Edi Rama: Myslimanizmi i shqiptarëve, faktor në refuzimin e statusit

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1234
Edi RamaKryeministri Rama theksoi se ekstremistët europianë kundër myslimanëve kanë pasur një rol kryesor për sa i përket refuzimit të statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një intervistë përballë gazetarit Mustafa Nano, kreu i qeverisë theksoi se nevoja e Europës për të parë rezultate konkrete nga Shqipëria dhe presioni i hapur i partive ekstremiste ishin elementet kyçe që sollën dhe këtë refuzim. Rama nuk ngurroi ta bazonte këtë qëndrim të tij te fakti se Serbisë i ishte hapur drita jeshile, pavarësisht faktit se këtij vendi i mungon dimensioni i bashkëjetesës fetare, i cili është i spikatur në Shqipëri. Kreu i qeverisë foli edhe për sa i përket mënyrës së organizimit të partisë dhe pohoi se brenda kryesisë së PS-së kishte individë që prezantonin më së miri ngjyrimet e rivalitetit të brendshëm. Sipas Ramës, në rast se qeveria do të punonte mirë atëherë PS-ja nuk do të kishte problematikë të brendshme të fortë që mund të çonte në probleme, por në rast se kjo nuk ndodhte, atëherë rreziku ishte potencial. Kreu i PS-së foli dhe për sa u përket raporteve të tij me kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, duke e quajtur bashkimin e tyre të dytë të fortë dhe të suksesshëm. Por Rama theksoi se në politikë kishte një rregull që thoshte “kurrë mos thuaj kurrë”.

Statusi
Për mosmarrjen e statusit, Rama fajësoi në mënyrë të veçantë edhe forcat ekstremiste që po rriten në Europë dhe që në mënyrë të hapur theksojnë se Bashkimi Europian është pjesë vetëm e vendeve kristiane. Sipas tij, pavarësisht se ky problem nuk u përket forcave kryesore dhe të stabilizuara europiane, përsëri pesha e këtyre partive të vogla ekstremiste kishte ardhur duke u zgjeruar. “Ka një problematik për myslimanizmin, por lavdi Zotit kjo s’ka të bëjë me forcat e konsoliduara europiane, qoftë të majta apo të djathta, por ka të bëjë me këto forca të reja që janë në ekspansion të brendshëm brenda disa vendeve dhe që haptazi e thonë dhe e nënvizojnë se BE-ja nuk mund të ketë asnjë lidhje me fe tjetër, përveç kristianizmit”, theksoi Rama. Ai nuk ngurroi të përmendte dhe si shembull Serbinë, kur theksoi se ky vend, ndonëse nuk kishte një dimension të theksuar mbi respektimin e feve të ndryshme, iu hap drita jeshile për në rrugën e saj drejt BE-së. “Refuzimi për ta dhënë këtë herë statusin e vendit kandidat ishte më kompleks se thjesht raporti i familjes europiane me ne, por ishte dhe shprehje e një problemi të brendshëm që po bëhet gjithmonë e më i madh brenda familjes europiane. Kjo ka të bëjë me rritjen e masës shqetësuese të atyre që janë kundër BE-së, të atyre që janë kundër zgjerimit dhe kundër shumëçkaje që BE-ja vetë mëshiron. Kjo nuk ndodhi me Serbinë dhe kjo e bën edhe më dramatike, jo për faktin se Serbia mori dritën jeshile dhe Shqipëria nuk e mori, por sepse Serbisë i mungon një dimension që ne e kemi dhe që për mua është pasuri e jona dhe që është dimensioni fetar. Shoh si pasuri të tonën multireligjionitetin”, theksoi Rama, i cili shtoi gjithashtu se nuk besonte se në Serbi kishte më pak korrupsion dhe krim të organizuar se në Shqipëri. Gjithsesi Rama theksoi se një nga problemet kyçe që Shqipëria kishte me Europën, ishte se qeveria e saj ishte bërë e pabesueshme për sa u përket masave konkrete që duheshin marrë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Prandaj, sipas Ramës, qeveritë e vendeve të rëndësishme europiane kishin kërkuar më shumë kohë nga Shqipëria për t’i akorduar këtë status.

PS
Rama foli edhe për PS-në, duke theksuar se mendimi ndryshe në Partinë Socialiste kishte qenë dhe ishte i garantuar. Sipas tij, demokracia e brendshme në PS funksiononte, nisur edhe nga fakti se në kryesinë e kësaj partie vijonin të ishin prezentë të gjithë individët që përfaqësonin dhe rivalitete të brendshme. “PS-ja është një forcë politike. Individët që e përbëjnë kanë dhe mendime të ndryshme dhe kjo është e garantuar. Në kryesinë e partisë kemi të gjithë ngjyrimet dhe gjithë prezencën e rivaliteteve të brendshme”, theksoi Rama. Ai shtoi se nëse qeveria nuk do të përmbushte pritshmëritë, atëherë nuk kishte asnjë çudi që brenda PS-së të nisin edhe problematika të mëdha.

Parashikimi
Rama: Ende refuzoj ta cilësoj politikën si zanatin tim

Kryeministri Rama theksoi se angazhimi i tij në politikë është një jetë e dytë e tij, pasi në të parën si artist nuk kishte hyrë ndonjëherë në ndonjë zyrë shteti. Padyshim, Rama theksoi se ai kishte planifikuar dhe një jetë të tretë, e cila nuk kishte lidhje me poste drejtuese në politikë. Ai shtoi se për të politika nuk ishte një profesion, por një angazhim, të cilin e kishte ndërmarrë në këtë moment të caktuar dhe po e bënte me mish e me shpirt, por që nuk mund të zgjaste përgjithmonë.

Emocioni
Rama theksoi se kishte ndier emocion gjatë firmosjes së aktit të parë si Kryeministër. Ky akt ishte vendosja e fotografisë së Ismail Qemalit në zyrat e shtetit shqiptarë.

Përgjegjësia

Kryeministri theksoi se ai ishte ndier shumë i vogël përpara përgjegjësisë dhe nderit që i kishin bërë qytetarët shqiptarë, duke e zgjedhur kreun e qeverisë

Përcaktimi
Rama e cilësoi thjesht me fjalën mizor, ish-diktatorin shqiptar Enver Hoxha. Ai e cilësoi të parëndësishme shfaqjen e fotografisë së tij në ceremoninë për Dëshmorët e Kombit.
Fatjona Mejdini/Gazeta Shqip

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 29/12/2013. Filed under Aktualitet,Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.