luftoi për Liri dhe Shqipni demokratike, kundër turqve, sllavëve serb e malazez, diktaturave monarkiste, fashiste, naziste dhe komuniste!
Në një Shqipni t’okupueme nga komunistët bolshevikë stalinjan, ku u dhunue dhe u përdhos Flamuri ynë e Pavarsia Kombëtare dhe ku, u luftue Feja, Ai zgjodhi rrugën e vet të Martirizimit dhe të Flijimit, përpara vdekjes me turp dhe trathtar i Idealit “Fé e Atdhé”…
Ai i qëndroi deri në vdekje Betimit të bamë mbi Elter me datën 4 Prill 1904…
Sot, në 105 vjetorin e Meshtarisë së At Mati Prennushit, lé të jenë këta pak rreshta një lule e freskët e hjedhun mbi Zallin e Kirit, ku endé Këta Martirë nuk kanë “një gurë” të lyem me Gjakun e Tyne të Shenjtë të vëndosun mbi dheun e Tokës Nanë, ndonse, pothuej të gjithë e flijuen jetën e Tyne për Lirinë dhe Demokracinë e Shqipnisë.
Lé të kujtojmë Atë Ditë të 105 vjetve ma përpara kur Ky Burrë u Betue mbi Elterin e Fesë dhe t’Atdheut dhe bani “deken si me lé”, i veshun me zhgunin e Sh’Françeskut t’Asizit deri në fund: Ushtar Besnik i Krishtit dhe i Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut!

Melbourne Prill, 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
IMZOT VINÇENC PRENNUSHI OFM, Posted 20 Maj 2009, 21:10
Nga: Fritz RADOVANI
Imazh
IMZOT VINÇENC PRENNUSHI OFM
(4 Shtator 1885 – 19 Mars 1949)
Imazh
“Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut!”
Imz.V.Prennushi, 1946.


Në gjysmen e dytë të shek. XIX, Austro – Hungaria në prani të Përandorisë Turke në Shqipni, kishte forcue ndikimin e saj aqsa kishte arrijtë përveç pranisë së vet këtu, me vue edhe gurtë e parë të thëmelëve të kulturës Evropjane Përendimore, mbi të cilat ajo vetë ndërtoi edhe Lapidarin Historik të Pavarësisë sonë Kombëtare, në vitin 1912. Formimi dhe edukimi i brezit kulturor i asaj përiudhë historike, gati gati mori të gjitha tiparet e një të së vërtete të kthyeme në “legjendë”, mbasi me zhdukjen e saj, ajo nuk u përsërit kurrma! Filozof, politikanë, historianë, dijetarë, shkrimtarë, ekonomistë, tregtarë, avokatë, mjekë, artistë, arkitekt, ingjenjerë, pedagog e mësues, nëpunës në institucione politike, kulturore, shoqnore, bamirsije, shkolla, organizata sindikaliste dhe shoqni laike e fetare, etj. janë një Rilindje e vërtetë e jetës së Popullit dhe e Shtetit tonë, merita e së cilës i përket në të gjithë historinë e Shqipnisë, vetëm Përandorisë Austro – Hungareze dhe, vetëm Asaj! Çdo kuader i prëgatitun atje zotnonte gjuhët: gjermanisht, frengjisht, serbo – kroatisht, etj.Vetem në fushën ushtarake dhe policore, njerzit që kanë krye kurse specializimi atje kanë tregue aftësi të ruejtjës dhe të mbrojtjës së Atdheut ushtarakisht, të ruejtjes së rendit, zyrave doganore etj., sa me të drejtë asnjeni nuk i ka lanë gja mangut oficerave akademistë të ardhun ma vonë nga të gjitha vendet e shtetëve Evropjane. Brumosjen kulturore dhe shpirtnore Atdhetare atje, e tregoi ma së miri gjatë gjithë Shek. XX-të, Kleri Katolik Shqiptar përballë, turqve, serbëve, grekve, italianve, gjermanve, rusve, kinezve dhe të të gjithë trathtarve anarkistë e monarkistë, marksistë e leninistë, ateistë e komunistë, që për një kulltuk shitën Atdheun tek të huejtë okupator. E, kunorën e larit të “Lavdisë së Përjetëshme” mbi kokën e Alpëve të Veriut e thuri me vargjet e Tija të këndueme në “Lahutë”, i Madhi Poet i Kombit Shqiptar, At Gjergj Fishta OFM. Fisit tonë Ilir, ishte syzhgaba i Kosovës, At Shtjefën Gjeçovi OFM., që i gjeti “eshnat” mbi të cilin ruhej endè drejtësia e qindra e mija vjetve ma përpara, dhe mbasi na mësoi sësi ndërtohet skeleti i një Shteti Evropjan Përparimtar, u gropos pabesisht si vëllaznit e vet, nga serbët.Fatkeqësisht duhet thanë realiteti i një së vërtete që ka mbizotnue në psikologjinë e Klerit Katolik Shqiptar, kryesisht për modesti dhe përvujtni, tue mendue se ka me ardhë një kohë dhe gjithë aktiviteti kulturor, shoqnor, fetar dhe politik, do të pasqyrohet i shkruem dhe i dokumentuem në vendin që i përket në Historinë e Shqipnisë, në luftën e madhe për Pavarësi Kombëtare, në lamën e arësimit dhe të kulturës për edukimin Atdhetar të Popullit Shqiptar. Përpjekjet e Tij për sigurinë teritoriale të Atdheut të coptuem dhe të nëpëkambun nga fqinjtë apo edhe Fuqitë e Mëdha që mbronin interesat joatdhetare të të huejve, tue theksue rolin që ka luejtë vazhdimisht Ky Kler kundër vëprimeve të tyne, tue i ba këto padrejtësi probleme të njohtuna ndër tryezat ndërkombëtare, deri në Shtëpinë e Bardhë të SHBA, në Paris apo Gjenevë, pothuej nuk njihëshin fare nga askush, sëpse kanë mbetë ndër fletore apo gazeta të kohës ose ndër disa arkiva të atyne shtetëve që i kanë “dyllosë”. Kjo modesti e teprueme apo ma shumë e damëshme u shpërdorue që në kohën e kenjës së Tyne gjallë, nga shumë armiq kundërshtarë me pikëpamje orientale anadollake, prosllave, proitaliane, sektare, ateiste dhe në fund u zhduk bashkë me Ta nga faqja e dheut, e fillueme nga Historia e Lavdishme e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, genocid të cilin komunistët po e vazhdojnë edhe në ditët tona. Gjurmët e kudondodhuna të sandalëve të Françeskanve Shqiptar, ndër male e fusha kanë grrye gurin dhe kanë lanë të shkrueme me gjakun e stigmave të Tyne të Shenjtë, veprat ma të mëdha të Lirisë dhe të Demokracisë Evropjane, thëmelët e të cilave janë të lidhuna për ahët e lisat shekullor në Shkambijtë e Bjeshkve të Nemuna, me konopin e Sh’Françeskut të Asizit.
Kësaj epoke të lavdishme vetëm djepi i Familjës qytetare shkodrane Prennushi, i dha pesë klerikë të njohtun: Don Mati Prennushi, At Mati Prennushi OFM, Imzot Vinçenc Prennushi OFM, At Karlo Prennushi OFM dhe Don Kolec Prennushi. Të gjithë studimet e larta teologjike i kanë përfundue në Austri; Grac, Tirol, Linz etj. Njihën nga historia e malëve tona si Burra që u vetsakrifikuen për Trojet e Shqipnisë së Lirë e Demokratike. Në asnjë periudhë historike nuk janë pajtue me sundimin e të huejve, monarkinë dhe sistemet diktatoriale cilat do kjofshin ata, dhe kanë mbyllë jetën e vet të martirizuem nga shfarosja e genocidit komunist që përfshiu gjithë Popullin besimtar katolik shqiptar mbas vitit 1944.
Don Matia vdiq në vitin 1904, por emni dhe vepra u trashiguene nga nipi At Matia (1861 – 1948), Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë, që u pushkatue nga komunistët. Kushri i parë i Tyne ishte Imzot Vinçenc Prennushi OFM, françeskan, asht lindë në Shkoder me 4 Shtator 1885. Prindët e Tij ishin Gjon e Drande Prennushi. Asht Pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohtun të Troshanit (i hapun në vitin 1861), ku, ju kushtue Urdhnit Françeskan (OFM) me 1900. Mësimët teologjike të larta i përfundoi në Tirol të Austrisë, dhe u shugurue meshtar me datën 25 Mars 1908, tue marrë edhe emnin At Vinçenc. Me të ardhun në Atdhe përjetoi një nga ngjarjet ma të randa të qytetit të vet të lindjës, së Shkodres së rrëthueme nga malazezët dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913, ku preku me dorë “lugën e urisë” së cilës, pak ditë mbas fitimit të Lirisë dhe bashkimit të qytetit me Shqipninë e Pavarun, do t’ishte pikërisht Ky At Vinçenc, që me 14 Mars 1914, kur në Kështjellën “Rozafat” u ngrit me brohoritjen e mbarë Popullit të Shkodres, i Lumnueshmi Flamur Kombëtar, do të ishte Ai frati i zgjedhun që do të mbante fjalimin e rastit aty. Oratoria e Tij nuk ishte e panjohtun për shkodranët, mbasi Ai njihej si letrar dhe njeri i letrave shqipe posa u këthye në Atdhe. Ai ishte penë letrare dhe shkencore ndër fletoret ma në za të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës” por, Ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashpuntorët e grupit ma me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923 – 24 formuen edhe fletorën e tyne “Ora e Maleve”, ku, At Vinçenci, asht ndër penat ma me vlerë të demokracisë që posa kishte lindë në Shqipni, demokraci e cila mizorisht u mbyt në djep për mos me lindë ma. Me 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emnon ipeshkëv i Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emnohet Argjipeshkën Metropolitan i Dioçezit të Durrësit, tue pasë nën administrim kryeqytetin Tirana. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur asht edhe administrator i Tiranës, Ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasve. Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Ky jo vetëm e kreu me ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944. Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni, për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë e sakt pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë së Veriut. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve, i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”. (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi i tij, Imzot Frano Gjini, (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij:
“........4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë vëprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë.” (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë). Ndërsa, Imzot Prennushi deklaron: “Se shka përmban telegrami nuk më kujtohët, ai asht ba nga Metropoliti i Shkodrës.” (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë). Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.”. “Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta dhe ndershmënia. Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë....ashtu si duhet ta kujtojnë mirë edhe shumë shkodranë bashkohës të mij. Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër me 16 Shtator 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur të tij” Tuk Jakova, kujtoj si tashti se, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin. Ai shprehi edhe “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty dihej se i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa....
Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i paraprëgatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Konrrad Gjolaj: “.....Letra që Imzot Frano Gjini u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Meshkalla. Arësyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Vinçenc Prennushi e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër dhe na tha atyne pak vetëve që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt’e mijë, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe Popullin Katolik. I tregova rëpresionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjigj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem se për 40 vjet komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
Unë ika. Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist por keni me pa e ndoshta ma parë tek unë, se shka do t’ju gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt”. Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue.” (“Çinarët”, fq.116). Kur, Imzot Prennushi pyetët në hetuesi për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjigjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin.... Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.” (Dosja1245). Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku, më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe, më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë! Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje). Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej Tij me datën 4 shtator 1947: “....Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”. Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
1. Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër.
2. Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik, i biri i Lekës dhe i Marijes, lindë në Kthellë të Mirditës.
3.Don Pal Martin Gjini, datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkup të Maqedonisë, arrestue me 19 maj 1947.
Vëndimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon:
1.Don Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim.
2.Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, me 20 vjet burg.
3.Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie.
Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
“...Don Anton Zogaj pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike....Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun Gjon Vlashi e Palush Koka....”. (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori). Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve....”refuzon kërkesen e tyre”.... Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” (Dosja 1245, po aty). Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës: “Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën e fundit para ekzekutimit: Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi - ju lutëm që trupin tem t’ma çoni në Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua dhe u konstatua nga doktori se kishte vdekë.” Prokurori Publik i qytetit të Durrësit: ( Muharrem Rugia) d.v.
Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër, 11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik në Zallin e Kirit. Pra, vërehët dëshira, etja dhe pangopsia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë. Po cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit? Don Anton Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948. Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949. Don Pal Gjini “lirohët” i sëmurë nga burgu i Shkodrës, në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi i mbetun gjytrym nga torturat e mnershme që kishte kalue në Sigurimin e Durrësit...
Kishe me thanë, se, Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë e, madje ma shpesh dhe ma shumë me të vdekun se me të gjallë, gja të cilën edhe këte e ka provue koha.
Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste që të mos egzistonte..”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje....” (Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin.).
Edhe Imzot Çoba dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës me 8 Janar 1980.

Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë:
“– Do të keshë nji aksident rrugor, – Do të bahësh Ipeshkëv dhe,
– Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë, do të vdesësh MARTIR I FESË”.

Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, ndërsa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za i lehtë ndigjohej në atë errësinë..., si, në të mekun:...
“ – PAK DRITË ! – MEHR LICHT !”....

Jo, jo,.. Imzot!... Janë plot 60 vjet që:

Shumë dritë i dha Shpirti i Yt Fesë, Atdheut, kulturës dhe letërsisë sonë shqiptare
ç’ prej datës: 19 Mars 1949.

Melbourne, Mars 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Fritz RADOVANI Imazh
PER ME U BA HERO A DUHET KULTURË E MADHE, APO?...

Imazh
Don Mikel Beltoja

Kur ishim fëmijë të vogjël na pelqenin përrallat e tregimet që na i diftonte gjyshja kur shkonim me ra me fjetë. Shpesh natën tjetër ia kërkonim me na i përsëritë për me mujtë jo vetëm me u argëtue por edhe me mujtë me i mbajtë ndër mend. Ajo nuk pritonte aspak me na plotsue dëshirën tonë aqsa shpesh na tregonte dishka të re...
Sigurisht, këta kujtime vinë e rranjosën në shpirtin e njeriut me kohën tue u ba në kujtesën e tij të paharrueshme. Bashkë me këta kujtime në zemrën e vogël lindë edhe një dashni e pakufishme dhe e përjetëshme për të parët tonë, për ata që na i tregonin këto vepra dhe njëkohësisht edhe për autorët e ngjarjeve që na lmonin aq ambël kapakët e syve dhe na venin me knaqësi aq të madhe me fjetë. Veprat e tyne të trimnisë ishin një “ni-na- na-na” që na paqsonin zemrën dhe na qetsonin shpirtin. Përveç emnave të njohtun figurativ të kohës së vjetër, tregimëve apo legjendave shqiptare, fillueme me njohtë edhe përsonazhet negativ që shoqnonin fantazinë tonë ndër ato “beteja” të forta e të mnershme, që ngjasonin mjaft me të njohtunit e jetës sonë të përditëshme. Nuk mungonin shpjegimet për lugatin, djallin dhe luciferrin që i sundonte këta bakëqinjë në jetën e zjarrtë të andejme...e të këndejme të paasnjë shpresë me dalë nga thonjtë e tyne. E kur, kureshtja na shtynte me ditë se ku asht gjyshi, pa mbarue mirë fjalën nana, na shpjegonte se, “Ai asht në Parrizë i rrëthuem prej engjujve të vogjel!”
Sa kënaqeshim kur e kujtonim gjyshin tonë të thinjun, të dashtun e të lumtun në atë jetë të pafund! Gjithënjë na dukej se po na sheh kur i damtonim pemët tue luejt me top...Ai na shikonte, qeshej e knaqej kur na shihte se po rriteshim si fidanat në kopështin e Tij...
Nuk shkoi shumë kohë që këta kujtime nuk mund ti bisedonim as me shokë!
Në kokën tonë të vogël filluem me pasë dy palë sirtarë, një palë për tregimet e gjyshes dhe një palë për shpjegimet e mësuesit. Duhej një kujdes i madh mos me ngatrrue asgja nga sirtari që na thonte gjyshja, mbasi në shkollë kishim fillue me mësue gjana të tjera që nuk përkonin me edukatën e familjeve tona. Ishte viti 1945 – 46 që sapo filloi me bijtë “ateizmi”, edukata e “vjetër” po i lëshonte vendin “së resë” materialiste, që shpejt u çvesh nga “mbeturinat” e së kaluemes dhe mori tiparet e edukatës bolshevike marksiste – leninste të Bashkimit Sovjetik, që drejtohej nga Stalini “i madh”. Jugosllavia e Titos, “mike e shtrenjtë” e popullit tonë, kishte futë në kthetrat e veta krejtësisht jetën politike, shoqnore, kulturore dhe arsimore të Shqipnisë së rraskapitun e të posadalun nga lufta, tue e këthye në një plaçkë ma keq se në kohën e okupacionëve të maparshme, madje ndonjeni prej atyne me tu dukë lule në krahasim me jetën që po provonim!
Ishte fillimi i jetës së “lumtur” ku rradhat ishin të pafund nga njerzit me triska në dorë në dyert e dyqanëve e ku, ndonjë grue plakë, si nana e Pjerin Kçirës, ndalohej aty e mbasi knaqej me pritjen e mërzitëshme të njerzve prej disa orësh të furnizimit dyqanit, me tallje na thonte: “Mos pritni kot aty...Shkoni e bleni mish në Zall të Kirit 3 lek kg., se po qelbet e po e mbarojnë zagarët e barakave!...(A.K.Gjolaj, “Çinarët”, fq. 91)
Pra, ishim në pragun e “reformës agrare”. Fshatari po prëgatitej me u ba “zot” i tokës së vet dhe i asaj që nuk ishte e tija. Kufinjtë e rinj do të vëndoseshin kudo anë e kand për të gjatë bregut të lumit Buna deri poshtë në Velipojë.
Dajçi i Bregut Bunës do ti shpërndante ma shumë tokë fshatarve, sëpse Kisha kishte prona ma shumë se në fshatrat e afërme; Obot, Samrish, Sukat e Dajçit etj. përveç, se këtu kishte edhe tokë që zotnoheshin nga disa të pasun që ma vonë iu vue emni i ri “kulak”. Bukuria natyrore e atyne katundëve asht shumë e gërshëtueme me lloj lloj pejsazhësh njeni ma i bukur se tjetri, nga një breg në tjetrin, nga një kodër në tjetrën, nga një livall apo kullosë tek tjetra, tue lanë në njëanë arat me bastan, gardhiqet me ferrmaca, thanat e kimçat kufizuese të rrugës, ose fiqtë pucaleca që shtrohëshin përtokë. Mani ka edhe qendrën kryesore të fshatit, për me shkue tek Kisha ...ecë drejtë, dhe të parin fshatar që takon rrugës, pyete dhe ka me të thanë: “Ecë para, ndalou tek Mani i kuq e, përballë asht Kisha dhe qela e priftit!”...Aty pranë ishte edhe shkolla...me katër klasat e saj fillore.
Lumi Buna edhe pse shkapetej për stomin e Dakejve, nuk prishte asnjë punë, veç çka i shtonte larmi fshatit me sulet e lundrat që çonin kariqat e tyne me lloje e lloje peshku që të knaqnin synin tue u përplasë sa andej këndej me mujtë me ra në ujin e turbullt të lumit, që të dukej sikur po të përpinë me gomnat e shpeshta të sajat. Gjithfarë shpendësh të fluturojnë mbi kokë, tue fillue nga dallndyshat, pulëbardhat, e deri tek rosat e dimnit...
Dita e diele dhe e festave ishte një manifestim i madh ku era e lehtë e lumit hidhte sa në një krah në tjetrin rizat e mëndafshta të nuseve të reja të dajçasorve! Kostumi i atyne zonave asht një bukuri e rrallë që të sheh syni! Trupat e gjatë të djelmëve dhe të burrave janë aq në harmoni me natyrën sa të krijohet idea se Zoti i ka krijue të gjithë në një çast.
Edhe pleqt ma të vjetrit dinin me shkrue dhe me lexue. E donin fort shkollën. Asnjë fëmijë nuk rrinte pa shkollë sado ngusht me kenë nga ana ekonomike, jo vetëm në Dajç por në asnjë nga ata fshatra rreth e rrotull. Përgjithsisht ishin besimtar. E donin dhe e nderonin priftin e, mbas tij mësuesin. Fjala e tyne ishte ligjë. Ja një fakt: Në vitin 1948, me 6 Dhetor në darkë, ora 22 u arrestue nga Sigurimi komunist prifti Don Kolec Prennushi dhe, mbas 11 muejsh hetuesi u lirue “për mungesë provash”, mbasi asnjë fshatar nuk pranoi me i dalë dëshmitar! Kjo traditë u pasue edhe me priftnit tjerë ma vonë. Kur doli nga hetuesia katundet e lajmëruen atë gëzim që ndien në zemrat e tyne me ramje kumbonësh...I rrënuem e i shpartalluem ndër tortura me datën 2 Korrik 1950, në moshën 48 vjeç Don Koleci vdiq.
Në vendin e Tij, shkoi famullitar Don Dedë Malaj. Nuk i la asgja mangut në të gjitha drejtimet Don Kolecit. As Ky nuk pranoi me firmue “Statutin e Kishës Katolike” të përpiluem nga shteti komunist. Arrëstohet prap në vitin 1958 dhe për këte “faj” dënohet me vdekje. Kaloi një hetuesi të mnershme në duert e anadollakut “Italian” Xheudet Miloti…
Me datën 11 Maji 1959, Don Dedë Malaj pushkatohet tue u naltue në Elterin e Martirve t’Atdheut dhe të Fesë në moshën 42 vjeç...
Mbas tij, po në Dajç, prëgatitët me mësime private teologjike nga prifti Don Deda, fshatari prej Samrishit Marin Shkurti. Në Dhetor të vitit 1961 shugurohet Meshtar nga Imz. Errnesto Çoba. Nuk pajtohet me vëprimet e “Revolucionit Kultural” të Enver Hoxhës, dhe si pasojë, me datën 1 Prill 1969, pushkatohet nga komunistët në moshën 36 vjeçare.
Në vitin 1974, pra mbas 25 vjetësh të gjyqit Don Dedë Malaj, në qytetin e Shkodres ndigjohet “thirrja” e një prifti të rinj, fshatar nga Beltoja Don Mikel Beltoja, asht lindë me dt.17 Prill 1935. Asht prëgatitë edhe ky privatisht në Argjipeshkvinë e Shkodres, nën kujdes të Imz. Çobës, i cili edhe e ka Shugurue Meshtar njëherësh me Don Marin Shkurtin, në Dhetor të vitit 1961, kur as nuk bahej fjalë për Seminare e shkolla të larta teologjike. Po atë vit emnohet famullitar në Dajçin e Bregut të Bunës. Mbas tri vjetësh shkon në fshatin e Barbullushit, deri me 22 Shkurt 1967, kur mbyllen me dhunë Kishat. Kryen “krime” kundër shtetit komunist, tue Pagëzue fëmijë, ven kunora martese fetare, vojon të sëmurë, nuk pajtohet me “frymen revolucionare” që ka pushtue krejt Shqipninë “socialiste”!
Në librin tem “Një Monument nën dhé” i kam kushtue disa fletë Këtij Martiri të Madh të Kishës Katolike Shqiptare, që me datën 10 Shkurt 1974, thohët se, u “pushkatue”!
Bashvuejtsja Zonja Laura Keçi asht dëshmitaria ma e sakta që ka ndigjue me veshë, ka pa me sy dhe ka provue mbi trupin e saj të njomë, rrahjet, korrentët elektrike, pështymjet dhe veprat ma makabre që Sigurimi komunist ka përdorë kundër Klerit Katolik dhe Atyne të Nderuemve besimtarë, që nuk u pajtuen me frymën komuniste të fanatikve anadollakë të ashtuquejtun “shqiptar”! Dhe, ja dëshmia e minutave të fundit të jetës së Don Mikelit nga Zonja Laura, shkrue në letrën e saj me datën 15 Shtator 2000:
“...Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarshme, vuejtje në tortura, gjak, një tmer i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen... Isha mbushë me vaj, vaj frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmer i vërtetë.. isha e lame në djersë... Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë, por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh...t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje... Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë... Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku që i vërriste Don Mikelit: Pusho... pusho, po të tham... Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra mu mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mij, kij mëshirë për ta, se nuk dinë çka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand, Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, ndër duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!...Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!...”
Zani i tij sa vinte e fikej, derisa nuk u ndigjue ma... U mbyllën edhe shulat e dyerve... edhe dryjt... Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i Tij, por kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa u kujtova se iku!
Ai iku në Mbretni të Qiellës...
Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë, dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.
Atëherë, e, edhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë:
1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe,
2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmere vuejtjesh?
- Gjithmonë e njajta përgjigje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta,
Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët...
Vetëm Ai e forconte Atë dhe mue...!”(Nxjerrë nga origjinali i letrës, FR)
Ja Ideali, ja forca me të cilën njeriu lartësohet në Elterin e Martirve të Atdheut dhe të Fesë! Ja qëndresa, ja Fitoria, ja vetmohimi, ja Flijimi për një Ideal të Lartë, ja Burrnia dhe Trimnia të gërshëtueme me Nderën e sakrificën e madhe mbinjerzore Shqiptare, ja guximi me ndjekë rrugën e Apostujve në brigjet e Adriatikut përballë “pagajve” të Shekullit XX, ja Burri me krahë të hapun që tue pritë Kryqzimin, në qelitë e Sigurimit të Shkodres, shkyhet gjymtyrësh nga bishat komuniste; ja pra, me fakte Heroi i ditve tona:
Don Mikel Beltoja, që plot 35 vjetë ma parë i shtoi edhe një Hero Krishtënimit!..
Nuk ishte shkolla e lartë teologjike, as universitetët e Evropës, as doktoratat e Atyne Klerikve të cilët, vune thëmelët e kulturës Evropjane Përendimore që shtynë Enver Hoxhën e Ramiz Alinë, me veglat e ndyta të Sigurimit komunist, me zhdukë Klerin Katolik Shqiptar, inteligjencën Katolike dhe Besimtarët e Fesë së Krishtit, në një nga vëndet e Para të Krishtënimit në Evropë, por ishte fanatizmi oriental i mbrujtun në këto qenje të pashpirtë, pa Atdhé, pa Fé, pa familje e pa tradita doke e zakone të Shqiptarit të vërtetë.
Kryesoria që i shtynte këto bisha me shpartallue thëmelet e Përparimit dhe të qytetnimit Evropjan ishte: “Lufta terroriste me mjetët ma primitive kundër Shtetit Shqiptar, thëmelët e të cilit i kishte gurosë i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbe, 500 vjet përpara!”
Dhe, ja me fakte, një Fshatar i Beltojës, 39 vjeç, vetëm me katër klasë fillore e tri klasë unike, por i Shuguruem Meshtar i Fesë së Krishtit, çveshë saruqet dhe i zdathun Ju ngjit Kalvarit...e me guxim të pashoq trand në thëmel komunizmin ma gjakatar të të gjithë Lindjes Evropjane komuniste, pushtetin terrorist të katilit Enver Hoxha, i cili ka provue me fakte në gjithë periudhën e kenjes dhe të sundimit të tij nga viti 1944 – 1991, se:
“Komunistët dhe jo nazistët kanë inaugurue terrorin në masë si vegël e qeverisë”.
– Po, “ Nurembergu”, ku bie në hartë sot,... apo asht shue?!...

Melbourne, Shkurt 2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DERI KUR : ''VOTONI PËR FRONTIN !''?..., Posted 21 Maj 2009, 17:16
Nga Fritz RADOVANI:
DERI KUR : “VOTONI PËR FRONTIN !” ?...

Imazh
Sa shumë kujtime na sjellin né Shqiptarve këto tri fjalë!...
Po të këthehemi mbrapa në fletët e zeza të historisë së Popullit tonë dhe të fillojmë me i shfletue ato menjëherë të pushton pesimizmi. Të duket se jemi destinue me vdekë me një histori monotone dhe të zymtë që edhe pse thomi se ka ndryshue “diçka”, ajo vazhdon me kenë e pranishme në truellin Shqiptar! Edhe në vitin 1945 u zhvilluen zgjedhje të reja e “demokratike”, kështu, kemi thanë për 45 vjet që ishim shtet komunist! Askush nuk guxoi me ndryshue formulen “demokratike” të përcaktueme nga komunistët, mbasi ndryshimi do të sillte ato pasoja që sollën zgjedhjet e 2 Dhetorit të vitit 1945, përveç 7 Burrave që janë pushkatue me 4 Mars 1946 edhe qindra e mijra të burgosun të “përjetshëm”...
Ka prej atyne që mund të pyesin, se për të pushkatuemit e kemi dijtë kush janë, po të dënuemit e “përjetshëm” kush ishin? – Po, edhe Ata i dini, por keni fillue me i harrue!
Kur Populli Shqiptar kujtoi se ka fitue lirinë dhe do të zhvillonte zgjedhjet e veta ma “demokratike” në historinë e Shek.XX në vitin 1945, Ai jo vetëm që, mbërthei për qafë zgjedhën e robnisë sllavo – komuniste, por edhe zhvilloi zgjedhjet monarkike – komuniste tue votue për diktatorin ma të mnershëm që ka njohtë Historia e Popullit Shqiptar, madje, edhe tue i krijue mundësinë me trashigue fronin edhe mbas vdekjes së tij, gja e cila nuk asht në asnjë kushtetutë botnore të shteteve ku sundojnë monarkët e despotët. Shqiptarët si dukët kanë aftësinë me “kryqëzue” edhe kushtetuta...Kjo asht fatkeqësi e madhe për né, mbasi pikërisht këtu, fillon edhe dënimi i përjetshëm i joni. Nuk besoj se në Moskë sundon djali i Stalinit, mbasi e veja e tij dhe vajza gjetën forca morale me i dëbue përgjithmonë nga zemra e tyne brengat e randa të sundimtarit diktator të popullit rus, gja të cilën, e kanë ba pak njerëz trashigimtarë të atyne familjeve, mbrenda së cilave patne fatin e keq me u krijue! Ndërsa, në asnjë nga “demokracitë popullore” nuk kam ndigjue se gratë “vejusha” me buzë të kuqe vazhdojnë me i drejtue në rrugën e zgjedhun demokratike, ku kanë hy që me ramjen e Murit Berlinit në vitin 1989!
Shqiptarët vazhdojnë me ba përjashtime! “Nuk jemi as Lindje as Përëndim” thotë, monarkuci trashigimtar zyrtar Ramiz Alia. Edhe pse i ka pasë të gjitha shanset me e nxjerrë nga brraka e llomi ku ishte fundosë Shqipnia, ai vazhdoi rrugën anadollake të qeverisjes së shtetit, ku interesi vetjak e shtyni aty ku nuk pritej nga asnjë Shqiptar i vërtetë, tue prishë avenirin e një Populli, kur Shtrausi i Gjermanisë i ofroi begati e zhvillim! E jo ma pak se ky janë përgjegjës para historisë, bashpuntoria e tij “vejusha” me buzë të kuqe e çizme të zeza, bashkë me “profesorin” kryetul Foto Çami e bedelin Dhimiter Dhora, që lane namë kur u takuen me sekretarën e Z. Helmut Kohl të Gjermanisë, kohë në të cilën një gazetë gjermane botoi me shkronja të mëdha: “Shqiptarë! Në demokraci nuk shkohet me rrugë alaturka!”...
Por, fatkeqësia ma e madhe e Shqipnisë asht ajo që thonte një dijetar për despotët që kanë qeverisë dhe që po vazhdojnë e qeverisin edhe sot se, “ju, keni varrosë shtetin në gropën e gjakderdhjëve, të grindjëve, të përçamjes, të ngatrresave dhe të vorfnisë...”
A mundet kush me e kundërshtue këte thanje? – Besoj, se jo!

Këto dy piktura janë dy vepra arti shumë të njohtuna të piktorit madh M. Karavagjo! Në një gostë të madhe në shtëpinë e Herodit, kur ky u martue me Herodiadën, gruen amorale të vllaut, e bija Herodit, valltare e njohtun dhe shumë e bukur Solomia kërkoi Kokën e Gjonit, për me kërcye...dhe, asaj ia plotësojnë dëshirën tue ia sjellë Até në një tabake... Besoj e keni pa!
Shikoni me kujdes portretët...të gjithë dukën si udhëheqësit tonë shqiptarë!
Ai kuader më kujton gjithmonë Shqipninë!...Që po i servirët nga komunistët edhe Ajo në tabake, sa njenit, sa tjetrit,...Serbisë, Greqisë e dreqit mallkuem...
Por, vëreni me kujdes kuadrin! Koka vazhdon me pikue gjak!..

Në vitët 1991 – 1992 na u munduem me të gjitha forcat me ndërtue një Shqipni të Ré dhe demokratike! Asnjë Shqiptar nuk u kursye me dhanë edhe jetën për Liri. Ka pasë edhe shumë që e falën Ate, tue fillue nga studenti Arben Broci. Ai si Burrat pa pikë frike shkoi e u bashkue me Armatën e Lavdishme të Heronjve të Atdheut, me 2 Prill 1991.
Forcat regresive komuniste gjoja të fjetuna, me mjetet e tyne djallzore kanë arrijtë me rimarrë frenat e qeverisjes së vendit, tue depërtue deri në udhëheqje me elementin e ri “komunist” gjoja demokrat, por shumë i damshëm për fatin e Atdheut në të gjitha fushat.
Pluralizmi politik mbeti vetëm një dëshirë në zemrat e atyne që luftuen për té.
Marrveshja e mësheftë mes atyne që kanë frenat e drejtimit të Shtetit Shqiptar, për hirë të interesave të tyne për me u pasunue tue ruejtë të paprekuna edhe porositë e plakushit Ramiz Alia, që në thërmimin e PPSH në 100 parti të sotme, por unike në rrugën e tyne të njohtun antikombëtare, duhet të shpallet botnisht si vepër trathtare dhe antiligjore, tue mos lejue asnjë nga ata aventurierë politik me kenë përfaqsues në Parlamentin e Qeverinë e re.
Fëtyrat e neveritëshme të Gjinushit, Godos apo të mercenarve sllav e grek që me të gjitha mënyrat po punojnë me trashigue “marrveshjet” e 1925, 1944, 1997 të qeverive të shituna e trathtare shqiptare, as nuk duhet jo vetëm të shihën në karrigat e reja të Shtetit, por duhet ti hapën dosjet e agjenturës së tyne dhe ti jepët dënimi i merituem si spijun të huej.
Mjaft keni vazhdue qeverisjen e Atdheut nën udhëheqjen e Sigurimit të shtetit!
Sot ata të mobilizuem me mbajtë frenat e shtetit në duert e tyne, po bajnë çka asht e mujtun me marrakotë një Popull me votue për ta. Kurr ma aktuale nuk asht kenë thirrja e vjetër e tyne sësa, sot: “Votoni për frontin!...”. Të gjithë deputetët e partive të majta e të asaj që quhet vetëm me fjalë e djathtë, janë trashigimtarë të denjë të PPSH ose Sigurimit të shtetit, përderisa nuk hapën dosjet e tyne të flliqta para zgjedhjeve.
Të përsekutuemit politik dhe të shpronsuemit e “Përjetshëm” duhët të bashkohën dhe të krijojnë frontin e përbashkët Atdhetar, tue zgjedhë njerzit e pastër dhe të kulturuem në njëzetvjeçarin e fundit në Evropë dhe, me kërkue mundësinë e kuadrit nga diaspora, por, gjithmonë jo në postin e këshilltarit apo sekretarve të ministrive po, në poste drejtuese të Shtetit të Ri. Asnjë njeri nuk duhet me u lejue me ligjë me hy në Parlament apo në postet e Qeverisë së Re, kur jo vetëm ai por edhe prindi i tij kanë dosje të njollosuna. Asnjë lëshim apo kompromis në dam të Atdheut dhe të Popullit. Mjaft keni fjetë tash 20 vjet!
Asnjëherë, Shqipnia nuk ka pasë shanse të mira me u shmangë nga rruga e gabueme e së kaluemes si sot, që Ajo asht edhe Anëtare e NATO-s!
E vetmja parullë Demokratike sot asht: “Hapni sytë para arkës së votimit!”
Puna e madhe për me shtrue rrugën e Demokracisë asht ba nga disa brezni atdhetare që me gjakun e Tyne të Shenjtë, kanë vue thëmelet e Shtetit Shqiptar.
Demokracia Shqiptare asht la me gjak që nga viti 1925 nga Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe ka vazhdue me Don Lazër Shantojen, Don Ndre Zadejen e Mark Çunin në 1945 – 46, tue u ba lamije gjaku në gjithë Shqipninë, për me mujtë me ringjallë Atdheun, tue sakrifikue jetën për me u lirue nga ata që kerkojnë me përbuzë vullnetin e Popullit, tue e dhunue, tue shfrytzue dhe tue nënshtrue me mjetet e tyne të paligjëshme, me anën e dajakut dhe të mbjedhjes së frikës, vetëm për pasunimin e tyne.
Dëshmorët e Martirët e Atdheut nuk besojnë endè se kemi fitue! E, ashtu asht!
Shqipnia Demokratike asht kenë për né një nuse shumë e bukur! Në trupin e Saj të Ri dhe të shëndetshëm na nuk kemi dijtë me i falë Asaj Shpirtin e Ri! Pikërisht, kjo, asht detyra e Rinisë së sotme, që me zemrën e Saj duhet të pikësynojë për vepra të mira, dhe të na qortojë edhe né për të shkuemen, tue nxjerrë mësimet për t’ardhmën e lumtun e të lirë.
Nuk mjafton një veshje e deputetit me “kostumin bluh”, kur ai asht i mbërthyem për fyt me “kravatë të kuqe”, e cila e shtërngon dhe nuk e len të lirë me marrë frymë!
Nuk mjaftojnë ma fjalët e premtimet false, u ngopëm me thirrje, virrma, maska e pabesi “demokratësh”, që vetëm imitojnë tartufët e shekullit shkuem në tribunat politike!
Duhet kjartësi veprimi sëpse në organizimin e Shtetit Shqiptar dominon endè rendi skllavopronar komunist, i cili e mendon vetën të përjetëshëm me të drejtën me shfrytzue pa pikë mëshire të vobegtit e ngratë të shpartalluem nga fukaralleku.
Sot vërtetë nuk ka ma kampe shfarosje, të interrnuem apo reparte ushtarake pune, por mos harroni se Shqipnia vazhdon me kenë e gjitha kamp fukaralleku e papunsije!
Nuk duhet të votohet as për paraardhësit katil, as për mbasardhësit e padaltuem dhe të pakultivuem në mjedisin Evropjan, që mendojnë vetëm me u pasunue për vete!...
Çonju prej gjumit! Kanë kalue 20 vjet tue ecë pa sy në ballë dhe të përgjumun!
Agimi i Lirisë ka shndritë vetëm majet e malëve, ku janë çerdhët e Shqipëve!
Hapni sytë, para kutijave të votimit!
O sot, o kurr, Votoni për Shqipninë Demokratike dhe t’ardhmën e saj Evropjane!

Melbourne, Maji 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Drejtues

Poste: 75
Antarësuar: 28 Prill 2009, 20:34
Re: Artikujt e Fritz Radovanit, Posted 21 Maj 2009, 22:03
Opinionet e frits radovanit rreth diktatures komuniste jan ndjek me interres prej mejet.


1 Shoqnia jon shqiptare bashkohore popullohet prej grupeve te nryshme fetare e politike. Kta grupe dhe lideret e tyne kan lujt rrol pozitiv en harmonin shqonore. Nsq s'dona differencat me u ba burim dobsie per ne shqiptart, na sduhet me kumtu te shkumen komuniste
por fokusimin ne te tashmen.

2 Malsort shohin tolerancen si egzistenciale. Toleranca mirkuptimi e rrespektimi i deiferencave jan kolona mbi te cilen i bashkjetes haromnike bazohet.

3 Na nuk do rrim duarkryq me pa shprehi temperamentale te kjdo qe kercenojn fabriken ton sociale.

Elvis kelmendi nga Dajçi i Bregut të Bunës Shkodër me banim në Singapor
Ku kan BJESHKT t'plot hijeshin, ku bajn KULLAT bujarin, Ku vallzojn ShQIPET e malit...

http://www.youtube.com/watch?v=RrZigmvC ... re=related
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4418
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
NATO, SHQIPNIA DHE SHQIPTARËT!, Posted 26 Maj 2009, 23:16
Fritz RADOVANI:
NATO, SHQIPNIA DHE SHQIPTARËT !

Imazh
Imazh


Kur mësuesit tonë të Nderuem donin me shpjegue gjeografinë e Shqipnisë apo ate të shkretën histori të saj fillonte e Ju merrej goja sikur t’ishin belbacukë dhe, jo Ata, që pak minuta përpara flisnin me sy mbyllë dhe dora saktësisht vendosej në hartë pa e pa me sy Atë Tokë, për të cilën vdiqen tue e quejtë Atdhe!
Kishin përfundue shkollat në “vëndet Përendimore”...përdorej ky term me dy nga qellimet ma të këqija, për mos me zanë në gojë emnin e “Evropës” dhe, e dyta, me i dhanë “tonin” e shteteve Përendimore, ose të blokut kapitalist...ku ishte “Evropa Përendimore”!
Jo pak, por 65 vjet plot që vazhdon ajo gjeografi dhe histori e jona!
Prof. Gaspër Jakova ishte ndër ma të zotët dijetar të gjeografisë së Shqipnisë, por i duhej me na shpjegue me muej të tanë gjeografinë e të gjitha republikave të Bashkimit të “lavdishëm” Sovjetik, madje, edhe dritën që “shkëlqente” mbas malëve t’Uralit... Kurr nuk ka guxue me thanë jo Ai, por asnjëni, se kemi mbarue shkollat në Evropë për me mësue në shkollat tona se “Ju jeni qytetarë evropjan”! Prof. Xhema Tirana edhe pse ishte italiane, e shpjegonte historinë e Skenderbeut me aq pasion e dashni sa askush nuk mund të mendonte se kjo Zonjë nuk asht e truellit të Gjergj Kastriotit, mbasi në kulturën e Saj nuk i mungonte asnjë fjalë nga leksiku i gjuhës sonë, por e fliste ate si një shqiptare...madje, të jepte idenë se i ka vizitue ata vende ku u zhvilluen ato beteja të përgjakëshme. Unë zuna në gojë dy nga Ajo ushtri “gojmbyllun” që nuk guxonin me shpjegue të vërtetën e Popullit tonë.
Asnjë nga tekstët tona nuk shpjegonte madhështinë e përmbajtjes së Flamurit tonë Shqiptar, të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, se duhej tregue se “njena kokë e Shqipës” asht drejtue nga Përendimi Evropjan... vetëm nuk u ba e mundun që të dy sytë e Shqipes “me i këthye” nga Lindja, se dykej shakshi e shkreta...
Shtrembnohej atëherë edhe SOT historia e mbrojtësit t’Evropës, Gjergj Kastriotit Skenderbeut... e kalohej në okupacione të njëmbasnjëshme me trathtarë e armiq të pafarë!
Ishin me qindra e qindra kuadro ushtarakë që kishin krijue Ushtrinë Shqiptare e, Gjendarmërinë Shqiptare që në periudhën e Mbretit Zogu I, e të gjitha datat e “krijimit” të tyne ishin vetëm ato të vitëve 1943, 1944, që lidheshin me datat e Jugosllavisë komuniste.
Jo vetëm kaq, por mbas datës 29 Nandor 1944, në Shkoder fillojnë edhe vrasjet e pushkatimet me ishoficerat e maparshëm, tue i akuzue “spijun” të atyne shteteve ku kishin përfundue akademitë ushtarake. Mund të thonë kush se oficeri akademist Mikel Pjetër Prennushi kishte la duert me gjak, apo ka kenë “spijun” i fashizmit italian, vetëm se kishte përfundue akademinë ushtarake atje, arrestohet në vitin 1945, mbahet tre muej arrest vetëm se ishte oficer, madje i mobilizuem edhe për me shkue me çlirue edhe tokat shqiptare të cilat sot i ka Mali i Zi nga Podgorica. Lirohet për mungesë provash dhe arrestohet në vitin 1952 si “armik i Popullit” dhe mbasi torturohet nga katili Xheudet Miloti, dënohet 10 vjet burg, të cilat i vuen në kampet e shfarosjes komuniste...Vetëm se ishte ushtarak akademist dhe asgja tjetër... Po sa qindra e qindra të tjerë që edhe janë pushkatue të pafajshëm?
Po kuadrot tjera intelektual të njohtun në Shqipni që janë zhdukë nga faqja e dheut se kanë studjue në Angli apo Amerikë? Sa vite burg ka ba i Ndjeri Rexh Meta, i arrestuem nga komunistët në vitin 1943 ? Po, pse u pushkatue intelektuali Ndrekë Kodheli, përkthyes i anglishtës? Pse u akuzue agjente mësuesja Ida Lezhja, dhe kushrini i Saj Cin Lezhja, që u arrestuen pse flisnin anglishtën, ndonse Zonjusha Ida Lezhja e kishte mësue në Stambollë? Cilat ishin pasojat shëndetsore për to dhe si u trajtuen nga “lufta e kllasave” këta njerëz?
Si u vëprue me kuadrin qeveritar të kohës së Zogut, Italisë dhe Gjermanisë mbas vitit 1944 nga qeveritarët komunistë dhe shërbëtorë të Jugosllavisë apo Rusisë staliniste?
Cilat ishin pasojat e mnershme të “Revolucionit Ideologjik e Kultural” të tipit kinez që aplikoi Ramiz Alia kundrejt shrranjosjes dhe shpartallimit të kulturës Evropjane?
Ku përfunduen edhe stërnipat e Atyne intelektualve të Nderuem që u pushkatuen dhe vdiqën në Burrel apo në kampe shfarosje Tepelenë, Maliq, Beden, Vlashuk e ku nuk kishte kampe të tilla, të cilët disa vazhdojnë me kenë edhe sot atje?
Sa vjet burg u dënue At Pjetër Mëshkalla se, tha: “Unë tham se me këte luftë kundër Fesë neve po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni...”? (letra drejtue kryeministrit M.Shehu, 5 Prill 1967)
Apo ate që ju tha në Institutin Pedagogjik të Shkodres, me 29 Prill 1967:
“Vetëm këte mendoni, çka do të thonë Evropa nesër për ju!”
Hapni dosjet ! Shihni me sytë tuej, se të gjithë Ata që janë pushkatue, mbytë pa gjyq, mbetë në tortura, vdekë në kampet e shfarosjes dhe të interrnimit apo zhdukë e qitë fare me fise, janë akuzue si “agjenta e spijun” të shteteve ku kanë studjue dhe kanë marrë diplomat e tyne universitare, vetëm se ishin vende të Evropës Përendimore!
Shqipnia jo sot, por, gjithmonë asht kenë Shtet Evropjan!
Shqiptarët e vërtetë gjithmonë e kanë quejt vetën Evropjan!
NATO asht pakt i sigurisë ushtarake Evropjane!
Sot Shqipnia asht Anëtare e NATO-s!
Po, komunistët, socialistët dhe “të konservuemit” çka donë me kenë tashti?
Hapni dosjet! Asnjë nga ata që kanë marrë pjesë në masakrat, aktet antiligjore dhe shtetnore të Shqipnisë antievropjane komuniste, socialiste apo postkomuniste antikombëtare, nuk duhet me kenë kurrma në asnjë zyrë të Shtetit Shqiptar Demokratik.
NATO, Shqipnia dhe Shqiptarët SOT bashkë prap e, prap ma mirë vonë se kurrë!

Melbourne, 6 Prill 2009.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. E pregatiti në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Radovani
Ubi spiritus Domini ibi libertasKu ashtë shpirti i Zotit, aty ashtë liria. At Gjergj Fishta
“Ai që e di dhe thotë një gënjeshtër asht nji kriminel”Bertold Brehtin.
Përgjigju duke Cituar
Përpara
Posto një përgjigje 363 postime · Faqe 1 prej 37 · 1, 2, 3, 4, 5 ... 37
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 16 Qershor 2019, 05:31
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari