Gjuha Shqipe e shkruar e folur, dialekte krahinore. Toskerishtja dhe Gegenishtja.Evolimi dhe gjithcka rreth gjuhes sone hyjnore.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Mediokri, vrasësi i mundshëm
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4454
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Mediokri, vrasësi i mundshëm, Posted 29 Maj 2009, 16:18
ALI PODRIMJA
Mediokri, vrasësi i mundshëm

Imazh


Ese/Mes Lasgushit dhe Emineskut kisha dëgjuar për përkimet. Kanë ndonjë afri idesh, motivesh, simbolesh, formash; kanë ca nocione karakteristike nga leksiku, por nuk mund të pranohet rrënimi i një gjeniu shqiptar, shkaku i ambicieve të liliputanëve, që artin e jetën e shohin nga një dritare e vockël. Një imitues të Emineskut e shpallën për gjeni, fajtorët për këtë nuk mungonin. Ishin ata të Tejdrinit (!), ku studiuesit nga Dardania ndryshe e shikonin veprën e Lasgushit. Kërkonin më të çmuarën në një artikulim të rrallë, atë që peshonte dhe ia rriste famën fjalës shqipe. Dialogu pritej të mbyllej me ndonjë sharje e zgërdheshje. E ka kështu kur jeta pa mund jetohet

1.

Krijimi mbështetje ka imagjinatën dhe të menduarit. Ndodh të jetë variant i ideve, i motiveve, i mesazheve. Përkushtimi i njëmendtë ngrit krijues në individualitete, që shtrojnë probleme universale. Nuk mund të thuash se i pari je, që merresh me këtë apo atë çështje. Përpjekjet për origjinalitet janë sizifiane. Bota është harxhuar shumë dhe aq shumë është eksploatuar gjuha sa krijuesi dridhet kur tenton të hedhë diçka në fletën e bardhë.
Rreth motivit të labirintit ishte diskutuar gjatë kush kë ka imituar: Kafka apo Borhesi. Por, ndikimi për e rreth labirintit te këta dy kolosë ishte një i tretë, sofisti i lashtësisë greke, Zenon. Gilles Lapouge, në një tekst të tij, rreth këtij problemi te poetët e nderuar, e shihte te bigëzimi dhe degëzimi i ideve.

Borhesi mbështet se: shkrimtari krijon pasardhësin e vet. Do të thotë se ne jetojmë dhe e lexojmë jetën në variante.

2.

Mes Lasgushit dhe Emineskut kisha dëgjuar për përkimet. Kanë ndonjë afri idesh, motivesh, simbolesh, formash; kanë ca nocione karakteristike nga leksiku, por nuk mund të pranohet rrënimi i një gjeniu shqiptar shkaku i ambicieve të liliputanëve, që artin e jetën e shohin nga një dritare e vockël. Një imitues të Emineskut e shpallën për gjeni, fajtorët për këtë nuk mungonin. Ishin ata të Tejdrinit (!), ku studiuesit nga Dardania ndryshe e shikonin veprën e Lasgushit. Kërkonin më të çmuarën në një artikulim të rrallë, atë që peshonte dhe ia rriste famën fjalës shqipe. Dialogu pritej të mbyllej me ndonjë sharje e zgërdheshje. E ka kështu kur jeta pa mund jetohet.

Buzë një plazhi të Ilirisë më ishin shpalosur vitet e 60-ta. Në poezinë e këtij krahu hetoheshin përkimet me poezinë spanjolle, sidomos me Lorkën e Maçadën. Kjo kishte ndodhur përmes një të tretit. Po qe se ndonjë poet përdorte figurën kalë, rojtarët kujdestar ia bënin me gisht, yrnek ka Lorkën. Harronin se baladat e epika jonë gumëzhinin nga ta; ose prekja e motivit mbi figurën e nënës, bërtisnin: ja Jesenini. Pra, nuk e kuptonin elementaren, esencën e gjërave. Mendohet se përkimet luajnë dhe rol të veçantë në afrimin e popujve dhe kulturave. Ca motive nga lashtësia sot e gjithë ditën trajtohen në mënyrë të vet si te shqiptarët, ashtu dhe te grekët e sllavët, edhe pse motivin e murimit ne e mbështesim për tonin.

Pëshpëritjet rreth përkimeve mes Lasgushit e Emineskut bëhet edhe për qëllime të tjera. Një krijues i formatit të Lasgushit i pengon ata që grimcojnë nën hijen e tij, ndërsa ndikimi i tij në poezinë shqiptare sa vjen e bëhet pushtues. Shpirti i tij krijues është i një artisti, jo i ndonjë matrapazi a kalkulanti, që ngritjen e sheh në rrënimin e vlerave. Nga fjala shqipe poeti voli maksimumin dhe pasardhësve ua tregoi se fjala është ajo që bën çudira në ngrehinën e poezisë. Nëse Eminesku shkroi për gjeniun krijues, liqenin apo për ndonjë motiv nga lashtësia hinduse, bën të shkruajnë dhe të tjerët ? Mund të quhen imitues? Letërsia mbështet avancimin e ideve, mesazheve, elaborimin e vazhdueshëm të motiveve e formave dhe mbetet ajo që është më e arritshme.

Megjithatë, te të dy poetët ekzistojnë nuanca të theksuara që dallojnë. Eminesku ka përkushtim rumun, por universal me art, disi kështu thotë Tudor Argjezi. Lasgushi është diçka tjetër, latues i vargut dhe më ëndërrimtar; ka një perceptim të veçantë për problemet jetësore e artin, ai mbetet një kërkues i të bukurës dhe një bashkëkohës. Këta dy poetë edhe pse përkojnë në ca poezi, mbesin individualitete e të paarritshëm.

Ekzistojnë supozime rreth origjinës së Emineskut. Quhej Mihal Eminoviç. Sufiksi viç nuk është karakteristik për rumunët, e më së paku parashtesa emin. Në një shkrim të vetin Mitrush Kuteli thoshte se ky më së paku është rumun edhe pse kritika vendore kishte zënë ta quante: Eminesku është Rumania. Një nder i tillë nuk mbaj mend se i është bërë dikujt. Kjo është çështje rumune. Por mbiemri i tij Eminoviç lë mundësinë t’i hulumtohet origjina e tij. Kuteli e zbriste këtë në hapësirën tonë. Ka mundësi të kenë mërguar nga Dardania shumë familje dhe dikush nga ta të ketë bërë emër në mjedisin e ri. Ndërrimi i mbiemrit me gjasë ndodhi për arsye se me sufiksin shkëputej definitivisht nga e kaluara, origjina.

Pa marrë parasysh i anës sonë ishte apo purorumun, Eminesku nga kopeja e mediokërve përjetoi sharje të mëdha dhe gjithë kjo ndodhi shkaku i xhelozisë krijuese dhe famës së tij që gëzonte si poet jo vetëm në Rumani. Përndjekjet nuk prajtën derisa e çmendën. Në spital pas dy vjetësh u nda nga jeta dhe Rumania humbi njërin nga poetët më të mëdhenj.

Çirrjet tek i dëgjoja rreth gjenialitetit të Lasgushit, buzë një plazhit të Ilirisë më kishte spërkatur një valë deti dhe gati i kisha ngjarë Martin Idnit të Xhek Londonit. Isha zhytur thellë në Ujin e Madh. Nuk doja të dëgjoja paçavura mediokrish rreth një vlere kombëtare që vazhdonin t’i shikonin gjërat nga dritarja e tyre tepër e vockël.

3.

Rrënim vlerash ndodhin në çdo mjedis dhe ngaherë. Vitet e 60-ta në kulturën serbe lanë hije të rëndë. Poetin e estetin e njohur Branko Milkoviq, i cili kishte fituar famë me veprën e tij, kopeja e mediokërve e solli para aktit të rëndë: vetëvrasja. Ishte shpërngulur nga Beogradi dhe mendonte se në mjedisin e ri do të gjente qetësi, por ndodhi më e rënda. Herët një mëngjes, me një cigare në gojë, ia kishte mësyrë me një litar parkut të madh të Zagrebit. Pas dy orësh e kishin gjetur të varur në një degë pishe. Ylli i tij shndrit dhe tani, por mediokërve nuk u dëgjohet fara.

Në kapërcyell të viteve të ‘80-ta kishte plasur polemikë e rëndë mes kritikut Dragan Jeremiqit dhe romancierit të shquar Danillo Kishit rreth origjinalitetit të librit me tregime “Varreza e Boris Davidoviçit” (përkthyer në Prishtinë e Tiranë nga babë e bir Kelmendi). Akuzohej Kishi për plagjiaturë siç ishte fyer edhe Milkoviq. Zaten, ky kishte inkuadruar në tregime ca fragmente nga një libër rus. Në të vërtetë, Kishi u shpaloste lexuesve shtetin totalitar, duke mbetur autentik në ngjarjet historike që kishin ndodhur në gulagun siberian. Ato ishin inserte nga një botë e vdekur ku spikatej diktatura, dhuna, ndrydhja e njeriut, liria njerëzore.

Kadare para se ta shkruante romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, i ishte dashur të lexonte gati një arkiv të tërë me dokumente dhe të gjitha procesverbalet e Konferencës së Moskës, ku ndodhi çarja e rëndë mes shtetit shqiptar dhe Bllokut Lindor. Pra, në një vepër me motive nga historia nuk mund të trillohen gjërat. Këtë nuk e kanë të qartë mediokrit. Titulli i këtij teksti thotë shumë. Nuk e shoh të arsyeshme ta elaboroj edhe më. Ata sillen rreth nesh dhe nuk prajnë tek kalërojnë kuaj varresh. Aq dinë, fali Zot... (Bibla)

29/05/2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4454
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Mediokri, vrasësi i mundshëm, Posted 29 Maj 2009, 16:42
:flm
I madhi poeti, studjuesi i letersise shqipe dhe asaj boterore Ali Podrimja na ka dhene nje leksion te rralle rreth nje dukurie qe i eshte ngjitur administrates si ne Shqiperi, Kosove dhe vendeve demokratike te vendeve perendimore qe quhet Mediokriteti.
Mediokriteti eshte be tashme nje kancer i pasherueshem. Mediokriteti nuk ka bisht as kembe e as duar, nuk eshte e padukshem. Kjo lloj gazepit gjendet fatkeqesishte ne majen e piramides si te presidenti Topi, te lideret e partive, shefa, drejtora, profesora.
Pra kjo fantazem ka mveshur gjithe majat e institucioneve te cdo llojit ne Shqiperi dhe ne botë.
Pse ndodhe kjo?
A eshte ndonje gabim qe nuk dihet? Jooooooooo!
Kjo lloj virusi kanceroz qe eshte futur me vetedije nga vete kreret e shteteve per arsyen e vetme se medioker jane gjitha turraxhinjte e posteve, pjese e moralit te karieristave.
Si e tille aplikohet ky kusht per personin i cili don te marre poste, te ngjisi shkallet e posteve te larta per tiu pershtatur shefave, presidentave, ....Nje pallat shteteror mbushet maje e per maje me mediokra me diploma.

Kjo eshte atentati me i rrezikshem qe i behet veprimtarise se shendoshe te administrates, partive, institucioneve shkencore-arsimore,............qe shmangin me djallezi pjesen me te afte, me nivel te larte te mendimit dhe shkences edhe pse nuk arrijne per arsye subjektive te mos ´marrin grada shkencore....
Ali Podrimja me sensin e qytetarise shprehe nje dukuri te shekullit ne fushen e karakterit te pushtetarve ne te tera nivele. :flm
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 28 Maj 2022, 09:30
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari