Very important people(V.I.P). Ketu mund te gjeni gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te vipave shqiptar per te gjithe fansat e tyre.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 5 postime · Faqe 1 prej 1
INJAC ZAMPUTTI - HISTORIANI I AKADEMISE PA TITULL SHKENCOR
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Injac Zamputti - GJENIU I PERSEKUTIMIT I KULTURËS SHQIPTARE
(1910 – 1998)
Imazh

nga Jozef Zamputi

Njeriu i mirë, historiani i shquar, studjuesi i përkryer, letrari i talentuar, Injac Zamputi, lindi në Shkodër më 12 shkurt 1910. Babai i tij, Romolo, me origjinë italiane, zyrtar poste në qytetin e Shkodrës, e la atë në moshën 1 vjeçare, së bashku me tri motra, edhe ato të vogla, si pasojë e vdekjes së parakohshme, kur ishte rreth 30 vjeç, nga një aksident banal… E ëma, Nine, me origjinë nga Malësia, nga Temali, i rriti këta fëmijë me mundime e sakrifica të mëdha,

Injaci studioi në Kolegjin Saverian të qytetit të tij të lindjes, ku u shqua për korrektesë të lartë dhe rezultate shumë të mira në mësime. Prandaj që në moshën 21 vjeçare mbahet si mësues në atë Kolegj, ku jep lëndën e letërsisë shqipe, si koleg i ri i të madhit Dom Ndre Mjeda, te i cili gjeti mbështetje dhe mirëkuptim të plotë, që u shndërrua midis tyre, me kohë, në një miqësi e një dashmirësi të veçante.

Me natyrën e tij artistike, merr pjesë në mjaft shfaqje teatrale, në fillim si nxënës e më pas si mësues, edhe si drejtues i tyre. Në shfaqjet muzikore, traditë e shkollave të asaj kohe, është aktiv e si amator me talent, në orkestër i bie violinës. Jep një ndihmesë të madhe me shkrimet e tij, në revistën “ LEKA”. I dashur e i respektuar nga nxënësit dhe mësuesit e tjerë të Kolegjit, merr pjesë bashkë me ta në aktivitete kulturore, artistike e sportive.

Duke patur parasysh se në Kolegj mësonin edhe fëmijë të besimeve të tjera, ai pat si nxënësa të tij edhe Veli e Qemal Stafën, Loro Boriçin, Selaudin Bekteshin, e shumë të tjerë.

Në vitin 1937 martohet me një vajzë nga familja Prela e Shkodrës, me të cilën kaloi një jetë plot dashuri, mirëkuptim e harmoni, duke përballuar së bashku edhe të gjitha vështirësitë e jetës që u ranë në pjesë. Me Rozën e tij ai bëri 6 fëmijë, 5 vajza dhe një djalë të vetëm.

Mbaron universitetin në Trieste të Italisë dhe doktorohet në Shkencat Politike. Mbron temën historike : “ 700-a Veneciane dhe Shqipëria “, pa menduar aspak në atë kohë se e ardhmja e tij do të lidhej pikërisht me historinë, historinë e mesjetës Shqiptare.

Në vitin 1945 punon si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, ndërsa në vitt 1946- 1948 e transferojnë në Gjirokastër, larg familjes së tij, ku jep lëndën e letërsisë në Liceun e atij qyteti.

Me hapjen e Institutit të Shkencave, thirret në Tiranë pranë këtij Instituti ku i caktohet dega e Historisë së Mesjetës. Në vitin 1953, më në fund, si i jepet një apartament banimi ( një dhomë me një paradhomë të vogël, e një guzhinë po të tille arrin të bashkohet përsëri me familjen e tij të madhe prej 10 personash (e ëma, motra, gruaja dhe 6 fëmijët ), në atë hyrje ku strehoheshin edhe katër familje të tjera, me korridor e banjë të përbashkët, tamam ambient i përshtatshëm për këtë historian , tashmë edhe të afirmuar. Aty, ai me familjen e tij jetoi e punoi për 40 vjet. Aty ai shkroi të gjitha punimet e tij , herë në stol, herë në një tryezë të vogël, e ndonjëherë edhe në prehër, duke u kërrusur gjithnjë e më shumë mbi dokumentat e historisë shqiptare, pa i trokitur në derë askujt…

Në vitin 1993 riatdhesohet në Itali ku deri sa vdiq, më 28 shkurt 1998, vazhdoi me ngulm punën e tij të nisur që në rini, duke lënë dorëshkrime të mrekullueshme familiare e të kohës, por edhe studime historike.

Me gjithë këtë punë të madhe ne dobi të historisë së Shqipërisë, atij nuk i dhanë asnjë titull shkencor.

Në vitin 1995 , më në fund, i jepet dekorata “Punonjës i shquar i Shkencës dhe i teknikës “ nga Presidenti i Republikës Sali Berisha, me motivacionin : “ Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike”.

Edhe kur ishte në moshë të thyer, mbi 80 vjeç, ai vazhdimisht shkruante, botonte duke lënë kujtime të vyera të jetës së tij, të mbushur me punë të mirëfilltë shkencore por edhe me vështirësi e keqtrajtime, të cilat, me natyrën e tij të butë, fisnike e shume fetare, ai arriti t’i përballojë.

Amaneti i tij i fundit në prak të vdekjes ( në Tivoli të Italisë ) ishte që eshtrat e tij të preheshin në truallin shqiptar, të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri dhe aftësi të admirueshme, për më tepër se 60 vjet.

….. U varros në varrezat e Sharrës, pranë të ëmës, motrës Xhina dhe një djali foshnjë të tij ë vdekur, si një shqiptar i vërtetë….


Aktiviteti i tij Letrar

Aktivitetin e tij letrar Injac Zamputi e ka filluar në moshë fare të re. Është autor i dhjetra e dhjetra shkrimeve, artikujve letrarë, kryesisht kulturorë, gjuhësorë, shoqerorë e poetik, në shtypin e kohës, duke përdorur, përveç emrit të tij edhe pseudonime të ndryshme ( si Ales, Notarios, Pol-iglota, Rosea, Sila, Sirena, Stal, Z=i Zeta (j), R.N.

Në vitin 1937 botoi në revistën “ LEKA “ melodramën “ Damjani Himarjot”, e cila u botua më vete më 1943. Në vitin 1943 botoi librin e parë me novela “ Zemra Njerëzish”dhe më 1944 librin e dytë me novela “ Atje nën hijen e Rozafës”, të cilën ja dedikoi : “ Nanës seme qi më përkundi në djep druni “

Në vitet ’50 e fillimin e viteve ’60, merret përseri me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime të gjata, një poemë për luftën e Himarës të vitit 1481. Por nuk e lejojnë të botojë. Kështu detyrohet të heqë dorë, përkohësisht nga letërsia e t i kushtohet vetëm historisë e paleografisë.

Iu kthye përsëri kësaj fushe të ndërprerë me vite, në 10 vjeçarin e fundit të jetës së tij. Në fund të viteve ’80, e ndjeu se po afroheshin ndryshime të mëdha dhe fillon ta zgjërojë aktivitetin e tij. Përkthen e boton në vitin 1989 librin “ Burgimet e mija” të Pashko Vasës dhe merr pjesë në një emision televiziv, kushtuar figurës së atij rilindasi të madh..

Ndërkaq, në vitin 1993, boton dy veprat e tij të titulluara : “ Fishta – Koha, Njeriu, Vepra” dhe “ Ekskursion në dy vepra të Kadaresë”. Këto dy vepra, nën një frymë kritike miqësore dhe thellimi historik të fakteve të përshkruara, janë edhe veprat e fundit të botuara, të aktivitetit të tij letrar…

Por ai ka lënë disa dorëshkrime, të cilat me kohë , sigurisht qe do të shohin dritën e botimit.

Aktiviteti Shkencor

Në vitet e fundit të Kolegjit Saverian, së bashku e nën drejtimin e at Z. Valentinit, hedh bazat e albanologjisë shqiptare, e kjo do t’i shërbejë si bazë e mirë për studimet e mëvonshme historike të shumta të tij.

Me ardhjen në Institut, iu fut punës me seriozitet e pasion të paparë, sepse aty edhe gjeti mënyrën për të shprehur intelektin e bagazhin e tij kulturor si dhe mënyrën për të mbajtur familjen e tij, për të mbijetuar.

Ndër punimet e tij të para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur “Anonimi i Elbasanit” , transkriptimi e komentimi i tij, duke e çuar se paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks, për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërtheu alfabetin e panjohur të shek. XIX, të një poezie me përmbajtje bektashiane.

Më pas boton librin: “ Përpjekjet Shqiptare për liri i pavarësi në shek. XVI-XVII”. Fillon të përgatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e asaj periudhe e u jep drejtime se ku duhet të shkojnë, në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj. Ja sjellin këto dokumenta me mikrofilma e ai , nga fotokopjet, duke përdorur edhe lentet ( lupën ), i transkripton, i përkthen, i komenton. Kështu botohen disa vëllime në kuadrin e Institutit të Historisë, me relacione, regjistra e shënime të ndryshme të asaj kohe.

Një punë kjo kolosale, e papërsëritshme. Ndërsa ai vetë, koka e të gjithë kësaj pune madhore për historinë e Shqipërisë, nuk u lejua asnjëherë të dilte jashtë Shqipërisë, as për gjetjen e dokumentave të nevojshme e as për të marrë pjesë në simpoziume apo konferenca ndërkombëtare, ku ftohej edhe nominalisht nga historianët dhe shkencëtarët e huaj, të cilët e njihnin historianin Zamputi nga punimet e tij. Shkolla që kishte kryer, kultura që kishte marrë në Shkollën Saveriane, origjina, kontaktet që kishte pasur para luftës ( At Valentini ishte konsideruaj reaksionar nga regjimi i diktaturës së proletariatit), besimi i spikatur fetar, e bënin për regjimin e Enver Hoxhës, person të dyshueshëm, që duhej mbajtur nën kontroll e mbikqyrje.

Ndërkaq ,ai me punën e tij të palodhur , mbushi atë boshllëk të madh që ekzistonte në periudhën e historisë së Shqipërisë pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah organizimin e maleve për luftën kundër otomanëve, kuvendet shqiptare, kontaktet me Europën etj. Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit,. botoheshin në formë artikujsh ne revistën “ Studime Historike”. Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studion mjaft hollësi të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e të humanistëve të tjerë shqiptarë si Barleti e Beçikemi.

Të periudhës 1960 –1990 janë librat e botuar :
- “ Relacione mbi gjëndjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shek.XVII ( 1610-1634) “- Vëll.I ( 1963 );
- Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut botohet : “ Dokumente të shek.XV për Historinë e Shqipërisë ( 1479 –1499) “ – (1967) ;
- Seriali i librave “ Dokumente për Historinë e Shqipërisë” për periudhat :
- 1499- 1506 –pjesa e II - ( 1979 );
- 1400 – 1405 - ( 1987 ) ;
- 1507 - 1592 - Vëll.I (1989 )
- 1603 - 1621 – Vëll. III ( 1989 ) ;
- 1593 - 1602 - Vëll. II ( 1990 ) ;
- 1675 - 1699 - Vëll. - IV ( 1990 ). Disa nga këto vëllime janë me bashkëautorë.

Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse e me indekset e emrave të personave e të vendeve. Vetëm në këto vëllime dokumentash numërohen rreth 4500 faqe.

Vitet e zeza 1967 – 68 revolucioni kultural - e ai është në shinjestër për ideologjinë fetare, por mbahet akoma në Institut vetëm sepse, dokumentacioni i mesjetës do të mbetej edhe për shumë kohë pa u lexuar nga askush. E ai me pasion, i mbyllur në shtëpi, vazhdon e punon duke jetuar në botën e Budit, Bogdanit, Bardhit etj. Asnjëherë nuk ia njohën titullin doktor e diplomën e Triestes, megjithëse të gjithë e thërrisnin “Profesor”.

Viti 1988 është edhe punimi i tij me shumë interes për leximin e “ Mbishkrimit të Arbërit “ e të “ Mbishkrimit të Brarit “, të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurë themeli në historinë e popullit shqiptar. Në vitet 1995 – 1997 boton artikuj e studime me shumë interes në revistën “ Hylli i Dritës “, për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, për aksionin kolonizues të Dionisit e luftrat iliro-romake.

Injac Zamputi ka botuar shumë artikuj, studime etj. Përveç botimeve në “ Buletinin e Shkencave” ai ka botuar edhe te revista “Studime Historike”, te “Studime Filologjike”, materiale këto me karakter historik, etik, gjuhësor, arkeologjik, sociologjik etj.Si një studjues për një kohë të gjatë i historisë shqiptare edhe i periudhës së pushtimit osman, ai ka bërë kujdes për visaret shpirtërore dhe fizike të popullit shqiptar, por pa cënuar aspak visaret e popujve fqinjë e njëkohësisht, pa nguruar aspak të kundërshtojë me këmbëngulje , shkencërisht, shtrëmbërimet historike të studjuesve të huaj dashakeqe.

Kështu kjo figurë madhore për Historinë e Shqipërisë, nga duart e të cilit u përgatitën edhe shumë studjues të tjerë e historianë të rinj të talentuar, mbeti në hije edhe pse nuk dijti t’i bente lajka askujt në regjimin e atëhershëm.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
INJAC ZAMPUTI - HISTORIANI PA DIPLOME, Posted 01 Dhjetor 2009, 15:34
“Hafijet e sigurimit më nxinë jetën”
Imazh

“Dikur kam firmosur një dokument pa mu dridhur dora. U kam thënë “jo”zyrtarëve të sigurimit që deshën me më rekrute në gjurmim të profesor Çabejin. Isha i vendosur tek Zoti. Pranova me vdek, por me ra në atë humnerë kurrsesi. Hijet e asaj mbrëmje të zezë më ndoqën gjithë jetën...”
I kanë mjaftuar pak rreshta albanologut të njohur për ta hedhur në letër brengën torturuese. Pastaj dorëshkrimi me përjetimet nga përplasja me hafijet e errësirës, ka gjetur strehë në njërën nga dosjet e rezervuara dhe ka “fletur” aty për vite me radhë. Të zbardhura me “Olivettin” e vjetër kujtimet do të mbeteshin fund e krye personale. Nuk foli për to me njeri Zamputti sa ishte gjallë, madje as kur ndërruan motet. Vonë shumë vonë shënimet e profesorit të albanologjisë do të zbuloheshin nga familjarët e tij. Po si e përshkruan Injac Zamputti ngjarjen e panjohur dhe në çfarë rrethanash “zhgënjeu” zyrtarët e sigurimit të shtetit...

Dorëshkrimi - Injac Zamputti rrëfen - Kërcënimin e jetës nga spiunët e komunizmit në vitin 1949


“Viti 1949 ka qenë për mue ma i randi i jetës sime. Edhe vitet që do te vijnë, nuk do te jenë ma të lehta për mue e për familjen teme...
Ne tetorin e atij viti te zi (por a pati pastaj ndonjë vit te bardhë për mue?!) një djalë hyni në jetën teme për me e ba edhe ma te zezë.
Kur po shkoja rrugës në atë mbrëmje te errët, m’u afrue nga pas një hije si të ishte hija e trupit tim në rrezë të hanës. Në një qoshe të rrugës, pranë ish pallatit të Zogut, hija lëshoi za. Ndalova dhe u gjeta ballë për ballë me atë djalë. Me ftoi që të shkoja me te në një drejtim tjetër. Në krye të rrugës së “Barrikadave” takuem nje burrë te pjekun që po na priste. Gjithë mirësi më vunë në mes dhe ecëm nëpër atë rruge në të cilën nuk bënte dritë asnjë llambë dhe hymë ne rrugën “Qemal Stafa”, e cila ishte gjithashtu në errësinë të plotë dhe vetëm dritat e dyqaneve ndriçonin ndopak. Nisën të thuheshin disa fjalë të pakuptimta për mua. Shumë vonë erdha në vete dhe kuptova humnerën ku donin me më plandosu.
Unë tashma isha mësue të ulja kokën. Por në atë mbrëmje të zezë puna kishte shkue në fije të penit. Harrova nanë, grue, motër e fëmijë dhe ndalova hapin i vendosun për mos me ecë një metër ma tej me ato dy hije që më ftonin të hyja në një apartament aty përballë. Kambëngulja ime mos me u bindë i tronditi shoqnuesit që më dhanë me kuptue se, në raste të tjera, kishin dalë përherë fitues. Kur e panë se isha i vendosun edhe të vdisja, por jo të bindesha, më detyruen të lëshoja një deklaratë se nuk e pranoja propozimin qe m’u ba. Nuk pata asnjë ngurrim. Në dritën e vitrinës së një dyqani shkrova fjalët që m’u diktuan, sigurisht me shprehjen negative për propozimin që m’u ba. Kjo deklaratë ndoshta do të gjëndet në dosjen teme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe, nëse do të dalë në dritë, do të shihet se nuk më asht dridhun dora kur e shkrova.
Hijet e asaj mbramje të zezë më kanë ndjekun gjithë jetën. Edhe sot në pleqninë teme kur po thuhet se erdhën kohë të reja kujtimi i asaj mbramje më ban me u dridhë dhe më pengon që të them çdo gja me hollësi, sepse qeshë porositun me kërcënim që ta mbaja për vete atë propozim dhe, nëse jam gjallë ende, asht sepse fjalën e mbajta deri sot...

gaz.panorama online
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
INJAC ZAMPUTI - HISTORIANI I AKADEMISE PA DIPLOME, Posted 12 Dhjetor 2009, 21:53
Letër drejtuar babait të vdekur, Injac Zamputtit, që nuk pranoi të bëhej spiun i sigurimit!

Imazh

(11.12.2009 RV)
U hap nga fundi i tetorit, në gazetën Panorama, një polemikë kundër Nexhmije Hoxhës, që u shfaq rishtas në publik, për të pohuar, ndërmjet tjerash, se Enver Hoxha e përkrahu gjithë jetën Eqrem Çabejn.
Nisi, atëherë, vrullshëm gërmimi në arkivat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, ku u gjet e u shfletua një dosje tejet e rëndësishme: ajo e njërit nga Personalitetet e rralla, që i bëjnë vërtet nder Shqipërisë kudo në botë: Profesor Eqerem Çabejt. Ky emër duhet ta kishte vendin vetëm në Fjalorët enciklopedikë a në librat, që përmbledhin arritjet më të mëdha të mendjes njerëzore. E megjithatë, nuk mundi t’i shpëtojë dosjeve famëkëqija. Në të, bashkë me një sërë emrash, të fshehur pas pseudonimeve të përçudnuara, si ‘Dhelpëria’, ‘Edija”, Prursja” etj etj, lexohen edhe emra të tjerë të shquar, miq e kolegë të profesorit të madh, të cilët hynë bashkë me të nën kapakët e dosjes, thjesht sepse nganjëherë ai guxonte t’ua thoshte rrumbullak të vërtetën. Pas këtij guximi, dosjes së famshme i shtoheshin edhe disa faqe, me kallëzimet e atyre, që pranuan ta spiunojnë Shkencëtarin e madh. E meritojnë, sigurisht, t’u dalin në dritë emrat e vërtetë, të cilët natyrisht dihen! Dosja tregon se qenë shumë ata, që e spiunuan. Por nuk munguan edhe Njerëz që, duke rrezikuar gjithçka, nuk pranuan ta padisnin, ta rrezikonin, t’i shqetësonin jetën e kërkimin shkencor. Nga shfletimi i Dosjes Çabej, një nga “veprat e mëdha” të Enver Hoxhës, del në dritë edhe një nga këto emra: Injac Zamputti. Ç’do të thoshte të mos pranoje të bëheshe spiun në kohën e diktaturës, këtë e dinë mirë vetëm ata që, heroikisht, refuzuan bashkëpunimin, duke ia mbyllur vetes të gjitha rrugët, veç asaj që çon drejt Mbretërisë së amshuar. Pikërisht me këtë Mbretëri lidhet shkrimi të cilin, pas botimit me shkurtime në gazetën Panorama (“Hafijet e sigurimit më nxinë jetën” – 30. 11. 2009), e lexon për ne, të plotë, vetë Jozef Zampurti, me krenari të ligjshme, nën titullin thellësisht prekës, ta dëgjojmë.....
FALEMINDERËS BABË!
(Leter mbas vdekjes)
"Po ta shkruej këtë letër në dialektin e dashtun tand (edhe temin) me të cilin linde e u rrite. Jam në dhomën ku mbylle sytë për herë të fundit, tashti me kompjuter, ku nuk reshte së rrahuni makinën e shkrimit derisa nuk pate ma forcë e, mbasandej, me dorën që dridhej duke shkrue gjithnji për historinë e mesjetës së Shqipnisë.
E prisja këtë pohim të dokumentuem: AI NUK PRANOI TË REKRUTOHEJ. Ku e gjete atë forcë në atë kohë aq të rrezikshme? Ti aq i brishtë, aq i butë, e i sjellshëm? Vetëm te besimi i patundun te Zoti e te lutjet që nuk i ndave gjithë jetën. Këto na i mësove edhe ne dhe ishin të vetmet për me kalue dallgët e jetës. Po due me të kujtue ma poshtë se e kam gjetë një shënim - porosi, që kishe lanë në një fletë të vogël për nipin tand Marin dhe për të cilin nuk më kishe folë asnjëherë. E ruej si relike.
"M.
Në qoftë se ti je duke lexuar këto fjalë që unë po shkruaj për ty, ti tashmë duhet të jesh rritur, duhet të jesh me arsim dhe i ditur, duhet të jesh duke vazhduar ciklin e jetës sate, kurse imi do të ketë mbaruar. Shkruaj për ty, që të të le, jo kujtimin tim - sepse në qofsh edukuar siç është edukuar biri im, babai yt, ti kujtimin e gjyshit do ta mbash deri në vdekje - por që të të le diçka të qartë nga mendimet e mija. Dhe do të jem i lumtur në jetën tjetër, që unë vazhdoj ta quaj "të vërtetë", nëse do të të ndihmoj ndopak për të kaluar dallgët e jetës, pa u mbytur në to. Shpesh herë unë kam qenë duke u mbytur në dallgët e jetës sime dhe, në qoftë se do të shpëtoj deri në fund, këtë ia detyroj asaj dore që unë vazhdoj ta quaj "hyjnore".

Për presionet për rekrutim nuk na ke folë asnjëherë, për të mos na shqetësue, por i ke mbajtë për vedi. Vonë, shumë vonë, me ardhjen e demokracisë, fillove të më tregosh për atë stuhi që ke kalue. E ke lanë edhe në kujtimet e tua. Gjithnji mendoja: po sikur atë firmë për mosbashkëpunim ta kenë përdorë në kahun e kundërt? Por ja që doli e vërteta. Ata që ta morën firmën e dërguen te shefat e tyne për me tregue se ti nuk rekrutoheshe, nuk mund të baheshe spiun i tyne. Pasojat? Frika e madhe për vedi e për familjen të shoqnoi gjithë jetën. Sapo ndigjoje ndonjë batutë kundra regjimit, qoftë edhe nga pjesëtarët e familjes, e ndaloje bisedën ose dilje në dhomë tjetër.
Ma vonë erdhi stuhia e '67. Deshtën me të fundosë, por, siç duket, ndonjë urdhën nga nalt tha: "të vazhdojë të punojë". Dhe ti u zhyte gjithnji e ma thellë në botën e Shkrimtarëve të Vjetër, në shoqni me Buzukun, Bogdanin, me relacionet e Budit e Bardhit, në leximet e vështira të mbishkrimeve te vjetra të Arbërit etj. Dhe prej dorës tande dolën shumë punime e, sidomos, 10 vëllime me dokumenta të transkriptueme e të përkthyeme, një burim i pashterrshëm për historinë e mesjetës. Doemos, t'i sillnin të tjerët fotokopjet e mikrofilmat nga jashtë e ty, edhe pse të ftonin në konferenca të ndryshme, nuk të lanë asnjëherë të dilje nga Shqipnia.
Por, për ty kobi ma i randë ishte mbyllja e kishave, ndalimi i fesë. Nga muret e shtëpisë sonë u hoqën fuguret që u ruejtën në fundet e arkave. Na mësove si me u lutë në heshtje e si me e ba kryqin fshehtas në krahnor. Të lanë gjithë jetën në një shtëpi me katër familje në një korridor me një banjo të përbashkët. Me sa duket që me të kontrollue e me të mbikqyrë ma mirë. Punoje në një tavolinë të vogël, shpesh në prehën, i mbështjellë me një batanije në ditët e ftofta të dimnit. Por me punën tande e me heshtjen tande dijte me i përballue dallgët që të vinin nga të gjitha anët. Ishe në një pozicion shumë të veshtirë: për "ata" matanë Adriatikut ti punoje për "këta", ndërsa për "këta" ti punoje për "ata". "Këta" të quejtën edhe "buburecë e zezë e Vatikanit".
Asnjëherë nuk ta njoftën laurën e Universitetit te Triestes; shkove pa marrë asnjë titull, megjithëse shumica të nderonin me titullin "profesor".
Kur erdhi demokracia kërkove takim dhe u rrëfeve me atin tand shpirtnor Atë Gardinin (që për mrekulli të Zotit ishte ende gjallë) dhe "ata" te besuen (sepse rrëfimi asht i shejtë) se ti nuk ishe përlye asnjëherë. Shpërtheve menjëherë në fillimet e viteve '90 me dy libra: "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" dhe "Fishta - koha, njeriu, vepra" e me artikuj të tjerë, derisa mbylle sytë. Faleminderës Babë! Këto fjalë i drejtohen edhe Nanës sonë të dashtun, që dijti me përballue, bashkë me ty, gjithë këto stuhi e të qëndroi gjithnji pranë. Pushoni në paqë! Na keni lanë pasuninë ma të vlertë: ndershmërinë".

Jozefi


P.S: Këto fjalë mund t'i kishte shkrue secila nga pesë motrat e mija e, ndoshta, edhe ma mirë.

Shënimi ynë (RV): Kjo letër mund të nisej me këtë adresë, gjetur në Komedinë Hyjnore të Dantes: Injac Zamputtit, Parriz, Qielli i katërt i Diellit; pranë shpirtënve të ditun (e të pashitun).

Por, të rikthehemi tek pohimet e Jozefit, që sjell një fragment nga kujtimet Injac Zamputtit mbi mënyrën se si kërkuan ta rekrutonin. Nuk deshi ta botojë, derisa doli e vërteta e dokumentuar:
“Viti 1949 ka qenë për mue ma i randi i jetës sime. Edhe vitet që do të vijnë nuk do të jenë ma të lehta për mue e për familjen time... Në tetorin e atij viti të zi (por a pati pastaj ndonjë vit të bardhë për mue?) një djalë hyni në jetën time për me e bamë edhe ma të zezë. Kur po shkoja rrugës në atë mbramje të errët, m'u afrue nga pas një hije si të ishte hija e trupit tim në rreze të hanës. Në një qoshe të rrugës, pranë ish pallatit te Zogut, hija lëshoi za. Ndalova dhe u gjeta ballë për ballë me atë djalë. Më ftoi që të shkoja me të në një drejtim tjetër. Në krye të rrugës së Barrikadave takuem në një burrë të pjekun që po na priste. Gjithë mirësi më vunë në mes dhe ecëm nëpër atë rrugë në të cilën nuk bante dritë asnjë llampë dhe hymë në rrugën Qemal Stafa e cila ishte gjithashtu në errësinë të plotë dhe vetëm dritat e dyqaneve ndriçonin ndopak. Nisën të thuheshin disa fjalë të pakuptimta për mue. Shumë vonë erdha në vete dhe kuptova humnerën ku donin me më plandosun. Sikurse lexuesi e ka kuptue, unë tashma isha mësue të ulja kokën. Por në atë mbramje të zezë puna kishte shkue në fije të penit. Harrova nanë, grue, motër e fëmijë dhe ndalova hapin i vendosun për mos me ecë një metër ma tej me ato dy hije që më ftonin të hyja në një apartament aty përballë. Kambëngulja ime mos me u bindë i tronditi shoqnuesit e mij që më dhanë me kuptue se, në raste të tjera, kishin dalë përherë fitues. Kur e panë se isha i vendosun edhe të vdisja por jo të bindesha, më detyruen të lëshoja një deklaratë se nuk e pranoja propozimin që m'u ba. Nuk pata asnji ngurrim. Në dritën e vitrinës së një dyqani shkrova fjalët që m'u diktuen, sigurisht me shprehjen negative për propozimin që m'u ba. Kjo deklaratë ndoshta do të gjendet në dosjen time të M.P.M. dhe, nëse do të dalë në dritë, do të shihet se nuk më asht dridhun dora kur e shkrova. Hijet e asaj mbramje të zezë më kanë ndjekun gjithë jetën. Edhe sot në pleqninë time kur po thuhet se erdhën kohë të reja (1992), kujtimi i asaj mbramje më ban me u dridhë dhe më pengon që të them çdo gja me hollësi, sepse qeshë porositun me kërcënim që ta mbaja për vete atë propozim dhe, nëse jam gjallë ende, asht sepse fjalën e mbajta deri sot...

Përgatiti. Jozef Zamputti

Jetëshkrim i Injac Zamputtit


Lindi në Shkodër më 12.02.1910 në një familje të mesme. I jati, Romolo, me origjinë italiane, zyrtar poste, vdes shpejt pas një aksidenti duke e lënë jetim në moshën njëvjeçare së bashku me tri motra. E ëma, Nine, me origjinë nga malësia, nga Temali, i rrit këta fëmijë me mundime e sakrifica.
Studjon në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër ku shquhet per korrektësi dhe rezultate shumë të mira. Prandaj, qysh në moshën 21 vjeçare mbahet në atë Kolegj ku jep lëndën e letërsisë shqipe si koleg i ri i Dom Ndre Mjedës. Merr pjesë në mjaft shfaqje teatrore, në fillim si nxenës e më vonë si drejtues. Po keshtu merr pjesë në shfaqje muzikore duke i rënë violinës si amator. Jep ndihmesë të madhe në revistën LEKA. Si mësues i ri dallohet në aktivitetet kulturore, artistike e sportive me nxënësit.
Ndër nxënësit e tij mund të përmendim: V.Stafën, L.Boriçin, Q.Stafën, S.Bekteshin etj. (Duhet shënuar se në atë Kolegj studionin edhe nxënës të besimeve të tjera). Më 1937 martohet me një vajzë shkodrane, Rozën, nga familja e Prelajve, nga e cila pati 6 fëmije: 5 vajza e 1 djalë. Ndërkohë mbaron universitetin me korrespondencë në Trieste ku doktorohet në shkenca politike e mbron temën historike: "700-a Veneciane dhe Shqipëria", pa e ditur se e ardhmja e jetës së tij do të ishte pikërisht historia e mesjetës e Shqipërisë. Pas mjaft shkrimeve, artikujve, poezive etj. në shtypin e kohës me pseudonime të ndryshme, me 1940 boton vëllimin e parë me novela "Zemra njerzish"e më 1944 vëllimin e dytë me novela "Atje, nen hijen e Rozafës" dhe melodramin "Damjani himarjot".Në vitet e fundit në Kolegjin Saverian, së bashku e nën drejtimin e At Z.Valentinit, hedhin bazat e albanologjisë shqiptare e kjo do t'i shërbejë si bazë e mirë për studimet e mëvonshme historike të tij.
Pas luftës, më 1945, punon si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër e më pas, 1946-48, dërgohet në Gjirokastër si mësues letërsie në liceun e atij qyteti. Me hapjen e Institutit te Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e historisë së mesjetës. Qëndron i vetëm në Tiranë deri më 1953 ku i jepet shtëpi vetëm me një dhomë, paradhomë e guzhinë për familjen me 10 vetë (nëna, motra, gruaja e 6 fëmijët), me katër familje të tjera në një korridor e një banjo të përbashkët. Aty punoi e jetoi për 40 vjet e aty i shkroi veprat e tij herë në stol, herë në tavolinën e vogël e herë në prehër, duke u kërrusur gjithnjë e më shumë mbi dokumentat e historisë pa i trokitur në derë askujt. Iu fut punës me pasion, sepse aty gjeti mënyrën për të shprehur intelektin e bagazhin e tij, për të mbajtur familjen e për të mbijetuar.
Ndër punimet e para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur "Anonimi i Elbasanit", transkriptimi e komentimi i tij duke e çuar së paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbërthen alfabetin
e panjohur të shek. XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane.
Më pas boton librin "Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shek. XVI-XVII". Fillon të përgatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e periudhës së mesjetës, u jep drejtime se ku të shkojnë për ta kërkuar në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj. Ia sjellin këto dokumenta me mikrofilma e ai, nga fotokopjet, duke përdorur edhe lenten, i transkripton, i përkthen, i komenton e kështu boton disa vëllime në kuadrin e Institutit të Historisë me relacione, regjistra, shënime të ndryshme të asaj kohe. Ai vetë nuk u lejua asnjëherë të dilte nga Shqipëria për gjetjen e dokumentacionit apo për të marrë pjesë në simpoziume të ndryshme ku ftohej nga të huajt. Shkolla që kishte kryer, kultura që kishte marrë nga Jezuitët, kontaktet që kishte pasur para lufte e bënin person të dyshueshëm që duhej mbajtur nën mbikqyrje nga regjimi. Kështu, me punën e tij të palodhshme, u mbush ai boshllëk i madh që ekzistonte në periudhën e historisë së Shqipërisë pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah organizimin e maleve për luftën kundër otomanëve, kuvendet shqiptare, kontaktet me Europën tj.Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit botoheshin në formë artikujsh në revistën "Studime historike". Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studjon mjaft hollësitë shkrimtarëve të vjetër shqiptarë Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani e të humanistëve shqiptarë Barleti e Beçikemi.
Të periudhës 1960-1990 janë:
l. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shek. XVII - vëll. I (1963)
2. Idem - vëll. II (1965)
3. Dokumenta të shek. XV për Historinë e Shqipërisë -pjesa e I (1967)
4. Idem - pjesa e II (1979)
5. Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417-(1977)
6. Dokumentet e shek. XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë - vëll. I (1989)
7. Idem - vëll. II (1990)
8. Idem - vëll. III (1989)
9. Idem - vëll. IV (1990) (me bashkautor S.Pulahën).
10. Dokumente për Historinë e Shqipërise të shek. XV - 1400-1405 (1987) (me bashkëautor L.Malltezin).
Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatese, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Vetëm në këto vëllime dokumentash numërohen më shumë se 5000 faqe. Në vitet '50 e fillimet e viteve '60 merret edhe me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime te gjata, një poemë për luftën e Himarës 1481, por nuk lejohen të botohen e, kështu heq dorë nga letërsia e i kushtohet vetëm historisë e paleografisë. E vetmja dramë që arriti të dëgjohet vetëm një herë në radio e inçizuar nga studentët e ILA me 1965 qe drama "Guri i themelit" me temë mbi Kalanë e Rozafatit. Vijnë vitet e zeza 1967-68- revolucioni kulturor - e ai është në shënjestër për ideologjinë fetare, por mbahet prapë në Institut sepse dokumentacioni i mesjetës do të mbetej edhe përshumë kohë pa u lexuar nga askush. E ai gjithnjë me pasion, i mbyllur në shtëpi, vazhdon e punon duke jetuar me botën e Budit, Bogdanit, Bardhit etj. Asnjëherë nuk ia njohën titullin doktor e laurën e Triestes, megjithëse pothuajse të gjithë e thërrisnin: "Profesor". Në fundin e viteve '80 e ndjen se do të ndodhnin ndryshime të mëdha. Fillon e zgjeron aktivitetin e tij duke përkthyer më 1989 "Burgimet e mija" të P. Vasës të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme. Ftohet edhe në një emision televiziv kushtuar figurës së atij rilindasi.
Të vitit 1988 janë punimet e tij me shumë interes për leximin e "Mbishkrimit të Arbërit" e "Mbishkrimit të Brarit" të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurëthemeli në historinë e popullit shqiptar. Të periudhës së viteve të para të demokracisë janë dy librat e tij: "Fishta - koha, njeriu, vepra" dhe "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" (1993). Në vitet 1995-97 boton artikuj e studime me shumë interes në revistën HYLLI I DRITËS për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, per aksionin kolonizues te Dionisit e luftrat iliro-romake.
Më 1995 nga Presidenti i Republikës i jepet dekorata "Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës" me motivacionin "Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencavë albanologjike". Mbylli sytë më 28.02.1998 në Tivoli të Italisë dhe, sipas porosisë së tij të fundit, eshtrat e tij prehen në varrin e familjes në Tiranë, në Shqipëri, në atë vend, historisë së të cilit i kushtoi jetën dhe veprimtarinë e tij.
P.S. Vetëm gjatë periudhës së diktaturës e ka shkruar mbiemrin me një t: ZAMPUTI, por deri me 1944 e në të gjithë regjistrat e gjendjes civile mbiemri shkruhet me dy t: ZAMPUTTI.

http://www.radiovaticana.org/alb/Articolo.asp?c=340832
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Injac Zamputi: Historiani shqiptaro-italian që hodhi dritë mbi Mesjetën tonë
Imazh

14 shkurt, 2010
Histori

Injac Zamputi është një historian shumë i njohur në Shqipëri, në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, sepse ai shkroi për të parët e tyre në Mesjetë, për shqiptarët në trojet e veta, që sot nuk janë më brenda kufijve etnikë të vendit tonë.

Le të themi që në fillim, se Zamputi nuk qe një njeri i regjimit dhe në këtë vështrim, nuk gëzoi ndonjë mbështetje të veçantë, por pavarësisht nga kjo, ai bëri emër të madh pikërisht në atë kohë të vështirë, duke u angazhuar tërësisht me të gjitha aftësitë e tij intelektuale në zhvillimin e shkencës albanologjike shqiptare, botimin e burimeve të shumta dokumentare, të domosdoshme për fillimin e mbarë e të qëndrueshëm të studimeve shqiptare për periudhën e Mesjetës. Këtë mundësi e bëri realitet për të Prof. Buda, historiani dhe dijetari i shquar, që u ndodh në krye të punëve për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe shkencës në Shqipëri. Buda gjeti tek Zamputi njeriun e ndershëm, intelektualin e shquar dhe të talentuar, plot dëshirë dhe pasion për t'i shërbyer shkencës, përparimit të arsimit, kulturës, historisë së vendit. Në vitet '50, kur Zamputi filloi punën si historian, detyra për të ndërmarrë botimin e dokumenteve për historinë e Shqipërisë në mesjetë nuk ishte një punë e lehtë; këto dokumente nuk ndodheshin në Shqipëri. Arkivat historike vendase ishin shkatërruar; në këto kushte, fitonin vlerë arkivat e vendeve të huaja, italiane, spanjolle, dalmate etj, të cilat ruanin akte me interes për historinë e Shqipërisë.
Botimin e dokumenteve me interes për historinë mesjetare e patën filluar autorë të huaj qysh në shek.XVII-XVIII, siç janë koleksionet e akteve kishtare të Raynaldit, Farlatit, Koletit. Këto botime morën karakter të mirëfilltë shkencor gjatë shek.XIX, me vëllimet që nxorën një varg autorësh të huaj për historinë mesjetare të sllavëve të jugut, si Mikloshiq, Shafarik, Makushev, Ljubiç, Tainer, Xhelçiç, Hopf, Satas, Trinkera, Pastor, Çerone, Jorga, etj. Botimin në një korpus më vete të të gjithë dokumenteve të historisë mesjetare të Shqipërisë, të shpërndara në botime të ndryshme, e ndërmorën në fillim të shek. XX, tre medievistë të shquar, Taloci, Jeriçek, Shuflai.
Nën redaktimin e këtij të fundit u botuan në vitet 1913 dhe 1918, dy vëllimet e para të veprës së tyre monumentale "Akte dhe Diploma që trajtojnë çështje të Shqipërisë mesjetare". Në këtë botim në dy vëllime u përfshinë dokumente, që i përkasin historisë së Shqipërisë midis viteve 1343-1406. Në radhën e këtyre studiuesve të mëdhenj u përfshi edhe Zamputi. Ai punoi për përgatitjen për botim të Regjistrit të Kadastrës së Shkodrës 1416-1417 dhe më pas për botimin e tre vëllimeve me dokumente që përfshijnë vitet 1400-1415. Nga këto, autori mundi të botojë në vitin 1987 vëllimin e parë të titulluar "Dokumente për historinë e Shqipërisë të shek. XV". Vëll I (1400-1405), në bashkëpunim me autorin e këtyre radhëve.
Dy vëllime të tjera ndodhen ndërkohë në arkivin e Institutit të Historisë, të përgatitura për botim, në bashkëpunim me historianët P.Bogdani (Novi) dhe P.Menga. Regjistri përbën një burim madhor për njohjen e krahinës së Shkodrës në fillim të shek XV. Ai ka të regjistruar të gjithë fshatrat e komunës së Shkodrës, emrat e banorëve të tyre, sasinë e detyrimeve, tokat dhe vreshtat e komunës, si doganat dhe peshkoret, bashkë me të ardhurat e tyre. Botimet që i dhanë një emër të madh Zamputit si historian, janë sidomos dy vëllimet me dokumente të titulluara: "Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të mesme në shekullin XVII. Vëll.I (1610-1634), Tiranë 1963 dhe vëll.II (1635-1651), Tiranë 1965. Ky botim u përfshi në kolanën "Burime dhe Materiale për historinë e Shqipërisë", 3, që kishte ndërmarrë Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Relacionet janë nxjerrë nga Arkivi i Propagandës Fide dhe janë të shkruara nga kleri i lartë katolik që vepronte në Shqipëri dhe në Kosovë në gjysmën e parë të shek.XVII. Ato kanë qenë botuar më parë nga studiues të ndryshëm si Theiner, Racki, Ljubic etj. Për gjendjen e tyre në arkivin e Vatikanit, Zamputi kishte nxjerrë njoftime për studiues dhe albanologë të shquar si, Mario Roque, Cordignano, Parga, Radoniqi. Rëndësia e relacioneve për historinë e Shqipërisë është e madhe.
Kongregacioni i PROPAGANDËS kërkonte që kleri misionar t'i jepte të dhëna mbi gjendjen ekonomike, shoqërore, politike të vendeve, ku ata shërbenin si misionarë të propagandës. Kongregacioni madje botoi edhe një letër qarkore, ku u jepte instruksione klerikëve mbi çështjet që ata duhej të trajtonin në relacionet e veta. Letra përmban 27 pika; klerikët porositeshin aty të jepnin të dhëna për historinë e lashtë të vendit (pika 1), vendosjen gjeografike të vendit, ku shërbenin si misionarë (pika 34, 5, 25), informacion për komunikacionin tokësor, lundrimin lumor dhe detar (pika 6,22), si dhe informacion të saktë për prodhimet e tokës dhe tregtinë, për mjekësinë popullore (pikat 10,16,17), për kafshët, për peshqit (pika 14), për gurët, dhe mineralet dhe po kështu pika të tjera për zejet, veglat e punës, gjahun, peshkimin, njerëzit dhe zakonet e tyre, besëtytnitë etj. Pika e fundit kishte të bënte me librat dhe dorëshkrimet e vjetra eventuale.

Nga ky udhëzim kuptohet se relacionet që shkonin në 40-50 faqe, kishin një material të rëndësishëm, që ndihmonte në studimin e historisë së vendit në shek XVI-XVII. Materialet vënë në dukje mosmarrëveshjet që ekzistonin midis klerit të lartë dhe banorëve katolikë të vendit. Kleri i huaj misionar dhe kleri i lartë shqiptar, i përgatitur në kolegjet italiane (Kolegji i Loretos afër Ankonës), vinin në Shqipëri me udhëzime për zbatimin e normave kishtare sipas teologjisë dogmatike që kishte dalë nga Koncili i Trenit. Në të dy vëllimet ka material që dëshmon përplasje me popullsinë vendase, për të mos zbatuar disa norma të dogmës së kishës. Këto përplasje vinin nga fakti se Shqipëria nuk ishte një vend me norma të prera doktrinare katolike; përkundrazi, vendi ruante doke e zakone të vjetra tradicionale. Mosmarrëveshje të tilla kishin p.sh. për kalendarin e ri Gregorian, që kërkonte të fuste kisha katolike në Shqipëri. Çështja e kalendarit ishte e lidhur me afatet e tregjeve, të panaireve, të të korrave etj.
Frang Bardhi raportonte më 1637, se në Kabash të Pukës, dita e këtij shenjti nuk festohej sipas kalendarit Gregorian; vendasit donin ta festonin atë 11 ditë më vonë, sepse besonin se ditën e shën Palit duhej të dilte buka e re. Materialet tregojnë edhe moszbatimin e normave kishtare në çështjen e martesave. Malësorët shqiptarë e konsideruan atë si një çështje të kanunit, bazuar në lindjen e trashëgimtarit etj. Materialet japin një lëndë të pasur lidhur me çështjen e islamizimit të popullsisë. Në relacionin e tij fra Kerubni shkruan më 1638, se "shumë vetë, për të mos paguar haraç, janë bërë turq, disa të tjerë për t'u pasurue e disa të tjerë për të jetuar lirisht". Që këtej, kuptohet se islamizimi ishte një rrugë për të lehtësuar gjendjen ekonomike shoqërore nën sundimin osman. Materialet tregojnë se "struktura shoqërore e malësisë mbahej me statutet e veta tradicionalë, pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të ligjës dhe gjykatave turke. Materialet paraqesin një situatë të vështirë ekonomike të popullsisë malësore të vendit, një varfëri e tejskajshme, që i detyronte ata, të kalonin me kohë në islamizëm, për t'u lehtësuar nga haraçi.
Relatorët paraqesin zakone dhe besëtytni popullore, ata na japin dhe të dhëna për mjekësinë popullore etj. Në këto vëllime del qartë konflikti që kishte shpërthyer midis klerit të huaj dhe klerit vendas. Marin Bici shprehej se ipeshkvët vendas ishin më të qëndrueshëm në selitë e tyre se sa të huajt. "Nëse do të jepet mundësia, - shkruante ai, - që një sasi klerikësh të ktyne anëve të stërviten në dituni, duhet të merren vendas të cilët të jenë të interesuem me pasuni dhe me farefis, që pas studimeve të shkojnë e të qëndrojnë në vend duke shpenzue talentin në të mirë të tyne shpirtëve". Konflikti arriti një ashpërsim të madh në filllimet e shek XVII, kur eksponent i klerit vendas ishte Nikollë Mejkashi. Këtë qëndrim ndaj klerit të huaj mbante edhe Pjetër Budi pas tij, kur u vu në krye të selisë së Sapës. Budi organizoi kundër tyre sinodin ndërdiocesian, ku i gjithë kleri vendas u betua të mos pranonte prelatët e huaj. Në këto dokumente, vihet re se bëhen kudo përpjekje, që famullitarët më të ditur t'u mësojnë këndim e shkrim çunave dhe pastaj, si të shihet fryti, të dërgohen në kolegjet e Italisë. Ky problem shtrohej për të gjetur rrugën e shpëtimit nga padija e madhe, ku kishte rënë vetë kleri në atë kohë. Për diocezën e vet të Arbërisë, Gjon Kolesi propozonte, më 1625, të ndërtoheshin dy shkolla me nga 10-12 nxënës secila, për t'i përgatitë pastaj për kolegjin e Loretos. Në këtë periudhë rritet interesi për historinë e popullit tonë. Frang Bardhi ngrihet kundër Tomkops, në mbrojtje të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Pjetër Mazreku në relacionin e vitit 1633, mohon kategorikisht thënien e autorëve të huaj të kohës, se shqiptarët ishin aziatikë të ardhur në kohë të vonë. Dokumentet, për të cilat po flasim provojnë edhe praninë e shqiptarëve në Kosovë. Po për rrethet e Gjakovës (Jakovës) dhe të Prizrenit, Gjergj Bardhi thotë në një nga relacionet e veta se: "të gjithë këto vende të sipërpërmendura janë shqiptare dhe flasin po atë gjuhë".

Dokumente venedikase e raguzane


Zamputi ka botuar edhe një vëllim së bashku me prof. Selami Pulaha, të titulluar "Dokumente të shekujve XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë. Vëllimi IV, (1675-169). Tiranë 1990. Në të përfshihen dokumente venedikase, raguzane, që sjellin të dhëna me vlerë për krahinën perëndimore bregdetare si dhe dokumente austriake, që në shumicën e tyre botohen për herë të parë. Këto sjellin të dhëna për trevat verilindore të Kosovës dhe rrafshit të Dukagjinit. Materialet sjellin informata me hollësi për veprimet luftarake të ushtrisë austriake në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit, për pushtimin e Prishtinës, të Prizrenit, të Pejës, të Kështjellës së Kaçanikut, si dhe për depërtimin e thellë në krahinën e Lumës. Në dokumentet veneciane trevat malore në veriperëndim të Shkodrës, paraqiten si një etnitet më vete me emrin malet shqiptare. Këtu përmendet Kuçi, Pipri, Kalabardhi, Martiniqi, Robçani, treva, që sot përbëjnë krahinën e Bërdhës si pjesë e Malit të Zi. Këto, përfshiheshin në sanxhakun e Shkodrës dhe nuk konsideroheshin si trevat e Malit të Zi, por të Gentës së Sipërme, që nga pikëpamja administrative ishte pjesë e sanxhakut të Shkodrës.
Në këtë periudhë, koncepti territorial i Malit të Zi ishte më i ngushtë nga shtrirja, që arriti në shekujt e mëvonshëm për shkak të procesit të sllavizimit të shqiptarëve në periudhën pas shek.XVI.
Dokumentet austriake sjellin të dhëna me rëndësi, që dëshmojnë, se trevat e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ishin troje të banuara kryesisht nga popullsi shqiptare dhe ato përfshiheshin në konceptin Shqipëri. Këto të dhëna kundërshtojnë pikëpamjet e mjaft studiuesve jugosllavë, që pretendojnë se me largimin e ushtrive austriake më 1690, paska ndodhur shpërngulja e madhe e serbëve nga Kosova dhe dyndja aty e malësorëve shqiptarë nga krahina e Veriut, që paska sjellë si rezultat deserbizimin e Kosovës. Zamputi botoi edhe vëllimin "Dokumente të shekullit XV për Historinë e Shqipërisë. Vëll.IV (1479-1506). Pjesa I (1479-1499).Tiranë, më 1967. Pjesa e parë e këtij vëllimi fillon me rënien e qyteteve dhe fortesave të fundit të Shqipërisë në duart e turqve në 1479, kurse pjesa e dytë shkon deri nga fundi i vitit 1506. Këtu pasqyrohet periudha më se çerekshekullore për lëvizjet e armatosura për të fituar lirinë dhe për përpjekjet për të rimëkëmbur principatën e Kastriotëve.
Botimi i këtyre materialeve, u arrit pas pasurimit të Bibliotekës Kombëtare nëpërmjet mikrofilmimit të botimeve të rralla në bibliotekat e huaja. Këtu përfshihen edhe materiale të pabotuara, që ruheshin në Arkivin e Shtetit. Në radhë të parë vijnë vjetoret e Domeniko Malipieros (Malipiero-Longo). Këto vjetore nisin nga viti 1457 dhe arrijnë deri në vitin 1500. Më tej është dorëshkrimi i njohur Stefano Margo, botuar nga Sathas. Të dhënat e këtij dorëshkrimi janë të renditura në formë ditari, por të bazuara mbi shkresa e lajme, që binin në dorën e veshin e shkruesit dita-ditës. Shënimet e këtij dorëshkrimi kanë rëndësi të madhe sidomos për ngjarjet e kohës së ardhjes së djalit të Skënderbeut në Shqipëri më 1481, si dhe për zhvillimin e ngjarjeve të mëtejshme deri te lufta e Himarës, më 1492. Më tej, përfshihen ditarët e Marino Sanutes.

Vitet 1593-1602


Zamputi ka botuar edhe vëllimin DOKUMENTE TË SHEKUJVE XVI-XVII PËR HISTORINË E SHQIPËRISË, Vëllimi II (1593-1602).
Vëllimi përfshin periudhën prej vitit 1593-1602. Kjo është periudha kur lëvizja Çlirimtare kalonte nëpërmjet organizimit të kuvendeve shqiptare. Në Kuvendin e Dukagjinit mrrën pjesë 2056 krerë prej 13 krahinave shqiptare, që do të thotë se çdo krahinë dërgoi rreth 200 krerë. Kuvendet qenë formë e lartë e organizimit politik shqiptar. Kuvendi lëshonte thirrje, shkresa me vulën përreth të cilës ishin shkruar fjalët "Mbretëria e Maqedonisë dhe Shqipërisë", (dok.48). Në këto kuvende nuk patën mundësi të përfaqësoheshin të gjitha krahinat shqiptare. Prandaj në dokumentet e tyre shkruhej se: "me ne do të bashkohen edhe shqiptarët e tjerë". Roma, për synimet e veta të penetrimit në Shqipëri e Ballkan, filloi të sjellë në Shqipëri në një kohë kur gjendja e klerit shqiptar kishte rënë shumë poshtë, klerin sllav dalmatin si peshkop dhe abatë në disa dioceza e manastire (Shkodër, Lezhë, Breg Bunë).
Kleri i lartë sllav, duke synuar fuqizimin e vet hierarkik, ekonomik, politik përçmonte çdo gjë që ish shqiptare, përfshirë këtu edhe ndjenjat më të shenjta të vetëdijes shqiptare, zakonet, lavdinë e krijuar gjatë shekujve të kaluar. Ata denigronin aftësitë krijuese të shqiptarëve, për të vepruar në mënyrë të pavarur në kushtet e pushtimit osman. Kjo ishte një taktikë për të minimizuar çdo gjë me karakter shqiptar, për t'u mohuar shqiptarëve edhe traditën ne tyre të lavdishme të luftërave, që ishin zhvilluar në shek.XV-XVI.
U bënë përpjekje për t'i grabitur shqiptarëve edhe figurën e Skënderbeut, siç veproi kleriku famëkeq Tomko, që u përpoq ta paraqiste atë sllav. Në këto rrethana, u ngrit dhe protesta e shqiptarëve për largimin e klerit të lartë sllav. Materialet e këtij vëllimi reflektojnë mjaft hollësisht këtë konflikt. Në memorialet e vitit 1602 drejtuar Papës dhe kardinalit Mathei (dok.194-195), analizohet veprimtaria armiqësore e klerit të huaj. Në to kërkohet hapur të largohen "këta dhe të gjithë të tjerët e këtij kombi nga vendi ynë" përndryshe "jemi të detyruar t'u bëjmë dhunë ligjeve", ose ne vetë do të marrim masa radikale kundër tyre edhe sikur të shkelim ligjet e kishës duke kryer sakrilegje. Ata i thonë Papës: "Mos e lejoni këtë skizmë ndër ne". Në këtë vetëdije të konsoliduar shqiptare doli edhe Frang Bardhi me veprën e tij mbi përkatësinë shqiptare të Skënderbeut. Shqiptarët kërkonin në takimet e tyre me evropianët nga shtetet e Perëndimit armë dhe ndonjë kontigjent ushtarësh. Vëllimi i mësipërm mbyllet në vitin 1602 me materialet e Kuvendit të Dukagjinit.

Vitet 1507-1592


Zamputi botoi edhe vëllimin: DOKUMENTE TË SHEKUJVE XVI-XVII PËR HISTORINË E SHQIPËRISË, Vëllimi I. (1507-1592). Ky vëllim përmban materiale dokumentare të viteve 1507-1592. Ai është vazhdim i dy vëllimeve të mëparshme, që përfshijnë vitet 1479-1506. Qëllimi i autorit ka qenë të vërë në dispozicion të studiuesve këto materiale, që ishin botuar një shekull më parë pra në botime të paarritshme për lexuesin. Vetë aksioni për të shtënë në dorë këto botime ka qenë një punë mjaft e vështirë. Autori ka pasur ndihmën e bibliotekës kombëtare në këtë drejtim, e cila i siguroi ato nëpërmjet praktikës së huazimeve.
Në realizimin e këtyre botimeve ka ndihmuar edhe Instituti i Historisë, i cili i vuri në dispozicion autorit fotokopje të këtyre vëllimeve. Këto janë dokumente, që hedhin dritë në periudha relativisht të errëta historike dhe lejojnë studiuesin e sotëm të shohë fletë të lavdishme të së kaluarës së popullit tonë, luftën e tij pas vdekjes së Skënderbeut. Lufta mori hov me synimin e një çlirimi të përgjithshëm të vendit. Këtë provon në relacionin e tij Meikashi, një nga udhëheqësit kryesorë të Kuvendit të Dukagjinit 1601-1602. Pasi flet në relacionin e tij për fushat shqiptare, të cilat sipas tij ishin "pjellore, të begata me çdo lloj ushqimi", autori ndalet pastaj te "banorët e tyre", që ishin "luftarakë, truplidhur dhe të stërvitur ndër mundime".
Autori vë në dukje në këtë vëllim kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, më 1607, udhëhequr nga Idar Man Dervishi, që sulmoi hambarët e bejlerëve, ua shiti grurin fshatarëve me çmim të ulët dhe u hoqi atyre taksat e tatimet e tepërta. Idar Mani nuk ishte tjetër veçse Andrea Manasi, i cili u bashkua me kryengritësit e Dukagjinit dhe për më shumë se 3 vjet mbajti kontrollin e rrugës nga Lezha në Kurbin.

Prof. Luan Malltezi
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4580
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
E pregatiti në shqip Bep Martin Pjetri

Injac i Antiokisë - Patriarku i Sirisë - Martir i Kishës

Ignazio di Antiochia
Imazh
35 – 17.IX.107
Nxansi i Shën Gjonit Apostull


Injaci i Antiokisë(1) leu rreth vjetit 35 – 17.IX.107, i thirrun iluminator(ndriçues), ishte patriark apo ipeshkëv dhe teolog sirian.

Injaci – dishepull i Shen Gjonit
Injaci u rrit në mjedisin paganë; duke kenë ndjekës i zellshëm i Shën Gjoni Evangjelist(San Giovanni Evangelista) ndikoi në konvertimin e tij në kristian në moshën e rritun. Shën Gjoni duke u bindë me veprat e tij kristiane, e emnoi sipas traditës, në vjetin 69 si Patriarkë në selinë episkopale të Antiokisë, që ishte pasardhës i tretë i patriarkut të parë – Apostulli i Jezu Krishtit - Shen Pjetrit(lindi në vj. 2 apo 4 e vdiq i martirizuem në vj. 67 nën perandorin Neron), që shkoi në Romë, ku Shen Pjetri emnoi Shen Evodius(u martirizue rreth vj. 69 nën sundimin e Neronit). Pasi mori këtë mison episkopal, Injaci ja vuni vedit emnin Theoforu(njeriu i Zotit). Ai udhëtoi në shumë qytete ku predikoi Ungjillin duke kthye shumë sirianë në kristianë, gjithmonë duke i njohë me të vërtetat e ekzistencës së Zotit, i pagëzoi duke i ndriçue rrugën e besimit dhe u tregoi gabimin e adhurimit të idhujve. Tradita gjithashtu e identifikon Injacin, së bashku me mikun e tij Polikarpi, si dishepuj të Gjon Apostullit të Jezu Krishtit(lindi në vj. 10 e vdiq në vj. 98-99).

Kisha e Shën Injaci në Antioki
Kisha e Shën Injacit në Antioki ishte ndër kishat ma të randësishme në kishat primitive dhe qendër e shumë ngjarjeve të randësishme në zhvillimin e hershëm të kishës, sipas Kronikës së Ipeshkvit Eusebio nga Vespasian I-rë(2) deri te perandori Trajan, 10 vjet sundim (nga 69/70 në 107/8), kur Eusedio u martirizue. Dihet se Ipeshkvi i Sirisë ishte ndër pesë ipeshkvit e parë të botës së krishtere si; i Romës, i Aleksandrisë, i Konstandinopojës, i Antiokisë dhe i Jeruzalemit.

Pak mbi përmbajtjen e 7 letrave pas apostolike
Duke kenë i ndaluem rreptësishtë besimi dhe predikimi në Krishtë u arrestue Patriarku Injac i Antiokisë. Gjatë udhëtimit nga Antiokia në Romë nën shoqnimin e një togë ushtarësh romakë i lidhun ndër zinxhira, ai shkroi shtatë letra kishave, të cilat kanë mbetë aty dhe janë një dëshmi unike e fillimit e jetës së kishës së shek. II-të, të cilat janë ruajtë si një shembull i teologjisë shumë të hershme të krishtere, me tema të randësishme të trajtueme në këto letra, që janë eklesiologji(3), sakramentet, dhe organizim në hierarkinë kishtare, atë të rolit të ipeshkve. Katër shkronjat e para u shkruejtën nga bashkësia Smirne(Izmiri i sotëm) të Azisë së Vogël(4), të Efeso(5), të Magnezia(6) e të Tralles(7), ku falënderonte ata për demonstrimet e shumta, të deshmisë së dashnisë për mundimet e tij.
Duke lanë Smirnan, Injaci në Troade(8) shkroi tre letra: i pari ishte kjo; I lutej romakëve të mos ja parandalonin martirizimin e tij, pra e kuptuem si një dëshirë për të ndjekë jetën dhe pasionin e Jezusit: "…..Unë mundem të naltsojë vedin në praninë T’uej. " Atëherë ai u shkroi kishave të Filadelfias(9) e të Smirnës, ku i kërkonte besimtarve të përgëzonin bashkësinë e Antiokisë, e cila kishte durue me guxim persekutimin e vazhdueshëm. Ai gjithashtu shkroi Polikarpit(10), ipeshkvit të Smirnes, duke parashtrue udhëzime interesante për ushtrimin e funksioneve ipeshkvnore, duke i këshillue që të "ulen të shtrënguem si kudhra nën çekiç".
Letrat e tij shprehin fjalët e ngrohta të dashnisë ndaj Krishtit dhe Kishës. Ato shfaqen për herë të parë si shprehjet e “Kishës katolike" dhe të "krishterimit", të cilat konsiderohen neologjizma të krijueme prej tij. Letrat e Injacit janë një dritare e hapun për njohjen e kushteve dhe jetën e kishës së ksajë periudhet. Në veçanti, spikatë për herë të parë në letrat e tij të konceptimit trepalësh i shërbimit të krishterë: ipeshkëv, priftërinj, xhakonjë. Injaci drejtoi një thirrje për një organizim të ri të kishës së krishterë në të cilin një ipeshkëv përfaqson në veprimtarinë e tij "në emën të Zotit." Ky ipeshkëv do të ushtrojë autoritetin ndaj priftërinjve.
Në letrat e Injacit mësohet se ashtë personi i parë në literaturën e krishterë, që e cilsoi Kishën me emnin "katolike", që dmth "universale": Ku ashtë Jezu Krishti(Gesù Cristo) ashtë Kisha Katolike (në letrën; Smyrnaeans 8.2).
Rrëfimi - Një tjetër çështje e randësishme ashtë rrëfimi i njeriut të vërtetë në Krishtin kundër docetistve(11), të cilët e argumentuen se mishërimi i Birit të Perëndisë ka kenë vetëm e dukshme.
Këto ide inspiruen valët e reja të mësimeve jobiblike(jo të shkrueme). Letrat e tij atribuohet raportit të Injacit për arrestimin nga autoritetet shtetnore dhe përshkrimin e udhëtimit nga Siria për në Romë:
Anija bani një numër ndalesash përgjatë brigjeve të Azisë së Vogël në rrugën për në Romë. Në Smirna u takue me Ipeshkvin Polikarpi. Në kronikë e tij, Eusebi(260/265 - 339/340), ipeshkëv, kronikan i Kishës, historian, polemistë, me origjinë greke) i jep datën e vdekjes së Injacit, që i bie 2124 vjet pas Abrahamit.
Imazh
Piktori Kusiano - shek. XVIII - kanavacë në voj - Prejardhja: inventari i kompjuterizuem i thesarit historik dhe artistik të dioqezave italiane - Autor i Skedës: Dioqeza e Novarës
Pikturë e Injacit të Antiokisë nga Menologija

(Melologjia ashtë një tregim, rrëfenjë e teksteve liturgjike dhe agjiografike të përdoruna nga Kisha Ortodokse. Ajo përmban jetën e shenjtorëve dhe përbahet nga dymbëdhjetë vëllime, që korrespondojnë dymbëdhjetë muajt e vjetit.)

Arrestimi, torturat dhe hedhja në gojën e bishaveve

Paraprakishtë paganët ushtarët romakë në Antiokia nisën tortura ndaj Patriarkut Injac duke i vue qymyrin e djegun(gacën e ndezun) në duart e tij duke ja shtrengue pëllambën e duarve për rreth dy orë. Pastaj i vunë zjarmin në brinjën me katran të kuqe të nxehtë të naftës së djegun. Ata i veshën në trupin e tij kombinezone hekuri për me e mundue sa ma shumë e pasi e raskapitën prej torturimit e hodhën në burg për një kohë të gjatë. Mbasi e nxorrën jashtë prej burgut i premtuen atij shpërblime të mëdha për ta braktisë besimin në Krishtë, por ai ishte i palëkundun në besimin e tij.
Paganët të tërbuem nga zemërimi i mosbindjes në braktisjen e veprimtarisë kristiane të Patriarkut Injac, e arrestuen, e lidhën me hekura dhe e dërguen nga Antiokia drejt në Romë, i shoqnuem nga një togë ushtarësh romakë.
Në një atmosferë festive të fitores ushtarake të romakve mbi Dakia(12), për nder të perandorit Trajan(98-117), që mori pjesë në panairet e festimeve edhe në amfiteatrin e Koloseut të Romës(13) e dëfryen me sportin ma joshës të tij, atë të hedhjes së njerzve të shquem të krerve kristianë sikurse ishte rasti prezentë i Injacit me disa kristianë në gojën e leopardve të uritun më 17 tetor të vjetit 107 në vendin e martirizimit të quejtun Urbe(14). Ai mbajti shpirtin e tij të pastër në duart e Zotit, sikurse e deshti.
Imazh

Adhurimi
Pas martirizimit të Injacit në Koloseu të Romës, eshtrat e tij u mblodhën nga disa besimtarë, ithtarë të zellshëm të Ipeshkvit Injac dhe i dërguen në Antioki, ku i varrosën në varrezën e kishës jashtë qytetit, Portit të Dafne-s(15).
Pas pushtimit saraçen-ët(16) i sollën reliket përsëri në Romë dhe e varrosën në vjetin 637, në Bazilikatën e “Shën Klementit“ në Lateran të Romës, ku ende prehet. Një pjesë e kafkës ashtë ruejtë në kishën e Shën Injacit të Antiokisë, e vendosur në rrethinat jugore të Romës.
Vepra e respektueshme e Ipeshkvit të Sirisë, Injacit e nxiti perandorin romak, Teodosin e II-të(Flavius Theodosius - lindi në prill 401 – 28.VII.450), që Tempullin e Tikes(Tyche i Antiokisë ishte një nga qytetet e lashta ma të famshme kulturore.), ta shndrronte në një kishë kushtue Injacit.

Madhështia e një Martirit
17 tetori asht Dita ma e madhe e Martirilogjisë Kishtare

Një fragment nga shkrimi ” Sot më 17 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir.” (17.10.2009 RV)
Patriarku Injac në letrat që shkruejti gjatë rrugës nga Siria për në vdekjen makabre të sigurtë nga turra e e gojve të leopardve në Romë ndër tjera: ”…i porosiste besimtarët të largoheshin nga mëkati, të ruheshin nga Gnostikët(nuk njohin Zotin) e sidomos, të çelnikosnin unitetin e Kishës. Kërkonte edhe një gja tjetër, duke iu drejtue posaçërisht të krishterëve të Romës: të mos ndërhynin për ta shpëtue nga martirizimi.Ju nuk humbisni asgja – u shkruante - ndërsa unë humbas Zotin, në se shpëtoj nga dhambët e bishave.
Nuk do të kem kurrë ma një fat të tillë për t’u bashkue me Të. Më lini, prandaj, të flijohem tani, që elteri ashtë gati.

Të bashkuem të gjithë në një kor të vetëm, këndoni: “Zoti u denjua ta çojë nga Lindja në Perëndim Ipeshkvin e Sirisë”.
“Më lini të jem ushqim për bishat, të cilat do të më bajnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem nga dhëmbët e egërsirave, që të bahem bukë e Krishtit”.

Ipeshkvi i Antiokisë u blua vërtetë nga dhambët e bishave të pafajshme të cirkut, për të cilat Martiri gdhendi shprehjen poetike të pazakonshme: “Përkëdhelini, që të jenë varri im; të mos lanë gja prej gjaje nga trupi jem e të mos trazohet askush për t’më varrosë!”(Shkrimi: ”Sot më 17 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir.” 17.10.2009 RV). Me këto thanie Ipeshkvi Injac të shkruejtuna para qindra dhambve të bishave të urituna fatkeqe dhe të qeshurave sadiste, të kanibalit, perandori Trajan gdhendi portretin e tij për së gjalli, i dhuroi Shpirtin e tij për së gjalli në Duart e Krishtit, shpalosi Dashninë në Hyjin, gjithashtu ndërtoi me veprën e sakrificës një nga lapidaret ma gjigande në Historinë e Martirologjisë Kishtare.

Cila ditë nderohet vepra e Tij?


Shenjtrimi
Patriarku i Antiokies, Injaci nderohet si shenjtë nga Kisha Ortodokse dhe Kisha Katolike, pasi ashtë figura kryesore në Kishë, në grupin e njohun në mesin e (17) Etërve të Kishës dhe quhet babai i parë i Kishës, të (18)Atit Apostolik duke kenë në brezin e parë pas apostujve si i Apostullit Shen Pjetrit si ipeshkëv i Antiokis në Siri, që ishte qyteti i tretë ma i madh i botës së lashtë të Mesdheut.

Kisha Katolike e Perëndimit e kujton më 17 tetor
Faktë ashtë se janë disa martirë shenjtë dhe ipeshkëv të lumnuem nga Kisha e Romës me emnin Injac, ku në seicilin vend e kremton veprat e tyne sipas datave të martirizimit. Ndërsa për Kishën Romake - emni i Injacit ashtë Shenjti ma i Madh që kremtohet më 17 tetor. Emni i Tij u kremtue në Antioki më 17 tetor, ditën në të cilën ai kremtohet tashmë në Kishën Katolike dhe në përgjithësi në krishterimin perëndimor, duke e ditë se që nga shek. i XII-të e deri në vjetin 1969 u kremtue në 1 shkurt sipas Kalendarit të Përgjithshem Romak .

Kisha Lindore Ortodokse e kremton më 2 janar
Në Kishën Lindore Ortodokse e kremton çdo vjet emni Injacit më 20 dhjetor. Sinaksaritët (Synaxarium)(16) të Kishës Ortodokse Kopte të Aleksandrisë e caktuen kremtimin e emnit të Injacit më 24 të Muejit Koptik – Koiak, që i korespondon në tre vjet krye çdo katër deri në 20 dhjetor në Kalendarin Julian, i cili aktualisht bie më 2 janar të Kalendarit Gregorian.

Dita e emnit të Injacit, Njacit në botë

Shenjtorët tradicionalë me emnin Injac


Dita e emnit festohet zakonisht në 31 korrik, në kujtim të Shën Injacit të Lojolës, themelues i Urdhnit Jezuit. Ky emën kujton edhe sot disa shenjtorë, në mesin e të cilëve janë datat e maposhtme;
11 maj - Shën Injaci i Laconi-t – Frat Kapuçin(O.F.M.Cap) ashtë një nga tre urdhnat me të drejta apostolike, të familjes françeskane. Françeskanë, që mbajnë kapuç në krye)
11 qershor – Lumnimi i Injaci i Mardin-it – Ipeshkëv Martir i Gjenocidit në Armeni
1 korrik – Lumnimi i Injaci (Nazju) Falzon
12 korrik - Shenjti Injac Klementi i Delgado-s - Ipeshkëv Martir i Vietnamit
15 korrik - Lumnimi i Injacit të Azevedo dhe 39 shokët – Martirët Jezuitë në Ishullin Kanarinë
20 korrik – Shen Leo Injac Mangin, prift jezuit, I martirizuem në Zhujiahe (Kinë)
29 gusht – Lumnimi i Edmond Injacit Rice - Themelues
7 shtator - Lumnimi i Injac Klopotowski-t(20.VII.1866 – 7.IX. 1931) – Priftë polak
16 shtator – Lumnimi i Injac Kazanova, priftë martirë - piaristë(Urdhni Klerikal i Rregullit të Vorfnisë të Nanës së Zotit në Shkollat e krishterë. Në italisht quhen scolopi ose piaristi – shkurtimisht - S.P. ose Sch. P.) i Odenës(komunë spanjolle e Katalanjës)
22 shtator - Shenjti Injaci i Santià-s(komunë italiane në Piemonte) – Frat kapuçin
17 tetor(20 dhjetor për Kishën Ortodokse) - Shenjti Injaci i Antiokisë - Ipeshkëv martir nën sundimin e perandorit Trajan, një nga etërit e Kishës.
23 tetor - Shenjti Injaci i I-rë - Patriarku i Konstandinopojës
22 dhjetor – Përkushtimi i Injacit Lennaco – Priiftë

Emni Njac nga shqipja në italisht

Emnat mashkullorë
- Injacino - Ignazino
- Njaci - Nazio, Cino - Zino

Emna femnore
- Injacia - Ignazia
- Cina – Zina

Spjegime termash fetarë


- (1)Antiokia(në turqisht - Antakja) ashtë qytet i lashtë dikur i Sirisë dhe i Turqisë sotme, ndodhet në brigjet e lumit Orontes, jo shumë larg, në veri-lindore të Detit Mesdhe dhe jo shumë larg nga kufini me Sirinë sot. Ajo ashtë kryeqyteti i provincës së Hataj. Antiokia ishte për nga famoziteti i saj rivalizuese e Aleksandrisë, si qyteti kryesor i Lindjes së Afërme dhe ka luajtë një rol veçanërisht të fortë në fund të Perandorisë Romake.
- (2) Vespasian i I-rë – ishte perandori romak, pas Krishtit, Titus Flavius Vespasianus (17.XI.09 – 23.VI.79), i njohun si perandori romak Vespasian sundues prej vjetit 69-79 dhe themelues i dinastisë Flaviane.
- (3)Eklesiologi ose eklesiologji (ecclesiologia ashtë shkencë që studjon mbi Kishën e krishterë) ashtë një disiplinë brenda teologjisë së krishterë dhe vjen në doktrinën e kishës dhe të bashksisë së krishterë. Eklesiologjia merret me rolin e kishës si një bashkësi ose një unitet organik dhe të kuptuemit e asaj që çfarë ashtë Kisha dhe roli i saj, duke përfshirë randësinë e saj për shpëtimin, marrëdhënien me Jezusin; Për ma tepër trajton menaxhimin, hierarkinë, disiplinën e kishës dhe fati i tij i fundit, ku ndeshen eklesiologjia me eskatologien.
- (4) Azia e Vogël – sot Anatoli(Anadolli) i Turqisë sotme.
- (5) Efes ishte një nga qytetet ma të mëdha të Jonit në Anadoll, në gojën e lumit Kaistro, në bregdetin e Turqisë moderne dhe vendlindja e shkrimtarit Androni i Efesit, autor i një vepre të “Shtatë mençurive”. Qyteti që sot ashtë në Turqi, afërsisht në mes të qyteteve të Izmirit dhe Ajdin-it.
- (6) Magnezia – qyteti sot turk, rreth 65 km larg Izmirit.
- (7)Tralles – ishte një qytetë i Azisë së Vogël, në Turqinë e sotme.
- (8)Troade - ashtë emni historik i gadishullit Biga (në turqishten e sotme: Biga Yarımadası) që ndodhet në veri-perëndim të Anadollit, Turqi.
- (9) Fialdelfi quhet në greqishtë qyteti Alasehir i perëndim të Turqisë, qendra e rrethit të krahinës Manisa.
- Ajo ndodhet në luginën në këmbët e Kuzuçay dikur të quajtur Tmolus Bozdag.
- (10) Polikarpi i Smirnës (rreth 69 – Izmirin e sotëm, vdiq më 23.II.155) ishte ipeshkëv, teolog dhe shenjtë i lashtë grekë.
- (11) Docetistët – Docetism është një doktrinë kristologjike, i një konceptimi të natyrës së vërtetë të Krishtit. Emni i saj rrjedh nga folja greke dokein, që do të thotë për të dalë, dhe gjendet te teologu gnostik Basilide-si, një përkrahës i tij i madh. Ajo i referohet në besimin, se vuajtjet dhe njerëzimi i Jezu Krishtit mund të jetë e dukshme dhe jo reale.
- (12) Dakia(Dacia) ishte, sipas klasifikimit gjeografike mosha e lashtë, vendi i Geti-t dhe e Dakëve (i quajtun edhe Dai, një epokë shumë e largët. Korrespondonte me një rajon të madh të Europës qendrore, kufizohet në veri nga Karpatet, në jug nga Danubi, në perëndim të Tisa apo Tibisco (Hungaria e sotme) dhe në lindje nga Dniestër (sot Moldavia Ukraina). Përkundër ndryshueshmënisë së kufijve të saj, ndodhet afërsisht në fushën e Rumanisë dhe të Moldavisë të sotme. Kryeqyteti Dacia ishte Krahina Sarmizetuza. (Sarmizegetusa Regia ishte qendra ma e randësishme në Dakian e lashtë, në kuptimin ushtarak, fetar dhe politik, nga Mbreti Burebista, rreth mesit të shek.të I-rë para Krishtit).
- (13) Koloseu në Romë – amfiteatri, vendi ku dëfreheshin perandorët, mbretërit romak me sportin e përleshjeve midis gladiatorve me skllevërit si dhe me hedhjen e të dënuarve midis tigrave, bishave të uritun.
- (14) Urbe – ishte emni i lashtësisë, që në vjetin 753 para Krishtit u quejt Roma.
- (15)Porti i Dafne-s – Dafne ashtë një figurë mitologjike greke. Kjo quhet Najada, një lloj nimfë femër e lidhun kryesisht me rrjedhat e ujërave të ambla, burime, puset dhe rrjedhat.
- (16)Saraçenët ishte fillimisht një term që ashtë përdorë nga romakët për banorët që ishin arabë, të banuem në shkretëtirat pranë provincës romake të Sirisë. Ma vonë - sidomos gjatë Kryqëzatave - janë përdorë saraçenët si muslimanët në përgjithësi, ku tinglloi negativ në Europën e krishterë.
- (17)Synaxaria - janë koleksionet e jetës së shenjtorëve, për dymbëdhjetë muajt e vjetit.
- (18)Etërit e Kishës ashtë emni i miratuem nga krishterimi rreth shek. V-të për të tregue shkrimtarët kryesorë të krishterë, mësues të cilët doktrinat e tyne janë konsiderue bazat, e doktrinës së Kishës.
- (19)Atit Apostolik - Literatura apostolike përmban korpusin e autorëve teksteve të krishterë që daton në të ashtuquajturën epokë nën-apostolike, rreth shek. II-të, menjëherë pas apostolik e shek. të I-rë, të cilës i përket Shen Injaci.
- (20) Shoqnia e Jezusit ashtë një institut fetar me të drejta apostolike: anëtarët e këtij urdhni të klerikëve të rregullt, i njohun si Jezuitë thirren shkurtimisht emni i tyne me inicialet S.I.(në latinisht - Societas Jesu – Shoqnia e Jezusit.) Urdhni Jezuit u themelue nga Injaci i Lojolës me disa shokë, në Paris, në vjetin 1534 dhe u zotua të predikonte në Tokën e Shenjtë (projekt i braktisur në 1537) dhe duke kenë nën mvarsinë e Papës: programi i Injacit u miratue nga Papa Pali i III-të më 27.IX.1540. Urdhni Jeziut nuk u mirëpritë nga qeveritë, nga ku u debue nga vende të ndryshme europiane në gjysmën e dytë të shek. Të XVIII-të. Urdhni Jezuit u shtyp dhe shpërndahet nga Papa Klementi XIV në 1773 (edhe pse shoqnia jezuite mbijetoi në territoret katolike të Rusisë, për shkak se Perandoresha Katerina e II-të nuk e ekzekutoi dekretin papnor dhe ashtë rithemelue nga Papa Piu VII në 1814. Jezuitët shprehin bindje të plotë ndaj papës dhe janë veçanërisht të përkushtuem ndaj misioneve dhe arsimit.
- Patriarkë – quhet në kishat e vendeve sllave, greke - ortodokse të lindjes, ndërsa ashtë e njejta për nga niveli hierarkik si ipeshkvit të Kishës Katolike.
- Perandori Trajan karakterizohej nga hobi i persekutimit gjatë sundimit tij kundër Kishës, duke i torturue njeni mbas tjetrit njerëzit ma të shquem për nga urtia dhe nga shenjtëria në hierakinë e saj, në mënyrën ma satanike, me atë të zbavitjes në hedhjen e klerikve kristianë në gojët e egërsinave të uritun. Gja që në një formë tjetër argtimi u zbatue nga krerët e diktaturës gjatë sundimit komunistë me tortura gjenocidale dhe ekzekutime të krerve klerikë kristianë kryesishtë katolikë dhe ndaj personaliteteve demokratë për afro 50 vjet në Shqipni.

E pregatiti në shqip Bep Martin Pjetri
E mërkurë, më dt. 2.III.2016

Shenim
1. Aparati i sqarimeve u ba nga autori pregatitor i landës.
2.Nuk e di as vetë se si më ka depërtue aq fortë dashnia e papërshkrueme në thellsinë e qelizave të zemrës ndaj Shën Injaci i Antiokisë!
3. Më duket se shlyeva nji borxh që kisha ndaj të ndjerit Profesor Injac Romolo Zamputtit, njeriut që më asht ngulë thellë në memorien tem të ndijesive!

Bep Martin Pjetri
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 5 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 07 Maj 2021, 03:51
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari