Berisha: Shqipëria, një superfuqi energjetike në rajon

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1933
Kryeministri: Ftoj bankat të investojnë për ndërtimin e HEC-eve. Janë 220 HEC-e që janë dhënë me koncesion dhe 445 HEC-e do të ndërtohen
“Shqipëria është një vend shumë i pasur me ujëra dhe mundësi për të prodhuar energji hidro, por edhe energji të rinovueshme. Shqipëria ka gjithë mundësitë për tu kthyer në një superfuqi e vogël energjetike në rajon”. Kështu ka deklaruar dje Kryeministri Sali Berisha gjatë një konference me temë “Përmirësimi i kuadrit ligjor të energjive të rinovueshme në Shqipëri”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe IFC. Duke përshëndetur organizatorët e këtij seminari duke dhënë një kontribut të madh në nxitjen dhe inkurajimin e investimeve në këtë fushë, për një nga çështjet themelore të zhvillimit të Shqipërisë, siç është energjia e rinovueshme, Kryeministri Berisha u shpreh se fokusimi dhe përqendrimi tek energjia e rinovueshme, përputhet plotësisht dhe tërësisht me prioritetet më madhore të qeverisë shqiptare. “Shqipëria është një vend me burime të mëdha të energjisë së rinovueshme. Ky vend derdh në det 6 herë më shumë ujëra sesa ka sipërfaqen e tij. Është vendi më malor në rajon, por i bekuar se malet e tij janë të pasura me ujë”, – theksoi Kryeministri Berisha.

Duke theksuar se Shqipëria është vendi ndoshta ndër të paktat në Evropë, që mund të ecë e sigurt si një Green Albania pasi burimet e saj janë të panumërta, Kryeministri Berisha u drejtoi një thirrje të pranishmëve në këtë seminar, që të konsiderojnë në mënyrën më serioze financimin e projekteve në Shqipëri. “Unë ftoj gjithashtu bankat e mëdha të ndjekin shembullin e IFC-së, të konsiderojnë seriozisht financimin e këtyre projekteve në sektorin privat, çka përbën një kontribut të madh të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, por dhe në potencialin e madh eksportues të Shqipërisë. Shqipëria ka të gjitha kushtet, për tu bërë, dhe Shqipëria do të behet, një superfuqi e vogël energjetike në rajon”, – theksoi ai. Ai i garantoi investitorët se çdo investim i tyre në këtë fushë do të jetë një histori e vërtetë suksesi, jo vetëm për vendin, por para së gjithash për ata dhe financimin e tyre, dhe u shpreh se qeveria është e vendosur të adaptojë sistemin ligjor më të mirë, për blerjen e energjisë së rinovueshme si dhe t’i japë garancitë më të mëdha të mundshme biznesit dhe investimeve. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të IFC-së, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i IFC-së Lars Thunell, ambasadoi i Austrisë Florian Raunig, përfaqësuesi i Komisionit të Delegacionit Europian Francois Begot dhe anëtarë të kabinetit dhe specialistë të fushës së energjisë. Kryeministri ka falënderuar përzemërsisht, organizatorët e këtij takimi, Korporatën Financiare Ndërkombëtare, qeverinë austriake, USAID-in, KFW, donatorët të cilët bënë të mundur këtë takim për një çështje themelore të zhvillimit të Shqipërisë, siç është energjia e rinovueshme.

“Biznesi austriak ka aktualisht projektet më të mëdha më të rëndësishme në fushën e energjisë së rinovueshme, ndër të cilat dua të veçoj kaskadën e Devollit, të EVN të Shtatkraft, Verbundin hidrocentralin e Ashtës”, – tha Kryeministri.

Ndërsa ka vlerësuar IFC është një partner i shkëlqyer i qeverisë shqiptare ne shumë fusha, por në mënyrë të veçantë do të theksoja këtu suksesin e vërtete të këtij bashkëpunimi në fushën e energjisë. “Me ndihmën e çmuar të saj, në Shqipëri u realizua privatizimi i shpërndarjes së energjisë dhe një nga koncesionet më të mira të hidrocentralit të Ashtës dhe një seri mbështetjes të tjera të rëndësishme”, – nënvizoi kreu i qeverisë. Kryeministri nënvizoi në fjalën e tij se qeveria është e vendosur të adaptojë sistemin ligjor më të mirë, për blerjen e energjisë së rinovueshme. Të japim garancitë më të mëdha të mundshme, biznesit dhe investimeve, por sot që ne diskutojmë, në raport me sigurinë e investimeve të huaja, Shqipëria renditet në një nga 15 vendet e para. “Sot për investimet dhe klimën e investimeve në tërësi, Shqipëria renditet 5 deri ne 7% më lart se mesatarja e vendeve të OECD. Për regjistrimin e biznesit Shqipëria renditet 27% më lart se mesatarja e vendeve të OECD. Një nga sukseset e vërteta dhe shumë e rëndësishme është Qendra Kombëtare e Licencave dhe Lejeve, në të cilën u përfshi edhe sektori energjetik.  Një studim i bërë nga USAID kohët e fundit, fakton se 96% e aplikuesve janë të lumtur ose shumë të lumtur me shërbimet që ofron kjo qendër”, – theksoi kreu i qeverisë. Ai garantoi investitorët se çdo investim i tyre në këtë fushë, do të jetë një histori e vërtetë suksesi, jo vetëm për vendin tim, por para së gjithash për ata dhe financimin e tyre.

 

Berisha: Ftoj bankat e mëdha të investojnë për ndërtimin e HEC-ve

“Shqipëria është vendi më malor në Evropë, por i bekuar se malet e tij janë male të pasura në ujëra më shumë se kudo tjetër. U theksua këtu nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i IFC se në Shqipëri janë 2/3 e rezervave ujore për t’u shfrytëzuar. E vërteta është se Shqipëria ka një potencial edhe më të madh, po të kemi parasysh teknologjinë dhe kapacitet e reja, po të kemi parasysh kapacitetet prodhuese të rezervave ujore të pa shfrytëzuara, janë edhe shumë më të mëdha”, – tha Kryeministri.

Ai nënvizoi se Shqipëria është vendi ndoshta, ndër të pakëtit në Evropë, që mund të ketë e sigurt si një Green Albania. Burimet e saj janë të panumërta. “Qeveria me një ligj të miratuar 3 vjet më parë ka firmosur kontrata për ndërtimin e rreth 220 hidrocentraleve. Hidrocentrale të mesme dhe të mëdha në Shqipëri janë për tu ndërtuar rreth 450, të vogla mund të jenë më mijëra”, – nënvizoi Kryeministri. Berisha tha se janë rreth 36 hidrocentrale, por janë shumë të tjerë që presin financime. Qeveria është e vendosur e gatshme të vendosë kuadrin ligjor më stimulues, më inkurajues për ndërtimin e tyre. “Ftoj bankat e mëdha të ndjekin shembullin e IFC-së, të konsiderojnë seriozisht financimin e këtyre projekteve në sektorin privat, çka përbën një kontribut të madh të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, por dhe në potencialin e madh eksportues të Shqipërisë. Shqipëria ka të gjitha kushtet, për tu bërë, dhe Shqipëria do të behet, një superfuqi e vogël energjetike në rajon”, – nënvizoi Kryeministri. Ai më tej shtoi se potenciali i Shqipërisë është shumë i madh në fushën e erës, ne kemi licencuar deri më tani 1700 mega vat, natyrisht kuadri i përshtatshëm ligjor është jetik për zhvillimin e këtij sektori. Shqipëria është një nga vendet më me diell në Rajon dhe në Evropë. Ka një potencial të madh energjie diellore. Ka një potencial real për bio-masën. Qeveria mbetet e vendosur të bëjë gjithçka, të përparësojë këtë sektor, ta shndërrojë këtë sektor dhe ta mbajë, pavarësish se nuk plotëson nevojat, sot mbi 98% e energjisë është ujore, ta mbajë këtë sektor si sektor me peshë kryesore. Natyrisht qeveria konsideron dhe do të konsiderojë diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë pasi siç faktohet në mënyrë të përsëritur, natyra ka të papritura dhe surpriza të mëdha. Ndaj të cilave çdo vend duhet të jetë i përgatitur.
Teuta Shamku/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 23/03/2011. Filed under Projekte/Tendera. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.