Emigranti që po investon në vendlindje

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 3022
Sot është administratori i ndërtimit të një hidrocentrali në fshatin e tij të lindjes, në Polis Gurëshpat, rreth 25 kilometra larg Librazhdit. Janë më shumë se 20 banorë të fshatit Polis Gurshpat që janë punësuar për ndërtimin e hidrocentralit.
“Jam një emigrant që kam shprehur dëshirën të investoj në vendin tim dhe kam gjetur hapësirën dhe përkrahjen e shtetit”, kështu thotë Kujtim Cekani, 36-vjeçari, i cili që në moshë 18-vjeçare, largohet nga vendi i tij i lindjes, për të vetmen arsye se kërkonte një rini më të mirë. Sot është administratori i ndërtimit të një hidrocentrali në fshatin e tij të lindjes, në Polis Gurëshpat, rreth 25 kilometra larg Librazhdit. Por edhe pse jeta e tij ka ndryshuar, Kujtimi nuk mund të harrojë atë karvan të gjatë vuajtjesh që ka përjetuar nga periudha më e errët e Shqipërisë, diktatura komuniste. “Isha 18 vjeç kur në një natë të ftohtë nëntori të vitit 1988 kalova kufirin nga maja e Malit të Shebenikut në Dragostuj të Librazhdit në drejtim të Maqedonisë, pasi jeta ime në Shqipëri ishte e pa sigurtë. Sigurimi i Shtetit në atë kohë herë pas here më thërriste në Degën e Brendshme në Librazhd, duke më kërcënuar se do të më burgosnin, duke më thënë se më priste dënimi me veprën penale “armik i popullit”.

Kështu rrëfen Kujtimi, teksa kujton ato vite, e duke buzëqeshur thotë “e çfarë armiku isha unë, një djalë i ri, me vizionin për një të ardhme të bukur”. Por karvani i vuajtjeve për të riun vazhdojnë edhe më tej. Mbas vuajtjesh me frikën se mos kapej nga rojet kufitare, Kujtimi mbërrin në Maqedoni, në ato kohë Ish-Jugosllavia. Vendoset në kampin e refugjatëve politikë në Beograd ku edhe qëndron për 6 muaj. “Ishim akomoduar në Hotel “Trimi” në Beograd, kur edhe shoh nga televizioni rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha, si edhe eksodin në drejtim të Italisë. Deri në vitin 1992 vazhdoja të qëndroja në këtë hotel, ku me rreth 200 shqiptarë më në fund largohem në drejtim të Austrisë dhe mbas 6 muajsh në drejtim të Italisë. Këtu u vendosa përfundimshtm ku në Genovë ndoqa studimet e larta për Shkenca Politike, e ndërkohë mbas shumë punësh hapa aktivitetin tim, një Ndërmarrje Ndërtimi, ku të punësuar ishin më së shumti bashkatdhetarët e mi”.

Mbas 12 vjetësh, pas një përjetimi me ankth të ngjarjeve të 1997, pikërisht në vitin 2000, Kujtimi vendos të kthehet në vendin e tij të lindjes. “Pashë vendin tim ish-komunist në një gjendje të mjeruar, ku të gjithë njerëzit të vetmen gjë që mendonin ishte ikja, emigrimi, ndërsa i vetmi ndryshim ishte se unë lëvizja dhe flisja lirshëm, pasi askush s’të fuste në burg”, thotë Kujtimi. “Por teksa dëgjoja në televizon se PD në pushtet, i kishte dhënë një prioritet edhe emigrantëve dhe se kishte premtuar se do të mbështeste çdo investim që këta të fundit do të kryenin në Shqipëri, vendosa të kthehesha. Kisha shumë shpresë, pasi kishte ardhur koha për ndryshim ashtu siç ishte dhe motoja e fushatës, dhe ndryshimi erdhi”, vijon Kujtimi.

Të gjithë punën time shumë vjeçare, të gjitha të ardhurat që kisha mbledhur vendosa t’i investoja pikërisht në fshatin tim, në Gurshpat. Ideja për ndërtimin e hidrocentralit më lindi kur pashë hidrocentralet në Alpet e Italisë dhe të Austrisë, ku asnjë pikë uji nuk shkonte kot. Kështu, në vitin 2005 me shpresë dhe bindje se gjithçka do të shkonte mirë, bëra një kërkesë në Ministrinë e Energjetikës për të ndërtuar një HEC me konçension dhe kur mora një përgjigje pozitive, mendova se edhe në Shqipëri duhet të bëhen gjëra të tilla, nga vetë ne shqiptarët. E di që është një inisiativë e madhe, pasi kam investuar 750 mijë euro, të gjithë punën time disa vjeçare në Itali, por, duke menduar që jemi ne ata që duhet të sakrifikojmë që Shqipëria të rimëkëmbet”, thotë Kujtimi. Tashmë punimet e HEC-it vijojnë normalisht në këtë fshat dhe janë më shumë se 20 banorë të fshatit që janë punësuar për ndërtimin e tij.

E teksa përballet me mediat e ndryshme, Kujtimi flet me keqardhje për akuzat që i bëhen politikanëve e qeverisë, pasi sipas tij “nuk janë politikanët që përfitojnë konçensione, ashtu si akuzohen, pasi unë nuk jam politikan, nuk kam ndonjë të afërm politikan, por jam një shqiptar, që mendoj se në Shqipëri ka shumë për të bërë, pasi konçension do të thotë të ndërtosh, të hapësh vende të reja pune në përputhje me ligjet e shtetit”. Duke i bërë thirrje të gjithë emigrantëve që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, Kujtimi kërkon në radhë të parë mbështetjen që pushteti vendor duhet t’i japë. “Ne kthehemi në Shqipëri me eksperiencën dhe dëshirën që të bëjmë atë që kemi parë dhe mësuar në vendet e zhvilluara perëndimore. Nuk kemi nevojë për protesta, aq më tepër që politika të godasë investitorët, pasi nuk mund të bëhet politikë me sakrificat dhe djersën e të tjerëve, e aq më keq të emigrantëve. Ka ardhur koha që të investojmë për vendin tonë, dhe jo të protestojmë”, përfundon Kujtimi.
Miranda Sadiku/Rilindja Demokratike

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 20/03/2011. Filed under Emigrantët. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.