Berisha me jelek antipblumb?

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1461
Sokol Haklaj ne misionA është ky djalosh, shkaku i jelekut antiplumb të Berishës?
Kohët e fundit në medie janë evidentuar raste të shumta të daljeve publike të kryeministrit të vendit, ku nën veshjen e dukshme shfaqen konturet e një jeleku antiplumb. Kurse numri i truprojave të tij ka arritur në nivele gati të pabesueshme. Vetëm në një foto që qarkullon së fundi shihen rreth 30 truproja në një perimetër fare të ngushtë. Për të mos folur për bllokimin e rrugës ku banon familja Berisha, rojet 24 orëshe në taraca dhe rrugë, makina shoqëruese anti-valë, makina të blinduara etj. Disa besojnë se këto masa kanë nisur pas 21 janarit. Por nuk është kështu. Në aktivitete të zhvilluara prej tij, kryesisht në takime me elektoratin, jeleku antiplumb është vërejtur edhe pas zgjedhjeve të vitit 2009, apo edhe përgjatë vitit 2010. Cila është arsyeja që Berisha mban këto masa dukshëm të forcuara mbrojtje? Është Berisha ai që i kërkon rrethit të vetë të sigurimit të perimetrit masa të tilla, apo janë këta njerëz të ngarkuar me detyrën e ruajtjes së tij që ia imponojnë masat Berishës? Është e vështirë ta mësosh saktësisht nëse këto masa mbrojtëse burojnë nga sugjerimet e oficerëve të sigurisë apo nga vetë paranoja e Berishës. E megjithatë duket se një episod i Gushtit të vitit 2009, ka vënë seriozisht në alarm rrethin e sigurimit fizik të kryeministrit dhe ka ngritur në këmbë të gjithë policinë dhe shtetin shqiptar.

Mali i Zi

Në Gusht të vitit 2009 shërbimet policore shqiptare kanë marrë një sinjalizim të cilin e kanë trajtuar me prioritet shumë të lartë. Në Malin e Zi, në një prej resorteve turistike kishte mbërritur një shtetas gjerman me origjinë shqiptare dhe që mbante mbiemrin Haklaj. Ishte koha kur në Shqipëri porsa kishte nisur formësimi i qeverisë së re të Partisë Demokratike e cila kishte dalë fituese e zgjedhjeve. Personi i mbërritur në Malin e Zi nuk ishte një emër i panjohur për krerët e policisë shqiptare, sidomos për ata krerë që kanë lidhje direkte me Berishën dhe janë dora e fortë e tij në polici. Ai nuk ishte thjesht një nip i Haklajve por edhe një ushtarak me profesion, madje një ndër komandot më të mirë të stërvitur në Gjermani dhe me aftësi të spikatura si qitës, kolegë dhe eprorë të tij e përshkruajnë si një qitës të shkëlqyer. Bëhet fjalë për 35 vjeçarin S. Haklaj i cili deri në vitin 1997 kur ishte vetëm 20 vjeç ka qenë pjesë efektive e ushtrisë shqiptare por më pas ka vazhduar karrierën ushtarake si pjesë e një kampi të ushtrisë gjermane në Sarajevë, Bosnje. Kampi quhej “”Log Ben” dhe ndodhej saktësisht në Rajlovaç. Ushtarët e pranishëm aty ishin ne pjesën dërrmuese shqiptarë por që përfaqësonin ushtrinë dhe prezencën e misionit gjerman në Sarajevë. Një reportazh i vitit 2000 në mediet e shkruara gjermane mbi këtë kamp, ka ofruar dhe të vetmen foto të S. Haklajt e cila botohet sot në “DITA ”. Është një foto e vitit 2000, kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeç. Hera e fundit kur është parë në Shqipëri ka qenë në muajin Maj 2002, kur erdhi në ceremoninë mortore të të atit të tij, i ekzekutuar më 8 maj në Tropojë. Pas ceremonisë mortore, S.Haklaj ka shkuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka dorëzuar armën e tij duke deklaruar se hiqte dorë nga përkatësia e tij si ushtarak shqiptar dhe është larguar jashtë Shqipërisë. Pas këtij momenti dihet shumë pak për të. Mësohet se ai është angazhuar edhe në disa misione paqeruajtëse dhe ushtarake në Afganistan.

Paranoja

Burime të mirinformuara i thanë për “DITA ”-n se rreth mesit të gushtit 2009, autoritetet më të larta shtetërore të sigurisë kanë trajtuar me prioritet absolut një të dhënë që vinte nga autoritetet partnere të Malit të Zi dhe që kishin njoftuar prezencën e S.Haklajt si turist, i mbërritur i vetëm në një nga resortet turistike të Malit të Zi. Pasi kanë marrë këtë informacion krerët e policisë shqiptare i kanë kërkuar autoriteteve malazeze që të mbanin nën mbikëqyrje të pandërprerë këtë person pasi sipas autoriteteve shqiptare “ai përfaqësonte një njeri me rrezikshmëri shumë të lartë dhe me potencial të lartë për të kryer krime në Shqipëri”. Madje të njëjtat burime saktësojnë se autoritetet shqiptare kanë kërkuar në shërbimet partnere policore dhe jo vetëm një vëmendje të veçantë mbi lëvizjet apo aktivitetin e S.Haklajt, sidomos në lidhje me lëvizjet e tij jashtë Gjermanisë duke kërkuar sinjalizimin e autoriteteve shqiptare në çdo rast që do evidentoheshin lëvizje jashtë Gjermanisë të S.Haklajt.

Arsyet

Përse gjithë kjo vëmendje ndaj S. Haklajt? Historia e konfliktit dhe “hasmërisë” së Berishajve me Haklajt është mëse e njohur, por duket se formimi dhe kualifikimi ushtarak i S.Haklajt, mund të kenë bërë që njerëzit më të besuar të Berishës në polici dhe në strukturat e inteligjencës ta kane klasifikuar nipin e Haklajve si individin që ka potencialin më të lartë të rrezikshmërisë ndër Haklajt. Ndoshta një tjetër fakt i kësaj vëmendjeje lidhet me diskrecionin e lartë dhe sjelljen tipike prej ushtaraku në jetën personale të S.Haklajt. Mendohet se autoritetet shqiptare dinë shumë pak në lidhje me të, kanë thuajse zero informacion mbi profilin e tij psikologjik apo natyrën e lidhjeve të tij shoqërore e më gjerë. Ndofta dhe kjo mangësi në informacion ka shtuar mitin ndaj S.Haklajt e për rrjedhojë ka shumëfishuar dhe paranojën e Berishës dhe të shefave të tij të sigurisë ndaj nipit të stërvitur të Haklajve. Megjithatë ka disa informacione në lidhje me S.Haklajn që Berisha dhe rrethi i tij i sigurisë i dinë mirë. Për shembull, faktin se babai i S.Haklajt është djalë xhaxhai me Hamdi Haklajn dhe vëllezërit e tij të vrarë tashmë. Autoritetet shqiptare dinë me siguri gjithashtu se nga konflikti i Haklajve në Tropojë, S.Haklaj ka humbur gjyshin, babain dhe xhaxhain e tij, e ata janë vrarë vetëm e vetëm pse kishin lidhje gjaku dhe ishin kushërinj të Fatmir Haklajt.
Aida Nako/Gazetadita.Al

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 07/05/2013. Filed under Aktualitet,Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.