Very important people(V.I.P). Ketu mund te gjeni gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te vipave shqiptar per te gjithe fansat e tyre.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
LUK KAÇAJ - LEGJENDE E OPERAS SHQIPTARE
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
LUK KAÇAJ - LEGJENDE E OPERAS SHQIPTARE, Posted 26 Shkurt 2009, 02:21
Luk Kaçaj , Koncert festiv për legjendën e lirikës shqiptare
Imazh
Martesa e cifti - Ana Jakova me tenorin Luk Kaçaj

18 Shkurt 2009 GAZETA SOT

Në skenën e Akademisë së Arteve do të zhvillohet një koncert me repertor të pasur artistik
Në datën 23 shkurt te 2009 në skenën e Akademisë së Arteve do të zhvillohet një koncert festiv kushtuar legjendës së lirikës shqiptare Luk Kaçaj. Koncerti festiv do të jetë nën udhëheqjen artistike të prof.Burhan Spahiut dhe në piano do të interpretojë Larua Kushta. Në këtë koncert të veçantë Presidenti i Republikës Bamir Topi do ti japë titullin Nderi i Kombit. Programi i koncertit do të jetë i ndërthurur me një repertor të larmishëm artistik. Kështu do të interpretohen pjesë nga opera Orfeu dhe Euridiçe me studentët ë e Akademisë së Arteve nën udhëheqjen prof. Dritan Lumshit. Për lutje të shpirtit të tij do të këndohet Pieta Sinjore arie antike nga Aleksander Scarlatti. Pjesë e programit do të jetë dhe Ave Maria, romanca nga Shubert, do të ketë pjesë nga krijimtaria e Verdit, por dhe pjesë napolitane O sole mio, që do të debutohet nga studentë e katedrës së kantos nën udhëheqjen e prof. Burhan Spahiut, njëkohësisht dhe shef i kësaj katedre. Në këtë koncert janë të ftuar që të tregojnë kujtimet e tyre dhe prof. Sokol Shupo si dhe emra të tjerë që kanë qenë bashkëvuajtës me Luk Kaçajn. Të ftuar do të jenë dhe artistë e TKOB Marina Leka si dhe Armaldo Kllogjeri. Në një prononcim dhënë për gazetën prof Burhan Spahiu tregon se Luk Kaçaj ishte një artist legjendë i skenës shqiptare. Luk Kaçaj është një personalitet i artit vokal kombëtar me përmasa ndërkombëtare. Gjatë kohës së studimeve të tij ai ishte një nga studentë më të talentuar. Pas viteve 60 ai ishte prima solist në TKOB, ku interpretoi me nivel kryerole të literaturës kombëtare dhe ndërkombëtare, tregon prof. Spahiu. Luk Kaçaj ka interpretuar në shumë vepra operistike si: opera Berberi i Seviljes Don Bazilio, Rene në operën Pollanta, Gjini në operën Mrika, Bozone opera: Madame Butterfly, Aleko opera Aleko, Sparafucile opera Rigoletto, por dhe role në kinematografi-plaku në filmin Skënderbeusi dhe në filmin Përse bie kjo daulle.
Si e njohëm Luk Kaçajn
Këngëtar shqiptar (bass) i brezit të parë të këngëtarëve profesionistë të Shqipërisë. U lind më 19 korrik të viti 1926 në Bajzë të Malësisë së Madhe dhe vdiq në 7 shtator në Laç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër me mësues padre M.Gjoka dhe që në këtë kohë ai shfaq dhunti të pazakonta muzikore. Pas çlirimit në vitet 1947-1950 punon në Korin e përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1950-55 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P.I. Tchaikowsky në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq që në kohën e studimeve ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare duke marrë edhe çmime. Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973 kur Luk Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare. Luk Kaçaj ka mbetur i paharruara për realizmin mjeshtëror të një repertori mjaft të gjerë dhe sidomos për interpretimin mjeshtëror të pjesëve vokale nga filmi Skënderbeu. Për meritat e tij ai u nderua me çmime,medalje dhe tituj të shumtë, mes të cilëve dhe titullin Artist i Merituar(1961).
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
LUKË KAÇAJ
SHKAMBI I DALTUEM, QË RA PREJ BJESHKËVE TË NÊMUNA

Imazh


Në 100 vjetorin e Pavarsisë…


Bajza e Kastratit të Shkodres, me 24 Shkurt 1924
i fali artit shqiptar një shkamb që pat daltue prej Atyne Bjeshkëve të Nêmuna, ku kanga me “Lahutë” nuk ka kurrë mort! Ky filiz i njomë i lemë në një shtëpi malesh kreshnike me emnin Lukë Kaçaj, do të rritet e do të bahet lis sa bota e qytetnueme me na e pasë lakmi. Lukë Kaçaj fëmijë i kushtohet Urdhnit të Fretenëve të Vegjel, dhe vjen në kolegjin e Françeskanëve të Gjuhadolit në Shkoder, ku do të ndjekin edhe mësimet në Liceun “Illyricum”... Mjeshtri i madh i muzikës At Martin Gjoka, asht Ai që i vuni shenjën e muzikës në ballë djaloshit të rij nga Alpet që me ujin e burimeve të tyne i sollen artit Shqiptar një nga figurat ma të spikatuna, që zani i Tij do të mrekullojë edhe Boten...
Nen kujdesin e At Filip Mazrrekut, një tjeter frat i telentuem, Luka do të mësojë me luejtë në armonio, organo dhe vjolinë. “Ato vite Ai i kujtonte si kohen ma të bukur të jetes së Tij”, ka shkrue në një monografi të shkurtë nxanësi i Tij, muzikologu dhe artisti i njohun Loro Sata, të cilit i jam referue per me shkrue këta pak rreshta per të Madhin Lukë Kaçaj në këte 100 vjetor.
Në vitin 1946, kur po permbytej mbarë Shkodra nga komunizmi, At Mati Prennushi thrret në Kuvend baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë të mbyllet nga komunistët..” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, në prezencen e At Konrrad Gjolaj, në vitin 1996, në Shkoder).

“Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës tim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946” thonte Luka me mirnjohje... Ndonse, veshtirsitë e jetës Lukës nuk iu ndanë asnjëherë.

Luka niset per Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i habitun nga pergatitja kulturore muzikore e Lukës. Pranohet në 1947 në orkestren e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish. E ndihmon kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, tue e angazhue me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen amtare, tue i vue në perdorim të vazhdueshem me leteratyren botnore dhe kryeveprat e saja ma të njohunat, si pasojë e studimeve fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.
Imazh
Lukë Kaçaj diten e martesës me Anen…në Rrugen L.Gurakuqi, Shkoder.

Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”...E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten.
Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit, ku populli moskovit e pershëndeti “tue e krahasue të një niveli me interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”.

Në vitin 1966...Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!


Luka gjithnjë shihej tue i ba një pyetje vetes: “Mos vallë... ky asht fundi im...!?”

Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973...kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij...”
Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por denimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie...Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Nuk munguen as dishmitarët...

Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun e “madh” me të gjithë popullin shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe per ty, vetem hamall...” Luka tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe buken per vete dhe per Anen...Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte shpirt e zemer!”
Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë... Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka!
Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.
Luka me të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e Tij.
Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen shqiptare Europjane, që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna, e ...

Ky vigan i pavdekshem ishte Lukë Kaçaj...

Melbourne, 12 Nandor 2012.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 13 Maj 2021, 08:14
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari