Dedikuar poltikes dhe mjeteve te komunikimit te mases shqiptare ne menyre qe te japim mendimin tone ne lidhje me mbarevatjen e jetes poltike shqiptare. Te japim apo krijojme nje ide te re poltike qe revolucionon aktualitetin.Miresevini
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
FILOSERBI REXHEP QOSJA DHE EDVIN RAMA
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FILOSERBI REXHEP QOSJA DHE EDVIN RAMA, Posted 28 Qershor 2009, 20:00
Filoserbi Rexhep Qosja lëshon kushtrimin marksist, i porositur nga dëshpërimi i Edvinit
ImazhImazh
Ushtari i të majtës së Shqipërisë, Rexhep Qosja nuk mund të rrinte edhe këtë herë pa dalë në krah të ustallarëve të vet komunistë të Tiranës. “Koka” e madhe e kombit që djegien e Shqipërisë më 1997 e quante “revolucion të vonuar demokratik”, tanimë erdhi të lëshojë një kushtrim marksist, një manifest sa marksist, aq edhe katundar. Sytë e Qoses sigurisht verbohen e nuk shohin që në mes të pjesëve të kombit shqiptar është ndërtuar një rrugë që edhe parashikuesi më i madh nuk do ta besonte. Sytë e tij, sigurisht nuk shohin e zemra e tij nuk gufon nga gëzimi, pasi ai ka qenë gjithnjë në aleancë me ata që i kanë vënë flakën Shqipërisë, për të mos folur më që nuk e kanë dashur kurrë Kosovën. Intervista e Rexhep Qoses, e dhënë për shtypin kosovar, e përthithur menjëherë nga shtypi i majtë, niste me ca fjalë të përgjithshme kotsëkoti e dilte tek kushtrimi i Qoses dhe tek meraku i madh i tij se e djathta nuk duhet të vazhdojë në pushtet pasi humb demokracia. Për Qosen është më e rëndësishme që në pushtet të vijë njeriu që i dha çelësin e Tiranës një serbi që ka kënduar këngë për çetnikët sesa njeriu që bashkoi realisht kombin shqiptar, që anëtarësoi vendin në NATO, që rriti dinjitetin e vendit, që pesëfishoi buxhetin e shtetit, etj. Ky është perceptimi i Qoses, ndoshta më i zi sesa hetuesi më i egër që mund të ketë nxjerrë fshati Kuç. Dhe shiheni këtë “studiues” të madh në budallallëqet e tij. Edhe një rilindës dhe politikan, e burrë shtetit si Pandeli Evangjeli e quan “përfaqësues despotik oriental” ndërsa, fut në një thes Ismail Qemalin, Fan Nolin, Enver Hoxhën dhe Rexhep Meidanin, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri duke i quajtur “demokratë liberalë” të politikës qytetare. I gjori Qose, qenka trembur nga “britmat” e Sali Berishës, ndërsa nuk dogjën ulërimat e humbjes së Edvin Ramës, njeriun që urrejtjen në këtë botë e ka nisur nga familja e vet. Përveç të tjerash Qosja shfryn edhe një inat katundar për çmimin e fundit që mori shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare. Sigurisht nuk ka bërë që më shumë se ka vazhduar Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë dhe shokun e tij Paskal Milo. Për ta shprehur këtë, ka zgjedhur një formë akoma më katundare kur thotë se i kishin censuruar një intervistë, a thua se nuk dihet mendimi i Qosjes për të majtët, të djathtët dhe vlerat e kombit. Ndoshta do bënte mirë të merrej me rrjetën “që ka rënë” në tunelin e rrugës apo të përllogarisë me centimetra “humbjet” që vijnë nga kjo rrugë. Sepse dihet, ka humbur Serbia...dhe mesa duket, është dëshpëruar edhe Qosja.
28-06-2009 / Gazeta 55
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4556
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FILOSERBI REXHEP QOSJA DHE EDVIN RAMA, Posted 29 Qershor 2009, 15:37
Rexhep Qosja: Po fitoi e djathta në Shqipëri, humbet demokracia
» Dërguar më: 27/06/2009 - 13:09

Lajme te ngjashme
Haradinaj: Uroj që të fitojë e djathta dhe Partia e Legalitetit
• Datë: Jun 27, 2009

Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, akademiku i njohur kosovar Rexhep Qosja, ka dhënë një intervistë në një media kosovare, ku ka folur për çështjet kulturore e politike në Kosovë, e ku ka ndaluar gjerësisht në zgjedhjet e
nesërme në Shqipëri. Në intervistën e tij, Qosja flet edhe për idenë e bashkimit kombëtar, që sipas tij, kohët e fundit po kundërshtohet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Ndër të tjera, ai vlerëson edhe politikën tonë të jashtme kundrejt Kosovës, duke vlerësuar më së shumti presidentin Bamir Topi, që ka ngritur zërin herë pas here në forume ndërkombëtare për shtetin kosovar. Por, ai shton se "qëndrimet e Shqipërisë ndaj Kosovës, në përgjithësi, nuk janë pa kundërthënie". Kjo intervistë publikohet paralelisht edhe në gazetën "Epoka e re" në Kosovë.
Akademik Qosja, si e shpjegoni heshtjen tuaj në këtë kohë të zhvillimeve të ndryshme në Republikën e Kosovës?
Para luftës ishte i vogël numri i intelektualëve që i trajtonin zhvillimet politike në Kosovë dhe rreth Kosovës, në Shqipërinë shtetërore dhe rreth Shqipërisë shtetërore. Tani ky numër është rritur shumë, shumë; është rritur shumë, shumë edhe numri i medieve. Kjo shumësi e jashtëzakonshme e gazetarëve, publicistëve, intelektualëve, sidomos e politikanëve, që paraqiten me mendime për zhvillimet politike në hapësirat shqiptare pashmangshëm e ka rrudhur nevojën për paraqitjen time aq sa edhe dëshirën time për paraqitje.
Kur jeni takuar për herë të fundit me Fatmir Sejdiun, Hashim Thaçin apo me Jakup Krasniqin?
Nuk e di çfarë rëndësie mund të ketë për opinionin përgjigjja në këtë pyetje. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kanë punë politike e shtetërore, kurse unë bëj punë shkencore dhe letrare. Domethënë vetë natyra e punëve që bëjnë ata dhe punës që bëj unë nuk na takojnë por, po ta donte nevoja, po ta donte puna ne, besoj, edhe do të mund të takoheshim.
Si e shihni sot nga këndi i juaj Republikën e Kosovës?
Republikën e Kosovës e shoh dhe e perceptoj sot si një organizëm të ri, në rritje e sipër, në zhvillim e sipër. E shoh si një organizëm i cili, arsyeshëm, dëshiron shumë, kërkon shumë për t'u rritur natyrshëm, për t'u aftësuar natyrshëm, për t'u bërë organizëm i barabartëve me të tjerët në Ballkan dhe në Evropë. Republikën e Kosovës e shoh edhe si një organizëm të cilit, pikërisht pse është aq i ri, vetëm njëvjeçar, i mungon shumë për atë rritje, për atë zhvillim. Por, këto mangësi, që më sjellin, të them, shqetësim, brengosje, përpiqem t'i kuptoj plotësisht. Ato janë mangësitë që na kanë mbetur trashëgim si pasojë e historisë së rëndë, të historisë së popullit të pushtuar. Për zotërimin e tyre do kohë, do durim, do, le të thuhet, histori. Prej të gjitha këtyre pakënaqësive, brengosjeve, dhembjeve sikur lirohem kur mendoj: policët e pushtuesit nuk na presim më në skajet e rrugëve dhe nuk mund të na e helmojnë më jetën. Kanë shkuar përgjithmonë. Tani kemi policinë tonë. Dhe, ushtrinë tonë. Dhe administratën tonë. Dhe, politikën tonë. Të gjitha tonat. Dhe, kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Kjo është historike.
E shoqërinë kosovare, si e shihni sot, nga këndi juaj, shoqërinë kosovare?
Shoqërinë e Kosovës e shoh si një shoqëri në zhvillim e sipër, si një shoqëri me probleme, vështirësi, pakënaqësi, dëshira, të këqia e të mira, shkurt e shoh si një shoqëri me shumë kundërthënie. Është shoqëri që jeton me ritëm gjithnjë e më të shpejtë dhe ky ritëm gjithnjë e më i shpejtë i sjell më tepër se ç'është e arsyeshme iracionalizëm. Varfëria shpirtërore, përmbysja e vlerave, çmoralizimi i shpejtuar, mbizotërimi i kiçit e i shundit, arroganca e kiç njerëzve sidomos në media dhe në politikë, papërgjegjshmëria, korrupsioni, luksi i shfrenuar i të varfërve të djeshëm , privilegjet e paarsyeshme e të palejueshme, padrejtësitë e llojllojshme - të gjitha këto janë të këqia të cilat do të duhej t'i shohim qartë, t'i emërtojmë qartë dhe të bëjmë përpjekje që të shërohemi prej tyre.
Pozita dhe opozita kanë mendime të ndryshme për të arritjet në Kosovë. Po mendimi juaj cili është?
Si gjithmonë e gjithkund, ashtu edhe në Kosovë ka diçka që ka mundur të bëhet më mirë se ç'është bërë. Por, shumë gjëra, bash shumë çka, që është bërë ishte po thuaj e paracaktuar të bëhej ashtu si është bërë: mirë, jo sa duam mirë apo, ndonjëherë, keq. Populli e thotë: nuk dilet prej lëkurës. Nuk duhet të harrojmë: shumë gjëra në Kosovë sot nuk varen vetëm prej nesh. Dhe, jo vetëm në Kosovë, po edhe në shtete me tradita shumë më të gjata shtetërore. Shumë gjëra në Kosovë sot varen prej atyre që në Kosovë janë si prani e Evropës, si prani e UNMIK-ut, si prani e Bashkimit Evropian dhe si prani e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me përjashtim të pranisë së UNMIK-ut, kjo prania tjetër është prani që na duhet, që na duhet edhe kur të gjitha masat e asaj pranie mund të mos i pranojmë me këngë. Dhe, shembull për këtë është jo vetëm Mitrovica Veriore. Funksioni politik dhe shtetëror i opozitës në shtete të quajtura normale është: të mos e lejojë pozitën që të bëjë gabime. Dhe, këtë funksion ajo, opozita , duhet ta bëjë në mënyrë parimore, të kulturuar, pa qëllime të këqija.
Si e çmoni komunikimin politik demokratik në Kuvendin e Kosovës?
Sigurisht se ka lëkundje në këtë komunikim. Herë është komunikim më pak e herë më shumë demokratik. Por, me këtë rast dua të shpreh një mendim, i cili mund të mos pritet mirë nëTiranë, por unë po e shpreh pikërisht që të mos pritet mirë: Kuvendi i Kosovës nuk tregon një gjallëri dhe aftësi siç e tregojnë shumë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, por Kuvendi i Kosovës tregon kulturë më të lartë politike dhe vetëdije më të formuar demokratike. A do të jetë kështu gjatë nuk mund të them. I lutem zotit që Kuvendi i Kosovës të mos marrë prej Kuvendit të Shqipërisë çka nuk do të duhej të merrte dhe me çka do ta dëmtonte Kosovën: konfliktin, mosdurimin, urrejtjen, fyerjen!
Shihni perspektivë më të mirë për qytetarët e Kosovës në të ardhmen?
Sikur të mos shihja ardhmëri më të mirë, ardhmëri të mirë, numër shumë, shumë, më të madh njerëzish të punësuar, sidomos të rinj, ekonomi më të zhvilluar, përmirësim më të shpejtë të kushteve të jetës, gjasa të barabarta për të gjithë, drejtësi më të madhe, shëndoshje morale, atëherë do të thosha çka kam dëgjuar se ka thënë një veprimtar i dalluar i pavarësisë së Kosovës: tregomëni ku është më larg që të shkoj e të humb përgjithmonë!
E shihni të vështirë rrugën e Kosovës për t'u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane?
Nuk jam njeri që i zbukuroj problemet dhe i zvogëloj vështirësitë, por lejohem të them se rrugën e Kosovës për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian e shoh më të lehtë dhe më të shkurtër se ç'e shohin, ndoshta, shumë të tjerë. Shteti i Kosovës, mund të mos i plotësojë të gjitha kushtet për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Por, konteksti politik ballkanik, konteksti historik, konteksti gjeografik i Kosovës do ta ndihmojë Kosovën që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian më shpejt se ç'kemi menduar. Sjelljet kundërshtimore, të mos them armiqësore, të Serbisë ndaj Kosovës sot; sjelljet dyfytyrëshe të Malit të Zi dhe të Maqedonisë ndaj Kosovës; sjelljet kundërshtimore të Greqisë ndaj Kosovës; sjelljet e paarsyeshme, vetjake, të Rumanisë ndaj Kosovës; sjelljet e ngarkuara me paragjykime historike ndaj Kosovës të disa vendeve të Bashkimit Evropian - të gjitha këto sjellje do të marrin fund me pranimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Në këtë botë ka gjithfarë çudirash! Nganjëherë ata që nuk të duan të bëjnë mirë pse nuk të duan!
Jeni një ndër intelektualët që në forma të ndryshme është angazhuar për bashkimin kombëtar. Vazhdoni të besoni se duhet të ndodhë bashkimi?
Kam shkruar shumë shkrime, artikuj, sprova, trajtesa, libra për bashkimin kombëtar. Dhe, përpos me shkrime, këtë çështje e kam arsyetuar dhe mbrojtur edhe me gojë, në shumë takime me të huaj. Mjerisht, ideja e bashkimit kombëtar nuk duket sot një ide e popullarizuar si dikur. Mund të thuhet, madje, se tani për herë të parë në historinë tonë të pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ideja e bashkimit kombëtar është duke e humbur rëndësinë që e kishte 125 vjet në historinë shqiptare. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Kosovë janë paraqitur vetje që hapur flasin kundër kësaj ideje. Ata, madje, mbrojnë idenë e krijimit të një kombi të ri nga shqiptarët e Kosovës dhe, në përgjithësi, nga popullsia e Kosovës - të kombit kosovar. Për kombin e ri, kosovar, ata e parashohin edhe gjuhën e tij të re, standarde, kosovarishten a gegërishten, ende nuk e kanë thënë se si do ta quajnë! Sa dëgjoj, numri i kundërshtarëve të bashkimit kombëtar po shtohet edhe në Shqipërinë shtetërore. Arsyet e kësaj, ta quaj lufte politike kundër idesë së bashkimit kombëtar, janë të ndryshme: janë politike, krahinore, kur e kur ndoshta edhe fetare! Ndikim të veçantë në këtë luftë politike kundër idesë së bashkimit kombëtar ushtrojnë, ndërkaq, disa qarqe ndërkombëtare. Ndikimi i tyre ndonjëherë ka karakter trysnie. Pse e bëjnë ato qarqe këtë politikë, këtë trysni? E para, për hir të serbëve në Kosovë dhe për hir të vetë shtetit serb; dhe, e dyta, se nuk e dëshirojnë njësimin, e kjo do të thotë forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Serbia, shkaktarja e dikurshme e copëtimit të trojeve shqiptare dhe e ndarjes së kombit shqiptar, prapë është faktori që e pengon bashkimin kombëtar shqiptar. Po, pavarësisht prej kësaj koniunkture politike, pavarësisht pse koniunktura e sotme politike e kundërshton idenë e bashkimit shqiptar, unë besoj se Kosova, një ditë, do të bashkohet me Shqipërinë. Dhe, kjo do të ndodhë jo vetëm pse Kosova ishte gjithmonë, deri në vitin 1912, pjesë e tërësisë etnike shqiptare, e Shqipërisë etnike, por pse bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë i rrit shumë, shumë mundësitë natyrore për jetë më të mirë, më të lumtur të popullit shqiptar në tërësi.
Meqënëse jemi këtu, si e vlerësoni aktualisht rolin e shtetit shqiptar karshi Kosovës?
Politika e Shqipërisë shtetërore ndaj Kosovës është politikë e angazhuar, pozitivisht e angazhuar. Sidomos e angazhuar pozitivisht është politika e jashtme e Shqipërisë ndaj Kosovës. Kryetari i shtetit të Shqipërisë, Bamir Topi, kudo në takime e forume ballkanike, evropiane e ndërkombëtare e ngre zërin për Kosovën, mbron interesat e saj. Fatmirësisht, Kosova edhe vetë, tani, është në gjendje, megjithëse ende nuk po i lejohet kudo, t'i dalë zot vetes.Por, kur vëllezërit bashkojnë forcat fitorja është më e sigurt. Qëndrimet e Shqipërisë ndaj Kosovës, në përgjithësi, nuk janë pa kundërthënie. Shqipëria nuk tregon nisma të mjaftueshme për bashkëpunim kulturor, arsimor, shkencor me Kosovën! Shqipëria bën do lidhje, bashkëpunime me Serbinë si të mos ishte Kosova. Qytetarë të Shqipërisë punojnë në institucione serbe pa konsultuar institucione përkatëse kosovare. Në Shqipëri u jepet përparësi disa krijuesve serbë të filmit më parë se krijuesve kosovarë të filmit. Qëndrimet e Shqipërisë ndaj Kosovës, ndaj kulturës, arteve, shkencës së saj janë kryekëput partiakisht të motivuara! E të tjera. Në Shqipëri nuk do të duhej të harronin se Kosova ende nuk ka kurrfarë marrëveshje me Serbinë, madje nuk ka as marrëveshje paqësore me Serbinë. Dhe, këtë marrëveshje nuk e do Serbia.
Në fundjavë do të mbahen zgjedhjet qendrore në Shqipëri. Kush besoni se do të fitojë: e djathta apo e majta?
Nuk më duket e lehtë të parashihet se kush do të fitojë në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri: e djathta apo e majta. Zgjedhjet, e ka thënë një studiues botëror i tyre, në fund të fundit janë një akt iracional. Sikur të mos ishin akt iracional, Sali Berisha kurrë nuk do të mund të fitonte në zgjedhjet e para katër viteve, pas asaj katastrofe që ia shkaktoi Shqipërisë në vitin 1997! Po, interesi i Shqipërisë, në të vërtetë interesi i numrit më të madh të shqiptarëve, e do që në zgjedhjet e të dielës të fitojë e majta.
Çfarë do të humbte e çfarë do të fitonte Shqipëria me fitoren e të djathtës?
Kur flitet për të djathtën në Shqipëri, siç mund ta keni vërejtur edhe ju dhe siç e kanë vërejtur edhe institucionet ndërkombëtare, atëherë flitet për Sali Berishën. Dhe, vetëm për Sali Berishën! Po të fitonte e djathta në zgjedhjet e ardhshme, kjo do të thotë se do të fitonte Sali Berisha: Sali Berisha me familjarët e tij, me partizanët e tij në Kuvend e në qeveri, me partizanët e tij në administratë dhe me ato media të cilat, duke shkelur kodeksin moral të medieve, janë bërë altoparlanta të tij - siç janë TV Klani dhe TVSH-ja në radhë të parë, e të mos flas për fletërrufenë 55! Shkurt: po të fitonte e djathta në zgjedhjet e së dielës, do të fitonte Sali Berisha me familjarët dhe ata që palejueshëm i ka privilegjuar. Po të fitonte e djathta në zgjedhjet e së dielës, e kjo do të thoshte Sali Berisha, atëherë do të fitonte politika e shkeljes së kushtetutës dhe e kushtetutshmërisë - çka është parë shumë e shumë herë në sjelljet politike despotike të Sali Berishës; do të fitonte politika e shkeljes së ligjeve dhe të ligjshmërisë - çka e kanë treguar me dhjetëra herë disa media dhe, në mënyrë të veçantë, autorët e emisionit Fiks fare; do të fitonte politika e papërgjegjshmërisë e treguar në vazhdimësi e, sidomos, në tragjedinë e Gërdecit, në aferën Fazlliq, në një varg kontratash me firma të jashtme. E të tjera. Po të fitonte e djathta e kjo do të thoshte Sali Berisha në zgjedhjet e së dielës, atëherë do të fitonte politika e gënjeshtrave dhe e mashtrimeve. Inaugurim ujësjellësish që nuk kanë ujë! Inaugurim rrugësh që i bën shiu lumenj! Inaugurim ndërtesash të pakryera! Pajisje të shkollave me internet që internetin nuk e kanë parë dhe nuk do ta shohin edhe sa kohë! Ndërtime termocentralesh, hidrocentralesh dhe centrali bërthamor, që nuk do të bëhen kurrë! Të gjitha, këto premtime të bëra në stilin e premtimit që iu dha Sali Berisha vlonjatëve. Do ta bëj Vlorën - tha ai - portin më të madh në Mesdhe! E keni dëgjuar, Allahile! Vlora - porti më i madh në Mesdhe! Vlora port më i madh se Stambolli, Selaniku, Aleksandria, portet italiane, franceze, spanjolle, algjeriane, tuniziane në Mesdhe! As gënjeshtari historik, baroni Minhauzen, nuk do t'i lejonte vetes të shqiptonte këso gënjeshtre. E Vlora si port kurrë nuk do të jetë port as sa Durrësi. Nuk do ta dijë kryeministri se me gënjeshtrat e tilla, me mashtrimet e tilla i fyen votuesit, i fyen qytetarët që i dëgjojnë fjalimet e tij zgjedhore! Po të fitonte e djathta e kjo domethënë Sali Berisha në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, atëherë do të fitonte servilizmi në politikën shqiptare. E dëgjuat çka tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në një miting? Tha: "Kjo rrugë (e kishte fjalën për Rrugën Durrës - Kukës - Kosovë) është kolos i infrastrukturës dhe e ka emrin Sali Berisha"! Rruga kolos, që e ka emrin e kolosit! Po të fitojë e djathta, e kjo do të thotë Sali Berisha në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri, edhe katër vite të ardhshme do të dëgjojmë këso logjike, këso jologjike, këso gramatike dhe kësi poltronizmi! S'ka despotizëm, diktaturë, autoritarizëm, totalitarizëm, pa servilizëm. Po të fitonte e djathta, domethënë Sali Berisha në zgjedhjet e së cilës atëherë do të fitonte kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila edhe pse në krye të Kuvendit, i fyen deputetët si të ishte në farë pazari të pleshtave, e cila i nxjerr nxënësit e shkollave fillore e të mesme në mitingjet e saj duke shkelur ashtu Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në të cilën, përpos të tjerash, thuhet se të gjitha shtetet nënshkruese të saj janë të obliguara të mbrojnë fëmijët nga përdorimi partiak, politik, ideologjik dhe fetar; e cila po përhap mosdurim e urrejtje në jetën politike kombëtare; do të fitonte gruaja në politikë e cila me gjuhën e saj brutale po fyen nocionin e gruas e të nënës në jetën kombëtare shqiptare. E kush do të humbte po të fitonte e djathta, domethënë po të fitonte Sali Berisha me Jozefina Topallin? Po të fitonte e djathta e kjo domethënë Sali Berisha me Jozefina Topallin në zgjedhjet e së dielës, atëherë do të humbte demokracia jo vetëm në Shqipëri, por do të pësonte edhe demokracia në Kosovë. Të mirat dhe të këqijat e Shqipërisë tani më fort se kurrë ndikojnë edhe në Kosovë, ashtu si edhe të mirat e të këqijat e Kosovës më fort se kurrë shprehen edhe në Shqipëri. Po të fitonte e djathta e kjo domethënëë Sali Berisha me Jozefina Topallin në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri, atëherë do të humbte shumë , palejueshëm shumë, kultura dhe shkenca shqiptare. Kush do të shohë ka patur mundësi të bindet se gjatë sundimit të Sali Berishës, të sundimit të tij në fundin e shekullit të kaluar dhe në këtë fillim shekull, është cenuar rëndë,është dëmtuar rëndë, substanca e kulturës dhe e shkencës shqiptare. Pasojat e dëmtimit të kësaj substance nuk do të mund të mënjanohen për një kohë të gjatë. Është dëmtuar rëndë edhe shëndeti moral i shoqërisë. Po të fitonte e djathta e kjo domethënë Sali Berisha me Jozefina Topallin në zgjedhjet e të dielës atëherë do të humbte evropianizmi në Shqipëri. Shikojeni si sillet në fushatë Sali Berisha! Dëgjojeni çka flet! Dëgjojeni sidomos si flet! Dëgjojini kujdesshëm britmat e tij! Përimtojini idetë dhe mendimet e tij! Mentalitet, ndjeshmëri, ideologji politike plotësisht anakronike, folklorike, joevropiane. Në historinë shqiptare prej kohës së Lidhjes së Prizrenit janë nyjëtuar dy politika: politika feudale - fshatare, me përfaqësues despotët e tipit oriental Esad Toptanin, Ahmet Zogun, Pandeli Evangjelin dhe Sali Berishën dhe politika qytetare, me përfaqësues demokratët liberalë Ismail Qemalin, Fan Nolin, Enver Hoxhën, që do të degjenerojë në diktator dhe Rexhep Meidanin. Sali Berisha dhe Jozefina Topalli në njërën anë dhe Evropa, në anën tjetër - këto janë dy botë me shpirt, me mentalitet, me vetëdije të ndryshme. Të përbashkët kanë vetëm kravatën e Sali Berishës dhe takat e Jozefina Topallit! Ky është evropianizmi alla Ismail Kadare!
Po të fitonte e djathta e kjo domethënë Sali Berisha me Jozefina Topallin në zgjedhjet e së dielës në Shqipëri, atëherë do të humbte pjesa dërrmuese e popullit shqiptar: do të humbnin ata që punojnë në arsim, në shëndetësi, në bujqësi, në kulturë, në shkencë, në tregtinë e vogël, ata që punojnë në botën e huaj, pensionistët, invalidët, të rinjtë, të gjithë ata, të cilët, tradicionalisht, janë përçmuar dhe janë shfrytëzuar në politikën feudale - fshatare shqiptare.
Po me fitoren e të majtës?
Me fitoren e së majtës, jam i bindur, do të fitonin ata që do të humbnin me fitoren e Sali Berishës dhe të Jozefina Topallit. Do të fitonte demokracia shqiptare. Do të fitonte kultura politike shqiptare. Do të fitonte drejtimi i qytetëruar dhe demokratik i Kuvendit të Shqipërisë. Do të fitonte kultura dhe shkenca shqiptare. Do të fitonte prestigji i Shqipërisë në botë. Por, me një kusht: me kusht që klasa politike e majtë, të lirohet prej privilegjeve dhe të mos harrojë se politikë me rëndësi historike është ajo që është e vetëdijshme se më shumë se pasuria është i rëndësishëm shëndeti shpirtëror e moral i kombit.
Para disa javësh, në Universitetin Amerikan në Prishtinë, Ismail Kadare u shpall doktor nderi. A mendoni se shpallja e tij doktor nderi në këtë Universitet ishte punë e mençur në këtë kohë kur diplomacia kosovare po bën shumë përpjekje që t'u mbushet mendja shteteve arabe e të tjera islame që ta njohin shtetin e Kosovës, ndërsa Ismail Kadare prej disa institucioneve fetare shqiptare dhe disa intelektualëve është quajtur racist fetar antiislam?
Nuk është punë e imja a shpallet dhe pse shpallet Ismail Kadare doktor nderi në një Universitet. Në lidhje me këte do bëshi mirë ta pyetni Bujar Bukoshin i cili, sa dihet, është njeri politik me rol financiar në universitetin Amerikan në Prishtinë dhe me funksion në Bordin e tij.
Kohëve të fundit sikur është hapur një debat për lirinë e shprehjes në Kosovë. Çka mund të thoni për këtë çështje?
Do të ishte më mirë sikur ky debat të bëhej jo vetëm për lirinë e shprehjes në Kosovë por edhe për lirinë e shprehjes në Shqipërinë shtetërore. Kur bëhen debate për lirinë e shprehjes zakonisht debatuesit ju vërsulen institucioneve politike dhe shtetërore. Përpara në kohën e komunizmit kjo ishte plotësisht e kuptueshme. Institucionet politike dhe shtetërore ishin ato që e kufizonin lirinë e shprehjes, që ushtronin censurë, që e përndiqnin mendimin që nuk ishte në përputhje me doktrinën politike dhe ideologjike shtetërore. Tani pas rënies së komunizmit nuk është bash kështu. Tani ngjet që institucionet politike dhe shtetërore të ndikojnë kufizueshëm në lirinë e shprehjes apo të përpiqen që të ndikoj në kufizueshëm në disa raste në lirinë e shprehjes; por tani më shpesh se institucionet shtetërore mua më duket se lirinë e shprehjes e kufizojnë vetë mediet ose disa prej medieve. Janë shumë media dhe mirë që janë shumë, dhe ka hapësirë edhe për më shumë. Interesat e tyre shpesh janë të ndryshme. Dhe në këtë konflikt të tyre të ndryshëm të interesave shpesh e pësojnë të tretët, domethënë u kufizohet liria e shprehjes atyre që duan të shprehen në këto media. Di një varg intelektualësh, krijues letrtarë a shkencëtarë prej të cilëve kërkohet që të shkurtojnë disa fjali në shkrimet e tyre apo të ndërrojnë disa formulime. Do të çuditeni nëse ju them se raste të tilla më kanë ngjarë edhe mua, me gjithë stazhin krijues gati 50 vjeçar. Po jap një shembull. Një gazetë se cilës i kam dhënë sa intervista dhe në të cilën kamë botuar disa sprova, kërkoi prej meje që në artikullin që ia kisha çuar të heq konstatimin se Ismail Kadare në kohën e Enver Hoxhës ishte deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë. Mbasi refuzova ta heq këtë konstatim m'u çua përgjigjja se bordi i gazetës ka vendosur të mos e botojë artikullin tim! Nuk bëra kurrfarë reagimi, natyrisht; e kuptova pse më ngjante ky cenim i lirisë së shprehjes në një gazetë bashkëpunëtor i së cilës isha. Ato ditë në një intervistë të Ismail Kadaresë në Francë gazetari i thoshte atij se në kohën e komunizmit ai, Kadare, ishte drejtor a redaktor, nuk më kujtohet në një institucion kulturor. Ismail Kadare nuk e demantoi këtë gënjeshtër me të cilën e kishin pajisur gazetarin bashkëpunëtorët e tij. Është e qartë se konstatimi im për funksionet e larta politike të Ismail Kadaresë në kohën e komunizmit po demaskonte gënjeshtrat me të cilat regjimi i Sali Berishës e nxjerr Kadarenë në pazarin politik letrar evropian. Artikullin tim megjithatë e botoi një gazetë tjetër shqiptare. Nuk ka dyshim se liria e shprehjes do të jetë edhe shumë kohë e cënuar në jetën tonë. Ne për herë të parë po e provojmë demokracinë në kuptimin evropian. Duhet kohë që ajo të bëhet kulturë e jona, mentalitet i yni, botëkuptim i yni, moral i yni.
Kur pritet të kenë lexuesit librin më të ri të Rexhep Qosjes dhe çfarë përmbajtjeje do të ketë?
Këto ditë më është botuar libri me trajtesa dhe sprova historiko-letrare.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 2 postime · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 26 Nëntor 2020, 02:28
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari