SHBA, makinë dhuratë për pastorin Jones
E henë, 18 Tetor 2010 08:17
Pastori protestant Terry Jones, i cili një muaj më parë kishte kërcënuar se do të digjte tekstin e shenjtë të Islamit, Kuranin, gjatë përvjetorit të 11 shtatorit, rrëzimit të kullave binjake ku humbën jetën rreth 3 mijë persona, ka marrë dhuratë një makinë nga një koncesionar i Nju Xhersit. Në këmbim, ai duhet të premtojë se nuk do të praktikojë kurrë atë që kishte kërcënuar të bënte, djegien e Kuranit. Deklarata e tij në atë kohë indinjoi të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe nxiti protesta të dhunshme kundër amerikanëve në Lindjen e Mesme. “Meqë pastori Jones është angazhuar ta mbajë premtimin e tij, ne jemi impenjuar të mbajmë tonin”, tha koncesionari që i kishte rezervuar atij një “Hyundai Accent 2011”, me vlerë 13.600 dollarë, dhe “pastori e pranoi ofertën”. Një zëdhënëse e pastorit tha se ai ka ndër mend t’ia dhurojë makinën një qendre bamirësie myslimane.