Mjeku Kastriot Dautaj, 15 llogari bankare me 470 mijë USD

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 5637
Prokuroria i dorëzon gjykatës dosjet hetimore të urologut Kastriot Dautaj dhe kirurgut Ardian Nelaj. Pasuria e Dautajt, në sekuestro paraprake
TIRANË – Nga mjekë të nderuar, në të pandehur. Ky është fati i Kastriot Dautajt, kirurg urolog në Qendrën Spitalore “Nën Tereza” dhe i kirurgut të spitalit të burgjeve, Ardian Nelaj, që janë tashmë në pritje të nisjes së procesit gjyqësor. Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimin për 66-vjeçarin Kastriot Dautaj, i cili akuzohet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dërgoi dosjen hetimore në gjykatë, ku pritet të nisë edhe procesi gjyqësor ndaj tij. Më herët, njësia “Task Forcë” mbylli hetimet edhe për kirurgun e spitalit të burgjeve, Ardian Nelaj, mbi të cilin rëndon e njëjta akuzë, e provuar tashmë sipas organit të akuzës në 2 raste. Bëhet fjalë për operacionet që kirurgu Nelaj kryente në spitalin civil në kryeqytet, ku gjatë ushtrimit të detyrës, policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë arritur të filmojnë dhe fotografojnë atë duke marrë para nga familjarët e dy pacientëve. Burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se kirurgu Ardian Nelaj ka përfituar në mënyrë të paligjshme shumën e 48 mijë lekëve nga familjarët e dy pacientëve që ka operuar, të cilëve u ka marrë përkatësisht 30 dhe 18 mijë lekë.

Copëzimi i vazhdueshëm i llogarive bankare, që në vlerë totale kap shumën e 470 mijë dollarëve, ishte indicio e parë për nisjen e hetimeve ndaj kirurgut të njohur, i cili tetë muaj nga nisja e hetimit dyshohet se është përfshirë në tetë raste korrupsioni me familjarët e pacientëve. Sipas dosjes hetimore, që tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës, janë arkivuar të paktën tetë raste, kur mjeku Dautaj ka marrë para në vlera të ndryshme që variojnë nga 30 deri në 50 mijë lekë nga pacientët që operonte. Rasti flagrant, sipas organit të akuzës, ka të bëjë me atë të datës 7 korrik të vitit të shkuar, datë në të cilën u krye edhe arrestimi i kirurgut. Sipas akteve të administruara tashmë në dosjen hetimore, rezulton se nga kontrolli fizik që i është kryer mjekut Dautaj, policia ka gjetur në xhepin e djathtë të uniformës jeshile shumën e 50 mijë lekëve, të cilat i kishte marrë nga I. H., babai i pacientes L. H., e cila sapo ishte operuar nga kirurgu. Por ky është vetëm një nga tetë rastet, që sipas prokurorisë rëndojnë mbi 66-vjeçarin, pasi gjatë hetimeve të para janë dokumentuar edhe katër raste të tjera, ndërsa pas arrestimit në organin e akuzës janë depozituar tre kallëzime që akuzojnë mjekun për ryshfet.

Pasuria
Sipas të dhënave të prokurorisë, Kastriot Dautaj rezulton të ketë 470 mijë dollarë dhe 5 mijë metra tokë, që aktualisht ndodhen nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Tiranës. Kështu, në datat 10 dhe 15 korrik të vitit të shkuar, si dhe më 3 shtator, Gjykata ka vendosur të sekuestrojë 15 llogaritë bankare që rezultojnë në emër të Dautajt dhe bashkëshortes së tij, si dhe sipërfaqen prej 4 mijë e 600 metrash tokë arë që ndodhet në fshatin Lanabregas të Tiranë. Me kërkesë të prokurorisë, më datë 10 korrik, gjykata vendosi masën e sekuestros për 11 llogari bankare me vlerë totale prej 426 mijë e 670 dollarësh, që mjeku kishte depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë. Pesë ditë më pas, po me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendosi të njëjtën masë edhe për katër llogari të tjera bankare që ishin depozituar në dy banka të ndryshme me vlerë 44 mijë e 690 dollarë dhe 146 mijë lekë. Ndërsa më 3 shtator, prokuroria evidentoi edhe një sipërfaqe të konsiderueshme toke, ku Dautaj ishte aksioner, për të cilën u vendos sërish masa e sekuestros, pasi organi i akuzës dyshon se këto
asete janë siguruar nga veprimtaria e jashtëligjshme.

***

Agim Karaj, një tjetër kirurg që është nën hetim për akuzën e korrupsionit u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë deklarime rreth dyshimeve të organit të akuzës. I arrestuar me bujë, disa muaj më parë nën akuzën e korrupsionit, Karaj arriti të përfitojë një masë të butë sigurie, pasi Gjykata e Tiranës nuk pranoi kërkesën e prokurorisë për masë sigurimi “arrest me burg”. Sipas burime të prokurorisë, ditën e djeshme Karaj është thirrur në prokurori për t’u pyetur në cilësinë e personit nën hetim, pasi ende nuk është marrë një vendim përfundimtar ndaj tij.
Leonard Bakillari

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 07/05/2010. Filed under Mafia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

One Response to Mjeku Kastriot Dautaj, 15 llogari bankare me 470 mijë USD

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.