Gjuha Shqipe e shkruar e folur, dialekte krahinore. Toskerishtja dhe Gegenishtja.Evolimi dhe gjithcka rreth gjuhes sone hyjnore.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Nikoll Gàzulli - Martir dhe Fjalori i Shqiperise se Veriut
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4454
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
"Fjalorthi" i Gàzullit per arbnoret e plogshte


"Fjalorthi i ri", (me fjale te rralla te perdoruna ne Veri te Shqipnise), Gazulli gjurmoi e mblodhi fjale e shprehje ne zonen e Malesise se Madhe. Por shume pak njerez kane pasur mundesi qe ta kene ne dore ate fjalor, dhe vetem pas shume vjetesh, plot 64 vjet pas botimit te tij te pare ne Shkoder, ne vitin 1941, studiuesja Ledi Shamku-Shkreli, mori nje nisme per botimin e tij. Ndersa autori Nikoll Gazulli, eshte vrare ne gjyq ne vitin 1946, 5 vjet pas botimit te fjalorit. Fjalor ky, qe do te vije ne duart e te gjitheve ne fillim te dhjetorit nga "Çabej". Kjo eshte nisma e dyte e saj per botimin e nje fjalori "te harruar", pas botimit te fjalorit te 1954- es.

Flet Ledi Shamku-Shkreli, nismetare e botimit anastatik te Fjalorit te Gàzullit

Çfare rendesie ka dhe cili eshte qellimi i botimit te ketij fjalori ?

Dalja serish ne drite e fjalorit te Gazullit meton te rivendose raporte te drejta ndermjet dokumentimit te dy korpuseve gjuhesore shqipe, raporte te cilat per fat te keq, ne gjysmen e dyte te shek. XX u prishen per motive jashtegjuhesore. Ne qofte se flasim per rimarrje te prestigjit gjuhesor te gegnishtes (natyrisht kjo teze nuk do ngaterruar aspak me çeshtje te bazes dialektore te standardit!), duhet te nxjerrim patjeter nga thellesite arkivore pasurine autentike qe e krijoi ate prestigj nder mote. Ne keto pune, procedura eshte fare e ditur: veprohet sikunder bejne arkeologet, te cilet financohen e mbeshteten nga shteti dhe mbare shoqeria per te nxjerre ne pah prestigjin tone kulturor te dikurshem. Keshtu pra, edhe ky prestigj gjuhesor, fale te cilit "gjama per Hektorin e dekun" apo shfrimi i Kont Ugolinit kur "gojen fill e çoi nga e zeza gjelle", tingelluan ne shqip bukur si moskurre, na ndihmon te ballafaqohemi pa komplekse me familjen europiane. Ne pergjithesi kjo familje, per nje sere motivesh, pati vijimesi gjuhesore, sikurse pati edhe vijimesi social-kulturore. Ajo nuk e "reformoi" gjuhen mbi baza revolucionare, por iu mbajt natyrshem parimit te evolucionit.

Ku eshte mbeshtetur Gazulli per hartimin e tij ?

Sikunder defton vetiu emertesa e ketij fjalori - Fjalorth i ri" (fjale te rralla te perdoruna ne Veri te Shqipnise), Gazulli gjurmoi e mblodhi fjale e shprehje ne zonen e Malesise se Madhe. Treva ku u mblodh materiali gjuhesor eshte nga me te pasurat dhe me te rendesishmet e arealit gege. Fakti qe Nikoll Gazulli zgjodhi enkas kete treve per vjeljet e tij, nuk parakupton kurrnjigrime se ky fjalor pasqyron idiolekte malesoresh. Malesia e madhe eshte burimore dhe shume pak e cenuar gjuhesisht ne krahasim me Shkodren dhe rrethinat rrotull saj. Kjo per shkak te izolimit historik te kesaj Malesie, si dhe veçorite gjeomorfologjike te saj. Tjeter rremb qe buron gjuhe te paster ne kete treve, eshte te rrethuarit e saj nga treva shqipfolese, ndonese ajo eshte zone kufitare. Vertet aty kalon kufiri politik, porse kufijte politike dhe ata gjuhesore jo gjithnje perputhen. Gjithaq nuk do harruar fakti, se banoret e kesaj zone e kane njohur nga afer edhe pjesen bregdetare te Shqiperise. Duke qene blegtoria mjeti i tyre kryesor i mbijeteses, ata ngamot zbrisnin tufen per dimerim nder vende afer detit, ku bora shtron pak, si fjala vjen ne Velipoje, Ulqin, Rodon etj. A sillnin prape nder male tok me tufen edhe fjale te trojeve ku dimeronin? Gazulli thote se po. Ai flet per nje grumbull fjalesh detarie, qemtuar nder malesore si trashegim prej detareve ulqinake. Mendojme se mbledhesi i palodhur, ne zgjedhjen enkas te idiomes se Malesise se Madhe si lende e pare, ka pasur edhe nje tjeter arsye misionare per shqipen: gjuha e malesoreve qe njeheresh edhe gjuha e eposit, e gojedhenave, e legjendave, e prrallzave. Pra ajo ofronte njeheresh dy perparesi: 1) stadin e larte te sprovimit e te lavrimit, pikerisht permes kesaj tradite te shkelqyer gojore e brez-pas-brezi; 2) fale kesaj sprove e ketij lavrimi, gjithçka e sendertuar me kete gjuhe do te qe me thjesht e rrokshme nga perdoruesit e gjuhes. I po ketij mendimi qe edhe Gjergj Fishta, sikur porosiste shkrimtaret e asaj kohe: "Mos kqyrni me bodlerue, por shkruni siç kane fole malet tona !". Sa i takon metodologjise se punes, Gazulli, veç formimit te vet prej gjuhetari, marre nder universitetet e Insbrukut e te Romes, u mbeshtet, sikunder shpall edhe vete ne hyrje te vepres, te te tjere fjalore te vyer, si ai i F.Bardhit, i Cordignanos, i Leottit, i Shoqerise "Bashkimi", te studimi i N.Joklit etj.

Sa iu ka sherbyer ky fjalor atyre qe kane hartuar fjalore te tjere pas tij ?

Nje sere punimesh te tjera qe jane bere ne "kohe te socializmit", jane bazuar mbi kete fjalor, por pa e zene ne goje asfare. Kuptohet, ishin "maudis" qe te dy, si Fjalori ashtu edhe hartuesi i saj. Dom Nikolle Gazulli u vra pa gjyq ne vitin 1946. Fjalori i Gazullit ishte tashme nje gojedhane e botes librore, nje reference e njegullt siglash: "G"., "Fjalorth i ri", apo "Shkoder 1941",te cilat shfaqeshin nder punime erudite dhe e peshtillnin me fort kete fjalor me petkun e misterit. Nder te vetmit qe guxuan ta citonin Gazullin, ishin Xhuvani, Çabej e pakkush tjeter, njerez keta, me vlera morale e shpirterore fort mire te sprovuara. Xhuvani dhe Çabej ne dy veprat e tyre: "Parashtesat e gjuhes shqipe" (1956) dhe "Prapashtesat e gjuhes shqipe" (1962), permendin se jane mbeshtetur gjeresisht ne renditjen e pasqyrezave gramatikore te ketij Fjalori. Po ashtu hartuesit e Fjalorit te Gjuhes Shqipe1954; Cipo, Çabej, Domi, Krajni dhe Myderrizi deklarojne se, pos tjerash, jane mbeshtetur edhe ne lenden e Fjalorit te Gazullit. Ketij i referohej edhe Benedikt Dema ne Fjalorin e tij, qe posa ka dale ne qarkullim. Shume studime jane mbeshtetur qysh heret mbi Gazullin, porse pa e thene kete fakt, sikurse kane bere edhe me vepren e Justin Rrotes, Ndre Mjedes, Lef Nosit etj. Nikoll Gazulli eshte nje yll qe ndriçon fort ne hyjtufzen e kultures shqiptare ne pergjithesi, e asaj vetiake ne veçanti. Ka shume qe e kane perdorur driten gazullore, porse pa e emertuar kurre yllin nga buronte kjo drite.

Pra, paska nje arsye qe nuk e ka lejuar kete fjalor te botohej me pare ?

Vete fakti qe ky fjalor ka sherbyer si baze e rendesishme per hartimin e fjaloreve te tjere, deshmon se Fjalori i Gazullit i ploteson te gjitha kushtet per t'u botuar e ribotuar, sikunder kane vepruar per shembull ne Kosove.Veç motiveve qe permenda ne pyetjen e mesiperme, nje tjeter arsye qe e ka penguar botimin e Gazullit eshte se, nder strategjite qe u ndoqen me qellim harrimin e korpusit te kultures gege, njera syresh qe pikerisht zbrazja e tregut gjuhesor nga çelesat interpretues dhe kumtues per lavrimin e mandejte te kesaj kulture. Fjalori i Gazullit eshte njeri nga keto çelesa dhe si i tille "u hodh ne lume" qe dera te mbetej e mbyllur. Per sa levantine, kjo metode fatkeqesisht funksionoi. Ne nje sondazh sociolinguistik qe kam udhehequr, rezultoi se brezat e rinj te arealit gege shfaqen veshtiresi te dukshme per te kuptuar fjale e shprehje te qenesishme te korpusit te tyre letrar. Po i njejti sondazh u aplikua ne arealin toske, ku gjendja rezultoi disi me mire, por prapeseprape jo krejt ndryshe edhe per toskerishten e bukur te tradites. Ka 60 vjet qe Fjalori-Doreshkrim i Pano Tases bashkejeton me mikrogjallesat aerofobike. Gjej rastin ketu te falenderoj Fondin Shqiptar per Monumentet, i cili sapo na ka njoftuar se do te financoje edhe botimin e Fjalorit-Doreshkrim te Pano Tases. Lidhur me kete te fundit, mbetet ende mjaft pune per t'u bere.

Kujt mendoni se do t'i sherbeje me shume nje botim i tille ?

Te gjitheve. Akademikeve, censoreve, profesoreve te universiteteve, arbnoreve te plogshte dhe natyrisht gjithe pjeses tjeter qe mezi po e pret. Megjithate, sherbimin me te madh botimi i Fjalorit te Gazullit do t'ia beje gjuhes shqipe. Me pelqen ta mbyll kete interviste me vargjet e Koliqit, shkruar enkas per ata qe e kane fishkellyer kete gjuhe:

"O Kânge, Arbnor't e plogte i kapi gjumi;

ti kris si zâ burije

mbi ata qi flêjn' pa andrra fisnikije:

e n'qe se belbacuk't e gjuh's ilire,

tue t'ndie fishkllojn' prej smire,

me rrahje flatrash ik n'naltsí t'kalthèra

e prit, per me kumbue, agime tjera"

(Ernest Koliqi) "Gjuhes Shqipe"

E Premte, 25 Nentor 2005
Intervistoi: Anisa YMERI
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4454
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DOM NIKOLL GAZULLI (1891-1946)


Rreshtohet ndër dijetarët e spikatur të gjysmës së parë të këtij shekulli, më së shumti gjuhëtar. I shkolluar dhe ai në Insbruk si i vëllai Gjoni. I pajisur me kulturë Gjermane. Qe një shkenctar me fizionomi të plotë; i vlerësuar dhe i mirëpritur në rrethet shkencore dhe intelektuale të viteve ‘30, me një vepër të shpërndarë në periodikët e kohës. Hartoi dy vepra origjinale leksikografike që i botoi në “Visaret e Kombit” dhe “Hylli i Dritës” , përkatësisht: “Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore” dhe “Fjalori toponomastik” . Si leksikograf solli ndihmesë të shquar në gjuhësi. Nikoll Gazulli ishte i dhënë edhe pas folklorit dhe historisë, fusha në të cilat boton shkrime, këngë të moçme etj. Për të Iliria ka një histori fetare me atë të Italisë, me dëshmorë, me selina ipeshkvnore, me Etën të vet, kurse “ndë Shkodër tanë kemi një Romë të dytë në Ballkan: Këtu fillimi i krishtnimit nis me kohëna apostolike e vazhdon me një seli ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona”.

Gjen një rast të argumentojë mbi historinë e Mirditës, duke kundërshtuar ndonjë tezë të pasaktë e të diskutueshme mbi prejardhjen e saj. Sjell dhe ndonjë dokument të panjohur për shqyrtim në këtë rrafsh dhe arrin në përfundimin e rëndësishëm se “mirditasit nuk janë një fis i huej”.

Vritet në befasi për shkak të bindjeve antikomuniste.


* * *
Universi Gazullian është një nga margaritarët më të çmuar të historisë dhe kulturës tonë kombëtare.
http://www.mirditaonline.net/art-kultur ... loret.html
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4454
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Dom Nikollë Gazulli - Famullitari Martir i Shkrlit
Pasioni i Dom Nikoll Gazullit për identitetin dhe krenarinë e kombit


nga: Artan Shkreli

Sa më shumë i largohemi asaj periudhe shtypëse dhe t‘ankthshme që përfundoi me të vonuarin vit 1991, aq më fort shtohen pyetjet e "përse"-te për gjithë çka ndodhi, të cilave iu ngarkohet edhe pezmi se nëse çka ndodhi "a duhej doemos të ndodhte". E sa më tepër del mpimja 45-vjeçare dhe njerëzia nis mësohet me lirinë, aq më qartë shpalohet arsyeja pse autoritarizmi despotik pati atë efekt të fundbotshëm ndër shqiptarë. Kështu që vijnë e bëhen gjithnjë e më të dallueshme mistifikimet e turpshme të kujt kish marrë rolin e atit dhe bijtë e mbetur "në besë" i mëkonte me ushqim të prishur. Profetnit e rreme kishin zaptuar papritur rrugët dhe sheshet e qyteteve, e duke përfituar nga plagët shoqërore dhe varfëria e trashëguar, i tregonin gjindjes si shpëtim shtegun e humnerës

Dom Nikoll Gazulli
Arkiva e Dubrovnikut


Në dokumentin me titull "The notion of the public library in the renaissance Dubrovnik" (Nocioni i bibliotekës publike në Dubrovnikun e renesanses), arbano-kroati Aleksandër Stipçeviç hedh dritë mbi zbulimin e dëshmive të shkruara të Gjon Gazullit dhe të dokumenteve mesjetare, të cilat plotësojnë të dhenat biografike për të. Në dokument, të dhënat për jetën dhe punën e Gjon Gazullit janë paraqitur të bashkëlidhura me ngjarjet që kanë ndodhur në Raguzën e shek. XV, XVI, XVII. Kështu një ndër gjerat që tërheq vëmendjen është fakti i rrallë, që nxjerr në pah Stipçeviçi, se librat e koleksionit të tij privat atbotë iu dhanë në përdorim qytetarëve të Raguzës (Dubrovnikut). Së këndejmi mori shkas tash edhe ideja që bibliotekat e pasura private që Dubrovniku disponon, t‘i hapen publikut.

Në njëfarë mënyre ky akt i Gjon Gazullit shënoi edhe fillimin e lindjes së bibliotekave publike në bregun lindor të Adriatikut, ku po qartësohet gjithnjë më shumë fakti se, në atë që më pas do ikonizohej se Albania Veneta (Shqipni Venedike), arbënit ishin ndër aktorët kryesorë të jetës shpirtnore.

Në fakt, ecuria e njerëzve si Gjon Gazulli, bir i parsit Gjin Gazulli, përsa e pazakontë mund të na duket sot, ka qenë diçka rutinë në Arbëninë Mesjetare paraosmane. Ka të ngjarë që mësimet e para ai t‘i ketë marrë në mjedisin humanist Scutari-n, i cili u zhduk sikur të mos kish ekzistuar kurrë pas dramës së pakapërdishme të 1479-ës. Rektor i Universitetit të Padovas (lider shkencash në Europën e kohës) dhe me një bibliotekë të paçmuar, ky dijetar shqiptar, që vdiq më 19 shkurt 1465, nuk u tregua aspak i përkorë kur qe puna për lirinë e vendit të vet. Ai qe përfshirë në një proces gjyqësor për kontrabandë armësh, të cilat duhet t‘i dërgoheshin Gjergj Kastriotit në Arbëni. Por autoriteti i tij dhe miqtë e fuqishëm që lobonin pro Skënderbeut i shpëtuan qoftë njerëzit, qoftë reputacionin e Gazullit. Rrugët e lirisë, sikundër ato të Zotit janë të pafundme. Nga dinastia fatlume e Gazullorëve ato rrugë do të përshkoheshin ne qindvjetshat e ardhshëm në njëmijë mënyra të ndryshme, por veçse për një qëllim të shndërruar tashmë në ide të ngulmët: Lirinë.

Sot pas 500 vjetësh, kroatët, apo hërvatët siç i thonë në Malsin‘e Madhe, e mëtojnë Gjonin për bashkëkombës të tyre të lindur në Raguzë (fakt i pavërtetë ky), por me origjinë arbënore. Saku ndër ne, ndodh e kundërta. Sot Gazujt a Gazullorët e mbramë janë pa varr, të pabotuar e te pazânë ngoje. Gazujt, tabuja fatale e shtetit shqiptar, me dy vëllezër të zhdukur, i pari nga Ahmed Zogu (varur n‘midis të Shkodrës) dhe i dyti nga Enver Hoxha (mbetur në një shpellë të Vrithit, aty në malet e veriut). E ne sot kemi mbetëë ende peng të Janarit të eger të 1946-ës.


Dom Nikolli, pasion i gjallë

Pa i hyrë kronikave gazullore, të cilat të çojnë deri aty nga fundi i shek. XIII, por as atyre të rezistencës së pareshtur antiosmane, e cila shtyhet deri në kohet tona, të tërheq vëmendjen personaliteti i Nikoll Gazullit, pikërisht për ngjashmërinë e habitshme që ka mes tij dhe humanistit të shek. XV, Gjon Gazulli. Kjo ngjashmëri vihet re në spektrin e interesave që shqetësuan jetët e të dyve.

Sikundër Gjon Gazulli (lindur 1399-1465), edhe Nikolli (1891-1946) plot pesë shekuj më pas, erdh në këtë botë në kapërcyell shekujsh dhe ngjarjesh dramatike për historinë e Shqipërisë. Që të dy do të kishin fatin e mirë të edukoheshin në voglì në një mjedis të orientuar nga humanizmi dhe patriotizmi e të shkolloheshin për më s‘shumti në Europë, por dhe fatin e keq që në të ngrysur të ditëve të përjetonin trishtimin e një atdheu që rrëshqiste si mos më keq drejt një antieuropianizmi të skajshëm. E ndërsa Gjoni vdiq atëherë kur emri i arbënit qe bërë simboli evropian i qëndresës ndaj antivlerave, Nikolli dha shpirt si ideator dhe luftëtar i po asaj qëndrese, në emër të atyre vlerave.

Nikoll Gazulli, në fakt qe shkolluar në Insbruk kur Austria ishte ende perandori dhe Shqipëria konsiderohej nga Franc Jozefi si krahina e humbur prej shekujsh e Konfederatës Ilirike. Futja e saj në suazën perandorake austriake konsiderohej nga plaku i fiksuar pas shqiptarëve si arritja e një objektivi që ish kërkuar që nga kohët e Karlit të Madh. Ndeshtrashat historike kishin çuar në kohë të ostrogotëve një simbiozë iliro-gote (Konfederata Herule e shek. V), ende të paeksploruar mirë e që në qëndresën e saj ndaj faktorit sllav, kish lënë gjurmët e veta në Arbëni me të ashtuquajturën Kulturë e Komanit. I gjithë ky iter jo vijimor historiko-gjeografik (Ilirikum - Konfederata Herule - Albania+Dalmatia Veneta - Konfederata Ilirike) në kuadrin e Perandorisë e humbiste thellësinë kohore dhe ndarjen politike ekzistuese. Në këtë kuptim, hapësira arbënore apo shqiptare merrte sërish përmasa mjaft të mëdha. Në njëfarë mënyre Gazulli ynë, ndonëse jo bashkëkombës, ndihej bashkështetas me b.fj. albanologun austriak Joklin, ose atë kroat Shuflaj. Dhe është kjo frymëmarrje popujsh që kanë marrë e kanë dhënë në shekuj, e cila pat krijuar klimën për studime komplekse e të thella. Natyrisht, në familjen e popujve të Perandorisë Austro-Hungare, sllavet, sikurse shqiptarët, nuk kishin asnjë primat dhe kjo i bënte shqiptarët katolikë të kishin raporte të mira me sllavët katolikë (kroatët).

Nikoll Gazulli i ditur, konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe në periodiket e monarkisë. Zogu i vrau të vëllanë, por nuk guxoi më tepër se kaq. Personaliteti i Gazullit dhe lidhjet e tij ndërkombëtare me albanologë e ballkanologë e bënin të sikletshme çdo mase ndëshkimore ndaj tij.

Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore e Gazullit në Shkodër, si kur shërbente në famullinë e Rriollit, ashtu edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas 1940-ës). Ndonëse bashkëpunonte me Mjedjen e Fishtën, n‘atë bibliotekë gjendej kryesisht në shoqërinë e At Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit "Visarët e Kombit". Kështu në v. 1941, libri "Fjalorth i Ri - fjalë të rralla të përdorura në veri të Shqipnisë" u bë një numër më vete (nr. XI) i këtij gjerdani ish. Ishte i pari fjalor krahinor që botohej dhe bashkë me atë të Pano Tasës (edhe ky i mbajtur larg nga shkenca e re zyrtare pas çlirimit) hidhte baza të shëndosha në kursin që duhej mbajtur për njësimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe. Ky njësim në fakt kish nisur që me v. 1916 nga e famshmja Komisi Letrare, e që deri në kohë të përgatitjes së Fjalorit, asistohej edhe nga austriakët R. Nachtigall dhe M. Lambertz. Skrupoloziteti i Gazullit me shaka vihej në lojë edhe nga eruditi Karl Gurakuqi, Inspektor i Lartë i Arsimit dhe promovues i Gazullit, i cili i hoqi Fjalorit disa fjalë të karakterit erotik të konsideruara si ofensive për kohën. Bëhej fjalë për një punë titanike, e cila nuk kishte të bënte vetëm me mbledhjen, por edhe me analizën e thellë deri në errësirë të shekujve të etimonit të fjalëve vërtet të rralla. Nga erudicioni i tij, Nikoll Gazulli, i dhënë veçanërisht pas folklorit dhe historisë arrin në përfundimin se Iliria ka një histori fetare paralele me atë të Italisë, me martirë, me ipeshkvi e me Etën të vet, dhe thotë se "ndë Shkodër t‘anë kemi një Rromë të dytë në Ballkan. Këtu fillimi i Krishtnimit nis me kohna apostolike e vazhdon me nji Seli Ipeshkvnore që ka nji vijim të pakëputun deri në kohët e vona".

Kjo dije po materializohej aty në heshtinë e luginës së Prronit Thatë në Shkrel, ku Gazulli po hartonte një tjetër vepër madhore: "Fjalorin Toponomastik", të shkruar nën pseudonimin "Gelasius".

Nuk mbërriti ta mbarojë

Mbetet një vepër madhore, ndonëse e shpërndarë ndër numra të ndryshëm të "Hyllit të Dritës", dhe konsiderohet nga kritika e shëndoshë si një punim monumental dhe si studim shkencor albanologjik ndër më të mirët e të gjitha kohëve.


Martiri i Shkrelit

Kishte mbërritë deri te germa "K" e "Fjalorit Toponomastik" kur në Malësinë e Madhe ndodhi ndërgjegjësimi i parë masiv në Shqipëri e në krejt Europën Lindore se çfarë donte me thanë ajo që po ngjiste në vend. Identifikimi qe fill pas luftës (fundi i 1944-ës) komunistët shqiptarë i bënë kauzës së tyre me kauzën e Jugosllavëve, shoqëruar ky me shtypjen marramendëse të të drejtave dhe lirive (për të cilat malësorët e veriut qenë veçanërisht të ndjeshëm) çoi atë "përzierje shpërthyese" që u quajt si Kryengritja e Postrribës ose Rezistenca e Malësisë së Madhe (1945). Nikoll Gazulli la librat dhe rrahu kumbonat e Kishës së Shën Kollit në Shkrel. Sot është e vështirë të kuptohet se si një klerik, u bashkua me kryengritjen dhe kundër "qezarit". Porse atij që njeh historinë e Shqipërisë Veriake, i bdaret çdo dyshim. Barijtë e gjindjes nuk kish si të mos ishin krah besimtarëve të tyre.

Ende sot në Shkrel ruajnë kujtime të bisedave energjike që Dom Nikolli bënte me njerëzit e tij. Atë e kujtojnë si tepër serioz, që ia dilte më i mësue fëmijëve të rrethinave katekizmën rreth zjarrit të ndezur aty para kishës-katedrale të Shkrelit. Ishte "burrë i pashëm fort" me sy qiellorë, blu dhe ëndërrimtarë. Kur kërkuan ta arrestonin në janar të 1946-ës nuk pranoi të burgosej; "Un nuk bij kurr i gjallë n‘dorë t‘ktyne!" - kështu u thosh shkrelianëve që vinin me marrë mend o me gjetë ngushëllim. Kishte dëgjuar për torturat që i bëheshin klerit në burgun e Shkodrës. E nuk pranoi as të rrinte në shtëpitë e malësorëve për "mos me i marrë në qafë". Represioni sa vinte e shtohej. Filologu i madh u fsheh për 3 javë në një zgavër në tokë pranë Dedajve që sot quhet Shpella e Priftit. Më pas u ngjit në Vrith ku qëndroi i fshehur në një shpellë të mirfilltë. Vrasja e Dom Nikollit është histori filmash. Velloja e misterit e mbulon atë vrasje për të cilën ende sot ka shumë rezerva. Ushtarët e ndjekjes, të njoftuar për vendndodhjen e tij, e rrethuan hyrjen e shpellës dhe shtinë batar të gjata pushkësh. Kur u afruan, kurmi i Gazullit ishte i ftohtë dhe i ngrirë. Një vrimë e vjetër plumbi i kish marrë jetën me kohë. Kush e kish bërë këtë? Dioqezani dom Nikoll Gazulli nuk kish si të vriste veten. Emrin e atij që e pati vrarë me një plumb në ballë dinë ta diftojnë malësorët e Shkrelit, si dhe At Zef Pllumi - memoria historike e atyre anëve.

Krahina kishte mbetur pa frymë. Një qerre e barti trupin e tij deri në fshatin e Stërkujës dhe aty ndaj rrugës, ballë kishës së Sterkujës e varrosën. Ata djem që çelën gropën, morën urdhër të mos linin asnjë shenjë, por ata duke e pasur famullitarin e tyre, të cilin gjithkush po e njehte për martir, e rrethuan varrin me gurë dhe i mbuluan ata me pak dhe. Shiu dhe koha do ta largonin atë dhe, menduan djemtë, e mandej kushdo kish mundësi ta kuptonte se aty ish një varr.

Enigma e varrit të Gazullit mbeti e tillë deri në vitin 1995, kur zoja Prendë, shërbyesja e dom Pjetër Grudës, famullitarit të ri të Shkrelit (pas 1949), pak para se të ndërronte jetë, u tregoi motrave të Nanë Terezës në Tiranë një sekret, të cilin kish kohë që e ndrynte në mendje.

Kështu në një natë të ftohtë me stuhi në fillim të viteve ‘50, dom Pjetër Gruda në shoqëri të Gjomark Prelës, Kol Zefit dhe dy burrave të tjerë, lidhin besë më i marrë reliket e dom Nikollit dhe me i çu në kishë të Shkrelit. Ashtu ndodhi. Në "shi e kijamet" nën shkreptimën e rrufeve të Alpeve, Gazulli u rivarros me një përshpirtje të shpejtë në këmbë të altarit të Shna‘Ndojt brenda kishës së Shën Kollit. Dyshemeja asokohe ish me dërrasa dhe pas varrosjes, u mbyll përsëri pa lënë gjurmë. Sot trupi i albanologut fle ende në kishën e tij.

Sekreti u nxor vetëm prej së amës s‘Dom Pjetrit, e cila e kish përgjuar gjaktrishtueshëm. E në merak të madh për të birin që kish dalë atë natë të mnershme. E tronditur ajo ia kish treguar vetëm Prendës, së cilës, më vonë në mbarim të ditëve të veta i kish kërkuar të kujdesohej për të birin, dom Pjetrin, i cili tashmë qe burgosur. Dom Pjetër Gruda vdiq në burg në Sarandë. Frymën e fundit e dha në duart e At Zef Pllumit (sot Nderi i Kombit), por besën nuk e theu as në buzë të varrit. E vërteta e Nikoll Gazullit fatmirësisht u "tradhtua" nga Prenda, një grua e prunjtë e besnike, por që nuk ish e lidhur në besë.

Leksikografi i madh sot ka zënë vendin e tij në histori. Librat e tij më së fundi po botohen. Edhe letrat, pasi ato janë dëshmi e pasionit të këtij njeriu të jashtëzakonshëm për vendin e tij, të këtij njeriu, kumti i të cilit na jep identitet dhe krenar si shqiptarë.



U morre ne linkun: http://webcache.googleusercontent.com/s ... clnk&gl=dk
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 3 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 2 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 28 Maj 2022, 10:10
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari