Very important people(V.I.P). Ketu mund te gjeni gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te vipave shqiptar per te gjithe fansat e tyre.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
IMZOT PRENGË DOÇI- KOMPLEKSIVITETI I NJË FIGURE NDRYSH -D.G.
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4581
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Daniel Gàzulli
IMZOT PRENGË DOÇI -
KOMPLEKSIVITETI I NJË FIGURE NDRYSH

Imazh
1846-1917


1


Studimit të kësaj figure madhore, në dukje të parë enigmatike, i janë shmangë qoftë historianët e mirëfilltë, ashtu edhe historianët e letërsisë. Këta të fundit kanë edhe një farë të drejte: do të ishte cektësi me kujtue Imzot Doçin thjeshtë në cilësinë e poetit. Edhe një monografi e botueme pak vite ma parë nga Pal Doçi ka mangësi të ndjeshme konceptuale e shtjellimi të ngjarjeve, ashtu edhe të figurës. Natyrisht kjo ka ardhë edhe prej vështirësive që paraqet realisht figura komplekse e Imzot Doçit nëse portretin e tij e kërkojmë në vepra të botueme apo pjesëmarrjen në konferenca e kongrese. Por nëse, si thuhet në diplomaci, do të përpiqemi të lexojmë në mes rreshtave, atëherë këto vështirësi del se janë shumë ma të pakta.
Imzot Doçi duhet pa veçanarisht në dy plane: a) në trajtimin krejtësisht të ri të çashtjes kombëtare; b) në krijimin e një klime moderne kulturore që do të rrezatonte forca të paimagjinueshme deri atëherë.
Shumë i përmendun e pak i njohun, e cilëson një studius tjetër. Edhe kjo rrjedh pse shpesh të gjithë na kërkojmë me gjetë anën e jashtme, të dukshme, të zhurmëshme të personazheve historike. Këte asht kot ta kërkosh tek Imzot Doçi. Vepra e tij nuk asht tingëlluese, por rrajë e degë i kishte rrajë e degë lisi.
Nuk asht kjo paraqitje e shkurtë që mund të trajtojë në mënyrë analitike e shtjerruese figurën e Imzot Doçit: do të përpiqemi të argumentojmë pse ai duhet konsiderue një figurë madhore, por ndrysh nga bashkëkohësit e tij apo edhe personalitetet e sotme.
Periudha e parë e jetës së tij (shkurt 1846-1872) nuk ka asgja të veçantë. Asht si të përsëritish jetëshkrimin e shumë bashkëkohësve të tij: u lind në Bulgër të Lezhës, kreu studimet fillore në Kallmet po të Lezhës, shkollën e mesme e kreu në Shkodër pranë Kolegjit Papnor, kurse studimet teologjike në Romë prej nga u kthye në vitin 1871 dhe u caktue meshtar në Korthpulë të Pukës.
Më 1872 ai caktohet sekretar i Abatit të Mirditës Gasper Krasniqi.
Këtu fillon figura ndrysh e Imzot Doçit.
Le të bajmë një parantezë mbi gjendjen e Maleve Veriore në atë kohë e veçanarsiht të Mirditës. Mbarë vendi, veçanarisht Malësitë e Veriut, jetonin ende një formë mesjetare në pikëpamje shoqnore, ku dominonte njësia e Flamurit (Bajrakut), e shumta disa njësi të tilla të bashkueme nën sundimin e një princi, a vojvode, a kapedani, por me administrim të dyfishtë: atij turk e të sundimtarit vendas. Një farë gjysëmautonomia e njohun nga Stambolli nuk i prishte shumë punë Turqisë; joqë asaj i interesonte kjo përçamje administrative, shpesh herë konfliktuale mes trevash fqinje. Struktura fisnore e Veriut, por edhe e Jugut në një farë mase, i lejonin Turqisë të shpenzonte ma pak energji ushtarake për t’i mbajtë nën sundim, se sa po të ishin nën një administrim unik. Përveç kësaj, njohja e autonomisë apo e formave të përafërat me te, shoqnohej edhe me detyrimin që këto zona të mobilizonin një numur të madh ushtarësh në shërbim të Turqisë kur asaj ia donte nevoja, qoftë në përballimin e konflikteve me fqinjët, ashtu edhe tue i dërgue në periferi të Perandorisë. Një shembull domethanës asht lufta e 4.000 mirditorëve kundër ushtrisë franceze gjat fushatës napoleonike drejt Egjyptit. Pra, përçaj e sundo, ban lëshime e merr përfitime, kjo ishte politika e Turqisë mbi trojet tona, veç dhunës së mirëfilltë ushtarake. Janë historikisht të njohun konflikte paradoksale në mes trevash etnografikisht të ndryshme /Mirditë-Malësi e Madhe, Mirditë-Dibër, Malësi Gjakove-Prizren e kështu me radhë/.
Në atë periudhë (vitet 70 të shek. XIX) në Mirditë gjendja ishte edhe ma e randueme për dy arësye: Kapedani trashigimtar, Prengë Bibë Doda, ishte shumë i ri; një kahje parie mirditorësh, në atë kohë në sherbime të randësishme në ushtrinë turke, u përpoq të merrte Derën e Kapedanit tue eliminue kështu Gjomarkajt, dhe këte u përpoq ta bante ushtarakisht, me ndërhymjen drejtpërdrejt të Turqisë. Prandaj edhe raprezaljet turke të viteve 1876/1877 duhen pa me këtë sy, si një luftë për pushtet në dam të madh të çashtjes kombëtare në përgjithësi.
Vitet 1872-1877 ia vlen të analizohen thellë nga historianët, pse këtu shpaloset madhështia e figurës së Imzot Doçit.
Verpimtaria e tij, veç asaj fetare, që nuk e la kurrë mbas dore, si e ka thanë me mendjelehtësi ndonjeni per të nxjerrë në pah veprimtarinë e tij atdhetare, iu nënshtrue një konceptimi të ri, si asnjë tjetër në shek. XIX para tij.
Së pari, ai predikoj me forcë e konkretisht, në mes krenëve e në popull, shuemjen e kësaj ndasije të natyrës fisnore me konturime mesjetare e kapërcimin në një fazë mbikrahinore e aty edhe mbarëkombëtare. Ai bani gjithçka të afronte Mirditën e Pukën me Dukagjin e Malësi të Madhe në përgjithësi, po edhe Fan e Lurë me trevat fqinje, tue përdorë të gjitha mjetet, deri krushqit (martesat) në mes banorëve të maleve. Ky konceptim asht aq i vetëdijshëm, aq largpamës, sa asnjë tjetër në atë kohë nuk kishte arrijtë në një koncentrim të tillë. Asht shumë domethanëse kërkesa e tij drejtue Vatikanit që të çelte një mision në Epirin e Sipërm (Çamëri) ku nuk kishte asnjë katolik, apo edhe në trevat tjera të Epirit ku ishin të gjithë ortodoksë, pse, i drejtohet Vatikanit, muhamedanët janë gati ta lëshojnë besimin e tyne për hir të çashtjes kombëtare, se ortodoksët shqiptarë, të vetvdijshëm për qellimet e liga të Athinës, janë të gatshëm ta lëshojnë besimin ortodoks për hir të çashtjes kombëtare, pse e dinë të gjithë se ma parë kanë qenë katolikë. Nuk duem të predikojmë këtu nëse duhej të lëshonin apo jo muhamedanët apo ortodoksët besimin e tyne, por të evidentojmë konceptimin e jashtëzakoshëm të Doçit: Atdheu do t’i drejtonte shqiptarët kah besimi, jo e kundërta. Po të lamë për një çast teorizimet e stërhollueme, kjo do të thotë se Imzot Doçi e shikonte besimin jo vetëm si një përkushtim ndaj mësimeve të Zotit, por edhe si një instrument të randësishëm në shërbim të idealit kombëtar.
Nuk janë të paktë ata që e kanë quejtë Imzot Doçin si ndër ideologët e parë të Rilindjes, por kjo duhej shpjegue në sensin praktik të saj, e më duket se ky konceptim e kjo veprimtari e Imzot Doçit ndoshta i kapërcen edhe caqet semantike të nocionit “ideolog”.
Ai gjatë studimeve në Romë kishte përjetue thellë shndrrimet e Italisë post Garibaldine, ku përçamja krahinore shpesh herë ishte dashtë të “rrafshohej” edhe me dhunë. Ndërkohë ai ishte vu në kontakt si me arbëreshët ma të shquem të kohës, ashtu edhe me shqiptarët e kolonive. Kështu Ai vinte me një koncept të konsoliduem mbi nevojen e mbisundimit të idesë kombëtare mbi ate ngushtësisht krahinore.
Së dyti, Imzot Doçi luejti një rol të jashtëzakonshëm në edukimin e formimin e Prengë Bibë Dodës, që e gjet 14 vjeçar kur e caktuen në Abacì të Oroshit. Ky formim do të ishte themeli shkambor që do t’i shërbente gjithë jetën Kapedanit. Mjaft të kujtojmë se ai, 20 vjeçar, u nda në shej në Kuvend të Prizrenit e aty ishte jo vetëm mençunia e tij, por mbi të gjitha filozofia me të cilen e kishte ushqye udhëheqësi i tij shpirtnor e kulturor, Imzot Doçi. Edukimi i një udhëheqësi nuk asht një diçka e dorës së dytë, tue marrë parasyshë edhe strukturën e atëherëshme trashiguese.
Së treti, kur rrethanat ia diktuen, ai, edhe pse me petkun e meshtarit në trup, u ba udhëheqës ushtarak i forcave të Gjomarkajve, pse Kapedani ishte tepër i ri. Imzot Doçi nuk ishte peng i tabuve: ai ishte mishërim i idealit që do të transmetohej me forcë edhe tek ata që e ndoqen: për Fe e Atdhe.
Kur rezistenca u thye dhe ai u detyrue të merrte malet, Ipeshkvi i Lezhës Françesko Malçinski, austriak me origjinë ukrahinase, e pezulloi nga funksionet fetare. E kujtova këte pse ka pasë ma se një herë keqinterpretim e keqkuptimet transmetohen nga një shkrim tek tjetri: asht thanë se “e shkishëroi”. Së pari, Ipeshkvi nuk e kishte një të drejtë të tillë; ate mund ta bante vetëm Papa. Së dyti, pezullimi i tij formal ishte i detyrueshem në rrethanat e pushtimit turk, e jo ashtu si janë ba insinuata naive tue kujtue origjinen e tij ukrahinase (sllave), siç e bana edhe unë, por për tjetër qellim. Nacionalizmi e shovinizmi janë vetëm një teh thike larg njeni tjetrit.

2


I ndjekun nga forcat turke, ai i drejtohet Gucisë. Në Vuthaj, mbasi luftoi bashkë me shoqnuesit e tij deri sa i mbaruen fishekët, e kapin dhe e dërgojnë drejt e në Stamboll. Nuk pritej dënim tjetër përveç atij me vdekje.
Këtu fillon një periudhë e dhimbëshme 11-vjeçare, përvëlimi prej mallit për Atdhe.
Por u vunë menjëherë në levizje miqtë e tij, e ai kishte miq shumë, aqsa konsiderohej se ishte njeriu që dinte të mblidhte aq shumë miq rreth vetes, po jo se donte mandej të rrinte vetë në krye të vendit.
Media ma e besueshme e kohës, që përshkruen ikjen e tij nga burgu i Stambollit, asht gazeta “Flamuri i Arbërit” e De Radës, që ishte mik i Imzot Doçit. Simbas saj, për ikjen nga burgu gjithçka e organizoi Patriarku Stefan Azarian, po ai që do ta ndihmonte të kthehej në Atdhe mbas 11 vjetësh, e që ishte mik i Sulltanit, pse dihet që Patriarku i Stambollit emnohej drejtpërdrejt nga Sulltani, jo nga Patriarkana. Po këte herë Patriarku i doli i pabesë Sulltanit: Imzot Doçi ikën nga burgu dhe nga Stambolli me emnin e rremë “Pére Achile”, i ndihmuem edhe prej faktit se zotnonte shumë mirë frëngjishten.
Në Romë, i vlerësuem nalt qysh kur ishte student e me një jehonë shumë pozitive për veprimtarinë e tij gjatë viteve 1872-1877, veçanarisht për organizmin e udhëheqjen e rezistencës antiturke, emnohet sekretar i disa Kongregacioneve e ma vonë, për pak muej dërgohet me mison në Tivar ku takon për herë të fundit nanën dhe motrën.
Tue mos gjetë asnjë mundësi për kthimin e tij në Atdhe, Vatikani e dërgon atë misionar në SHBA.
Imzot Doçi do të bahet kështu “mërgimtari” i parë shqiptar përtej Atlantikut: Ai shërben në Newfoundland, Wayne, Pennsylvania, e ma vonë edhe në Brunswick, në Kanada. Për priftin shqiptar, që i preku bashkëvëllaznit si për kulturën e tij, ashtu edhe për një dashuni të thekshme atdhetarie, do të shkruenin deri gazetat kanadeze mbas kthimit përsëri në Romë më 1883.
Përvoja amerikane do të lajë gjurmë të thella në formimin e matejshëm të Imzot Doçit: atje ai pat rastin të njihte shtetin e së drejtës në kuptimin ma demokratik për kohën, sidhe rolin e kulturës në ndërgjegjësimin e një populli drejt lëvizjeve për liri.
Vatikani, si dështuen përsëri përpjekjet për t’i nxjerrë faljen në Stamboll e të kthehej në Atdhe, e dërgon sekretar të Delegatit Apostolik në Bombei të Indisë të Kardinalit të ardhëshëm, Antonio Agliardi. Delegati Apostolik u befasue prej figurës erudite të prifit shqiptar e sidomos u prek prej dëshirës së tij të zjarrtë që të kthehej me çdo kusht në Atdhe.
Ishte kjo lidhje shumë e fortë në mes prelati të naltë dhe Doçit, që e bani Agliardin të ndërhynte sërishmi pranë Patriarkanës në Stamboll, tek Patriarku Azarian, e të nxirte faljen për Doçin e lejen që të kthehej në Atdhe.
Vërtetë 11 vjet të vështira, por që do t’i shërbenin shumë gjatë veprimtarisë së matejshëm në Atdhe.
Me 06 Nandor 1888 ai kthehej tashma zotnues i shtatë gjuhëve të hueja, me një përvojë të pasun dhe plot miq, sidomos në Amerikë.

3


Doçi caktohet menjëherë Abat i Mirditës. Nuk ishte e lehtë, sepse kishte jopak nga ata që mbanin mend jo meshtarin, po komandantin e forcave që kishte luftue kundër tyne. Po ai, që iu vu punës me një përkushtim edhe ma të madh se ma parë, i bani shpejt për vete edhe kundërshtarët e tij. Mirditorët tashma kishin dy kapedana, ndoshta dy Prengat me të shquem të historisë së tyne.
Konsolidimi i Abacisë, ndërtimi i Kishave të reja, shkollimi nëpër seminare, në Shkodër e jashtë shteti i bijëve të Mirditës, angazhimi total për shuemjen e hasmënive, rimarrja në dorë e njenes prej çashtjeve që nuk iu nda gjithë jetën: afrimin e bashkpunimin ndërmjet krahinave; nxjerrja e meshtarëve nga guacka e detyrës së tyne thjeshtë fetare e kthimi në elementë të randësishëm shoqnorë, pikërisht në çashtjet që porsa përmendem, e kthyen Abatin në një figurë të njohun në të gjitha trevat shqipatre e jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në koloni, prej Egjyptit në Bukuresht. Zgjanimi i Abacisë nga viti në vit me dekrete të posaçme të Vatikanit nuk vinte si rezultat i ndonjë tendence të Abatit për pushtet, por si rezultat i natyrshëm i forcimit të veprimtarisë së Abacisë së Oroshit, i rolit të saj në mbarë Kishën Shqiptare, e në konkurencë pozitive me dioqezat fqinje të Lezhës, Sapës e Shkodrës që, krahasue me gjallnimin e Abacisë, kishin ra në një farë apatie apo rutine të trashigueme.
Nuk i munguen as ndihmat financiare, sidomos nga miqtë e shumtë që kishte lanë në Amerikë.
Abati, që ishte ba si sinonim e emnit të tij, aq sa sot e kësaj dite kur thuhet Abati nënkuptohet Imzot Prengë Doçi, kishte kuptue se tashma lufta kundër turkut nuk mund të bahej vetëm me armë: ai solli një mendësi të re në të gjithë klerin që, vërtetë nuk kishte ndejë kot, sidomos nga gjysma e shkelllit XIX e mbrapa, po tashti ai e shkundi mirë ate e fjala nuk ishte vetëm për meshtarët e Abacisë, po të mbarë vendit. Shumë nga ata që ma vonë do të baheshin figura të shqueme në lamin e dijes, e jo vetëm të dijes, prej Dom Ndoc Nikajt, At Gjergj Fishtës, At Shtjefen Gjeçovit, Dom Ndre Mjedës, shtysën e parë ia patën borxh Abatit. Ai dijti ma së pari t’i bante për vete e sidomos t’ i organizonte në shoqni kulturore që u banë shtyllë e veprimtarisë atdhetare e kulturore të kombit tonë në fillim të shek. XX. Nëse ndokush vazhdon të kërkojë veprat e Imzot Doçit, ai duhet t’i kërkojë ato edhe tek botimet e Fishtës, të Nikajt etj.
Shoqnia “Bashkimi” ka pasë një rol të jashtëzakonshem në fillimshekullin e XX. I përkasin asaj organizmi i intelektualëve ma të mirë të Shkodrës e të Veriut mbarë, botimi i librave, i Fjalorit, i quejtun i “Bashkimit”, sidhe i 34 librave të tjerë, një numur i jashtëzakonshem për atë kohë, në mes të cilëve 1) Historia e Shqypnis; 2) Historia e Turkis; 3) Lahuta e Macis; 4) Anzat e Parnasit; 5) Folmarme e gjuhës shqype (Gramatika); 6) Dheshkronja (Gjeografia) etj.
Doçi nuk mori pjesë fizikisht në Kongresin e Manastirit, po alfabeti që kemi sot, mund të quhet pa frikë se e teprojmë, i tij; nuk mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, po librat shkollave e të Normales ku u emnue drejtor miku i tij Luigj Gurakuqi ishin shumica të tij.
Praktikisht Shoqnia “Bashkimi” asht qendra kulturore ma e randësishme e kohës, e shtylla e asaj shoqnie, përveç se kryetar i saj, ishte Abati.
Imzot Doçi kishte sjellë nga përvoja e tij në Amerikë e në Indi jo vetëm një bagazh kulturor personal të pakrahasueshëm me bashkëkohësit, por mbi të gjitha ai dijti t’i drejtonte të tjerët për nga puna kërkimore, shkencore, pedagogjike, etnologjike e etnografike; ai ishte shtysa e parë e krijuesëve ma në za sot e kësaj dite, sa me të drejtë dikush ka pyetë: a do të ishte Fishta ai që njohim të mos kishte qenë rasti fatlum i njohjes nga afër me Abatin në kohën që shërbente në Vig?
Nuk ka pse të zgjatem e të sjell respektin e thellë që ai gëzonte tek shqiptarët ma të shquem të kohës, prej De Radës e Dora d’Istra, tek Faik Konica e Luigj Gurakuqi.
Abati nuk bie në sy. Ai nuk asht kurrë “në tribunë”, si do të thonim sot. Por ai asht kudo kryhet një vepër e randësishme kulturore, atdhetare e pedagogjike. Ai, ashtu gati si i hequn mënjëanë, u impunue, sa e ktheu titullin që mbante, Abat, në një mit.

4


Të tjerë kanë trajtue edhe atë pak krijimtari artistike që na ka lanë. Me shumë vend ata kanë vërejtë se një stil aq të naltë poetik nuk mund ta zotnonte një autor që ka shkrue dy-tri vjerrsha. Të mendosh se “Nji kushtrim Shqiptarvet” e ka shkrue në vitin 1870, kur përgjithësisht poezia e asaj periudhe ishte në nivelin e bejtjes, ndërsa Ai thotë:

Trima, mbrendë! Me dor’ me dorë!
Ndalnja gazin Osmanllis!
Bini, trima, mbrendë ushtorë!
Zbardhnja faqen Shqyptaris!


apo të gjejsh vargje të tilla tek “Shqypnija nën zgjedhë turke”

S’asht mot për kangë, asht mot për vaj, o zanë,
………………..


dëshmojnë se kishim të banim me një artist në mos ma të naltë, të paktën të barabartë me ma të mirët e bashkëkohësve, por, krahasue poezia e tij me verpimtarinë tjetër, si në lamë të dijes, ashtu edhe të atdhetarisë, ajo nuk përfaqëson një element kryesor në jetën e Abatit.
Jo, nuk ka pse të kërkojmë ma shumë krijimtari artistike prej tij, edhe pse ka pasë plot hamendsime se do të ketë lanë dorëshkrime e nuk dihet fati i tyne. Në krijimtarinë e cilit nuk ka pjesë Ai?
Po “vepra e mungueme” e Abatit vijon edhe sot e kësaj dite. Ajo asht shpërfillja e historiografisë së papërgjegjëshme shqiptare ndaj një figure unikale, që u nda prej nesh fizikisht me 22 Shkurt 1917, por që ka lanë jo ideologji, po mësime të çmushme atdhetarie e kulture të vlefëshme edhe për sot.
Imazh
Lezhë, më datën 4 dhjetor 2010
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 16 Maj 2021, 02:19
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari