Zef Brozi: 21 janari, alibia e menduar më parë nga Berisha

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5531
Zef Brozi nga SHBATIRANE- Në pjesë e dytë të intervistës së ish-kreut të Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë, Zef Brozi për gazetën “Shqiptarja.com”, jepen komente vetëm për 21 janarin dhe faktet rrënqethëse se si drejtësia shqiptare, pavarësisht se krimi duket me sy të lirë nuk ka guxuar të japë drejtësi. Brozi nuk mungon dhe njëherë të shprehet se 21 janari ishte një akt terrorist shtetëror dhe për këtë të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë. Njëherësh ai shprehet se dënimin me burg të të gjitha autorëve të këtij krimi dhe urdhërdhënësve, e kanë kërkuar dhe SHBA, BE dhe të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.Ish-kreu i Kasacionit nuk ka besim se me këtë prokurori dhe kryeprokuror, si dhe me këtë gjykatë të merret i pandehur dhe të dënohet ish-kryeministri Sali Berisha për krimin shtetëror të 21 janarit, por edhe për krimet e tjera. Sipas Brozit është ish-kryeministri Berisha ai që komandon drejtësinë, pra dhe prokurorinë e gjyqësorin dhe pavarësisht se ka ikur nga pushteti ai aktualisht është më i fuqishëm se sa mazhoranca aktuale. Brozi nënvizon faktin se nuk ka asnjë besim të drejtësia shqiptare, pasi dhe për të akuzuarit që prokuroria dërgoi për gjykim si të pandehur për 21 Janarin, gjykata ose i dënoi sa për të thënë, ose u dha pafajësi.

Ndërsa Prokuroria as sipas tij s’ka guxuar as ta marrë në pyetje, e jo më ta hetojë autorin kryesor të 21 Janarit, ish kryeministrin Berisha. Ish-kreu i Kasacionit nënvizon se Prokurori i Përgjithshëm i ka të gjitha provat bindëse për ta marrë sa më parë të pandehur Berishën edhe për 21 Janarin dhe nëse nuk e bën këtë nga frika, atëherë një frikacak nuk mund të jetë Prokuror, dhe për këtë duhet të japë dorëheqjen. Brozi, teksa ka humbur besimin tek prokuroria dhe gjykatat shqiptare që të zbardhin 21 janarin dhe krimet e tjera të qeverisë së kaluar, sipas tij, atëherë i mbetet Parlamentit dhe popullit të japë zgjidhjen pa asnjë hezitim e vonesë, madje edhe përmes Referendumit popullor.

Ai ka nënvizuar se Berisha e kishte përgatitur më parë alibinë e 21 janarit, teksa përgatiti të gjitha strukturat, madje dhe mjekët ushtarakë që të vepronin dhe deklaroheshin në unison. Njëherësh ish-kreu i Kasacionit si një ndër themeluesit e hershëm të PD, madje dhe njëri ndër pedagogët e paktë që patën guximin të shkonin me studentët në takimin me Ramiz Alinë në dhjetor të vitit 1990 të cilët morën dhe garancinë për shpalljen e pluralizmit thotë se që të ringrihet opozita, ajo duhet të rrëzohet edhe më tej e të shpërbëhet, ku të shpërbëhet jo vetëm koalicioni me PD, por dhe vetë PD e disa parti të tjera pothuajse pa anëtarësi.

Pasi sipas tij, pasja e një opozite demokratike, konstruktive e të painkriminuar, është shumë jetike për demokracinë dhe për shqiptarët. Brozi deklaron se dhe sot e kësaj ditë PD është e uzurpuar nga klani mafioz i Berishës dhe që kjo parti dhe gjithë opozita të ringrihen, duhet me patjetër që të heqin nga shpina e tyre vetë Sali Berishën.

Po mbushen 3 vjet nga ajo vrasje makabre e 21 janarit para dyerve të Kryeministrisë, dhe një vit nga ardhja e PS në pushtet dhe tashmë janë jashtë dyerve të burgut pas vendimeve qesharake, vrasësit e drejtëpërdrejtë, punonjës të Gardës. Vlerësimi juaj?
Akti terrorist shtetëror i 21 Janarit 2011 nuk mund dhe nuk do të kalohet aq lehtë, siç padrejtësisht ka vendosur gjykata. Drejtësi për urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtij krimi makabër kërkojnë jo vetëm fëmijët dhe familjarët e katër dëshmorëve të demokracisë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj e Aleks Nika, por edhe qytetarët e Shqipërisë kudo që ndodhen. Edhe Bashkimi Europian, Parlamenti Europian dhe institucionet Amerkane e ndërkombëtare ka tre vjet që kërkojnë hetimin dhe dënimin e ish zyrtarëve që janë fajtorë për 21 Janarin. Kjo kërkesë u përsërit edhe dy ditë më parë nga Parlamenti Europian.

Mendoj se do ishte më frytdhënëse që këto institucione të huaja të mos mjaftoheshin vetëm me deklarata e kërkesa që bien në vesh të shurdhër në Shqipëri. Duket se gjyqësori shqiptar që paguhet nga taksapaguesit për të bërë drejtësi, nuk ka vullnetin për të dhënë drejtësi sipas ligjit dhe provave të shumta e bindëse që kishte dhe ka për terrorin e 21 Janarit. Arësyeja është e qartë: Disa  gjyqtarë vazhdojnë të jenë të lidhur me krimin, korrupsionin dhe të komandohen nga Sali Berisha dhe klika e tij mafioze. Në fakt Sali Berisha edhe pse nuk është më kryeministër, ai duket se komandon shumicën e institucioneve gjoja të pavarura. Pra ai duket se ka më shumë pushtet se vetë mazhoranca e sotme. Kjo është ironia dhe drama e Shqipërisë. Ky realitet i frikshëm dhe vrastar i ëndrrës europiane të Shqipërisë duhet të marrë fund sa nuk është tepër vonë.

Nuk janë marrë në përgjegjësi penale as ata të cilët cilësohen  si urdhëdhënësit e kësaj vrasjeje të protestuesve të thjeshtë, të cilët arritën deri atyre sa të refuzojnë prokurorinë për arrestimin e gardistëve, bënë presion mbi gjyqësorin dhe nuk pranuan as ekspertizën e FBI. A duhet të ishte marrë kryeministri dhe ministri i Brendshëm në përgjegjësi penale?
Hetimi e gjykimi i 21 Janarit nuk do konsiderohen madje as të filluara derisa të hetohet, gjykohet e dënohet Sali Berisha, pra ai që organizoi gjithë planin e aktit terrorist dhe urdhëroi të qëllohet mbi protestuesit. Do të ishte krejt normale që kjo të ishte edhe kushti kryesor për pranimin e Shqipërisë si kandidate për në BE në Qershor. Natyrisht që edhe ish Ministri i Brendshëm duhej dhe duhet të hetohet për 21 Janarin. Është meritë e madhe e medias, kameramaneve e gazetarëve, që me kurajo e duke rrezikuar jetën e tyre, arritën të filmojnë dhe dokumentojnë protestën e 21 Janarit, përfshirë edhe veprimet e Berishës, Bashës, policisë dhe Gardës.

Ishte media e shtypi që i provuan publikut dhe gjithë botës të vërtetën e terrorit të 21 Janarit, ndërsa Berisha u përpoq që në fillim ta deformonte të vërtetën edhe duke trilluar gjëra të paqena, duke penguar hetimet, madje edhe duke zhdukur a manipuluar prova. Berisha e kishte menduar alibinë e vrasjeve që para 21 Janarit dhe djallëzia e tij shkonte deri aty sa të parapërgatiste ndonjë mjek se si do të deklaronte publikisht në media për të vrarët. E tmerrshme dhe e pafalshme që edhe disa mjekë u bënë vegla të Berishës, në përgjakjen e Tiranës. I sugjeroj televizioneve dhe gjithë medias që këto ditë të rifreskojnë kujtesën e qytetarëve, pushtetarëve, e sidomos të gjyqtarëve e prokurorëve, duke dhënë sa më të plota filmimet e bëra më 21 Janar dhe në ditët që pasuan si dhe analizën profesionale e me shumë vlera të gazetararëve profesionistë.

Si e vlerësoni qëndrimin e ambasadorit Arvizu, por dhe të SHBA ndaj kesaj vrasjeje makabre por dhe asaj te Gerdecit?
Dua të besoj së shqiptarët e kanë të freskët në kujtesë se si Qeveria Amerikane dhe ambasadorët e SHBA-s, Uithers dhe Arvizu e inkurajuan, ndihmuan dhe i dhanë mbështetjen maksimale, edhe publikisht Prokurorisë për hetimin e çështjes së Gërdecit dhe të vrasjeve të 21 Janarit. Besoj se të gjithë shqiptarët, përveç Berishës dhe klanit të tij, u janë thellësisht mirënjohës atyre për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për insistimin që të dyja këtyre çështjeve t’u shkohet deri në fund, pavarësisht nga posti që kanë pasur dhe kanë personat përgjegjës. Por nëse gjyqësori e prokuroria në Shqipëri s’bëjnë drejtësi, përgjegjësia nuk është as e Amerikës, as e Europës. Politikanët, pushtetarët dhe qytetarët e Shqipërisë nuk duhet të vazhdojnë t’ua ngarkojnë të huajve fajet dhe përgjegjësitë e tyre.

Mendoni se kjo prokurori dhe ky gjyqësor mund të marrin përsipër dënimin autorëve të 21 Janarit? 
Me keqardhje them ‘Jo’ dhe faktet flasin vetë. Edhe për të akuzuarit që prokuroria dërgoi për gjykim si të pandehur për 21 Janarin, gjykata ose i dënoi sa për të thënë, ose u dha pafajësi. Ndërsa Prokuroria as dje, as sot, nuk ka guxuar as ta marrë në pyetje, e jo më ta hetojë autorin kryesor të 21 Janarit, ish kryeministrin Berisha. Prokurori i Përgjithshëm i ka të gjitha provat bindëse për ta marrë sa më parë të pandehur Berishën edhe për 21 Janarin.

Nëse nuk e bën këtë nga frika, atëherë një frikacak nuk mund të jetë Prokuror. Por meqenëse frika është diçka njerëzore dhe askush nuk mund të bëhet kurajoz nëse nuk është i tillë, atëherë e këshilloj miqësisht që të japë sa me parë dorëheqjen dhë të gjithë duhet ta mirëkuptojnë. Çdo arsye tjetër e mosveprimit të Prokurorisë, pra e mosmarrjes si të pandehur e Sali Berishës, është e paarësyeshme, ose me saktë, është korruptive e kriminale, dhe atëherë i mbetet Parlamentit dhe popullit të japë zgjidhjen pa asnjë hezitim e vonesë. Madje edhe përmes Referendumit popullor.

Çfarë duhet të bëjë mazhoranca e majtë për të ushtruar një presion pozitiv në mënyrë që të gjithë ata që kryen masakrën e 21 janarit duke vrare 4 demonstrues të pafajshëm para kryeministrisë me armët e shtetit, të shkojnë para drejtësisë?
Jo vetëm fjalë, jo vetëm gjeste humane dhe nderimi të cilat meritojnë të përshëndeten, jo justifikime, por veprime të shpejta e konkrete dhe Drejtësi të pavonuar më tej për urdhëruesit dhe ekzekutorët e terrorit shtetëror të 21 Janarit-kjo kërkohet nga mazhoranca e sotme, nga Parlamenti e Qeveria. Kjo është dhe një ndër detyrat kryesore që ia ngarkuan dhe besuan shqiptarët më 23 Qershor, kesaj mazhorance.

Kjo mazhorancë ka përballë një opozitë që drejtohet realisht nga një Berishë shumë aktiv, që bashkë me kreun Basha bëjnë thirrje për revolta. Çfarë duhet të bëjë kjo opozitë që të ringrihet?
E thënë shkurt: Që të ringrihet opozita, ajo duhet të rrëzohet edhe më tej e të shpërbëhet. Të shpërbëhet jo vetëm koalicioni me PD, por dhe vetë PD e disa parti të tjera pothuajse pa anëtarësi. Pasja e një opozite demokratike, konstruktive e të painkriminuar, është shumë jetike për demokracinë. Opozita e sotme nuk është as demokratike, as konstruktive dhe një pjesë e madhe e saj është e  zhytur në krim e korrupsion. Pra duhet të Rilindë dhe opozita. Berisha dhe Basha më kot shpresojnë se do i mashtrojnë përsëri demokratët se do vijnë në pushtet shumë shpejt duke bërë revolta të ngjashme me grushtin e shtetit që opozitari Berisha bëri në shtator 1998, madje duke përdorur e dhunuar dhe arkivolin me trupin e Azemit.

Ndërsa mbrojtja e hapur që Berisha, Basha dhe PD po i bëjnë krimit dhe korrupsionit të ish ministrave e zyrtarëve të tyre nën hetim, është dhe një tjetër provë se sa thellë ata janë zhytur në oqeanin e krimit dhe korrupsionit. Kjo dëshmon gjithashtu dhe sa e rrezikëshme ështe PD e Berishës për demokracinë në Shqipëri dhe me sa vullnet e ligësi po punon lidershipi i PD për sabotimin e futjes se Shqipërisë në BE. Por nëse Berisha e Basha nuk do kishin garancinë e paprekshmërisë së tyre, ata dhe deputetët e PD nuk do guxonin as të mbronin, as të festonin me krimin e korrupsionin. Është detyrë imediate e mazhorancës që ta zhbëjë këtë garanci dhe Berisha të përgjigjet para drejtësisë. Nëse mazhoranca nuk e bën këtë, edhe votuesit e saj mund ta dëshpërojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Demokratët dhe në Kuvend ende komandohen nga Berisha…?
Ndonëse e kuptoj qëllimin e mirë të Kryetarit të Parlamentit që e lejon Berishën të flasë në Kuvend pa asnjë kufizim kohe, pra duke e privilegjuar, mendoj se ka ardhur koha që Berisha të mos përkëdhelet e privilegjohet dhe më tej. Aq më tepër që Berisha po e banalizon përsëri Parlamentin me fjalorin dhe sjelljen e tij rrugaçërore. Dua të them se më vjen keq e nuk arrij ta kuptoj se përse disa parti të vogla opozitare e deputetët e tyre vazhdojnë të mbeten nën komandën dhe sqetullat e Sali Berishës. Miqësisht u them: Sa më shpejt të shkëputeni nga aleanca me krimin, pra nga aleanca me Berishën dhe partinë e tij, aq me mirë është jo vetëm për anëtarët dhe partinë tuaj, por edhe për Shqipërinë. E theksoj se ka shumë vitë që në PD nuk ka mbetur ndonjë gjë demokratike.

Me falni, harrova se i ka mbetur vetëm emri. Deri më 23 Qershor 2013 më janë dhimbsur ata mijëra anëtarë të thjeshtë e të ndershëm të Partisë Demokratike. Tani as ata nuk më dhimbsen nëse vazhdojnë të qëndrojnë prapë në partinë që aq keqas i përdori e shfrytëzoi, në partinë që i shkeli me këmbë idealet e pastra të tyre. Ne fakt ajo parti që nga viti 1995 e deri më sot nuk ka qenë më partia e tyre, por partia e Salës dhe klikës mafioze të tij. As sot, dhe për sa kohë ajo parti të uzurpohet nga Saliu dhe klani i tij, demokratët e ndershëm nuk e kanë vendin aty. Janë në shtëpi të huaj dhe duhet të gjejnë të tjera alternativa shpresëdhënëse, alternativa larg Berishës dhe klanit të tij.
Jakin Marena/Shqiptarja.Com

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 18/01/2014. Filed under Çështja 21 Janari 2011. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.