- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 3548
Fal Internetit, budallallëku ka marrë dhenë.
Fal Internetit, budallallëku po u shpërthen shqiptarëve nga sytë, hundët, veshët, vrimat, vërrat, shpellat, zgafellat. Çka është gjë e mirë sepse plehun, para se ta pastrosh duhet ta dish ku e ke. Problemi është se plehrat po na bëhen male dhe zgjyrat lumenj, që zor se gjinden mjete pastrimi.
Fal Internetit, u muar vesh se gjatë procesit të shtazërimit shqiptari sa më i ndershëm të jetë, aq më tepër sulmohet, shpifet, intrigohet. Sa më tepër të punojë aq më tepër përbuzet. Sa më tepër shkollë të bëjë, aq më budalla katandiset. Sa më tepër të dijë, aq më pak vlen. Sa më tepër të ketë aq më pak jep, dhe sidomos, sa më larg të ndodhet aq më tepër krekoset, aq më trim hiqet.
Fal Internetit, u bë e qartë se kemi aq shumë budallenj dhe aq të budallallepsur, se kot ankohemi, qahemi, bërtasim, ulurasim, për budallallëkun e krerëve, dijetarëve, shkrimtarëve, politikanëve, pushtetarëve. Tani që Internet ka në çdo katund, ata nuk janë aspak më ndryshe, por saktësisht si budallenjtë e pafundëm të internetit i preferojnë.
Fal Internetit mësuam cilët ishin “Shqiptari i Vitit” dhe “Shqiptari i Shekullit”; Kaçarrum Kaçamaku dhe Loqemadh Katunari. I pari nga Takapi, Komuna e Sumës, Rrethi i Sapunit. I dyti nga Taplasi, Komuna e Stërlëngut, Prefektura e Kaqolit.
Fal Internetit, po marrim çdo ditë e më tepër dijeni për atë që duhej të ishte “shtylla mbajtëse e shoqërisë” moderne, klasën e mesme, mikroborgjezinë, mikroborgjezët që gatoi tranzicioni ynë. Këta ndyrësira tashmë ekzistojnë. I paçim sa malet. Ama për “shtyllë të shoqërisë” as që bëhet fjalë. Se janë pa asnjë dyshim më të flliqurit dhe më të qelburit mikroborgjezë në fytyrë të dheut. Ca parazitë e ca hajdutë që vjedhin e shkatërrojnë gjithçka në emër “qytetërimit” dhe “moralit” ndaj të cilëve janë më larg se dy kokrriza rëre, njëra në shkretëtirën e Sahrës, tjetra në atë të Gobit. Sot më tepër se kurrë më parë është tamam koha kur proletarët e Shqipërisë duhet të vijnë e të mblidhen urgjent nga janë e nga s’janë për të vënë në jetë sloganin që e kishte thënë Marksi dhe e përsëriste papushim kurvi “puntorët janë varrmihësit e borgjezisë” e t’ua bëjnë varrin këtyre parazitëve që të shpëtojmë një herë e mirë nga këta mutër që hiqen për aristokratë e këta zagarë që mbahen për elitë.
Fal Internetit, ku tashmë lexohen gazetat që nuk shiten, u bë e qartë se jeta pa gazeta online plot me rrena është një tmerr e një ferr krahasuar me jetën me gazeta të shtypura plot me gënjeshtra.
Fal internetit, na u bë e ditur se mendimtar dhe patriot i shquar mund të jetë jo vetëm çdo kopuk që ngre një flamur e dërrdëllit për Atdhe e Komb, por edhe çdo nikoqire bythëmadhe e cila në intervalet e gatimit, pa i shkundur mirë duart nga mielli i byrekut, i vërsulet Fejsbukut me më tepër zell se çdo adoleshent për të përhapur moralizime të krrupshme.
Fal Internetit, u provua se 1 individ i vetëm që bën çdolloj budallallëku dhe çdolloj krimi, njihet si individ shumë më i rëndësishëm dhe i lavdishëm se një mëhallë apo një qytet, madje edhe se një krahinë e tërë, e cila meqënse prodhon grurë e misër, qumësht e mish, por jo lajme me krime dhe makabritete, nuk ekziston.
Fal Internetit, po shohim pafund shqiptarë surratshqyer që dalin në foto të veshur e të mbathur me ushqime përpara kinse të lumtur. Muhabetet i bëjnë sikur jetojnë në Ferr. Në foto dalin sikur kanë kapur Parajsën. S’ka gjë më të neveritëshme se kjo garë budallenjsh lumturie të shtirur për të provuar se vuajnë nga kriza e identitetit.
Fal Internetit, janë shtuar frikshëm një numur budallaqesh që ankohen pafund për gjithçka. Japin mendime, madje edhe zgjidhje për çështje madhore, fotografojnë surratin e vet nga dhjetra kënde, shkruajnë vargje për të vjellë, sajojnë ose huazojnë maksima me t’i sjell zorrët në fyt, nxjerrin piktura me sorkadhe të përlotura, përrua që rrjedh, liqen a pellg, pulëbardha a lejlekë, hënë e zbehtë në horizont, dhe plot krrupje të tjera. Thua se ke të bësh me mendimtare aristokrate të thella të rafinuara. Por po t’i kqyrësh mirë vetëm pak sekonda, kupton se s’janë asgjë më tepër se copa mishi në kërkim të burrit.
Fal Internetit, flamurtarët e konservatorizmit tonë, ca derdimenë pa nam e nishan, vazhdojnë të shprehin ide të ndryshkura me stil soc-realist. E bëjnë këtë pa absolutisht asnjë konsensus, asnjë pëlqim të publikut, pa asnjë impakt, asnjë efekt, asnjë rezultat. Ky mjerim komunikativ i tradicionalistëve tanë, në vend që ti bëjë të vijnë në vete si e lyp tradita konservatore duke u hequr mënjanë, i ka ndezur edhe më, u ka dhënë edhe më tepër hov për sa më tepër gomarllëqe e broçkulla sterile. Insistimi i tyre idiotesk në rrugën e budallallëkut grafologjik ka lumturuar progresistët, të cilën e kanë kuptuar se me këtë rracë teoricienësh konservativë kafeneje përballë, nuk do tunden nga pushteti as për një mijë vjet. Kjo gjendje e mjerueshme dhe e turpshme e konservatorizmit të sotëm ta çon vetvetiu mendjen tek antenatët e tyre, konservativët e kohës së luftës që, rujna Zot, po të kenë qënë edhe ata si këta të sotmit, kurvi paska qënë një gjenial vizionar që ka bërë shumë mirë që ua rrëmbeu pushtetin, dhe ku ma gjen të dali sot ndonjë kurv tjetër, mundësisht i ndritur, të na i heqi qafe këta budallenj të vrazhdë gjoja seriozë totalisht qesharakë.
Fal Internetit, u bë e qartë se, për shembull, skemat mashtruese financiare shqiptarët i paskan pasur hak si një pësim që sjell një mësim të domosdoshëm me vlera edukative të pallogaritëshme dhe efekt shërues të pazëvendësueshëm nga asnjë teori dhe praktikë ekonomike kapitalistike.
Fal Internetit, s’ka mbetur më asnjë dyshim se niveli kulturor i shitësit të bulmetit, kasapit, marangozit, katundares që sjell çdo ditë qumështin në lagjen time, është shumfish më i lartë se niveli kulturor i çdo personazhi mediatik me nam që flet e llomotit pafund e s’thot asgjë.
Fal Internetit tashmë e kemi më se të qartë se në kohët e kaluara shqiptarët çeku kanë bërë ndonjë punë me pasion dhe përkushtim për të mirën e të gjithëve. Ama prej ca vitesh e tëhu majin e thorit nuk e lëvizin po s’u dhe ndonjë lek.
Fal Internetit, po bëhet çdo ditë e më e qartë tendenca e shqiptarëve për të mos e perceptuar Lirinë si zgjerim, si proces i pafundëm hapjeje, por vetëm si mbyllje, si ngushtim, si kolapsim, çka provon më së miri se shqiptarëve tmerri i diktaturës ende nuk u ka dalë, pra janë praktikisht në burg, vetëm telat me gjëmba mungojnë.
Fal Internetit, është tashmë e qartë se Liria, jo vetëm humbet ose fitohet, por edhe shpërdorohet, dhe pasi shpërdorohet edhe zhduket.
Edison Ypi/Gazetablic.com
One Response to Fal Internetit