Ja kush e çmontoi bustin natën e 19 shkurtit, katër takimet me Ramiz Alinë dhe si u futën Berisha, Selami dhe Nano në grupin e “pardesyve të bardha”

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 2436
Rrezimi i bustit te enver hoxhes ne TiraneNjë nga protagonistët e ngjarjes së 20 Shkurtit, Haki Hoxha, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka dhënë versionin e tij për lëvizjet e qytetarëve dhe prapaskenat, të cilat kulmuan me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. Haki Hoxha thekson se busti i Enver Hoxhës u çmontua në datën 19 shkurt, një natë para protestës, nga sigurimi i shtetit me urdhër të Ramiz Alisë. Ditën e 20 Shkurtit, Hoxha kujton një tjetër detaj. Ai pohoi se helikopteri që qëndronte sipër kokave të protestuesve, piketoi Fatmirin, Gëzimin, Fiqiri Xibrin, Mahmut Dogjinin dhe Luftim Ahmetin për t’i eliminuar. Hoxha pohoi se në 20 Shkurt njerëzit u ndanë në dy kampe, ku njëri grup kërkonte të merrte Presidencën dhe Komitetin Qendror dhe krahu tjetër që u drejtua nga sheshi Skënderbej. Sipas Hoxhës, dy kampet ishin krejtësisht të kundërta, pasi njëri kah kërkonte shkuljen e monumentit të Enver Hoxhës dhe kahu tjetër kërkonte të kapte Ramiz Alinë. Sakaq, Hoxha ka komentuar dhe grevën e studentëve, që sipas tij, u organizua nga Ramiz Alia dhe u pagua nga punëtorët e fabrikës së Qumështit. Haki Hoxha pohoi se sindikalistet kishin projektuar një program në të cilin parashikohej ekzekutimi i Ramiz Alisë.

-Z. Hoxha, si e kujtoni ju rënien e bustit të Enver Hoxhës, pasi ka shumë variante dhe dyshime?
Është e çuditshme që historia është shumë e deformuar sa i përket kësaj date historike. Është e padrejtë që gjithçka në historinë shqiptare deformohet. Gjithkush merr përsipër atë që se ka bërë ose nuk ka qenë protagonist i asaj ngjarje. 20 Shkurti është një ngjarje madhore. Normalisht ka persona që duan të përfitojnë nga kjo ngjarje dhe ta bëjë pjesë të vetën. Faktet janë kokëforta. Problemi lindi në një mënyrë të natyrshme. Sindikatat në atë kohë ishin një forcë që nuk ishin të lidhura me asnjë parti politike. Ne e shihnim se po formohej një forcë e re politike siç ishte PD, pra po ndërtohej një formacion nga Ramiz Alia, nga ish-presidenti dhe nga ekipi i tij. Këta specialistë kishin ardhur kryesisht nga vendet e lindjes, nga organizata që organizoheshin nga Ministritë e Brendshme të atyre shteteve, si Rusia, etj. Ata kishin një projekt që të kalonte pushteti nga baballarët te të bijat, që të mos dilte jashtë familjes së tyre socialiste, siç ishte atëherë kampi socialist. Kështu që, sindikata ishte e vetmja forcë politike që në brendinë e saj kishte me të vërtetë nacionalistë, bijtë e atyre që kishin vuajtur 50 vjet sistemin e asaj diktature. Greva ishte e mirëorganizuar nga Ramiz Alia. Arsyeja ishte tepër e fortë. Ramiz Alia kishte jetuar në oborrin e Enver Hoxhës, ishte kalitur, i kishte shpëtuar me një mjeshtëri të admirueshme dënimit nga Enver Hoxha. Hoxha ishte një person që edhe në veten e vet dyshonte, jo më për Ramiz Alinë.
-Si ka ndodhur takimi me Ramiz Alinë dhe çfarë diskutuat konkretisht?
Me Ramiz Alinë jam takuar rreth katër herë. Me kërkesën e tij dhe asnjëherë me dëshirën time. Ramiz Alia ishte një person i tipit dhelpër. Diskutimi i parë me të ishte greva e studentëve, ku ka qenë prezent i ndjeri Zyhdi Morava, Ferdinand Temali (ish-kryetar i sindikatave të Shkodrës, anëtar i Këshillit Drejtues të sindikatave dhe ai), dhe Bashkim Hoxha, sekretari i Ramiz Alisë. Ramizi kërkonte nga grupimi jonë që të qetësonim studentët, donte që atë situatë ta kalonte në favor të tij, të përfitonte dhe ishte dakord të hiqte emrin e Enver Hoxhës. Ramizi e kishte përgatitur terrenin në atë mënyrë që kishte projektuar tre parti politike, nga të cilat kishte përpiluar dy lista dhe më ka kërkuar që në këto lista të gjeja emrin. Në listën e parë ishte Partia Republikane, me Sabri Godon, Vangjush Kambetën, ndërsa në listën e dytë ishte Sali Berisha, Fatos Nano, etj., siç ishin grupimi i pardesyve. Takimi i parë ka zgjatur dy orë e gjysmë. Unë kam ngelur i habitur, jam acaruar në një moment dhe i kam kërkuar Ramizit dorëheqjen, duke i thënë se nuk i shihja të arsyeshme ato që ai më thoshte: Gjej emrin në listë, etj. Emri im i thashë vjen nga shtresa që ka vuajtur 50 vjet nga ky sistem. Ai kishte një ndjenjë frike, pasi nuk isha në atë programin ku ai kishte përfituar vetë. Ramiz Alia më ka thënë vetë për Sali Berishën tekstualisht: E çova Sali Berishën tek studentët për t’i qetësuar, dhe e shoh që ai po kërkon të marrë pushtetin. E kisha projektuar të ishte kryetar i Partisë Socialiste, dhe ky tani do të formojë Partinë Demokratike. Madje në bisedë ka qenë i pranishëm dhe Blendi Fevziu. Nismëtar i Partisë Demokratike, ka qenë Azem Hajdari, i cili nuk ka qenë një demokrat, por fliste me gjuhën e programit që i kishin shkruar. Në shtypin e asaj kohe, gjithmonë nga Ramiz Alia dhe Sabri Godo thuhej se: Ne do të vazhdojmë rrugën e demokratizimit të vendit me shokun Ramiz Alia në krye. E vërteta është që revolucionin demokratik në Shqipëri e kanë bërë qytetarët e Tiranës, që ishin të tronditur sepse e dinin se kishte ardhur rrota e ndryshimit të sistemit. Ishte faktori ndërkombëtar që na shtyu që të bënim diçka për të dalë nga rrethi i hekurt në të cilin ndodheshim.
-A kishte një manipulim politik greva e studentëve?
Greva e studentëve kishte manipulim politik. Po nuk pati dorë politika, absolutisht nuk bëhet asnjë gjë. Problemi i kësaj vorbulle ishte se atë ditë që kanë kërkuar studentët për të hyrë në grevë urie, unë kam qenë prezent së bashku me Blendi Gonxhen. Unë në atë kohë punoja në fabrikën e qumështit, jam kthyer aty së bashku me Ilirin, ndihmësin tim, kemi mbledhur një kuotë parash. Kemi detyruar drejtorin e asaj fabrike, dhe kemi marrë 50 kile për t’ua çuar studentëve. Domethënë greva u pagua nga punëtorët e asaj fabrike. Nëna e Gjergj Bojaxhiut, ishte e ngarkuar që ajo së bashku me Ilirin dhe vëllain tim, të dërgonte sheqerin, biskotat, batanijet te studentët. Të gjitha ishin të sindikatës. Partia Demokratike, studentët i la në pikën e vdekjes. Mesa kujtoj ka qenë data 19, kemi shkuar te PD dhe së bashku me Eqerem Kavajën, kam takuar Azem Hajdarin i cili ishte ulur dhe hante bukë me qofte. Hajdari më tha: “Kjo punë ka marrë për mbrapsht. Nuk di ça të bëj me ta. Tani do vijë dhe Sali Berisha dhe të katërt do flasim çfarë do bëjmë për studentët”, tha Hajdari. Vjen Berisha me uniformën e vet që i kishte dhënë Ramizi. Takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta. Ai ka qenë takimi i parë dhe i fundit me Sali Berishën.
-Në dijeninë tuaj, a ishte prezent Berisha ditën e rrëzimit të bustit?
Berisha ditën e protestës nuk ka qenë në shesh. Nuk ka pasur asnjë eksponent nga PD në atë protestë.
-Cili ishte roli i misioneve të huaja diplomatike, a ishin ata nxitës së grevës?
Kjo është diçka shumë e thellë. Unë kam pasur shumë kontakte me eksponentë të agjenturave që kishin ardhur në Shqipëri nëpërmjet ambasadave. Ata e dinin me hollësi, me detaj kush ishte Sali Berisha, Pashko dhe Eduard Selami. Për Eduard Selamin kam dëgjuar kur Ramiz Alia ka thënë: Ai, Edi Selami ka qenë njeriu i pardesysë bashkë me Meksin. Ai ishte byroja e dytë politike që kishte formuar Ramiz Alia për të marrë një informacion politik, që atij të mos i hynte gjemb në këmbë nesër kur të rrëzohej sistemi. Gjithçka ishte politike. Roli i shërbimeve të huaja diplomatike ishte i jashtëzakonshëm. Ata kërkonin me çdo kusht që Ramiz Alia të ishte President akoma. Kërkonin një qeveri teknike. Dhe problemi ishte se ishin në rivalitet se kush do të merrte pjesën e tortës në Shqipëri. Në atë periudhë jam takuar me dy senatorë amerikanë dhe më kanë pyetur  pasi të binte ai sistem, se si do të ishte sistemi tjetër? Unë pa u thelluar shumë, u thashë se ora në Shqipëri ka ngelur më 7 prill ’39. Si duket aty humba dhe koordinatat me ta. Dhe pas kësaj thash që populli të bëjë referendum, të krijojë qeverinë teknike pa Ramiz Alinë, pa asnjë nga ata që ishin në pushtet, por të vinin vajza dhe djem të rinj dhe të vendosnim për dy data referendumi. Data e parë për të krijuar një Kushtetutë të re që t’i përgjigjej saktësisht periudhës së tranzicionit. Pastaj të ishte e miratuar me specialistë, juristë, me ndihmën e Austrisë, Gjermanisë, Francës, ku të përfshihej brenda saj dhe Kushtetuta e kohës së monarkisë. Për të qenë realist, Kushtetuta e periudhës së Zogut, ishte më modernia aso kohe në Evropë. Diskutuam gjatë me ata dy personalitete të larta. Ka zgjatur rreth tre orë dhe ata kishin mendimin se në Shqipëri mund të bëhej dhe të funksiononte ashtu si në Poloni.
-A kishte prapaskena në organizimin e grevës së studentëve dhe nëse po, cilat ishin ato?
Sa të duash! Sipas versionit tim, prapaskenat ishin nga më të ndryshmet. Brenda atij grupimi që formoi PD, që vetëm demokratike nuk ishte. Elementët që e krijuan PD ishin shumë të dyshimtë në Shqipëri. Ishin bij të anëtarëve të komitetit qendror, sekretarë partish etj. Ata kërkonin që gjoja të sillnin një frymë të re, por pa cenuar prindërit e tyre. Kur u bënë zgjedhjet pluraliste, që PD hyri në pushtet, u pa që asnjërit nuk i hyri gjemb në këmbë. Asnjë nuk dha shpjegim për ata që u vranë, u pushkatuan, u dënuan, internuan, masakruan, iu hoq prona, dinjiteti, u shkatërrua baza kryesore e familjes shqiptare.
-Z. Hoxha, mendoni se rrëzimi i bustit ishte një akt i natyrshëm, apo orkestrim i Ramiz Alisë?
Ne kishim një program për ta bërë një grevë të përgjithshme, por jo për të rrëzuar bustin e Enver Hoxhës. Unë, në bashkëpunim me një grup tjetër, e kishim një program që të bënim një grevë të përgjithshme, edhe pse 20 Shkurtin e sollën kushtet. Ishte një program i detajuar se si ne do ta bënim një grevë që do të ishte kopjo e Rumanisë, ku Ramiz Alia do të dilte para një trupi gjykues dhe do të ekzekutohej, byroja politike sipas akteve kriminale që kishin bërë do të përgjigjeshin deri në masën ekstreme. Do të izolohej Komiteti Qendror dhe anekset. Këto ishin detajuar. Ishin ngarkuar persona të veçantë për këtë gjë. Në grupimin tonë ka pasur militantë të PD, ashtu si mund të kishte pasur ish-sigurimsa shteti të asaj kohe.
-Mendoni se busti i Enver Hoxhës u çmontua një natë përpara protestës?
Busti ishte çmontuar një natë përpara, dhe për këtë jam i informuar. U çmontua nga sigurimi i shtetit me urdhër të Ramiz Alisë. I ishin hequr bulonat. Me një shkresë të firmosur nga Ramiz Alia dhe Lufter Xhuveli. I kishte shkruar një shkresë ku byroja politike ishte mbledhur në fshehtësi për ta zbutur situatën. Jam takuar me kryetarin e Gjykatës së Tiranës dhe e vura përpara përgjegjësisë: Në rast se do të marrësh masë për njerëzit që rrëzuan bustin, masa e dënimit është zero, nesër do të dënohesh vetëm për nenin 7201. Dhe ai u tërhoq. Me finesë tha: Kjo punë ka marrë fund. Atë ditë që u takova me Sali Berishën, ditën tjetër kemi shkuar me Eqerem Kavajën dhe Gëzim Shimën te sheshi Pavarësia, te studentët. Në datën 19 paradite, kam folur unë para Skënder Gjinushit dhe iu kam premtuar studentëve se populli i Tiranës dhe gjithë Shqipëria do të ngrihet në grevë të përgjithshme për të drejtat e studentëve. Në orën pesë pasdite, kemi pasur një mbledhje te biblioteka në Pallatin e Kulturës. Në podium isha unë dhe Fiqiri Xibri dhe drejtonim mbledhjen, ku ndodheshin të gjithë kryetarët e sindikatave. Ka qenë prezente Amalia Dhamo dhe operatori Fatmir Çepani. Amalia më thotë: Të lutem se në orën gjashtë dua ta jap në lajme dhe të lutem ndërprite pak Fiqiriun se po del jashtë temës. Jam çuar dhe i kam thënë Fiqiriut: Të pushosh në këtë moment. Dhe kam dalë vetë në podium dhe kam thënë: Nesër për hatër të Zotit, i gjithë populli, i madh dhe i vogël të dalë në mbrojtje të të drejtave të studentëve. Nuk ishim përgatitur që ngjarja të ndodhte në atë datë, por momenti na detyroi dhe shkuam drejt asaj.
-Është një tjetër detaj lidhur me 20 Shkurtin, në të cilën unë do doja të ndalesha. Cili ishte roli i helikopterit?
Ditën e protestës sipër kokave tona ka qëndruar një helikopter, i cili ka filmuar të gjithë ngjarjen. Me sa kam marrë vesh më vonë kur jam takuar me Ramiz Alinë dhe me ish-prokurorin e përgjithshëm të asaj kohe, jam grindur me Ramizin sepse ishte bërë një listë për të eliminuar disa persona, Fatmirin, Gëzimin, Fiqiri Xibri, Mahmut Dogjini, Luftim Ahmeti dhe disa të tjerë.
-Si ishte situata pas rrëzimit të bustit?
Më faqezeza e gjithë kësaj historie është në datën 23 shkurt. Del organi i Partisë Demokratike, RD me Frrok Çupin që thoshte distancohemi nga këta vulgarë, pasi janë të paligjshëm. Një artikull skandaloz. Pastaj ishte dhe gazeta e ish-kolonelit të sigurimit të shtetit, Sabri Godo. Me të jam takuar në prezencën e Kambetas dhe Fatmir Mediut. Gati sa nuk u rraha me ta në zyrën e Sabri Godos. Kam qenë dhe pak çapkën në atë kohë. Dhe për këtë kisha arsye sepse kisha nënën ish-të burgosur politike, dajat e dënuar me pushkatim, farefis të vrarë në oborret e shtëpive, gjyshi eksponent i madh i asaj kohe ishte i arratisur në Itali, dajën ma kishte helmuar sigurimi i shtetit në Zelandën e Re. Isha me mllef të jashtëzakonshëm në shpirt. Megjithatë sigurimi i shtetit e bëri punën e vet, shkoi te shtëpia ime dhe i tha nënës që djalin e kemi vënë në listë dhe do ta heqim qafe të parin. Sot është president burri i botës, ai që dje ulërinte me të madhe vriteni Haki Hoxhën. Janë ata që ishin dje. Nuk ka mundësi që vendi të eci pa u kthyer shtylla e nacionalizmit të pastër. Për mendimin tim, Edi Rama është më demokrat nga të gjithë të tjerët. Unë e kam parë Edi Ramën bashkë me Metën, të njollosur me gjak nga eksponentët e PD. Ne nuk ishim aq të mirëorganizuar për atë datë sa ta fusnim nën kthetra Byronë Politike. Ata e drejtuan turmën në drejtim tjetër. Rajmonda Bulku ishte një spontane në rrugë. Si aktore e filmave e ngritën në këmbë atë ditë dhe i kishin vënë një batanije në kokë. E luajti aktin që i kishte ngarkuar Byroja Politike. Ajo, kur vdiq Enver Hoxha, ka qarë. E çuditshmja e asaj dite ishte se nuk u thye asgjë. Populli ishte i ndërgjegjshëm që nuk duhet të shkatërronte. Më pas erdhën barbarët. U shkatërrua ekonomia. Në periudhën e ‘91shumica i hipën vaporëve, doli jashtë. Ramiz Alia atëherë u qetësua. Dhe ai ishte një skenar i përgatitur nga KGB-ja ruse dhe nga UDB-ja jugosllave. Ka pasur gisht KGB dhe UDB.
-Çfarë duhej të bëhej ndryshe në 20 Shkurt?
Busti nuk duhej të ishte hequr. Ajo çfarë duhet të kishte ndodhur, ishte të sillje Ramiz Alinë aty, ta vinte vetë fitilin dhe ta ndizte, e të ishte ai protagonisti i shpërthimit të bustit të Enver Hoxhës. Mbas shpërthimit të bustit, Ramiz Alia duhej të ngulej me kokë aty. Ishte Ramiz Alia ai që e vuri aty bustin e Enver Hoxhës dhe ne sindikalistët e kishim menduar që Ramizi duhet ta hiqte bustin dhe jo populli i Tiranës. Detaji kryesor ishte se në 20 Shkurt u ndanë dy kampe: Një ishte kahu jonë që donin të merrnin me çdo kusht Presidencën dhe Komitetin Qendror, dhe kahu tjetër që u drejtua nga sheshi Skënderbej, në mënyrë që të tërhiqej turma që të mos e cenonte kahun tjetër. Ishin dy kahe të kundërt. Aty u nda gjithçka dhe aty u shkatërrua gjithçka. Ishte grupi ynë që donte të kapte përmendoren dhe grupi tjetër që donte të kapte Ramiz Alinë.
-A keni një plan për t’u kthyer në botën e politikës?
Unë do të rikthehem si themelues i asaj organizate. Duhet të kthehem për ta marrë drejtimin edhe një herë. Do të shohim se çfarë ndryshimi do të pësojë politika dhe gjithçka në Shqipëri. Intervistoi: Joana Tafa/Gazeta Sot

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 21/02/2014. Filed under Diktatura komuniste,Mendimi shqiptar. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Ja kush e çmontoi bustin natën e 19 shkurtit, katër takimet me Ramiz Alinë dhe si u futën Berisha, Selami dhe Nano në grupin e “pardesyve të bardha”

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.