Dalja ne pension, kushte te reja ne 2010-ten ne RSH

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 9573
Kushtet për daljen në pension në vitin 2010.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zbardhur kushtet që duhet të përmbushen për të gjitha ato kategori që duan të përfitojnë një pension të plotë ose të pjesshëm deri në datën 30 qershor 2010. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë përcaktuar moshat që do ta ligjërojnë të drejtën e pensionit, deri në afatin e mësipërm. Ndërkaq, për t’u ardhur në ndihmë personave në prag të daljes në pension, specialistët e Sigurimeve Shoqërore kanë detajuar kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, për të dyja gjinitë sipas kategorive. Sipas kushteve të vendosura, kriteret e përfitimit të pensionit kanë pësuar ndryshime për çdo kategori. Kështu, deri më 30 qershor 2010, për punët e kategorisë së parë mosha e daljes në pension dhe periudha e sigurimit në vite është rritur me një vit. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit të pleqërisë është rritur me 6 muaj, por periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për rrjedhojë, të gjithë personat që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë të punës, që e plotësojnë moshën e pensionit brenda harkut kohor korrik 2009 – qershor 2010, duhet të kenë të siguruara plot 35 vite pune.

Të njëjtat ndryshime me kategorinë e dytë kanë pësuar kushtet e daljes në pension edhe për kategorinë e tretë. Edhe për këtë kategori, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, ndërsa periudha e sigurimit ka mbetur po 35 vite pune. Ekspertët e ISSH-së kanë specifikuar kushtet kryesore që duhet të plotësojnë personat për të ligjëruar të drejtën e pensionit. Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie deri më 30 qershor 2010, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat është 58 vjeç, kurse për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara.

Periudha e sigurimit në vite për pensionet e plota.

Për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit është 63 vjeç për burrat dhe 58 vjeç për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Për punët e kategorisë së tretë është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeç, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar është 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për ta plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Drejtuesit e ISSH-së sqarojnë se një informacion më të hollësishëm të gjithë të interesuarit në prag të përfitimit të pensionit mund ta marrin pranë punëdhënësit të tyre, ose pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit përkatës.

Procedurat për përfitimin e kushteve
.

Mbështetur në rregulloren nr.1, datë 21 tetor 2008 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve”, të Këshillit Administrativ të ISSH-së, të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, sipas Ligjit Nr.7703, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim që 12 muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Kurse personat që nuk disponojnë dokumentet, duhet të bëjnë vetëdeklarimin me shkrim në kërkesën paraprake. Më poshtë, ekspertët e ISSH-së sqarojnë procedurat që duhet të ndjekin të interesuarit për të përfituar pension pleqërie jo vetëm për ata që i disponojnë dokumentet, por edhe personat që i kanë humbur ato. Çdo person që është në prag të plotësimit të kushteve të mësipërme, duhet të paraqitet pranë organeve përkatëse të vendbanimit të tij për të plotësuar kërkesën paraprake për të drejtën e pensionit, duke dorëzuar dhe një listë të caktuar dokumentacionesh që kërkohen. Kjo procedurë duhet të kryhet 12 muaj para se personit t’i lindë e drejta ligjore e marrjes së pensionit të pleqërisë.

Dokumentet e kërkesës paraprake.

Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës; çertifikatë lindje me fotografi; çertifikatë martese për kërkueset femra. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake, paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës.

Profesionet e ndara në tri kategoritë e pensioneve.

Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.

Kategoria e parë.
Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.

Kategoria e dytë.
Në punë të kategorisë së dytë, për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.

Kategoria e tretë.
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.

Personat që nuk disponojnë asnjë dokument për daljen në pension.
Kërkesa plotësohet pranë vendbanimit
.

Madje edhe personat që nuk disponojnë dokumentet për pension duhet të paraqiten pranë vendbanimit të tyre për të plotësuar kërkesën paraprake. Për këtë, ata do të plotësojnë një formular, në të cilin duhet të deklarojnë periudhat e tyre të sigurimeve (historikun e punës). Kështu, kërkesa parapake për plotësimin e dokumenteve për caktimin e pensionit ndahet në disa pjesë. E para, përmbledh të dhënat mbi gjendjen civile të aplikuesit, ku deklarohen të gjitha gjeneralitetet dhe vendbanimet e tij deri në çastin e përftimit. Këto të dhëna plotësohen duke pasur parasysh regjistrimet e bëra në gjendjet civile. Pjesa e dytë përmban kërkesën ku detajohet se ç’lloj pensioni duhet të përfitojë. Më pas vijohet me pjesën e tretë, e cila përbëhet nga tabelat përkatëse në të cilat evidentohen periudhat e sigurimeve në vite. Përbri secilit subjekt të punësuar citohen detyrat e bëra nga aplikuesi nga data e fillimit të punës deri në kohën e ndërrimit të vendit të punës. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe në tabelën tjetër përkatëse: punësimet në kooperativat bujqësore me shpërblim në ditë pune, apo punësimet e bëra në subjektet private. Gjithashtu, në këtë kërkesë duhet të detajohen dhe rastet e të vetëpunësuarve në aktivitetet bujqësore. Më pas bëhet dhe deklarimi i sigurimeve vullnetare të derdhura në afatet kohore përkatëse, deklarohet nëse aplikanti është trajtuar me përfitime afatshkurta nga sigurimet shoqërore pas 1 janarit të 1994-s, si dhe vitet kur është kryer shërbimi ushtarak.
Drita Çokaj/Rilindja Demokratike

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 01/06/2010. Filed under Ligji,Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.