A duhet rrezuar Berisha me dhunen e bllokmeneve?

Blloku dhe bijtë e Bllokut, në shesh për hapjen e kutive të votimit
Kërkohet rrëzimi i pushtetit me dhunë




Të udhëhequr nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit me çdo kusht në emër të transparencës së votës së lirë, opozita nisi ditën e djeshme protestën që do të zgjasë tre ditë, protestë kjo që kurorëzoi mitingjet e radhës që janë organizuar në disa qytete kryesore të vendit. Shqiptarët panë të ngjiteshin dje në foltoren e mitingut ish funksionarë të lartë të sistemit komunist si dhe bijtë e baballarëve komunistë, etërit e të cilëve për 50 vjet më radhë brohoritën dhe duartrokitën dhe mbajtën gjallë një sistem, i cili mbajti peng integrimin dhe zhvillimin e vendit. Po dje Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Sabit Brokaj, Skënder Gjinushi, Ditmir Bushati i biri i Sulejman Bushatit, Edi Rama, i biri i Kristaq Ramës dhe nipi i Spiro Kolekës, Ilir Gjoni, i biri i Xhelil Gjonit e shumë të tjerë u ngjitën në podiumin e protestës duke folur për lirinë, demokracinë dhe votën e fshehtë. Si për ironi të fatit, këta janë emrat që në 4 korrik 1990 ishin po sëbashku në tribunë dhe shanin të rinjtë shqiptarë që largoheshin nga vendi i tyre për një jetë më të mirë. Ndërsa sot, gjysma e tyre dalin në tribuna mitingjesh duke kërkuar lirinë, hapjen e kutive me pretendimin se vota e tyre është vjedhur. Për fatin e keq të shqiptareve protesta e djeshme drejtohej po prej asaj nomenklature që mbajti vendin për 50 vjet në izolim, me të vetmin ndryshimin se në podium nuk ishin baballarët por shokët dhe bijtë e tyre, të cilët flisnin për lirinë e shqiptareve. Liri e cila do të mbrohej nga Edi Rama, nipi i Spiro Kolekës, ish-anëtar i përjetshëm i Byrosë Politike të partisë-shtet, Skënder Gjinushi i PSD-së i biri i gjeneralit terrorist të komunizmit Et`hem Gjinushi, dhe njëherësh ish-ministër i Ramiz Alisë në dhjetor të ‘90. Deputetët e rinj të PS-së për fat të keq të shqiptarëve janë fëmijë apo nipër, të ish-liderëve të Byrosë Politike, ish-kupola terroriste e 50 viteve komunizëm.
Gramoz Ruçi
Fjalën e hapjes së protestës e mbajti, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili theksoi se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj themelore për transparencën e votës dhe të procesit zgjedhor. Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm në këtë protestë, ai theksoi se vota e tyre katër muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare ndodhet në ato kuti, që sipas tij vjedhësit e votës kërkojnë t´i mbajnë mbyllur në qelinë e krimit elektoral. Ai iu drejtua qytetarëve të pranishëm se opozita zhvillon këtë protestë për kauzën e lirisë së votës, lirisë për të zgjedhur, lirisë për të shpresuar dhe merituar një jetë më të mirë. Gjithashtu ai i ka kërkuar ndjesë qytetarëve të Tiranës për problemin që kjo protestë i ka krijuar trafikuar gjatë këtyre ditëve, duke theksuar se asnjë sakrificë nuk është e tepërt sa kohë ajo i shërben luftës për t’i thënë fund trafikut të votave.
Namik Dokle
Ndërkaq në fjalën e tij, deputeti socialist Namik Dokle theksoi se kjo protestë zhvillohej në emër të lirisë së votës, të të drejtës së votës dhe për të vërtetën e votës. “Protesta jonë ka një qëllim: Të mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, demokratike, evropiane!”, u shpreh ai. Ndër të tjera, Dokle gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës ditën e djeshme theksoi se kjo protestë zhvillohej edhe për ti dhënë jetë ëndrrës së çdo qytetari shqiptar që dëshiron të jetojë në vendin e tij i integruar si evropianë dhe dinjitozë. Gjithashtu, duke folur në emër të grupit parlamentar të partisë Socialiste, Dokle u ndal edhe tek bojkoti që kjo forcë politike po i bën parlamentit, duke bërë të ditur se ky bojkot do të vazhdojë për aq kohë sa kërkesa për hapjen e kutive nuk do të plotësohet. “Ne deputetët ju kemi dhënë një besë politike, një besë që do ta mbajmë. Ne nuk shkojmë në parlament pa u plotësuar kushtet e shqiptarëve, e nuk shkojmë në parlament përderisa atje deputetët duken si kuaj të vjedhur. Kauza jonë është tashmë e të gjithëve”, nënvizoi ai.
Sabit Brokaj: Pa votë të lirë s’ka shtet demokratik
Në protestën e socialisteve ka marrë pjesë dje edhe ish-nënkryetari i LSI-së Sabit Brokaj. Gjatë fjalës së tij ai ka theksuar se “nuk kam ardhur thjesht të kërkojë votën time, kam ardhur këtu se ky miting bëhet për një kauzë të madhe që nuk i takon një partie, por që është demokraci nëse ne ankohemi për parlamentin në 20 vjet, ankohemi për qeverinë, ka vetëm një përgjigje në themel të këtyre nuk është vënë vota e lirë, por e klonuar dhe e vjedhur dhe kur kjo është në themel ndërtesa nuk mund të ndërtohet mirë”. Duke përshëndetur mitingun Brokaj ka thënë se “derisa vota nuk do të jetë e lirë dhe transparente, mos prisni të ketë shtet demokratik. Ky moment i thjeshtë dhe kjo parullë që ka vetëm dy fjalë, hapni kutitë, është tepër domethënëse. Kjo ndan kusarët dhe krimin nga njerëzit e ndershëm që duan të bëjnë Shqipërinë, ata që veprojnë kundër interesave të vendit”.
Gjinushi: Berisha mund të mbyllë kutitë por jo gojën e një populli
Hapjen e kutive e ka kërkuar dje edhe kryetari i PSD-së Skëndër Gjinushi. Gjatë fjalës së tij ai ka theksuar se populli ka votuar për largimin e Berishës dhe qeverisë së korruptuar. “Jemi këtu për të thënë se kriza jonë është pushtimi i kuvendit me shumicën e paligjshme që nuk e ka votën e popullit. Shqiptarët dinë ta mbrojnë votën e tyre. Ne do të thërrasim së bashku, Sali ik. Ne nuk mund të mbetemi i vetmi vend në Ballkan që nuk qeveriset mbi votën e lirë. Hapja e kutive i hap rrugën lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe largimit të detyruar të Saliut. Kufijtë e mbyllur janë rezultat i politikës së kutive dhe votave të mbyllura, tek ne flitet për hapjen e dosjeve të sigurimit dhe asnjëherë nuk hapen ato, nuk zbardhen dosjet e korrupsionit, flitet për manipulim zgjedhjesh dhe nuk bëhet transparenca për to. Ky është morali i regjimit të sotëm të Berishës, i cili do votat e mbyllura për të kontrolluar politikanët e blerë, por Saliu mund të mbyllë kutitë, mund të mbyllë gojën e politikanëve, por jo gojën e një populli të tërë”.
Eva Gjura