FAJTORË SUPER TË AFTË DHE TË PAFAJSHËM NAIVË

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5152
Agim HamitiSi s’të lodhi robëria, Shqiptar!

Çajupi

Ajo që pritej, ndodhi. Veriu i Kosovës ka marrë rrugën t’i bashkohet fondit në rritje të ish-trojeve shqiptare. Aktualisht ai nuk është serbizuar akoma, por tjetërsimi i tij është thjesht çështje kohe e procedurash të parashikuara mirë nga vendimmarrësit e politikës. Asociacioni i Komunave Serbe në Veri të Kosovës do të thotë Vetadministrim i tyre dhe ky i fundit s’është gjë tjetër, veçse paradhoma e Autonomisë. Për të mbërritur tek autonomia, Asociacionit serb do t’i duhet të organizojë një referendum në të ardhmen, në rrethana të favorshme.

Fillimi i negociatave të Serbisë me Brukselin për anëtarësim në BE, ishte dhurata e dytë që iu bë Beogradit, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me Prishtinën.

Kur fiton njëra palë, vetëkuptohet që pala tjetër ka humbur.

Megjithëse ky realitet i hidhur do të mbetet i pandryshueshëm, ia vlen shumë  që Shqiptarët, duke përfituar nga ky rast i përjetuar në ditët tona, të krijojnë një ide sesi i hartojnë planet me qitje të largët të Mëdhenjtë e politikës dhe si i sajojnë paraprakisht koniukturat e duhura politike, me qëllim që projektet e tyre të rrëshqasin si në gjalpë, kur vjen faza e zbatimit. Një veprim i tillë nuk duhet bërë thjesht për të shuar kureshtjen, por për të nxjerrë mësimin e duhur prej asaj që ndodhi dhe për t’u orientuar më mirë në të ardhmen, mbasi rajoni i Ballkanit po i nënshtrohet një procesi transformimi herë të heshtur e herë të shpallur. Kjo vlen si për Kosovën edhe për Shqipërinë, si edhe për trojet e tjerë të banuar nga Shqiptarë.

Është gabim i madh të mendohet se Kosova sot e tutje mund të mbushet e qetë me frymë të paktën deri tek ura e Ibrit, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë. Jo, mushkëritë e Kosovës janë të prekura nga njollat e zeza të manastireve serbe me goxha sipërfaqe toke brenda territorit të saj, të cilët përfitojnë së tepërmi nga parimi administrativ i ekstra-territorialitetit, në dëm të pavarësisë së Kosovës. Ata janë çibanë helmatisës në trupin e dobësuar të Kosovës, që mund ta infektojnë rëndë atë një ditë.

Pasi e mbyllën me fitore kapitullin e Veriut, Serbët në të ardhmen do t’i përqëndrojnë bateritë e tyre pikërisht tek zgjerimi i territorit të manastireve me blerje tokash, apo forma të tjera abuzive (oreksi vjen duke ngrënë). Kur t’ua dojë puna (apo kur t’iu japin sinjal rusët), Serbët do t’i kthejnë manastiret në mollë sherri me Kosovën, me psikologjinë e ujkut që akuzonte qengjin se i turbullonte ujin, ndonëse uji rridhte poshtë e jo lart nga ishte ujku. A nuk ishte një provokim arrogant vizita në Mitrovicë e ambasadorit rus në Beograd, pa lejen e qeverisë së Kosovës? Pse heshtën forcat e NATO-s në Kosovë dhe BE?

Që të qartësohet më mirë përgjigjja e kësaj pyetjeje, duhet shqyrtuar problemi që në zanafillë:

Qyshkur SHBA e shpalli UÇK-ën forcë çlirimtare (jo terroriste, siç përflitej nga armiqtë e saj), kjo e fitoi davanë në planin moral dhe politik. Mirëpo një Superfuqi nuk investon asgjë symbyllas, për bamirësi, apo për miqësi, siç mendojnë  shumica e Shqiptarëve. Sipas kushtetutës, qeveria e SHBA duhet t’i justifikojë në Kongres, në emër të interesave të ardhshme amerikane, të gjitha shpenzimet që parashikon të bëjë në një vend të caktuar e për një çështje të caktuar, përndryshe ato shpenzime nuk aprovohen nga Kongresi. Në politikë fjala miqësi tingëllon qesharake, absurde, dhe është e pranueshme vetëm si sheqerosje në fjalimet e një politikani profesionist, por krejt e papranueshme për  psikologjinë dhe veprimtarinë e tij. Vetë Kosovarët mund të krijojnë një ide sesa miqësore është politika në esencën e saj, po të kenë parasysh karikaturën fyese për ta që publikoi kohët e fundit Kristofer Dell në facebook. Dhe Dell nuk ka qenë asgjë më pak sesa përfaqësuesi i SHBA në Prishtinë për mjaft kohë.

Në politikë funksionojnë vetëm aleancat me interes reciprok. Madje historianët më cilësorë dhe politologët më të hollë pranojnë njëzëri se «aleanca e një shteti shumë të fortë me një të dobët nuk është kurrë e sigurt për këtë të fundit».

Forma më e lartë e një aleance politike është «aleanca strategjike». SHBA kanë vetëm dy aleatë strategjikë: Anglinë dhe Izraelin. Një sërë gazetarësh të paformuar shqiptarë, apo  inelektualë të cekët, e klasifikojnë gabimisht Shqipërinë si aleate strategjike të Amerikës.

Qysh nga çasti që Shtëpia e Bardhë shpall publikisht interesimin e saj për zhvillimet politike apo ushtarake në një vend të caktuar (siç ishte rasti i UÇK-ës), CIA-s i caktohen detyrat në terren konform objektivave që synon të arrijë në të ardhmen politika amerikane në atë rajon. Fjala vjen, në qoftë se në rastin e UÇK-ës, SHBA parashikonin se, pas çlirimit të Kosovës, do t’iu duhej një lidership i fortë për të marrë përsipër një ditë përgjegjësitë e marrëveshjes së vështirë me Serbinë (sipas ujdisë paraprake midis tyre e Rusisë), një nga detyrat parësore të shërbimeve sekrete amerikane në terren ka qenë përcaktimi i rrethit të individëve që mund ta luanin atë rol aspak të lehtë, duke i arsyetuar me hollësi propozimet e tyre. Pas miratimit nga Washingtoni të liderit të ardhshëm dhe rrethit të tij të ngushtë, shërbimet sekrete amerikane kanë bërë gjithë investimet e nevojshëm në terren, në format e tyre të kamufluara, për afirmimin e këtij grupi njerëzish si koka drejtuese e asaj veprimtarie ushtarako-politike. Në rastin e UÇK-ës, kjo ishte një detyrë e lehtë për CIA-n, mbasi ndihma amerikane shërbente si oksigjen i fitores në Kosovë.

Pasi merr formë në terren udhëheqja e luftës (që një ditë do të bëhej doemos udhëheqje e Kosovës, po me ndihmën e Atyre), kalohet në fazën tjetër të rëndësishme, që është garancia e plotë për kryerjen pa mëdyshje të çdo misioni politik që do t’i ngarkohet në të ardhmen. Në këtë pikë të spirales së formimit të misionarit të ardhshëm politik mbahet gjithmonë parasysh parimi i madh i Napoleonit:

«Vetëm dy forca mund ta robërojnë njeriun: interesi dhe frika».

Mirëpo shërbimet sekrete nuk mjaftohen vetëm me aplikimin e njërës prej këtyre dy forcave misterioze (interesit ose frikës), por i përdorin të dyja bashkë ato, paralel, kur bëhet fjalë për përgatitjen e një misionari politik. Interesi është problem automatikisht i zgjidhur në rastin në fjalë, mbasi misionari politik e ka karrierën të siguruar për interesin e të dy palëve.

Pika e dytë mbetet detyrë e ardhshme e shërbimeve sekrete, të cilët bëjnë çmos që të sigurojnë material kompromentues të argumentuar me prova të pakundërshtueshme, lidhur me veprime ilegale në terrenin e luftës të misionarit të ardhshëm politik. Këto përbëjnë garancinë më të madhe të bindjes së  tij në të ardhmen, ndërsa karriera e blinduar politike mbetet qershia mbi tortë.

Ekspertët përkatës i marrin paraprakisht të gjitha masat e domosdoshme, që plani i tyre të funksionojë normalisht në çdo tregues në momentin e duhur. Në rastin e Kosovës, ata i kanë pasur shumë të qarta vështirësitë që do të haste z. Thaçi për të gjetur mbështetje në parlament nga pjesa tjetër e spektrit politik, për miratimin në parim të bisedimeve me Serbinë (pa zgjidhur të paktën problemin e Kosovarëve të zhdukur nga shkjahu gjatë luftës) dhe, veçanërisht, miratimin e statusit të Veriut të Kosovës (Asociacioni i komunave serbe, si fazë embrionale e tij). Për këtë arsye, ata ua kanë përgatitur dosjet e korrupsionit krerëve të LDK dhe aleatëve të saj gjatë viteve që ata kanë qeverisur. I vini re se çfarë ndodh me Isa Mustafën, sa herë që ai vendos të «tregohet burrë» dhe t’i kundërvihet kryeministrit. Mjafton një takim kokë më kokë me këtë fundit dhe Isa bëhet qëngj: lëpin me një buzëqeshje tartufiane atë që kishte pështyrë pak më parë. Edhe Ramushi u vetëdeklarua para kohe kryeministër, kur u lirua për herë të dytë nga Haga, pastaj i ranë pendët dhe pranoi ta mbështeste pa kushte Shefin e vërtetë, se s’kishte rrugë tjetër.

Me qëllim që marrëveshja serbo-kosovare të mos kundërshtohej dot as në Beograd e as në Prishtinë, të Mëdhenjtë e politikës i organizuan bisedimet midis kampeve më radikalë të të dy palëve: vëllezërit idealistë të Sheshelit u vendosën përballë Heronjve të UÇK-ës. Kush mund t’i akuzonte për mungesë nacionalizmi radikalët shovinistë serbë në Beograd dhe kush mund ta vinte në dyshim atdhedashurinë e Heronjve të UÇK-ës në Prishtinë?

Pikërisht kur bisedimet u duk se mund të dështonin (ishte çasti kur baronesha angleze kishte shtruar në tavolinë diskutimin e statusit të Veriut) ndodhi diçka sinjifikative, që në përgjithësi i ka shpëtuar vëmendjes së publikut. Për ta ngjyrosur disi në rozë situatën në favor të palës së humbur, që kjo ta gëlltiste më me lehtësi pilulën e ofruar nga baronesha, dolën në skenë, si rastësisht, ata që kishin gatuar gjithçka në hije: CIA dhe shërbimet sekrete ruse. Si rrallë ndonjëherë me veprime publike aq të akorduara mes tyre, këta shërbime sekrete, sa prestigjiozë edhe rivalë, botuan një hartë të «Shqipërisë së Madhe», ku shpreheshin me të njëjtat fjalë: trojet shqiptare do të bashkohen deri në vitin 2035. Ky njoftim, bashkë me hartën, u publikua edhe nga disa gazeta shqiptare. Një lloj narkoze para operacionit, për të mos ndier shumë dhimbje, kur bisturia e tyre do të priste Veriun e Kosovës nga trungu kombëtar.

Realitetet e dhimbshëm që po përjetohen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës kanë në themel të tyre të njëjtin shkak: zgjidhjen e çështjes së komplikuar të Ballkanit në dëm të trojeve shqiptare dhe të të drejtave jetike të popullsisë albanofone në këtë rajon. Kjo nuk është një praktikë e re; përkundrazi, begatia e fqinjëve tanë të Veriut e të Jugut është ngritur prej shekujsh mbi fatkeqësinë shqiptare. Të njëjtën gjë po e përjetojmë qartazi edhe sot, si një problem të pazgjidhshëm shekullor. Mirëpo asnjë problem nuk mund të zgjidhet kurrë, po nuk e njohe shumë mirë atë. Aq më tepër problemet politikë, të cilët koklaviten dhe vështirësohen në vijimësi prej atyre që i krijojnë me qëllime të paramenduara.

Qëllimi i koklavitjes së problemeve shqiptare prej të Mëdhenjve të politikës ka qenë dhe është pikërisht krijimi i koniukturave të nevojshme, për të mundësuar zgjidhjen e problemeve ballkanese me shpenzime shqiptare, si gjithmonë.  Parë nga ky këndvështrim, politikanët tanë janë të privuar nga e drejta e vendimmarrrjes dhe janë të detyruar të zbatojnë udhëzimet që u jepen në kuadër të projekteve të gatshëm të evolucionit politik të Ballkanit. Pikërisht pse janë të domosdoshëm për një rol të tillë në drejtimin e pushtetit qendror, të Mëdhenjtë e politikës ua lejojnë atyre pa mëdyshje manipulimin e zgjedhjeve (në mos edhe i autorizojnë për këtë), korrupsionin, nepotizmin gangrenizues të pushtetit, paaftësinë qeverisëse dhe mëkate të tjerë. Në këto rrethana, të presësh ndryshim kursi politik prej tyre, do të thotë t’iu kërkosh të pamundurën.

Zgjidhja e vërtetë e çdo problemi nënkupton eliminimin e shkakut, që ka sjellë pasojën e padëshirueshme. Nuk mund të akuzohet gozhda pse ngulet në dërrasë, por sqepari që e godit gozhdën për t’u ngulur patjetër. Në qoftë se populli shqiptar i Kosovës apo i Shqipërisë janë dërrasa, politikanët e Tiranës e të Prishtinës janë gozhdët që ngulen në të, por jo dora që godit gozhdën me sqepar. Kjo e fundit është shkaku i vërtetë i problemit tonë dhe, pa u ballafaquar me të, nuk ka e nuk do të ketë kurrë zgjidhje të problemit shqiptar, veçse koklavitje të tij.

«Rruga më e mirë për t’i çarë vështirësitë është që t’iu biesh atyre mes për mes», ka thënë Leonidas i Spartës.

Pikërisht këtë duhet të bëjmë ne si Shqiptarë, nëse e duam vërtet lirinë dhe begatinë tonë dhe jemi të gatshëm të përpiqemi për to.

Dy vjet më parë, unë kam publikuar në disa gazeta elektronike në Internet një «letër të hapur» drejtuar gjithë Shqiptarëve, politikanëve të Tiranës e të Prishtinës dhe ambasadorit amerikan në Shqipëri. Atë e shoqëroja me dy vëllimet e një libri («Odiseja e një detektivi») me ngjarje të jetuara e personazhe realë, të cilin ua postoja falas të interesuarve, ose ata mund ta shkarkonin direkt në disa organe elektronike. Megjithëse vërtetësia e disa prej informacioneve, që jepen përmbledhtas në «letrën e hapur» dhe hollësisht në dy vëllimet e librit, mund të verifikohet pa mundim nga çdo i interesuar, indiferentizmi klasik i Shqiptarëve qe pothuajse i plotë. Nuk bëhet fjalë thjesht për gazetat e Tiranës e të Prishtinës, që nuk e botonin «letrën e hapur». Por i tillë qe reagimi publik në tërësi: reagim varrezash.

Pata shpresë tek z. Agron Tufa, i cili m’u drejtua me cilësinë e Drejtorit të Institutit të Zbulimit të Krimeve të Komunizmit dhe me premtimin se nuk do të trembej përballë çdo të vërtete, meqenëse kishte edhe tagret ligjorë të hapjes së çdo arkivi sekret, pa kufizim. Iu përgjigja në mënyrë të detajuar pyetjeve që më shtronte z. Tufa (i ruaj e-mailet), duke i premtuar se do të isha gjithmonë i gatshëm e i hapur të bashkëpunoja me të për këtë çështje madhore. Për fat të keq, ndryshe nga ç’kishte premtuar, z. Tufa u tërhoq nga sipërmarrja e tij në heshtje, për arsye që i di ai vetë.

Kisha krijuar simpati për lëvizjen Vetëvendosje dhe shpresoja se ata djem e vajza, kurajozë e të zgjuar, nuk do të qëndronin indiferentë ndaj përmbajtjes së «letrës së hapur» dhe asaj të librit. Ua postova me e-maile të veçantë e me diferencë kohe «letrën e hapur» dhe librin. Asnjë lloj reagimi nga ana e tyre. Unë e di që ata janë intelektualë të edukuar dhe nuk do të hezitonin kurrë të kthenin një përgjigje lakonike, qoftë edhe për mirësjellje, sikur heshtja të mos ishte një zgjedhje taktike: si e vetmja rrugë për të evituar angazhimin e tyre në një «affaire épineuse» («çështje me gjemba»), siç i quajnë francezët çështjet delikate.

Aksionet e mëvonshëm të VV më janë dukur krejt formalë, për bujë e jo për bukë, sa për të justifikuar ekzistencën e tyre si forcë opozitare. Nuk e kuptoja dot se çfarë kërkonin veprimtarët e asaj lëvizjeje të bënte Hashim Thaçi si kryeministër kundër orientimeve të SHBA për bisedime me Serbinë, ndërkohë që ata vetë, si forca e tretë politike kosovare dhe pjesa më aktive e opozitës, preferonin të mbyllnin sytë për të mos parë një të vërtetë tronditëse, që denonconte veprimtarinë ilegale prej dekadash  të po asaj Superfuqie në dëm të çështjes shqiptare. Një opozitë e vërtetë evropiane (jo shqiptare) do ta kapte fluturimthi një kauzë të tillë, e cila do të përbënte një kredibilitet të madh politik dhe krenari për një forcë politike serioze e të vendosur. «Kush nuk rrezikon asgjë, s’fiton asgjë», thonë francezët.

Katër muaj pas publikimit në Internet të «letrës së hapur» dhe të librit tim, «demokracia» shqiptare më prishi shtëpinë në Dukat (për fat, e kisha shitur apartamentin në Vlorë), gjë që e mësova me vonesë. Një ndëshkim të tillë nuk m’a kishte bërë as diktatura, kur më kishte internuar e burgosur. Me qëllim që ta shikoni me sytë tuaj hakmarrjen primitive të «demokracisë moderne» shqiptare, po publikoj një film të shkurtër.

Gjithsesi unë vetë kam marrë parasysh shumë më tepër sesa kaq, por shpreh keqardhjen për kërcënimin që i është bërë të vetmit gazetar shqiptar që vendosi të hidhte dritë mbi të vërtetën e «letrës së hapur» dhe të librit tim. http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww

Pas publikimit të videos së parë (që ishte më pak e rëndësishmja), ai u bllokua për më tej, duke ju privuar edhe juve, si sehirxhinj shembullorë, nga shikimi i disa gjërave që nuk do t’ju fshiheshin kollaj nga kujtesa…

Nguliteni një herë e përgjithmonë në mendje, Shqiptarë: për sa kohë do t’i kërkoni të drejtat tuaja tek poltikanët që u kanë vënë mbi krye (tek gozhda), nuk do të gjeni kurrë derman, veç telashe pa bereqet do të keni. Është shumë më premtuese, më pak e mundimshme dhe pa sakrifica, t’i kërkoni ato tek dora që godit gozhdën me sqepar. Vetëm zgjidhjet rrënjësore janë zgjidhjet e vërteta e të përhershme.

Rreziku është pothuajse zero dhe mundësia e zgjidhjes shumë më e lartë e shumë më cilësore, po qe se një protestë drejtohet kundër Miqve tanë të Mëdhenj dhe jo kundër politikanëve shqiptarë (urdhërzbatuesve të atyre), për këtë arsye: ATA lejojnë të bëhen shkelje të çfardoshme ligji (qoftë edhe krime, siç ka ndodhur), kur këto prapësi u faturohen direkt politikanëve shqiptarë, por kurrsesi nuk e lejojnë një gjë të tillë, kur objekt i protestës janë ATA vetë. Në këtë rast,  ATA tregohen tejet të kujdesshëm, mbasi jo vetëm që janë shtet i mirëfilltë juridik e demokratik, por edhe BE nuk është gjithmonë e për çdo gjë në unitet mendimi e veprimi me ta, dhe ATA e dinë më së miri një gjë të tillë.

Në qoftë se nuk jeni të gatshëm të bëni gjë për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj atje ku duhet bërë, do të ishte më pragmatiste t’i lini të qetë politikanët shqiptarë, mbasi ata nuk bëjnë dot asgjë të mirë për ju, edhe sikur të duan. Për ta bërë diçka të tillë, ata duhet të ndryshojnë patjetër kursin politik (kush i lë?), që do të thotë të dalin kundër dirigjentëve të tyre, të cilët kanë investuar shumë për të ndodhur ajo që po ndodh sot dhe ajo që është parashikuar të ndodhë në të ardhmen (me përjashtim të rastit kur populli zgjohet nga gjumi dhe ATA detyrohen të aplikojnë planin B, që e kanë gjithmonë rezervë).

Zgjedhjet e afërta në Shqipëri dhe ato më vonë në Kosovë do të jenë spektakle mësimdhënës, që do t’ju sqarojnë shumë më mirë se ky shkrim i imi. Gjersa Saliu 70 vjeçar është zotuar se do ta sundojë Shqipërinë deri në vitin 2035 (unë e besoj plotësisht, mbasi mumjet mund t’i sundosh sa të duash), e bie puna që Hashimi i ri dhe në formë të shkëlqyer fizike duhet të sundojë në Kosovë deri në vitin 2050, të paktën. Ju uroj përzemërsisht që t’i gëzoni të dy! Vazhdoni të vegjetoni të qetë, se kush zvarritet, nuk rrëzohet.

P.-S. :
Keni një video dy-minutshe në YouTube, e cila ka lidhje me shkrimin. Ajo është pa audio, mbasi m’a kanë bllokuar dy herë, me justifikimin e autorësisë së muzikës.

Hakmarrje mesjetare e shtetit shqiptar ndaj Agim Hamitit





Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 13/05/2013. Filed under Aktualitet,Mendimi shqiptar. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to FAJTORË SUPER TË AFTË DHE TË PAFAJSHËM NAIVË

  1. Nga Oshtima Vlorës

    06/10/2013 at 06:40


    Zoti Agim përshëndetje çfar lidhje ka shteti shqipetare me ju kur njërzit i ty gjaku juaj ju kane shkulur dhe pemet ju kane prishur dhe shtepin.

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.