Me kete deshiroj te hap nje horizont te ri ne rrymat teologjike e filozofike te ndryshme qe lindin si nevoje e ushqimit shpirteror dhe mendor te njeriut.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 8 postime · Faqe 1 prej 1
Don Kolec Prennushi “PER KRISHTIN O KUNDER KRISHTIT”
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DON KOLEC PRENNUSHI:“PER KRISHTIN O KUNDER KRISHTIT”
Imazh

Në 110 vjetorin e lindjes së Tij

“PER KRISHTIN O KUNDER KRISHTIT”

(Parathanje e librit nga Autori)


Jezu Krishti âsht mrekullija mâ e madhe e shekujve. Qandra e historisë. Problemi i madh i perhershmi i njerzimit. Pse Ky njeri qi jeton para se me lé, jeton në shpirtin e nji popullit, të cilit i kjé lajmue prej profetëve mija vjetësh perpara, qi i permbushë të gjitha profecitë në jeten e vet, qi vdes e ngjallet me dishmue se asht Zot e nieri përnjiheri, nuk ka si mos m’e pengue menden e njerzimit.
Kush rreshtohet per Krishtin e kush rreshtohet kundra Krishtit? Rreth vehtjes së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtenve.Lufta qi racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizem, bolshevizem gjithrrenues. Sulmi i tij nuk qellon vetem hyjnin e Krishtit e hyjnueshmeninë e Kishës por edhe kullat mbrojse të tyne: Doktrinen e revelacjonit o të zbulimit, të mbshehsive, të mrekullive të dokumentavet të krishtenimit. Konfutimi i këtyne msymjevet, asht permbajtja e këtij libri.
Unë e dij se, falemnderës Zotit, e shumta e popullit i beson e i mban këto të verteta. Por armët kundra versuljeve t’ anmiqëve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ (pushtue) atmosferen e pergjithshme i duhen popullit me i pasë për doresh e kundra të zakonshmeve, e kundra atyne mâ të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cilat edhe në mos paçin mbërri ndër né, do të vijnë, si mbeturina rrenojash qi hjedh dallka e detit në bregoret tona.
Sikurse në pjesen e parë, nuk kjé qellimi i em me dhanë nji konfutim qi e kthellon dhe e shtrret landen krejt, por vetem nji armë të kollajtë, në perdorim të perditshem; per tjeter me diftue arsenalin e ndryshem të pamasë t’ apologjetikës katolike.
Këto pak njoftime janë marrë prej librit “Schutz-und Trutzwaffen” të P.Nilkes e prej homelive të P. Lacordaire.
Zoti i së vertetes i bekoftë të gjithë ata qi rreshtohen per Krishtin, por edhe ata qi janë kunder Krishtit u denjoftë i Lumi me i bekue, pse na luftojmë gabimet e tyne, por shpirtent e pavdekshem të tyne ia porosisim mëshirës së pakufi të Shelbuesit Hyjnuer.
D. K. Prennushi.
Diten e Zemres së Krishtit, 24 Qershor 1938.


■Don Kolec Prennushi (1902 – 1950)


■Ka lé në Shkodër me 1 janar 1902. Prindët e Tij ishin Pjeter Kolë Dedë Prennushi dhe Ninja e Ndoc Daisë (Prennushi). Pjetri me origjinë ishte nga Zhupa(e Prizrenit), të ramë në Shkoder para vitit 1700. Axhat e Tij ishin Deda dhe At Mati Prennushi, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë që u pushkatue nga komunistët me 11 Mars 1948.
■Don Koleci ishte nxanës në shkollen e Jezuitëve në Shkoder, ndersa studimet e nalta teologjike i ka vazhdue në Linc të Austrisë deri në vitin 1925, bashkë me mikun e gjithë jetës së Tij, At Pjeter Meshkalla S.J.
■Ishte i pesti klerik i Familjes Prennushi në shekullin XX, mbas Don Matisë, At Matisë, Imz. Vinçencit, At Karlos dhe i fundit Don Koleci.
■Don Koleci u shugurue meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen, që ishte atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kolaj dhe prap me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e Tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25 vjetorit të meshtarisë.
■Përveç, gjuhëve latinisht, italisht dhe greqishtën e vjetër, ai zotnonte gjermanishtën, frengjishtën, spanjishtën, ebraishtën dhe lexonte anglisht.
Nuk kishte vështirësi me mësue gjuhët e hueja se dinte përmendësh Ungjillin.
■Ai la gjurmë si letrar në letersinë shqipe dhe fetare. Njihet nder perkthyesit e aftë dhe vepra ma me vlerë e perkthyeme prej Tij në gjermanisht asht kenë vepra e njohun e
At Shtjefen Gjeçovit O.F.M., “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e cila ka humbë mbas 1948.
■Në vitin 1948, kur asht arrestue, ka humbë dhe një perkthim që kishte në dorë ato ditë, “Dishmori i Golgotës”... Ka ba edhe përkthime të tjera ma perpara si: “Vizari Shpirtnuer”, pjesa e Meshës, librat“Juan Mizeria”, “Si mbaroi dashunia”, “Shna Rroku prej Montpellier“ etj., ku spikatë mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të dashtun për lexuesin shqiptar, sa shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të Tij dhe jo përkthime
■Me 14 shtator 1931 botoi librin “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”. Libri, që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don Kolecit, i cili shkruen: “...Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s’onë kombtare asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori shqiptare. Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit’ t’ona e sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone.”...“E kështu shofim na në ditët t’ona kah shpërthen si duhi revolucioni.
Prej kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e trondituna prej degame. Votra kulture mivjeçare rrokullisën e bijnë nën majin e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e ides së lirisë.
Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t’ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit.
E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri: Liberté, égalité, fraternité.O kulturë fetare, o bolshevizëm.”...
Parullën: “Liberté (point) Egalité (point) Fraternité (point)”, Don Koleci e përkthen në gjuhën shqipe: “Liri (aspak) Barazim (aspak) Vllaznim (aspak)”.
■Ték libri “Zoti asht” lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht këtu asht vlera e këtyne librave: aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 70 e sa vjet ma parë.
■Në librin “Për Krishtin o kundra Krishtit”, parashikohet ajo që ngjau në 1944...
■Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendësie të veçantë në revistat: “Leka”, “Kumbona e së Diellës”, “Hylli i Dritës”, “Cirka”,“Zani i Shna Ndout”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, etj. ku, shpesh përdor edhe pseudonimin Mujs Polemi.
■Don Kolec Prennushi ka hy në Antologjinë e Shkrimtarëve Shqiptarë(1941), si letrar me prozën “Të vershuemit”(fq.221), dhe si të tillë Prof. Ernest Koliqi, e cilëson rreth vitit 1960, në Radio “Vatikani”: “Don K.Prennushi pat një jetë të shkurtë, por ajo që ndërpreu krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj, kje mortaja komuniste, që pushtoi Shqipninë...”
■Don Koleci me guxim shkruan për Fishtën: “Poemi epik<< Lahuta e Malcis>>
asht nji vade mecum i çdo atdhetari”, ndërsa për At Anton Harapin shkruan:
“...Mendje dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por ai asht i drejt e i pafajshëm.” (“Hylli i Drites”, 1936, fq.583)
■Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1992, thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifet stili i veçantë i shkrimeve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar, mbasi ka shkrue pak proza, por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë,...edhe ate e mori vala komuniste.”
■Ai njihej ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Gasper Thaçit,
At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës.
Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e banë të dashtun dhe të paharrueshëm.
■Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemet filozofike dhe teologjike.
Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Kethedrale të randësishme. “Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë tue pyet vienezët – thonte At Meshkalla, – në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964).
■Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte
Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo vetëm e respektonin, por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij. At Zef Valentini S.J., ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë, e që disa vepra të njohuna i ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë:
“Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania”
■Tregonte z. Nush Tukja kur ishte në burgun e Burrelit, se një ditë, rreth vitit 1948,
kishte pyetë me keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë, veç jush që jeni këtu në burg?” At Frano Kiri i ishte përgjegjë:
“Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë, kemi boll!....”. At Frano Kiri kur fliste për té, thonte: “Ishte shpnesa e fundit e jona!..”.
■Fshatarët e vendeve ku ka shërbye edhe sot e kujtojnë me respekt veprën e Tij baritore.
■At Gjergj Fishta kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don Kolecit në vitin 1916, kur Ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u ba prift, po At Fishta i tha:
“Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift i mbrekullueshëm se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për meshtar.”
■Prej thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe Ai e dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën “kulak” dhe burgjesh vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në hetuesi kundër Tij, i pat propozue Don Kolecit tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far’e fis,
për me i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: “Jo, kjo punë nuk bahet prej meje, se jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti në krye të popullit tem, në tokën teme shqiptare.”
■Natën e Shën’Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në sofër me nanën dhe motrat e Tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit komunist, me njëfarë vagabondi e rrugaçi, Ahmet Suji, që ishte shoferi i sigurimit, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue: “Ka propaganduar në favor të Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë.
Ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari armiqësore.” (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989,1143, 2452, 3359/1, Arkivi i Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).
■Nuk duhet harrue se ishte koha kur diktatori solli në krye të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme kriminelin Mehmet Shehu, dhe në qytetin e Shkodrës vazhdonte kasaphanën terroristi i pashoq, furrtari Zoji Themeli, që tashti kur dëgjon se çfarë po bëjnë serbët në Kosovë, “i rrënqethën misht”...
■Për 11 muej pra, edhe Don Koleci do të provonte torturat ma shnjerëzore, lidhjet në vargoj, shenjat e të cilëve i mori me vete në vorr, korrentet elektrike që i shkatrruen zemrën dhe një ditë, në fund të tetorit 1949, pra gati mbas një viti, kur vërejtën se jeta e tij kishte marrë fund poashtu si e kushrinit të Tij, Imzot Vinçencit në qelitë e Durrësit, këte e“liruan” me vdekë në shtëpi, për mos me shtue numurin e klerikëve të mbetun në tortura...
■Ai doli pikërisht kur shteti po i shpallte luftë Klerit Katolik për jetë a vdekje, tue mendue se: Don Koleci, Don Dedë Malaj, At Marin Sirdani, Don Ejëll Kovaçi, At Konrrad Gjolaj, etj. të friguem nga vuejtjet dhe torturat e Sigurimit që u ishin ba mbi trupat e Tyne, do të ndikonin në miratimin e Statutit të Kishës Katolike me heshtje dhe pa kundërshtime.
Këta, jo vetëm nuk e pranuen as si projekt por e kundërshtuen me forcë, deri në vetflijim. Don Deda dhe Don Ejëlli vetëm pse nuk vune firmat e Tyne, në vitin 1958-59 u pushkatuen, të tjerët që kundërshtuen kaluen jetën në burgje e kampe të shfarosjes. Ndërsa Don Koleci vdiq kur po zhvilloheshin ato mbledhje. Don Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para ku ndër tjera ka thanë: “...Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftë se na, nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se, do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë...Këta janë gjithkund njisoj!” (Nga At K.Gjolaj nё librin “Çinarët”, fq.125).
■Kjo dëshmi përputhet edhe me tregimin e Dr. Avokat Emid Tedeschinit, i cili ka marrë pjesë në të dy mbledhjet e para për problemët juridike.
■Në shënimet autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J., i ka lanë në vitët e fundit të jetës së Tij aty nga 1987, shënon: “...Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit.”
Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00 para dreke Don Koleci ishte në agoni të plotë...Don Ernesto ka tregue se, kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë:
“Don Ernesto, më jep të zgjidhun se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti,..”

■Funerali asht kenë familjar. Kanë marrë pjesë me qindra vetë nga fshatrat e famullisë së Tij e përreth deri në Velipojë. Përveç kumbonëve që fshatarët u kanë ra në njëanë në shenjë zije, nuk asht ba vëprim tjetër nga frika. Në Kishën Kathedrale të Shkodrës, kur i asht ba bekimi i trupit të vdekun, asht vendosë në fund të Kishës, tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë dhe ka kenë prezent edhe Imzot Bernardin Shllaku, kur Don Ernesto Çoba ka ba bekimin. Mjaft klerikë nuk kanë marrë pjesë nga frika. Nga Kathedralja asht nxjerrë nën drejtimin e Don Ernestos dhe asht bajtë në dorë prej fshatarëve të fshatrave të famullisë së Tij deri nё vorreza. Asht varrosë në Rëmaji, ku pret ringjalljen.
■Sot na vetëm mund të themi, se Don Kolec PRENNUSHI, ishte një prej perlave të Asaj Kolane, që Krishti la pasues në Klerin Katolik Shqiptar...
Imazh
Fritz RADOVANI.
Melbourne, 29.XII.2011.


Komentë nga Daniel Gazulli


Njoh e ndjek gjithe balten qe po hidhet mbi historine kombtare.
Mirefillit ajo nuk ka te baje me historine kombtare ne vetvete, por me katoliçizmin. E gjithe kjo balte qe hidhet perdite kunder Kastriotit, Imzot Bogdanit, At Fishtes, Nane Terezes, lidhet kryekeput me qenjen e tyne katolike.
Jemi para nje fushate totale antikatolike. Nuk ka pse ta kujtoj une, ti e di thanjen e Konices: ".... te mos ishte kombi shqiptar nje komb i poshter dhe i ndyre....".
Epitetet "i poshter dhe i ndyre" nuk na takojne ne, por atyne qe kan pase dhe kane pushtetin, prej Ismail Qemalit deri tek Sali Islamiku, edvin rama, lulzim basha te gjithe turkoshake.
Ka ardhe koha me shikue secili diçka ma shume hallet e vete familjare. Atdheu asht ne ankand.
E hanë, më dt.8.I.2012

Daniel Gazullli


Nga Fritz RADOVANI:
DISA NGJARJE NUK PERSRITEN MA…


ANA E MALIT
1949 NANDOR…
Erdhi ma në fund lajmi i shumë pritun në çelen e Dajçit Bregut të Bunës tek Gjyshja ime, per lirimin nga sigurimi i shtetit i Shkodres i priftit Don Kolec Prennushi mbas 11 muejsh hetuesi… U liruen disa klerikë me shpresen e “firmimit të Statutit të Kishës…”
Gjyshja, Nana Nine nuk e besonte pa e pa me sy! Ai do të rrinte dy javë në Shkoder, me ba “Leter Njoftimin”…E verteta ishte tjeter: Ai ishte nen kujdesin e mjekve se kishte humbë zanin dhe kishte probleme me zemer nga korrentet elektrike nder tortura…
Mjekët Karagjozi, Prela dhe Shiroka e shikonin shpetimin e Tij per fije të penit...
Fshatarët shkonin e vinin tek çela me peshqeshe dhe urime prej zemret per lirimin e Tij.
Diten që pritej ardhja fshatarët u grumbulluene n’ oborrin e Kishës që në ora 12 e drekës, dhe filluen me i ra kumbonëve të Kishës së Shelbuemit në Dajç, tue u pasue në të gjitha Kishat tjera të bregut Bunës, prej Shirqit e Obotit deri në Velipojë... Dishka e veçantë!
Dy fshatarë që e shoqnonin gjithnjë nder sherbime, u nisen per Shkoder me e marrë tek shtëpia ynë dhe me e sjellë gjatë rrugës tue u kujdesë per shka mund të kishte nevojë.
Kanë hypë të tre bashkë me Don Kolecin në një karrocë me kalë, dhe nga ora 13.00 janë nisë në drejtim të Dajçit, tue kalue nga Ura e Bunës, per tek Lisi n’vorr ku ishte lundra.
Kur kanë mërrijtë n’ Anen e Malit, aty i pritte Hoxha i atij fshati me dy kual të bukur dhe disa fshatarë. Mbasi pershndeti Don Kolecin, edhe Hoxha hyni në karrocë se Don Koleci nuk mujte me udhtue me kalë. Bashkë ma ta u nis edhe grupi i fshatarve që shoqnonte Hoxhen e Anës së Malit. Kur mërrijten tek Lisi n’ vorr, aty u ndane mbasi Don Koleci do të hypte në lunder per me pre Bunen dhe, me marrë drejtimin e rrugës së Dajçit...
Ndoshta, ju duket dishka e zakonshme, po në të vertetë per atë kohë nuk ishte ashtu.
Një Hoxhë i një fshati i del para një Prifti mbas lirimit nga sigurimi komunist, e pergzon dhe e shoqnon gjithë rrugës deri ku vazhdon rruga e fshatit të Tij, bashkë me fshatarë...
Kjo nuk besoj se do të ngjante edhe sot mbas 70 vjetësh nder ato zona kufitare ku, frika dhe survejimi ishin nder të gjitha kaçubat e ferrave dhe shkamijt e gurt’ të lamë me gjak.
Don Koleci vdiq mbas 8 muejsh me 2 Korrik 1950, dhe shumë kohë mbrapa mësueme atë të vertetë të miqësisë së Tyne. Hoxha i kishte kerkue Don Kolecit me shpetue një fshatar të arrestuem nga gjermanët në vitin 1944, e Don Koleci me anen e Mikut vet Don Alfons Tracki (pushkatue 1946) e kishte shpetue...Per mirnjohje Hoxha shoqnoi Don Kolecin bashkë me fshatarin mbas pesë vjetësh, në vitin 1949... Perveç mirnjohjes kishte aty edhe Miqësi, Burrni, Besim dhe dishka tjeter ma shumë se këta të gjitha: VLLAZNIM !..
Pikrisht, ate që sot mungon nder të gjitha hallkat e jetës së Shqiptarve...
Melbourne, 17 Nandor 2019.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
GJERGJ KASTRIOTI DHE SHQIPNIA JANË NJË !
Me rastin e 17 Janarit 1468 – 2012


Imazh
GJERGJ KASTRIOTI
Odhise Paskali "Scanderbeg" (bronze, viti 1939)

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu (1405 – 1468) asht Shqiptari ma i Madh që detyroi Botën me pranue se ka Shqipni dhe se ka edhe Shqiptarë! Anatole France shkruen per Té: “Lavdia asht një luks tepër i kushtueshëm!”. (Fan S.Noli, “Gjergj Kastrioti”).
Edhe pse me 17 janar 1468 Gjergj Kastrioti mbylli sytë, Shpirti i Tij vazhdoi me jetue në trojet tona, aty ku dhuna dhe terrori për me zhdukë Fenë Katolike dhe ndjesitë Atdhetare Shqiptare kjene të pashembullta në tokat e pushtueme nga turqit.
Për Gjergj Kastriotin u banë shumë studime dhe janë shkrue mjaft libra. Unë nuk do të shkruej këtu bibliografinë e plotë të tyne, por do t’i jap lexuesit vetëm një rreshtim të disa viteve kur fillon dhe si vazhdon shkrimi i mendimeve të tyne per Heroin tonë Kombtar, tue iu referue studjuesit Fan S.Noli për Gjergj Kastriotin (New York 1947).
Nё vitin 1480, Dhimiter Frângu, bashkluftar i Kastriotit, asht i pari qё ka lanё tё shkrueme nё latinisht jeten dhe trimnitё e Princit Shqiptarёve, Gjergj Kastriotit.
1584, Jovius, Peshkopi i Noçerёs, në librin “Elogjina” (Elogie), që do të thotë “Lavdërime”, shkruen për portretin e Gjergj Kastriotit, që kishte pa në Galerinë e Arteve në Firence, Itali. Ai e permendë edhe në librin “Komentin” (Commentario).
1582. Zurita, në librin “Analet e Aragonës”, ku permendet traktati i Kastriotit me Alfonsin e V të Aragonës dhe të Napolit, në vitin 1451.
1564. Sansovinoja, historian i Venedikut, që popullarizoi Historinë e Barletit.
1576. Lavardini, aristokrat nga Vandomi i Francës, perkthyes i Barletit, që i jep për herë të parë Gjergj Kastriotit titullin Mbret. Merr hollёsi nga Franku. Një përkthim i tij anglisht nga Gentieman u botue në 1596 në Londer, Angli.
1601. Summonteja, në “Historia e Napolit” shkruen thanjet e Pantanoja, Piu II dhe Zurita. Kritikon Barletin për pasaktesitë e tija në lidhje me luftimet e Napolit.
1603. Knolles (Noulësi), në librin “Historia e Turqëve” përmendë Barletin.
1605. Mariana, në “Historia e Spanjës” përmendë betejat e Gjergj Kastriotit.
1644 – 1677. Rinaldi, vazhdues i kardinalit Baronius, përshkruen shkurtime dhe pjesë burimesh arkivore nga dokumentacionet e Papëve. Vepra e tij asht me vlerё.
1680. Spondanoja, kalvanist francez, i cili përdorë “Analet Kishtare” si fakte. Asht i pari historian kritik i historisë së Kastriotit.
1709. Dyponcet (Dyponseja), Kritik i historisë, që vlerëson Barletin.
1730 – 1733. Muratori, dijetar italian, botoi analistët Simonetta, Kribeli, Sanudo, Kanensius, që i referohen Kastriotit rastësisht.
1742. Biemmi, studjues i Tivarasit, dhe i të gjithë bashkohësëve të vet.
1754. Voltaire, i kushtoi një kapitull Gjergj Kastriotit, në librin e tij “Essai sur les Moeurs des Nations” (Sprovë mbi zakonet e Kombeve), ku shënon dy faktorët bazë të fitoreve të Kastriotit: Shqiptarët vetë, si rracë luftarake dhe karakteri malor i Shqipnisë.
Perfundimi i tij asht ky: “Po të kishin kenë perandorët grekë si Gjergj Kastrioti, Perandoria e Lindjes do të kishte shpëtue”.
1756. Gjeneral Wolfe, (Uolf), mendimi i tij prej eksperti ushtarak asht ky:
“Gjergj Kastrioti shkelqen mjedis gjithë gjenaralëve të vjetër dhe të rijë, në udhëheqjen e një ushtrije të vogël mbrojtëse.”
1815. Sismondi, asht i pari që tregon për qeleshen dhe shpaten që i dhuroi Papa.
1817. Farlati, dijetar jezuit, që bashkpunoi me Riçeputin në Padova t’ Italisë, kur mblodhën treqind vëllime dorshkrim të historisë së Kishës Ilire. Asht historian eklektik dhe kritik i moderuem. Asht i pari dhe i fundit që ka shkrue Historinë e Kastriotit të pamë nga pikpamja kishtare, por vëllimi i shtatë monumental i tij asht sfondi fetar i Shqipnisë Katolike Romane në kohen e Gjergj Kastriotit.
1827. Hammer, historian i vetem që citon burimet turke, persiane dhe arabe.
1848. Grigoreviç, profesor rus, i cili permendë i pari nga burimet sllave se Gjergji ishte mbi 20 vjeç kur e mori sulltan Murati II peng.
1850. Z.I.Gentleman, përkthyes i librit “Skenderbeu i Murit” (Moore) të Historisë së Lavardinit, historia ma e gjatë e shkrueme anglisht.
1853 – 1856. Romanin, kritik i pabesisë së Venedikut kundrejt Gjergj Kastriotit.
1863. Longfellow, Nenry W., poet amerikan, shkruen poezi per Gj. Kastriotin.
1866. Fallmerayer, asht i pari kritik që ka zbulue vitin e saktë të vdekjes sё Gjergj Kastriotit, 1468. Perkrahes i fortё i shkrimeve historike tё Barletit.
1866. Trinchera, asht i pari që botoi nё “Codice Aragenese” disa letra me vlerё të madhe tё Gjergj Kastriotit me Mbretin Ferdinand të Napolit nga arkivat.
1876 – 1918. Jireçeku, asht përforcues i mendimit se Gjergji asht rritë në malet e vendlindjes shqiptare dhe jo në pallatin e sulltanit Murati II.
1881. Petroviç, boton kuq e zi bibliografitë per Gjergj Kastriotin.
1885. Kayser, zbuloi se Papa Nikolla V e quejti në kohen e tij Gjergj Kastriotin “Luftar i Krishtit” gati dhjetë vjet para Kalikstit III, që e shkruen këte në letren e njohun të tij, me 11 shtator 1457, dokumenta të vetme tё arkivave të Vatikanit.
1886. Tajani, dijetar italo – shqiptar, asht i pari që shkruen për perkrenaren dhe shpaten e Gjergj Kastriotit në Muzeun e Vienës.
1886 – 1891. Pastori, asht studjues i arkivave të Vatikanit, ku zbulon letra dhe disa mendime të dokumentueme per Kastriotin dhe fitoret e Tij.
1887 – 1918. Talloczy, zbulues dhe perforcues dokumentacioni per Kastriotin.
1892. Fermenxhini, zbuloi se mbiemni Kastrioti asht i fshatit me atë emen.
1896 – 1910. Konica Faik, boton disa artikuj frengjisht per Gjergj Kastriotin.
1914 – 1924. Sufflay, Milan von, profesor kroat, i vramë per kontributin e madh që ka dhanë në të gjitha fushat e Historisë së Shqipnisë. Ka pasqyrue sakt jeten qytetare tё Shqipnisё në librin e njohun të Tij: “Burgen und Städte” (Kështjella dhe qytete).
1921 – 1947. Fan S.Noli, “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu 1405 – 1468”...
Një nder kryeveprat e Tij per Historinë e Shqipnisë.
1923. Korça, studim që parashtroi autori per mbrojtje doktorate.
1925 – 1929. Giese, dijetar gjerman, gjenё i pari dokumenta turke per ekspeditat e Muratit II dhe tё Mehmetit II kunder Shqiptarёve. Asht me mendimin e Barletit.
1925 – 1931. Babingeri, dijetar gjerman që tregon mbishkrime të kështjellës së qytetit të Elbasanit, nga Mehmeti II nё vitin 1466, ku perforcon Barletin e Tivarasin.
1937. Gegaj, At Athanas, dijetar shqiptar, që i paraqiti Universitetit të Louvain një disertacion në gjuhen frengjishte, me titull “Shqipnia dhe invadimi turk në shekullin e pesëmbëdhjetë”, i botuem nga ai universitet në vitin 1937. Fan S.Noli shkruen per këtë libër këto fjalë: “Është tregimi më i plotë i heroit që mund të jetë botuar ndonjëherë në çdo gjuhë, plot me informata dhe me materiale të paraqitur mirë.”
***
Gjergj Kastrioti asht kenë dhe do t’ jetë Heroi i Përjetshëm i të gjithë Shqiptarëve, kudo kjofshin Ata! Aq madhshtore asht Epoka e luftave dhe e fitoreve të Tij kundër turqëve, sa asnjë Trim legjendar në Botë nuk asht i përjetsuem në aq shumë shtete të Botës me monumente lavdije sa Shqiptari i Madh i Arbënisë sonё Gjergj Kastrioti – Skenderbeu! Përkrenaria, Parzmoria dhe Shpata e Tij vazhdojnë me shkelqye në të gjitha Enciklopeditë e Botës, në të gjitha Ata Shtete ku nderohet Flamuri Kombtar, ashtu si në çdo votër Shqiptare, kudo kjoftë, që në krye të vendit ka Gjergjin dhe Shqipen Dykrenare të Kastriotit, mbi shtrojen e gjakosun ndër shekuj per Liri.
“Ata” që sot kërkojnë me përlye Figurën e Gjergj Kastritot për motive fetare, lè të vazhdojnë me ecë të zbathun në ranë mbas deves...ashtu siç ecen tradhëtarët e shekullit XX ndër asfaltët e Tiranёs sё zharitun si pasues tё denjё tё Haxhi Qamilit, ku edhe u terhoqen zvarrë nga vetë Shqiptarët. Historia do të përsëritet prap për të gjithë “ata” që ecin në gjurmët e tradhëtarëve të Atdheut!
E sot nuk janë aq pak sa kujtojmë..!

Melbourne, 14 Janar 2012.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
EDHE RRÊNA ASHT PANDERSHMENI..!
Imazh

Imazh
“Rrêjë e rrêjë…se dishka mbetë!”, thonë “dr.prof. e akademikët” tanë.
Se mos asht prof. Jorgaqi e para që rrênë… më falni se gabova dhe e thashë në gjuhen e “panjësuar”, që gënjen! “Prof. Kristina Jorgaqi, gjuhëtare; pedagoge e lëndës së Sociolinguistikës dhe e Planifikimit Gjuhësor në Universitetin e Tiranës; autore e dhjetëra shkrimeve mbi çështjet e gjuhës si dhe e të vetmeve rubrika të posaçme gjuhësore në media, mes një interviste për Gazetën Shqiptare, sqaron në mënyrë të detajuar të gjithë problematikat e gjuhës standarde si dhe domosdoshmërinë e një ligji për garantimin e një shqipeje korrekte.” A nuk ju duket se artikulli fillon si dikur... me “shoqen” Lenka Çuko? –Kjoftë per atëherë!.. Kur motra fillon e rrênë për vllaun e vet, ajo fort lehtë edhe shpifet si pa gja të keqe, pa u kujtue se asht tue tregue pandershmëninë e vet të paskrupull.
Rrêna ishte dhe asht baza e dijes së ideologjisë marksiste – leniniste me të cilen janë formue dhe brumosë nga PPSh dhe sigurimi i shtetit komunist “dr. prof. dhe akademikët” e Republikës së Shqipnisë së djeshme socialiste dhe të sotme “demonkratike” si Jorgaqi, ose si thotë Populli… “Po mos të dinin me rrêjtë as nuk do të mujshin me u ngjitë në shkallat e universitetit “Enver Hoxha” të Tiranës!
Po a i beson Populli Shqiptar rrênat dhe shpifjet e tyne? – Edhe kjo duhet shikue me kujdes, mbasi shpesh nga mungesa e informacionit njerzit gabohen...
Prof. Namik Ressuli nuk e pat fatin e “shkencëtarëve tanë”...Desht Zoti me e pasë në kujdesin e vet dhe nuk perfundoj në plumb ose ndër kampe interrnimi si shoku i vet i njohun Prof. Lem Deda, po shkoi në Itali dhe vdiq Prof. i nderuem në Torino.
Prof. Namik Ressuli nga Berati, asht kritiku ma kompetent që kishte Letersia e jonë Shqipe para vitit 1944 por që mbet edhe i ditëve tona sepse mbas vitit 1944, na kemi pasë vetem dy “kritikë” të realizmit socialist: “Shokun” Enver dhe Ramiz Alinë, që vazhdojnë me shkrue, po me pseudonime si “dr.prof. e akademikë” Jorgaqi, A. Puto, A. Lame etj.
“Prof” Jorgaqi shkruen: “Në fund të Rilindjes, siç na dëshmon studiuesi shqiptar Namik Resuli, por dhe studiuesja amerikane Janet Byron, toskërishtja qe lëvruar shumë më tepër sesa gegërishtja, aq sa qe krijuar një varietet letrar toskë. Pra, një varietet i përbashkët, që e përdornin shumica e toskëshkruesve.”
Perderisa ju trilloni dhe shtremnoni thanjet e Prof. Namik Ressulit, per mue nuk mund të jetë e besueshme as thanja e juej gjoja nga studiuesja amerikane J.Byron, mbasi per fat na sot kemi të botueme thanjet e Prof. Ressulit, në librin “Shkrimtarët Shqiptarë”, vol. I, në Tiranë, në vitin 1941.
Prof. Ressuli shkruen: “Pa dyshim ky prodhim verior është më i rëndësishmi i prodhimeve të pjesës së parë të letratyrës shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe gjërësisë si dhe nga pikëpamja e lëndës dhe e mbrendisë. Këta shkrimtarë të vjetër të veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vendin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipes një alfabet –alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë dhe punojnë për atdheun dhe gjuhën e tyre, për Shqipen e Shqipërinë. Madje nga kjo pikëpamje kombëtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas lidhjes së Prizrenit, po t’ ishte ma e madhe vlera estetike e qellimi i përbashkësisë shqiptare.”(fq. 13).
Në shenimin e pergjithëshem per shkrimtarët e jugut Prof. Ressuli shenon se:
“Tri janë karakteristikat kryesore të këtij prodhimi, që e dallojnë prej të tjerëve:
a) karakteri fetar, po dhe mësimor, i vepravet;
b) influksi i madh grek, mbasi autorët e tyre ishin lidhur ngushtë me Greqinë, e kishin kryer studimet në shkolla greke;
c) përdornin alfabetin grek për shqipen.
Po shkrimtarët e vjetër të jugut në veprat shqipe që na kanë lënë nuk dëftejnë as doktrinën, as vlerën dhe as ato pakë ndjenja atdhetare që dallojnë vëllezërit e tyre gegë. Ata janë vërtetë, të parët toskë që shkruajnë gjuhën t’onë, po nuk e përdorin këte si qellim në vetvete, po si mjet, me anë të së cilës donin të përhapnin njohurit e fés orthodokse.” (fq. 70)
Në faqen 94, Prof. Ressuli shkruen: “Prodhimi letrar mysliman u zhvillua, si e thotë kthielltas titulli, ndër myslimanë, pothua edhe këta të gjithë toskë...
Ky prodhim letrar mysliman dallohet nga dy të parët:
a) Pse veprat e këtyre shkrimtarëve janë pothua krejt laike, mbasi laikër qenë ata vetë, me përjashtim të “Ervehesë”, gjerë në një farë pike “epikureane”. Si pas modës s’atëherëshme shumë nga “bejtet” e tyre, kur rrahin argumente akseptike –natyrisht një akseptizem krejt oriental – u janë kushtuar dëfrimeve që bëheshin n’ atë kohë në qëndrat kryesore të Toskërisë.
b) Pse arabo – turk është influksi që zotron në këto shkrime. Madje shumë herë aq i math është ky influks sa që nuk munt të kuptohen mirë prej leçitësve që nuk njohin Arabishten, Turqishten e Persishten.
c) Pse për alfabet kanë përdorur atë arabisht – turqisht.
Larg nga çdo frymëzim a ndjenjë atdhetare, këto “bejte” me perjashtim të “Ervehesë”...
***
E këta “bejtaxhijë” me tituj “dr. prof e akademikë” vazhdojnë jo vetem me rrêjtë, po edhe me “shpikë” tjera mendime që as nuk ia vlenë me u marrë me ta. Lexoni thanjet e pandryshueshme të “shoqes” Jorgaqi, mbasi një zonjë nuk mundet me kënë si kjo!
“Klasa e re politike, që doli nga Lufta, dhe u vu në krye të shtetit, qe në pjesën më të madhe me prejardhje nga Jugu. Popullsia e Jugut kish marrë pjesë në Luftë e kish kontribuar për çlirimin e Shqipërisë shumë më tepër sesa ajo e Veriut. Për të mos harruar pastaj edhe një fakt tjetër të rëndësishëm, që niveli i arsimimit të popullsisë së Jugut deri në Çlirim ishte deri në 10 herë më i lartë sesa ai i Veriut...
Më duhet t'ju korrigjoj: nuk u diskriminua gegërishtja, po u diskriminua, madje u godit rëndë, për arsye ideologjike dhe politike, kultura e kultivuar prej klerit katolik, që si mjet shprehjeje kishte shkodranishten.
...me përjashtim të Fishtës e Koliqit, të gjithë autorët e tjerë të rëndësishëm gegë të traditës, si Mjeda, Gurakuqi, Migjeni etj., vijuan të studioheshin nëpër shkolla.”
***
Keni harrue me thanë se:
“Gegënishtja është Gjuha e Krishtit, prandaj as ia vlen tё merremi me te”!
Kështu quhej nga ju... mbas Kongresit të vitit 1972...
Jeni po ata, po e njejta mendësi: bolshevizëm i pastër plus ..!
E vetmja gja e pastër në shkrimin tuej!

Melbourne, 19 Janar 2012.


Kristina Jorgaqi - profesore doktore, shefe,...njeriu që fyu gegnishte
ImazhImazh

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
“NA NJOFTONI DATEN E EKZEKUTIMIT
DHE VULLNETIN E TYRE TË FUNDIT…”
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha…


Don Luigj Prennushi (1897 – 1947)
Don Luigj Prenushi - 1897 – 1947.png

Radiogram: “Gjykatës Ushtarake Shkoder; Aprovohet ndeshkimi me vdekje i dhënë prej asaj gjykatë kunder 1. Dom Luigj Prennushit, 2. Ndrecë Dodë Dodanit…
Na njoftoni daten e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit!
Minister i Mbrojtjes Kombëtare e Komandant Suprem,
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha. Firma, Tiranë, 22 – I – 1947.”
“Ju njoftojmë se ekzekutimi u krye në prani të popullit të Vaut të Dejës,
në katundin Shelqet...me daten 24 – I – 1947, diten e premte, ora 11.30 p.d...
Ekzekutimi u prit mirë nga populli dhe u duartrokit...
Dom Luigj Prennushi tha: “Nuk kam me thanë gja, jam i pafajshem!”
(Dosja 1016, Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998.).
Besoj se akuza kunder Don Luigj Prennushit, vjeç 50, nga Shkodra dihet nga të gjithë Shqiptarët...”Agjent i Vatikanit që ka strehuar të arratisur në qelë...nuk ka miratuar në popull zhvillimin e arsimit...se donte të mbante popullin në errësirë...etj...”
Don Luigji asht arrestue me daten 5 Dhjetor 1946...
Prokurori asht kap. I Namik Qemali, gjykatës asht kap.I Misto Bllaci...edhe këta emna besoj tashma i keni mësue dhe nuk i harroni...ashtu si Aranit Çelen, Hysë Zajen, Lilo Zenelin, Dul Rrjollin, Nesti Kopalin, Pjerin Kçiren, Ali Xhungen, Zoji Themelin, Dulaç Lekiqin, Elez Mesin, Shaban Dautaj, Fadil Kapisyzin, Zurdi Shehu, M. Iljazi etj...
Të gjithë këta katilë kriminela të zgjedhun me gisht me i sherbye organit terrorist të sigurimit të shtetit komunist, ishin vegla të UDB-së jugosllave, që mbi uniformen e tyne të ngjyme në gjakun e Shqiptarëve të pafajshem u shkelqenin dekoratat e dhurueme nga Tito e Rankoviqi, nepermjet vegles së tyne anadollakut Enver Hoxha, per sherbimet e tyne antiatdhetare dhe kryesisht antiklerikale ndaj Klerit Katolik Shqiptar në Veriun e Shqipnisë. Qendra e masakrave ishte Shkodra. Kur ishte puna me vra e me torturue nuk i lenin gja mangut as Puka, Lezha, Kopliku, Mirdita...e deri në Konispol apo Permet.
Nuk do të hyj në zhvillimin e procesit apo të hetimeve mbasi ecunia asht e njajta e atyne që janë shpjegue ma perpara ose mbas këtij, ku ndryshimet janë vetem emnat...
Tashma porsa lexuesi sheh titullin fetar Don, At, Imzot etj...e di që në emnin e Tij edhe permbajtjen e dosjes, zhvillimin e hetimeve, të gjyqit, fjalen e prokurorit, vendimin e gjykatës dhe permbajtjen e radiogramit me të cilin njoftohej turkoshaku Enver Hoxha, i cili “nuk ua prishte vendimet e drejta gjykatave ushtarake”, por knaqësia e tij prej bishe të eger, ishte “me dijtë vullnetin e fundit të viktimës”!... Sigurisht, kur kishin radiogram per ekzekutimin e ndonjë Kleriku Katolik atë natë Nexhmija kishte ma shumë punë në darkë, ku jo vetem do të shtrohej sofra me të gjitha të mirat, por edhe do të gostiteshin miqët që kishin kontribue në realizimin e skenarit të vrasjes së Priftit...
Tash nuk e di a vazhdohet prap me u njoftue “komandanti”...nga pasuesit e tij..!!
Don Luigj Prennushi asht arrestue me 5 Dhjetor 1946, pra gati një muej mbas At Mati Prennushit, Provinçialit të Françeskanëve të Shqipnisë në Shkoder.
Shpejtohet procesi dhe gjyqi per me u zbatue vendimi me vdekje i Don Luigjit.
Me 24 Janar 1947 u pushkatue, tue kenë të bindun se Don Luigji ishte i pafajshem.
Në vitin 1947 në Durrës asht arrestue Imzot Vinçenc Prennushi...i cili vdes po në burgun e Durrësit me 19 Mars 1949.
Me 11 Mars 1948 pushkatohet At Mati Prennushi në Shkoder.
Me daten 6 Dhjetor 1948 arrestohet edhe Don Kolec Prennushi, dhe mbas 11 muej hetuesi lirohet dhe vdes nga torturat në Shkoder me 2 Korrik 1950...
Bana këte shpjegim të shfarosjes së Klerikëve të familjes Prennushi, të At Mati Prennushit, Imzot Vinçenc Prennushit dhe Don Kolec Prennushit nga viti 1946 – 1950.
Në vitin 1997 një ish oficer, YX, në praninë e të njohunit të tij, z. Koço Nini, në Tiranë, më ka shpjegue pushkatimin e të pafajshmit Don Luigj Prennushi, me akuza të trillueme vetem tue u mendue se i perkiste Fisit Prennushi, që sigurimi i shtetit po shfaroste me një plan të parapërgatitun në zyret drejtuese të Genocidit kunder Klerit Katolik Shqiptar pranë KQ të PKSh, aso kohe të instruktuem nga jugosllavët, edhe pse Don Luigj Prennushi nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Prennushët e siperpermendun.
Plot 65 vjet janë ba që u vra Ky Martir i pafaj i Kishës Katolike Shqiptare!
Po sa të pafajshem si Don Luigji ka vra Enver Hoxha me veglat e tij terroriste?
As nuk ka me u tregue asnjëherë e verteta e 45.000 të vramëve, të zhdukunëve, të dhunuemëve, të masakruemëve, të vdekunëve ndër hetuesi apo interrnime... perderisa as nuk bahet fjalë për Genocidin që Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kanë krye kunder Klerit Katolik Shqiptar dhe Atdhetarëve që punuen per një Shqipni Europjane.
Heshtje...Mbulohen krimet dhe vrasjet e 47 vjetëve komunizem...
Fjala “Genocid” në kartat nderkombtare “nuk perkon”me krimet në Shqipni!
Vrasjet janë ba, po janë të kryeme tashma...”Nuk mund të ngjallim të vdekunit!”
Kush ma shumë e kush “aspak”...po “të gjithë Shqiptarëve” u janë vra njerëz...
***
“Dosjet” nuk kanë si hapen...se po afrohen edhe zgjedhjet...
Turp per Presidentin, Kuvendin Popullor dhe Qeverinë “demokratike”...

Nuk e shkrova në fund Shqiptare, se ndoshta fyhen!!..

Melbourne, Janar 2012.

Ju nuk keni të drejtë të shikoni skedarët që i janë shtuar këtij postimi.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
6 SHKURT 1967: “REVOLUCION…A PO…”
“MADE IN CHINA”
Pjesa e Dytë

Imazh

Dolores Ibaruri, në vitin 1962, në Konferencen e 82 partive komuniste në Moskë tha: “Diskutimi i Hoxhës ngjan me qenin të cilit i japin bukë, kurse ai kafshon dorën e atij që e ushqen! ...” (Theksimet e nenvizimet janë të FR)
1966, amerikani Harold Uajzberg: “Vrasësi tipik e shikon veten si ndonjë hero.”
N.S.Hrushov: “Pikrisht kështu ka kenë tek né në kohen e Stalinit. Ai zhdukte gjithë kuadrot e hershme e populli thërriste: ‘Rroftë Stalini!’. Liderat shqiptarë nisen nga idea se Populli asht turmë. Ai duhet mbytë në frikë, tue e nënshtrue me kërcënime. Kështu vepron edhe Mao Ce Duni.”
Komunistët kanë inaugurue terrorizmin në masë si mjet qeverisje.
Mbas fjalimit “programatik” të 6 Shkurtit 1967, PPSh dhe personalisht vet Enver Hoxha, udhëzon, drejton dhe kontrollon punën e organeve të sigurimit të shtetit. Çdo vendim del nga Byroja Politike e KQ të PPSh, shpërndahet në rrethe dhe zbatohet nga komitetet e partisë, që kanë në varësi sigurimin e shtetit dhe organizatat tjera terroriste.
Vetë terroristi Enver Hoxha, në “veprën” e tij nr. 19, tregon se primare per té asht depersonalizimi i njeriut, tue e çveshë ate nga “e drejta me besue në Zotin”, me arrijtë me e ba instrument të sigurimit të shtetit në sherbim të PPSh, për shpartallimin dhe varrosjen perfundimtare të Identitetit Kombtar, shemtimi ma i madh i këtij “Revolucioni”, që sot “dr. prof dhe akademikët e RPSSh” nuk e konsiderojnë endè Genocid i Shqiptarëve.
Me daten 6 shkurt 1967, Enver Hoxha në “Fjalimin Programatik” për thellimin e “Revolucionit socialist” mbi bazen e “mësimeve të panderprera proletare të PPSh” synon në të gjitha fushat e jetës politike, shoqnore, historike, kulturore e arsimore me ba spastrimin e shoqnisë Shqiptare nga të gjitha “mbeturinat e vjetra”, tue ndjekë këte rrugë:
■Dhunimi i identitetit kombtar, tue fillue nga Gjergj Kastrioti –Skenderbeu, i cili nga “dr.prof e akademikët” quhet “Skënderbeu Gjergj Kastrioti” (fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSh, Tiranë 1985 fq. 964 e vazhdohet: “Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh që udhëhoqi luften për pavarësi kunder pushtimit osman, ...një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV...”
■Dhunohet e drejta zakonore Shqiptare, ku perfshihet “Kanuni i Skenderbeut”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”... që ruejten kenien e Popullit Shqiptar nder shekuj, gjuhen dhe kulturen e tij. Pasuen brez mbas brezi tiparet Shqiptare: Besë, Burrni, Bujari.
■Dhunohet Nderi i Shqiptarit, qё ruen dhe trashigon vlerat e Familjes Shqiptare.
■Dhunohet në Vaun e Dejës, në vitin 1967 Kisha ku asht kunorzue Heroi ma i madh i Kombit Shqiptar, pikrisht në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Tij.
■Dhunohet Opera e “Skenderbeut”, me zhdukjen e kompozitorit Prenkë Jakova.
■Dhunohet “Kanuni i Skenderbeut” me dënimin me vdekje të Don Frano Illisë.
Imazh

■Dhunohet në Kuvendin e Françeskanëve Troshan, vepra e artit, pikturë me vaj, per Gjergj Kastriotin, e cila, vidhet nga Galeria e Arteve në Tiranë, me leje nga shteti.
■Dhunohet Dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë Kombtare në 1912.
■Dhunohet “Kushtetuta e RPSh” e hartueme nga vetë shteti komunist në 1946.
■Dhunohet gjuha Gegnishte Shqipe me kongresin e “Drejtshkrimit” në 1972.
■Dhunohen letersia dhe artet, arrestohen dënohen dhe vuejnë nder burgje e kampe shfarosje ata që mendohet se në kokë ruejnë të tjera ide nga ata socialiste e komuniste.
■Dhuna në letersi e arte merr trajtën e plotë të “realizmit socialist” mbas plenumit të KQ të PPSh në qershorin 1973, kur vendoset edhe “spastrimi” i teksteve shkollore nga disa “mbeturina” të letrarëve dhe shkrimtarëve të Gjuhës Gegnishte Shqipe të Veriut.
■Dhunohet shkolla shqiptare mbas fjalimit të Enver Hoxhës, me 7 mars 1968 per “revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës”, aprovohet rruga“revolucionare” me ligj nga plenumi i VIII i KQ të PPSH, në qershor 1969, ku shenohet: “Qellimi perfundimtar i shkollës nuk është marrja e diplomës e mbarimi i universitetit, por për t’i shërbyer atdheut e socializmit ku të jetë nevoja. Në qender të të gjithë procesit mësimor-edukativ të shkollës, si shtyllë e paluajtshme kurrizore u vendos boshti ideologjik marksist-leninist.” “Dr. prof. dhe akademikët” tanë e dijnë ma mirë se unë se “ku kishte nevojë PPSh...”, mbasi shumica vazhdojnё me “ato detyra” edhe sot...
■Dhunohet e drejta e Shtetit të Pavarun nga PPSh dhe tirani E.Hoxha.
■Dhunohet e drejta Kushtetuese...e mbrojtjes së të “pandehurit” nga avokati.
■Dhunohen të drejtat civile të qytetarëve që perfshihen në “Luften e Kllasave”, tue humbë të gjitha të “drejtat e liritë njerëzore dhe qytetare”.
Ata u përkasin vetëm “atyne” me “të drejtat socialiste”. Si pasojë:
■Dhunohet e drejta me vazhdue shkollat e nalta pa u “aprovue” nga PPSh.
■Dhunohet e drejta e mbrojtjes së titujve “dr. prof, akademik, jurist,”...
■Dhunohet e drejta e krijimit të familjes pa miratimin e PPSh...
■Dhunohet e drejta e punës private dhe në administraten shtetnore.
■Dhunohet e drejta e punës në arsim dhe asaj krijuese në art e kulturë.
■Dhunohet e drejta e punës kooperativiste për klerikët katolik.
■Dhunohet e drejta e perkthimeve për me trashigue në kulturen kombtare veprat e kulturës botnore. Arrestohen dhe dënohen randë perkthyesit Prof. Nikoll Dakaj, Prof. Mark Dema etj. Dënohet me burg kangtari Lukë Kaçaj, se reciton “Lahuten e Malsisë”.
■Dhunohet e drejta e pronës private dhe trashigimia nga prind të “deklasuem”.
■Dhunohen dokumentat e Gjendjes Civile per qellime “shpifje” nga shteti.
■Dhunohet e drejta e trashigimit të Tokës dhe pronës paluejtshme nga pronarë që janë të “deklasuar”, të pushkatuem etj. ose kulakë.
***
■Dhunohet e Drejta Kanonike (Kishtare). Në vitin 1951 Shteti Shqiptar detyroi Klerin Katolik Shqiptar që të mbante lidhjet me Vatikanin për çeshtjet Kanonike dhe ata të vendimeve të Konçileve të Vatikanit, vetem nëpërmjet të Qeverisë Shqiptare. Zgjedhja e Prelatëve të Kishës Katolike, do të aprovohej nga Vatikani nëpërmjet Shtetit Shqiptar.
Të gjitha ligjët u caktuen në “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”,që edhe ky, u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me datën 30 korrik 1951, nga Dr. Omer Nishani.
Me këte “Statut” nuk u pajtuen klerikët Don Ejëll Kovaçi, Don Dedë Malaj që u pushkatuen. At Konrrad Gjolaj e Don Nikoll Gjinaj, u dënuen me shumë vite burg. Don Nikoll Sheldija ishte i smurë dhe nuk firmoi, ndonse vdiq me 20 mars 1952, pa pague “vepren” antiparti. Don Zef Oroshi arratiset me 10 qershor 1952... Shugurohen Meshtar të rijё, vdesin pleqtë...arrestohet aty-këtu ndonjeni...po edhe lirohen nga burgjet shumë nga “ata” që mendohej se do të vdisnin nder kampe shfarosje nga lodhja, stermundimi dhe të gjitha mungesat tjera që nuk i lanë asgja mangut arritjes së qellimit perfundimtar...
■Me 6 shkurt 1967 Enver Hoxha shpallë haptas “Lëvizjen kunder Fesë”...
■Prof. At Zef Valentini S.J. shkruen me 1954: “Tue kenë me arsim shumë të ngritun, katolikët shqiptarë gjithmonë u patën ngjallë zili disave. Vrasësi antikatolik Hoxha e pranonte këte tue i ba nder katoliçizmit, por katoliçizmi dhe në veçanti kleri katolik ishin pengesa ma e madhe per triumfin e komunizmit.”
■Tirani anadollak Hoxha persëritë: “Çka thotë partia bën Populli!”...Asnjë veprim tjeter nuk ka të drejtë askush me ba, vetem até “çka thotë PPSh!”... Po PPSh kush ishte? – Enver Hoxha me kriminelët e tij, të byrosë politike...Hysni Kapo, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu dhe i zgjedhuni nga kriminelët e Spanjës Mehmet Shehu, si specialist masakrash per dhunimin e të drejtave të njeriut me detyrue njerzit “mos me Besue në Zotin”, dhe me eleminue Klerin Katolik Shqiptar perfundimisht tue zbatue ligjet e Genocidit komunist.
■Duhej luftue deri në zhdukje botkuptimi fetar me luftë kunder institucioneve fetare që ruenin Fenë në zemren dhe mendjen e Popullit. Ishin pikrisht Ato Kulla që ishin ngritë që në Shekullin e Parë të Epokës mbas Krishtit, nga Shen Pali në Durrës...Aty, ku “rinia revolucionare”, në shembullin e “gardistëve të kuq”, vuni “Fletë Rrufenë” e parë.
■Kryetari i Kishës Katolike Shqiptare Imz. Errnesto Çoba, me 1 Qershor 1966, kur ishte vendosë me u mbyllë Kisha e Zojës 1000 vjeçare tek Kalaja e Shkodres, i kishte shkrue një leter Enver Hoxhës, ku shenon: “Na jemi të gatshem të bajmë sakrifica per mbarëvajtjen e Atdheut, kjoftë edhe me jeten tonë!”...(Arkivi i Min. Mbrendshme 1998)
■Enver Hoxha shpallë “Shtetin e Parë Ateist në Botë”...me dekretin 4337: “Shteti nuk njeh asnjë fé dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar të njerëzit botkuptimin shkencor e materialist” Artikulli 37 i Kushtetutes RPSSh, 1976.
■Me 19 mars 1967, mbyllen perfundimisht Kishat Katolike tue fillue me Kishen Kathedrale të Shkodres. Njëheri fillon edhe dhunimi i vorrezave nder Kisha.
■Me porosi të KQ të PPSh dhe të terroristit Enver Hoxha, tek Dosja 2291. Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, prokurori i pergjthshëm Lefter Goga urdhnon:... “Hetuesit mund të përdorin torturat më shnjerëzore deri në vdekje të burgosurëve, pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurëve që mund të vdesin në duart e tyre në hetuesi.” (Prill 1967) Dhe, menjëherë fillojnë arrestimet e Klerikëve si në 1945, me At Gegë Lumaj, At Gjergj Vata, Don Mark Hasi, At Pjeter Meshkalla, Don Frano Illia, At Zef Pllumbi, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Nikoll Troshani, Don Ndoc Sahatçija, Don Zef Simoni, Don Kolec Toni, Don Ndre Krroqi, At Anton Luli, Don Gjergj Simoni, Don Nikoll Pergjini, dhe pushkatohet: Don Zef Bici, Don Mark Dushi, Don Marin Shkurti, Don Shtjefen Kurti, Don Mikel Beltoja, mbytet në fabriken e çimentos në Krujë Don Prekë Nikçi, vdes në hetuesi të Tiranës Imz. Errnesto Çoba, vdes në burg Don Lec Sahatçija, helmatiset Don Lazer Jubani, mbytet në Amerikë Don Lazer Sheldija, vdes në burg Don Pjeter Gruda...Po çka u ba me At Mark Harapin, At Donat Kurtin, Don Injac Gjoken, Don Ndue Sokun, Don Simon Jubanin, Don Mikel Koliqin etj...të cilët, janë “dosjet e shlyemjes perfundimtare të të gjitha të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nga Gjenodi komunist” i anadollakёve Enver Hoxha dhe Ramiz Alia...”
Shqipnia e viteve 1944 – 1991 asht i vetmi vend në Botë që me “Revolucionin apo Gjenocidin komunist të vitit 1967” ka krye Vetvrasje Kombtare perfundimtare!

Vazhdon...
Melbourne,30 Janar 2012.


''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
A kishte disidencë Shqipnia prej 1944-1990?, Posted 03 Shkurt 2012, 13:34
Nga Fritz RADOVANI:
A KISHTE DISIDENCË DHE DISIDENTË SHQIPNIA
Imazh
MBAS VITIT 1944 E DERI NË VITIN 1990 ?
Në 45 vjetorin e “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural – 1967 ”
Pjesa e Tretë: Mbyllje


Për politikanët e intelektualët, që shumë Shqiptarë i njohin nga titujt e tyne të zhurmëshëm “dr. prof. dhe akademikë”, e që janë pikërisht ata që duhet t’i thonin para meje dy fjalët “disidencë dhe disidentë” kur banë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, në vitin 1980, po që vazhdojnë edhe sot me paturpësi me i mohue se “Shqipëria nuk ka patur kurrë disidencë e disidentë, sepse nuk kanë ekzistuar. Kjo është një ëndërr. Ka qenë e pamundur... se as nuk mund të mendohej”…, tregon qellimin e keq të pandryshueshëm të mendsive të tyne në pseudokulturën mjerane komuniste, e cila u ka hy në palc, aqsa kujtojnë se munden me vazhdue me rrêjtë dhe me mashtrue Popullin Shqiptar ashtu si u pelqen atyne. Të mendosh dhe të shprehesh kështu, domethanë se Shqipnia nuk ka pasë asnjëherë shtet diktatorial dhe as nuk ka provue shtypjen dhe terrorin e mnershëm të “luftës së kllasave” per 47 vjet rresht panderpremje të anadollakut sllavokomunist Enver Hoxha, dhe se Genocidi dhe krimet e tij antinjerzore të kryeme ndaj inteligjencës dhe Atdhetarëve Shqiptarë nuk i perkasin kombit Shqiptar.
Ata që diktaturën komuniste sot e quejnë “ëndërr”, ashtu si mohojnë disidentët e Popullit Shqiptar kundër asaj diktaturë barbare, duhet të pranojmë pamëdyshje se janë ata bashkpuntorë të diktaturës dhe të sigurimit të shtetit të djeshem, të cilët sot, të veshun me xhybet arabe, kërkojnë përsëritjen e historisë dhe fshimjen e krimeve të kryeme deri tashti, për të rifillue në çastin ma të volitshëm edhe njëherë atë trashigimi të gjakut të tyne, që po u siguron pasuni përrallore si paraardhësve kriminelë e gjaksorë, që në gjuhën e Popullit quhet “rjepje për së gjalli”.
Pikërisht mohimi i disidencës dhe i disidentëve asht edhe një arsye tjetër e fortë që nuk hapen dosjet nga kriminelët që deri dje vrisnin e torturonin dhe sot vazhdojnë me qeverisë sikur nuk kanë ba asgja, mbasi hapja e dosjeve tё tyne tregon edhe viktimat.
Disidenca ishte ajo që pushtetarët dhe sherbëtorët e PPSh dhe agjentёt e sigurimit të shtetit të djeshem as nuk e kanë kuptue atëherë as sot Ate, se depersonalizimi i tyne dhe servilizmi ishte aq i madh, sa fjalët Atdhé, Fé, Familje, moral, dinjitet, humanizem, karakter, shoqni, vllaznim, mik, kumbarë dhe besë, burrni e bujari, tipare kёta të pandryeshueshme të Shqiptarit, i kishin zevendsue me emnat, komunist, agjent, spijun, vigjilent, internacionalist, marksist – leninst, druzhe, tavarish, gardist, komisar, terrorist e maskara... tituj që i ruejnë bashkë me teserat e PPSh edhe sot nën jastekë...
Deri në vitin 1967, kur në Shqipni u eksperimentue “Revolucioni Ideologjik dhe Kultural”, disidenca dhe disidentët ishin të pranishem kudo në shoqninë Shqiptare.
Në këte pjesë unë do t’ ju paraqes vetem një dokument me të cilin do t’ ju tregoj se ju vazhdoni me kenë pasues dhe mashtrues të pacipë, si ata që ju lanë trashigim per me vazhdue qeverisjen e pandershme dhe të paisun me të gjitha tiparet negative të cilat, me një kujtesë të veçantë, mund të permblidhen nen titullin qeverisje hajdutësh vllavrasës.
Dokumentin e disidencёs Shqiptare, nëse dishroni me e pa në origjinal, e keni në dy arkive: Në arkivin e e Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë:

Letër e At Pjetër Meshkallës S.J.
Imazh


Kryetarit të Këshillit të Ministrave Mehmet Shehu
Tiranë

Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët:“Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Me nderime
Pjetër Meshkalla, meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

Krytarit të Kësh. të Ministrave Mehmet Shehu në Kryeministri – Tiranë
5 Prillë 1967.

***
Vetëm dy faqe.....
Vetëm dy faqe janë ato, të një fletores me kuadrate, ku çdo fjalë asht: 1 + 1 = 2.
Vetëm dy faqe janë përmbajtja e një libri të pashkruem...
Vetëm dy faqe janë historia jonë e mjerueshme!..
Vetëm ato dy faqe do të flasin për vite të tana...e jo ma pak, po do të tregojnë gjithmonë në mënyrë të saktë ku kishte vojtë Populli Shqiptar e Shqipnia e Kastriotit!..
Po, po, ato dy faqe të shkrueme me dorën e Tij, do t’i tregojnë botës nëpërmjet mendjës së ndritun të At Meshkallës, se kush kje e si qëndroi në Shqipni Kleri Katolik përballë diktaturës dhe Genocidit të mnershëm komunist gjakatar gjysëshekullor që kanë ushtrue ndaj Tij terroristët anadollakë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia me PKSh (PPSh).!

Fatkeqsisht “dr.prof dhe akademikёt” tanё as kёte nuk do t’a kuptojnё, ashtu si nuk duen me dijtё se kishte apo nuk kishte opozitë e disidencё nё Shqipni dhe ndёr Shqiptarë!

Melbourne, 3 Shkurt 2012.

''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
PSHESH ME “BUK’ E MARRE”…PER DY PARE…

Reagim ndaj thekseve për gegnishte të Prof.Dr. Rashit Alidema

ImazhImazh

Thonin të vjetrit dikur: “Zot na ruej mendjen e kresë!”…
Shqiptarët që flasin, shkruejnë dhe perdorin perditë e pernatë Gjuhen Gegnishte na kenkan vetem “një grush njerëz...të shperfillun”, shkruen “dijetari” Rashit Alidema.
Kemi ra në piken e hallit me dijetarët tanë…me t’ardhë keq sesi ka shkue puna e tyne, me ba aq shumë “shkollë” (po i themi) e me shkue dam aq sa mos me iu dashtë as dreqit...kjo gja ndodhë vetem në Tiranen e Haxhi Qamilit e t’ Enver Hoxhës e në Prishtinen e serbo-turqёve. A ban me e dijte kush asht ai budallë që ka pare me tretë e ju paguen ju per me ba pshesh me “bukё e marre”? Per çudi ky edhe paska lexue citatin e Demokritit: “Shkaku i gabimit – (është) mungesë e diturisë më të mirë”. Ti si hangre këte koqe “ulliri” me vazhdue per dreq: “Gjuhës së njësuar i dolën një grusht kundërshtarësh”
Cili “grusht” Gegë asht kenë dhe asht kunder Gjuhës Shqipe të Njësueme?
Kunder Gjuhës Shqipe të Njësueme janë Toskët, ata janë edhe sot me grushta tek koka “akademikë dr. prof.”. “Mendjet e ndritura” që pollen perbindshin e Shek XX që shpartalloi Shqipninë, Shqiptarët e vlerat kombtare ishin ata, dhe jo Gegët...
Ma poshtë ju vijoni: “Pasurimi i gjuhës vjen nga pasurimi i mendimit, p.sh. fjala “atdhe”duhet përjashtuar nga letra shqipe.
Me përkryerjen tonë - në letra, shkencë, kulturë e në fusha të tjera të shqiptarëve, gjithkund ku jetojnë (edhe të disa milionave shqiptarë në diasporë- ngulime), në tërësi si komb, do të thellohet edhe përsosja e mëtutjeshme e gjuhës standarde. P. sh. fjala Atdhe, që përbëhet prej dy fjalëve – at(ë) e dhe, e para s ‘është e shqipes, po e sllavishtes – rusishtes: отец m, në shqiptimin shqip – atec, përkthimi - atë, babë; отеческий mb., - i atit, atëror; отечественный mb., - atdheu, i atdheut, i vendit; отейчество as – atdhe.
Po me çfarë fjale do ta zëvendësonim këtë? Duhet menduar, është vështirë të zëvendësohet. Më parë të hiqet nga Fjalori. Të jepen disa propozime për zëvendësimin e saj. Ndoshta më së miri do të ishte – Shqipëria, por kjo shënon emrin e shtetit, është e pamundur. Unë për këtë do të shtoja: tokaenënës, tokanënës, tokënënë, dheuinënës, dhenënë....”
Asnjeni prej këtyne të “dijtunëve” nuk na sjell edhe një shembull tjeter në një shtet të pakten nga Arabia apo Azia ku asht vendosë gjuha e “njësuar” tue perjashtue prej saj Poetin Kombtar të shtetit të vet dhe as nuk dij se Gjuha e perdorun nga një poet në Shek. e XX, quhet gjuhë e vjeter dhe e paperdorëshme vetem e vetem pse Ai ishte Klerik Katolik dhe Atdhetar i flaktë. Luftuen per 47 vjet At Gjergj Fishten…Filluen me Gjergj Kastriotin e kur vrejtën se kanë hy në rrugë të pa krye… filluen me na mbushë mendjen se tashti duhet hjekë nga fjalori i gjuhës Shqipe – turke edhe fjala Atdhé…se asht ruse...
Madje ky “dijetarë”, na jep edhe variantin: “Unë për këtë do të shtoja: tokaenënës, tokanënës,tokënënë, dheuinënës, dhenënë....” – Po “Babë” a ke pasë ti o “nënëdhetarë”?
A nuk asht ma mirë me i thanë: “Nënëdhé”, “nënëtokë”, “nënëtunel”, “bunker” ...
E ku ishe ti në 1972, se tash do të kishe edhe një foto pranë “shokut” Enver?
Shqipnia asht i vetmi vend në Botë ku marrinat ma të mëdha i ndigjon nga njerzit e veshun me tituj “dr.prof. dhe akademikë”...
Melbourne, Shkurt 2012.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nga Fritz RADOVANI:
SOT: “HISTORIA, DIJETARËT, AKADEMIKËT” DHE …

ImazhImazh

Kur kam lexue librin “E verteta mbi raportin e Komisionit Worren” të shkruem nga Harold Uajzberg (Washington 1966) për vrasjen e Presidentit Xhon Kennedi dhe se: “E verteta e asaj vrasje do të dalë mbas 50 vjetësh nga koha e vrasjes...” kam thanë me vete: “Punë boshe...edhe 25 vjet tjera kur edhe vetë amerikanët kanë me harrue kush ka kenë Xhon Kennedi!”... Këto ditë më duket se e kam lexue dje librin...Ndigjohen zâne!!..
Mundohem mos me u shkëputë nga Historia e Shqipnisë... Lexoj e mbaj ndonjë shenim, mbasi kur ishte truni i freskët nuk kishim kushte me i lexue e pjesa ma e madhe as nuk kishte materiale ku me shfletue. Tashti që koka asht ba bardh nga bora...një pjesë e mirë e atyne që po shohim dhe lexojmë kanë fillue ma shumë me na ngri trunin akull, se me na mbetë në kujtesë... Gjithshka e shtrembnueme, deformueme, fallsifikueme e pse jo, edhe rrena apo gënjeshtra. I madh e i vogel asht çue me shlye Historinë, tue fillue nga “dr. prof.” e mejtepeve e deri tek “akademikët apo agronomët” e kohës së “patates”, kur Shqipnia pat zgjidhë prodhimin e bukës në vend tue vdekë për bukë!.. “Dijetarët” shqiptarë të periudhës së “lulëzuar” të socializmit, edhe ata që nuk ua ka premtue koha me i shkrue vetë, ua kanë lanë farës së keqe që kanë mbjellë, pjellë e kultivue në kopshtijet e shtëpijave të veta rrethue në ferrmana: Trashigimtarëve sifilitikë.
Mjaft prej tyne, të shtymë nga origjina e vet, po rropaten me nxjerrë nga fluturimet kozmike kunderthanje edhe për Jezu Krishtin, për të cilin historia botnore ka dy mijë vjet që nuk ka lanë qoshe e skutë në Botë pa hapë fronte lufte e dhune me shlye Emnin e Tij, po edhe pse të gjitha pa asnjë rezultat, vazhdojnë luften e tyne antinjerzore tue kerkue si para sa shekujsh edhe sot me dhunue mendjen, logjiken, arsyen, faktet dhe të Verteten Historike! Predikuesit e Tij u ndoqën e ndiqen si në kohen e Paganizmit!
A vetem kaq? – Jo! Edhe kush ishin Ushtarët e Tij! – Idhujt e Historisë së Epokës mbas Krishtit! Pra edhe Ata duhen zhdukë! E fillojnë luften kundër Gjergj Kastriotit!...
Ma të Madhit Shqiptar që njeh Historia Botnore! Atit të Kombit Shqiptar!
Asnjeni nuk lexon asgja ma shumë se marksizem – leninizmin, apo historinë e asaj kohe të mnershme të Shqipnisë Europjane kur ishte nën zgjedhen turke. Asnjeni sot nuk arrinë me kuptue pse humbi Napoleon Bonaparti? Pse u fshi nga historia teoria e materialistit Marksi apo e majmunit Engels! Asnjeni nuk sheh podrumet e shteteve ma të shpartallueme nga idetë e tyne të mbushuna me bustet e monumentet e diktatorëve Lenin Stalin e Mao... Harrojnë Shqiptarët Kryeqytetin Tirana tue tërhjekë zvarrë terroristin e shekullit XX - E. Hoxhen! Asnjeni nuk kujton 13 Dhjetorin 1990 në Shkodër...
Por vazhdojnë me kërkue ndër letra çka me shkrue kundër Figurave të Lavdishme të Ibrahim Rrugovës e Nanë Terezes! Atëherë kur Ramiz Alia vazhdon me u zgerdhi...
Shtetet e Europës shikojnë per çudi nga Tirana e Prishtina, Bosnja apo Shkupi... e me gota wisky përpara “Urojnë shpërbamjen e Shtetit Shqiptar..!” – Po shkatrrohet edhe një nga qendrat ma të vjetra anadollake që kishim në Europë...!! Shkojnë e vijnë nëper Ballkanin e terratisun nga ideologjia sllavokomuniste e islamike personalitetet turke dhe iraniane, apo arabe, dhe menjëherë mbas tyne fillojnë si mbas pagesës me llomotitë nga Tirana e Prishtina në TV politikanët me ibrik në dorë: “E duam Europen si Turqia!”...
Në dukje fqinjtë heshtin, po terbimi dhe histerizmi i turmave të drogueme nga maruane afgane ua ka plotsue një dëshirë të vjeter sa vetë anmiqsia e tyne gjithnjë në gjak e pashueme ndaj nesh: “Ja, ky asht Populli kot Shqiptar!”.
Shoh foto dhe turma tue perurue Xhamijat e Mustafa Pashës në Maqedoni apo Sinan Pashës në Kosovë... dhe mendja më fluturon tek 1967 kur eksplozivët zberthenin e hidhnin në erë Kishen Monumentale të Vaut të Dejes (ku mendohej se asht kunorzue Gjergj Kastrioti), që me sa pasion e knaqësi e shpjegonte kandidati i komitetit qendror të PPSh, osmanlliu Fadil Ymeri, shkatrrimin e Saj... dhe “vullnetarë” me lopata e çeskija, si në kohën e Turqisë, tue sheshue vendin e tue rrafshue me tokën e lame me gjak afresket e Saja shumëshekullore!...E aksionet e rinisë anadollako – komuniste vazhdonin...
Dëbohet nga zyret e Shtetit që Themeloi vetë Atdhetari i Madh Dr. Prof. Ibrahim Rrugova, Presidenti ma i Nderuemi i Kosovës Martire... e pse? As nuk do të kishe dijtë me e gjetë me mend mos të ma thonte në vitin 1999 në Tiranë një Mik i Tij: “Nuk e duan Rrugoven, se ka punuar gjithë jeten e Tij per Bogdanin!”... Dhe unë ju përgjegja: “Edhe Rrugova po ia shihka sherrin Klerit Katolik!”. Dhe me të vertetë ashtu ndodhi...pa kalue pak vite! Djemët e Enverit, të mbledhun në Zvicerr, shperndahen ndër trojet Shqiptare dhe të çveshun nga uniformat e PPSh dhe spaletat e sigurimit turkoshak të Ramiz Alisë, spijunit veteran të UDB dhe KGB, marrshojnë me gabelë e “muhaxhirë” drejtë selive të sulltanëve të vjeter me veshë çallmat e reja ku “ylli partizan” zevendsohet me “yllin me hanë”... ishte pikrisht ai “yll” që robnoi Shqipninë e Kastriotit dhe sot thonë se “na solli edhe lirinë e humbur në vitin 1912...”
Xhonturqit e Shqipnisë së Re të shek. XXI ... po vijnë!” E ndokush pyetë:
“Çka bajnë Shqiptarët?... Hanë fiq e kastraveca,
E pijnë mastikë, e qesin petulla n’ ujë;
E ngrihen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrinë tue këqyrë udhës ushtarët e huej
Pale e kanë kësulen qyp ose kapelë,
A e ka uficiali kalin at a pelë...”
“Çohuni, të vdekun!”, thonte At Gjergji i Ri...
Çohuni, bré se ka vdekë Një Shqipni!...

Po Kleri i sotem Katolik çka thotë? – Asht zanë me librin... “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkoder ase Rrethimi i qytetit 1912 - 1913”... As nuk arrijë me kuptue se pse i ka quejtë ato ditë “ditët e mbrame” kur ato janë tue vazhdue edhe tash!
Esad Pashë Toptani paska vra tradhëtisht Hasan Riza Pashen...se donte me ngritë edhe Ky Flamurin Kombëtar! Po sa vetë ka vra Enver Hoxha për Atë Flamur,.. na duhet me ndejë tue lexue me ditë të tana bre Burra... Emnat e Tyne pothuej të “harruem”!
Shkrueni bre haptas: Çka thonte Ramizi me presidenta e kryeministra tё sotem e tё djeshёm per “demokracinё” dhe “hiqni mendjen prej 20 shkurtit 1991!”
Edhe unë tue lexue materialet e Tyne harroj... zhytem ndër ngjarjet e atyne viteve, e arrijë dalngadalë deri aty kah viti 1920...
Aq torollosem, sa kujtoj se kam me lé prap edhe mbas 20 vjetësh të tjera...
Kaq “bukur” e aktuale tingllojnë sot ato ngjarje makaber...
Rêtë janë mbi Tarabosh!..
.

Melbourne, 13 Shkurt 2012.


''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 8 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 25 Shkurt 2021, 19:12
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari