Basha: Kamera në shkolla kundër drogës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2767
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, merr pjesë në Takimin Vjetor për Luftën kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike.
“Nuk do të ketë kamera në çdo cep të Tiranës, nuk do të ketë kamera në të gjithë Tiranën, por do të ketë kamera në çdo shkollë të Tiranës. 2011-a duhet të shënojë një intensifikim të plotë të luftës kundër shpërndarësve të drogës. Ky vit duhet të jetë viti i tolerancës zero për ata që u shpërndajnë këtë helm fëmijëve tanë”. Në këtë mënyrë është shprehur një ditë më parë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në Takimin Vjetor për Luftën kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike ku është bërë një bilanc i plotë në luftën kundër drogës përgjatë vitit që sapo lamë pas, si dhe synimet e dikasterit të rendit për 2011-n. “Viti 2010 ishte vit i një premtimi të mbajtur, i një premtimi të mbajtur për sa i përket luftës kundër drogës, ku thamë se do të kemi një vit rekord në këtë luftë dhe rezultatet në çdo plan vërtetojnë se premtimi u mbajt plotësisht”, – është shprehur gjatë fjalës së tij ministri Basha. Sipas tij: “Komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm i vendimmarrjes që u mundësoi shqiptarëve të udhëtojnë me dinjitet në Bashkimin Evropian ka qenë pikërisht arritja e Policisë së Shtetit, mbajtja e premtimit në luftën kundër drogës në vitin 2010. Nëse 2010-a shënoi përparime të jashtëzakonshme në luftën kundër trafikantëve dhe kultivuesve, 2011-a duhet të shënojë një intensifikim të plotë të luftës kundër shpërndarësve të drogës. 2011-a duhet të jetë viti i tolerancës zero për ata që u shpërndajnë këtë helm fëmijëve tanë. Çdo ditë ne prindërit çojmë fëmijët në shkolla, por nuk jemi aty me ta. Por, çdo prind duhet të ndjejë se me praninë e Patrullës së Përgjithshme pranë tyre është i njëjti kujdes prindëror në çdo aspekt dhe në veçanti sa i përket aktit kriminal të shpërndarjes së drogës fëmijëve në shkollat dhe gjimnazet tona. Në veçanti për qytetin e Tiranës, si qyteti me numrin më të madh të shkollave, potencialisht me tregun më të madh për përdorimin dhe shpërndarjen e drogës, vëmendja e policisë duhet të jetë absolute dhe në veçanti për këtë qytet, pasi syve dhe veshëve të tyre në ndihmë u vjen sistemi më i sofistikuar i vëzhgimit pamor 24-orësh. Çdo shkollë e Tiranës do të survejohet me kamera dhe në këtë qytet sikundër në çdo qendër tjetër urbane të vendit, analiza e vitit që vjen, jam i bindur, do të tregojë goditjen me sukses të shpërndarësve të drogës si risia e suksesit të mëtejshëm të Shqipërisë në luftë kundër këtij fenomeni”, – ka theksuar kreu i dikasterit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Hysni Burgaj
“Reduktuam me 83% sasinë e bimëve të kultivuara”

Pasi ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në takim dhe duke e vlerësuar si një mbështetje mjaft të rëndësishme të punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe konkretisht, në punën për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka deklaruar: “Policia e Shtetit ka arritur rezultatet më të mira në luftë ndaj këtij fenomeni në këto 4 vitet e fundit, duke reduktuar me 83% sasinë e bimëve të kultivuara, krahasuar me një vit më parë, ose reduktuar mbi pesë herë, në krahasim me vitin 2007”. Në shifrat e bëra publike nga kreu i Policisë së Shtetit, mësohet se gjatë zbatimit të plan-veprimit 2010 u konstatuan gjithsej 179 raste të kultivimit të bimëve narkotike kanabis sativa në gjithë territorin e vendit, ku janë zbuluar 60 raste, dhe asgjësuar 37 216 bimë kanabis. Janë proceduar penalisht 79 autorë, nga të cilët janë arrestuar 52, ndiqen në gjendje të lirë 13 dhe janë shpallur në kërkim 14 prej tyre. Burgaj ka theksuar më tej: “Këto rezultate rrisin kërkesën dhe standardet e punës tonë, pasi ne synojmë jo thjesht të reduktojmë këtë fenomen, por mundësisht ta eliminojmë, për të arritur në atë që vendi ynë të mos figurojë më në hartën e vendeve kultivues të kanabis sativa”. Ndërkohë, numri një i Policisë së Shtetit është shprehur: “Siç e kemi deklaruar tashmë objektivi ynë është minimizimi i këtij fenomeni deri në eliminimin përfundimtar të tij. Për sa më sipër, ne kemi kërkuar dhe gjithmonë do të kërkojmë mbështetjen e të gjithë subjekteve dhe faktorëve, pavarësisht peshës dhe rolit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë që mund të kenë ata ne procesin e luftës kundër kultivimit te bimëve narkotikëve. Padyshim që një rol të shumë të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur dhe do të luajnë strukturat e pushtetit vendor dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga komuniteti. Në përfundim duke e konsideruar luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike si një ndër prioritetet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit dëshiroj të shpreh angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për të realizuar me vendosmëri objektivat dhe aktivitetet e përcaktuara në këtë drejtim”, – ka përfunduar Drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj.

Arritjet e policisë

“Sot jemi mbledhur për të prezantuar planin e veprimit për vitin 2011. Pra, bazuar mbi përvojën e shkëlqyer që ne ndërtuam vitin e kaluar, demonstrojmë sot vullnetin tonë dhe kapacitetet tona për të vazhduar më tej në këtë rrugë”, – është shprehur ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duke bërë publike edhe shifrat bazuar në punën e policisë në vitin 2010. Sipas tij, gjatë vitit që sapo lamë pas u evidentuan 711 vepra penale krahasuar me 647 në vitin pararendës; u arrestuan 683 autorë krahasuar me 441 autorë në vitin paraardhës; u finalizuan 48 operacione të suksesshme me përdorimin e teknikave speciale hetimore, krahasuar me 33 në vitin paraardhës; u goditën 47 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së drogës me 223 persona, krahasuar me 32 grupe dhe 132 persona në vitin paraardhës; u kryen 34 operacione ndërkombëtare me 62 persona të arrestuar, krahasuar me 12 operacione dhe 18 të arrestuar në vitin paraardhës. “Pikërisht nisur nga këto rezultate dhe këta tregues, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vlerësuan punën e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe Shqipërisë në tërësi me tone shumë të larta dhe pozitive”, – ka pohuar ministri Basha. Duke cituar më tej dy pjesë nga raportet përkatëse, ministri i Brendshëm ka thënë mes të tjerash: “Raporti i Këshillit të Bashkimit Evropian: në 2010 Shqipëria arriti rezultate shumë pozitive në luftën e saj konstante kundër krimeve të drogave dhe biznesit ndërkombëtar të drogave. 2010 ishte viti i zhvillimeve dhe vënies në jetë të Strategjisë së re Kombëtare në përputhje të plotë me standardet e përbashkëta të BE-së të paracaktuara në periudhën 2009-2011.

Ka një rënie të rasteve të kultivimit të kanabisit në masën 36.5% dhe numri i bimëve të kultivuara u reduktuar në 70.3% krahasuar me 2009. Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA: gjatë vitit 2010 Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër lëndëve narkotike. Qeveria e Shqipërisë përpiqet të luftojë shumë ashpër me elementët kriminalë. Statistikat e autoriteteve italiane vazhdojnë të tregojnë se sasia e drogës me origjinë nga Afganistani, e kapur në Itali, e cila më përpara kalonte transit direkt nga Shqipëria, mbetet në nivelin minimal. Komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm i vendimmarrjes që mundësoi që sot shqiptarët të udhëtojnë me dinjitet në Bashkimin Evropian ka qenë pikërisht arritja e Policisë së Shtetit, mbajtja e premtimit në luftën kundër drogës në vitin 2010”, – ka thënë ministri Basha.
Artan Koçi/Gazeta Standard

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 18/03/2011. Filed under Policia shqiptare,Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Basha: Kamera në shkolla kundër drogës

  1. Qani

    18/03/2011 at 15:08


    Unë mendoj se nuk shkon vendosja e kamerave ku ka ra prodhimi i narkotikve mbi 83 % , por ësht nja fakt tjetër ajo që e detyron shtetin të ndërhyje deri aty sepse bandat që kapen nga policia prokuroria dhe gjykatat i nxjerrnin si të pafajshëm prej rryshfeteve gjigande që u grabisin drejtësia shqiptare e të gjitha hallkave.
    Duke u vënë kamerat ka mundësi që të bjejnë në rrjetë edhe sekserët e drejtsisë që merren me parat e kriminelve që nxirren të pafajshëm.

Komento