Dedikuar poltikes dhe mjeteve te komunikimit te mases shqiptare ne menyre qe te japim mendimin tone ne lidhje me mbarevatjen e jetes poltike shqiptare. Te japim apo krijojme nje ide te re poltike qe revolucionon aktualitetin.Miresevini
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
20 AGJENTE ME TE FAMSHEM SHQIPTARE TE SHEK.XX
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
20 AGJENTE ME TE FAMSHEM SHQIPTARE TE SHEK.XX, Posted 05 Gusht 2009, 22:50
Ja kush janë agjentët e fshehtë më të famshëm shqiptarë; jeta dhe aksionet e tyre(pjesa e parë)


Nuk kanë as emër, as identitet dhe as pasaportë. Ata thjesht kanë qenë në shërbim të vendit për vite me radhë, duke bërë një punë që e dinë shumë pak veta. Puna e njërit prej tyre vlen më shumë se një ushtri e madhe. Gazeta “Tirana Observer” sjell sot disa nga agjentët më të famshëm shqiptarë. Kush ishte “Ciceroni” i famshëm, shqiptari me emër Iliaz Bazna, i lindur në vitin 1904, i cili punonte për llogari të shërbimeve sekrete gjermane dhe angleze. Kush ishte “Kobra”, një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht dhe të CIA-s. I stërvitur me profesorë të KGB-së, në Akademinë e Moskës, si dhe i trajnuar me rezultate të shkëlqyeshme për dy vjet nga CIA, “Kobra” arriti t’u shërbente të dyja këtyre shërbimeve me besnikëri.

Kush ishte Hamit Matjani, agjenti shqiptar i CIA-s që përgëzoi aftësinë e Sigurimit të Shtetit që e futi në kurth. Nëpërmjet rrëfimeve vijnë historitë e Asim Alikos, Pal Melyshit, Hekuran Pobratit e të tjerë. Si rekrutoheshin agjentët shqiptarë, shantazhet dhe devotshmëria. Paradokset dhe lojërat agjenturore, profesionalizmi dhe sakrificat. Rreziqet dhe vështirësitë, si dhe ndërhyrjet nga shërbimet e huaja si CIA amerikane, UDB-ja jugosllave, MI-6 britanik, SIM-i italian, etj.

Ceno bej Kryeziu
Spiuni i parë dhe i famshëm shqiptar mund të quhet padyshim Ceno bej Kryeziu, i cili ishte njëkohësisht edhe kunat i Ahmet Zogut. Ai kishte lindur në Gjakovë dhe ishte rekrutuar nga Shërbimi Sekret Jugosllav që në vitet ‘20. Në sajë të aftësive të tij, ai ki kishte arritur t’u kalonte shumë informacion jugosllavëve. Për këtë arsye, në vitin 1924 pas ndihmës që jugosllavët i dhanë Zogut për të ardhur në pushtet, ata i kërkuan këtij të fundit që kunatit të tij Ceno bej Kryeziu, t’i jepej posti i Ministër i Brendshëm. Por më pas Zogu do ta kuptonte lojën që bënte kunati i tij dhe më vonë ky i fundit detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Çekosllovaki. Më 14 tetor 1927, Ceno bej Kryeziu qëllohet për vdekje në kafe “Passage” në qytetin e Pragës, nga studenti shqiptar 23 vjeç, i quajtur Alqiviadh Bebi.

“Ciceron”
Iliaz Bazna është emri i legjendës shqiptare të spiunazhit, i njohur me pseudonimin “Ciceroni”. Ka lindur në vitin 1904, në Prishtinë, në kohën kur krahina e Kosovës, por edhe pjesa më e madhe e Ballkanit, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, më vonë familja e tij vendoset në Turqi. Ai u bë një nga spiunët më të famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur punonte si kamarier në shtëpinë e ambasadorit britanik në Ankara. “Ciceroni” arrin t’u japë gjermanëve informacione të shumta, por të gjitha këto në shkëmbim të parave. Brenda një kohe të shkurtër, ai arriti të mbledhë rreth 300 mijë sterlina, një shumë jashtëzakonisht e madhe në atë kohë. Por në pranverë të vitit 1944 zbulohet veprimtaria e tij. “Ciceroni” arrin të arratiset së bashku me të gjitha paratë e tij të cilat rezultuan të ishin false. “Ciceroni” vdiq në Stamboll, në vitin 1971, por historia e tij u bë skenar filmi dhe subjekt libri.

Hekuran Pobrati
Hekuran Pobrati ishte anëtar i grupit special të Ministrisë së Brendshme, ai njihej me pseudonimin “Mali”. Pobrati lindi në fshatin Pobrat të Beratit, më 15 shtator të vitit 1920. Ai u martua në vitin 1949 me Feraset Xhaferr Vërlacin (Ngurëza) dhe pati me të gjashtë fëmijë. Pobrati kreu shkollën e mesme dhe në vitin 1943 ishte partizan i Brigadës së Parë Sulmuese me funksione nga zëvendëskomandant kompanie deri në zëvendëskomandant batalioni. Pas çlirimit mbaroi dy kurse shtatëmujore për oficer dhe mori detyrën komandant batalioni në mbrojtjen e popullit. Nga vitit 1947 deri në nëntor 1948, arrestohet nga Koçi Xoxe nën akuzën e bashkëpunimit me armikun. Pas 1948-s rifiton të gjitha të drejtat dhe merr pafajësinë. Në këtë vit filloi punë në Sigurimin e Shtetit, deri sa doli në pension. Ai mbante pseudonimin “Mali” dhe ka marrë pjesë në operacione të famshme së bashku me kolegun e tij, Asim Aliko. Pobrati vdiq në vitin 1991.

Koll Qefalia
Nën pseudonimin e “Nishozit” fshihej Koll Qefalia, kryetar i Këshillit Popullor në një zonë të Mirditës. Ai ishte agjenti më besnik i Alush Leshanakut, ose i njohur ndryshe “Luani”, agjentit të shërbimeve sekrete italiane. “Nishozi” ishte njeriu që luajti rolin e ndërmjetësit për takimin që do bëhej midis Alush Leshanakut dhe Frontit të Rezistencës. Kjo e fundit ishte një organizatë fantazmë e ngritur nga Sigurimi i Shtetit për të futur në kurth bandat, e cila drejtohej nga Kadri Hazbiu. Ish-agjentët e Sigurimit, megjithëse “Nishozin” e konsideronin si një nga armiqtë më të mëdhenj, e vlerësojnë shumë profesionalizmin e tij. Sipas tyre, “Nishozi” i kamuflonte lëvizjet e tij. Madje disa prej tyre kanë qëndruar për një kohë të gjatë nën shoqërinë e tij, pa e ditur se ai ishte pikërisht njeriu të cilin e kërkonin me ngulm. Qefalia kapet pas një kurthi agjenturor të organizuar nga Sigurimi i Shtetit.

Mark Dodani
Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit është futur në këtë shërbim në fillim të vitit 1946, i nxitur nga vrasja e babait dhe vëllait të tij në vitin 1945. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai angazhohet në operacione në vitin 1948 pas takimit me Kadri Hazbiun. “Mendoja se më kishin thirrur për punën time në zonën në veri, gjë e cila mu përforcua kur aty gjeta edhe Bardhok Bibën, por nuk dija se që në ato momente jeta ime do të merrte rrjedhë tjetër”, ka rrëfyer Dodani për median. Sipas shënimeve të ish-sigurimsit, Kadriu (ndonëse e kishte njohur shkarazi dhe më parë), i drejtohet Markut: “Ti je Mark Dodani!”. “I thashë se unë jam”, - tregon Dodani. Pa e zgjatur, Kadriu i është drejtuar Bardhok Bibës: “Mos e kërko më Mark Dodanin, ai do të punojë me ne”. Kështu, për 35 vjet me radhë, Dodani punoi në organet e Sigurimit me pseudonime të ndryshme, ku më kryesoret janë “Xhakoni” e “Studenti”. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ka shkruar 3 romane, një monografi, dhjetë novela, disa vëllime me tregime, tre skenarë filmash artistikë dhe pesë skenarë dokumentarësh, ku i fundit është xhiruar në vitin 2003 dhe titullohet “Tiranë, në Evropë”.

Alush Leshanaku
Ishte me origjinë nga Elbasani, fshati Leshanak. Kishte qenë profesor gjimnastike në Liceun-Gjimnaz të Shkodrës qysh në periudhën e regjimit të ish-mbretit Zog. Studentët shkodranë të gjimnazit e njihnin si njeri të shkathët, intelektual të zotin, me një trup sportisti, fizikisht i fortë, disi enigmatik. Sapo u largua mbreti Zog I, më 7 prill 1939, Alush Leshanaku vihet në shërbim të fashizmit, teksa rekrutonte “Giovani Fashisti”, të rinj fashistë. Në vitin 1941, me pseudonimin “Luani”, punon si agjent i shërbimit sekret italian me mision në Shqipëri. Detyra e tij ishte të krijonte grupe e t’i organizonte ato që ishin për rrëzimin e regjimit komunist në atë kohë. Kishte zbarkuar në Mirditë me parashutë, dhe ishte një nga agjentët më të rrezikshëm për Sigurimin e Shtetit, cilësohej si “Gjenerali i Perdes së Hekurt”. Alush Leshanaku, i njohur me kodin “Luani”, kishte zbarkuar me parashutë në Mirditë. Ja ç’shkruan në ditarin e tij: “Pra qeveria është siguruar për ekzistencën time e mbi qëndrimet në… Po më gjurmojnë e po më ndjekin”. Leshanaku mbeti i vrarë nga Sigurimi i Shtetit.

Asim Aliko
Ai ishte kryetari i grupit special të Ministrisë së Brendshme që kishin si qëllim depërtimin në radhën e bandave e agjenturave të huaja me pseudonimin “Tomori”. Aliko u bë pjesë e Sigurimit të Shtetit në vitin 1948 dhe punoi derisa doli në pension në vitin 1965. Ish-oficeri i Shërbimit Sekret, Mark Dodani tregon se Aliko për pesë vjet ka kapur 120 banditë. Taktika e tij ishte që t’i përçante banditët, të organizonte takime në vende ku donin oficerët e Sigurimit, me qëllimin për t’i kapur të gjallë. Mënyra më origjinale e Alikos ishte se pjesën më të madhe të rasteve ai e arrinte këtë me dollitë që ngrinte. Aliko njihej si pijetar dhe shpesh shefat e tij e kishin të vështirë t’ia besonin detyrat, por ai pikërisht me këtë siguronte suksesin e operacionit. Duke ngritur dolli, ai u krijonte afinitet kundërshtarëve, duke i bërë të besonin se ishin në të njëjtën llogore, e më pas i zinte robër. “Tomori” kishte lindur në Kurvelesh, në vitin 1915. Ai ishte vlerësuar me titullin “Hero i Popullit”, u nda nga jeta në vitin 1987.

Pal Mëlyshi

Pal Mëlyshi, me pseudonimin “Furtuna”, ishte një nga agjentët më të mirë të Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një komunist i flaktë, edhe pse babai i tij ishte detyruar të arratisej pse nuk i përkrahte idetë komuniste. U fut në Sigurim në shtator të vitit 1949 dhe qëndroi deri sa u vra në vitin 1950. Synimi i tij ishte të ndihmonte në luftën kundër bandave. Por infiltrimi ishte shumë i vështirë, pasi të gjithë e njihnin për komunist. E motra e tij, Marie Mëlyshi kujton në një intervistë për “Tirana Observer”, se kapobanda e vinte herë pas here në provë. “Një natë, ndërsa i jepet një detyrë, ai bashkë me dy anëtarë të tjerë të bandës përplasen me disa sigurimsa. Fillon shkëmbimi i zjarrit mes tyre. Pali gjen një moment të përshtatshëm dhe vetëplagoset. Që pas kësaj ngjarje kapobanda u pati thënë anëtarëve të tjerë, që Pali tashmë ishte pjesë e tyre dhe asnjeri nuk duhet të fliste keq për të”, tregon e motra. “Furtuna” u vra nga sigurimsat në një shkëmbim zjarri me bandën, nga e cila nuk u shkëput dot në momentin e rrethimit.

“Gramafoni”
“Gramafoni” është një nga agjentët jugosllavë me kombinacion në vendin tonë dhe me një histori të veçantë me karakter përgjithësues për sa i përket formave dhe metodave të veprimtarisë së zbulimit jugosllav ndaj vendit tonë. Ai ishte me orgjinë nga Padeshi i Tropojës dhe kishte lindur në Vlorë, më pas i ati i tij oficer gjatë kohës së Zogut ishte vendosur në Jugosllavi. Para se jugosllavët ta fusnin “Garmafonin” në Shqipëri, i bënë një kurs intensiv. “Gramafoni” u fut në Shqipëri në vitet ‘50 nga kufiri jugosllav, si një kosovar që përndiqej nga serbët. Ai u vendos në fillim në Fier, por veprimtaria e tij i ra menjëherë në sy Sigurimit të Shtetit. Pasi u kap “Gramafoni” pranoi qenien e tij në shërbim të zbulimit jugosllav, pasi iu paraqitën disa prova tekniko-shkencore dhe më pas ai punoi për Sigurimin e Shtetit, duke bërë një lojë të dyfishtë. Për të mos rënë në sy të zbulimeve jugosllave, ai u burgos për disa vjet në burgun e Burrelit dhe më pas Sigurimi i Shtetit e dërgon atë jashtë vendit për interesa të tij.

“Dielli”
Një nga agjentët më të mirë me origjinë shqiptare, por që ka vepruar në dëm të shtetit shqiptar, ka qenë edhe ai me pseudonimin Dielli. I dërguar për të vjelë informacion në Greqi në vitet e para të çlirimit “Dielli”, me origjinë çame, oficer i shërbimit sekret shqiptar në vitin 1946 raportohet i vrarë. Për këtë arsye shteti shqiptar i asaj kohe e shpalli “Diellin” në mënyrë sekrete dëshmor dhe familjes së tij iu lidh pension i posaçëm dëshmori. Pas disa vitesh, kundërzbulimi i Shërbimit Sekret Shqiptar vërtetoi se “Dielli” ishte shëndoshë e mirë dhe se vepronte si interlokutor midis qendrës se shërbimit të jashtëm sekret dhe grupit të spiunazhit të huaj, ngritur në klandestinitet të thellë në Shqipëri. Kjo tregoi se agjenti sekret “Dielli” kishte bërë lojë të dyfishtë dhe kishte mashtruar shërbimet sekrete shqiptare.

Hamit MatjaniImazh
Drejtori i CIA-s në vitet ‘50, Allen Dulles i kishte vënë Hamit Matjanit nofkën “Tigri”. I cilësuar si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s, Matjani kishte arritur të realizonte shumë aksione në Shqipëri për rrëzimin e regjimit komunist. I larguar nga Shqipëria menjëherë pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, “Tigri” kishte arritur të desantonte në Shqipëri gati 26 herë. Kjo e kishte bërë atë që të quhej nga shërbimi sekret amerikan si njeriu më i zotë për të desantuar në Shqipëri. Në të gjitha rastet që ai kishte hyrë në Shqipëri, ishte futur nga toka nëpërmjet Greqisë. Herën e fundit që ai u fut në Shqipëri ai u hodh me parashutë nga ajri. Në vitin 1953, vetëm pak kohë pas zbarkimit në malet e Shëngjergjit në Elbasan, ai do kapej nga organet e Sigurimit pas kurthit që ata i kishin bërë me anë të radios ndërlidhëse. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 14 prill 1954.

Hysen Lepenica
Hysen Lepenica ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s. Veprimtarinë e tij ai e kreu kryesisht në fund të viteve ‘40. Ku pasi ishin trajnuar nga oficerë të CIA, ai së bashku me disa agjentë të tjerë zbarkon në Shqipëri me detyrë për të rrëzuar regjimin e komunist. Ata zbarkuan në Grykën e Dukatit në tetorin e vitit 1948. Pasi nëndetësja doli në sipërfaqe, Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Safet Kaba, etj. me anë të një varke gome iu drejtuan bregut. Por misioni i tij do dështonte për shkak se ranë pre e një kurthi të ngritur nga Sigurimi i Shtetit. Siç rezultoi më vonë, shkak për dështimin e tyre ishin informacionet që agjenti sekret Kim Filbi u kishte dhënë sovjetikëve në lidhje me misionin e tyre. Sovjetikët ua kishin dërguar menjëherë këtë informacion Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin organizuar pritën.

“Kobra”
Është një nga agjentët shqiptarë me histori më interesante ndër figurat e Shërbimit Sekret. “Kobra” kishte luftuar me devotshmëri si partizan në kohën e luftës e më pas ishte vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Por jo vetëm të tij, por edhe të Shërbimit Inteligjent të Amerikës, pra të CIA-s. Në vitin 1949 ai ishte “arratisur” në Amerikë, ku u trajnua për dy vjet nga CIA. Ai kishte kryer ndërkohë Akademinë Ushtarake në Moskë, dhe kishte njohje me personalitete të KGB-së që kishin qenë pedagogët e tij atje. “Kobra” njihej si agjent shëtitës i CIA-s, me disa emra e funksione, me foto të ndryshme, herë me mjekër e mustaqe e herë i rruar, herë me kaçurrela brune, e herë biond e herë tullac. Një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit dhe të CIA-s, u dënua nga të dyja shërbimet dhe qeveritë. Nga Partia e Punës u akuzua si tradhtar dhe si “shërbëtor i imperialistëve amerikanë”, ndërsa nga CIA, si agjent i Sigurimit. Ai burgoset nga kjo e fundit dhe kthehet në Shqipëri disa muaj para se të vdiste. “Kobra” kreu shumë funksione të suksesshme për llogari të Sigurimit dhe të CIA-s, duke u qëndruar besnik të dy këtyre shërbimeve.

Sabaudin Haznedari
Ai ishte një nga anëtarët e grupit të Xhevdet Mustafës, të dërguar nga CIA për eliminim e Enver Hoxhës. Sabaudin Haznedari kishte lindur në Durrës dhe kishte qenë një njeri shumë aktiv gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mori disa poste drejtuese, por më vonë pas një konflikti me një nga krerët e partisë së këtij qyteti ai pushohet nga puna. Në vitin 1950 ai arratiset nga Shqipëria së bashku me një shokun e tij dhe vendoset në fillim në Greqi, më pas në Turqi e në fund në Itali. Gjatë kësaj periudhe ai rekrutohet nga shërbimet sekrete të huaja dhe fillon të punojë për ta. Në vitin 1982 ai zbarkon në Divjakë bashkë me Xhevdet Mustafën. Por vetëm pak orë pas zbarkimit, grupi i tyre zbulohet në qytetin e Rrogozhinës, dhe gjatë një përplajse me policinë Sabaudin Haznedari vritet.

Teme Sejko
Teme Sejko është quajtur nga Sigurimi i Shtetit si një nga agjentët më të rrezikshëm që kanë punuar për agjenturën greke. Madje, sipas Sigurimit të Shtetit, në bazë të dokumenteve dhe deklarimeve të ish-agjentit Teme Sejko, grupi i tij kishte si detyrë rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. I lindur në vitin 1922, në Filat të Çamërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte një nga themeluesit e çetës “Çamëria”. Pas çlirimit ai mori poste shumë të rëndësishme, madje ishte një nga gjeneralët e parë shqiptarë si dhe kundëradmiral i Flotës Shqiptare. Ai ishte rekrutuar për llogari të shërbimeve greke nga i vëllai i tij më i madh, Taho Sejko. Grupi i drejtuar prej dy vëllezërve u zbulua në vitin 1960, ku dhe u kryen arrestime të shumta. Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, u arrestuan mbi 2 mijë vetë, kryesisht çamë, si anëtarë të grupit agjenturor, por me një urdhër nga lart u liruan të gjithë përveç 200 personave. Pas arrestimit, Teme Sejko i pranoi të gjitha akuzat për spiunazh. Ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua po atë vit.

Xhevdet MustafaImazh
I arratisur nga Shqipëria në vitin 1964 në drejtim të Amerikës, Xhevdet Mustafa është njeriu që hyri si personi fundit që do desantonte në Shqipëri për të vrarë ish-diktatorin Hoxha. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Xhevdet Mustafës ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete amerikane. Ai ishte shumë i njohur për forcën e tij fizike. Në shtator të vitit 1982 i nisur nga Brindisi i Italisë, Mustafa së bashku me 2 persona të tjerë zbarkon në plazhin e Divjakës. Detyra e tij ishte eliminimi i Enver Hoxhës. Por në fakt Xhevdet Mustafa nuk arrin të realizojë dot detyrën e tij, pasi plani dekonspirohet. Më 27 shtator 1982, pas dy orë luftimi, Xhevdet Mustafa vritet nga forcat e Sigurimit të Shtetit.

Zenel Shehu
Ai do mbahet mend si njeriu që bëri të mundur kapjen e Hamit Matjanit. Badigard i Ahmet Zogut dhe mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai rekrutohet nga CIA, me urdhër të mbretit për të desantuar në Shqipëri. Detyra e tij ishte t’i paraprinte mbërritjes në vend të grupeve të tjera diversante. Zenel Shehu zbarkon në Shqipëri në vitin 1952, por shumë shpejt ai do kapej nga shërbimi sekret shqiptar. Më pas nëpërmjet tij ata realizojnë kapje edhe të 13 grupeve të tjera me anë të radiolojës. Duke qenë mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai e detyron këtë të fundit të zbarkojë në Shqipëri, duke i paraqitur një situatë tjetër në vend. Pas kësaj, në vitin 1953, Matjani zbarkon në Shqipëri dhe kapet menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, kurse Zenel Shehu kishte vetëm pak ditë që ishte vrarë.

Pashke Prela
Dëshmorja nga Puka ka qenë një nga agjentet më të njohura femra të Sigurimit të Shtetit. Ndoshta kjo, edhe për shkak fundit tragjik të saj. Kryetari i bandës, “Keqanaj”, të cilin Prela e futi në kurth të Sigurimit të Shtetit, mori hak duke e vrarë në sytë e fëmijëve të saj. Ish-oficeri i Sigurimit, Mark Dodani ka treguar për “Tirana Observer”, se vejusha ishte një agjente e zonja dhe se ishte afruar te Shërbimi pas kërcënimeve të bandave, se ajo do të vihej në shërbim të tyre. Në fillim të vitit 1947, u realizua edhe kurthi që do paralajmëronte fundin tragjik të Prelës. Ndërsa banda “Keqanajt” strehohej në shtëpinë e saj, e cila nuk dyshonte për Prelën, pasi edhe shtëpia ndodhej në një reliev shumë të thyer, agjentja vë në jetë planin. “Pashka çorienton “kryebanditin”. I mbushi rëndë çantat me ushqime, djathë, turshi, bukë, ndërkohë që midis ushqimeve iu kishte futur sende të rënda, madje dhe gurë, me qëllim që kur të dilte nga dera të mos ishte në gjendje të vraponin për t’iu ikur forcave që i kishin rrethuar”, rrëfen Dodani. Kryebanditi arrin të shpëtojë, dhe me gjithë se Prelës iu kërkua të linte banesën, nuk pranoi, me shpresën se nuk ishte pikasur. Por pas disa muajsh, kryebanditi kthehet në befasi dhe ther me thikë Pashke Prelën në sytë e fëmijëve.

Sofokli Mici
Personazhi imagjinar Sofokli Mici trajtohet në librin “Mëkatarë 2” të Nafiz Bezhanit si një agjent profesionist i Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një intelektual shumë i njohur. Kishte studiuar në Leningrad për Drejtësi. Ishte zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kishte fituar tituj shkencorë doktor dhe profesor. Sipas Bezhanit, ideja për të aktivizuar prof. Sofon, siç e quan ai në libër, në Shërbimin Sekret Shqiptar u krijua pas vizitës turistike që bëri në Shqipëri në vitin 1985 një grup turistik grek. Në dosjet sekrete ai është protagonist i asaj me emrin “Misioni Apollon”, e cila kishte si qëllim normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinjë, Shqipëri e Greqi, mision i cili u realizua me sukses nga ai. Në të njëjtën kohë, në dosje dyshohej se prof. Sofo ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret grek, Asfali, gjë e cila nuk vërtetohet ligjërisht.

Ymer Kondo
Një agjent profesionist i Sigurimit të Shtetit, Ymer Kondo mbart një histori mjaft interesante. I ardhur nga një familje pronarësh vlonjatë, pas çlirimit ai u radhit në listën e personave që konsideroheshin armiq të klasës punëtore. I rritur me këtë njollë në biografi, ai ishte një person i izoluar nga shoqëria dhe njerëzit. Edhe pasi mbaroi Shkollën Tregtare ai nuk gjeti asnjë vend pune për shkak të biografisë së tij. Edhe vetë u bë objekt i persekutimeve të herëpashershme. Por, për çudi, ai pranoi të punonte për Sigurimin e Shtetit e madje me zell të madh. Në një nga arrestimet e tij, një nga gjeneralët e Ministrisë së Brendshme e kishte marrë Ymerin dhe e kishte futur në një kurs të veçantë për ta stërvitur si specialist zbulimi. Pastaj i kishin propozuar të punonte në kampin e të arratisurve në Itali si radist. Me një të shkuar të tillë, të gjithë besonin se Kondo ishte një i arratisur dhe i mbushur me mllef ndaj regjimit. Kondo njihej si agjent inteligjent dhe i shkathët. Ai vrau edhe “Njekovin”, një poliagjent të njohur.

Shkruar nga T.O
e martë , 04 gusht 2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Nëntor 2020, 03:37
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari