- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 1717Fili dhe filesha.
Paska ardhë nji vezir i ri në Kala të Shkodrës edhe me vedi paska pru nji fil (elefant). Tue kjenë se fili atje në kala nuk ka pasë shka me hangër, e ka lanë poshtë në livadhe të Shkodrës, pak jashtë qytetit.
Mirë po fili tash e pare hinte në qytet, se secila shtëpi kishte bahçe të mira, edhe ai po i hante shumë pemët. Prandej, kur nuk e xeshin dyerët e mdha, ai u vente shpatullat, hapte muret e hynte në bahçe, thente jo vetëm degë, por edhe pemë. Gra e fëmijë hikshin prej tij, se ishte aq i madh e i fuqishëm, sa të shtinte frigën.
Këtë punë e bante çdo ditë: sot këtu, nesër atje, hinte në çdo shtëpi e në çdo bahçe e s’kishte shka i ban kush. Gjueje gur sa të duesh, ai s’ndiente; kush mund i delte para. Të gjithëve u hini hataja.
Prandej në nji ditë xhuma (e prende), gjatë Ramazanit, populli u mblodh i tanë te Xhamija e Tophanës. Si me ia ba e tek me ia ba punës t’atij filit të vezirit. Folën e folën, dikush thumbit, dikush patkonit, me shkue atje nalt në kala e me i thanë vezirit këto fjalë: “Vezir i madhnueshëm, mileti i Shkodrës, i mbledhun sot te Xhamija e Tophanës, të gjithë bashkë e shqyrtuem çashtjen e filit që ke pru. Ai fil po then dyerët e shtëpijave tona, po u shtjen frigen grave dhe fëmijëve, të cilët struken prej tij; hyn ndër bahçet tona, han, then e shkatrron. Të gjithë popullit i ka hy tmerri prej atij fili. Prandej të bajmë këtë kërkesë: largoje sa ma parë prej Shkodret këtë fil që shkatrron gjithshka, se nuk e durojmë ma”. Populli i Shkodrës caktoi aty për aty dhetë vetat që të shkojshin te veziri në kala, të gjithë burra të mirë, njani ma i mendshëm se tjetri e gjithsejcili ma trim se shoqi. Populli u shpërnda; ata të dhetë u nisën përpjetë rrugës së kalasë. Atje nalt i priste veziri. Ata e dijshin që veziri, po i çove peshqesh, të priste mirë, por po i fole keq, nuk delshe ma i gjallë prej kalajet: shtatë shaljanët dikur kishin mbetë të gjithë dekun aty n’odë të vezirit. Kjo dihej. Porsa filluen rrugën përpjetë, qe se njani prej të dhetëve po flet: „Ndigjoni, o burra, mue mbramë me diq nana. Gjenazen e kam aty në shtëpi e kush kujdeset për vorrin e saj? Ju lyp leje.“ „Shko, nana asht nanë: e gjallë e e dekun.“ Porsa kaluen dhetë hapa, foli nji tjetër: „Burra, si dhetë, si tetë, nuk ka randësi. Kam nji hall të madh, se më ka ardhë miku në shtëpi e nuk kam si e la vetem: a më lejoni?“ „Shko!“ Mbas pak hapash që po ngjiteshin, po thotë një i tretë: „Më lejoni, o burra, se kam nji hall të madh: më ka mbetë dugaja e mbyllun në Pazar, se paskam çilsin në xhep. Po shkoj vetëm sa me dorëzue çilsin: barabar si shtatë si gjashtë. A më lejoni?“ Kështu me radhë, njani mbas tjetrit, paraqitën arsyet e veta e u larguen. Kur mbrrijtën te dera e kalasë, kishin mbetë vetëm dy vetë. Kqyrën njani-tjetrin: Cili po i bjen derës? „Ndigjo, tha njani prej tyne, dhetë kjemë që u nisëm e tash kemi mbetë vetëm na të dy? A e di si asht puna? Njato fjalë janë për me ia thanë vezirit: barabar si nji si dy, bile ç’duhet i dyti? Njani ka për t’i folë. A qesim short kush me hi, o un o ti?” “Jo, u përgjegj tjetri, pse me qitë short? Sa me thanë njato fjale, flas un.” “U, sa mirë, se edhe un kam pasë aq shumë punë sot”; doli tjetri e u largue. Ai që mbeti i ra derës. Roja ia hapi e ai foli se e kish dërgue mileti i Shkodrës i mbledhun te Xhamija e Tophanës për me folë me vezirin. Pasha e kishte zakon me i pritë mirë e me u qitë kafe atyne që vijshin me peshqesh në dorë. Ata që bijshin ankimet e popullit, jo vetëm që i priste me tureçka, por nganjiherë nuk e nxierrshin as kryet prej andej. Shkodrani filloi me folë: “Vezir i madhnueshem, mileti i Shkodrës, i mbledhun te Xhamija e Tophanës, më ka dërgue për me t’u falë nderës”. “He, ju, bini dy kafe”, urdhnoi veziri. Shkodrani vazhdoi: “Më ka dërgue me t’u falë nderës për gëzimin e madh që i ke dhanë tue pru njatë fil. Aman, o Perëndi, sa gja të bukur që ke krijue! Fili! Fili i Pashës! Knaqen gratë e femija kur e shofin me sy. Frigë?… Frigohen nganjiherë, se asht gja e madhe, por mandej gëzohen sa s’ka kur shofin se nuk ka pemë në bahçe që e ndal. As nuk u dhimben degët e pemët e thyeme, as muret e dyerët e rrënueme, se e dijnë që asht Fili i Pashës. Por i gjithë mileti ka nji marak të madh: Aman, o vezir i madhnueshëm, donë me dijtë se si e ka gruen e vet ky fili, se çajre pa grue as ky s’do të ketë! E i ka kapë nji marak i madh me e pa fileshën: si do të jetë ajo!“ Ndërkaq erdh kafja e turkut e gota e ujit në tabake e veziri foli: „Ndigjo, o burre i mirë, thueji miletit të Shkodrës se do të baj çmos me ua plotsue dishirin. Hiç mos u disproni, se sa ma parë që të mundem kam me u prue edhe fileshën!“ Mbas nja dy muejsh nëpër rrugët e Shkodres po shifen tue ecë fili e filesha: shka lente pa rrënue njani, e plotsonte tjetri. Popullit i hini tmerri. U mblodh përsri te Xhamija e Tophanës. „Ku janë ata që dërguem me folë me vezirin?“ „Un, u çue e tha njani, un kjeshë ai që fola me Pashën. Ju caktuet dhetë vetë, por te veziri shkova vetëm un. A mendoni ju se Pasha don ma shumë bahçet tuaja se filin e vet? Ju e kuptoni që për mue vlen ma shumë kryet tem se bahçet tueja.“ „Po a ia ke thanë Pashës fjalët tona?“ „Të gjitha ia thashë fjalet e miletit: se si fili hap dyer e rrënon mure, then pemët me gjithë degë…
Po ju kalanë e keni njaty, aty asht edhe vezir Pasha e, në kjoftë se bahçet tueja u dhimben ma tepër se kryet, aty në kala shkoni e folni me Vezir Pashën…
At Zef Pllumi