- Home
- Shqipëria
- Bota
- Politika
- Mafia
- Shke-Tek
- Italiano
- Ekonomi
- Biografi
- Automobili
Lexuar 4425Mozaiku i vlerave”, vepër e rrallë artistike e autorit Don Dominik Qerimi përurohet të shtunën në Gjilan. Qerimi deklaroi për KultPlus se për realizimin e kësaj vepre i janë dashur mbi 50 mijë boça të pishave të cilat janë mbledhur në një periudhë prej katër vitesh. Nesër në Gjilan do të përurohet një vepër e veçantë artistike e cila pritet të çertifikohet nga autoritetet e Librit të Rekordeve Botërore të Ginesit(Guinness World Records).
Bëhet fjalë për një mozaik me sipërfaqe prej 90 metrash katrorë, ku janë portretizuar figurat e tri personaliteteve të shquara kombëtare, Gjergj Kastrioti – Skënderbe, Nënë Terezës dhe Don Boskos.
I tërë punimi është realizuar me boça të pishave natyrore nga autori vendor, prifti katolik Don Dominik Qerimi.
Qerimi deklaroi për KultPlus se për realizimin e kësaj vepre i janë dashur mbi 50 mijë boça të pishave të cilat janë mbledhur në një periudhë prej katër vitesh. Ai tha se “Mozaikun e vlerave” e ka realizuar për 53 ditë pune ndërsa për mbledhjen, seleksionimin dhe pastrimin e boçave i kanë ndihmuar të rinjtë vullnetarë të Qëndrës “Don Bosko” në Gjilan, të cilët siç tha, quhen animatorë.“Mozaiku i vlerave” është i gjerë 15 metra dhe i gjerë 6 metra ndërsa do të ekspozohet në mjediset e Teatrit të Qendrës Edukativo-Sociale “Don Bosko” në Gjilan.
Drejtori i i kësaj qendre, shtoi se “Mozaiku i vlerave” është i regjistruar pranë Zyrës Guinness World Records në kategorinë e re të krijuar enkas për rastin e këtij mozaiku, me titullin: ’Largest pine cone mosaic’ (Mozaiku më i madh në botë me boça pishash), me numrin e regjistrimit ID: 437233. Më datën 26 dhjetor 2013 do dërgohen të gjitha dokumentacionet dhe materialet e nevojshme pranë kësaj zyre, për të bërë verifikimin, pranimin dhe çertifikimin e kësaj vepre si Rekordi Botëror Gines i Mozaikut me boça pishash më të madh në botë. Ai tha se katër javë pas përurimit, vepra pritet të çertifikohet nga autoritetet e Librit të Ginesit.
KultPlus.com
———————————————————————————————————————————-
“Mozaiku i vlerave”
Të dhënat
Autor: DON DOMINIK-SKENDER QERIMI – KUKELI
Prift katolik i rregullit salezian të Don Boskos, drejtori i Qendrës “Don Bosko” – Gjilan.
I lindur më 10. 09. 1971 në Gjakovë (fshati Janosh).
Bashkëpunëtorë dhe ndihmës në: mbledhjen e materialit (boçave), klasifikimin sipas përmasave, pastrimin (të boçave dhe hapësirës së punës), përgatitjen e materialit ngjitës (Perlefix) dhe vendosjen e tij në mur (materialit ngjitës në të cilin janë ngjitur boçat): ANIMATORË (gjatë katër viteve 2010-2013 rreth 108 të rinj vullnetarë) e Qendrës Don Bosko – Gjilan, dhe FËMIJËT pjesëmarrës në Lojërat Verore 2010-2013.
Përmasat: Gjatësia – 15 m / Lartësia: 6 m = 90 m2
Numri i boçave: rreth 51.863 (do rinumërohen edhe një herë para se të dërgohen në Londër)
Vendndodhja: Salla e teatrit në Qendrën Edukativo-Sociale “Don Bosko” / Rr. Marie Shllaku nr. 6 / 60000 – Gjilan.
Materiali: Boçat e pishave (krejtësisht natyrore dhe të pamodifikuara) të mbledhura në oborrin e Qendrës don Bosko (4 vite), tek pishat pranë liqenit të Livoçit të Epërm, në Gjilan dhe tek pishat në Llabjan. Boçat të dy llojeve: 1. Pinus Ponderosa; 2. Pinus Sylvestris (Lenneaus);
Kohëzgjatja e realizimit: 53 ditë punë, mesatarisht 2.5 – 3 orë në ditë, nga ora 20.00 deri në orën 22.30 – 23.00, gjithsej prej: 137 orë e 48 minuta pune (do shtohen edhe minutat e ditës së fundut më 25 dhjetor);
Rekordi Guinness: “Mozaiku i vlerave” është i regjistruar pranë Zyrës Guiunness World Records (Rekoredet botërore Guinness) në kategorinë e re të krijuar enkas për rastin e këtij mozaiku, me titullin: në emrin e autorit: Don Dominik-Skender Qerimi, me titullin: ’Largest pine cone mosaic’ (Mozaiku më i madh në botë me boça pishash), me numrin e regjistrimit ID: 437233. Më datën 26 dhjetor 2013 do dërgohen të gjitha dokumentacionet dhe materialet e nevojshme pranë kësaj zyre, për të bërë verifikimin, pranimin dhe certifikimin e kësaj vepre si Rekordi Botëror Guinness i Mozaikut më të madh në botë të realizuar me boça pishash.
Dëshmitarët e pranishëm për mbikëqyrje dhe raportim në “Guinness World Records”:
1. Bekim Korça, 26 ditë; 2. Fadil Rexhepi, 12 ditë ; 3. Dorontina Matoshi, 10 ditë); 4. Ali Demi, 4 ditë; 5. Artan Hajrullahu, 4 ditë; (disa ditë kanë qenë të pranishëm 2 dëshmitarë);
Matja e përmasave : do bëhet më datën 25 dhjetor, pas vendosjes së boçave të fundit, nga eksperti i matjes së përmasave, Kristë Gjergji (arkitekt), në prani të dëshmitarëve;
Përfundimi i punimit: parashikohet bëhet më 25 dhjetor në orë 16.00 kur do vendosen rreth 340 boçat e fundit, dhe do bëhet rinumërimi boçave dhe ri-matja e përmasave të “Mozaikut të vlerave”.
Motivet e vizatimit:
1. Nënë Tereza: një përpunim grafikë i punuar nga ana e autorit të mozaikut, marrë nga modeli bazë i një fotoje të Nënë Terezës .
2. Don Bosko: një përpunim grafikë, nxjerrë nga një foto e don Boskos.
3. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu: një përpunim grafikë i punuar nga ana e autorit të mozaikut, nxjerrë nga një foto bërë statujës/bustit të Gjergj Kastriotit, nga autori Odhise Paskali, në Muzeun Kombëtar të Varrit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në Lezhë.
MOZAIKU, SIMBOL I ‘MISTERIT TË JETËS’
Si çdo mozaik tjetër, edhe ky mozaik është një vepër arti e përbërë nga një larmi trajtash, llojesh dhe pjesësh të ndryshme që të bashkuara, në një harmoni kombinimesh dhe formash, përbëjnë një tërësi. Në rastin tonë, larmia e trajtave, llojeve dhe pjesëve qëndron në dyllojshmërinë e boçave të pishës (1. Pinus Ponderosa; 2. Pinus Sylvestris [Lenneaus]), në madhësinë, në nuancat dhe në profilet e ndryshme të tyre. Duhet theksuar një fakt të rëndësishëm, se të gjitha boçat e pishave që e përbëjnë këtë mozaik janë në formën e tyre natyrore, të pamodifikuara as në ngjyrën as në përmasën e tyre natyrore.
Në tërësinë e tij ky mozaik dëshiron të jetë simbol i ‘misterit të jetës’. Sado që jeta është e shumëllojshme, me gëzime e vuajtje, me boça të zeza e të bardha, me të vogla e të mëdha, me shumë të rëndësishme (në vendin që zënë) e me më pak, prapë se prapë e parë në tërësinë e saj, jeta është dhe mbetet mrekulli. Jeta është një mozaik, tërësinë e të cilit e realizon dhe e udhëheqë vetëm Artisti i Madh, Artisti i vetëm: Zoti. Ai është i vetmi që krijon, ne tjerët (artistë) vetëm imitojmë veprën krijuese të Tij, duke u përpjekur që ta bëjmë të prekshme bukurinë e Artit të Zotit: krijimin. Mozaiku i jetës është një tërësi që mund ta shohë vetëm ‘syri’ i Zotit të Gjithëpushtetshëm. Andaj sa më lartë të ngrihet shpirti ynë në afërsi me Zotin, aq më të qartë mund ta kemi vizionin dhe tërësisë së mozaikut të jetës.
Ky mozaik nuk është i krijuar nga një grumbull boçash (rreth 51.863, që do rinumërohen edhe një herë para se të dërgohen në Londër), por është një projekt i renditur në tërësinë e një vizioni: ai i autorit dhe porosisë që ai dëshiron ta përcjellë. Detyra e çdo njeriu është të zbulojë, me ndihmën e vetë Autorit, cili është vendi dhe roli ynë në atë mozaik që quhet jetë dhe autorë i së cilës është vetë Hyji.
“MOZAIKU I VLERAVE”
Një nga gjërat që njeriun e bëjnë njeri dhe e veçon atë nga krijesat/gjallesat tjetra, është edhe fakti se njeriu nuk jeton vetëm nga ato që i plotësojnë nevojat dhe prirjet e tija fizike, por edhe nga nevojat dhe prirjet e tija shpirtërore, ndër të cilat mund t’i radhisim vlerat dhe virtytet. Andaj ky mozaik quhet “Mozaiku i vlerave – DeZëTeM”, sepse ka për qëllim që të na bëj të dashurohemi dhe të na edukojë shpirtin në ato vlera: universale, kombëtare dhe lokale.
Në majën e piramidës, që përbën hierarkinë e virtyteve/vlerave, me siguri qëndron virtyti/vlera më e çmueshme: DASHURIA. Këtu bëhet fjalë për Dashurinë të shkruar me ‘D’ të madhe, bëhet fjalë për atë dashuri nga e cila zë fill çdo gjë, ajo Dashuri që “krijoi njeriun”… ajo Dashuri që në gjuhën biblike është e identifikuar si ‘emri i dytë’ dhe ‘vetë natyra e Zotit’, sepse “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, . Dashuria është virtyti që njeriun e bën të ngjashëm me Krijuesin e tij. Dashuria është i vetmi shpëtim, jo vetëm i njeriut, por i tërë gjithësisë.
Megjithatë dashuria, nuk është një koncept “abstrakt”, një “flaktus vocis” (thjeshtë një fjalë, një psherëtimë që e merr era). Dashuria nuk është një përplasje emocionesh dhe epshesh që nuk ngopen kurrë, e që shumë herë njeriun e çojnë gjer në shkatërrim. Dashuria është virtyt/vlerë hyjnore, që vjen prej Zotit dhe na udhëheqë tek Ai përmes takimit me vëllanë njeri. Dashuria është edhe vlerë/virtyt njerëzore, dhe nëse nuk duam që të mbetet vetëm një “psherëtimë që e merr era”, duhet të përkthehet/jetohet në vepra konkrete.
“Mozaiku i vlerave – DeZëTeM” sjellë tre shembuj konkret se si dashuria për Zotin krijues nuk duhet të ndahet kurrë nga dashuria për vëllanë njeri, sepse në rast se e ndajmë dashurinë për Zotin nga dashuria për njeriun, atëherë ajo nuk është më as dashuri për Zotin as për njeriun: ajo nuk është dashuri. Tre figurat e paraqitura në këtë mozaik janë personifikimi i këtyre virtyteve/vlerave:
1. NËNË TEREZA – Personifikon dashurinë për Zotin dhe për njeriun të bërë SHËRBIM. Shërbim falas, shërbim ndaj të gjithë atyre që vuajnë, shërbim që edukon dhe që kushton shumë sakrificë. Kjo dashuri e bërë shërbim është e personifikuar në atë që është ylli më i shndritshëm në historinë e popullit tonë dhe jo vetëm.
2. DON BOSKO – Dashuria për Zotin dhe për njeriun e bërë EDUKIM. Edukim veçanërisht i kushtuar fëmijëve dhe të rinjve. Ky edukim, që përmes shërbimit dhe sakrificës së përditshme për të ndërtuar të ardhmen e njerëzimit vendit dhe njerëzimit, është i personifikuar me siguri në një ndër EDUKATORËT më të shquar të të gjithë historisë.
3. GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU – Është personifikimi i dashuria për Zotin dhe për njeriun që bëhet SAKRIFICË për mëmëdheun. Kjo sakrificë për mëmëdheun është personifikuar në emblemën më të shquar të “kombit” tonë, në jetën e të cilit ‘sakrifica për mëmëdheun’ qëndron në të njëjtën shkallë me ‘TRIMËRINË dhe GUXIMIN’ e tij. Sakrificë që nuk bën llogaritë e përfitimit, sakrificë që përmes shërbimit që i bëhet atdheut na edukon që edhe sot të mbrojmë vendin tone me armët e së VËRTETËS, TË SË DREJTËS, BASHKIMIT… ME ARMËN E DASHURISË.
Dy rrezet e bardha që lidhin figurën e Nënë Terezës dhe të Gjergj Kastriotit me don Boskon, simbolizojnë lidhshmërinë e këtyre tre vlerave: vlerës UNIVERSALE, të dashurisë së bërë shërbim (Nënë Tereza); vlerës KOMBËTARE, të sakrificës për mëmëdheun (Gjergj Kastrioti – Skënderbeu), të bashkuara rreth emblemës që përfaqëson Qendrën Don Bosko në Gjilan dhe që prezanton një vlerë VENDORE/LOKALE, të dashurisë që bëhet edukim (don Bosko).
Koha e realizimit të këtij mozaiku nga 07 tetor 2013 në ora 20.26, kur u vendos boça e parë, deri më 25 dhjetor ora 16.45 (parashikohet që rreth kësaj ore të vendosen boçat e fundit], në një kohë-gjatësi prej 52/53 ditësh ditësh pune, gjer tani me 137 orë e 48 minuta [duhet shtuar edhe minuat e ditës së përfundimit]) punë e bërë ‘rreptësisht në kohën e lirë të pasdarkes (nga ora 20.00 – 22.30/23.00). Gjatë kësaj pune shumë veta kanë kaluar këtu dhe duke parë përmasën e këtij mozaiku kanë pasur një përshtypje të dyfishtë: ky mozaik është një vepër ‘e madhe’ dhe ‘e vlefshme’. Nuk di nëse mund të jemi të gjithë të pajtimit mbi madhështinë dhe vlerën e këtij punimi (ua lë juve që ta vendosni), por një gjë mund ta them me siguri: nëse “Mozaiku i vlerave” është ‘i madh’ dhe me ‘shumë vlerë’, nuk duhet të harrojmë faktin se, ai është i realizuar me ‘gjësende shumë të vogla’ dhe ‘pothuajse krejtësisht të pavlera’, siç janë boçat e pishave.
Ata që i qasen këtij mozaiku duhet të jenë të kujdesshëm që mos të “përfshihen tepër” nga përmasa e metrave katrorë dhe numrit të boçave që e përbëjnë atë (15/6 m2 = 90 m2, me rreth 51.863 boça [për t’u rinumëruar edhe një herë). Më datën 26 dhjetor do dërgohet dosja e dokumentacionit të këtij punimi në Londër (Angli) për të bërë verifikimin dhe për të marrë certifikimin e ‘Rekordeve botërore – Guinness’, ku tashmë është i regjistruar pranë Zyrës Guinness World Records (Rekoredet botërore Guinness) në kategorinë e re të krijuar enkas për rastin e këtij mozaiku, me titullin: ’Largest pine cone mosaic’ (Mozaiku më i madh në botë me boça pishash), me numrin e regjistrimit ID: 437233.
Megjithatë ky është thjeshtë një mozaik, i bërë me shumë dashuri dhe sakrificë dhe që ka për qëllim edukimin në virtyte dhe vlera. Por më shumë se ‘vlerën artistike dhe madhështinë’ e përmasave të këtij mozaiku, kam dëshirë të shpreh mbi të gjitha një bindje që unë, si autor i këtij punimi, e kam të thadruar në zemër. Ky mozaik është dhe dëshiron të jetë dëshmi e një dashurie të dyfishtë. E dashurisë që unë kam për Zotin, për të rinjtë të e kësaj qendre (atyre që tashmë janë pjesë e këtij realiteti dhe atyre që do të vijnë), për qytetin e Gjilanit, për Shtetin e Kosovës, për realitetin Gjithëshqiptarë… për çdo njeri. Por, ky mozaik mbi të gjitha dëshiron të jetë një dëshmi e Dashurisë që Zoti ka për ne. Madhështia e këtij mozaiku le të jetë vetëm nxitje që shikimin tonë ta drejtojmë në atë që vërtetë është e madhe, në atë që është ‘tepër e madhe’ për t’u definuar me cilindo term njerëzor, e kjo është Dashuria e Zotit. Andaj, DeZëTeM: Dashuria e Zotit është Tepër e Madhe.
Don Dominik Qerimi/Proletari.Com