Portretizimi i arteve nepermjet piktures,skultures ,qeramike,pocelan,druri,ar,argjent etj.
Moderatorë: Laert, I-AMESHUAR
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
FTESE - SHKRUANI ''MBI SHQIPTARET NEPER BOTE''
Avatari i antarit
Drejtues

Poste: 4581
Antarësuar: 28 Janar 2009, 13:10
FTESE - SHKRUANI ''MBI SHQIPTARET NEPER BOTE'', Posted 25 Tetor 2009, 17:50
Shqiptarët e Kroacisë, ministra dhe bukëpjekës

03/11/2008

Në Kroaci jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptarësh. Janë rreth 35-40 mijë shqiptarë, të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, që jetojnë në qytete të ndryshme të këtij vendi.

Ata kanë të gjithë një emër: shqiptarë, pavarësisht nëse janë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, apo Maqedonia. Ky komunitet është i organizuar në bashkësi, këshilla, në shoqata të intelektualëve, të grave, kulturore e artistike. Pjesa më e madhe jetojnë në kryeqytetin kroat, Zagreb, por edhe në qytete të tjera, madje dhe në Pula, qyteti më verior i vendit, pranë kufirit me Italinë.

Teksa udhëtojmë në qytete të ndryshme të Kroacisë, takojmë mjaft prej tyre. Bisedojmë për jetën e përditshme, për integrimin në jetën e shoqërisë kroate.

Në Zagreb, komuniteti i shqiptarëve përbëhet nga 5 000-7 000 qytetarë, prej të cilëve 3 300 kanë të drejtë vote.

Pëllumb Qazimi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Zagreb, shprehet me nota maksimale për komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci. “Shqiptarët e Kroacisë janë qytetarë dinjitozë, punëtorë, që respektojnë ligjin dhe janë të integruar në shoqërinë kroate”, na thotë ai teksa ndodheshim në selinë e Ambasadës, ku kishim shkuar bashkë me përfaqësuesei e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal të Vlorës (AULEDA).
Në Zarë (Zadar), disa dhjetra kilometra nga Zagrebi, jeton komuniteti i vjetër i shqiptarëve (arbanasit). Ata kanë ardhur këtu para rreth 300 vitesh nga trojet shqiptare dhe tashmë përbëjnë një komunitet të konsoliduar, që ruan mjaft nga traditat dhe zakonet e të parëve të tyre.
Nga ky komunitet është akademiku, ilirologu dhe historiani i njohur Aleksandër Stipçeviç, njëkohësisht kryetar i Shoqatës Kroaci-Shqipëri. Po ashtu, nga ky komunitet është dhe ministri aktual kroat i Transportit, Bozhidar Kallmeta. Mbiemri i tij, reflekton origjinën e të parëve, nga Kallmeti i Lezhës. Madje, emrin e krahinës së origjinës të të parëve të tij, zoti Kallmeta, ia ka vendosur një segmenti të autostradës së re që lidh qytetin e Splitit me Zagrebin.
Shumica e shqiptarëve të Kroacisë janë nga Kosova dhe Maqedonia. Ata kanë përfaqësuesit e tyre edhe në botën e artit, kulturës, kinemasë, botën universitare e akademike, sportive, etj. Mes emrave spikat ai i balerinit Ilir Kerni, i cili njihet dhe respektohet edhe në botën e artit në Kroaci. Shqiptarët e Kroacisë botojnë dy revista periodike në gjuhën shqipe dhe kroate, si dhe botime të tjera.
Ashtu si përcaktohet zyrtarisht në Kroaci, shqiptarët e këtushëm përbëjnë një pakicë kombëtare. Me ligj pakicat kombëtare janë të organizuara dhe finan-cohen nga qeveria për veprimtarinë e tyre. Zagreb, pakica shqiptare ka këshillin e vet, të zgjedhurit e të cilit koordinojnë për të gjitha çështjet e tyre me Këshillin bashkiak. Vedat Zogujani, anëtar i këshillit, thotë se kjo mënyrë funksionimi është me efekt dhe reflekton shkallën e lartë të integrimit të pakicës shqiptare në shoqërinë vendase.

Ai është dhe sekretar i Shoqatës kulturore të shqiptarëve “Shkëndija”, me qendër në Zagreb. Zogëjani përmend mes veprimtarive të shumta dhe organizimin e përvitshëm të Festës së Pavarësisë, më 28 Nëntor, kur 2 500-3 000 shqiptarë mblidhen në sallën e madhe “Globus”, në Panairin e Zagrebit. Por, nga viti i ardhshëm, ata do të kenë edhe një ditë tjetër, 17 Shkurtin, Ditën e pavarësisë së Kosovës.

Zogujani tregon se shoqata që drejton merr pjesë dhe në manifestimet folklorike që organizon Zyra e Pakicave Kombëtare, si dhe në veprimtari sportive.

Në një nga ditët që ishim në Zagreb, komuniteti i shqiptarëve organizoi ceremoninë e kthimit në Gjilan të eshtrave dy luftëtarëve shqiptarë që ranë në një nga betejat mes ushtrive të Kroacisë dhe Serbisë. Samet Bogujevci dhe Fadil Saliu, luftëtarë në ushtrinë kroate, dhanë jetën më 13 tetor 1991, në betejën e Gospicit.
Zogujani, ish-atlet i shquar i ekipeve ”Mlladost” dhe “Dinamo”, të Zagrebit, ka qenë 5 herë kampion i Kroacisë (1984-1990) në garën e vrapimit 5 000 dhe 10 000 metra.

Ai ka marrë pjesë si atlet i ekipit kombëtar të atletikës së ish-Jugosllavisë edhe në vrapimin 12 km në Sao Paolo, në vitin 1977, ku u rendit ndër vendet e para.
Zogujani thotë se në Zagreb janë 1 300 shqiptarë, që kanë çelur 1 300 subjekte të cilat prodhojnë bukë dhe produkte të tjera brumi. Sipas tij, mund të thuhet pa e tepruar se ky sektor në kryeqytetin kroat dominohet nga shqiptarët. Kjo veprimtari e shqiptarëve konstatohet edhe në Pula, ku jetojnë rreth 3500-4000 shqiptarë.

Në zonën turistike të Medulinit, 80 përqind e bareve dhe restoranteve drejtohen dhe administrohen nga shqiptarët. Antonio është njëri prej tyre. Lokali ku na fton është ndër më të mirët e kësaj zone. Tonio tregon se ka ardhur këtu prej më shumë se 15 vjetësh nga Gjakova dhe pothuaj 10 vjet më parë ka arritur të ndërtojë këtë restorant buzë detit, ku punon me bashkëshorten dhe tre vëllezërit.

Antonio, 38 vjeçar, ka tri vajza. Lokali i tij është shndërruar në një qendër ku mblidhen shqiptarët e këtij qyteti dhe krahinës. Mjaft shqiptarë gjetëm edhe mbrëmjen që ndodheshim aty. Shaqir Hoti, 63-vjeçar është njëri prej tyre. Ai ka punuar dikur si aviator dhe madje në funksione të larta në aviacion. Në lokal takojmë dhe Idris Sulejmanin, ndoshta më i njohuri ndër shqiptarët në Prefekturën e Istrias.

Idrisi është nënkryetar i bashkësisë shqiptare të Prefekturës së Istrias. Ka ardhur këtu më se 20 vjet më parë, nga Tetova dhe ka ndërtuar në këtë zonë bregdetare jetën dhe biznesin e vet - mes të tjerash dy lokale, restorante-bar-piceri, të cilat i sigurojnë të ardhura të qëndrueshme. Por ai nuk lë pas dore vlerat e atdhetarisë.
“Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se jemi shqiptarë dhe të krenohemi me këtë”, thotë Sulejmani. Ai dhe bashkëshortja e tij e re, kroate, e cila po mëson shqip me shumë dëshirë, vijnë shpesh në Shqipëri, ku kanë shumë miq. Shqiptarët janë punëtorë dhe mbajnë me djersë e me punë bizneset e tyre.

Edmondi
e.marku@hotmail.it


Kroatet, pse e kërkonin me ngulm origjinën ilire

21/06/2009
Prof. Aleksandër Stipçeviq

Kam qenë shumë herë deri tani në Kosovë, por kjo është hera e parë që e vizitoj këtë tokë, që kur Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik. Më lejoni që me këtë rast, që në fillim të kësaj ligjërate të uroj shqiptarët e Kosovës për këtë ngjarje të madhe. Kemi ndjekur me kujdes të veçantë çdo gjë që ndodhte këtu nga Kroacia, veçanërisht ne të Arbneshit afër Zarës, që më emocione të mëdha dhe me padurim kemi pritur përfundimin e luftës shekullore të popullit shqiptar të Kosovës për pavarësinë e tij politike.
Më falni për këtë hyrje politike, po nuk munda të mos e shfrytëzoja këtë rast për të drejtuar këto urime. E kam ditur se do vinte dita kur do të mund t’i thosha këto fjalë, edhe pse nuk e kam ditur se kur do të ndodhte kjo. Dhe ja, për kënaqësinë time të madhe ndodhi.
Kur më thanë që në këtë mbledhje do të flas për Ilirët e lashtë, mendova se interpretimi im në njëfarë mënyre të ishte i lidhur me temën, e cila me këtë rast është më e merituara– për trashëgiminë e përbashkët ilire, e cila në mënyrë të veçantë lidh popullin shqiptar me atë kroat.
Me fjalë të tjera, këtu dëshiroj të kujtoj faktin, që kroatët për shumë shekuj e kanë quajtur veten ilirë, përkatësisht popullsi ilire. Gjatë mesjetës, veçanërisht nga shekulli XVI e këtej, kur disa nga historianët kroatë e mbështetën këtë tezë, është shfaqur ideja se kroatët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve; saktësisht është thënë që kroatët me të vërtetë janë elementë autokton në territoret në të cilat jetojnë sot.
Në këto përsiatje të historianëve kroatë kishte shumë naivitet, por edhe ambicie politike, të cilat nuk kanë qenë gjithmonë të mbështetura në burime historike. Sot kemi njohuri se gjuha kroate, të cilën ata quanin ilire, nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me ilirishten dhe gjithashtu nuk ishin të sakta as botëkuptimet e tyre për vazhdimësinë etnike të kroatëve nga ilirët e lashtë, por këtë do e dëshmojë përfundimisht shkenca e re.
Të shohim tani si dhe pse historianët kroatë, gjuhëtarët, politikanët dhe të tjerët insistonin në origjinën ilire të kroatëve. Në të vërtetë, bëhet fjalë për “ideologjinë ilire” – siç e quan atë gjuhëtari gjerman Reinhard Lauer (R. Lauer, “Genese und Funktion des illyrischen Ideologems in der südslawischen Literatur (16. bis Anfang des 19. Jahrhunderts),” Ethnogenese und Staatsbildung in Südosteuropa, Göttingen, 1974, f. 116-143), e cila ka dominuar për një kohë të gjatë në jetën publike dhe shkencore deri në shek. XIX, kur dolën botime të ndryshme të “gramatikave ilire”, “fjalorë ilirë” dhe të ngjashme, që në fakt ishin gramatika dhe fjalorë të gjuhës kroate.
Më të merituarit për afirmimin e ideologjisë ilire ishin shumë historianë dhe gjuhëtarë të shquar, nga të cilët duhen përmendur fillimisht dominikani Vinko Pribojeviq, i cili në vitin 1525, kishte mbajtur në Hvar fjalimin me titull “O podrijetlu i dogaðajima Slavena” (Mbi origjinën dhe ngjarjet e sllavëve) në gjuhën latine. Në formën e një libri ky fjalim është botuar në Venedik në vitin 1532 (Vincentius Priboevius, De origine successibusquae Slavorum. Venetiis 1532. Botimi kritik i kësaj vepre është bërë nga “Akademia Jugosllave e Shkencave dhe Arteve të Zagrebit” në Zagreb në vitin 1951, me një studim hyrës të Grga Novakut dhe përkthim në kroatisht të Velko Gortanit).
Për botën shkencore shumë më i rëndësishëm ishte botimi i librit “Il Regno degli Slavi” (Peskara, 1601) i historianit dubrovnikas Mauro Orbinit. Orbini ishte historian i mirë, i cili studimin e tij e kishte mbështetur në burime arkivore dhe dorëshkrime të lashta si dhe kronika të botuara, etj., por dobësi e tij ishte fakti që nuk ishte shumë kritik, kështu që i dha liri veprimi imagjinatës së tij, duke gjetur sllavë edhe atje ku asnjëherë nuk kishte pasur të tillë. Sipas tij, sllavët janë me origjinë Ilire, kështu që kroatët nuk kishin ardhur në mesjetë në Ballkan, sepse ata kishin qenë aty që në kohët para-romake.
Pikërisht kjo vepër e Orbinit ishte pikënisje për rilindësit kroatë në gjysmën e parë të shekullit XIX, për të bërë lidhjen e Ilirëve të lashtë me elitën politike kroate në kohën e të së ashtuquajturës lëvizje “Ilirike” (Ilirizam).
Ndër ata që ishin të bindur për origjinën Ilire të kroatëve ishte edhe udhëheqësi i rilindjes kroate, Lujdevit Gaji. Ai nuk ishte historian, por politikan dhe si i tillë ishte i vetëdijshëm se emri i ilirëve ishte i domosdoshëm për të bashkuar të gjithë sllavët e jugut në një lëvizje politike e cila do të luftonte për emancipimin kulturor dhe politik të sllavëve të jugut. Në përpjekjet e tij për të mbështetur idenë e “Ilirizmit” kroat dhe sllavëve të tjerë të jugut, Gaj shkroi një artikull me titull “Kush ishin ilirët e lashtë” (Ljudevit Gaj, Tko su bili stari Iliri? “Danica ilirska,” 5 (1839), nr. 10, f. 37-39; nr. 11, f. 41-43; nr. 12, f. 46-48; nr. 13, f. 49-51; nr. 15, f. 48-59), në të cilin provoi të argumentonte sipas burimeve historike se kroatët ishin si Ilirët.
Menjëherë pas kësaj, dolën në pah autorë të tjerë që i kundërshtuan konkluzionet e Gajit. Ata me shumë lehtësi hodhën poshtë konstruksionin e tij historik, duke dëshmuar se kroatët në të vërtetë janë - kroatë.
Nuk ishte vështirë të përgënjeshtroheshin konkluzionet e Gajit, në kohën e lindjes së historiografisë kritike, por duhet pranuar gjithashtu se Gaj nuk ishte njeri i paditur, dhe nuk mund të themi se ai nuk e dinte se ideja e tij e sforcuar, nuk kishte mbështetje në burimet historike. Kemi pohuar se “ilirizmi” i tij ishte një filozofi politike, dhe jo njohuri shkencore.
Pushteti austriak e kishte kuptuar shumë drejt se çfarë kërkonte Gaj me “lëvizjen ilire,” sepse ata në vitin 1843, ndaluan përdorimin e emrit ilir, jo për shkak se dëshiruan të futeshin në polemikë shkencore rreth këtij emri ose gjoja rreth origjinës së sllavëve të jugut, por thjesht për shkaqe politike. Pushteti austriak e dinte shumë mirë se “ilirizmi” ishte vetëm një përpjekje për të mbuluar krijimin e një koalicioni të madh të sllavëve të jugut, i cili shumë lehtë mund të luftonte kundër Austrisë në njërën anë dhe Hungarisë në anën tjetër.
Pa marrë parasysh ndalimin e emrit “ilir”, kroatët, përsëri për shkaqe nacionale dhe politike, nuk deshën të lëshonin pe, dhe kështu edhe për shumë kohë e ruajtën aty ku gjenin mundësi dhe rast emrin “ilir.” Kështu “Matica Ilirska” [Amza ilire] ishte njëra ndër institucionet më të rëndësishme kulturore, por edhe politike të popullit kroat, për të ruajtur emrin e tyre deri më 1874, kur përfundimisht e ndërron atë në “Matica Hrvatska” [Amza kroate].
Është e vërtetë historike, se në ato kohëra është menduar ashtu, dhe më vonë kanë ardhur deri te përfundimi, se kroatët nuk janë me origjinë ilire. Megjithatë në kohën e sotme duhet të rishikohet pak edhe mendimi i historianëve të shekullit të XIX, për faktin se nuk kanë ekzistuar lidhje ndërmjet ilirëve dhe kroatëve.
Gjatë shekullit XX arkeologët, etnologët, antropologët dhe specialistë të fushave të tjera, erdhën deri te njohuritë interesante për proceset etnogjenetike në territoret ku jetojnë sot kroatët. Analizat e hollësishme të materialit arkeologjik, etnografik, etj, treguan se elementi i lashtë etnik i ilirëve të lashtë nuk ishte zhdukur i tëri gjatë pushtimit romak, dhe as pas përfundimit të këtij pushtimi. Disponojmë të dhëna më se të mjaftueshme për vazhdimësinë etnike por edhe kulturore që nga kohët parahistorike deri në ditët e sotme. Me siguri, që analizat e mëtejshme të gjenetikës bashkëkohore do dëshmojnë edhe shkencërisht këtë vazhdimësi, e cila jo në një kohë të afërt, por sigurisht në një të ardhme jo të largët, do ta sqarojë këtë situatë, veçanërisht procesin etnogjenetik të gjendjes së sotme, ku jemi të detyruar te mbështetemi vetëm në ato materiale dhe të dhëna për të cilat nuk mund të pohojmë me sigurinë më të madhe se japin përgjigje në të gjitha pyetjet që na interesojnë dhe të cilat janë relevante për rekonstruktimin e mjegullt të etnogjenezës Ballkanike.
Megjithatë, sot, kur merren parasysh të gjitha të dhënat që disponojmë, mund të pohojmë me një siguri mjaft të madhe se ilirët nuk janë zhdukur nga këto territore dhe i mbetet obligimin shkencës bashkëkohore, e cila është e armatosur me metoda të reja shkencore, që të zbulojë atë që nuk ka qenë e mundur të zbulohet me metoda të vjetra. Natyrisht nuk mund të presim që shkenca bashkëkohore të vërë tregues të përbashkët në mes të ilirëve të lashtë dhe kroatëve, por kemi arsye të besojmë se do të vërtetohet se në personin e sotëm etnik kroat ka përbërje gjenetike ilire, që do të ishte e mjaftueshme të flasim për një vazhdimësi të qëndrueshme etnike në të dy shtresat etnike.
Ndryshe është situata me shqiptarët. Në territorin e sotëm të shqiptarëve nuk ka pasur kaq shumë rrëmuja etnike në mesjetën e hershme dhe nuk kanë ndodhur ndryshime kaq të theksuara të strukturës së popullsisë sa te kroatët. Pa marrë parasysh kundërshtimin për origjinën jo ilire të shqiptarëve, nuk ka asnjë dyshim se pikërisht shqiptarët kanë ruajtur më së shumti elemente të ilirëve të lashtë në identitetin e tyre personal. Përveç kësaj, sot vetëm me një urrejtje të verbuar të “shkencëtarëve” mund të vihet në pikëpyetje origjina ilire e popullit shqiptar.
Në këtë pyetje tashmë të vërtetuar, nuk mund të dyshohet për asnjë çast, sepse për këtë një ditë, pas hulumtimeve të një numri të mjaftueshëm të eksponateve të materialit osteologjik nga varrezat e ilirëve në territoret etnike shqiptare dhe të materialit që ka të bëjë me marrëdhëniet ekzistuese shqiptare, mund të japë përgjigje edhe gjenetika moderne.
Çfarë mund të themi për rezultatet e deritanishme shkencore në lidhje me etnogjenezën e popujve të Ballkanit, në këtë rast për shqiptarët dhe kroatët? Mund të themi se pikërisht substrati ilir është ai element i cili përkundër mjegullës etnike të zhvillimeve nga kohët antike deri në ditët e sotme, për këta popuj mbetet e përbashkët trashëgimia etnike dhe kulturore. (Është shkruar shumë për mbetjet para-sllave të elementit etnik në kulturën e popujve të sllavëve të sotëm. Me rëndësi të veçantë ishte takimi ndërkombëtar i mbajtur nën organizimin e “Qendrës për hulumtime ballkanologjike” në Sarajevë, punimet e të cilit janë botuar në përmbledhjen “Predslavenski etnièki elementi na Balkanu u etnogenezi južnih Slavena.” (Elementet para-etnike sllave në Ballkan në etnogjenezën e sllavëve të jugut), Sarajevë, 1969. Gjithashtu i një rëndësie të posaçme ishte edhe takimi i mbajtur nën organizimin e “Universitetit Shtetëror të Tiranës” në Tiranë, në vitin 1969. Punimet e lexuara në këtë takim janë botuar në përmbledhjen me titull: “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve. Tiranë, 1969).
Bashkëpunimi i shkencëtarëve shqiptarë dhe kroatë nuk është vetëm dëshirë, por domosdoshmëri. Tani, kur situata politike në këto territore në një farë mënyrë është stabilizuar, është e domosdoshme të fillohet me projekte për kërkime të përbashkëta të cilat do të hedhin dritë të re në të kaluarën e përbashkët të popujve të cilët jetojnë në këto territore.
''Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi Sundimit të Gënjeshtrës, se nuk ia çjerrim Maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”:Martiri Polak, Frati Jerzy Popiełuszko. Në shqipë prej polonishtes Bep Martin Pjetri
"Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht Liria"("Ubi spiritus Domini ibi libertas") At Gjergj Fishta
"Të vdekun kanë lindë ata, që Sot Heshtin!"Fritz Kolë Radovani
Përgjigju duke Cituar
Posto një përgjigje 1 postim · Faqe 1 prej 1
Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 1 vizitor
Powered by phpBB3
Copyright ©2008 phpBB Group.
Të gjitha oraret janë UTC + 2 orë . Ora 18 Maj 2021, 00:59
Designed by Monitonix
[phpBB Debug] PHP Warning: in file /web/htdocs/www.proletari.com/home/mkportal/include/PHPBB3/php_out.php on line 33: Creating default object from empty value
Theme by Zeuder
Copyright 2009 - 2010 da Proletari