Muzika ushqimi i shpirtit dhe i mendjes. Dedikuar muzikes se huaj dhe fansave te saj.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
70 vjetori i Adriano Celentano
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4578
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
70 vjetori i Adriano Celentano, Posted 30 Janar 2009, 19:01
Celentano, shtatëdhjetëvjeçari i pazëvendësueshëm

Lindita Komani



Imazh
Një shkëmbim mendimesh i llojit të paharrueshëm më lejon të nis: Gjithçka në jetë, brenda njeriut e jashtë tij, e ka burimin dhe fundin tek energjia. Edhe muzika. Prej diku e në mënyrë të qëllimtë ose jo asaj i duhet të çlirohet që të përfundojë diku, të shndërrohet nga një formë në një tjetër. Prej nga buron energjia që shndërrohet në muzikë e ku përfundon zinxhiri i ndikimit të saj? Një shtatëdhjetëvjeçar shërben akoma si një hallkë e artë në këtë zinxhir ndikimi. Shoqërisë, ku ai u rrit, jetoi, prej së cilës mori e së cilës i dhuroi, i njeh gjuhën, zemrën, i ndreq fytyrën, i larton mendjen. Dhe mbetet gjithherë në qendër të kohës, edhe brenda edhe jashtë njerëzve.

Adriano Celentano e quajnë, si Molleggiato e festojnë, i pazëvendësueshëm mbetet dhe në moshën shtatëdhjetë vjeçare. Ose ndoshta më shumë e pikërisht se ka hyrë në këtë fazë jete, kur e shohin të domosdoshme ta zëvendësojnë, si për të thënë që ja shoqëria ka ecur, muzika ka bërë përpara, kinematografia njeh tjetër gjuhë humorizmi, i njihet më shumë vlera.

“Hai bucato la mia vita”, këndon ai sot. Shkrihesh në dëgjim dhe energjia e çliruar shndërrohet në gëzim që mbush hapësirën, ose zemrën e njeriut, te cilit ia këndon këtë këngë, me zë të lartë a pa zë, thjesht me një përshëndetje, sipas modës më të fundit me video përmes internetit. Moderni Celentano edhe në erën e internetit. E gjen në YouTube, e gjen në MySpace, e gjen në I-Tunes, e gjen në një faqe personale me veten djalosh që të pret tek sheh me kokë gjysëm të kthyer qytetin që po shndërrohet dhe zhurmën që lëshon ai. Na ishte njëherë “Il Ragazzo della Via Gluck”, sot është “Il Ragazzo del Sud”. U kthye në origjinë këngëtari, në Puglia, në krahinën në anën tjetër të Adriatikut. Ndonjëherë nuk ka se pse të kërkosh për të gjetur përgjigje. Eshtë aq i bukur mendimi naiv, sa dëshiron medoemos të mjaftohesh me të, për shembull që emri Adriano qëllimisht dhe thjesht është i lidhur me Adriatikun, me detin që i ndan apo i lidh tokat në të majtë e në të djathtë të tij. I ndan apo i lidh, ose i ndan dhe i lidh. I lidh. Këtu na shërben t’i lidhë. Jemi në muzikë, jemi në kinematografi, jemi në shpirtin e së bukurës, jemi në dlirësinë me emrin art, jemi në tmerrin me emrin histori. Zhdukeshin njerëzit nga rrugët, vonoheshin për në punë, nuk i bënin këmbët për në shkollë, sepse do të dëgjonin një këngë prej tij, një këngë që t’iu mbeste motiv në mendje për gjithë ditën e lume, kur truri priste të bombardohej me veprat e Partisë dhe Marksizëm-Leninizmit, me frikën nga spiunimi, nga mosrealizimi i atij, të tmerrshmit, planit. “C’è sempre un motivo” këndon Adriano, si motivi që i bëri shqiptarët të rezistojnë e për rezistencën të marrin energji edhe prej këngës së tij, ndonëse ai nuk e ka dhënë akoma shenjën, se e njeh ekzistencën dhe adhurimin e publikut shqiptar për të. Adhurimin e sa brezave? Të shtatëdhjetëvjeçarëve e deri të njëzetvjeçarëve. Ai ia ka dalë mbanë të hyjë në zemra përmes baballarëve, nënave, gjyshërve, gjysheve që ia dolën mbanë ta ruajnë të lartë shijen megjithë censurën që jetonte me synim nxirjen e jetës së njerëzve

***
Vështronte jashtë xhamave një student letersie, një ditë dimri të ngrysur tiranase me shi të imtë e të mërzitshëm. Pastaj, nuk e kupton as vetë se qysh i shkëputi sytë dhe i uli mbi bankë, aty ku kish lloj - lloj mbishkrimesh, zhgarravinash e gërvishjesh të bëra me laps, penë, stilolaps e mjete gërvishëse, maja gozhde e thike. Ato ishin "hedhur" njëra mbi tjetrën e mezi lexoheshin. Për t'u zbavitur me atë "rebus" që kish para si dhe për t'u shkëputur nga zëri monton i profesorit, iu kushtua asaj loje e nisi të "dekriptonte" fjalë të tilla si: Parti-Enver, 20 shkurt - ditëlindja, Të dua, M = D - sempre dhe për jetë!, Gomar, mos shkruaj mbi bankë! e, pak më tutje: Celentano - Il tuo bacio è come un rock… Ishte për herë të parë që, në një bankë universiteti, po lexonte emrin e Celentanos si edhe titullin e panjohur të një prej këngëve të tij...

Padyshim, këngëtari italian Adriano Celentano, aso kohe ishte i dëgjuar dhe i "njohur" për të rinjtë shqiptarë. Natyrisht, jo për të gjithë, por për një pjesë të kufizuar të tyre. Kryesisht për tiranasit e ata që vinin nga qytete të mëdha si Shkodra, Durrësi, Vlora etj. Kjo kish arsyet e veta, sepse, së pari, jo të gjithë i ndiqnin emisionet e radios italiane e së dyti nga që dëgjimi i këngëve të huaja, konsiderohej jo vetëm tabu, por edhe shkelje e moralit, edukatës e traditës politike famijare e cila, bashkë me regjimin të qëndronte si shpatë mbi krye e të mësonte, me ngulm e për ditë se, këngët tona ishin më të mirat në botë e se, çdo gjë që vinte nga jashtë ishte e tepër e rrezikshme e duhej flakur tutje pa hezitim.

***
Dikur nga fillimi i viteve ’70, kur ishin akoma fëmijë, një njohës i mirë i muzikës italiane bashkë me vëllezërit dhe shoqërinë e vet, e njohu Celentanon. Ishte koha kur akoma shikonin festivalin e San Remos e Canzonissima-n, dhe Adriano ishte një nga këngëtarët italianë. Por ndërsa, pak a shumë të gjithë të tjerët, ishin “acqua e sapone”, Adriano në këngët e tij shprehte edhe shqetësime të tjera, përveç asaj të dashurisë së humbur (“Canzone” etj); shprehte shqetësimin e ndërtimeve pa kriter (“Il ragazzo della Via Gluck”) që me shumë finesë e përmend edhe në albumin më të fundit të tij tek kënga “Aria…” apo në “Albero di 30 pianni”) e padrejtësisë sociale. Në të njëjtën kohë, mënyra e tij e të kënduarit, ishte ndryshe, që të tërhiqte vëmendjen; luante nëpër filma, ku ata pak a shumë gjenin veten, jo vetëm për humorin që përdorte por edhe me mentalitetin e tij në filma, që aq shumë ngjante me mentalitetin që kishin ata si të rinj shqiptarë.

Jetonin në errësirë të thellë dhe ai ish një nga ata që binte pak dritë në jetën e tyre. Nganjëherë edhe diskutonin që a e dinte Celentano se kishte “tifozë” të tij në Shqipëri? Dhe ia jepnin vetë përgjigjen, që jo, atij as që i shkonte nëpërmend një gjë e tillë, sepse vetë RAI (RTV shtetëror italian) nuk e përmendte asnjëherë Shqipërinë. Dhe iu vinte shumë inat.
Qarkullonin edhe një kasetë me këngët e tij. Mblidheshin tek shtëpia e një shoku që kishte një manjetofon të vjetër; dikush iu kishte dhënë një kasetë shumë të përdorur me këngët më të njohura të Adrianos dhe ata mblidheshin e dëgjonin, me zërin e manjetofonit të ulur, nga frika se mos dikush do t’i dëgjonte.
Inati i pushtoi edhe më shumë, kur shkrimtari i njohur për fëmijë, B. Dedja, në një nga librat e tij për fëmijë, përmendi edhe Celentanon, kur shkroi “Adriano sharlatani”, si një deformim të emrit të tij. Që nga ajo kohë, ai e vë në dukje, se për protestë nuk e ka lexuar më B. Deden.

Ndoshta po e njëjta kasetë mbërriti vite më vonë dhe në shtëpinë time në Tiranë, ku dhe manjetofoni e gjeti rrugën me shumë vonesë të hynte. Kish shkuar koha e errët dhe unë nuk e mësoja shijen nën frikën e sekretit, ndaj dhe energjia që Celentano përçonte tek unë jam e ndërgjegjshme që nuk mund të ish e llojit origjinal si mbi publikun e etur shqiptar të viteve 60-të, 70-të, 80-të. Por gjithsesi nëse e kërkon me ngulmim diçka, me gjasa të mira ia del mbanë e kështu besoj se arrita ta përftoj këtë origjinal prej prindërve të mi.



I gëzohesha dhe i gëzohem këngës “E voi ballate”. Dëgjoja e dëgjoj kohë pas kohe sesi mund të kerciste e të kërcasë një shuplakë e vërtetë në fytyrën e njeriut që e shkel me këmbë dashurinë. Kënga “Storia d’amore” është ndoshta kryelegjenda muzikore që nuk do ta lejojë Celentanon të largohet nga muzika. Dhe ndërsa njihja në formë muzikore këto dy forma dashurie, gëzohesha e gëzohem dhe për kurorëzimin e tyre me të tretën që gjendet e shprehur në “Siamo la coppia più bella del mondo”. Shoqërohej ajo me një monolog të Adrianos.

Sipas tij ekzistonte një sekret për ekzistencën afatgjatë të çifteve, ku të dy protagonistët si rasti i tij dhe Claudia-s, janë të fortë në karakter. Mban emrin tolerancë ky sekret. Dhe ndër të dy protagonistët, është më i forti ai që pranon të luajë rolin e të dobëtit edhe pse është i vetëdijshëm që nuk është i tillë. Dhe në rastin e tyre këtë rol ai e pranonte, se e ka pasur Claudia. Ata janë sot e kësaj dite një çift i vërtetë, edhe në rastin e ndërhyrjes së tij më të re në Rai në nëntor 2007, në emisionin që dukej se synonte shumë më tepër se thjesht reklamimin e albumit te tij të fundit, ku Italia duket të jetë « Sorella » (motra), situata e së cilës nuk ishte e mirë. Publiku anonim që përmes blogeve, forumeve në internet vlerësohet se gëzon formën më të plotë ekzistuese te lirisë, ia shprehu dhe njëherë më shumë adhurimin për gjeniun që jeton në të. Por dhe e goditi. Ai është milioneri që guxon të flasë për ndryshim në shoqërinë italiane deri të formës revolucion? Si guxon? Ku është arti dhe pse e rrënon me politikë? Por sido që të jetë Rock Politik duket se vetëm ai eshte në gjendje ta sjellë në përmasat që trondisin një shoqëri.

***
Me entuziazmin e artdashëses cilësore një poete e re e thërret: Goditja vdekjeprurëse për “lento”, “rok” nga natyra, e ardhme dhe traditë, modern dhe klasik, me gjithmonë në xhep efektin surprizë. Një provokator i vertetë, rebel, insistues në ndryshimin e botës, është "mbreti i injorantëve" që këndon me adhurim për femrën dhe kthehet në një shembull të asaj siç duhet të jetë artisti, xhentëlmeni, njeriu, vlerësuesi i së madhes dhe në art.

E respekton ajo edhe për diçka tjetër. Adriano është një nga të paktët artistë që ka ditur të ruajë vlerat e vërteta të jetës si për shembull familja, duke i shpëtuar kështu rënies në makinën-kurth të spektaklit, që është në vetvete aq çorientuese. Ai është i aftë t’i transmetojë emocione të një lloji të veçantë dhe e bën të reflektojë. Në sinqeritet të plotë me veten, nuk është elokuenca e tij që e fiton vëmendjen e saj... madje ajo mendon se Adriano ka fjalorin e varfër e të papërpunuar të një njeriu të thjeshtë, por është guximi i tij për të mos e çarë kokën e për të mos rënë në kompromise me asnjë dhe me asgjë, si dhe lufta e vazhdueshme që i bën indiferencës dhe pandjeshmërisë... që i jep atij përmasa të pakapshme (shtoj unë).

Adriano Celentano vlen sot si shtatëdhjetëvjeçari i pazëvendësueshëm në muzikë dhe në mendjet e muzikëdashësve, adhurues të muzikës së tij. Në ato italiane gjithsesi, por dhe në mendjet e publikut special shqiptar të Shqipërisë. Në mënyrë të pavetëdijshme, përmes atij zinxhiri të mrekullueshëm të shpërhapjes dhe shndërrimit të energjise, mbi Adriatik, permes baballarëve, nënave, gjyshërve, gjysheve, Celentano e shndërroi veten në një figurë të adhuruar dhe të respektuar nga ky publik, i cili edhe sot e dëshiron një vizitë të tij, dëshirë që e ka shprehur me zë ose me fjalë të mbetura brenda njerëzve a në rrethe të ngushtë miqsh, dëshirë që ka mbërritur në mendjen e të adhuruarit, ose ndoshta dhe jo. Por madhështorja e dëshirave është se ato nuk janë të dhunshme dhe ndoshta janë të vetmet ndër ndjesitë njerëzore që lejohen edhe nga sedra të mbeten veç vetja, dëshirë. Për keq ose për mirë.



Shënim: Falenderoj për pjesmarrjen me kujtimet dhe vlerësimet e tyre në këtë artikull ish-studentin e Letërsisë, z. Vasil Qesari, njohësin e mirë të muzikës italiane, z. Albert Llaguri dhe poeten e re, znj. Rudina Madani.

http://www.seguraweb.nl/arspoetica/
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Korrik 2021, 03:45
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari