Roli i baballarëve, i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm…

Prezenca e babait përmirëson dukshëm gjendjen shpirtërore të fëmijës. Depresioni, sjelljet problematike, stresi, gjendjet e luhatshme nervore janë gjithmonë në një gradë më të ulët.
Nënat dhe baballarët mund të realizojnë një mori me gjëra në emër të dashurisë, përkushtimit dhe edukimit tё fёmijёve. Duke vënë edhe njëherë në pah rëndësinë e të dy këtyre roleve gjatë rritjes së fëmijës, është e pamundur të mendosh që njëri prej prindërve të jetë më aktiv ose të mund të plotësojë mungesat e prindit tjetër. Në kohët e sotme hasim shpesh baballarë që për shkak të interesave të punës, janë shumë pak në kontakt me fëmijën. E jo të pakta janë edhe rastet kur ata shfaqen në shtëpi vetëm pasi fëmijët të jenë në gjumë. Por ditët ikin shpejt dhe fëmija rritet po aq shpejt. Ku ndodheni ju në këtë kohë? A e keni menduar ndonjëherë se çfarë keni humbur?
Në këtë shkrim vendosëm të trajtojmë rolin jetik që kanë baballarët në jetën e fëmijës. Nga kërkimet e bëra në lidhje me këtë marrëdhënie është arritur në përfundimin se baballarët e përkushtuar krahasuar me baballarët të cilët nuk e marrin tërësisht përsipër rolin që u përket, arrijnë të kenë fëmijë më të shëndetshëm në aspektin mendor, social dhe emocional.
Le ta analizojmë në detaj këtë përfundim.
Ndikimi në zhvillimin mendor
Kur po vëzhgohej pjesëmarrja aktive e baballarëve në periudhën pas lindjes së fëmijës, pikërisht nëse ata kanë ndenjur apo kanë luajtur me fëmijën e tyre, u vu re se në muajin e gjashtë foshnja ishte më e zhvilluar mendërisht, pas një viti diferenca u bë dhe më e dukshme dhe kur arrin moshën dyvjeçare, ky zhvillim është në një stad tepër të lartë. Baballarët, në krahasim me nënat, i pyesin më shpesh fëmijët “Çfarë?, ku?, si?†dhe kjo ndikon që fëmija të stimulohet të flasë më shpejt dhe të mësojë më shumë fjalë të reja.
Kërkimet që janë kryer për baballarët aktivë, të cilët i kanë fëmijët në vitet e para të arsimimit, tregojnë që këta fëmijë kanë rezultate më të larta në mësime dhe janë më të aftë si në profilin shkencor, edhe në atë shoqëror. Ky përfundim u vu re më së shumti në ato familje ku babai kishte një rol aktiv dhe marrëdhëniet mes pjesëtarëve ishin harmonike. Nëse një baba aktiv flet vazhdimisht në familje për të mirat që sjell arsimimi, do të shohim që këta fëmijë, janë ata që preken më pak nga problemet e ndryshme që mund të hasen në shkollë. Edhe në moshë pak më të avancuar do të shohim që këta fëmijë kanë synime më të qarta dhe janë në gjendje më të mirë psikologjike.
Zhvillimi emocional dhe ndikimi në gjendjen shpirtërore
Është vënë re se baballarët aktivë transmetojnë siguri në periudhën e foshnjërisë te fëmijët e tyre. Kështu, kur këta fëmijë përballen me situata të reja ose fenomene të panjohura, janë të predisponuar të përshtaten më me lehtësi, i kalojnë qetësisht situatat e tensionuara dhe janë më kuriozë për të zbuluar gjëra të panjohura. Prezenca e babait përmirëson dukshëm gjendjen shpirtërore të fëmijës. Depresioni, sjelljet problematike, stresi, gjendjet e luhatshme nervore janë gjithmonë në një gradë më të ulët. Në periudhën e adoleshencës shihen qartë frytet e një fëmijërie të shëndetshme, kur adoleshenti merr kontrollin e gjërave më butë, tregohet me tolerant, është më i susksesshëm, ka iniciativë dhe i zgjidh më lehtë situatat. Vajzat e baballarëve aktivë janë më të lumtura, ndihen të përkrahura dhe rrjedhimisht kanë më shumë besim në vetvete.
Kur babai merr pjesë në edukimin e fëmijës që në fëmijërinë e hershme, atëherë fëmija ndihet në paqe me veten, është miqësor, i besueshëm, aktiv në shoqëri dhe individ i shëndetshëm psikologjikisht.
Dashuria e babait për fëmijët është po aq jetike sa ajo e nënës dhe roli i tij mbetet i veçantë në formimin e psikologjisë së fëmijës.
Ndikimi në zhvillimin social
Përkujdesja e babait lidhet ngushtë me jetën sociale të pasur, me pjekurinë dhe sjelljen e fëmijës. Këto tipare tashmë duken qartë sapo fëmija ka arritur moshën 3 vjeç. Nga studimet e bëra është piketuar se fëmijët e baballarëve të përkushtuar janë më të shoqërueshëm, dhe janë pikërisht këta fëmijë, që duhet dhe kanë më tepër vëmendje në shoqërinë e tyre. Kjo ndodh sepse këta fëmijë kanë më pak ndjenja negative, krijojnë më pak zënka, tregohen më tolerantë dhe janë më të ndjeshëm dhe të kuptueshëm. Kjo marrëdhënie shoqërore bëhet akoma më e rëndësishme në periudhën e adoleshencës, sepse marrëdhëniet shoqërore janë tepër të mira kur marrëdhëniet baba-fëmijë kanë qenë të ndjeshme. Në rast të kundërt, kur fëmija ka qenë pre e agresionit dhe e sjelljeve të papërshtatshme atërore, rezulton të jetë më pak i dëshiruar në rrethin e tij shoqëror. Afrimiteti i babait ndikon në vendimet racionale, në zgjedhjet etike dhe në pjekurinë e sjelljeve të moralshme. Vihet re se fëmijët që kanë një baba aktiv janë më pak gënjeshtarë, depresivë dhe hiperaktivë. Në rast të kundërt, këta fëmijë nuk pendohen për gabimet e bëra, nuk e pranojnë fajin dhe nuk u binden rregullave. Baballarët që nuk pozicionohen mirë në rolin e tyre, kanë fëmijë që u zhvillohet instinktivisht vesi i kopjimit dhe gënjeshtrës, pandjeshmëria ndaj gabimeve të bëra dhe humbja e kontrollit në raste irritimi.
Marrëdhëniet mes prindërve
Studimet shkencore tregojnë qartë se marrëdhëniet e mira mes prindërve ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e fëmijës. Në rastet kur atmosfera mes prindërve është e tensionuar, me debate të shumta, dhe jo e lumtur bëhet një faktor ndikues në sjelljen agresive të fëmijës. Nëse meshkujt sillen pa kujdes dhe ashpër me bashkëshortet e tyre, fëmija gjithashtu ka një tendencë të jetë i mbyllur dhe në shumë raste i pandjeshëm. Në vazhdimësi edhe suksesi në mësime lidhet ngushtë me këtë ecuri. Në rastet kur jetohet në nje harmoni familjare dhe marrëdhëniet mes prindërve shkojnë mirë, kjo atmosferë ndikon pozitivisht në karakterin e fëmijës.
Ekuilibri mes punës dhe jetës familjare
Një ndër arsyet kryesore se pse baballarët nuk mund të përkujdesen shumë për fëmijët është se jetojnë në një stres midis përgjegjësive familjare dhe atyre të punës. Një problem tjetër mbetet orari i tejzgjatur i punës. Ky orar bën që baballarët ta ndjejnë veten nën presionin intensiv të ditës duke i detyruar ata nga pikëpamja psikologjike të mos i pranojnë fëmijët si individë dialogues dhe rrjedhimisht bëhen të paaftë t’i kuptojnë ata.
Vihet re që oraret e zgjatura dhe të çrregullta të prindërve që punojnë, stresojnë dhe keqësojnë jetën familjare, si dhe bëjnë që influenca prindërore te fëmijët të humbasë efikasitetin e saj.
Kushtet e tilla në familje bëjnë që te fëmijët të dallohen probleme sociale dhe emocionale më të mëdha. Mospërkimi i orareve të punës së prindërve me oraret e shkollës së fëmijës ndikon edhe te prindi duke shkaktuar probleme psikologjike.
Si mund të jetë një baba i përkushtuar?
Baballarë të përkushtuar janë ata baballarë të cilët kanë një dialog të përhershëm dhe shpenzojnë kohë me fëmijët e tyre (hanë së bashku, e shfrytëzojnë kohën e lirë së bashku, si për shembull: lexojnë libra, luajnë etj.) dhe kur fëmijët kanë nevojë për ta, ju gjenden gjithmonë pranë.
Baballarët e përkushtuar jetojnë bashkë me fëmijën e tyre
Baballarët e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj fëmijëve, janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin fëmijën e tyre si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme me fëmijët e tyre.
Baballarët e përkushtuar e kryejnë rolin e babait më së miri
Rolin e babait e kryejnë më së miri dhe plotësisht të gjithë ata baballarë të cilët janë të përkushtuar. Këta baballarë, me sjelljet e tyre demokratike, u krijojnë kushte të përshtatshme fëmijëve të tyre për të fituar aftësinë e të drejtuarit dhe kontrollit të vetes, i mësojnë ata dhe i bëjnë të aftë të marrin përgjegjësi, i mbështesin në shkollim dhe kujdesen për të gjitha nevojat e tyre gjatë shkollës.
Foleja Familjare / TOK
2009-08-26