Dritaria me Hekra…

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1286
Spitali Psikiatrik ShkoderDisi ndryshej prej ndërtesave të tjera në pamje, ma e naltë, që të jep përshtypjen sikur asht derdhë në beton. Disa rrëkajë lagështine që varën si thakë dukën sikur për të gjatë rrjedhin lot. Asht e rrëthueme me mure të nalta, ku dora e njeriut mbi to ka çue edhe tela me ferra si e si, me krijue pengesë jo aq për ata që janë mbrendë, por ma shumë për ata që done me hy prej jashtë. Madje, në një qoshe asht edhe një kaçorre mbi tarracë që dukët si trup-roje. Jo, jo! Nuk asht burg për të dënuemit e ndërgjegjës apo hajdutë; asht spitali neuropsikiatrik i Shkodrës.
Sa hyn në oborr sheh se zhegu i verës ka zharitë gjithshka. Sillesh pak mbas ndërtesës e aty asht dera e hymjes. Porsa po u ngjitësha ndër ato dy-tri kambë shkallë, në një dritare me hekra më tërhoqi vëmendjën një fëtyrë disi e përçudnueme, si maskë e një koke të qethun tollë që peshonte pak para dhe mbi një trup të zgaqun dhe të bardhë si t’ ishte prej allçije.

Gjoksi mbrohej prej supave disi të mbledhun si në strukje, ndërsa, mbi shpatulla mbante xhaketën e pizhamave me vija bojë qielli, veshja e njohun e të sëmurëve të spitaleve tona. Qëndronte i ndrojtun në atë dritare ku dielli duhët ta shihte pak minuta para përendimit të tij, vetëm, sa me e pershëndetë me dy rreze ndër ato dy mollza faqesh ngjyrë rozë dhe me i urue “natën e mirë…biro!..”.
Fatziu qëndronte i ulun me një krrusje trupi që të ban përshtypje dhe të kujton dishka tue e pa prej poshtë ku isha unë. Kur sheh edhe të sëmurë të tjerë ke idenë sikur të gjithë janë përshkue në një kallep para se me hy në atë vend dhe, u asht dhanë e njajta formë e qëndrimit të trupit, kokës dhe duerve.
Hekrat e kapërthyem me hijet e tyne vazhdonin rrëkajtë tue ma coptue edhe ma shumë portretin e tij e aq afër me dukeshin, sa për një çast kur i krahason me ata të burgjëve, këta dukën ma afër njeni me tjetrin, pra përpjekja për me dalë prej tyne dhe me pá diellin e pacoptuem, asht e njajtë. Pak çaste i duhën një të burgosuni me u dishprue, tue rrezikue jetën dhe me mërrijtë me ça rrëthimin mjedis breshnisë së plumbave dhe, po aq kohë, i duhët edhe një të çmenduni me dalë për hekrash dhe me ra prej së nalti, ndoshta ma me rrezik për jetën se sa i burgosuni.
Këtu ndahët i sëmuri prej të parit fatkeq, sëpse ky e ban pa mênd, por, si ky pa mênd si ai me mênd, të dy e bajnë për një qellim; për me fitue até që nuk e ka asnjëni: L i r i n ë …
Kur shkon sëpari në një manikomjo apo koloni, ké një përshtypje aq të fortë sa për disa kohë je si i habitun, kur nëpër kujtesë të kalojnë pamjet dhe përshtypjet e atij vendi, ecjet e komandueme ndër korridore, vërtebrat e qafës që mbajnë kokat e gungueme nga lidhjet e nejëve të kockave mbi krahët e shtërnguem, buzëqeshjet e pakuptim të buzëve të shpërvjeluna, që të dukën sikur shfryjnë gjithë inatin me ty, dhe mbi të gjitha sjellja korrekte dhe krejt e pavetëdijshme e ndonjë të sëmuri në moshë të re që të kujton At Fishtën, që shkruente dikur, se “Pse o Zot, gjuen me rrfé lisat kot?”…
Egërsia e tyne asht e mbulueme me aq kujdes nga cipa e hollë e lëkurës, sa shpesh gabon e pyet: “Po, ky, pse asht këtu?”. Butësia e të folunit, ndrojtja, zani i ulët dhe shikimi i dhimbëshëm i tyne, të prekë aq fort në zemër sa kur ndokush të tregon se ky me të cilin fole, ka therë gruen e djalin e vet me thikë pa shkak, ose ka mbytë prindët padijtë çka ban, atëherë, kupton se nuk ké marrë vesht asgja prej asaj mnere çka ndryhët ndër ata hekra mizore dhe vetëm aty kupton sesi bashkëjeton në një kenje njërëzore, mendsia me çmendinë, butësia me egërsinë, drejtësia me të shtremtën, e vërteta me gënjeshtrën, guximi dhe frika, krenaria e përvujtnia, sinqeriteti e hipokrizia, virtyti e vesi, ndera e pafëtyrsia, burrnia e poshtërsia dhe të gjitha bashkë, “binjake” mbrenda një krijese…
Njëditë, në rrëthana e kushte të paprituna e të pakuptueshme, me dashje ose padashje shpërthejnë njëherësh fuqishëm, të marrin me vete ty dhe turma njerëzish pa dijtë shka bahët!…
E, kjo më ndodhi edhe mue atëditë… që nuk më hiqet mendësh.
Djali në dritare më nguli sytë, me shtangu në vend, me dorën e majtë u kap për hekra, sikur të donte me i shtremnue ata, dhe çoi nalt dorën e djathtë tue shkundë krahun me dy gishta përpjetë, më përshëndeti e me një za të fuqishëm si të luanit në kafaz thërriste: “Liri-Demokraci …Liri-Demokraci…Liri..!”
Pa kuptue ku jam,… edhe unë çova dy gishtat përpjetë…si ndër mitingje…
Kur ika, atë djalë e lashë aty…dhe,… më dukët,.. se aty asht prap!
Fritz RADOVANI/Proletari.Com
Shkodër, Gusht 1994
Botohet,Më 27.IX.2014

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 27/09/2014. Filed under Diktatura komuniste. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.