Very important people(V.I.P). Ketu mund te gjeni gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te vipave shqiptar per te gjithe fansat e tyre.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
FERDINAND PACI - ARTIST - PIKTOR - PEDAGOGE I SHKODRES
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4581
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
FERDINAND PACI ISHTE QYTETAR I SHKODRES,
ARTIST DHE PEDAGOG I NDERUEM…

Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 70 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. E njohta afër kur ishim në bankat e shkollës pedagogjike po në Shkoder, në vitin 1952. Familja e Tij ishte ndër ma fisnikët e atij qyteti, ndonse, komunizmi barbarisht shpartalloi të gjitha traditat qytetare, po, duhet pranue se mjaft familje, ndoshta, edhe tue rrezikue t’ardhmen e fëmijve të vet, mërriten me ruejtë dhe me i trashigue tek mbasardhësit mjaft doke, zakone e kryesorën Besimin në Zotin. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohtun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia.
Ata që njohtën tri vajzat e dy djelmët e Nush Pacit, besoj pamëdyshje se të gjithë kanë mendimin tem për atë familje të nderueme të atij qyteti. Ferdinandi ishte ma i vogli i fëmijve dhe, që në pamjen e parë jepte përshtypjen e një “vajze” që turpnohet kur fillon me folë…
Oborri i shkollës e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë e, ma vonë si piktor të rinjë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me u lidhë edhe me artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesori, na fliste në konfidencë…
Na po prëgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri…i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk di asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit…
Në shkollën pedagogjike ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai. Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë, disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit.
Mbas shumë përpjekjesh dhe nderhymjesh edhe nga ana e prof. Vladimirit, ma në fund Ferdinandi, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme, hyni në Institutin e Lartë të Arteve dhe u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si, dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme…si, shumica e tyne.
Kur u emnue në Shkoder si mësues vizatimi, për disa kohë u përfol për biografinë e Tij, mbasi Ferdinandi nuk kishte deklarue një “njollë” e cila, ishte deponue nga një spijun shumë dashakeqas i joni (F. P. A), i cili, punoi shumë për mosemnimin e Ferdinandit në Shkoder.
Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht.
Bana një shkëputje për me kjartësue dhe përforcue mendimin se, Ferdinandi, asnjëherë jo, vetëm, nuk asht dyshue, po as nuk mund të mendohej nga askush si njeri i pandershëm…
Ai ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.
Një mësuese, që punonte në shkollë me Ferdinandin, atë ditë kur erdhi me u pjekë në shtëpi tek Nana e Ferdinandit tregoi me njëfarë çudije se, pak muej përpara, ajo i kishte propozue Ferdinandit që me u organizue në partinë e punës, gja të cilën Ky nuk e kishte pranue…çudia e saj qendronte në arësyen se, cila ishte ajo, që shumë të rinjë nga “katolikët e Shkodres” nuk e pranojnë këte gja..dhe, pohonte se të tilla raste janë disa e jo një...?
Sigurisht, na heshtëm…po, heshtja e jonë asaj i dha përgjigjen…”Ferdinand Paci dhe ata qytetarë katolik për të cilët fliste e shoqja e Prokop Murrës, nuk pranonin kurr që mbi nderimin për të Parët e vet e mbi Besimin në Zotin, me vue interesin e mbajtjes në xhep të teserës PPSh.”
E, këta shembuj nuk ishin të paktë ndër familjet e nderueme ashtu siç ishte familja Paci…
Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?”
…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!
Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë!
Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 35 vjet ma parë…
Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë. Nuk janë aq të pakta sa mos me u kujtue ato vepra e Autori i tyne..!
Por, FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane!

Le të jenë këta pak rreshta…një lule mbi vorrin e “një zambaku” që kishte Shkodra..!

Melbourne, Maji, 2010.

Përshtypjet e mia për prof. Ferdinandin
Imazh
1964. Studentë të Institutit të Lartë të Arteve Figurative, ë Shkollës së Lartë për Aktorë dhe Institutit të Kulturës Fizike në një zbor ushtarak 2 mujor të përbashkët. Në këmbë nga e majta: Avni Bilbili, ? , Vangjel Papa, Llazar Taçi, Miraka , ,Besim Tabaku, Haxhi Rama, Ismail Lulani, Ferdinand Paci Agim Shuke , Hektor Dule, Ramiz Rama, Petraq Marjani, Llazar Myzeqari, Llambi Blido, Kiço Fotiadhi, Vangjush Furxhi, ? , Pandi Mele. Të ulur: Agim Shami, Selim Bilali, Muharrem Fejzo, Bujar Zajmi, Saimir Dauti, Kreshnik Tartari, Bahri Ishka, Hasan Çapari, Petraq Pecani, Bajram Mata, Sotir Kosta e Nestor Jonuzi.
Lazar Taçi publikoi këtë foto - 21/07/2013


Të jatin e Zefit e kam pasë mësues vizatimi. I ndjeri Ferdinand ishte si paraqitje një profil i rrallë tërheqës dhe kur niste të fliste nxjerrte flori, që shndritën tan jetën. Ky ta dhuronte me bujari jo artin e tij por sekretet e artit. Ju e dini se profesionin askush në botë nuk ta mëson, por vetëm i vidhet mësuesit apo mjeshtrit. E ky Ferdinandi nuk të ofronte modelin e hajdutit, por të një njeriut bujar, që vetëm njerëz fisnik si ai të mësonin pikturën. Mue kurr nuk më ka ardhë piktura, por nisa ta kuptoj e natyrshëm nisë proçesi i përceptimit artistik në sektorin e trunit. Prej tij nisa ta dashuroj sepse më dha disa kordinata nga do ta disocijoja në epruvetën teme të nxanies të pikturës. Ferdinandi ishte jo vetëm piktor i madh, fisnik, bujar, mjeshtër i komunikimit, ...........por edhe një pedagogë si në edukim ashtu dhe si metodist i përkryem.
Ferdinandi ishte një prizëm i tanë, në çdo faqe të saj përthyeshin objekte në miliarda korpuskula që rrezatonin dritë dhe valë elektronesh(si natyra bipolare e dritës në aspektin e fizikës), që edhe sot pas 48 vjetësh i ndjej shembellimin e objektit real në aparatin ma të përsosun në botë të trunit.


Ish nxanësi i tij
Bep Martin Pjetri
E mërkurë, 5 shtator 2012
Ferdinand Paci lindi në 30.V.1940 e vdiq "aksidentalisht" në vitin 1975(35 vjeç)
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 16 Maj 2021, 02:13
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari