Ndërkombëtarët, si i bindën PS e PD të firmosnin paktin para dhjetorit

Print Friendly, PDF & Email

Lexuar 1910
Takimet e fshehta të ndërkombëtarëve me negociatorët e partive, gati reforma zgjedhore e parlamentare.

Roli i drejtorit të BE-së për Zgjerimin, Sanino, dhe ambasadorëve të SHBA dhe BE.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit parlamentar dje në mesditë. Arritja e kësaj marrëveshjeje kishte muaj që negociohej. Por pa presionin dhe monitorimin e afërt të faktorit ndërkombëtar, kjo marrëveshje mund të ishte edhe sot shumë larg. Por, si erdhën palët deri në këtë marrëveshje? Përveç mandatimit të dy grupeve të negociatorëve, PS me Vasilika Hysin e Damian Gjiknurin dhe Oerd Bylykbashi e Viktor Gumi nga PD, asnjë detaj tjetër nuk u njoftua ndonjëherë nga partitë politike se në ç’fazë ishin negociatat. Në dijeni të plotë ishin vetëm kryetarët e partive dhe negociatorët dhe diplomatët e huaj me firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefano Sanino. Që pas ngritjes së grupeve të negociatorëve, kontaktet u zhvilluan në fshehtësi të plotë dhe në mungesë të plotë informacioni edhe për vetë partitë respektive. Deputetët gjatë gjithë kësaj periudhe dymujore nuk kishin asnjë dijeni se ç’po ndodhte, se çfarë propozimesh vinin nga krahu tjetër dhe si do t’i përgjigjej partia e tyre. Vetëm një javë më parë, negociatori socialist Damian Gjiknuri i informoi kolegët e tij socialistë në mbledhjen e Grupit rreth negociatave të zhvilluara dhe qëndrimet e palëve në këto negociata.
Negociatat
Në nisje të bisedimeve, palët ishin shumë larg njëra-tjetrës. Partia Socialiste kërkonte transparencë për atë që kishte ndodhur në dy zgjedhjet e fundit, 2009 dhe 2011, ndërhyrje në Kushtetutë për sistemin zgjedhor dhe identifikim të zgjedhësve në votim. Partia Demokratike u shpreh që në fillim e vendosur për t’iu përmbajtur vetëm 52 rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR-i. Në një periudhë disajavore, negociatat ngrinë, deri në publikimin e progres-raportit, i cili i vuri palët para presionit të ndërkombëtarëve që kërkuan nisjen nga puna për reformën zgjedhore dhe parlamentare dhe kalimin e ligjeve me 3/5, që do t’i hapte rrugë dhe plotësimit të 12 prioriteteve që BE i ka vënë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ishte periudha kur dy ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Greqisë mbërritën në Tiranë për të inkurajuar palët. Pas tyre, drejtori i Zgjerimit, Stefano Sanino, do të merrej personalisht me negociatat e PS dhe PD për t’i detyruar palët të qëndronin te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të mos bllokonin marrëveshjen. Madje, ka qenë insistimi i diplomatëve, të cilët kanë ushtruar presion dhe te liderët e dy partive për t’u tërhequr nga disa prej pretendimeve të tyre, të cilat po zgjatnin arritjen e konsensusit dhe humbisnin kohë. Faktori ndërkombëtar duket se është shprehur qartë: nisni nga puna me reformat, me ligjet që kërkojnë 3/5, bashkëpunim për 12 prioritetet e BE-së me qëllim që në muajin dhjetor, ministrat e Jashtëm të BE-së të shohin në Shqipëri një dialog dhe konsensus konkret. Palët ranë dakord që sistemi zgjedhor, i cili nuk parapëlqehet shumë nga dy partitë e mëdha, të ndryshohet, të mos shërbejë si pikë bllokimi i negociatave. Presioni më i madh për sistemin vjen nga partitë e vogla, si të koalicionit të majtë, ashtu dhe ato të koalicionit të djathtë, pasi ai penalizon direkt ato. Ndoshta çështja e ndryshimit të sistemit do të jetë një pikë që pritet të zgjidhet me marrëveshje mes partive të mëdha dhe aleatëve të tyre para zgjedhjeve të 2013.

Topalli: Palët morën përgjegjësitë që u takojnë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, lajmëroi në një konferencë për shtyp arritjen e marrëveshjes dhe vendimmarrjen unanime në Konferencën e Kryetarëve. Ajo e quajti ditën e djeshme një ditë të shënuar për Kuvendin. “Me miratimin unanim të  Konferencës së Kryetarëve, sot është vendosur të nisë puna për zhbllokimin e asaj situate që ka penguar për më shumë se dy vjet procesin e integrimit. Unë, të paktën sot, dua të harroj debatet e dy viteve dhe të përgëzoj partitë politike parlamentare për vendimet që kanë marrë sot në Konferencën e Kryetarëve. Sot, të gjitha palët kanë marrë përsipër përgjegjësinë që u takon”, tha Topalli. Sipas saj “Unë shpresoj shumë që ligjet që kërkojnë 3/5-tat, do të shqyrtohen me seriozitet dhe do miratohen sipas kalendarit të miratuar nga Konferenca. Shpresoj dhe uroj që mirëkuptimi i arritur sot në Konferencë për ngritjen e Komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore do të vazhdojë të jetë në themel të punës së këtij komisioni”.

Kreu i Grupit të PS flet pas mbledhjes Ruçi: Morëm konsensus për shqyrtimin e ligjeve me 3/5
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha dje në një prononcim për mediat se Konferenca e Kryetarëve vendosi me unanimitet që të kalojë nëpër komisione shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. “Miratuam një axhendë diskutimesh, shqyrtimesh të veprimtarisë së komisioneve për një pjesë të projektligjeve të mbartura me 3/5, të cilat do të jenë në kalendarin e Kuvendit. Sigurisht që kaloi me konsensus”, u shpreh Ruçi në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve. Arritja e konsensusit mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste erdhi pak ditë pasi nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, i dorëzoi një axhendë për ligjet me 3/5 kryetarit Ilir Rusmali dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Në ditët pas dorëzimit të draftit, nuk pati asnjë qëndrim zyrtar nga maxhoranca për propozimin e opozitës, por ai duket se është pranuar në heshtje teksa në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve është vendosur rishqyrtimi i ligjeve me shumicë të cilësuar sipas afateve të parashikuara nga opozita.

Komisioneri: Mund të ketë efekte pozitive Fyle: Pakti PS-PD është pikë kthese për Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i ka dërguar dje një letër Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, pas arritjes së kompromisit mes tyre. “Rinisja e një pune konkrete për 12 prioritetet kyçe, përfshirë këtu përfundimin dhe miratimin në Parlament të Planit të veprimit, krijimit të dy komisioneve të posaçme parlamentare që do të punojnë për Rregulloren e Parlamentit dhe legjislacionin zgjedhor, dakordësisë mbi një kalendar të diskutimeve dhe miratimit në Parlament të legjislacionit kyç, të gjitha këto mund të përfaqësojnë një pikë të vërtetë kthese për Shqipërinë”, shkruan zoti Fyle. Sipas tij, vendimmarrja në Tiranë mund të ketë efekte pozitive në mendimet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë. “Ndonëse nuk do ta konsideroja realiste mundësinë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat në fund të këtij viti, unë jam po aq i bindur se një veprim i shpejtë e i vendosur nga ana e forcave politike shqiptare, në kontekstin e një dialogu konstruktiv e domethënës, mund të ketë një efekt pozitiv në mënyrën se si Këshilli do të vlerësojë mundësitë që Shqipëria të bëjë progres në ecjen përpara drejt Bashkimit Europian”, shprehet komisioneri Fyle.

kodet
Komisionet parlamentare do të nisin nga dita e sotme zbatimin e një prej tri pikave të marrëveshjes së arritur dje në Konferencën e Kryetarëve, atë të rishikimit të kodeve që kërkojnë 3/5 e votave. Në mbledhjen që do të mbajë Komisioni i Ligjeve, do të diskutohen disa ndryshime në Kodin Penal. Ndërkohë, një axhendë më të ngjeshur do të ketë Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, i cili do të diskutojë dy nisma për ndryshimin e Kodit Detar, ndryshimin e Kodit Hekurudhor dhe Kodin Ajror.

Venecia
Komisioni i Venecias. Një delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR vizitoi Shqipëri për të dhënë rekomandimet e tyre në lidhje me ndryshimet në reformën zgjedhore. Në përgatitje të një raporti për zgjedhjet në Shqipëri, delegacionet e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it u informuan mbi pretendimet e palëve. “Jemi këtu për të parë çfarë mund të bëhet në të ardhmen për përmirësimin e kuadrit të reformës zgjedhore”, tha Markert, kreu i delegacionit të Venecias që vizitoi Tiranën zyrtare. ARISTIR LUMEZI

Volfarth: “Pakti të miratohet shpejt në Kuvend”

as vendimit të Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe Grupit të Punës për reformën parlamentare, ka reaguar pozitivisht edhe komuniteti ndërkombëtar. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, është shprehur përmes një deklarate për shtyp se pas arritjes së paktit dje, tani i mbetet Parlamentit që të miratojë formalisht projektvendimet, të cilat do t’i hapin rrugë nisjes së këtyre dy reformave. “Përshëndes vendimin e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe për të çuar përpara axhendën e ligjeve të tjera reformuese, të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Marrëveshja ndërpartiake, që u arrit sot, është një hap vendimtar, që tani kërkon miratim formal dhe përfundimtar në seancë plenare, gjë të cilën shpresojmë ta shohim këtë të enjte”, është shprehur ambasadori i OSBE-së në një deklaratë për mediat. Disa herë radhazi, diplomati i lartë i Prezencës u ka bërë thirrje Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që t’i japin fund krizës politike dhe të nisin negociatat e tyre për reformën zgjedhore.

PD-PS, marrëveshje në Kuvend

Parlamenti miraton të enjten ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore.
Konsensusi, ligjet me 3/5 do miratohen brenda marsit

Pas gati dy vjet krize politike, PD dhe PS bien dakord të nisin së bashku reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Në një mbledhje formale të Konferencës së Kryetarëve janë votuar me unanimitet tri vendime, të cilat do të kalojnë të enjten në seancë parlamentare, çka i hap rrugë konsensusit të gjerë në tri drejtime të forcave politike. Së pari, dy partitë e mëdha kanë rënë dakord të nisin reformën zgjedhore. Komisioni do të ketë një afat tremujor, do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë (do të ketë 10 anëtarë, pesë nga secili krah politik), si dhe do t’i marrë vendimet me konsensus. Në draft është rënë dakord që për çështjet që palët nuk kanë të njëjtin qëndrim, ato t’i drejtohen Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR. Organizmat e huaja nga ana e tyre do të jenë të ftuara të asistojnë në punën e Komisionit. “Komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor”, thuhet në draftin që do të votohet të enjten në Parlament. Këtij vendimi i parapriu një letër e dy kryetarëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe Konferencës së Kryetarëve, ku shprehnin angazhimin e tyre në këtë drejtim. Së dyti, palët kanë rënë dakord të ngrenë një grup pune më katër anëtarë (dy nga maxhoranca dhe dy nga opozita) për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Ky grup do të ketë për detyrë të rishikojë dhe përmirësojë Rregulloren e Kuvendit, duke pasur si model referimi Rregulloren e Parlamentit Europian dhe rekomandimet e Komisionit Europian. Kryetarja e Kuvendit do të kërkojë asistencë teknike dhe ekspertizë nga OSBE-ja, KE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar këtë grup pune, i cili do të ketë një mandat katërmujor, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet. Së treti, PD ka pranuar axhendën e propozuar nga opozita për rishikimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. Ndërkohë, kushti i demokratëve që përpara se të ngrihet Komisioni i reformës zgjedhore të votohen disa kode në Parlament, është pranuar nga PS-ja. Në mbledhjen e së enjtes, Kuvendi do të votojë dy draftet e para me 3/5, Kodin Hekurudhor dhe Kodin Ajror.

Afatet për Komisionet
1. Komisioni për reformën zgjedhore do ta ushtrojë veprimtarinë për një afat prej tre muaj nga data e mbledhjes së parë të tij. Në rast se nevojitet, me kërkesë të arsyetuar të bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit.
2. Grupi i Punës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit do ta ushtrojë veprimtarinë e tij për një periudhë 4- mujore, me të drejtë zgjatjeje nëse kërkohet.
3. Pas miratimit të katër Kodeve në tri javët e ardhshme, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synimin që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.

Pakti PS-PD
Komisioni për Reformën Zgjedhore
.Komisioni ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011.
. Anëtarësia e Komisionit formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare, me përbërje të barabartë mes shumicës e pakicës, sipas përbërjes së përcaktuar në këtë vendim.
. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste.
. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë e ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij.
. Çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Maxhoranca parlamentare mirëpret propozimet e opozitës parlamentare, të bazuara në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe palët angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve dhe vetëm kur kanë marrë konsensusin e PD dhe PS.
. Përbërja e Komisionit është si më poshtë (10 anëtarë – maxhoranca: PD 2 anëtare, LSI, PR dhe PDIU nga 1 anëtar secila; Opozita: PS 4 anëtarë, PBDNJ 1 anëtar)

Grupi i punës për reformën parlamentare
Ne kryetarët e grupeve parlamentare të PD dhe PS i propozojmë Konferencës së Kryetarëve të marrë vendim si më poshtë:
. Të ngrihet Grupi i Punës “Për rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregullat dhe Procedurat e Parlamentit Europian”.
. Grupi i Punës ka për detyrë rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit, duke pasur si model referimi Rregulloren e Parlamentit Europian dhe rekomandimet e Komisionit Europian.

. Grupi i Punës autorizohet të hulumtojë dhe të përgatisë propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor të statusit të deputetit dhe cilësisë së kontrollit parlamentar, duke iu referuar praktikës së Parlamentit Europian dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, dhe duke i përshtatur ato në kontekstin e jetës parlamentare të Shqipërisë.
. Grupi i Punës përbëhet nga 4 anëtarë, 2 nga shumica dhe 2 nga opozita parlamentare, sipas përbërjes më poshtë:
. Grupi i Punës drejtohet nga dy bashkëdrejtues, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste.
. Konferenca e Kryetarëve autorizon Kryetaren e Kuvendit të kërkojë asistencë teknike dhe ekspertizë nga Prezenca e OSBE–së, Delegacioni i Bashkimit Europian dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë të interesuar për përmirësimin e jetës parlamentare në Shqipëri.
. Vendimet në Grupin e Punës merren me konsensus.

Rishqyrtimi i ligjeve me 3/5
. Projektligjet e axhendës së Kuvendit që kërkojnë shumicë të cilësuar, të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në Kuvend në grupe, me kalendarë trejavorë, sipas miratimit të Konferencës së Kryetarëve dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
. Për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, të rishqyrtohen në komisione dhe të përgatiten për shqyrtim e miratim në seancë plenare këto projektligje: Kodi Hekurudhor, Kodi Ajror, Kodi Detar (2 nisma), Kodi Rrugor (3 nisma).
. Kodi Hekurudhor dhe Kodi Ajror të shqyrtohen në seancën plenare të datës 17 nëntor 2011.
. Kodi Detar të shqyrtohet dhe miratohet në seancën plenare të datës 24 nëntor 2011.
. Kodi Rrugor të shqyrtohet dhe miratohet në seancën plenare të datës 1 dhjetor 2011.
. Komisionet parlamentare përkatëse të marrin të gjitha masat për organizimin e kalendarit të veprimtarive për rishqyrtimin e projektligjeve, më qëllim përmbushjen e afateve të përcaktuara për shqyrtimin në seancë plenare.
Adi Shkembi/Panorama

Lexoni më shumë nga kjo kategori

Shpërndaje

Google1DeliciousDiggGoogleStumbleuponRedditTechnoratiYahooBloggerMyspaceRSS
Posted by on 17/11/2011. Filed under Politika. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Komento

Questo sito usa Akismet per ridurre lo spam. Scopri come i tuoi dati vengono elaborati.