Dedikuar poltikes dhe mjeteve te komunikimit te mases shqiptare ne menyre qe te japim mendimin tone ne lidhje me mbarevatjen e jetes poltike shqiptare. Te japim apo krijojme nje ide te re poltike qe revolucionon aktualitetin.Miresevini
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 14 postime · Faqe 2 prej 2 · 1, 2
FATMIR MEDIU - ARKITEKTI I GERDECIT-I VRASJES SE 26 BANORVE
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4542
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Ekspertët ligjorë: Parlamenti të shkarkojë gjyqtarët që pushuan dosjen e Mediut
ImazhImazh


Parlamenti duhet të shkarkojë gjyqtarët që lejuan pushimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit që shkaktoi 26 viktima, rreth 300 të plagosur, me miliona lekë dëmtime në mars të vitit të kaluar, sipas ekspertëve ligjorë të Partisë Socialiste.
“Gjyqtarët që lejuan pushimin e dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar si përgjegjës për vdekjen e 26 personave në tragjedinë e Gërdecit, duhet të shkarkohen nga parlamenti”, - deklaroi dje eksperti ligjor i Partisë Socialiste, Ylli Manjani, në një intervistë për Top Channel.
Kjo gjë, sipas Manjanit, i takon parlamentit, me qëllim që t’i dëshmojë gjithë shqiptarëve se politika ka vullnet për të vendosur drejtësi, aq e kërkuar nga qytetarët. “Në këto kushte, i takon parlamentit që të nisë procedurat e shkarkimit të atyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë që e kanë shkelur rëndë Kushtetutën”, - thotë Manjani. Gjithashtu, sipas Manjanit, ky është momenti për të treguar se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit dhe pavarësinë e gjyqësorit, aq të trumbetuar nga kjo e fundit. Por, duke lënë mënjanë këtë të fundit, Manjani u shpreh se është detyrë e opozitës që të kërkojë në Kuvend shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët pushuan dosjen ndaj Fatmir Mediut. “Askush nuk mund të ketë imunitet dhe i takon Partisë Socialiste të çelë një hetim parlamentar, ndërsa qeveria duhet të japë konsensus”, - tha Manjani. Sipas tij, është i papranueshëm fakti që kjo gjykatë lejoi mbylljen e një prej dosjeve më të rënda gjatë këtyre viteve, duke mos shqyrtuar akuzat e ngritura ndaj Fatmir Mediut. Manjani tha se Gjykata e Lartë ka shkelur rëndë Kushtetutën në rastin e pushimit të dosjes penale ndaj Mediut, gjë që në fakt e ka bërë edhe herë të tjera. Eksperti ligjor i PS tha se gjykata ka për detyrë t’i gjykojë çështjet dhe jo t’i pushojë ato pa i shqyrtuar, kushdo qofshin të pandehurit. Ai ka marrë si shembull një rast të vitit 2001, kur ministri i Drejtësisë së asaj kohe, Arben Imami, kërkoi në parlament shkarkimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pasi këta të fundit kishin liruar një të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Edhe pse kjo kërkesë nuk u pranua nga ana e parlamentit, Manjani tha se politika mund të veprojë dhe ndikojë për gjykimin e Fatmir Mediut, nëse ka vullnetin e duhur.
Juristët
Pushimi i dosjes penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, sipas konstitucionalistëve, ka qenë një keqinterpretim i Kushtetutës nga Gjykata e Lartë. Sipas tyre, imuniteti e mbron deputetin për çështjet që janë nën hetim, dhe jo kur ato janë në gjykim. Ata shprehen se ekzistojnë hapësira ligjore për të rihapur çështjen. Juristi Gent Ibrahimi u shpreh pak ditë më parë për mediet se, vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes gjyqësore në ngarkim të Fatmir Mediut ka qenë një gabim themelor dhe keqinterpretim i Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale. Sipas tij, “të paktën në tri çështje Gjykata e Lartë është shprehur për vazhdimin e procesit gjyqësor në ngarkim të personave me imunitet dhe më pas në tri rastet, për arsye të ndryshme, gjykata ka arritur përfundimin se procesi duhet të ndërpritet. Gjykata duket sikur e gjen justifikimin ligjor në dy nene. Për një arsye apo për një tjetër, gjykata duket se anashkalon një fakt shumë të rëndësishëm, fakti që qoftë Kushtetuta, qoftë Kodi, flasin për ndjekje penale për gjykim. Pra, deputeti është i mbrojtur nga veprimet me karakter hetimor të ndërmarra nga prokuroria e policia gjyqësore, por jo nga një proces penal. Të pretendosh që një deputet është i mbrojtur nga një proces gjyqësor penal, është si të pohosh se deputetët nuk janë të barabartë me të gjithë shqiptarët. Ky është një gabim themelor, keqkuptim dhe keqinterpretim i rëndë i Kushtetutës, por edhe i Kodit të Procedurës Penale. Për fat të keq kjo gjë po përsëritet”. Sakaq, ai pohoi faktin se ekziston mundësia ligjore për të kërkuar dhe rihapur çështjen gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili tashmë do të mbajë postin e ministrit të Mjedisit. “Në përgjithësi ligji e ndalon gjykimin e së njëjtës çështje dy herë, por ky është një përjashtim. Ka një nen të posaçëm në Kodin e Procedurës Penale, që mundëson rigjykimin e së njëjtës çështje, lidhur me të njëjtin person. Dhe është pikërisht ky rasti. Është nevoja për të marrë një autorizim nga Kuvendi, për të proceduar penalisht një nga anëtarët e saj. Nuk quhet që kemi të bëjmë me procedim të së njëjtës çështje. Prokuroria duhet të ri-kërkojë lejen e Kuvendit”, - tha Ibrahimi, i cili nuk nguroi të kërkonte përgjegjësitë për mbylljen e dy çështjeve më të bujshme, atë të Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës, edhe tek organi i akuzës. Juristët shprehen se një nga rrugët për ta gjykuar Mediun, është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga palët e interesuara në proces apo një grup deputetësh, që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Gaz. Tema
20.9.2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4542
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FATMIR MEDIU MINISTËR I GERDECIT, Posted 19 Nëntor 2009, 22:32
Luan Hoxha: Gërdeci u ngrit me urdhër të Mediut
Imazh

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha akuzon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si “arkitekt” të tragjedisë së Gërdecit. Përmes avokatit të tij, Brahim Lahi, ish-gjeneral lejtnant Hoxha ka bërë të ditur dje në gjykatën e Tiranës se, përzgjedhja e Gërdecit si vendi ku do të bëhej demontimi i municioneve është urdhëruar nga ministri i Mbrojtjes, por pa përmendur emrin e Fatmir Mediut. Në ‘dëshminë’ e tij Luan Hoxha, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës”, tha se nuk është detyrë e Forcave të Armatosura të ruajnë apo sigurojnë ambientet e kompanive private, siç ishte rasti i “Alba Demil” që bënte çmontimin e municioneve në Gërdec. Avokati Lahi tha më tej se dërgimi për çmontim i municioneve të kalibrit jo të vogël është urdhëruar nga ministri i Mbrojtjes, dhe jo nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, madje ky i fundit pretendon se është anashkaluar qëllimisht. Sipas ish-gjeneral lejtnant Luan Hoxhës, ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar ushtrinë që të transportojë municione në Gërdec, si dhe ka dhënë mjaft urdhra të tjerë pa dijeninë e tij, të cilat bien ndesh me detyrën kushtetuese të Forcave të Armatosura, që është ruajta e sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues.
Më poshtë po botojmë të plotë parashtrimet që avokati Brahim Lahi bëri dje para gjykatës së Tiranës…
Z.Gjyqtarë! Klienti im, Luan Hoxha akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës nga kuadri komandues”, sipas nenit 70/2 të Kodit Penal Ushtarak. Për të kundërshtuar arsyetimet e ngritura nga akuza, dëshiroj të paraqes në mënyrë të përmbledhur funksionin dhe detyrimin kushtetues të klientit tim.
Luan Hoxha me gradë “Gjeneral lejtnant”, ka qenë me detyrë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të R. së Shqipërisë. Në këtë funksion ai ka drejtuar Shtabin e Përgjithshëm, që sipas nenit 23 të ligjit nr.8671 datë 26.10.2000, është struktura më e lartë organizative ushtarake e Forcave të Armatosura dhe kryen komandën unike të saj. Por, cili është funksioni kushtetues i Forcave të Armatosura...
Në nenin 12/1 të Kushtetutës së R. së Shqipërisë (pjesa e përgjithshme) përcaktohet se Forcat e Armatosura sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues. Në kuptim të sigurimit të pavarësisë përfshihen dhe krijimi i strukturave ushtarake, planeve të posaçme të mbrojtjes, planet stërvitore etj, të përcaktuara në dispozita të veçanta ligjore, siç është dhe ligji nr.86 71, datë 26.10.2000. Në kuptimin e mbrojtjes territoriale të vendit përfshihen operacionet ushtarake kundër çdo agresori të mundshëm dhe të përcaktuara në pjesën e posaçme të Kushtetutës, pikërisht në nenet 170, 171 e vijues të saj, në kuptim të mbrojtjes së rendit kushtetues përfshihen ato të përcaktuara në nenin 173 dhe 174 të Kushtetutës. Në përputhje me këto dispozita është edhe funksioni i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i përcaktuar në ligjin nr.86 71, datë 26.10.2000 “Për pushtetin dhe autoritetin e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të R. së Shqipërisë” e nenet 27 e vijues të tij. Sipas këtyre funksioneve kushtetuese, Forcat e Armatosura të R. së Shqipërisë nuk mund të angazhohen në asnjë lloj mbikëqyrje të veprimtarive civile, private apo shtetërore. Çdo angazhim i Forcave të Armatosura jashtë funksionit kushtetues të saj duhet të konsiderohet antikushtetues.
Z.gjyqtarë! Në akuzën e ngritur nga prokuroria kundër klientit tim, konsiderohet e kundërligjshme dhe vepër penale fakti se Forcat e Armatosura nuk kanë mbikëqyrur procesin e çmontimit dhe demilitarizimit të municioneve në ndërmarrjen private “Alba Demil”; nuk kanë numëruar fishekët që janë çmontuar e demilitarizuar nga kjo ndërmarrje, sasinë e barutit të shitur etj, të gjitha të lidhura me një veprimtari të një ndërmarrjeje civile private. Këto detyrime të përcaktuara nga akuza si shpërdorime të detyrës bien ndesh me funksionin kushtetues të Forcave të Armatosura që trajtova më sipër. Nuk është detyrë e Forcave të Armatosura të R. së Shqipërisë të ndërhyjë, kontrollojë një veprimtari private apo shtetërore që nuk ka të bëjë me pavarësinë e vendit, mbrojtjen e tërësisë territoriale të R. së Shqipërisë apo ruajtjen dhe sigurinë e rendit kushtetues të saj, të përcaktuar në nenin 12 të Kushtetutës. Edhe pika 4 e kapitullit IV të VKM nr.138 datë 14.03.2007, ku bëhet fjalë se procesi i çmontimit e demilitarizimit duhet të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura duke regjistruar me hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara, të çmontuara, pas çmontimit dhe çmilitarizimit si dhe produkteve të tyre pas çmontimit e çmilitarizimit, vjen në kundërshtim me funksionin kushtetues të Forcave të Armatosura, pasi ky proces kishte lidhje me një veprimtari të një ndërmarrjeje civile.
Detyra kushtetuese e Forcave të Armatosura ishte përcaktimi i sasisë së tepërt të municionit që nuk shërben për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit, heqja e tyre nga përdorimi dhe dërgimi pranë ndërmarrjes civile MEICO, e cila është ngarkuar për administrimin e mëtejshëm të tyre. Nuk është detyrë kushtetuese e Forcave të Armatosura të R. së Shqipërisë kontrolli i zbatimit teknik të rregullave të sigurimit teknik në ndërmarrjen private që ka marrë përsipër çmilitarizimin, demontimin apo administrimin e produkteve që dalin nga ky proces. Në frymën e këtyre dispozitave kushtetuese është hartuar urdhri nr.2044, datë 07.12.2007, i ministrit të Mbrojtjes, ku Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka nënshkruar se është dakord për ato pika që i përkasin Forcave të Armatosura. Pikërisht për këtë arsye, në pikën 12 të këtij urdhri është përcaktuar se Drejtoria e Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ndjek zbatimin e këtij urdhri vetëm për dorëzimin e municioneve të ndërmarrjes MEICO. Duke ndjekur pikat e akuzës të ngritura mbi njoftimin e akuzës datë 11.02.2009, dëshiroj të parashtroj në formë hyrëse ato që do të kundërshtojmë nga akuza dhe të provojmë të kundërtën gjatë gjykimit për çfarë parashtrohet në akuzë.
Në pikën e parë thuhet se Luan Hoxha, me mosveprim në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, nr.2044, datë 07.12.2007, ka shmangur Forcat e Armatosura nga mbikëqyrja e procesit të çmontimit e demilitarizimit etj, që kryente shoqëria private “Alba Demil”, duke ia ngarkuar këtë detyrë MEICO-s dhe më poshtë argumenton dispozitat ligjore të shkelura.
Dhe këtu bëhet fjalë, me sa del nga përmbajtja e akuzës për pikën 12 të urdhrit. Siç kam trajtuar dhe më sipër, funksionet e Forcave të Armatosura janë përcaktuar në mënyrë sintetike në Kushtetutën e R. së Shqipërisë. Forcat e Armatosura nuk kanë asnjë detyrim kushtetues dhe ligjor të mbikëqyrin veprimtarinë e ndërmarrjeve private. Janë organe civile ato që mbikëqyrin rregullat e sigurimit teknik në këto ndërmarrje. Do të ishte antikushtetuese nëse Forcat e Armatosura do të ishin angazhuar në kontrollin dhe mbikëqyrjen e veprimtarive private. Një gjë e tillë mund t’i ngarkohet Forcave të Armatosura vetëm në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në pikën 2 të vendimit të njoftimit të akuzës, thuhet se klienti im Luan Hoxha ka lejuar që, me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, nr.2044, datë 07.12.2007, të shkojnë për çmontim e çmilitarizim në Gërdec municione të kalibrit jo të vogël (20-152 mm), si dhe ka lejuar shitjen për demontim të disa lloje municionesh të padala, të nxjerra nga armatimi e përdorimi dhe të pakategorizuara nga Komisioni i P.K.P. Lidhur me këtë pikë të akuzës do të provojmë gjatë gjykimit se, sipas VKM nr.138 datë 14.03.2007, kreu VII, është ministri i Mbrojtjes autoriteti që, nëpërmjet Komisionit të PKP përcakton kategorizimin e municioneve të hequra nga armatimi e përdorimi i Forcave të Armatosura. Vendimi për të dërguar pranë ndërmarrjes MEICO për demilitarizim të këtyre municioneve është marrë nga Komisioni i ngritur direkt nga ministri, me urdhrin nr.416 datë 02.04.2007, dhe se për këtë urdhër klienti im nuk ka pasur dijeni apo njoftim. Në këtë urdhër nuk ka asnjë detyrë për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Komisioni, me vendimin e tij nr.07 datë 01.11.2007, ka bërë kategorizimin e municionit ku përfshihen dhe municionet e kalibrit të përmendura në akuzë dhe ia ka kaluar direkt ministrit, i cili e ka miratuar pa kaluar nga miratimi i Shtabit të Përgjithshëm. Për sa më sipër, drejtori i Logjistikës me shkresën e tij MEMO, datë 22.11.2007 drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me kërkesë të tij për këtë problem sqaron:
“Meqenëse Ju nuk ishit atë ditë, me urdhrin tuaj nisëm praktikën për ta kaluar tek Ministri nëpërmjet zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në kohën që në praktikë ishte tek zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gojarisht u kërkua me urgjencë nga Ministri vendimi nr.7 datë 01.11.2007 i Komisionit. Pra, vendimi për t’i dhënë ndërmarrjes MEICO këtë kategori municioni është marrë direkt nga komisioni dhe miratuar nga Ministri, pa kaluar nga kontrolli apo marrja e mendimit të Shtabit të Përgjithshëm. Theksoj se municioni i lartpërmendur është hequr nga përdorimi i Forcave të Armatosura dhe nuk duhej më për qëllimin e destinuar. Lidhur me dërgimin në Gërdec të municioneve të pakategorizuara nga komisioni, klienti im nuk ka lëshuar asnjë urdhër, nuk ka asnjë dijeni dhe se procedura e kategorizimit është përcaktuar në urdhër dhe konkretizuar në vendimin e komisionit nr.7 datë 01.11.2007. Klienti im është njohur me urdhrin nr.2044 dhe aneksin “A” që i bashkëngjitet këtij urdhri dhe është në dijeni se strukturat zbatuese kanë zbatuar këtë urdhër. Theksoj se në MEMO-n e datës 22.11.2007, hartuesit e urdhrit kanë përcaktuar se “për municionet gëzhojë tunxhi kalibër 20-152 mm, komisioni i kategorizimit në MM me vendimin e tij nr.7 datë 01.11.2007, ka bërë kategorizimin e tyre për shitje dhe çmontim, kurse komisioni i çmimeve ka përcaktuar çmimin e shitjes”.
Në pikën 3 të vendimit për njoftimin e akuzës thuhet se, klienti im ka lejuar realizimin e procesit të çmontimit e demilitarizimit në Gërdec, pa u bërë më parë licencimi i vendit. Së pari dëshirojmë të theksojmë se licencimi i ambienteve të ndërmarrjeve private nuk bëhet nga Forcat e Armatosura, por nga struktura të tjera ligjore. Forcat e Armatosura bëjnë licencim vetëm të ambienteve dhe vendeve në përdorim dhe funksion të Forcave të Armatosura. Kjo është sqaruar më së miri edhe në Manualin “Logjistina, përmbledhje e dokumenteve kryesore për mbështetjen logjistike të Forcave të Armatosura Tiranë, 2005, faqe 128-140. Këtu thuhet se objektet jashtë Forcave të Armatosura që janë përdorur për demontim industrial të municioneve si, uzina e lëndëve plasëse Mjekës, Kombinati Poliçan, Uzina Gramsh, varen nga Drejtoria e Menaxhimit të Instalimeve e Burimeve të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nuk kanë varësi nga Shtabi i Përgjithshëm. Dhe këto janë uzina ushtarake që varen nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa për ndërmarrje private as që bëhet fjalë që ato të licencohen nga Forcat e Armatosura.
Këtu duhet të sqaroj se, për subjektet civile e publike vendase dhe të huaja zbatohet rregullorja e teknikës së sigurimit për përdorim civil të lëndëve plasëse, e miratuar me VKM nr.533 datë 08.07.2005. Si përfundim theksoj se nuk është detyrë e Forcave të Armatosura dhe as e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të licencojë objekte private civile. Referenca ligjore e ngritur në akuzë është vetëm për licencimin e objekteve me karakter ushtarak dhe në organikën e Forcave të Armatosura.
Në pikën 4 të vendimit për njoftimin e akuzës trajtohet si element i shpërdorimit të detyrës fakti se, ka lejuar transportin e municioneve në Gërdec pa qenë e parashikuar në planin vjetor.
Planet vjetore parashikohen e përpilohen në kuadrin e aktivitetit të Forcave të Armatosura, në plotësimin e detyrave të tyre kushtetuese e ligjore. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me planifikim vjetor, pasi në urdhrin nr.2044 datë 07.12.2007, kjo detyrë i është dhënë direkt komandës së forcave të bashkuara, komandës mbështetëse dhe MEICO-s dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk mund të miratojë urdhrin e ministrit. Për sa më sipër, në këtë pikë nuk ka asnjë element shpërdorimi, aq më tepër elementë të tillë që të përbëjnë vepër penale.
Paraqita këtë parashtrim hyrës për të argumentuar se në veprimet e klientit tim nuk ekziston asnjë element i veprës penale dhe se veprimet e tij kanë qenë në përputhje me funksionin kushtetues të Forcave të Armatosura të R. së Shqipërisë. (më poshtë renditen provat).
Av. Brahim Lahi
» Dërguar më: 19/11/2009 - 12:29
Klodiana Lala
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4542
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Delijorgji përsërit akuzën: Mediu ngriti Gërdecin

Imazh
MIHAJL DELIJORGJI

Avokati Maks Haxhia, dje në gjykatë pohoi se vonesa e kamionëve të SAC-it shkaktoi shpërthimin në Gërdec

Sipas mbrojtësit të bosit të Albademil, prokuroria ka lënë jashtë hetimit zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtes dhe SAC

TIRANË- Pas avokatit të Luan Hoxhës, edhe avokati Maks Haxhia, mbrojtësi Mihal Delijorgjit, një nga të pandehurit kryesorë për shpërthimin me pasoja të rënda në Gërdec, fajësoi me të njëjtin ton ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si përgjegjësin kryesor për këtë tragjedi.

"Klienti im Mihal Delijorgji është i pafajshëm dhe nuk është ai përgjegjësi për pasojat si në njerëz ashtu edhe dëme materiale të ardhura nga shpërthimi në Gërdec.

Ministria e Mbrojtjes dhe drejtuesit e saj iniciuan hartimin e ligjit për demontim të municioneve, e dërguan atë në qeveri e më pas në Parlament dhe e zbatuan. Ministria e Mbrojtjes përgatiti të gjitha procedurat që nga tenderi për këto demontime e deri te caktimi i vendit për këtë çështje. Ministria e Mbrojtjes ngarkoi MEICO-n, institucionin në varësi të saj për të kryer të gjithë projeketet për demontimin e municioneve.
Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO, hapën tenderin dhe caktuan firmën amerikane SAC, si fituese për demontimin,- tha avokati Haxhia në fjalën e tij, gjatë ditës së djeshme. Në këtë mënyrë ai ia kaloi të gjithë përgjegjësinë Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesve të saj. Sipas Haxhisë, në asnjë rast emri i Mihal Delijorgjit nuk ka të bëjë me të gjitha këto veprime.
"Në momentin që SAC-i fitoi tenderin për demontim, Ministria e Mbrojtjes kishte caktuar ish-repartin e tankeve në Gërdec si vend për të kryer këtë aktivitet.
Kompania SAC kërkoi një kompani shqiptare të specializuar për skrapin dhe këtu fillon dhe hynë në lojë Mihal Delijorgji, i cili bashkë me përfaqësuesin e SAC-it, Patrik Henry, hapën kompaninë "Albademil". Me hapjen e saj u ndanë edhe aksionet mes tyre, ku Delijorgji përfitonte mbetjet metalike nga demontimi dhe kishte 67 % të aksioneve. Kompania amerikane SAC përfitonte barutin dhe kishte 33 % të aksioneve",-tha avokati Haxhia.

Më tej ai akuzoi prokurorinë për shmangie nga hetimi të drejtuesve dhe kompanisë SAC dhe punonjësve të saj në Gërdec. Sipas avokatit të Delijorgjit, përgjegjësia direkte e pasojave të shpërthimit, bie ndaj drejtuesve të kompanisë SAC, që ishte vonuar në tërheqjen e barutit të fituar nga demontimi i municioneve, e që ishte depozituar në sasi të mëdha në Gërdec.
"Ditën e ngjarjes, kompania SAC, ishte vonuar me trajlerat e saj për të tërhequr barutin e grumbulluar nga demontimi i municioneve në Gërdec. Ajo nëpërmjet një firme transporti nga Izraeli e eksportonte barutin nga Shqipëria në Belgjikë për përpunim civil,- tha Haxhia, ndërsa e cilësoi klientin e tij si viktimë të presionit mediatik në vend.

Të pandehurit
Delijorgji, Margariti, Minxholli e "Albademil", duan gjykim të shkurtuar
Po dje, avokatët e Delijorgjit, Dritan Minxhollit dhe Juliana Margaritit përsëritën kërkesën për gjykim të shkurtuar, e cila u rrëzua sërish nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Ridvan Hado.
Po në seancën e djeshme, parashtruan provat dhe kërkesat hyrëse edhe avokati i të pandehurës Juliana Margariti, i cili e cilësoi klientin e tij të pafajshëm për akuzat, ndërsa për marrjen me cilësinë e të pandehurit si person juridik të kompanisë "Albademil", avokati i kësaj kompanie e cilësoi të palogjikshëm juridikisht marrjen e një personi juridik si i pandehur në këtë rast. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet edhe të avokatit Delijorgji u tërhoq për vendim, për ta shpallur pas dy ore.
Por, me kthimin e gjyqtarëve në sallën e gjyqit u konstatua se mungonin disa nga avokatët e çështjes, çka detyroi gjykatën të caktojë ditën e hënë ora 10:00 vazhdimin e këtij procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit të ndodhur më 15 mars 2008.
Flamur Vezaj | 21/11/2009
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4542
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Hetuesi Sabri Godo vdiq - Torturoi Bep Shantojën, Posted 11 Dhjetor 2011, 00:19
Nga
Fritz RADOVANI:
Imazh

“MOS JU RAFTË ME I HARRUE..!”
ImazhImazh
Imazh

Më shkruen një mik prej larg: “Edhe një ditë zi per Sabri Godon!..”, e vazhdon shpjegimin e bajtjes së arkivolave nga ushtarakët e naltë të permalluem ku nuk shkon ma!
Ramiz Alia duket se ka terhjekë shkarpat rrëshqanë... Me të vertetë që Tirana po përjeton vdekje të “shëmtueme”,po ka kenë një shprehje që perdorej dikur në Shkodër: “Mortja marrtë mbarë!”...Vonë boll, por fillimi asht i mbarë! Askush nuk e përballoi ma me forcë atë vdekje ma fort se PPSh, me të gjitha metastazat e veta, tue përfshi kryesisht organin terrorist, të cilit i asht kenë përkushtue që në moshen e ré:“Sigurimin e shtetit”, agjent i të cilit ishte porsa u prezentue nga OZN-a. Vdiq me zemër plot: Edhe KGB- ja nuk e kishte harrue agjentin e saj të vjeter... Ajo “medalje kujtimi” që i dërgoi në vitin 2005 me anën e ambasadorit rus në Tiranë, nuk ka të paguem...as nuk mund të qendrojnë me asnjë nga titujt e dekoratat që i ka pasë vue në gjoks Enver Hoxha e Haxhi Lleshi... e që as nuk guxon kush me ia prekë me dorë as sot! Edhe “dr. prof e akademikët” e kanë tregue burrninë e tyne. Asnjeni nuk e heqë një pikë a presje nga shkrimet e veta, edhe pse Erdogan i porositi që “duhet rishikuar historia!” Ai kujtoi se né e shkruejmë historinë si e kanë shkrue ata. Na nuk merremi me çashtje të vogla. Asht shkrue çka asht shkrue per Haxhi Qamilin, por askush nuk guxon me kundërshtue mendimin e Enverit dhe historianëve tanë per figurën e tij dhe rolin e madh që ka luejtë në luftën kundër Shqiptarëve tue thirrë “dum baben”!Tirana, që me Haxhi Qamilin ka hy në historinë e lëvizjes turke dhe prej asaj kohë mund të kenë ndrrue pakte, marrveshje, traktate, po mos harroni se Tirana po mbushë plot 20 vjet në 2012 antare e Konferencës Islamike... As në traktatin e Varshavës nuk ka qendrue aq sa me “vëllezërit e gjakut”... E di se po ju çoj zemren peshë, po me thanë të verteten, jemi në ditë zije të fortë dhe mendja shetitë sa në një vorr, sa tek tjetri...
Tue pa dashninë e madhe të Kuvendit Popullor dhe të sundimtarëve të Tiranës per familjen mbretnore dhe trashigimtarët e saj, besoj se nuk asht e largët që deputetet tanë do të rendisin me “Herojt e Popullit”, ashtu si i takon, ose po nuk pat dekorata të ruejtuna për atë titull, të pakten me dekoraten “Nderi i Kombit”, edhe Esad Pashë Toptanin, që t’i bahet qejfi edhe Erdogan, se po dekorohen edhe Pashallarët e lanun në harresë!...
Ka me i takue me heqë pak keq trashigimtarëve të tyne në presidencë me ba pak ndryshime nder mbiemna, por nuk besoj se pritojnë me shtue një “Pashë” në mes dhe një “tani” në fund...që, per nderimin e madh që i bahet familjeve të tyne, kjo nuk asht asgja.
Ka me dalë edhe ndonjë shkodran i vjeter me kerkue me trashigue mbiemnin e Vaso Pashë Shkodranit, po besoj se nuk ka me mujtë me u rreshtue me herojt e siperm, se ka me i shkue goja e ka me pyetë Jozefinen: “Po ty, kush të ka zhytë me krye në hi?!”...
Kur të rishikoni historinë e 1924 asht mirë edhe Bajram Currin me e nxjerrë nga Shpella e Dragobisë...se edhe Ai sikur nuk lidhet me “lëvizjen fshatare të Tropojës...” dhe intelektualët e saj që ka nxjerrë në vitet e fundit, “kjoftë per atëherë”!.. Na vdiq edhe ky Sabri Godo, se per këta Ali Pash Tepelenat e shekullit XXI ka kenë specialist... Merita e tij ishte se kur kjé hetues, masakroi Bep Shantojen, i cili pat lanë perkufizimin filozofik të komunizmit: “Vetëm të marrët nuk çmendën nga sistemi komunist!”...
Po na ikin një nga një “dijetarët e PPSh”, që ishin të pazevendsueshem! Edhe po vrapojnë me shkue pa lanë me i ra “dheu fëtyrës” ata që na pezmatuen ma fort, po nuk kemi çka me ba: “Sabri ka selametin!”... prej kësaj shprehje i paten vu emnin Sabriut...
Tash e ka rradhen...mos kjoftë permendë emni i saj...se po kam frikë se po na e ndryshon dreqi projektin që ka fillue... edhe ajo duhet nderue fort, si këta tjerët, po sa e sa veprat (se gati shkrova vorret) ka lanë në Truellin e Shqipnisë ky brez i paharrueshem nga trashigimtarët e tyne sundues, veç “na paçin marrë të keqen”si thotë Populli...
Më vjen keq per ata oficerat që po i duhet me bajtë pleh nder supat e tyne...
Kur vdekja vazhdon me korrë ashtu si ka fillue në Shqipni, e sidomos kur zija asht e fortë, malsorët kanë pasë perdorë një thanje: “Mos ju raftë me i harrue!”...
Nuk duhet keqkuptue kjo thanje, mbasi në këte rasë ka edhe kuptimin që “duhet me vazhdue me vdekë prej tyne të pakten një në dy ditë...” kështu, nuk harrohen!
Po edhe kjo nuk asht e drejtë...

Ba mos me më ardhë keq per oficerat që shkojnë me bajtë arkivolat e qelbun të tyne, do të kishe thanë: “Jo një në dy ditë, por dhjetë në ditë prej tyne edhe janë pak!”...

E dij se ndokujt do të mi mbesin hatri...
E ka me më thanë: “Po pse dhjetë në ditë e jo njëzet!”...
Ma mirë nga dhjetë se një krye muejt!...Ashtu nuk marohen kurrë!

Melbourne, 10 Dhjetor 2011.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Mëparshme
Posto një përgjigje 14 postime · Faqe 2 prej 2 · 1, 2
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 27 Tetor 2020, 11:49
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari