Dedikuar poltikes dhe mjeteve te komunikimit te mases shqiptare ne menyre qe te japim mendimin tone ne lidhje me mbarevatjen e jetes poltike shqiptare. Te japim apo krijojme nje ide te re poltike qe revolucionon aktualitetin.Miresevini
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 33 postime · Faqe 4 prej 4 · 1, 2, 3, 4
Shqiperia dhe Greqia
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4539
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Mediat greke për zgjedhjet në Sqhipëri/ “Berisha fitoi zgjedhjet me 72 deputetë”
01-07-2009 / Gazeta 55

Gazeta greke “Kathimerini” jep lajmin e fitores së kryeministrit Berisha për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri. Sipas artikullit të saj të shoqëruar me foton entuziaste të zotit Berisha dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, fitorja e Kryeministrit shqiptar është e sigurt edhe pse me një diferencë të vogël. Megjithatë sipas saj ai fiton 72 mandate deputetësh duke krijuar edhe qeverinë e re. Kur procesi zgjedhor në Shqipëri nuk ka mbaruar ende, kalkulimet zgjedhore duket se nuk i kanë lënë të pa interesuar fqinjët tanë jugorë që i japin Berishës fitore të sigurt.

Sipas artikullit të gazetës greke me numërimin e votave bëhet e qartë se “Partia e Qendrës së Djathtë e Kryeministrit aktual duket të arrijë 72 vende nga 140 gjithsej, kundrejt 65 vendeve të partisë Socialiste e udhëhequr nga Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama”. Më tej gazeta greke i referohet kompanisë së sondazheve Zogby që kishte parashikuar 69 vende për koalicionin e djathtë “Aleanca për Ndryshim”, 2 më pak se shifra e 71 deputetëve që duhen për të krijuar qeverinë.

Sipas gazetës greke zgjedhjet parlamentare në Shqipëri brenda dhe jashtë vendit shihen si test kritik në rrugën e integrimit të Shqipërisë, një vendi ish komunist që kërkon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, një muaj pas anëtarësimit në NATO.

Suedia sipas artikullit do të marrë nga Presidenca ceke kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe do e analizojë këtë nën këndvështrimin e raportit përfundimtar të vëzhguesve që kanë qenë prezent në zgjedhjet e së dielës. OSBE ndërkaq ka nxjerrë rezultatin se në përgjithësi zgjedhjet kanë qenë të drejta edhe pse ka pasur disa parregullsi dhe gabime. Gazeta greke i referohet edhe deklaratës së komisionerit Rehn, i cili pohoi se zgjedhjet e së dielës nënvizuan qartësisht nevojën e klasës politike shqiptare në të gjithë drejtimet të punojë më fort në mënyrë që të zhvillojë në të ardhmen zgjedhje që do të jenë plotësisht të përputhshme me standardet ndërkombëtare.

Vetë zoti Berisha pohoi se nga zgjedhjet nuk ka të humbur dhe fitues sepse një Shqipëri evropiane do të jetë atdheu i gjithë shqiptarëve.

Nga ana e tij Edi Rama ka rënë dakord se ka fituar Shqipëria evropiane, ndërsa pritet që 44-vjeçari, Rama pritet të ketë kontestime.

Gazeta greke i bën analizë edhe përfaqësimit të minoritarëve në Parlamentin shqiptar duke përmendur se Prefekti i Gjirokastrës Spiro Ksera është zgjedhur deputet i Partisë Demokratike pas ndarjes së tij nga Vangjel Dule.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4539
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
Shqiperia dhe Greqia, Posted 08 Korrik 2009, 23:47
Greqi / përkrahu mësimin e gjuhës shqipe, ndiqet penalisht drejtoresha e shkollës

Diskriminohen fëmijët shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare

Titulli nuk ka të bëjë me një truk gazetaresk, por fatkeqësisht është një realitet. Një realitet që indinjon çdo njeri të epokës së sotme. Një realitet që ndodh në vendin fqinj, në djepin ku lindi demokracia, arti dhe kultura. Një realitet që lë shumë për të dëshiruar, kur mëson se një drejtoreshë shkolle ndiqet penalisht, pasi krimi që kishte bërë ishte se u kishte dhënë ambiente në shkollë fëmijëve të emigrantëve për të mësuar gjuhën shqipe. Ky veprim human dhe njerëzor i drejtoreshës së shkollës u ndesh përballë sistemit të sotëm të shtetit grek, që e pushon nga puna dhe e çon përpara organit të drejtësisë. E çuan për ta gjykuar pasi ajo dha dashurinë e një nënë për të gjithë fëmijët e emigrantëve, pa dallim feje dhe kombi.
Sot paguan ndershmërinë përballë sistemit të vendit... Integrimi i emigrantëve në Greqi do të kishte një sukses të plotë nëqoftëse vetë shteti e ndiente veten të integruar në praktikë në zbatimin e një politike të drejtë për emigracionin. Po kjo gjë nuk i leverdis shtetit helen, pasi integrimi i emigrantëve do të luante një rol të rëndësishëm në tregun e ligjshëm të punës, duke i larguar njëherë e përgjithmonë ata nga puna e zezë, por kjo do të dëmtonte fitimet e punëdhënësve. Integrimi i emigrantëve do të ndikonte që vetë sistemi të kishte detyrime përballë shtresës së emigracionit.

Racizmi grek

Ksenofobia dha nacionalizmi vetëm dëme i kanë sjellë njerëzimit. Ky fenomen më shumë se kurrë prek vendet e Ballkanit. Edhe pse njerëzimi po jeton në shekullin e XXI-të, këto vende janë të mbërthyera nga ky fenomen tepër negativ. Kohët e fundit është folur shumë për marrëdhënie të mira dhe të shkëlqyera që ekziston me Greqinë, ndërsa në praktikë qëndron ndryshe, ato janë të cekëta dhe ndoshta të ngrira, por me interesa të mëdha ne dem të popullit tonë. Karamanlisi bëri vizitën e tij “zyrtare” në Shqipëri në një kohë të papërshtatshme për politikën shqiptare. Ai mori gjithçka që kërkoi, në një kohë kur rreth 700.000 – 800.000 shqiptarë punojnë dhe jetojnë në këtë vend pa patur zë, me liri të kufizuar.
Po e njëjta gjë po ndodh edhe me fëmijët e tyre që lindën në këtë vend europian. Një problem për Greqinë sot nuk janë vetëm emigrantët e brezit të parë, por “një rrezik” për këtë vend paraqiten gjithashtu edhe emigrantët e brezit të dytë, që nga politika vendase shikohen si një rrezik kombëtar. Frika e imagjinuar nga nacionalistët apo media, kanë bërë që shteti grek tu japë emigrantëve dhe fëmijëve të tyre liri të kufizuar dhe me pikatore të drejta sociale përball reklamave shumëngjyrëshe.

Integrim apo veçim nga shoqëria greke?!

Në këtë vend dy rrugë mbeten për brezin e dytë: ose integrimi në shoqërinë vendase, ose veçimi i tyre nga kjo shoqëri. Greqia fatkeqësisht ka zgjedhur rrugën më të keqe, rrugën e veçimit të kësaj shtrese. Bëhet fjalë për një popullsi që është 10% e aftë për punë, si dhe për 200.000 fëmijë të lindur në këtë vend dhe që konsiderohen të huaj. Emigracioni i sotëm ka treguar se me gjithë përpjekjet e bëra herë pas herë mbetet si një proces i dështuar, mbetet një peng i politikës së caktuar që të përdoret në momente të veçanta. Politika jo e drejtë shtetit ndikoi negativisht në mbarë popullin grek.
Zhvillimi i mentaliteteve mbrojtëse "të mbrohemi" nga emigrantët, niveli i ulët ideologjik, reflekset frikësuese të mbarsura nga media, përshtypja se emigracioni është një fenomen fatkeqësie kombëtare, që mund të mbizotërojë mbi shoqërinë greke. Emigrantët, në përgjithësi, gjetën në këtë vend një popull me një arsimim më të ulët se vetë ata, si dhe një vend tepër fanatik të besimit fetar, ku një grek i vërtetë është vetëm ai i fesë së besimit ortodoks dhe askush tjetër. Ky nivel i ulët arsimor luajti një rol të rëndësishëm në mbarë politikën greke. Përfundimi i këtyre mentaliteteve në popull, si edhe në mekanizmin drejtues në Greqi bëri që një sërë masash dhe ligjesh të konsiderohen nga mekanizmat ndërkombëtare si jo rezultative, por edhe pa zgjidhje për emigrantët e izoluar prej vitesh...
Greqia nuk kishte arsye përse të trembej nga emigrantët nëse ata trajtohen si të barabartë dhe të respektohen nga shoqëria vendase, ta ndjejnë veten të barabarte, atëherë këta mund te jene shpresa e madhe jo vetëm për Greqinë, por edhe për mbarë Evropën. Në qoftë se jo, emigrantët mund të shndërrohen në një forcë të madhe pakënaqësie me përmasa të rrezikshme për Greqinë. Ngjarjet e fundit në këtë vend me komunitetin mysliman tregoi qartë se emigracioni kudo që emigron nuk i humbet në mes të rrugës, të drejtat e njeriut. Atje ku ka jetë ka dhe shpresa, por ka edhe...

Historia

Historia kthehet në vitet 2005-2007, ku jashtë orarit të mësimit zyrtar, ish drejtoresha e shkollës fillore nr.132 në Athinë z.Stela Protonotariu, organizoi mësimin e gjuhës greke për prindërit e fëmijëve të shkollës, njëkohësisht edhe mësimin e gjuhës amtare të fëmijëve, që përbënin 75% të numrit të përgjithshëm të shkollës.(Bëhet fjalë për komunitetin shqiptar dhe arab). Për këtë veprim human, ministria e Arsimit e ka pushuar nga puna dhe e ka dërguar para drejtësisë për shkelje detyre.
Largimi i drejtoreshës Stela Protonotariu ndikoi që të shuhen ëndrra e dhjetëra fëmijëve të emigrantëve, si dhe vetë emigrantëve të cilët mbas pune uleshin dhe mësonin gjuhën greke. E vetëm përball racizmit vendor përqafonte dhe ndihmonte familjet e emigrantëve pa dallim. Por sot me dashje apo jo del në skenë racizmi jo nga shoqëria por nga vetë mekanizmi shtetëror, që tjetër thotë dhe tjetër vepron. Si një aktor dhe spektator ky vend i BE-së prej 30 vitesh kthehet pas në vitet e mesjetës dhe të turpit. Problemi i mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigranteve është prekur jo pak herë, po kjo më shumë bën fjalë për shtetin fqinjë me Greqinë. Dora Bakojani në një takim me përfaqësues të emigracionit shqiptar ishte shprehur se: "Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi. Duhet që vetë shteti juaj të ketë një interes në këtë drejtim. Ne ju ndihmojmë me ambientet ( shkolla), ndërsa ju duhet të siguroni librat dhe mësuesit".
Por në Greqi tjetër thuhet dhe tjetër veprohet. Masa e marrë kundra kësaj gruaje përbën një sulm me pikëpamje raciste nga qeveria Karamanlis në një kohë kur duhej përgëzuar. Integrimi i shtresës së emigrantëve nuk bie nga qielli, por integrohet në shoqërinë vendase atëherë kur vetë shteti të jetë integruar në mentalitetin e tij mesjetar. Theksohet se fëmijët e kësaj shkolle janë nderuar në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Por sot?...Çdo gjë i takon të kaluarës pasi ëndrra e tyre sëbashku me disa mësues është shuar. Po kë shqetësoi mësimi i gjuhës amtare të fëmijëve? Ishte një krim që duhej dënuar, apo një vlerësim që duhej dhënë nga qeveria.? T’u mësosh fëmijëve të emigrantëve në gjuhën amtare është një detyrë shtetërore... Greqia nuk mund të rrezikohet nga mësimi i gjuhës amtare të 80 fëmijëve emigrantë të cilët patën mundësi ta mësonin me ndihmën vullnetare të disa mësuesve.
Studimet vendase kanë treguar se një fëmijë që mëson gjuhën e vendit të tij ka më shumë rezultate se fëmija që i pritet e drejta e mësimit të gjuhës amtare. Në krah të saj janë sindikata e arsimit, shoqatat e mësuesve dhe e prindërve që kërkojnë pezullimin e gjykimit që është shtyrë për në vitin 2010. Partitë politike të majta kanë reaguar ashpër duke e cilësuar këtë veprim si një nacionalizëm të tepruar duke akuzuar ministrinë e Arsimit për rritjen e një ksenofobie. Partia parlamentare Siriza me anën e deputeteve të saj Perikli Koroveshi dhe Takis Kurtakis ka kërkuar një takim me ministrin e arsimit për pezullimin e çështjes gjyqësore, gjë që deri më sot nuk është bërë e mundur. Dy ditë më parë ministri i Arsimit, Aris Spiliotopulos pati bërë një takim në zyrën e tij me ish drejtoreshën e shkollës për të diskutuar nga afër këtë problem, por si gjithnjë duke ju çështjes së penalizimit të saj. Ky fenomen tregon qartë se Greqia nuk është e gatshme për një shkollë shumëkulturshe, por është vetëm për një shkollë nacionale, për një shoqëri jo të barabartë. Tregoi edhe një herë se në politikën vendase sundon nacionalizmi i tepruar grek.
Tregoi se emigrantët nuk i përkasin shoqërisë së sotme të 2009. por një shoqërie tjetër. Tregoi se mësimi shumë kulturor mësohet dhe mbetet vetëm në letër me anën e ligjit nr. 2413 të 1996, ku bën fjalë për dhënie ambientesh dhe mikpritjen e mësimit të gjuhës. Gjithashtu parashikimet e ligjit për mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e emigrantëve mbeti vetëm teori kur asnjëherë nuk u zbatua... Nga ana tjetër, Greqia, ashtu si çdo vend tjetër i Bashkimit Evropian, e ka për detyrë të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Qeveria "Berisha" s'ka bërë asgjë për diçka të tillë, ndërsa mburret se po i fryn financat nga viti në vit, megjithëse ka premtuar se do të realizojë hapjen e shkollave të gjuhës shqipe jashtë vendit tonë. Synimi është që shteti dhe shoqëria të shqetësohen dhe bashkohen sot, për ta ngadalësuar e kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë hemorragji kombëtare, sepse nesër do të jetë shumë vonë dhe çmimi që do të paguajmë si komb, shumë më i shtrenjtë. Shteti duhet te ndërgjegjësohet për interes të kombit.

Detyra e shtetit

Është vetë shteti që ka për detyrë kryesore morale dhe politike zgjidhjen e problemit të mësimit të gjuhës shqipe të fëmijëve tanë në emigracion. Në 18 vite të emigracionit, siç dihet shteti shqiptar asnjëherë nuk ka qenë në lartësinë e duhur me këtë problem. Megjithatë, asimilimi gjuhësor i fëmijëve tanë të larguar nga Shqipëria në moshë të vogël, apo të lindur në imigrim, vazhdon me përmasa më të mëdha dhe më shqetësuese, sepse kjo e keqe, kurrsesi, nuk ndalet e kufizohet ndjeshëm me nisma personale, familjare e ngushtësisht lokale. Vizita e presidentit Bamir Topi më 27 nëntor 2007 ishte një hap para në marrëdhëniet mes dy vendeve, po të kemi parasysh faktin që homologu i tij, Papulias, tre vite më parë anuloi vizitën e tij në Shqipëri. Presidenti Topi kërkoi nga parlamentarët grekë që shteti helen të lehtësojë procedurat për emigrantët shqiptarë me hapjen e shkollave shqipe për fëmijët tanë. Po të kthejmë kujtesën do të shohim se në nëntor 1998 nënshkruhet një akt-marrëveshje ndërmjet dy ministrive përkatëse të Greqisë dhe Shqipërisë. Në janar të vitit 2001 ish kryeministri Ilir Meta u premton emigrantëve 300 abetare. Më 2004 ish ministri Luan Memushi justifikohet se për shkollat shqipe në diasporë shteti ynë nuk ka fuqi financiare për të investuar njëlloj si vendet e tjera.
Në vitin 2006 ish ministri i arsimit Genc Pollo deklaron se në pesë qytetet më të mëdha të Greqisë do të hapen shkolla shqipe. "Ne synojmë që këto shkolla të jenë publike, pra të paguhen nga buxheti ku derdhin taksa edhe emigrantët. Jam i ndërgjegjshëm për kufizimet tona financiare megjithë shtimin e parashikuar për arsimin. Sot një pjesë e fëmijëve të emigrantëve tanë mund të mësojnë gjuhën amtare në Athinë, Selanik, Vollos, Patra... Dhënia e të drejtave qytetare të barabarta ndaj emigrantëve në Greqi, presupozon edhe një ndërgjegjësim të vetë shoqërisë greke. Ky ndërgjegjësim në vendin fqinjë duhet të jetë i shpejtë në mënyrë që emigrantët me të mirat e të këqijat e tyre të bëhen pjesë e jetës politike-shoqërore helene. Izolimi nga mësimi i gjuhës shqipe bën një gabim taktik e politik të rëndë, që në thelb dëmton fëmijët e një kombi të huaj që të integrohen normalisht në jetën shoqërore të vendit pritës. Gjuhëtari i ndritur Sami Frashëri ka thënë: "Gjuha është gjëja e parë e përcaktimit të kombësisë". Prandaj duhet ndërgjegjësimi politik ...
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4539
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
DOSJA - Shqiperi - Greqi NE DEKADA, Posted 01 Dhjetor 2009, 16:06
Botimi i lobit grek: Ne dhe Tirana zyrtare
Beteja për ligjin e luftës dhe si nënshtruam Berishën


Rrëfimi i drejtuesit të Federatës Panepirote të Amerikës për luftën me autoritetet greke prej vitit 1979. Bisedimet me ish-ministrin e Jashtëm Karolos Papulias, ish-kryeministrin Andreas Papandreu dhe zyrtarë të tjerë. Premtimet dhe loja e nervave për të nënshtruar njëra-tjetrën. Marrëdhëniet me ish-presidentin Berisha, sabotimet që iu bënë nga grekët e Amerikës, beteja e Nick Gage deri te kapitullimi

Njëri prej drejtuesve të Federatës Panepirote të Amerikës, Ilia Bexios, në një rrëfim për historikun e OJQ-së që mbledh përfaqësuesit nacionalistë që ende rojnë me ëndrrat e Epirit të Veriut dhe Megalidhesë, tregon për betejën e tyre për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek në të ashtuquajturin Epir i Veriut. Rrëfimi i Bexios që përmbledh disa dekada histori është pjesë e librit "Minoriteti etnik grek në Shqipëri ", shkruar nga Theofanis Malqidhis, profesor në Universitetin të Thrakës, një libër i mbushur me nacionalizëm helen, ku gjithcka është Greqi ku edhe Skënderbeu është grek dhe ku minoriteti grek është shtresa më e diskriminuar dhe më e përbuzur e shoqërisë shqiptare.
Në këtë pjesë janë rrëfimet e për marrëdhëniet mes Federatës Panepirote të Amerikës dhe Athinës zyrtare pas njoftimit të vitit 1979 se Greqia do të hiqte ligjin e luftës me Shqipërinë të vendosur që në fillim të luftës italo-greke, loja e deklaratave dhe përplasjet me ish-presidentin Berisha për të përfunduar me paqen mes tyre dhe komprosimiset e tij pas ardhjes sërish në pushtet.

«Në fund të vitit 1979 Parlamenti Grek formuloi një projektligj me dy nene. Neni i parë bënte fjalë për normalizimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe heqjen e ligjit të gjendjes së luftës midis dy vendeve fqinjë. Neni i dytë i referohej preokupimit lidhur me problemin e pasurive të Vorioepirotëve në Greqinë një kohë që poseduesit ishin bllokuar në Shqipëri. Këtë projektligj e kundërshtuam me telegrame të derguara në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, kërkuam të anullohet çdo bisedim derisa të interesuarit të informohen dhe të shprehin pikëpamjet e tyre. Në këtë telegramë theksonim, se vendimet e nxituara, pa mendimin e të interesuarve në të kaluarën, demtuan rëndë çështjen Vorioepirote». «Në fund të muajit shkurt 1980 vizitova Greqinë dhe pata takime me Kryepeshkopin Serafim, Kryetarin e KEBA-së me të cilin biseduam që përpjekjet tona në Greqi të intensifikohen. E informova, gjithashtu për aktivitetin e Federatës sonë». «Gjithashtu, po në këtë kohë, të prëmten më 28 shkurti më priti Presidenti i Republikës z. Caco, i cili u interësua jashtëzakonisht për aktivitetin e Federatës sonë. Ai ishte i informuar mirë për çështjen Vorioepirote. Biseduam lidhur me projektligjin dhe i shpjegova arësyet për të cilat e kundershtojmë heqjen e këtij ligji. Në këtë takim më shoqeronte Sekretari i KEBA-së z. Camberis. Pasi na degjoi me vëmendje, na kërkoi memorandum dhe deklaroi kategorikisht, se ai si President i Republikës, nuk kishte ndërmend të firmoste një projektligj të tillë». «Në muajin mars, u takova me Ministrin e Mprojtjes z. Averof. Edhe në këtë takim merrte pjesë z. Camberis, si edhe z. Sokratidhis, kryetar i shoqatës Selasforos dhe anëtar i KEBAsë. Bashkëbisedimi vazhdoi një orë e gjysëm dhe e trajtuam hollësisht çështjen Vorioepirote, si edhe tema të tjera lidhur me aktivitetin e Federatës në Amerikë dhe në Kanada. Për sa i përket projektligjit na deklaroi kategorikisht dhe ai se do të reagojë dhe se do të kërkoj takim Karamanli - Rali, që t' ua bëj të qarta pikpamjet e tij, gjë që e kreu». «Të mërkurën, dt. 5 marsi, erdha në kontakt me zotin Moliviati, i cili qe këshilltar i z. Karamanlis për çështje të jashtme. Pata një bisedë interesante me të. Për sa i përket projektligjit, duke ditur se unë do të shkoja të takoja z. Rali, Ministrin e Jashtëm atëherë, më tha se me të thënat e këtij të fundit, do të mbeteshim të kënaqur». «Në konsultë me z. Rali ishin të pranishëm zoterinjtë Camberis dhe Sokratidhis. Pasi i vura në dukje ndikimet negative që do të ketë miratimi i projektligjit në moralin e vëllezërve tanë Vorioepirote, z. Rali u shpreh se e konsidëron të pa arësyeshme dhe se është diçka që s' është bërë ndonjëherë në kronikat diplomatike për të patur marredhënie diplomatike me një vend dhe që të ndodhemi njekohësisht ne gjëndje lufte». «Më në fund na deklaroi se me që ne kemi kundërshtime serioze, ai nuk ka asnjë qëllim të vijë në përplasje me ne dhe se do ta tërheqë projektligjin. Në pasditen, po te asaj dite me telefonoi ne hotel z. Averof dhe më pyeti në se jam i kenaqur nga përfundimi. Iu pergjigja pozitivisht dhe e falenderova». «Të martën, më 11 mars, dhashë një intervistë në hotel «Bretania e Madhe», ku u parfaqësuan pothuajse të gjitha gazetat e Athinës, si edhe kanalet televizore. Në këtë intervistë përmenda aktivitetin e Federatës sonë, kontributin tonë lidhur me çështjet e Helenizimit të Amerikës, përkrahjen dhe ndihmën tonë në të gjitha çështjet kombëtare të Greqisë». «Pas një muaj, afërsisht, u ndodha përsëri në Athinë, në 19 maj. U takova edhe një herë me z. Averof, në një periudhe qe z. Zoti Ralis ishte bërë Kryeministër. Në këtë takim me shoqëronte profesori z. Stavru. Biseduam përsëri për problemin e V. Epirit dhe na tha se në deklaratat programatike, të cilat do të bënte qeveria ato ditë ekzistonte një paragraf lidhur me marrëdhëniet e mira që kishim me Shqipërinë. Zoti Averof nuk qe dakord me këtë paragraf dhe na tha se u morrën vesh të theksojnë me forcë interesimin për Minoritetin Grek. Më në fund e hoqën këtë paragraf dhe nuk përmendën asgjë për Shqipërinë ose për marrëdhëniet greko-shqiptare. Bile nuk thanë asnjë fjalë për shtetet e tjera ballkanike». «Kur takova z. Micotaqi disa ditë me vonë, i cili sapo kishte marrë përsipër Ministrinë e Jashtme, më siguroi dhe ai për ato që më kishte thënë z. Averof dhe se kërkoi të ndryshojë paragrafin lidhur me Shqipërinë, por ai preferoi të mos bëj asgjë, sepse ishte i ri në Ministrinë e Jashtme. «Nuk jam preokupuar me çështjen tuaj dhe mund të bie në ndonje faj dhe të mos mund te përballoj asnjë problem, prandaj nuk përmend asgjë lidhur me marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë». Në vazhdim të aktivitetëve të tij z. Xhelo i referohet çështjes, për të cilën shumë kuadro të Federatës Panepirote kishin mendime të kundërta. «Biseduam lidhur me çështjen e nënshtetësisë për Vorioepirotët në Greqi. Me relacionet tona drejtuar Ministrit të Brendshëm z. Strato, Z. Averof, si edhe Kryeministrit z. Rali kërkuam t' u jepet e drejta e sthetësisë Vorioepirotëve që banojnë në Greqi dhe deri tani kanë nënshtetësi shqiptare». Në verë të vitit 1983 Federata Panepirote -me kryetar Ilia Bexio- në bashkëpunim me organizatat vorioepirote të Greqisë, vendos të sjellë çështjen e Vorio Epirit (veçanërisht shkeljen e të drejtave të njeriut) në OKB në Gjenevë.
Heqja e ligjit të luftës
Në qershor 1984, filluam bisedimet ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë për heqjen e ligjit të luftës midis dy vendeve. Lidhur me këtë temë bisedojnë Ministri i Punëve të Jashtme atëherë (President i Republikës së Greqisë) Karollos Papulias dhe zëvendës ministri i Jashtëm i Shqipërisë, M. Kapllani. Në një telegram personal që Ilia Bexio i dërgon Ministrit, bashkatdhëtarit tonë, kërkon të informohet me ç' kushte bëhet heqja e gjëndjes së luftës. Përgjigjja ishte se nuk biseduam lidhur me kushtet me z. Kapllani dhe se interesat e Greqisë nuk preken. «Po të doni, vazhdon z. Papulias, të mësoni më shumë, ejani në Athinë të bisedojmë». Federata konsideroi se nuk mund të ruaj privilegjin e informimit për çështjen kombëtare, por duhej në të njëjtën kohë të informohen dhe organizatat e Greqisë dhe veçanërisht Komiteti Qëndror i Luftës Vorioepirote. Me aprovimin e z. Papulia për një mbledhje panepirote në Ministrinë e Jashtme, kryetari i POAK-ës kishte një bisedë telefonike me Kryepeshkopin e Athinës dhe ghithë Greqisë Serafim, kryetarin e KEBA-së të jetë në krye të delegacionit Panepirot në takimin me Ministrin Karollo Papulia. Më 30 gusht 1984 u bë takimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme me pjesëmarrjen e disa kuadrove të Federatës Panepirote, Bexio, Xhelo, Stavro, Qirani, të KEBA-së me praninë personale të kryetarit të saj Kryepeshkopit Serafim, sekretarit Jani Camberi, kryetarit të shoqatës V. Epirote Kosta Jiga dhe përfaqësuesit të organizanizatave vorioepirote të Greqisë Stefano Kallo nga Gjeneva. Në këtë takim i u tha qartë z. Papulias se organizatat epirote të Greqisë dhe të Amerikës kundërshtojnë heqjen e ligjit të «gjendjes së luftës» me Shqipërinë, tezat e patundura të organizatave epirote detyruan qeverinë (sipas mendinit tonë) të vendos temën për një vit «në raft ». Një vit më vonë, në verë të vitit 1985 rikthehet përsëri tema dhe atëherë kryetari dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës, Ilias Bexios, dhe Vas. Miqelis, u detyruan të vizitojnë përsëri Athinën ku kishin takim me Presidentin e Republikës z. Kristo Sarxetaqi, si dhe me Kryeministrin Andrea Papandreu në shtëpinë e tij ku i paraqiten çështjen e heqjes së ligjit të gjëndjes së luftës dhe se kjo heqje përbën «pllakë varri» në V. Epir. Deklarata e Kryeministrit në federatë ishte se «Kryeministri i Greqisë nuk është gati për asnjë veprim përfundimtar dhe se para se të merret një vendim i çfarëdoshëm do të informohen Vorioepirotët që janë drejpërdrejt të interesuar». Pasdite delegacioni i Federatës u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme z. Papulias, i cili u deklaroi edhe nje herë se vendimi i qeverisë greke është i parevokueshëm dhe se heqja e «gjendjes së luftës» do të bëhet patjetër. Atëherë delegacioni i Federatës vendosi t' i thotë «sekretin» se në një takim të njëjtën ditë me Kryeministrin i siguroi se qeveria e tij «nuk ishte gati për cilindo veprim përfundimtar», kurse z. Papulias deklaroi se tema konsiderohet e mbaruar, sepse «në prevencë të kryetarit çdo autoritet pushon». Kështu shfuqizimi i ligjit u anullua për një vit akoma. Ne muajin prill të vitit 1986 Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm deklarojnë përsëri zyrtarisht se kanë marrë vendim të formës së prerë të shfuqizojnë ligjin e « gjendjes së luftës» në muajin maj. Përsëri alarm dhe udhëtim «vetëtim» (me 2 maj 1986) kryetari dhe arkëtari i Federatës Ilias Bexios dhe Vas. Miqelis në Athinë. Kësaj here z. Papulias, megjithëse tregon një pritje më të ngrohtë dhe miqësore ndaj kuadrove të Federatës, megjithatë përgjigjja ishte negative dhe dekurajuese dhe nuk linte afat kohe për ndonjë ndryshim ose qoftë anullim të vendimit qeveritar. Deklarata përfundimtare e Ministrit: «Një ditë do të më kërkoni ndjesë për kundërdhëniet që keni dhe për atë që më akuzoni». Në një vizitë të shkurtër në sthëpinë e Kryeministrit Andrea Papandreu në Kastri në mbrëmje të së njejtës dite, kryetari dhe arkëtari i Federatës Panepirote nuk mbetën të kënaqur nga të thenat e tij: «Qeveria do te bëj ç' është e mundur për mirëqënien e Minoritetit Grek në Shqipëri». Kurse në takimin e tyre të mëparshëm (gusht 1985) Kryeministri kishte premtuar se qeveria nuk do të bëjë asnjë veprim lidhur me gjendjen e luftës, ne qoftë se nuk do të informohen më parë te interesuarit e drejtpërdrejtë. Mohimi i Federatës Panepirote si edhe të organizatave vorioepirote të Greqisë në shfuqizimin e ligjit të gjendjes së luftës me Shqipërinë dukej diçka e pallogjikshme për ata që nuk e njihnin temën, megjithatë organizatat tona në thelb ishin të kunderta vetem ne shfuqizimin e ligjit pa kushte. Ne kërkonim nenshkrimin e traktatit të paqes midis të dy vendeve dhe para së gjithash vendosjen e plotë të të drejtave të njeriut të popullit Vorioepirot në Shqipëri.
Pak ditë më vonë, më 15 maj 1986, u bë në hotel «Karavel», mbledhje e madhe me pjesëmarrjen e të gjitha shoqatave epirote të Greqisë dhe të POAKA-sku u formulua një rezolutë, e cila i u dërgua qeverisë. Lufta jonë u përkrah shume nga i paharuari Kryepeshkopi i Amerikës Iakovos. Ai i dërgoi z. Papulias këtë telegram: "Bota Epirote e Amerikës dhe e Kanadasë dhe gjithë Homogjenet e Amerikës,konsiderojnë si tradhti e të drejtave etnike heqjen e gjendjes së luftës ndërmjet Greqisë dhe Shqiperisë siç ajo duket. Dëshira e të gjithëve është të bëhet traktat paqeje me kushte me qellim që të mbrohen të drejtat e njeriut të Grekëve Vorioepirote, të siguruara nëpërmjet traktateve të vjetra ndërkombëtare. Në qoftë se nuk do të respektohen të drejtat e Vorioepirotëve, të mbahet gjëndja e luftës deri në realizimin e të drejtave të tyre të drejta".
***
Më 28 gusht 1987, me njoftimin përsëri të Qeverisë përfundimisht do të bëhet heqja e gjendjes së luftës, organizatat Epirote në Greqi organizuan një tubim shumë të madh panhelenik në hyrje të Korpusit qëndror të Universitetit të Athinës, ku morrën pjesë me mijëra veta, me në krye Mitropolitin e Konicës Sevastiano. POAKA u përfaqësua nga kryetari Vas. Miqeli, sekretarin Foti Galici, Ilia Bexio, Dhim. Cumbano, Menelao Xhelo, Thoma Karathano, Nikolao Kaçi dhe Kosta Veca. Fjalimi i Vasili Mikelit para mijëra vetave u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme, sa që Mitropoliti i Dropullit me shaka I tha «Më latë në hije, z. Mikeli». Në konferencën e shtypit që pasoi në të njëjtën darkë për gazetaret dhe korrespodentët e gazetave greke, kryetari i organizatës Panepirote deklaroi se «që nga sot organizata jonë gjendet në gjendje lufte me Qeverinë greke».
Në gusht të vitit 1988, delegacioni i POAKA-s (Cumbanos-Bexios-Mikelis) me ndërhyrje të re në OKB risolli çështjen e AUTONOMISE, duke denoncuar njëkohësisht Shqipërinë për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut të Vorioepirotëve. Më 18 gusht zonja Erika Dai, si anëtare e Nënkomisionit të Ekspertëve, analizoi çështjen e Autonomisë dhe rivendosjen e saj. Kështu, më 1 shtator, Nënkomisioni për Parandalimin e Diskriminimeve dhe Mbrojtjen e Minoritetëve të OKB-së, me vendimin e tij numër 15/1988, njohu zyrtarisht shkeljen brutale të të drejtave të njeriut nga qeveria shqiptare. Në shkurt të vitit 1990, me një akoma ndërhyrje të Organizatës Panepirote në Komisionin e të Drejtave të Njeriut, i bëmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që të mos pranojë ftesën e qeverisë shqiptare dhe të anulojë vizitën e tij në Shqipëri, deri sa të vendosen në mënyrë të plotë të drejtat e njeriut dhe liritë baze tek ky vend. Pavarësisht nga përpjekjet tona, Komisioni i të Drejtave të Njeriut ra dakort për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm, por në raportin e saj theksoi se gjatë vizitës së tij atje, të kërkojë nga Shqiptarët një program konkret për sa i përket të drejtave të njeriut. Në një komunikim që pata me zyrën e z. De Kuejar morrëm garancinë se Sekretari I Përgjithshëm është shumë i informuar për gjëndjen ekzistuese në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 1989, deklaratat e ministrit të atëhershëm të punëve të jashtme, z. Andoni Samaras ngritën furtunë në ujërat e ndenjura të jetës politike greke, kur uroi që vëllezerit tanë Vorioepirote të festojnë në liri Krishtlindjet, si populli rumun. Një deklaratë që çoi partitë politike të Greqisë në ballafaqime të pafundshme. Nga e gjithë kjo procedurë, konkludoi edhe diçka mjaft e dobishme për çështjen tonë.
Çështja Vorioepirote u bë epiqendra e interesit pangrek. Përballë këtij shansi, këshilli drejtues i POAKA-s vendosi të dërgojë në Athinë një grup, me qëllim kryesor që të takojë zotin Samara dhe udhëheqësin e Demokracisë së Re dhe kryeministër z. Micotaqis. Kryetarin Dhim. Cumbano shoqëruan në Athinë ish kryetarët Ilias Bexios dhe Vasilis Miqelis. Të enjten, më 4 janar 1990, u realizua takimi i përcaktuar që më parë i grupit zyrtar të POAKA-s me ministrin e Jashtëm z. Samara. Gjatë këtij takimi u konstatua përputhje e plotë e mendimeve për sa i përket promodhimit të çështjes Vorioepirote dhe morëm premtimin për bashkëpunim. Në Athinë kishte ardhur edhe një grup Vorioepirotësh me emrin "VEPRIMI VORIOEPIROT", të cilët u përpiqën të realizojnë takime me udhëheqësit politikë të Greqisë, që vepronin në mënyrë plotësisht të pavarur nga POAKA, dhe që të gjithë ishin anëtarë sillogjesh, të inkuadruar tek Federata Panepirote. Të martën më 9 janar 1990, në mëngjes, u realizua diskutimi shumoresh në zyrat e SFEVA, nën kujdesin e Mitropolitit të Dropullit, Pogonit dhe Konicës, Sevastianos. Më së fundi, mbas një diskutimi të stuhishëm dhe në një atmosferë të tentosur, u ra dakord që takimi me z. Micotaqis të bëhet me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve te Epirotëve të Amerikës dhe të Greqisë, me në krye Mitropolitin Sevastiano. Zotin Micotaqis përshëndetën Mitropoliti Sevastianos, kryetari i POAKA-s Dhim. Cumbanos dhe kryetari i Federatës Panepirote Dhimitris Papas. Mbas mbarimit të bisedës, z. Micotaqis thirri në sallën e pritjes gazetaret dhe grupet e kanaleve televizive dhe deklaroi se partia e tij ngre në mënyrë zyrtare problemin e të Drejtave të Njeriut për Vorioepirotet dhe i bëri ftesë qeverisë që të kërkojë nga Shqipëria respektimin e tyre të plotë. Mbas takimit që patëm me z. Micotaqis, vetëm delegacioni I POAKA-s, Cumbanos, Bexios, Mikelis dhe Kolos, u takua nga Presidenti i Republikës z. Kristos Sarxetaqis. Në bisedën që zgjati një orë e njëzet minuta, z. Sarxetaqis përsëriti edhe një herë, se çështja e Vorio Epirit dhe e Grekëve të robëruar është diëka që do ta shqetesojë kurdoherë, deri në zgjidhjen përfundimtare të tij. Të mërkurën, më 10 janar 1990, delegacioni ynë dha konferencë shtypi në hotelin Hilton. Kjo konferencë shtypi u dha të njëjtën ditë në emisionet e lajmeve të ERT dhe të kanaleve të tjera publike dhe private, si dhe në të gjitha gazetat ditën e nesërme. Të enjtën, më 11 janar 1990, ishte programuar nga Sinodi i Shenjtë, me bekimet e Kryepeshkopit Serafim, miting në hyrje të korpusit qendror të Univertitetit të Athinës dhe marshim përpara Parlamentit dhe Ambasadës Shqiptare. Mitingu arriti një sukses të madh dhe në të e morrën fjalën me rradhë kryetari I POAKA-s Dhim. Cumbanos, kryetari i Veprimit Vorioepirot Dhim. Papas, kryetari I SFEVA-s, kryetari i sillogut Sellasforos dhe u mbyll me fjalimin e zjarrtë të Sevastianoit, fjalim i cili theu zemrat e të gjithë të pranishmeve. Vazhdoi marshimi para Parlamentit dhe Ambasadës Shqiptare, në derën e së cilës u ngjit një peticion. Po atë natë kryetari Dhim. Cumbanos dhe Ilias Bexios u takuan me kryetarin e PASOK-ut Andreas Papandreu (atëherë nuk ishte kryeministër), tek i cili parashtruan ankesat që kishin Epirotët e Diasporës në lidhje me trajtimin e çështjes Kombëtare Vorioepirote nga qeveritë e tij, dhe sidomos heqjen e gjëndjes së luftës, me një vendim ministror të jashtëligjshëm dhe antikushtetues. Nga ana e tij Papandreu përsëriti zotimet e tij të zakonshme se do të bëjë ç' është e mundur për mbrojtjen e të drejtave të Grekëve te Vorio Epirit.
Historia e armiqësisë që nisi prej vitit 1993 dhe që kulmoi me arrestimin dhe gjyqin ndaj pesë minoritarëve në gusht 1994

Berisha-Gaxojanis, beteja që përfundoi me fitoren tonë

Në qershor të vitit 1993 në Toronto të Kanadasë u zgjodh kryetar Nikos Gaxojanis (Nick Gage) nga Huster i Masachusetsit. Në Vorio Epir atë kohë, pavarësisht nga fakti se Shqipëria u çlirua nga diktati i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, Grekët terrorizoheshin nga forcat qeveritare të sigurisë dhe hiqen nga vendet publike në ushtri, gjykata dhe administrata publike. Si rrjedhojë e kësaj përpjekjeje dhe i diskriminimëve detyroheshin të lënë shtepitë e tyre duke kërkuar strehim në Greqi. Në Shqipëri në pranverë të vitit 1992 u zgjodh për herë të parë qeveri demokratike me kryetar Sali Berishën. Pavarësisht nga kjo shtypja, ndaj Minoritetit Grek i cili qendroi në Shqipëri nuk u ndalua. Sali Berisha ktheu vëmendjën e tij në Amerikë duke u përpjekur të siguronte mbështetjen e State Department ndaj vendit të tij. Në një udhëtim të tij në Amerikë në qershor të vitit 1992, organizata "APPEAL OF CONCIENCE FOUNDATION" organizoi në Nju Jork drekë për nder të tij dhe ftoi të gjithë udheheqjet e kishave, ndërmjet të cilave edhe Kryepeshkopatën e Amerikës. Kryepeshkopi i atëhershëm Jakovos, i ngarkoi përfaqësimin e Kryepeshkopatës Edes. Milto Efthimiu dhe ish kryetarin e POAKA-s Ilia Bexio (me cilësinë e anëtarit të
Këshillit të Kryepeshkopatës). Në fjalën e tij mbas përfundimit të drekës Berisha ngriti çështjen e autonomisë së Kosovës, gjë që i dha rastin z. Ilia Bexios t'i përmendë të drejtën e Vorioepiroteve për autonomi të atdheut të tyre. Përgjigja e tij ishte se në Shqipëri ekzistojnë vetëm 50.000 Grekë dhe rrjedhimisht nuk lind çështje autonomie. U pasua debat ndërmjet tyre, dhe nga kjo Berisha deklaroi se do të bëjë "regjistrim" të popullsisë në mënyrë që të përcaktohet numri i saktë i Minoritetit Grek. Në vazhdim të udhëtimit të tij në Amerikë Berisha do të shkonte në Boston i ftuar nga departamenti juridik i BOSTON UNIVERSITY ku do ti jepej Titulli i Didakturës Doctoratë, por korporatat Epirote të Bostonit më në krye Niko Gaxojanin, anuluan këtë ceremoni me akuzën se shkel të drejtat e njeriut të Minoritetit Grek në vendin e tij. Pjesa më e keqe e veprimtarisë të Sali Berishës kundër minoritetit grek ishte në vitin 1994, kur policia e fshehtë u fut dhe kontrolloi rreth 700 shtepi Vorioepirotësh, shkatërroi zyrat e organizatës politike OMONIAdhe arrestoi pesë kuadro drejtuese të saj me akuzën e tradhtisë. Kryetari i atëhershëm i POAKA-s Nikos Gaxojanis, në menyre që të lironte të pesë të arrestuarit të OMONIAS, ndërmori një kampanjë për njohjen e opinionit ndërkombëtar me artikuj në shtypin Amerikan dhe Evropian, duke ushtruar kritikë në qeverinë e Sali Berishës, dhe kështu shkaktoi interesin e shumë organizatave humanitare, që të dërgonin vezhgues në gjyqin e pesë drejtuesve të OMONIAS. Në gjyq (15 gusht 1994) shumë interes treguan edhe mjaft kuadro organizatash Epirote të Greqisë. Vullnetarisht mori përsipër mbrojtjen e pesë të arrestuarve avokati Dhimitris Kafkas nga Bostoni, i cili bëri një punë të shkëlqyer, meqenë se ishte i ri në moshë.
Më së fundi të pesë Vorioepirotët u lanë të lirë mbas nëntë muajsh burgimi. Vëzhguesit e huaj në gjyqin e të pestëve të OMONIAS me raportet e tyre në shtypin ndërkombëtar krijuan një klimë negative në Qeverinë Amerikane në Uashigton për qeverinë e Berishës dhe atij personalisht. Me takimet që pati kryetari i Organizatës Panepirote në Shtëpinë e Bardhë u ndërpre ndihma ekonomike e Amerikës dhe u detyrua Sali Berisha të bëjë zgjedhje në Shqipëri, në të cilat humbi qeverinë. Në mesazhin e tij drejtuar popullit shqiptar Berisha deklaroi se mossuksesi i tij në zgjedhjet kishte të bënte me Organizatën Panepirote të Amerikës dhe veçanërisht me kryetarin e saj Nick Gage (Gaxojanis). Qeveria e re e Shqipërisë vendosi të ndryshojë politikën ndaj Minoritetit Grek, bile duke emëruar shumë grekë në mjaft vende qeveritare. Organizata Panepirote, nëpërmjet fondit të bursave dhe fondit të luftës kombëtare dha gjatë periudhës ku kryesonte Gaxojanis 575.000 dollarë për bursa, meremetime kishash, rrugë dhe ndihmë familjeve të varfëra. Më në fund vetë Berisha në opozitë ndryshoi sjellje ndaj minoritetit Grek dhe kështu, kur erdhi prapë në pushtet caktoi mjaft ministra Vorioepirotë në qeverinë e tij.
Ilia Bexios | 30/11/2009 |
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Mëparshme
Posto një përgjigje 33 postime · Faqe 4 prej 4 · 1, 2, 3, 4
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 3 vizitorë
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 21 Tetor 2020, 16:04
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari