Amerikani Robert Wadlow, njeriu më i gjatë në historinë e botës

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1609
Giant Robert Wadlow with ActressesMes gamësh së gjerë të epiteteve, similitudave a pyetjeve retorike me të cilat abuzoheshin verbalisht deri në mërzi, njerëzit shtatlartë në Shqipëri, më banalja ishte pyetja “Sa është temperatura aty lart?” Një pyetje e tillë nënkuptonte që vetëm pak centimetra më lart temperatura duhet të ishte ndryshe dhe njeriu me centimetrat plus presupozohej të ishte në çdo kohë në dijeni të saj. Shtatlarti pra, mes të tjerash shihej si një termometër lëvizës, në shërbim të krijesës që centimetrat e mangët mundohej t’i kompensonte me kuriozitetin e theksuar.
Fatmirësisht për të, njeriu më i gjatë në histori, Robert Pershing Wadlow, nuk lindi në Shqipëri, por në Amerikë. Fatkeqësisht për të, njeriu më i gjatë në histori, jetoi një jetë të shkurtër. Ai lindi më 22 shkurt të vitit 1918, në Alton, Illinois dhe vdiq më 15 korrik, 1940. Gjatë 22 viteve të jetës së tij ai nuk rreshti së zgjaturi.
Gjatësia e tij e pazakontë prej 2.72 m, ishte pasojë e hiperplazisë (rritjes së numrit të qelizave) së gjëndrrës së hipofizës, e cila si rezultat sekretonte nivele aspak normale të hormonit të rritjes.
Gjatë shkollës fillore atij i ndërtuan një bankë të posaçme ku të ulej, pasi ishte tepër i gjatë për ato të zakonshmet. Kur mbaroi shkollën e mesme, ishte 2 metra e 54 cm i gjatë.
Përmasat e pazakonta të trupit nisën t’i shkaktonin probleme fizike. Këmbët dhe shputat e këmbëve mezi i ndjente dhe për të ecur iu desh të mbante proteza në formë unazash përqark gjithë gjatësisë së këmbëve. Pavarësisht nga vështirësitë, ai nuk përdori kurrë karrige invalidi. Ky vendim mbase dhe i kushtoi jetën.
Wadlow u bë i famshëm gjatë turneut të tij nëpër Amerikë në vitin 1936, si pjesë e trupës së cirkut Ringling Brothers Circus. Ai vazhdoi dhe më vonë të marrë pjesë në turne dhe të paraqitej në publik gjatë festave e aktiviteteve të ndryshme. Këpucët me porosi ia ofronte falas një firmë të cilës i kishte bërë reklamë. Disa nga këpucët e tij sot gjenden në Muzeumin e Artit dhe të Historisë në Alton.

Wadlow ishte gjithashtu një Freemason. Në vitin 1939, nën juridiksionin e Llozhës së Madhe Masone të Illinois-it, ai u bë Mjeshtër Mason. Unaza e tij ishte më e madhja që ishte bërë ndonjëherë.

Më 4 korrik të vitit 1940, gjatë një prej shfaqjeve të tij në publik, një prej unazave mbajtëse të këmbës i lëndoi kaviljen, duke i krijuar një flluskë që më vonë u infektua. Doktorët i bënë transfuzion gjaku dhe e operuan menjëherë, por gjendja e tij fizike u keqësua për shkak të një çrregullimi të sistemit imunitar dhe më 15 korrik të po atij viti, ai vdiq në gjumë në moshën 22 vjeçare.

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në varrimin e tij. U deshën 12 vetë që të mbanin arkivolin 3 metra të gjatë, që bashkë me trupin e tij pajetë peshonte 500 kg. Me këmbënguljen e anëtarëve të familjes, të cilët druheshin se pas vdekjes ndokush do të mund të kërkonte ta hapte varrin e tij, për të parë a vjedhur trupin e gjigantit, arkivoli u çimentua mirë,
Një vit përpara se të vdiste, Roberti ia kaloi për gjatësi, John Rogan-it, njeriut më të gjatë deri atëherë. 18 ditë përpara se të vdiste, sipas matjeve të doktorëve C. M. Charles dhe Cyril MacBryde të ëashington University në St. Louis., ai ishte 2.72 metra i gjatë dhe peshonte 199 kg. Gjatësia për Wadlow-n qe bekim dhe mallkim. Ajo i dha dhimbje dhe famë. Në njëfarë mënyre i kushtoi jetën, por dhe e bëri të pavdekshëm duke e futur në histori me nofkën dashamirëse “Gjiganti i Mirë”.
Një statujë e Wadlow-t, me përmasat e tij reale, është ngritur për nder të tij përballë Muzeumit të Historisë dhe Arteve të Altonit.
Viktoria Paloka/Illyriapress.com





Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 12/01/2014. Filed under Interesante. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento