Faqe 1 prej 1

PROF. ANTON DEDA, FIGURË POLIEDRIKE E ARËSIMIT SHQIPTAR

PostPostuar: 09 Janar 2010, 11:38
nga Laert
Nga Fritz RADOVANI:
PROF. ANTON DEDA,FIGURË POLIEDRIKE E ARËSIMIT SHQIPTAR

Këshilli i Ministrave i Shtetit Shqiptar në vitin 1922, me datën 11 Gusht merr vendimin nr. 720, i bazuem në kërkesen e Ministrisë së Arësimit, nr. 11878, vendim me të cilin urdhnon që “të hapet në Shkoder një shkollë Gjimnaz i Shtetit, për me mujtë me ndjekë aty mësimet një shumicë e studentave shqiptarë, që nuk kanë me u dergue ma jashtë e, sidomos, nxanësit e atij Qarku...”. (Nga arkivi i Gjimnazit Shtetit Shkoder. 1992).
Kam njohtë shumë studenta dhe profesorë të atij Gjimnazi. Në vitin 1952 në atë ndertesë përfshihej edhe Shkolla Pedagogjike “Shejnaz Juka”, nxanës i së cilës ishe edhe unë. Gati kurr, deri në vitin 1992, nuk asht folë e shkrue në mënyrë kronologjike për historinë e vërtetë të këtij Gjimnazi, mbasi si të gjitha “historitë” tjera të Shtetit Shqiptar edhe Historia e këtij Gjimnazi të Shkodres, kishte përfundue në “gojëdhanë”...vetëm e vetëm për mos me zanë në gojë kurr as lavdinë dhe as kuadrot drejtuese të tij para vitit 1945, tue e këthye në “legjendë” edhe rolin e tij aq shumë të rendësishem në lëvizjen kulturore dhe përparimtare të Shtetit Shqiptar, ç’prej ditës së parë që asht thëmelue. Askush nuk dinte kush ishin drejtorët e parë tue fillue nga profesor Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda dhe Skender Luarasi, mbasi emnat e Tyne të nderuem ishin zëvendsue me njerëzit ma të urryem për rininë shkodrane, të cilët në atë institucion kulturor aq të njohtun në mbarë Shqipninë, mbas vitit 1945 pregatisnin listat dhe vendimet e përjashtimit të studentave nga bankat e asaj shkollë, për me vazhdue hetuesitë dhe dënimet barbare në burgjet e kampët e shfarosjes komuniste, prej nga këtheheshin të gjymtuem e të plakun, tue lanë ndër kanalet e tharjes së kënetave të Atdheut, vitët ma të bukra të rinisë e, madje, shpesh, edhe kockat e tyne të njoma... Ajo, ndertesë aq joshëse dhe e dashtun ku, fillonin me lindë andrrat rinore, ku, shpërthente hovi dhe, ku, vlonte gjaku i mbarë djelmënisë dhe i atyne vajzave bukuroshe që pa asnjë mëdyshje ishin e ardhmja e Shqipnisë, ishte këthye vetëm në një gërmadhë, ku mijra Nana Shqiptare në trotuarët përrreth, derdhnin lotët e tyne të zemres në kujtim të Asaj Rini që zhdukëj nga “drapën e çekani” sllavo–komunist i bolshevizmit rrenues!
Nuk zehëj me gojë ku ka përfundue Prof. Xhevat Korça apo Mirash Ivanaj...? Nuk dinte asnjeri kush asht Prof. Luigj Shala, Skendër Luarasi apo Anton Deda...? Nuk mujte askush me pyet ku, i kanë vorrezat këta dijetarë...? Kujt i sherbyen..? Pse u zhdukën nga Shkodra...apo, cili prej Tyne kje i panjohtun si Profesor, Edukator e Prind i breznisë sonë Shkodrane..? Asnjëni prej Tyne nuk dallohej nga tymi dhe mjegulla që mbulonte rolin edukativ që në të njajtën kohë ka luejtë Kleri Katolik Shqiptar, i veshun me akuza e shpifje të paimagjinueshme prej komunitave...
E cili, nga Këta Shqiptarë të vërtetë nuk kje Atdhetar i flaktë..?
Në Shkoder përdorej një thanje: “Trimi e ka orën çuet..!”, pra, trimnia e ruen nga rreziku!
Z. Mergim Korça kujton sesi komunistët kur deshtën me vra të Ndjerin Ndok Gjeloshi në Tiranë, tue shetitë në bulevard me Prof. Anton Dedën, atentatori Kajo Karafili gjuejti dhe një nga plumbat e tij kapi në kokë edhe Prof. Anton Dedën, i cili, thohet, se shpetoi për mbrekulli. Edhe pse ndolli kjo, Profesor Antoni, kur ishte fjala për jetë njeriu qendroi në “detyrën” e vet njerëzore por, edhe humanitare mbasi i tillë ishte edhe formimi i Tij shpirtnor, kulturor e burrnor.
Dhe, me të vërtetë, një akt burrnor i kishte shpetue jetën Prof. Anton Dedës. Me ka tregue i ndjeri Koço Nini, në Tiranë, në vitin 1997, sesi i ka shpëtue koka drejtorit Prof. Anton Deda, në kohën e okupacionit komunist. Ai e njihte kur ishte kenë student në Gjimnazin e Shkodres. Kishte përshtypjen ma të mirë për Te. Kur Koço Nini ishte kenë në burg, ishte bisedue sesi ka mujtë me shpetue pa u arrestue Prof. Anton Deda, i cili njihej si antikomunist në idetë e Tija. Në kohën e okupacionit nazist, Prof. Antoni shërbente në Tiranë. Gjermanët zbulojnë një celulë komuniste në Gjimnaz dhe shkojnë me arrestue studentat e celulës. Drejtori Anton Deda mbas një bashbisedimi me gjerman, meqë njihte mirë gjuhën gjermane, i bind ata se, “unë jam edukator i tyne dhe, mbasi edukatori asht si t’ishte një babë i dytë, duhet pranue se baba nuk i dorëzon fëmijët e vet...” dhe, ashtusi ata u terhoqen tek At Pjetër Mëshkalla, kur Ai strehoi disa komunista në rrefugjio tek Kisha e Jezuitve, kur po bombardohej Tirana, ashtu i shpëtoi edhe Prof. Anton Deda nxanësit e vet nga një zhdukje e sigurt ndër kampet gjermane.
Aty nga viti 1958 – 59, kujtoj një bisedë në shtëpinë e Prof. Gaspër Ugashit, ndërmjet Tij dhe Prof. Simon Rrotës për drejtorin e Gjimnazit të Shkodres, të ndjerin Anton Deda, i cili, pak vite ma parë, aty nga viti 1955 kishte ndrrue jetë. Kishte përfundue studimet në Itali për landën e matematikës, rreth vitit 1921. Ishte kenë drejtor në Shkoder rreth vitit 1930 – 1940. Ishte trasferue në Tiranë dhe njihej si drejtor i aftë se kishte punue edhe në shkollat Normale të Elbasanit dhe Gjimnazin e Durrësit. Ishte njeri i punës dhe jo i fjalve. Shumë korrekt me mësues dhe nxanës, aqsa kujtohej me shumë dashuni prej kolegve të tij, të cilët, e ruenin kujtimin e Tij si një relike e vërtetë e ndershmënisë në punë dhe e moralit të lartë në shoqni. Njihej për sjellje të Tij shumë korrekte dhe të njerzishme, madje, edhe kur ishte para shkeljeve disiplinore. Nuk e pranonte kurr sjelljen arrogante mbasi ajo nuk bante pjesë në karakterin dhe edukatën e Tij.
Profesor Gaspri po shpjegonte sesi, kur, mungonte ndonjë mësues, drejtori Anton Deda, delte në korridor të Gjimnazit, vrojtonte ku ndigjohet zhurma e nxanësve, përcaktonte klasën ku mungon mësuesi, shkonte në këshillin pedagogjik të shkollës, merrte rregjistrin e asaj klase dhe hynte për me zëvendsue mësuesin që mungonte. Prof. Anton Deda hynte në të gjitha klasët dhe shpjegonte të gjitha landët në çdo kohë, kjoftë histori, gjeografi, psikologji, filozofi, shkenca biologjike etj. në vazhdimsi të programit aty ku kishte mbetë landa e shpjegueme nga mësuesi ditën mapërpara. Njihte të gjitha gjuhët e hueja që ishin në programet e shkollës dhe shpjegonte me kompetencë gramatikën dhe letërsinë e tyne. Pyeste nxanësit rreth temave të kalueme dhe ka ndollë shpesh që ka ba dhe plotësime mangësishë të profesorave tjerë, me shumë modesti dhe pa u kuptue as nga nxanësit mangësia e shpjegimit të maparshëm nga kolegët.
Prof. Simoni shtoi, që një nga kolegët i kishte kërkue Atij me mungue një ditë të shtunë, kur Prof. Simoni kishte një orë vizatimi në një klasë...dhe, mbas një reagimi të vet, ma në fund ia kishte plotësue dëshirën shokut dhe, kishte mungue të nesërmen, tue njoftue se s’ do të paraqitej për mësim...mbasi ishin kurioz si do të vepronte drejtori. Si zakonisht, nxanësit janë grumbullue tek salla e vizatimit, por ajo ishte e mbyllun... Në koridor fillon zhurma dhe kuptohet se mungonte Prof Simon Rrota. Pyetet drejtori Anton Deda sesi me veprue me nxanës dhe, Ai i thotë, me sillni rregjistrin e asaj klasë dhe mbasi merr një libër në një raft që kishte në drejtori, shkon e hynë në sallën e vizatimit...Po, çka do të bante drejtori aty me ata nxanës..? Mbasi hapë librin e bibliotekës së vet, ju flet nxanësve për një piktor të njohtun italian dhe fillon e i tregon nga libri se cila asht kryevepra e tij, shpjegon cilësitë e saja artistike tue i tregue edhe mënyren me të cilën vlerësohen veprat e artit... Ai vërtetë kishte vizitue disa galeri arti kur ishte student atje, por, shtonte Prof. Simoni, se, mesa kompetencë fliste Prof. Anton Deda për artin ishte një dishka krejt e pabesueshme, mbasi nuk kuptohej se a ka përfundue studimet për matematikë apo për kritik arti...gja, e cila ka spikatë edhe tek Prof. Gaspër Ugashi, kur fliste për muzikë klasike.
Shqipnia vazhdon edhe sot mos me pasë nëvojë për njerëz të ditun..!
Prof. Anton Deda me të vërtetë ishte një figurë e nderueme dhe poliedrike e arësimit dhe e kulturës sonë Shqiptare, prandej, edhe vazhdon me kenë i arkivuem në dosjen e “harresës”..!

Melbourne, Janar 2010.

[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari