Te njihemi me njeri-tjetrin dhe te shohim qe se si nepermjet fjaleve transmetohet karakteri dhe personaliteti jone shoqerise virtuale qe kemi krijuar mbas nje monitori pc por dhe mund te shnderrohet ne realitet.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
ERDHE PRANVERA, VERA te 2010, POR NUK E BESOVA...!
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Nese keni vendosur te kaloni pushimet kete vere ne brigjet e ujerave dhe plazheve shqiptare, zgjidhja nuk duket fort e pagoditur. Nga pikepamja mjedisore, kete vere duket se do te kemi plazhe dhe ujera me te pastra se vitet e meparshme. Ministria e Mjedisit jep garancise se nga Velipoja deri ne Ksamil, Shqiperia ofron plazhe, ujerat e te cilave per nga niveli i ndotjes mbeten brenda parametrave te Organizates Boterore te Shendetesise.


Jo vetem per shqiptaret por edhe per te huajt, kete vit turizmi shqiptar do te ofroje me shume. Kjo duke filluar qe nga uji i paster, rera dhe ambientet perreth, masa te marra keto jo vetem nga pronaret e plazheve private por edhe nga pushteti vendor. Nga ana tjeter titullaret me te larte te Ministrise se Mjedisit tregojne edhe monitorimin qe eshte bere per kete vit.


Sipas zv/ministrit Aleksader Garuli, ne gjithe vijen bregdetare nga 72 stacione monitorimi vetem 3 pika, rezultojne me ngarkese bakteriale me te larte sesa niveli i lejuar. Gjithsesi, sipas Garulit ato nuk jane zona plazhi dhe perkojne me pikat e derdhjes se mbetjeve urbane. "Keto zona i hasim kryesisht ne bregdetin e Durresit, por qe nuk jane zona ky behet plazh, por kane te bejne me vendgrumbullime te mbeturinave. Keto te fundit shkaktojne edhe ndotjen e ujit", ka pohuar Garuli.
Sipas tij, nderkohe vlen te theksohet se plazhi i Velipojes, Shengjinit, Dhermiut, Himares, Borshit, jane plazhet me te pastra. Ministria e Mjedisit u ben apel te gjithe qytetareve, te cilet do te pushojne ne bregdetin dhe plazhet shqiptar, te ruajne me fanatizem ambientin, pasi vetem ata rrezikojne te jene faktori ndotes per kete stine. Nderkohe per sa u perket investimeve, behet publike se vitin e ardhshem do te filloje ndertimi i kolektoreve te cilet do te mundesojne pastrimin e ujerave nga ndotjet e ndryshme, kryesisht nga ndotjet e zeza. Deri me tani i vetmi kolektor i ndertuar eshte ai i Liqenit te Ohrit, i cili ka pastruar ndjeshem ujin e ketij liqeni.


ImazhImazh
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Erdh' pranvera! Por unë nuk'e besova ...
Imazh

(Kujtime rreth Festivalit XI në Radio Televizionin Shqiptar)

(Një prej këngëve të Festivalit XI, ajo e titulluar “Erdh’ pranvera!”, interpretuar nga këngëtari i njohur shkodran, Tonin Tërshana, bënte aluzion për ardhjen e një flladi “pranveror” të shumëpritur nga njerëzit. Por, me të drejtë, me një “profeci” rrënqethëse, autori i tekstit të saj, Xhevahir Spahiu, do të vijonte me refrenin: Por unë s’e besova... Në fakt, siç treguan edhe ngjarjet e mëpasme, ajo “pranverë” imagjinare liberalizmi që vendi përjetoi për fare pak kohë, do të ndiqej nga një dimër i ashpër polar, i cili do të shoqërohej me një fushatë të dhunshme, të egër e të frikshme, kundër gjithçkaje të huaj, të bukur, intime e njerëzore).
Vasil Qesari

Ishte fund dhjetori i vitit 1972. Në Çorovodë mbërrita mbasi kisha bërë tetë orë udhë në këmbë, nëpër pyje, gryka e përrenj. Nga fshati i thellë malor i Backës, ku punoja mësues, kisha përshkruar mes borës, Potomin, Qafën, Zogasin, e, rreth orës shtatë të mbrëmjes, kisha mbërritur në qytet. Mbasi mora pak veten duke kthyer një konjak dopio tek “Kafe Skrapari”, nxitova në hotelin e vetëm të qytetit.
- Vende s’ka! - më tha prerë hotelxhiu, një ushtarak i dalë në pension. Dola jashtë e ndenja ca çaste në verandë. Nata qe e rëndë. E zezë pis. Qyteti i vogël dhe i heshtur qe zhytur nën një brymë të dendur e të akullt, e cila zbriste që lart nga malet me borë të Tomorricës, së bashku me ujërat e vrullshme të Osumit.
Po tani, si t’ia bëja? Ku të veja mes atij acari!?... Për fat, mendja më shkoi tek një shoqe arsimtare nga Vlora, e cila punonte si kujdestare në konviktin e të vetmes shkollë të mesme në qytet. Vendosa të shkoja ta takoja! Ajo mund të më ndihmonte. Mjaftonte të fusja kokën diku, s’pretendoja më tepër. E ashtu bëra. Vajta në konvikt e, mbasi u përshëndetëm miqësisht, i qava hallin.
S’ka problem! - më qetësoi, - Punë që rregullohet! Për fat, sonte, një nxënës nga Gjerbësi ka shkuar në shtëpi e krevati i tij është bosh. E, përveç kësaj, e di që je edhe me shans? Ke për të ndjekur natën e fundit të festivalit. S’ka pak ditë që, me ndërhyrjen e sekretarit të parë, seksioni i arsimit na ka blerë një televizor, të cilin e kemi instaluar në mencën e konviktit...
Qenkam vërtet me fat, thashë me vete. Ndjehesha i lehtësuar dhe i gëzuar. Problemin e fjetjes e kisha zgjidhur e, tani kisha dhe privilegjin të ndiqja Festivalin XI të këngës. Dhe qysh, pa?! Nëpërmjet ekranit të televizorit... Ndërkohë që, gjithë të tjerët e ndiqnin atë, vetëm nëpërmjet radios. Sepse, si kudo, dhe në Çorovodë, nuk kish më tepër se tre a katër familje, të cilat kishin televizorë.
Zbrita poshtë në mencë e, sa hyra brenda, ndjeva erën e athët të bukës së fermentuar përzier me frymën e ngrohtë të rreth dyqind djemve e vajzave që kishin zënë vend nëpër stola. Salla qe mbushur plot e përplot. Televizori ishte instaluar në një kënd të mencës, brenda një lloj dollapi me çelës, kanatat e të cilit qenë hapur plotësisht. Zura vend, aty nga radhët e fundit, e ndeza një cigare. Transmetimi i festivalit nga salla e Teatrit të Operas në Tiranë sapo kish nisur. Spikerja po prezantonte orkestrën e interpretuesit, të cilët ishin në përgjithësi emra mjaft të njohur.
Këngët nisën të ndiqnin njëra-tjetrën. Pranë meje, dy vajza lëviznin vithet, sipas ritmit të tyre. Shumë shpejt edhe mua më pushtuan emocionet. Sa festival i bukur! Çfarë skene! S’më besohej që po zhvillohej në Tiranë, po diku tjetër. Larg, në një vend të pa përcaktuar. Diku, ku s’kishte censurë, klishe, zymtësi, ndrojtje e frikë. Ndjeva ngazëllim e, njëkohësisht, habi. Festivali ndryshonte, si nata me ditën, në krahasim me ata të viteve të kaluar.
Për një çast, u shkëputa nga imazhi i ekranit e pyeta veten: Çudi?! Si qe e mundur që autoritetet të lejonin një festival të tillë, aq modern? Por meloditë s’më lanë të reflektoja. U zhyta përsëri në kënaqësinë time. Për herë të parë po dëgjoja këngë të tilla plot rritëm. Këngëtarë që s’rrinin, si zakonisht, të ngrirë e palëvizur para mikrofonit. Orkestrime krejt origjinale. Për më tepër, shumica e teksteve, (e kjo, për herë të parë në historinë e festivaleve të gjeratëhershëm), flisnin për dashurinë, ëndërrat, shpresat, detin, pranverën. Për Partinë dhe ndërtimin e socializmit, kish a s’kish, katër a pesë këngë.
Po këngëtarët?... Ato ishin veshur bukur e me shije. Me flokë të krehura sipas modës. Të stolisura me bizhuteri e të grimuara fort. Nën dritat e projektorëve dhe efekteve speciale të regjisë televizive, ato dukeshin të magjishme. Ndërkohë, nëpërmjet ekranit, vura ré dhe një element tjetër i cili m’u duk tepër origjinal. Në rrethe kryesore të vendit qenë ngritur zhuri të posaçme, të cilat, nëpërmjet lidhjeve direkt me regjinë në Tiranë, (ashtu si në festivalin italian të “Sanremos”), jepnin vlerësime për kompozimet dhe interpretimet e këngëtarëve.
O perëndi?! Ai festival ishte një mrekulli e vërtetë!...
Duke përfituar nga pushimet shkollore të janarit, mbasi kalova festën e Vitit të Ri pranë familjes, shkova në Tiranë. Kish kaluar më tepër se një vit që isha diplomuar e punoja si mësues në një vrimë të humbur të Skraparit. Ndjeja mall për miqtë, fakultetin, rrugët e rrëmujën e kryeqytetit. Ajo periudhë ndarjeje me jetën studenteske, (plus, trishtimin e rraskapitjen, aty mbrapa diellit, ku më kishin degdisur), më dukej si një jetë e tërë e kaluar në burg.
Kisha përshtypjen e hidhur se, gjatë asaj kohe, kisha humbur jo vetëm shumë gjëra të shtrenjta, por edhe gjithçka të dashur e të bukur, për të cilat ia vlente të jetoje. Në thellësi të qenies ndjeja se isha flakur qëllimisht, tamam si leckë. Pikërisht, për të më dërrmuar e vrarë. Për t’u harruar. Për të humbur një herë e përgjithmonë, atje larg, mes malesh. Kështu, pra, në kontrast të plotë me ato vizione, mendime e dhimbje shpirtërore, Tirana, mu shfaq edhe më e bukur, më e gjallë e më e civilizuar se kurrë ndonjë herë tjetër...
Ato ditë që ndenja aty, kudo që shkova, në familjet e të afërmve, në shoqëri me miq e të njohur, dëgjoja të flitej e të diskutohej vetëm për Festivalin XI. Shumë e vlerësonin dhe e cilësonin të mrekullueshëm. Por, kish që thoshin se, ai qe thjesht një imitim banal i “Sanremos”. Se, televizioni nuk ish në binarë e se, me veshjet e paraqitura nga këngëtarët kish reklamuar modën e huaj etj. Madje, në një familje dëgjova se vetë shoku Enver, nuk e kish pëlqyer festivalin dhe se, Partia, shpejt, do të merrte masa për organizatorët e tij.
Në xhirot që bëra në rrugën përreth Pallatit të Kulturës, të cilën studentët në zhargonin e tyre e quanin “Broduej”, vura re se modernizimi i jetës në kryeqytet, kish bërë përpara. Në një birrari, përballë gjellëtores “Tymi”, (ku gjatë viteve studenteske, shkonim shpesh për të ngrenë qofte e pilaf me fasule), dy çuna me kitara elektrike po këndonin “Let it be” të Beatles. Përbri, në trotuarët plot njerëz, kalonin djem që mbanin flokë e favorite të gjata, xhaketa të ngushta në bel e tek-tuk edhe pantallona blue-jeans. Vajzat, sidomos gjimnazistet, qenë bërë dhe më të hijshme. Ato i kishin prerë flokët alla-Caterina Caselli, sytë të lyera dukshëm me rimel dhe, fustanet e fundet të shkurtra, mbi gjunjë.
Në malin e Dajtit qe instaluar një përforcues i televizionit italian e, shumë të njohur më thanë se, shpesh mblidheshin mbrëmjeve te miqtë a fqinjët që kishin televizorë, për të ndjekur si në kinema emisionet me prezantuesin e njohur Mike Bongiorno, Rischia tutto, Lascio o radoppio a varietetë muzikore të mbrëmjeve të shtuna Canzonissima e Senza rete. Instalimi i përforcuesit të televizionit italian dhe ndjekja e lirë e emisioneve të tij, ajo atmosferë tolerante dhe e ngrohtë dukej se kish sjellë në jetën e njerëzve një fllad të ri. Një erë të këndshme, aromën e së cilës edhe pse qe endé janar e lulet mungonin, e ndjeje gjithandej.
Atë fllad, dhe pse ndodhesha shumë larg jetës së kryeqytetit, e kisha ndjerë në distancë edhe unë, aty në fshatin malor të Backës. Aty, mes ditëve të trishtimit, vetmisë e varfërisë ekstreme të nxënësve të mi të vegjël. Atë vit, Radio-Tirana, qe për ne i vetmi argëtim. Mbas transmetimit për herë të parë të festivalit të këngës në “Eurovision”, ajo kish vijuar me një emision tjetër të ri, ku për çdo pasdite, transmetoheshin muzikë e këngë të huaja. Tekstet e tyre, madje, së pari përktheheshin nga folësja në shqip, e pastaj jepeshin në gjuhën e tyre origjinale.
Po ndodhte ajo që as mund të mendohej...
Radio-Tirana transmetonte këngë të huaja që gjer atëherë ishin të ndaluara. Këngë, dëgjimi i të cilave, pak kohë më parë, ish plot rreziqe e pasoja. Variete italiane e angleze, muzikë e lehtë e pjesë “pop”, “beat” e “rock”. Shumica e tyre qenë marrë nga repertori i festivalit të fundit italian të “Sanremos”. Të tjerat, ishin këngë të njohura të Minës, Celentanos, Reitanos, Solos, Morandit, Cinquettit. Po, edhe të grupeve të dëgjuara e me famë botërore, si Beatles, Rolling Stones, Bee Gis, Abba, Aferdite Childs etj ...
Ç’po ndodhte kështu në Tiranë e krejt vendin?… Jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe shumë kuadro e militantë të Partisë, ndjeheshin të shushatur e nuk dinin të jepnin shpjegime. Njerëzit pyesnin me dyshim: A qe e vërtetë se, ato lëshime, bëheshin me orientim nga lart e me dijeninë e Udhëheqjes? Mos qenë ato, vallë, shenjat e para të një kursi më tolerant, i cili mund të sillte me lezet, një afrim gradual me Perëndimin? Apo, ndofta, një tentativë e kujdesshme për të dalë nga izolimi, duke dhenë sinjale që linin të kuptohej se edhe ne ishim pjesë e Evropës? Apo, mos qe diçka, krejtësisht tjetër?... Thjesht një tatim pulsi. Një tentativë e çmendur e një pjese të inteligjencës e rinisë së moderuar të sektorëve të artit e kulturës? Apo, rezultat i presionit të antikonformizmit, i cili kish nisur të shfaqej në një shtresë të caktuar të shoqërisë, e që s’pranonte dot rregullin totalitar për të jetuar pa kurrfarë individualiteti? (Zhveshur nga çdo lloj ndjenje intime. Nga uni personal. Në kundërshtim me orientimet e propagandës intensive të Partisë, e cila fliste pa pushim për triumfin e shpirtit kolektiv, kundër individualizmit mikroborgjez e gjithçkaje që kish të bënte me botën e lirë shpirtërore të njeriut?! )
Por, cilët ishin, konkretisht, ata intelektualë që do të dëshironin të dilnin nga zgjedha duke rrezikuar aq shumë? Kush qenë ata që, me guxim, kishin zgjedhur rrugën e antikonformizmit?
Së pari, sipas mendimit tim, ata ishin një numër i kufizuar personash që kishin edhe karakteristika të veçanta. Pjesa më e madhe e tyre, qenë njerëz të fushave të artit e kulturës që, sipas mundësive e rasteve që u krijoheshin, përpiqeshin t’u shmangeshin normave të ngurta konform moralit në fuqi. Ata, edhe pse nuk e shfaqnin hapur, ishin të bindur se Shqipëria e shoqëria shqiptare, e cila jetonte jo vetëm gjeografikisht në Evropë, (pavarësisht nga orientimi i saj ideologjik), nuk mund të qëndronte indiferente ndaj civilizimit, traditave, kulturës e mënyrës së jetesës oksidentale.
Së dyti, në radhët e antikonformistëve, bënin pjesë, sigurisht, edhe shumë të rinj e të reja (veçanërisht mes radhëve të studentëve) që aspironin e ëndërronin një mënyrë jetese krejt tjetër. Më të lirë e më pak të politizuar. Jashtë sloganeve e dogmave. Jashtë tabuve ideologjike dhe propagandës absurde e aspak bindëse. (Ajo pjesë e rinisë, e cila e ndikuar kryesisht nga televizionet dhe radiot e huaja, përpiqej të mësonte e të imitonte kulturën dhe mënyrën e jetesës perëndimore. Që mbahej e vishej sipas modës. Që mësonte gjuhë të huaja, mbante letërkëmbim me jashtë apo dëgjonte muzikë moderne...)
Së treti, në kategorinë e antikonformistëve, (edhe pse kjo mund të duket krejt absurde), bënin pjesë edhe vetë fëmijët e nomenklaturës së lartë. Ata, që kishin mundësi të dilnin jashtë apo që i kishin prindërit anëtarë të KQ, ministra, drejtorë, ambasadorë a diplomatë e siguronin me lehtësi, disqe magnetofonë, kaseta me muzikë moderne, libra e revista të ilustruara, veshje të modës etj. Kështu, me a pa dashje, indirekt apo indirekt, edhe ata bëheshin kontigjent i antikonformistëve. Sepse, me mënyrën e tyre të jetesës, shijet e paraqitjen e tyre të jashtme, influenconin te të tjerët duke u bërë kësisoj, burim imitimi e përçues të ndikimeve të huaja ...
Gjithsesi Festivali i Këngës në Radio –Televizion, mbeti një ngjarje e shënuar në historinë artistike e shoqërore të viteve ’70 e më tej, jo vetëm për frymën e tij liberale që përçoi në jetën e vendit (bashkë me shumë tentativa të tjera për të modernizuar disi jetën e atëhershme), por edhe për faktin se ishte sinjali i një nisjeje së një faze tjetër represive, të egër e të tmerrshme, në jetën e atëhershme totalitare.
Tirana-Observer...

TONIN TERSHANA---------------------PJETER GACI--------------------------------------------------------PIACA ''KOL IDROMENO'' ---SHKODER
ImazhImazhImazh
[b]Tonin Tershana kendoi kengen "Erdhi pranvera", kompozuar nga Pjeter Gaci me tekst te Llazar Siliqit.( Hapa dritaren e dhomes sime/ ne kornizen e qiellit te kalter/ hyri nje dege bajame/ e mbushur me lule te bardha/ Prane meje dikush tha/ erdhi pranvera/ por une nuk e besova... Kur erdhe ti tek une/ me ata floket e verdhe/ me nje bluze te holle, zbuluar supet e njome. Kur neper syte e tu celte lule limoni/ kur neper buzet e tua pikonte er e limonit/ e besova, erdh pranvera, kish ardh pranvera...).
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Nëntor 2020, 09:20
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari