Festime me rastin e 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 6650
Jehona e kësaj ngjarje të madhe me protagonist trevën simbol të shqiptarëve, Malësinë e Madhe, jo vetëm nuk është zbehur, por tingëllon më aktuale se kurrë. Pasi tokat e Shqipërisë Etnike janë jo vetëm të ndara, por mbi të gjitha të “falura” mizorisht tek armiqtë tanë shekullorë sllavë.
Gjithsesi, Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, është kurora e lavdisë. mbi lavditë, që gjithnjë shëndrit në qiellin blu të Malësisë e Shqipërisë e na kujton se liria jonë, ndoshta si tek anjë popull tjetër në Botë, i ka themelet në gjakun e të parëve tanë. Pa dyshim epopeja e luftërave heroike në Malësinë e Madhe është një thesar brilant që rnban të gjallë kujtesën e brezave të sotëm dhe atyre që do vijnë, se çmimi i mbijetesës sonë ka qenë tepër i shtrenjtë, aq sa as nuk shitet e as nuk blihet nga askush.
Sidoqoftë, kryengritja anti-osmane e vitit 1911 është shpallja de Facto e pamvarësisë së krejt Shqipërisë. Ndërsa ngritja e flamurit në Vlorë ishte vetëm de jure, ose më saktë nënshkrimi zyrtar paqësor i pamvarësisë.
Por për të nderuar e kujtuar sadopak ato kohë heroike që i zbardhën faqen Malësisë e Shqipërisë, le të përshkruajmë shkurtazi kronikat e kohës, që historia na la pas. Për këtë mendoj të filloj me vargjet lapidare të Homerit shqiptar At Gjergj Fishtës:

Të shtatë krajlat çue janë në Kambë,
kah ka ra medet kjo gjamë,
N’atë Malësi, n’atë Rapshë të Hotit,
Ded Gjo’ Luli burrë si motit,
Me i çetë lekë, bisha shkorretit,
Ka nisë pushkën me asqer të mbretit

Se me sodit emni i Zotit,
Ç’ka jemi nipa t’Gjergj Kastriotit,
e shqiptarë që i thom na vetit,
Ma duva nuk i mbajmë mbretit.





Pra atëherë ishte 23 marsi 1911, që i me thirrje iu drejtua popullit të Shkodrës, e nëshkruar nga Isa Boletini, Mehmet Shpendi e Ndue Gjoni, thuhej se ka ardhur koha që të lirohemi nga pushtimi osman. Të nesërmen, me 24 mars, Hotjanët e Malësorët e ndigjuan këtë thirrje, pasi ata gjithnjë kishin qenë pranë e me kryengritjet për liri e mëvehtësi, madje ata kishin në krye të tyre ata që i kishin përfaqësuar në mbledhjen historike të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, Dedë Gjo Lulin, Çun Muçën, Baca Kurtin etj.
E megjithëse në kushte të vështira e të pavolitshme, si dhe në mes dy armiqve, atyre frontalë turq e atyre hileqarë malazezë, pra me 24 mars 1911 Hotjanët të parët sulmuan fortifikatat kufitare turke në Rapshë e Traboin, të cilat i çliruan. U sulmuan edhe postat kufitare në Pikalë, Selisht, Dinoshë, Omerbozhaj, Mali i Vranës dhe Nënhelm. Të gjitha u çliruan, ku u vranë disa ushtarë turq, pjesa tjetër u zunë robër, ndërsa luftëtarët e lirisë kapën një sasi të mirë armësh. Në këtë kohë, Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, duke parë humbjet, urdhëroi Kajmekamin e Tuzit, Nënkolonelin Ahmet Beun, që të rigrupojë forcat për të mbrojtur kështjellën me rëndësi strategjike për turqit, atë të Shipshanikut.
Sukseset e fillimit, që arritën kryengritësit malësorë, e detyruan dinakun Bedri Pasha që të vëjnë në funksion propagandën e përçarjes fetare. Me 26 mars, në Shkodër e shpalli kryengritjen e malësorëve si luftë fetare, “si luftë katolikësh kundër myslimanësh”, “si luftë kaurrish e malazezësh” etj., si dhe thirri popullsinë myslimane që të bashkohej e të nisej në luftë për të mbrojtur perandorinë Islame në rrezik. Duhet theksuar se kjo propagandë mashtroi rreth 1000 veta ku u formua një batalion nën komandën e Emin Beut, të cilët erdhën në Tuz dhe në trevat e Malësisë e panë se ishin mashtruar e tradhëtuar, se nuk luftonin kundër Malazezëve, por kundër vëllezërve të tyre Malësorë – Shqiptarë, kështuqë një pjesë u kthye nga kishte ardhur, një pjesë e madhe iu bashkua kryengritësve, ndërsa një pakicë u zu rob nga vëllezërit kryengritës.

Me datën 28 mars kryengritësit sulmuan Tuzin kryeqendrën e krahinës, ku arritën të djegin ndërtesat ushtarake turke, dy kazerma ushtarake, furrën e bukës për ushtrinë, magazinën e kripës si dhe ndërtesën e kajmekamit (nënprefekturën), ndërsa kështjellën e Shipshanikut nuk arritën ta pushtojnë, se u munguan topat. Sukseset e kryengritësve e detyruan Stambollin, që me 28 mars 1911 përsëri të emërojnë komandant të ushtrisë turke, pashain famëkeq, Shefqet Dërgut Pashën. Ky gjeneral kërkoi t’i fuste malësorët mes dy zjarresh, ku kështu veproi.
Me 29 mars, ishin nisur prej Gjakove katër batalione me në krye Et’hem Pashën, për t’i sulmuar pas shpine, ndërsa Dërgut Pasha u nis prej Shkodre, për të vazhduar rrugën drejt Tuzit. Kjo ushtri kishte rreth 20.000 ushtarë si dhe mjete shumë të fuqishme për kohën.
Në këto luftëra, që u zhvilluan më pas, kishte të vrare rreth 150 ushtarë Turq, por mbetën të vrarë edhe kryengritës, si trimi legjendar Nik Gjelosh Luli me pesë traboinas, shtatë grudjanë, katër rapshjanë dhe u plagosën tre të tjerë. Në këtë luftë pati hilet e veta edhe Krajl Nikolla i Malit Zi, i cili u premtoi ndihmë kryengritësve Malësorë, por me kusht që kur të çlirohej të valëvitej flamuri i Malit të Zi, e për këtë Ded Gjo’ Luli iu përgjigj : “Për mik të pranoj, për bab’ jo, kurrë. Mâ i madh â’ mbreti i Stambollit se sa ju dhe nuk e pranoj për bab’. Bab’ kam vetëm Shqipërinë.”
Gjithsesi Malësorët trima që ishin nga Gruda, Hoti, Kastrati, Shkreli, Kelmendi, Plava, Gucia, Trieshi, Tuzi, Shkodra, Rrjolli e gjitha viset e Malësisë, e deri nga zonat e nënshkodrës, luftuan heroikisht çdo ditë, orë e minut por beteja e 6 prillit 1911 është kurora e lavdisë së kësaj kryengritje ku edhe patën sukses. Atë ditë u zhvilluan luftime prej Kastratit deri në Dinosh. Luftëtarët trima të Kojës, Kuçit u dalluan për trimërinë e tyre. Ata sulmuam fortifikatën e Deçiqit ku valëvitej ende flamuri turk. Për të marrë flamurin turk ranë dëshmorë njën pas tjetrit shtatë Kojas, derisa e rrëmbyen flamurin turk dhe e shembën për dhé, aty ku e kishte vendin.

Populli u ka thurë një këngë Kojasve, që thotë: “Koja e vogël një pakicë, muar bajrakun në Deçiq…” Për të çuar fjalën e Ded Gjo’ Lulit në vend, se aty ku trojet tona çlirohen nga Turqit do të ngrihet flamuri shqiptarë në majë të Bratilës, dolën Nik Gjelosh Luli (kushrini i Dedës), bashkë me Gjon Ujk Miculin dhe Pjetër Zefin, të cilët shpalosën flamurin dhe e ngritën në këtë majë të shenjtë.
Lista e luftëtarëve të lirisë së paralajmëruar është e gjatë, por po përmendim disa më të spikaturit, të cilët janë : Dedë Gjo Luli, Marash Uci, Nik Gjelosh Luli, Mark Gjeka, Pjetër Nik Daku, Maço Grizhi, Lulash Zeka, Zef Peri, Prel Kol Shyti, Mirot Çoku, Pejtër Gjok Toshi, Luc Prel Nishku, Gjelosh Gjoka, Prelot Keci, Ujk Gjeloshi, Ded Gjon Ujka, Gjelosh Doka, Prel Nik Pretashi, Prel Keri, Kol Zefi, Tom Nika, Dokë Lani, Kol Kurti, Sokol Baci, Marash Luca, Lukë Marku, Gjet Mark Ujka, Gjon Ujk Miculi, Lulash Zeka, Stak Breci, Lik Mirashi, Gjok Ded Luli, Gjon Ujk Çeku, Kol Gjo’ Leci, Luc Gjeloshi, Dasha Nika, Pjetër Uci, Smajl Mustafa, Sokol Mali, Gjon Nik Plluci. Mësuesi i ri Palok Traboini që sipas dëshmive të shkruara të Gjush Sheldisë ka qenë sekretari i Ded Gjo Lulit, i ngarkuar nga prijsi i kryengritjes ka sjellë në Hot, nga Vjena përmes Dalmacisë Flamurin që konsiderohet si Flamuri i Deciqit a ndryshe dhe Flamuri i Ded Gjo’Lulit. Madje këtu përmenden edhe trimat nga Shkodra, Hilë Mosi, Risto Siliqi e Luigj Gurakuqi, deri edhe Ded e Llesh Nik Daka nga Bregu i Matës, e dhjetëra të tjerë nga zona e nënshkodrës e Malësia, që i dualën zot atdheut, e Fishta i përjetëson:

… Burra le për çark t’martinës,
Fjalën, fjalë besën çelikut,
ballë për ballë e jo mbas shpinet,
mesy me i ra në luftë armikut…

Gjithsesi, luftëtarët e lirisë, si dhe të rënët për liri, pamvarësi e identitet janë shumë, sa vetë historia e krejt Ilirisë, por ata edhe pse prehen, hijshëm, janë gurët e themelit të kësaj “Shtëpie” të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi ta ndërtojmë e bashkojmë e që e quajmë Shqipëri (Etnike), e të parët tanë na e lanë amanet, që siç dihet amanetin duhet ta mbajmë se përndryshe as varri s’ka për të na mbajtë… Mjerisht Ne kemi të pushtuara ende territore tonat, por duhet ta dëshmojmë fuqishëm para Evropës Plakë të trashëguar e asaj të re, pjesëtarë të së cilës duhet të jemi jo të ndarë në “katër Vilajete” e në një shtet të cunguar, por të bashkuar ashtu siç na fali Zoti në një Shqipëri Etnike..

***

Shqipëria feston 100 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe – 23 Mars 2011

Në Shqipëri kanë filluar festimet me rastin e 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, që i parapriu shpalljes së Pavaresisë kombëtare. Kremtimet për këtë jubile po mbahen edhe ne trojet shqiptare, në Tuz dhe Malësi, në Mal të Zi, në një koncert festiv në Shkodër, Presidenti Bamir Topi, vlerësoi kontributin e malësorëve të Malësisë së Madhe dhe të prijësit të kësaj Kryengritjeje, Dedë Gjo Lulit. Me këtë rast, Presidenti dekoroi një numër artistësh, për kontributin e tyre në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave kombëtare.

Presidenti Topi përshëndet mbrëmjen artistike festive “Ku e muer emrin Malësia” me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit mori pjesë sonte në mbrëmjen artistike festive “Ku e muer emrin Malësia” të zhvilluar në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ky koncert i madh festiv i organizuar nga Shoqata Kulturore “Kënga Jonë” e Shkodrës, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, u mbajt me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së flamurit kombëtar nga Heroi i Popullit, Dedë Gjo Luli në Deçiç.

Në këtë mbrëmje festive, ku u shpalosën vlerat më të spikatura të krijimtarisë artistike të Malësisë së Madhe ndër breza kënduan, interpretuan dhe vallëzuan artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Pasi ndoqi me interes të madh interpretimet dhe këngët e valet e shumta të artistëve shqiptarë nga Malësia e Madhe, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga diaspora, Presidenti Topi në shenjë admirimi dhe respekti të veçantë për këtë ngjarje historike: 100-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritjes së flamurit kombëtar, si dhe për vlerat artistike dhe krijuese, nderoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” zonjën Liri Jushi (Rasha) me motivacionin: “Për kontribut shumëvjeçar në pasurimin e jetës artistike shqiptare, për interpretimin e rrallë mjeshtëror të këngës popullore, veçanërisht asaj të trevës së Dibrës” dhe zotin Tonin Tërshana me motivacionin: “Për kontribut shumëvjeçar në pasurimin e jetës artistike në vend, për interpretimin me individualitet artistik të këngës në muzikën e lehtë shqiptare”.

Gjithashtu Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” zotin Rrok Gjelaj për “Për kontribut të rëndësishëm në njohjen, hulumtimin e evidentimin e folkut muzikor dhe përdorimin me mjeshtëri të veglave muzikore popullore të trevës së Malësisë së Madhe”, zotin Gjelosh Gjokaj për “Për vlera të padiskutueshme artistike individuale dhe për një kontribut të madh e të pareshtur në njohjen e përhapjen e kulturës dhe artit shqiptar në Evropë e më gjerë, për më shumë se 40 vjet”; dhe zotin Ilir Shaqiri me motivacionin: “Për kontribut në pasurimin e jetës artistike shqiptare, nëpërmjet krijimit dhe interpretimit të këngëve popullore e të muzikës lirike si dhe organizimit të shumë koncerteve në trevat shqiptare e jashtë tyre”.

Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u nderuan zonja Hana Nikprelaj “Për kontribut në pasurimin e jetës artistike shqiptare, nëpërmjet interpretimit me mjeshtëri të shumë këngëve të trashëgimisë folklorike” dhe zoti Çun Lajçi me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, nëpërmjet sjelljes së shumë roleve me realizëm dhe individualitet artistik”. Artistët e dekoruar falenderuan Kryetarin e Shtetit për respektin e madh dhe vëmendjen e vazhdueshme që tregon ndaj vlerave të vërteta tradicionale të artit shqiptar.

Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi:

Është kënaqësi dhe privilegj të jem sonte me ju për të lartësuar së bashku kujtimin e një ngjarje, e cila ka ndryshuar përgjithmonë historinë tonë dhe kujtimin e atij burri, i cili e ideoi atë dhe pas shekujsh robërie, shpalosi flamurin e Kastriotit në tokën shqiptare. Nuk mund të ndahen, janë një binom nga ato që historia prodhon në orët e saj më të ndritura për një komb apo vend! Ju i dini! E kanë emrin: Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo Luli!

Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë dhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të kësaj toke, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore dhe ushtarake e një populli që do t’i thotë lamtumirë së keqes!

Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte botës mbarë kumtin e Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, shqiptarë dje dhe shqiptar sot, shqiptarë përgjithmonë!

Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin e Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që e çuan atë drejt Bratilës së Deçiçit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi drejt një vdekje prej martiri që pushtuesit ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë greminës. Jam i bindur se një rrugë si ajo e Dedë Gjo Lulit fillon me jetën dhe mbaron me pavdeksinë.

Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars të vitit 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua kurrë, kryengritje pas kryengritje deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Më lejoni të pohoj se shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli.

Të nderuar të pranishëm,

Shumë kryengritje kanë shenjuar jetën e Malësisë së Madhe, identitetin e saj dhe sigurisht të gjitha janë një kontribut i vyer në konsolidimin e Shqipërisë, por njëra prej tyre më shumë se çdo akt tjetër na rreshton përkrah atyre popujve që zgjodhën ta kundërshtojnë diktaturën komuniste, pavarësisht nga rrethanat e pafavorshme në të cilat u ndodhëm. Malësorët e Kelmendit dhe të gjithë Malësisë zgjodhën luftën në vend të nënshtrimit, ashtu siç këndohet në epet e tyre të vjetra, ashtu siç ua kishin lënë amanet të parët, ashtu siç ua lypte nderi dhe zakoni, sepse malësori në dijen time i është falur gjithmonë, Zotit dhe Shqipërisë, nderit dhe besës.

Të dashur miq,

Nuk është rastësi që shumë nga visaret tona kombëtare u endën në këto male dhe u bënë testamente të përjetshme kulture në Shkodrën historike. Eposi i Kreshnikëve, baladat, këngët, përrallat kombëtare, Kanuni i Maleve e shumëçka tjetër u mblodhën pikërisht edhe në krahinën e Malësisë së Madhe nga etërit françeskanë, të cilët në letërsinë e tyre ofruan malësorin dhe gjuhën e tij si model, sepse për ta gjuha do të thotë vazhdimësi, kulturë dhe rezistencë. Nga një traditë e tillë, natyrshëm, i imponohet kulturës kombëtare dhe sinkronizon me të emra të së djeshmes dhe të sotmes, intelektualë të rangut të parë si vëllezërit Mirash e Nikoll Ivanaj, artistë me rëndësi botërore si Luk Kaçaj dje, e Angjelin Prelocaj sot, tejet i famshëm në skenat botërore, shkrimtarë e memorialistë unikë si At Zef Pllumi, mit i disidencës antikomuniste, piktorë si Ismail Lulani që kanë përjetësuar në telajo historinë e këtij vendi, klerikë të zonës, që shfaqen si elitë e lidhur me banorët dhe gjeografinë e vendit, martirë të besimit dhe fjalës së lirë, që kanë ndërtuar kultin modern pozitiv dhe të pashkatërrueshëm të malësorit shqiptar!

Me këtë vetëdije, kam kënaqësinë dhe nderin sonte të rri, të takoj, të komunikoj dhe të dekoroj të tjerë bij të Malësisë së Madhe, të tjerë personalite, që me veprën dhe punën e tyre, i kanë bërë nder Shqipërisë brenda dhe jashtë saj. Prandaj, në cilësinë e Presidentit të Republikës i falenderoj ata nga zemra për kontributin e tyre të vyer kulturor dhe patriotik.

Dhe, së fundmi, përvjetori i njëqindtë i Kryengritjes, i paraprin përvjetorit të njëqindtë të Pavarësisë së vendit vitin që vjen, përvjetor aq themelues në jetën e kombit, që duhet të nxisë një katarsis të domosdoshëm patriotik për çdo shqiptar pa dallim moshe, krahine, bindje apo besimi, duke u ballafaquar me modelet e Deçiçit dhe të Pavarësisë!

I përjetshëm qoftë kujtimi i Dedë Gjo Lulit dhe i Kryengritjes së Malësisë! Rroftë Malësia e Madhe! Rroftë Shqipëria!”

Burimet:
Wikipedia
Gazeta Dielli

Përgatiti: Proletari.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 28/03/2011. Filed under Data Historike,Festa. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

2 Responses to Festime me rastin e 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe

  1. Gazmend

    08/04/2011 at 19:03


    Jam i brengosur se pse qeveria, parlamenti dhe akademia shqiptare heshti me një djallëzi të pashoqe ndaj 100 vjetorit të Ngritjes Flamurit në Bratila nga burrat e Dedë Gjo Lulit.
    Si ka mundësi që askush nga subjektet relevante të larta nuk nxitën dhe morrën pjesë në organizime në kremtimin e kësaj ngjarje të madhe historike, që i parapriu 28 nëntorit të 1912. Ku ishte Sali preshi me bishtin e tij Jozefina Topallin?
    Ky veprim është vazhdim i vlerësimit enveristë edhe pas 20 vjet rënie të komunizmit.
    Kjo sjellje e tyre quhet antishqiptare.

  2. shkelqimi

    29/03/2011 at 22:59


    Unë dua të falenderoj shumë së pari organizatorët dhe më shumë ideuesin e kësaj kremtimit të 100 vjetorit të Kryengritjes të Dedë Gjo Lulit me malësinë e madhe!
    Du edhe presidentin Topi që morri pjesë pasi i jepë ceremonisë një seriozitet zyrtar.

    M’u bë qejfi që u dekoruan shumë artistë edhe nga Kosova, por nuk mund ta anashkaloj gjigandin e skenës vokale Tonin Tërshana që më në fund u dekorua me titull të lartë edhe pse ishte tepër vonë.

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.