A FITOHET PUNA EDHE ME JOSHJE SEKSUALE NGA SHEFAT?

Te njihemi me njeri-tjetrin dhe te shohim qe se si nepermjet fjaleve transmetohet karakteri dhe personaliteti jone shoqerise virtuale qe kemi krijuar mbas nje monitori pc por dhe mund te shnderrohet ne realitet.

Moderators: Laert, I-AMESHUAR

A FITOHET PUNA EDHE ME JOSHJE SEKSUALE NGA SHEFAT?

Postby Laert » 10 Aug 2009, 23:00

Ngacmimet seksuale në zyra. 'Shefi më bën dhurata'
Image

Sot thuajse e kemi harruar nga vala e skandaleve që na vijnë përditë në vesh, por kanë kaluar vetëm pak muaj nga koha kur një ministër u kap në flagrancë duke bërë avanca seksuale ndaj një aplikanteje për punë. Por, administrata e shtetit është vetëm njëra nga vatrat e ngacmimeve të tilla, ku favoret seksuale kërkohen në këmbim të zënies apo mbajtjes së vendit të punës.
Edhe pushtete të tjerë janë po kaq të infektuar. Më ironikja është që vetë Drejtësia, aty ku viktimat e mundshme mund të kërkojnë shpëtim, ka raste të shtuara të këtyre ngacmimeve në administratën e saj.
Rasti që do sjellim këtu i përket një gjykate. Për të mbrojtur vajzën që pranoi të fliste me ne, jemi të detyruar të mos sjellim në dije për lexuesin qytetin ku ndodhet gjykata në fjalë. Vajza, E. S. punon si sekretare e një gjykatësi.
Ajo na tregon se thuajse të gjitha marrëdhëniet e këtij lloji në administratë kanë brenda një dozë ngacmimi me sfond seksual. "Disa e bëjnë ngacmimin butë, por ka nga ata që arrijnë pa problem në kërcënime të drejtpërdrejta për pushim nga puna. Gjithçka nis me ndonjë ftesë për kafe, e shkon te drekat dhe darkat".
Vajza jonë e ka kuptuar që kënaqja e dëshirës së shefit, në fakt nuk do t'i sjellë ndonjë gjë më të mirë se moskënaqja. "Fundja, nëse ia arrin qëllimit me mua, sërish do më heqë nga puna, për të gjetur një tjetër, me të cilën të bëjë të njëjtën gjë. Edhe nëse nuk ia arrin qëllimit, prapë e hequr jam...". Ndaj, E. përpiqet të shtyjë ditët "qejfpaprishur e punëpabitisur", siç thotë ajo shprehja popullore. "Ta marr atë rrogën sa të jetë e thënë, pastaj kismet. Por, vegël seksi nuk ma ka qejfi të bëhem..."
A mendojnë të gjitha si ajo? Me sa duket jo. E. na tregon se ka edhe nga ato që e zgjedhin vetë këtë lloj "loje" me shefin e tyre, në këtë mënyrë edhe përfitojnë.
Pra, vetë E. nuk është një rast i "realizimit" të avancës seksuale, por një "qëndrestare". Ka përjetuar një situatë "ngacmimesh" qysh në muajt e parë kur ka filluar punën. E ka ndjerë veten keq për shumë ditë me radhë, madje i ka shkaktuar edhe probleme në familje. Ka më shumë se 8 muaj që punon si sekretare. Më poshtë, rrëfimi i saj, me disa shkurtime.
Si ishte kontakti i parë me punën dhe shefin?
Kontakti i parë? Më se normal. Mendoj se ishte një sjellje normale. Unë, normal, shumë e lumtur që gjeta një vend pune menjëherë pas mbarimit të shkollës. Ca vajza që njoh kanë 4 apo 5 vjet që kanë mbaruar dhe janë të lumtura të gjejnë punë dhe si shitëse, jo më aty...
Sa kohë qëndroni në punën tuaj?
Siç e ka puna e shtetit. Tetë orë duhet të qëndroj në zyrë. Në orën 8 të mëngjesit vij dhe në orën katër mund të iki. Ndonjëherë kam punë më shumë, mund të plotësoj ndonjë dosje... Qëndroj ndonjë orë më shumë se ora 4. Sido që të jetë, është punë që do e bëj unë përsëri një ditë më vonë, kështu që... Tani jam mësuar. I di edhe "hilet" punës.
Po më shefin si i keni marrëdhëniet?
Po jemi në një zyrë. Marrëdhëniet, në fillim kur erdha, vajti 8 muaj, më mori me qejf, më ndihmonte. Sillej mirë, unë të thashë... Por më vonë ndryshuan pak gjërat. Më telefononte edhe kur nuk isha në punë. Nuk ishte shumë problem në fillim, por u shtuan këto, madje në disa raste, natën, shumë vonë.
Kjo filloi të më bezdiste, se më dolën probleme me të shtëpisë. Më pyesnin, pse duhet të më telefononte pas punës. Nisa nga gënjeshtrat, jo se kishte harruar diçka apo më la një porosi... Nuk dija çfarë të përgjigjesha. Pastaj erdhi një ftesë për të dalë për një darkë. Iu shmanga duke i thënë që në darkë jam gjithmonë në shtëpi dhe e dinë. Më tha për drekë. I thashë që më dalin probleme me të fejuarin, edhe kështu, shtyje ta shtyjmë. I premtoj me të qeshur që do dalim, kur të ikin ata të mitë me pushime...
Do dalësh vërtet?
Po të doja të dilja, do dilja... Puna është ta shtyj edhe ca, për atë rrogën më shumë... Më ka bërë dhe një dhuratë, tani që u kujtova, unë e di ç'kam hequr për të gjetur një gënjeshtër, se kush ma kishte dhënë.

Njeh vajza të tjera që ngacmohen, apo u bëjnë dhurata?
Sa të duash ka. Shiko, aty është një ambient që vetëm të vish... Ata mendjen aty e kanë, tek këto gjërat kështu..., kush të ketë makinën më të bukur, kostumin më firmato, orën më të shtrenjtë.

Kur ligjin e bën Maliqi...
Në Kodin e Procedurës Penale është neni 105, i cili tregon se marrëdhëniet seksuale të varësisë janë të dënueshme, edhe kur ato nuk realizohen me dhunë. Por, në praktikë, ndëshkime të kësaj natyre nuk ndodhin, kur janë me pëlqimin e të dyja palëve, pasi nuk ka kush t'i denoncojë.
Në këto kushte, ky lloj ndëshkimi mbetet vetëm teorik. Marrëdhëniet seksuale mes shefave dhe sekretareve apo të tjera të këtij lloji në institucione shtetërore apo firma private, përfliten shumë, por në Shqipëri nuk ka një raport zyrtar që të na tregojë shifra konkrete.
Nëse do t'u referohesh statistikave për gjyqe të kësaj natyre, del në dy përfundime: ose shoqëria jonë është "e kulluar" dhe marrëdhëniet e punës tek ne janë më se rigoroze, intimiteti vartëse-shef nuk bën pjesë në moralin tonë, ose të gjitha këto ndodhin, por mbeten të padëshmuara, sepse të mbash një vend pune në këtë mënyrë, mund të jetë një kriter i rëndësishëm "profesional".

Sanksionet
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale është autorja e këtij ligji për barazinë gjinore, që përafron me vendet perëndimore.
Sipas këtij ligji, i cili është i 4 marsit të 2008-ës, ndëshkohet çdo sjellje e padëshirueshme ndaj femrave punëmarrëse, por edhe studenteve. Dhe kjo duke filluar që nga ngacmimi me fjalë ose veprime, fizike ose simbolike, me natyrë seksuale, që ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues a fyes, përbën ngacmim seksual dhe ndalohet.
2. Çdo person që shkel dispozitat e këtij ligji, dënohet me gjobë, si vijon:
(a) personi fizik, nga 30.000 deri 60.000 lekë;
(c) personi juridik nga 60.000 deri 100.000 lekë;
(d) personi fizik brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkelje, nga 30.000 deri 80.000 lekë;
(dh) personi, i cili ushtron funksion publik dhe është përgjegjës për shkelje në bazë të këtij ligji, nga 30.000 deri 80.000 lekë;
3. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, në rastet kur përbëjnë vepër penale, dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal.
Përgjegjësitë e punëdhënësit për mbrojtjen e punëmarrësit nga diskriminimi, ngacmimi dhe ngacmimi seksual
1. Çdo diskriminim, ngacmim dhe ngacmimi seksual në vendin e punës nga punëdhënësi dhe/ose punëmarrësi është i ndaluar.
2. Punëdhënësi, për të mbrojtur punëmarrësit nga diskriminimi e veçanërisht nga ngacmimi seksual, detyrohet:
a) të marrë masa parandaluese dhe të përcaktojë masa (sanksione) disiplinore në rregulloren e brendshme lidhur me ndalimin e ngacmimeve dhe ngacmimeve seksuale ndaj punëmarrësit, në përputhje me këtë ligj;
b) nëse merr dijeni indirekt ose ankesë nga një punëmarrës, i cili pretendon se është diskriminuar, ngacmuar ose ngacmuar seksualisht nga një punëmarrës tjetër, të sqarohet urgjentisht mbi çështjen dhe nëse kjo ka ndodhur, të marrë masat e duhura organizative për ndalimin e vazhdimit dhe parandalimin e diskriminimit, ngacmimit ose ngacmimit seksual dhe të aplikojë sanksionet disiplinore. Ankesa mund të bëhet në formë gojore ose me shkrim.
c) të informojë të gjithë punëmarrësit mbi ndalimin e diskriminimit, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës.
3. Punëdhënësi të vendosë rregulla për të parandaluar diskriminimin gjinor dhe për mënyrën e zgjidhjes së ankesave të bëra prej personave të dëmtuar nga akte të tilla në kontratën kolektive të punës.
4. Çdo marrëveshje individuale ose kontratë kolektive që vjen në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, është e pavlefshme.
Ndalimi i ngacmimeve seksuale në institucionin arsimor
1. Është e paligjshme për anëtarët e stafit mësimdhënës ose anëtarë të tjerë të stafit të një institucioni arsimor, çdo sjellje ngacmuese me qëllim seksual:
a. ndaj një personi që është nxënës /student në institucion;
b. ndaj një personi që ka kërkuar të pranohet nxënës/student në institucion.
2. Është e paligjshme për çdo nxënës që ka mbushur moshën 16 vjeç ose student në një institucion arsimor, të ngacmojë seksualisht:
a. një person tjetër që është nxënës/student në këtë institucion arsimor;
b. një anëtar të stafit të institucionit.
E drejta për ankim ndaj ngacmimeve seksuale
1. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të refuzojë marrjen e një ankese nga një nxënës/student, i cili mendon se ai/ajo është ngacmuar nga një anëtar mësimdhënës ose jo i stafit apo nga një nxënës/student tjetër.
2. Ankesa mund të drejtohet me gojë ose me shkrim.
3. Drejtuesi i institucionit arsimor, i cili ka marrë një ankesë, duhet të informohet urgjentisht rreth çështjes, të marrë masa për ndalimin e ngacmimit dhe të nisë një procedurë për vendosjen e masave disiplinore që parashikohen nga ky ligj.
Çfarë quhet ngacmim seksual
1. Ngacmim për shkak të përkatësisë gjinore, është çdo formë sjelljeje e padëshiruar që lidhet me gjininë e një personi dhe ka për qëllim dhe/ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal, ose krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues a fyes.
2. Ngacmim seksual është çdo formë sjelljeje e padëshiruar, me fjalë ose veprime, fizike ose simbolike, me natyrë seksuale, që ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal, në mënyrë të veçantë kur krijon një mjedis kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues a fyes.

Shekulli
10/08/2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
User avatar
Laert
Drejtues
 
Posts: 4430
Joined: 28 Jan 2009, 13:10

Return to Shoqeria jone virtuale

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest

cron