Emigrantët që rikthehen, qeveria u heq doganën

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 4856
Qeveria propozon ndryshimin e ligjit për emigrantët. Nuk përfitojnë statusin e të rikthyerit emigrantët ilegalë

Ligji për emigrantët shqiptarë do të pësojë një sërë ndryshimesh, pasi dje, Këshilli i Ministrave vendosi propozimin e ndryshimit të tij. Me anë të këtyre ndryshimeve, taksat që paguajnë emigrantët shqiptarë, do të riformulohen, duke hequr pagesat doganore për disa produkte, ndërkohë që emigrantët që janë rikthyer në Shqipëri për shkak se kanë qenë në ilegalitet në vendet pritëse, nuk do të përfitojnë më statusin e “emigrantët të rikthyer” dhe përfitimet që kishin prej këtij statusi.

Ndryshimet e taksave

Ndryshimi më thelbësor i taksave ka të bëjë me pagesat doganore. Kjo, pasi sipas ndryshimeve të propozuara në ligj, “autoritetet shtetërore përgjegjëse përjashtojnë nga pagesat doganore dhe taksat emigrantët shqiptarë për: sendet vetjake dhe pronësitë e luajtshme të punëtorëve migrantë dhe pjesëtarëve të familjes, që i përkasin njësisë familjare; si edhe një sasi veglash dore dhe pajisjesh të lëvizshme, të nevojshme për profesionin që do të ushtrojnë.”

Në ligjin ekzistues përfitues të kësaj lehtësie kanë qenë vetëm emigrantët që kishin statusin e “emigrantit të rikthyer”, pra që ishin kthyer në Shqipëri pas së paku një viti qëndrimi jashtë vendit. Por, në këto ndryshime janë zvenitur dy lehtësi fiskale që kishin emigrantët: përjashtimi nga taksat e udhëtimit dhe tarifat aeroportuale. Kjo pasi neni në fjalë që kishte të bënte me këto përjashtime u shfuqizua.

Jo ilegalët

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka të bëjë me statusin e “emigrantët të rikthyer”, përfitimet e së cilës nuk mund t’i marrin më të gjithë ata që janë kthyer për mangësi në dokumentacion. Në ligjin ekzistues parashikohet se edhe kjo kategori përfiton, pasi aty shkruhet se “Emigrant i rikthyer është dhe shtetasi shqiptar i rikthyer me dëshirë apo detyrim nga vendet pritëse në Republikën e Shqipërisë, për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit e të kushteve për hyrjen, praninë apo qëndrimin e rregullt në shtetet pritëse, në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit, si dhe anëtarët e familjes së tyre”. Por pikërisht kjo fjali është shfuqizuar.

Kështu me përcaktimin e ri “emigrant i rikthyer” është vetëm “shtetasi shqiptar i rikthyer në Republikën e Shqipërisë, për t’u larguar përsëri ose jo, pasi ka kaluar të paktën një vit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Të tillë janë edhe refugjatët e riatdhesuar, me dëshirë apo me detyrim, viktimat e trafikimit, fëmijët e pashoqëruar, të burgosurit e luftës, si dhe anëtarët e familjes së tyre”.

Shkolla verore për shqipen

Ndryshimet e tjera thelbësore në ligj kanë të bëjnë me mësimin e gjuhës shqipe për emigrantët e rikthyer. Kjo, pasi ndryshimet në ligj ngarkojnë Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës si përgjegjëse për hartimin e politikave dhe të legjislacionit, për lehtësimin e riintegrimit të fëmijëve “të emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar në sistemin arsimor shqiptar pas kthimit, dhe njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë; hartimin e kurrikulave të veçanta, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe nga emigrantët e rikthyer deri në moshën 18 vjeç ose 25 vjeç, nëse është duke ndjekur studimet e larta; si edhe organizimin e shkollave verore për fëmijët e emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe”.

Theks i veçantë është vendosur edhe tek trajtimi psikologjik i fëmijëve që janë rikthyer në atdhe, pasi ndryshimet, ngarkojnë MASH edhe për “ofrimin e shërbimit psikologjik në sistemin arsimor ndaj fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar dhe përshtatjen e tyre me shkollën, në marrëdhëniet ndërmjet komunitetit të nxënësve, si dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personelit mësimdhënës”.

Riintegrimi

Sipas ligjit në fjalë, shteti shqiptar ngarkohet me përgjegjësinë për të integruar emigrantët në shtetin ku shkojnë, si edhe lehtësimin e sistemit të taksave për ta në rast se riatdhesohen në mënyrë vullnetare në atdhe. Në këtë ligj, përveç emigrantëve, përfshihen edhe të gjithë studentët, të cilët kryejnë studimet në universitetet e huaja, në të gjitha rastet ku sipas legjislacionit ata quhen forcë punëtore dhe në marrëdhënie pune në shtetin pritës. Për këtë arsye, sipas ligjit në fjalë, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është e detyruar të krijojë lehtësitë maksimale që do të mundësojnë integrimin e emigrantit në shtetin pritës, përshi këtu mësime falas të gjuhës dhe të kulturës së vendit pritës. Nga ana tjetër, autoritetet shtetërore ngarkohen me përgjegjësinë e krijimit të taksave lehtësuese për sipërmarrjet e hapura nga emigrantët dhe duhet të sigurojnë marrëveshje dypalëshe me vendet pritëse të emigrantëve, për çështje si pensionet apo ndihmat ekonomike.

Fondi i emigrantit

Me anë të këtij ligji, emigrantët kanë një fond të veçantë në buxhetin e shtetit. Fondi në fjalë përbën një zë të veçantë në buxhetin e shtetit dhe shërben për politikat integruese të emigrantëve në tregun e punës ku aspirojnë. Nëpërmjet këtij fondi, mbulohen shpenzimet për ofrimin e kurseve të formimit në gjuhën e vendit pritës dhe kurseve profesionale në përshtatje me nevojat e tregut të punës në vendit që synohet.

Kjo mundëson lehtësi për emigrantët, pasi ata kanë ura të vendosura komunikimi në ndryshim nga procedura e deritanishme. Gjithashtu, ky fond përdoret për përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informuese për legjislacionin, gjuhën, kulturën e vendeve pritëse, si dhe për prodhimin e dokumentit të Statusit të Emigrantit.

Ky status së bashku me regjistrin e emigrantëve përbëjnë një hap përpara për identifikimin dhe menaxhimin e fluksit të daljeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit për qëllime punësimi, si dhe të rikthimit të tyre në vend, me qëllim përcaktimin e prirjes së zhvillimit të dukurisë migratore shqiptare.

Ndoshta këto prirje do të shërbejnë për krijimin e politikave të reja për migrimin në të ardhmen. Gjithashtu, ligji në fjalë përcakton edhe detyrimet që kanë strukturat shtetërore ndaj emigrantëve. Një prej të cilave ka të bëjë me mbrojtjen e shtetasve nga informacioni i rreme apo çoroditës. Për të arritur këtë mbrojtje është përcaktuar që agjencitë private të punësimit, para publikimit të ofertave për punësim jashtë vendit, të marrin miratimin e Ministrisë së Punës, me qëllim vërtetësinë e këtyre ofertave.

Pensionet

Tashmë, shteti shqiptar është i detyruar të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe në lidhje me sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë. Sipas ligjit për emigrimin, shteti shqiptar në bashkëpunim me shtetin pritës duhet të arrijnë një marrëveshje në lidhje me përfitimet nga sigurimet shoqërore. Në këtë mënyrë, shqiptarët e punësuar në vende të tjera, të cilët kanë dëshirë të riatdhesohen, mund të përfitojnë pensionet në Shqipëri.

Me anë të këtij ligji, shteti ynë përcaktohet si garant i mosdiskriminimit të shqiptarëve në vendet pritëse, duke ngarkuar me përgjegjësi ambasadat dhe shërbimet konsullore për verifikimin e të gjitha rasteve, e për më shumë i jep të drejtën të ndërhyjë në raste shkeljeje të të drejtave të bashkatdhetarëve tanë.

Në mënyrë që kjo përpjekje të vendoset më së miri në jetë, autoritetet shtetërore shqiptare informojnë emigrantët për sistemin e sigurimeve shoqërore në vendet pritëse, në mënyrë që ata të njihen me të drejtat e tyre e të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmë nga shërbimet konsullore.

Statusi i emigrantit

Me anë të këtij ligji u krijua një regjistër të posaçëm për të gjithë emigrantët. Regjistri i emigrantëve është një regjistër ku shënohen të gjitha të dhënat e emigrantëve shqiptarë, në mënyrë që vendi ynë të ketë mundësinë t’u vijë në ndihmë sa më shpejt.

Për t’u regjistruar në këtë regjistër e për të përfituar nga ky ligj, të gjithë emigrantët e tanishëm dhe të gjithë ata që do të aplikojnë për të përfituar këtë status, duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Çështjeve Sociale dokumente identifikimi, të ndryshme nga ato që kërkohen për pajisjen me lejen e qëndrimit në vendin pritës.

Shteti shqiptar njeh si emigrantë për arsye pune, të gjithë të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe familjarët e dy kategorive të mësipërme, të cilët kanë të drejtë banimi dhe pune në vendet e huaja. Për këtë arsye, Ministria e Çështjeve Sociale kërkon një vërtetim që përcakton se aplikanti bën pjesë në një nga këto kategori.

Në regjistrin e emigrantëve do të regjistrohen gjithashtu edhe emigrantët e rikthyer, të cilët do të marrin statusin në fjalë me anë të një vërtetimi nga organet e dy shteteve, por jo më atë që kthehen për shkak të mospasjes së dokumenteve, pas ndryshimeve të bëra dje. Prania e këtij regjistri mundëson ndihmat e caktuara që shteti shqiptar ofron për këtë kategori.

Në këtë mënyrë, vërtetimi i ekzistencës së emrit të tij në regjistër do t’i mundësojë emigrantit lehtësitë financiare dhe uljen e taksave që parashikon ligji. Për më shumë, mosekzistenca e emrit të emigrantit në këtë regjistër i heq atij të drejtën e transferimit të përfitimeve nga sigurimet shoqërore të vendit pritës në Shqipëri.
Ardit Bido/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 21/01/2011. Filed under Emigrantët,Ligji. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.