Very important people(V.I.P). Ketu mund te gjeni gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te vipave shqiptar per te gjithe fansat e tyre.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
PERSONALITETE TE MEDHENJE NGA KOSOVA MARTIRE
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PERSONALITETE TE MEDHENJE NGA KOSOVA MARTIRE, Posted 19 Gusht 2009, 01:47
Sikur Beogradi të ndante çmime si Nobeli……
ImazhImazh

Nga Ekrem Kryeziu
Sezon vere dhe mjaft shqiptarë kthehen në Shqipëri duke qenë kjo periudhë pushimesh korresponduese edhe me vendet ku ata jetojnë e punojnë. Kështu, shofer taksie A.Zmijani, emigrant, më takon dhe në bisedë e sipër më thotë: “Para dy javësh kam pasur një surprizë gjatë punës. Kompania ime më cakton që të qëndroj për një javë në dispozicion të një inxhinieri amerikan nga Texasi, i cili prej 15 vjetësh jetonte me familjen në Afrikën e Jugut dhe kish ardhur për një konferencë shkencore një javore. Inxhinieri 65 vjeçar ishte tip energjik dhe bashkëbisedues mjaft kurioz. Kur i thashë pas pyetjes se isha shqiptar, me një entuziazëm instiktiv më tha: A e di që ju shqiptarët keni një shkrimtar të madh? Pa u vonuar në përgjigje i përmenda emrin Kadare. Ai po aq entuziast më drejtoi pyetjen e dytë: A e di që ai është shkrimtari numër një, më i lexueshmi në Afrikën e Jugut? Këtë gjë as që e di dhe as e kam dëgjuar ndonjëherë, i thashë pa hezituar,” më thotë taksisti Zmijani. “Atëherë inxhinieri më ra shpatullave e vazhdoi: Ja ta dish prej meje dhe të jeni krenar se e keni numrin një në atë vend”.
Pas këtij fakti unë i pohova taksistit se kjo gjë edhe për mua ishte një surprizë, por ndërkohë nuk hezitova në vendimin për të mos i treguar se autori numër një në Afrikën e Jugut ndodhet gjithashtu në një proces gjyqësor në Tiranë, i paditur nga një profesor i letrave. Thelbi i këtij procesi, një preokupim i thellë i shkrimtarit ndaj tentativave për denigrim të figurës së Skënderbeut.
Kushdo që lexon dhe informohet në vazhdimësi, nuk mund të mos bëjë një pyetje: Përse është kaq i sulmuar Kadare nga një rreth emrash të përsëritur? Të jetë çështja e disidencës aq të përfolur? Madje disidenca i përsëritet akoma, me të njëjtin intensitet edhe atëherë kur ai deklaroi që unë nuk jam disident në kuptimin e mirëfilltë si disidentët rusë. Tekstualisht tha: “Kam shkruar letërsi normale në një vend anormal”. Atëherë përse dhe çfarë i mundon kaq shumë dhe thellë ata që e duan të gjunjëzuar dhe mundësisht të rrëzuar shkrimtarin e madh?
Në kujtesë sjell një shprehje vlerësim të Kadaresë në një nga intervistat e tij për liderin kosovar Rugova. Kadare na vuri në dukje se Rugova edhe në fund të jetës i bëri një shërbim historik popullit të tij duke konvertuar besimin fetar në atë të të parëve. Gjë që u shoqërua edhe me një përpjekje të tij për ngritjen e katedrales katolike në Prishtinë. Në hamendësimet e shpeshta se përse ky qëndrim me Kadarenë, këtë qëndrim të Rugovës të vlerësuar pozitivisht nga Kadare, e sjell si një argument të mundshëm shpjegues. E sjell pikërisht këtë argument sepse konstatohet që kundërvëniet më të sistemuara, më të koordinuara me zërat në Tiranë vijnë prej disa njerëzve të letrave që e ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda Kosovës. Kur kam dëgjuar pohimin e Kadaresë për Rugovën, instiktivisht më shkoi mendja se edhe Rugova ka pasur shumë kundërshtarë, personalitete të letrave në Kosovë që, jo vetëm kanë dashur të zbehin rolin e tij si lider, por në radhë të parë sepse shikonin me skepticizëm dhe mosdashje këmbëngulëse qëndrimin e tij afrues me perëndimin dhe veçanërisht me Vatikanin. Mirëpo deklarimi i Kadaresë se jam një europianist i vendosur mbart brenda qëndrimin reagues mospajtues të të njëjtave qarqe kulturore në Kosovë sikurse në rastin e Rugovës. Kështu vjen vetiu deduksioni: atëherë ndoshta e kanë hallin dhe merakun më shumë me këtë qëndrim europianist të Kadaresë, sesa me disidencën e tij të përdorur si pretekst në çdo kohë kur marrin në dorë flamurin e sulmit kadarean. Vazhdojmë arsyetimin. Mirë Kadare na dashka që vlerave të letërsisë së tij t’u shtoka edhe tendencën europianiste si kredit për mbase fitim të Nobelit, po në rastin e Rugovës çfarë e shtynte këtë burrë të ditur kosovar që të shikonte orientimin europianist të popullit të tij si orientim shpëtues për perspektivën? Nuk kam asnjë dyshim se Rugova as kishte iluzione fituese Nobeli dhe as interesa të mëtejshme letrare qëkurse i ishte përkushtuar çështjes së lirisë së popullit kosovar.
Mos përbën kjo një nyje ku janë pleksur shumë interesa, të cilat shpërthyen më dukshëm mbas publikimit prej Kadaresë të studimit “Identiteti Europian i Shqiptarëve”? Mbas këtij publikimi, debatet shpërthyen shumë të ashpra, pikërisht sikur prisnin dhe iu shfaq preja në shteg. Nuk merrej në shqyrtim arti sipëror kadarean dhe vlerat që mbarte horizonti i qartë europianist, por keqpërdorej pa mëshirë rasti Janulla, i orkestruar mjeshtërisht nga historiani Milo në Tiranë. Çuditërisht politika shtetërore e Tiranës bënte thirrje dhe përbetohej për ndjenjat integruese në Europë, nga ana tjetër buzëqeshte hidhshëm kur hienat sulmonin europianistin Kadare, i cili kredon e tij e artikulonte me zë të lartë. Madje kryetarja Topalli para një viti nga poltroni i lartë i sallës së Kuvendit u mbante leksion deputetëve të popullit për vlerat e pakontestueshme që po sillte autori Kongoli në letërsinë shqipe dhe atë europiane me romanet e tij? Përse kjo ndërhyrje krejt e pazakontë për një seancë Kuvendi ku s’kishte raste e arsye të mëparshme madje ishte e çuditshme që të flitej për vlerat e një shkrimtari?? Dhe a ishte Kongoli më përfaqësuesi i shkrimtarëve që përbënte krenarinë e shqiptarëve sa për t’u përmendur në sallë Kuvendi? Topalli vetë nuk ka aq peshë kulture sa të japi definicione të tilla, por jam i sigurt se në këtë rast përcillte porosi shefash. Harroi apo bëri sikur kryetarja Topalli që, letrat shqipe kanë disa emra aktualë të asaj fame që e nderojnë dhe i lakmojnë edhe mjaft vende të tjera përreth, si Kadare, Fishta, Agolli, Camaj, e pastaj Ornela Vorpsi, Visar Zhiti, etj. Deri edhe fqinjët tanë grekë, të cilët krenohen me letërsinë e autorëve të mëdhenj klasikë e nobelistët e tyre të kohës sonë, e konsideruan nder të tyre kur para ca vitesh e shpallën shkrimtarin shqiptar Kadare Qytetar Nderi të Athinës. Përse këto harresa institucionale brenda vendit për të madhin Kadare?
Nga mënyra sesi u zhvilluan këto debate të dukej se ndodhte riciklimi i debateve që zhvilloheshin në Tiranën e viteve 20-40 dhe për të cilat po sjell një përcaktim të padër Gjergj Fishtës si karakterizuese e kulturës së debatit të shqiptarëve: “Ma kollaj mbushet nji thes me pleshta se sa nji grusht me shqiptarë”. Çështja e identitetit më shtyn të kujtoj edhe një episod nga aktiviteti i burrit të shtetit shqiptar, Mbretit Zog. Historia e asaj kohe njeh edhe një përpjekje serioze që vet Ahmet Zogu ideoi dhe e futi në axhendën e tratativave me komunitetet fetare shqiptare, për konvertim të popullit në fenë katolike, por që mbeti në tentativë diskutimesh pa shkuar më tej. Nuk mendoj se, si shtetari Ahmet Zogu ashtu edhe gandiani Rugova kanë pasë lajthitur kur kanë ideuar këto qëndrime dhe ndërmarrë hapa konkretë në këtë pikësynim konvertues tërësor të popujve të tyre, që faktikisht ishin shqiptarët të ndarë në dysh nga pazaret e të mëdhenjve. Historia i peshon këto prirje shoqërore të të diturve dhe na thotë nëse janë në të njëjtin drejtim me erërat që fryjnë dhe lëvizin Shqipërinë në drejtimin e duhur perëndimor apo janë këto prirje një kundër rrymë me pasoja penguese.
Ka një moment në historinë e popullit shqiptar të këtyre viteve të fundit i cili manifeston një dukuri, reflektimi i së cilës shkon krahasueshëm thellë në historinë antike greke. E kam fjalën për shembujt që sjell historia antike greke në lidhje me prag-luftërat e mëdha kur prijësi shkonte dhe kërkonte opinionin e orakullit. Bota e mendimit shqiptar ka kohë që e ndjen se ka një orakull mendimi te shkrimtari Kadare. Kështu në Rambuje, në natën përpara ndeshjes vendimtare, shefi politik i UÇK-së niset nëpër natë (se të nesërmen duhej të ishte në fushën e betejës) që të marrë mendimin e orakullit të tij, i cili qëndronte afër tyre në Olimpin e kulturës franceze në Paris.
Thaçi kish rreth vetes një grup njerëzish me kulturë e të ditur, por orientimi dhe besimi ishin te mendimtari Kadare. Në mesnatë mori bekimin e orakullit e u largua për në Rambuje me fjalën e besës dhe garancinë se mbrapa tij do qëndronte dhe do e shpjegonte këtë vendimmarrje historike për fatet e popullit të tij vet shkrimtari. Këtu rrethi mbyllet. Janë shkruar kujtime dhe do shkruhen, por vlera e këtij udhëtimi kërkues bekimi nëpër natë në tokën franceze mbetet si një çast udhëtimesh historike në antikitet.
Prandaj kur iu afruan figurës së Skënderbeut, opinioni i shkrimtarit Kadare ishte pa ekuivoke – mos luani me ato që konsiderohen shtylla të identiteti kombëtar!
Dukshëm shfaqet një tendencë që ringjallet herë pas here në grupe të ndryshëm intelektualësh shqiptarë. Për këtë arsye mendoj se është me vend, me preokupim dashamirës, t’iu bëhet pyetja disa emrave të njohur si p.sh, historianit Milo, publicistëve Klosi e Lubonja, shkrimtarit Trebeshina, akademikëve tanë të fushës social filozofike, prof. Ferraj se: A ishte pozitive apo negative për shoqërinë shqiptare të asaj kohe dhe në perspektivë ligji që nxori Mbreti Zog në lidhje me ndalimin e ferexhesë në ambientet publike? Ne njerëzit më pak të ditur kemi nevojë që të mësojmë një opinion zyrtar në lidhje me këtë prirje të manifestuar nga Mbreti, pasi përbën një kahe orientuese që i jepej shoqërisë shqiptare në një periudhë prapambetjeje kulturore dhe varfërie të skajshme.
Tani le të kthehemi nga padia e prof. Ferraj ndaj Kadaresë. Mendoj se janë dy alternativa. Së pari kemi një ngutje të një njeriu të ditur si profesori, i cili ndjehet mjaft i acaruar nga qëndrimi referues i Kadaresë në lidhje me figurën e Skënderbeut. Ndërkohë, shkrimtari sjell shpjegimin se i është referuar një thënieje në librin e studiuesit Piro Misha. Interesant, përse nuk nis padinë Profesori ndaj këtij studiuesi? Të merresh me Mishën është pak për Ferrajn, të kesh të bësh me Kadarenë kjo përbën vlerë për atë. Mos shkohet me mendimin që erdhi çasti kur duhet t’i heqim e të marrim pak lavdi nga ajo e orakullit? Një rrugë mendimi e tillë më duket si përpjekja e atij njeriut që mendon se duke marrë një kovë ujë në det do arrijë të zvogëlojë volumin e ujit në të. Historia e letrave nëpër shekuj na sjell shembuj kalorësish të kulturës të cilët mbahen mend sepse kanë aq maturi dhe sillen si zotërinj kur marrin penën dhe shpjegojnë qëndrimet e tyre në dobi të çështjes kombëtare e jo duke shkuar në zyra ku trajtohen e gjykohen gjëra më të rëndomta. Bota e letrave qëndron më lart dhe kërkon sjellje fisnikësh, sjellje të denja për fushën e dijes. Edhe sikur të ndodhë që të ketë një vendim gjyqi në duart e një njeriu, ky vendim më ngjan shumë me vendimin, recetën, që do merrte nga doktori Mariana e Kadaresë te Nata me Hënë për të vërtetuar para kolektivit të ndërmarrjes virgjërinë e saj. Recetë që ajo, edhe pasi e kish në duar, e grisi dhe dëshmoi se për atë veprim duhej një përgatitje e një shoqërie të tërë dhe kjo përgatitje kërkonte kohën emancipuese të një jete e brezi të tërë.
Si alternativë të dytë mendoj dhe uroj që të mos jetë ajo e një orkestrimi nga të njëjtat qarqe, të cilat nuk pëlqejnë dhe kundërshtojnë orientimin europianist të shkrimtarit Kadare dhe figurave të tjera historike që përmenda më sipër. Kjo do përbënte një të keqe më të madhe dhe një shërbesë më të lakmuar nga qarqe jashtëshqiptare duke përdorur element brendashqiptarë.
Ajo pjesë e letërsisë shqiptare që tashmë mban emrin “e Kadaresë” përbën një shtyllë mbështetëse për atë nocion që quhet identitet kombëtar. Nën dilemën e rëndësisë që përmban tema që trajtojmë i kërkoj dhe marr një opinion doktorit të vjetër në moshë prof. S. Gjoni, njohës i mirë i kulturës dhe historisë ballkanase. Me kafen përpara, nën plogështinë e lëvizje të ngadalta të imponuara nga mosha, prof. Gjoni më shpjegon: “Puna e këtyre zhvillimeve që përmend ti është një mesele e gjatë që ka filluar që nga koha e Çubrilloviçit. Kjo është një lojë e komplikuar ku trajneri dhe buxheti gjigant me institucionet përkatëse i kanë zyrat te fqinji ynë verior (shprehje e përdorur preferueshëm nga A.Klosi), zyra nga ku shpërndahen dhe koordinohen detyrat me fushata sipas korrenteve politike brenda e jashtë vendit. Lojtarët ndërrohen sipas shkallës së konsumimit (diskreditimit) të tyre dhe kjo punë në ekip e vlerësuar e suksesshme në përmasë analoge me Nobelin do e meritonte me hak një çmim, që mund ta quash qoftë çmimi Miladin e Mugosh, apo çmimi Tempo e Dizdareviç, e plot emra të tjerë aktual, ekip i tërë laureatësh antikombëtar (antikadare) të nderuar e të merituar. Këtë radhë trajneri nxori në fushë si lojtar sulmi profesorin Ferraj, që me sa duket edhe proverbin kosovar, qingji i mirë pi nga dy nana e ka avancuar dhe me një nanë të re nga Lindja. Pra qingji Ferraj pi nga tri nana.
U mbulua me heshtje eleminimi fizik i albanologut Shuflai ashtu sikurse pasoi heshtja e regjimit komunist ndaj Edith Durham, figura këto që meritonin nga një bust në Tiranë a Shkodër. Për kontributin e saj realist në çështjen shqiptare elita komuniste e Tiranës u mjaftua me vendosjen e emrit të saj një rruge qorre prapa stabilimentit Mihal Duri, në një kohë që me librin “Brenga e Ballkanit” ajo tërhoqi vëmendjen e Europës. Në këtë rrugë të harruar, ku kish edhe studio piktorësh, këta të fundit bënin shurrën përpara sesa të hynin në studio. Pra dua të them se kjo puna e njerëzve që kërkojnë të rishikojnë shtyllat e kombit është një punë shumë e koklavitur e mirëstudiuar, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më e qartë ndiqet loja dhe lojtarët”.
U largova prej profesorit të vjetër dhe mendimet m’u dominuan nga mësimet e vlerat e një eksperience jetësore të historisë së botës perëndimore.
Filozofia republikane e Ciceronit romak mendohet se ka qenë mjaft influencuese tek ata që quhen baballarët themelues të Shteteve të Bashkuara. Kjo më kujton një vlerësim historik që presidenti amerikan John Adams ka shprehur për Ciceronin: “Përderisa gjithë mosha e botës nuk ka prodhuar një burrë shteti të madh dhe filozof njëherësh, të mbartur në unitet te një njeri si te Ciceroni, atëherë autoriteti i tij duhet të ketë një peshë të madhe në historinë e botës”.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PERSONALITETE TE MEDHENJE NGA KOSOVA MARTIRE, Posted 27 Janar 2010, 17:58
Zekeria Cana, kolos i historiografisë kombëtare
Imazh

"Mos pyet se çdo të bëj atdheu për ty, por pyet ç‘mund të bësh t’i për të” (Xhon Kenedi)

Më 11 janar 2010, u bë një vit që u ndamë për herë të fundit me nderime modeste, pa fjalime e ceremoni fetare, sepse modestia është madhështi, nga Prof. dr. Zekeria Cana, këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik – Dega e Historisë. U ndamë nga korifeu i historianëve, që studiuan ngjarjet historike nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e këndej.
Prof. Zekeria Cana punoi mbi dyzet vjet në Institutin Albanologjik. Ai është ndër rithemeluesit e parë të këtij institucioni të lartë shkencor, i cili me punën e vet të pandërprerë shkencore, i dha shpirt e zemër, gjak e gjallëri dhe e afirmoi këtë institucion në rrafshin e historisë sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare, duke u bërë shembull se si punohet në fushën e historiografisë sonë kombëtare në veçanti nga njëra anë, u bë edhe mësues e këshillues për punonjësit e rinj shkencorë që të punojnë me zell e korrektësi në fushën e shkencës, në përgjithësi nga ana tjetër.
1. Mirëpo, kur atdheu ishte në rrezik, ai e la penën e shkencën të pushojë dhe me tërë qenien e vet fizike e mendore iu rrek veprimtarisë patriotike, duke u shquar si një patriot i rrallë, ai hyri në shpirtin e zemrën e popullit të vet dhe u bë simbol i mbrojtjes së vegjëlisë, sinonim i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave kombëtare. Në këtë drejtim ai ishte ndër themeluesit e parë të LDK-së në krye me strategun e udhëheqësin largpamës Dr. Ibrahim Rugovën, lëvizje politike kjo gjithëkombëtare, nga e cila e kanë zanafillën të gjitha partitë kosovare shqiptare. Këtu, në këtë parti politike roli dhe kontributi i Prof. dr. Zekeria Canës ishte i madh. Si mik dhe adhurues i Ibrahim Rugovës, gëzoi respekt të ndërsjellë ndërvëllazëror.
2. Në hullinë e veprimtarisë politike, Z.Cana themeloi edhe Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, duke luftuar vijimisht për liri e pavarësi të popullit të vet, demaskoi dhunën dhe terrorin shtetëror e gjenocidial të Serbisë hegjemoniste e fashistoide. Gjithmonë u gjend në radhët e para të demonstruesve studentë, shpesh me plisin e bardhë si bora në krye, simbol i qëndresës dhe autoktonisë shqiptare në këto tërthore të Ballkanit. Ishte i pari që ngriti zërin, me vendosmëri e guxim kundër vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në Armatën Jugosllave, e trimëroi popullin që me tubimet e mëdha mortore të shprehnin revoltën dhe urrejtjen kundër okupatorit shekullor serboçetnik; Ishte krah i djathtë i plakut të urtë prof. Anton Çettës dhe shok i ngushtë i tij, në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, shëroi plagët e popullit, bëri pajtimin e familjeve të hasmëruara dhe homogjenizoi popullin duke kurorëzuar pajtimin kombëtar, përgatiti rininë për t’iu kundërvënë armikut me armë në dorë në çeta e formacione batalionesh të UÇK-ës, vizitoi llogoret e luftëtarëve të UÇK-ës, u dha këshilla e zemër, u ndihmoi edhe moralisht e materialisht nëpërmjet donatorëve humanistë e patriotë të mirëfilltë.
3. Me udhëzimet, këshillat e inkurajimin për guxim, Prof. dr. Zekeria Cana ndikoi fuqishëm në radhët e Shërbimit të atëhershëm policor që demonstrativisht ta lëshojnë dhe bojkotojnë Policinë Jugosllave, e që pati jehonë të madhe në politikën ndërkombëtare të aktualizimit të çështjes së Kosovës.
4. Në momentet më të vështira e më kritike, fatin e vet e lidhi me fatin e popullit. Kështu veproi edhe me rastin e luftës heroike të familjes Jashari, në krye me heroin legjendar – Adem Jasharin, ai u gjet pranë kësaj familjeje në momentet vendimtare; u ndihmoi dhe udhëzoi refugjatët e Rrafshit të Dukagjinit, që shkuan në Shqipëri më 1998; Ai u gjet në çdo cep e në çdo kënd të atdheut, si një ante e shihje të vepronte sa këtu sa atje, në vorbullën e ngjarjeve, në flakën e luftës dhe gjithkund dilte faqebardhë. Vdekja sikur frikësohej dhe ikte prej tij në shumë raste e momente, ku mund të vdisej.
5. Ai arriti edhe në diasporën shqiptare në meridiane të ndryshme të rruzullit tokësor dhe kontribuoi në unifikimin e qëndrimeve të unitetit kombëtar. Bashkë me Anton Çettën bënë edhe shumë pajtime.
6. Prof.dr. Cana qëndroi në gjirin e popullit dhe ndau fatin me të edhe gjatë bombardimit të NATO-s kundër pozicioneve ushtarako-policore e paramilitare të Serbisë dhe dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga vatrat stërgjyshore në Kosovë, priti çlirimin e Kosovës në shtëpinë e vet në Prishtinë. Edhe pas çlirimit kontribuoi në konsolidimin e Qeverisë së Kosovës, por nuk synoi, nuk kërkoi as nuk lakmoi kurrfarë pozite, por përsëri iu kthye punës së vet shkencore në Institutin Albanologjik, sepse ai nuk pyeti se ç‘bën atdheu për të, por bëri atë që mundi për popullin e atdheun e vet, duke mos kërkuar as shpërblime as dekorata, u nda prej nesh në mënyrë të thjeshtë dhe madhështore, sepse thjeshtësia e njerëzve fisnik e bujar, me virtyte të larta patriotike është madhështi njerëzore.
Sëmundja tinëzare e vdekja e pamëshirshme, që nuk është as dënim as dhuratë, por është ligj natyror, e rrëzoi për dhé dhe shkuli një lis të madh, që bënte hije për një fis, për një popull e për një komb. Prof. Zekeria Cana me veprimtarinë e vet kombëtare e shkencore për një kohë të gjatë la namë e famë në historiografinë tonë kombëtare.
Disa të dhëna biografike/Prof.dr.Zekeria Cana është njëri ndër veteranët e shquar të historiogrtafisë shqiptare, figurë e dalluar e historisë sonë kombëtare i lindur dhe i rritur ne një familje me tradita të pasura patriotike në Gjakovë, më 15 mars 1934, i cili shkollën fillore dhe Gjimnazin e ulët e Normalen i kreu në vendlindje. Pasi punoi dy vjet si arsimtar në Irzniq dhe në Deçan, ai njëkohësisht u mor me gazetari-si korrespodent i “Rilindjes” dhe “Radio Prishtinës”. Më 1954 i filloi studimet (si bursist i “Rilindjes”) në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në Degën e Historisë. Ishte ndër veprimtarët ma të njohur në organizatat studentore. Këtë e dëshmpn fakti se ishte njëri ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptare “Përpjekja” të studentëve shqiptarë të Beogradit dhe sekretar i parë i saj, që me veprimtarinë e vet të ngjeshur la gjurmë të pashlyeshme ndër mote. Më 1959, për shkak të mospajtimit me qëndrimin e politikës jugosllave ndaj popullit shqiptar, u largua nga PKJ. Që nga koha e diplomimit ushtroi detyrën e profesorit të historisë dhe të ekonomisë politike në shkollat e mesme të Prishtinës dhe të Gjakovës. Më 1962 u pushua nga puna dhe kaloi në Arkivin Krahinor Shtetëror të Prishtinës, por edhe prej këtu e largua dhe qëndroi një vit pa punë. Statusi i tij u rregullua pas Plenumit IV të LKJ të Brioneve (1966). Me rithemelimin e Institutit Albanologjik (1967) u pranua aty asistent në Degën e Historisë. Më 1975 kreu studimet pasuniversitare në Beograd dhe mbrojti tezën e magjistraturës me titull: “Lëvizja Kombëtare e Shqiptarëve në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj Lëvizjeje”, kurse më 1984 në Fakultetin Filozofik të Prishtinës mbrojti disertacionin e doktoratës: “Socialdemokracia Serbe dhe Çështja Shqiptare 1903-1914”, duke u bërë shembull se si punohet dhe si mbrohet një disertacion cilësor me vlerë të lartë shkencore. Gjatë punës në Institutin Albanologjik kreu edhe detyrën e sekretarit të Bashkësisë Krahinore të Institucioneve Shkencore, të sekretarit
shkencor të “Gjurmimeve albanologjike” dhe të sekretarit shkencor të Institutit. Veç kësaj u muar edhe më përkthime nga gjuha serbo-kroate dhe ruse, u mor edhe me publicistikë dhe eseistikë, e punë të tjera shumë të rëndësishme në interes të momenteve të caktuara të kohës e të historisë. Krahas punës kërkimore-shkencore ushtroi veprimtari të ngjeshura edhe në rrafshin shoqëror, politik, patriotik dhe humanitar. Është bashkautor dhe shpërndarës kryesor i Apelit të 215 intelektualëve shqiptarë, themelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që kërkonte guxim e vëndosmëri dhe sakrificë personale e familjare dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe të Ngatërresave dhe krah i djathtë i plakut të urtë, Prof.Anton Çettës.
Shkrimet e para shkencore zuri t’i shtjellojë më 1962. Duke pasur për bazë angazhimin shkencor (shih bibliografinë e punimeve studimore, që do të sjellim në vazhdim), është konstatim i përgjithshëm i historiografisë shqiptare se Prof.dr. Zekeria Cana, për ta shprehur bindshëm Lëvizjen Kombëtare Shqiptare gjatë viteve vendimtare 1908-1912 dhe më vonë në fushën e interesimit të dijës së tij, bëri një angazhim përgatitor e detajues nga shumë burime studimore për të hyrë thellë në zhvillimin e ngjarjeve dhe rrethanave të periudhës së caktuar kohore. Kështu, studimet e Prof.dr.Zekeria Canës në themel të
çështjeve dhe problemeve që trajtohen, kanë mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike. Ato sjellin një kontribut të rëndësishëm për kryengritjet e mëdha shqiptare 1908-1912, duke trajtuar edhe probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., gjatë periudhës në shqyrtim. Nga sfondi historik, që jepet në pjesëm më të madhe të botimeve të veçanta dhe të studimeve shkencore historike, del qartë se autori jo vetëm që i ka ndjekur hap pas hapi këto kryengritje me karakter gjithëkombëtar, por edhe i ka parë të ndërlidhura ngusht me gjendjen e Shqipërisë Etnike, me detyrat e Lëvizjes Kombëtare e Demokratike Shqiptare, kriter që i ka dhënë një vlerë të madhe trajtimi ngjarjeve dhe fakteve kryesore të dy periudhave historike: para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Mbi bazën e analizave shkencore, dhe duke pasur qëndrim kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit, Prof.dr.Zekeria Cana bën shpjegimin historik të dokumenteve, punë që dëshmohet me anë të dokumenteve, duke demaskuar dhe duke hedhur poshtë si pseudoshkencë, pikëpamjet dhe qëndrimet e historiografisë ekspansioniste serbosllave, lidhur me Shqipërinë Etnike të këtyre viteve dhe me shqiptarët, ai thekson veçanërisht vlerësimin e drejtë të rolit të masave dhe personaliteteve me peshë historike në këto luftëra për çlirimin kombëtar shqiptar.
Këto studime, që pasqyrojnë objektivitetin historik të ngjarjeve me rëndësi të madhe për historinë e popullit shqiptar, të shkruara me stil të rrjedhshëm, me gjuhë të pastër, me fjali të sakta, të qarta e të kuptueshme, kultivues e aktivizues i një leksiku të rrallë, sjellin një kontribut të rëndësishëm me njohjen e periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe japin mundësinë për studimet e thelluara nga kjo fushë. Njëherit këto studime qartësojnë shumë koncepte dhe pikëpamje rreth shumë çështjeve të diskutueshme historiografike të viteve 1908-1912.
Prof.dr. Zekeria Cana është paraqitur edhe me referate dhe me kumtesa në simpoziume dhe kongrese shkencore të mbajtura në Kosovë, në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj, në disa vende të Evropës e deri në Amerikë. Me kumtesat e paraqitura në këto tubime shkencore Prof.dr. Zekeria Cana kudo u mirëprit me respekt të veçantë nga opinioni shkencor dhe nga qarqet e shkenctarëve të shquar kombëtar e ndërkombëtar. Vëllimin e angazhimit studimor shkencor të prof. dr. Zekeria Canës në fushën e dijës historike në përgjithësi e të historiografisë sonë kombëtare, në veçanti, e dëshmon numri i madh i njësive bibliografike, si të veprave të veçanta, artikujve dhe studimeve, nga njëra anë, po ashtu edhe të kritikave, recensioneve dhe polemikave, shkrimeve historiko-publicistike dhe përkthime të veprave historike nga historianë të huaj, nga ana tjetër.
Vepra të veçanta/1. Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë 1908-1912, Prishtinë, Rilindja 1979, 376; 2. Shpalime historike, Prishtinë, Rilindja 1983,411; 3. Dimitrije Tucoviqi – Koha dhe vepra, Prishtinë, Rilindja, 1983; 4. Socialdemokracia Serbe dhe Çështja Shqiptare 1903-1914, Prishtinë, Instituti Albanologjik 1986, 376; 5. Populli shqiptar në kapërcyell të shek.XX, Prishtinë, Instituti Albanologjik 1990, 343; 6. Kori i burrave, Gjakovë 1995, 52; 7. Familja Cana, Gjakovë 1996, 76; 8. Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (Dokumente), Prishtinë, Instituti Albanologjik 1996,400; 9. Shpalime historike. Pjesa e dytë. Prishtinë, Libri shkollor 1998, 659; 10. Ditari i luftës, Prishtinë, Zëri 1999, 327; 11. Ditari i robërisë, 1,2,Prishtinë, Rozafa 2000,311,304; 12. Apeli 215 i intelektualëve shqiptarë, Prishtinë, Rilindja 2001,384; 13. Politika e Serbisë kundrejt çështjes shqiptare 1903-1913. Prishtinë, Instituti Albanologjik 2006, 557; 14. Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe. Prishtinë, Instituti Albanologjik, 2008, 617.

27-01-2010 / Nga Prof.Dr. Daut Bislimi
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
PERSONALITETE TE MEDHENJE NGA KOSOVA MARTIRE, Posted 27 Janar 2010, 18:06
Ishte nje fat per Kosoven dhe mba´re token shqiptare te lindte nje burre si prof.Cana, qe per mua dhe kush e ka njohur ishte i madh shume ne dy drejtime:
- Nje burre me formim moral shume te larte

- Nje burre i pajisur me dije te thella e e te shumta ne shkencen albanalogjike dhe historike.

Celesi i suksesit ne jeten e tij qendronte ne ate se ishte nje shqiptar i plote. Ne cdo qelize permbante dashurine per token, historine, popullin shqiptar pa dallim krahine apo feje dhe ideje. :flm
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 25 Shkurt 2021, 18:29
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari