Very important people(V.I.P). Ketu mund te gjeni gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te vipave shqiptar per te gjithe fansat e tyre.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
I PËRJETSHMI PROF. DR. ARSHI PIPA! Në 90 vjetorin e lindj
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
I PËRJETSHMI PROF. DR. ARSHI PIPA..!
Në 90 vjetorin e lindjes...

[color=#400080]Jul Çefa, profesor Arshi Pipa dhe Fritz Radovani 1992 - Shkodër.jpg


Një Burrë Atdhetar e dijetar i vertetë i Shqipnisë ishte i paharrueshmi Prof. Dr. Arshi Pipa.

Prof. Arshiu asht le në Shkoder në vitin 1920. Baba i Tij Mustafa Pipa ishte jurist me një kulture të gjanë dhe i formuem me parimet e shndoshta të qytetnimit Perëndimor, gja të cilën Ai e trashigoi nëpërmjet zonjës së Tij të nderueme Hatixhe ndër të gjithë fëmijët e vet, tue marrë edhe prej Saj karaterin e Burrneshës Shqiptare, që e karakterizoi Ate dhe trashigimtarët e Saj, tue ruejtë me rigorozitet virtytet e familjes deri ditën që mbylli sytë e Saj të përlotun nga plagët e randa dhe të pasherueshme të zemres së brengueme e të plasun për së gjalli, nga vdekja e mnershme e djalit të pashoq Muzaferit…e kjo vdekje, zonjës Hatixhe po i ngjante, në kampet e shfarosjes ku Ajo ishte e interrnueme.
E si mund t’ ishte ndryshej studenti i bankave të shkollës Saveriane, apo i Gjimnazit të njohtun të qytetit Shkodres, që me cilësitë ma të shkelqyeshme djaloshare, arriti me u diplomue në Firencë, të Italisë për filozofi, mbasi mbrojti disertacionin “Morali dhe Feja tek Bergsoni”, temë e cila, i dha edhe graden shkencore të doktorit të filozofisë në vitin 1941.
Posa përfundoi studimet erdhi në Atdhe dhe filloi punën për edukimin e rinisë në gjimnaz të Tiranës, Shkodres dhe të Durrësit, ku e gjet viti 1946 dhe ku u arrestue si “armik i popullit” një term krejt i papërshtatshëm për Prof. Arshiun, mbasi Ai nuk ishte “armik i popullit” por ishte “armik i pushtetit diktatorial komunist të Tiranës”. U dënue dhe u ridënue tue mos mujtë as në hetuesi as në burgje me hjekë një “ashkel” në kokën e tij prej bronxi...Ashtu, si vëllaut të Tij të nderuem Dr. Avokat Muzafer Pipës, i cili guxoi me mbrojtë në gjyqin e grupit parë antikomunist të Shkodres, “Bashkimi Shqiptar”, pafajsinë e dijetarit At Gjon Shllaku, tue deklarue në gjyq se “At Gjoni jo vetëm asht i pafajshëm por asht klerikë me ide përparimtare dhe ka përkrahë çlirimin e Shqipnisë nga zgjedhat robnuese nazi – fashiste, gja të cilën e ka shpreh kur asht inaugurue në Shkoder shtëpia e kulturës e qytetit.” Dr. Muzaferi u arrestue dhe në torturë vdiq kur terroristët Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci tue dashtë me i futë në muskujt e krahve të lidhun mbas shpine një hekur të skuqun, ndeshën për shtyllen kurrizore dhe i moren jetën...
Kjo ngjante kur vllau i Tij, Prof. Arshiu po provonte tjera tortura nga katilët e pashpirtë në hetuesinë e Durrësit...me Nevzat Haznedarët e sa kasapë të tjerë, edhe ky vetëm e vetëm se kishte pasë guximin me tregue se nuk pajtohej me diktaturen komuniste të katilit Enver Hoxha, tashma i njohtun si vegel qorre e shovenistve jugosllavë dhe tradhëtar i të gjitha idealeve atdhetare, me të cilat ishte i brumosun Prof Arshi Pipa.
Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe në vitin 1957 arratiset në Jugosllavi prej ku, në vitin 1958 largohet përgjithmonë në ShBA. Në vitin 1960 asht mësues filozofije në Arkansas, prej nga fillon e përpjeta e jetës së Tij, tue ju kushtue veprimtarisë së Tij Atdhetare, politike, artistike, letrare, filozofike, kritikës letrare dhe estetikës saj, gjuhësisë, folklorit dhe tue lanë gjurmët e veta edhe në folkloristikë me vepra të mëdha e dinjitoze për kulturën shqiptare e madje, edhe ate botnore, ndonse Shqipnia komuniste jo vetëm nuk do me e pasë në gjiun e saj, por edhe e quen “tradhëtar i Atdheut”, tue i përsekutue në mënyren ma barbare motrat e nderueme të Tijat e çka përfshihej edhe fëmijë në shpergaj nën mbiemnin e njohtun Pipa.
Kishe ndigjue vite ma parë për shfaqjen kulturore të Tij, posa kishte kthye nga Italia...
Kishe ndigjue rasësisht edhe ndonjë mendim të shkurtë politik të transmetuem nga “Zëri i Amerikës”, por ai za i fuqishem që pata ndigjue prej Tij në radio në gjysmen e vitit 1990, kur bani thirrje për zhguljen nga Sheshi Skenderbe të shtatores gjigande të diktatorit, si vepër që do të arrinte me zhbi farën e keqe të tij ndër zemrat e shqiptarve, ishte me të vertetë një program i një Fitores së Madhe që po afrohej, akt pa të cilin Demokracia nuk vjen...Dhe, ashtu ishte!
Për këte kolos Atdhetar e dijetar, në vitin 1991 pata mendue dhe propozue me kenë Presidenti i Republikës së Shqipnisë...Po, “shqiptarët” pranojnë qeverisjen edhe nga “ata” që as nuk mund të krahasohen në asnjë pikëpamje me Prof. Arshi Pipen.., prandej, edhe ecë e shkreta Shqipni kështu e marrakotun tue iu marrë kambët me gjetë rrugën e Europës!!
Mbas vitit 1992 Prof Arshi Pipa erdhi në Rinas të Tiranës...E posa zbriti, Toka Shqiptare ndjeu freskinë e saj të humbun nga zharitja gati gjysëshekullore!
Erdhi në Shkoder...e qeshi me gjithë zemer Rozafa për birin e Saj të kthyem faqebardhë.
Foli në Institutin Pedagogjik të Shkodres, në Muzeun Historik të Shkodres, në Teatrin “Migjeni” të qytetit, në Universitetin e Tiranës të “çliruem” nga studentët por të robnuem nga pseudoprofesorët “ignorantë” siç, i quejti Ai, të cilët edhe sot vazhdojnë me kenë rob të firmave të hjedhuna ndër arshivat e mëshefta të ministrisë së mbrendshme...
Mora vesht se asht në shtëpinë e Motres së vet, Nedretit, zonjës Uran Kalakullës...U nisa dhe e gjeta atë apartament ku njerzit vlonin tue hy e dalë...U ngjita shkallave dhe trokita në derë. Zonja Nedret më çili derën dhe më ftoi në dhomen ku ishte Profesori...Tek dera u topita! Kishe karrshi një Burrë të thinjun, me gjyslykë që mi banin edhe ma të mëdhaj ata dy sy shqiponje! I gjatë e pak i krrusun nga mosha. I veshun me një kostum të çiltë me një ngjyrë të ambel krem që lidhej harmonikisht me ngjyren e fëtyrës së Tij, dhe që edhe buzqeshjes së ambel e joshëse i jepte tonet e Shpirtit të Tij Fisnik...Qendroi në kambë dhe më shikoi, atëherë filloi e foli: “Nëse je kenë komunist ose spiju, mos ma jep dorën! Ndryshej, PO!” Urani i tha: “Asht Fritz Radovani anëtar i Kryesisë BSPSH, që kanë rrëzue qeverinë komuniste!” Ai shtrini doren i pari dhe unë ia shterngova si Burrat, tue e marrë ngrykë e tue tokë koken me Te...Mos jeni ju , më tha, miku i Julian Çefës..? Unë pohova me krye! Më mori për krahu dhe kaluem në një dhomë ku nuk kishte njeri. Aty më dha dy porosi: “Mos u terhiqni në Luften tuej fisnike, por kini kujdes tek elementi që do të zgjidhni në organet e qeverisë, mbasi po arriti me dominue ai i lidhuni me sigurimin e shtetit, keni me deshtue përgjithmonë. Gjithë kjo Fitore e Madhe, që nuk ka ngja me asnjë nga Sindikatat botnore, me rrëzue një qeveri me grevë, e çfarë qeverie të një tipi të panjohtun në historinë edhe të vendeve komuniste, do t’Ju shkojnë dam...e mos harroni kurrë se komunistët do të bajnë çmos me shkatrrue Fitoren Tuej madhështore!” E veshtrova me kujdesin e një fëmije që kërkon mbrenda pak minutash prej dijetarit me mësue gjithë rrugën e të së ardhmes!
Në takimin tek Muzeu Historik ku ishte i pranishem edhe miku i em Jul Çefa, bashkë me Profesorin bame edhe një foto që kam vue në këte përkujtim të 90 vjetorit të lindjes së Tij.
Ajo asht një foto që ruej fort si thohet në Shkoder, “si sytë e ballit!”, bashkë me disa nga letrat që kemi shkembye me Prof. Arshiun e, që për mue janë thesari ma i madh që kam nga të gjitha ato që kam shkëmbye me njerzë fort të ditun e të njohtun si dijetarë e Atdhetarë.

Kam citue disa rreshta prej tyne. Unë i hapi dhe shpesh lexoj rreshta që më duken se mi kanë shkrue dje. Harroj shpesh se autorët e Tyne nuk jetojnë ma, por mendimi i Tyne asht i pranishem në të gjithë artikujt e mijë e kryesisht ndër dorshkrimet që punoj me shumë kujdes tue u mundue me zbatue porositë e Tyne të vlefshme: “Baza e shkrimit me kenë vetem e verteta!”
Ajo asht një foto me një nga dijetarët ma të mëdhaj të Shqipnisë në shekullin XX.
Prof. Dr. Arshi Pipa vdiq me 20 Korrik 1997 në Washington të Shteteve të Bashkueme.

Asht shkrue dhe do të shkruhet gjithnjë për horizontin e pafund të dijes së Tij, asht shkrue për librat me vlerë që i ka lanë kulturës shqiptare, asht shkrue për ndihmesen e madhe që Ai i ka kushtue shoqnisë “Vatra”, asht shkrue për përpjekjet e vazhdueshme të Tij për Lirinë e Kosovës, asht shkrue për kujtimet e pakrahasueshme letrare për Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Jul Bonattin, At Pjeter Mëshkallen etj., asht shkrue për veprimet e Tij pranë qeverisë amerikane për njohjen e Shqipnisë Europjane, asht shkrue për talentin artistik të vjershave të “Librit Burgut” po, por volume të tana janë veprat e heshtuna mbrenda fletëve të shkrueme me gjak në vitët e rinisë së Tij, kur Prof. Arshi Pipa torturohej e masakrohej krejt “i pafajshem” në hetuesinë e Durrësit... të “dyllosuna në Dosjen Nr.1167” i plandosun në çimento, pa ngranë e pa ujë, pa shtrojë e pa mbulojë, i çveshun dhe i rrahun pa ndjenja, i varun ndër hatlla, i pa gjum e i gjakosun, po kurrë i mposhtun, kurrë i përkulun, kurrë i friguem, kurrë i pakarakter, kurrë tradhëtar i shokve të vet, kurrë bespremë për të tjerët, por trim e guximtarë që me nderim ruejti të papërlyem prakun e Pipejve të Libohovës, dhe me Burrni të pashoqe i bani ballë vuejtjeve, tue lanë një Monument të bardhë fildishi në Historinë e Heronjve të Pavdekshëm të Popullit Shqiptar nën dhunën e pashoqe komuniste!

Melbourne 22 Dhetor 2010
Ju nuk keni të drejtë të shikoni skedarët që i janë shtuar këtij postimi.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 25 Shkurt 2021, 19:15
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari