Qeveria: I merret toka kujt s'e punon.
Banorët: Do nxiten konflikte
Qeveria po përgatit një projekt-ligj, i cili parashikon sanksione për të gjithë pronarët e tokave që i kanë lënë ato djerrë. Ligji, i cili do të hartohet brenda këtij muaji nga ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe do të shkojë për miratim në qeveri. Efektet e tij do të shtrihen tek të gjithë fermerët që kanë përfituar toka nga ligji 7501.
Kjo u bë publike dje nga kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. Sipas tij, shteti do të mbajë qëndrim ndaj tokës së papunuar dhe se ajo është një dëm i rëndë i interesit publik për vendin.
Kryeministri tha se Shqipëria është një vend me pak tokë, pasi zonat malore zënë 2/3 e territorit. Kreu i ekzekutivit tha se megjithëse ka zona të mbjella në çdo centimetër katrorë, në shumë të tjera në ultësirën bregdetare dhe jo vetëm aty, ka mijëra hektarë që nuk punohen.
"Këtë tokë e kemi ndarë me ligjin 7501, një ligj që është bazuar në parimin 'toka atij që e punon' dhe 'atij që jeton aty'. Unë nuk them se do t'i marrim tokën atij që ia kemi dhënë me ligj e do t'ia japin dikujt tjetër, por kjo tokë do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë i detyruar ta japë me të dhjetë."- tha kryeministri.
Sipas tij, duke kaluar në fondin e komunës, kjo e fundit do të ketë të drejtë t'ia japë dikujt tjetër për ta shfrytëzuar dhe pronarit, që i ka kthyer shpinën tokës, t'i paguajë të dhjetën, pasi nuk mund të lihet as edhe një metër katror tokë të papunuar në vend.
"Ligji do të përcaktojë të gjitha procedurat e dhënies me të dhjetë të tokës, të cilat do të jenë transparente, jo me letra xhepi, por me opsion të hapur dhe me projekte.
E përsëris kemi shumë pak tokë. Mbi gjysmë milioni qytetarë shqiptarë jetojnë me një sipërfaqe toke për frymë jashtëzakonisht të papërfillshme. Nëse shkoni në Kurvelesh apo Mirditë do të shihni sesa tokë për frymë ka. Ndërkohë që ka fusha të tëra që rrinë djerrë. Kjo do të marrë fund",- tha Berisha.
Ai e konsideroi mëkat lënien e tokës djerrë në ultësirën perëndimore. "Ndërkohë që, nëse shikoni në kodrat midis Peqinit dhe Kavajës, do të mahniteni, sesi në majë të saj kanë punuar një parcelë edhe pse në dimensione jo të mëdha.
Po ashtu në Kuç, Progonat jetojnë me mikroparcela, në një kohë kur qindra e mijëra hektarë tokë rrinë të papunuara". Ai tha se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të luftuar varfërinë dhe varfëria më ekstreme sot është në zonat malore.
Projekti
Kalimi i tokës nga pronari tek ai që do ta punojë, duket i vështirë të gjejë zbatim. Disa fermerë shprehen skeptikë për metodën e gjetur për nxitjen e punimit të tokave në vend. Sipas tyre, kalimi i tokës në fondin e komunës dhe mënyrat e përzgjedhjes të kandidatëve për punimin e saj mund të sjellë konflikte mes palëve.
Ndërsa specialistët e bujqësisë thonë se një metodë për nxitjen e punimit mund të jetë taksimi i tokave djerrë. Në shumë zona të Shqipërisë, pronarët, që në disa raste kanë emigruar jashtë vendit, i lëshojnë tokat e tyre me qira.
Kjo mënyrë cilësohet nga ata një element që duhet shfrytëzuar nga shteti për të zbatuar një projekt më efektiv, sesa kalimi i pronës në fond komunar dhe dhënia për punim tek një tjetër nëpërmjet zyrtarëve lokalë.
Liberalizohet shit-blerja e tokës
Qytetarët me origjinë shqiptare do të kenë mundësi të blejnë toka në Shqipëri. Një ligj që pritet të miratohet brenda gushtit parashikon shitjen e tokës në të gjitha format, për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare. Aktualisht, toka në Shqipëri shitet për truall, por jo për qëllime të tjera.
Projekti u bë i njohur dje në mbledhjen e qeverisë, ku kryeministri Berisha tha se për të gjithë shtetasit e huaj me origjinë shqiptare do të përdoren si kombësia ashtu edhe origjina, sepse ka vende të cilat njësojnë kombësinë me shtetësinë dhe kjo i përjashton.
"Ndaj duhet që ligji të përgatitet me kujdesin më të madh, në mënyrë që çdo shtetas që ka nënën ose babanë shqiptar, që ka origjinë shqiptare, do të kërkoja që të mos ndiqnim vetëm linjën nga babai, por të pranojmë edhe atë të nënës, të kenë të drejtë të blejnë tokë në Shqipëri",- tha Berisha.
Ai theksoi se kjo prerogativë, brenda një kohe jo të largët, është e detyrueshme për t'u shtrirë për të gjithë shtetasit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në ligj do të parashikohet që procedura do të jetë identike si për qytetarët me shtetësi shqiptare dhe se nuk do të ketë asnjë procedurë shtesë.
Shekulli Online | 06/08/2009