Fansat e very important people do kene gjithcka rreth jetes dhe aktiviteteve te tyre
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Prof. Lucia Nadin dhe Shkodra - Shqiperia
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Prof. Lucia Nadin dhe Shkodra - Shqiperia, Posted 06 Shkurt 2010, 18:46
A do ta vlerësojë Shkodra dhe Shqipëria prof. italiane, Lucia Nadin?
Kohë më parë, nga historianë dhe njerëz të fushave përkatëse, kisha dëgjuar se përveç Kanunit të Lekë Dukagjinit, në Veri të Shqipërisë dhe pikërisht në kryeqendrën e saj, Shkodër, në shek. XIV e mos më parë ekzistonin Statutet e Shkodrës. Edhe pse njerëz kompetentë të historiografisë i kishin kërkuar ato për shumë kohë nëpër bibliotekat e Italisë, përsëri nuk nxorën asgjë në dritë. Thonë se në kërkim të tyre u vu edhe prifti italian, At Zef Valentini, një nga njohësit më të mirë të historisë shqiptare për të cilën ai ka shkruar 29 vëllime gjatë jetës së tij. Por edhe puna e tij, si dhe e shumë të tjerëve në këtë drejtim nuk pati sukses. Ishte pikërisht profesoresha e gjuhës italiane, Lucia Nadini, e cila, duke dashur të zbulonte diçka për marrëdhëniet venediko-shqiptare gjatë mesjetës, krejt rastësisht arriti të gjente këtë thesar të fshehur në raftet e Bibliotekës Kombëtare Marziana , të Muzeut Korrer të Venedikut. Bashkë me Statutet dolën në dritë edhe shumë harta dhe dokumente të rëndësishme të vendit tonë. Statutet e Shkodrës arritën të shihnin dritën e botimit pas katër vitesh pune këmbëngulëse të prof. Lucia Nadin në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe Institutin e Kulturës Italiane në Tiranë. Për profesoreshën në fjalë ky zbulim kishte rëndësi dhe interes gjuhësor, ndërsa për ne dokumenti i lartpërmendur paraqiste një interes të madh historik. Statutet e Shkodrës përbëjnë një ngjarje tepër të madhe historike për popullin shqiptar dhe shtetin e së drejtës. Aty njihet organizimi i strukturave të Shkodrës, të cilat nuk kanë pothuajse asgjë të përbashkët me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Vetëqeverisja e këtij qyteti në këtë zbulim na paraqitet e ngjashme me atë të qyteteve mjaft të zhvilluara italiane, të cilat kishin përqafuar Rissorgimento-n (Rilindjen). Leximi dhe studimi i neneve te Statuteve të Shkodrës na bën të njohim historinë dhe botën tonë qytetare të Mesjetës dhe me të drejtë ato janë quajtur Monumente të Vërteta Mesjetare . Përveç kësaj duhet thënë se prof. Lucia Nadin ka ndihmuar edhe në organizimin e dy simpoziumeve ndërkombëtare për Shqipërinë, vend për të cilin ajo vazhdon të punojë me pasion edhe sot. Me mjaft seriozitet dhe dashuri, duke shfrytëzuar ndershmërisht dhe me kompetencë shkencore dokumentacionet nëpër arkivat italiane, kohët e fundit, ajo është shfaqur para lexuesve dhe intelektualëve shqiptarë me një libër tepër interesant, Shqiptarët në Venedik 1478-1572 . Në këtë vepër historike skrupuloze ajo na paraqet me vërtetësi dhe ngjyra të gjalla marrëdhëniet e Venedikut me shqiptarët. Studimet e këtij libri shtrihen në periudhën pas rënies së qyteteve të Drishtit dhe të Shkodrës në duart e Perandorisë Osmane. Me mjaft vërtetësi profesoresha në fjalë tregon se me çfarë dashurie, respekti dhe përkushtimi u pritën nga ana e krerëve dhe aristokracisë veneciane njerëzit e ardhur nga përtej Adriatikut, të cilët kishin luftuar me heroizëm deri në pikën e fundit të gjakut për mbrojtjen e trojeve arbërore. Ata pak burra që erdhën me rreth 1000 gra të veja dhe fëmijë të mbetur jetimë, për shkak se baballarët e tyre kishin rënë në luftë, arritën të fitonin shumë shpejt me besnikërinë dhe sjelljen e tyre respektin dhe dashurinë e mikpritësve venecianë. Këta njerëz dhe veçanërisht gratë e veja, të shpërndara në disa qytete përreth dhe të mbuluara me një kujdes të jashtëzakonshëm, u bënë shembull frymëzues për të gjithë ata që i rrethonin. Duke u ndalur veçanërisht tek gratë e veja shqiptare, Nadin thekson se aq shumë ato janë dalluar për virtytet dhe ndershmërinë e tyre, saqë fama ka mbërritur deri në ditët tona. Ato u dhanë grave veneciane shembujt më domethënës të ndershmërisë dhe një dëshmi të traditës. Është gjë e ditur, - thotë profesoresha, - se gjatë gjithë jetës së tyre ato gra kanë ruajtur një sjellje që meriton veçse lavde. Nuk kanë dhënë kurrë shkas që për to të pëshpëritet qoftë edhe një fjalë e vetme e keqe. Shembull i ndershmërisë së papërlyer, ajo është gruaja shkodrane, që edhe pas dy shekujsh mbetej simbol i ndershmërisë femërore . Së fundmi, do të thoshim se pakkush dhe sidomos autorë të huaj kanë folur me aq respekt dhe dashuri për shqiptarët, si profesoresha në fjalë. Në librin e saj, duke u bazuar në dokumente të vërteta historike, ajo ngre deri në lartësitë hyjnore gratë shqiptare dhe veçanërisht ato të Shkodrës dhe të Drishtit. Kjo, besoj, është e mjaftueshme për të shtruar pyetjen me të cilën fillon shkrimi: A do ta vlerësojë Shkodra dhe Shqipëria Lucia Nadin-in? Mbase ajo meriton më shumë se një vlerësim nga Shkodra.
Publikuar më 05/01/2010
Marre nga infoarkiv
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4571
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Prof. Lucia Nadin dhe Shkodra - Shqiperia, Posted 06 Shkurt 2010, 18:52
LUCIA NADIN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE
Imazh

Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, priti në mjediset e saj albanologen italiane Lucia Nadin. Veprimtaria mbresëlënëse e mbrëmjes së 24 tetorit 2008 u ndoq nga personalitete të jetës shkencore, kulturore dhe politike të vendit, nga studiues, gazetarë, studentë etj.

Në fjalën e përshëndetjes Dr. Aurel Plasari e quajti znj. Nadin-i mikeshë të vjetër të Bibliotekës Kombëtare. Ai kujtoi organizimin e përbashkët të disa veprimtarive shkencore mjaft të vlerësuara për historinë e Shqipërisë, si ato për zbulimin nga Lucia Nadin të Statuteve të qytetit të Shkodrës dhe promovimin e botimit përkatës të kësaj autoreje, për të ardhur te kjo veprimtari për promovimin e botimit në shqip “Shqiptarët në Venedik. Mërgim dhe integrim (1479-1552)”.

Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Dr. Tibaldi, duke prezantuar botimin më të ri të albanologes Nadini, nënvizoi veçanërisht ndihmesën e saj për forcimin e lidhjeve kulturore dhe shpirtërore mes dy popujve tanë.

Për vlerat shkencore të botimit foli z. Pëllumb Xhufi, historian dhe përkthyes i kësaj vepre. Ai dha konsiderata të larta për kontributet shkencore të znj. Nadin në trajtimin e mjaft çështjeve të historisë shqiptare, si zbulimi dhe botimi i Statuteve të Shkodrës si shprehje qytetërimi që e vendosin Shqipërinë në një pozicion të përparuar mes vendeve adriatike dhe mesdhetare. Folësi e karakterizoi botimin si një vepër të veçantë në gjininë e vet.

Pjesën e dytë të veprimtarisë e zuri konferenca interesante e Znj. Nadin me titull “Skënderbeu në Bucintorin e Venedikut”. Ajo kumtoi zbulimin e ri të saj, që lidhet me një fakt të pa vënë re gjer më sot dhe që ka të bëjë me figurën e shquar të Skënderbeut. Në Bucintor, anijen shtetërore tepër luksoze dhe me dekoracione shkëlqyese të lara në ar, në të cilën dogja i Venedikut celebronte ngjarje të rëndësishme dhe priste mbretër e perandorë, gjendeshin dy shtatore madhështore: njëra e Drejtësisë dhe tjetra e Skënderbeut, të thirrur ndonjëherë edhe “Marsi Venecian”. Konferenca u shoqërua me projektim fotosh të modelimeve të Bucintorit të shek. XVI dhe XVII. Znj. Nadini interpretoi shkencërisht faktet e kërkimeve dhe bëri konkluzionet përkatëse.
Marre nga http://www.bksh.al/
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 25 Shkurt 2021, 19:01
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari